Kreu Letërsi Shënime mbi libra Xhevat Syla: Edlira Rama, një zë i ri në letërsinë shqipe për...

Xhevat Syla: Edlira Rama, një zë i ri në letërsinë shqipe për fëmijë

Nga takimi me autoren e letërsise për fëmijë Edlira Rama, e cila që në moshë të re befasoi këndshëm me krijimin e përrallës për fëmijë

Brezi më i vjetër i shkrimtarëve për fëmijë përherë i është gëzuar dhe i gëzohet ardhjes së talenteve të reja, sidomos të atyre që shpërthimin e kanë më të veçantë, që befasojnë këndshëm me idetë, frymëzimet, artin dhe përgjithësisht me vlerat që japin. Kështu u prit, që në vitin 1996, edhe krijuesja e re Edlira Rama, e cila i erdhi letërsisë sonë për fëmijë si bijë e një krijueseje letrare dhe e babait inxhinier dhe intelektual i njohur (Shpresa Kapisyzi – Rama dhe Esat Rama). Ata, natyrisht, të gëzuar, u përkujdesën që talentin që vërejtën tek e bija ta shpërfaqin edhe para miqve të tyre, para së githash para autoriteteve të njohura letrare sidomos në fushën e letërsisë për fëmijë.

Edlira Rama lindi më 22 prill 1985, në Shkodër. Qysh si nxënëse e ciklit të ulët të fillores ajo u mahnit me magjinë i librit. Lexoi kryesisht përralla të autorëve tanë dhe të huaj, por nisi të shkruaj edhe vetë. Përrallat e para i botoi në periodikun letrar për fëmijë. Ndërkaq librin e parë “Udhëtimi në botën qiellore” e botoi më 1996, si njëbëdhjetëvjeçare. Nisur nga struktura që ia kishte menduar kësaj përralle të gjatë, ajo nuk ngurroi që atë ta trajtonte si roman. Pas këtij libri botoi edhe përmbledhjet e tjera me përralla: “Kur vallëzojnë lulet” (1996), për të cilin po këtë vit mori çmimin “Vehbi Kikaj” në Konkursin letrar të letërsisë për fëmijë. Në vitin 1997 botoi librin tjetër me përralla “Kaprolli që donte diellin”, ndërsa më 1999 botoi librin e katërt me përralla “Xixëllonjat dhe teatri i Borëbardhës”.  Edlira Rama është autore edhe e romanit “Ishulli i fëmijëve” (2000), i cili pritet të ribotohet. Me të gjithë këta libra ajo u afirmua dhe u pranua si njëra nga shkrimtaret e reja për fëmijë, e cila befesoi këndshëm lexuesin, kritikën letrare dhe dashamirësit e letërsisë për fëmijë në përgjithësi.

Kjo është një etapë e parë e krijimtarisë së saj, e shtrirë në rreth një dekadë e gjysmë, pas të cilës pasoi heshtja në krijimtari, mirëpo ajo vazhdoi me përkushtimin shkollimit të mëtejmë, avancimit shkencor e profesional dhe me  punën. Tani ajo është një intelektuale e mirëfilltë, me një përgatitje të shkelqyeshme akademike nga fusha e historisë së artit dhe me një përvojë solide në krijimtarinë letrare dhe shkencore, e gatshme për biseda në çdo temë, me qetësinë dhe seriozitetin që e shquan. Ata që i kanë lexuar librat e saj, nuk e harrojnë. E dinë si njërën prej krijueseve të shkelqyeshme në letërsinë për fëmijë, të dëshmuar me vlera që kënaqin shijen e lexuesve më seriozë e me kërkesa të mëdha.

Krijimtaria magjike, e shfaqur në librin e saj të parë me titull “Udhëtimi në botën qiellore”, iu ofrua për vlerësim shkrimtarit Dritëro Agolli, i cili në parathënien e tij, ndër të tjera, shkruan: “Në këtë vepërz të bën përshtypje zbulimi shkallë-shkallë i gjërave dhe i ngjarjeve përmes rrëfimit të ngjyrshëm, të befasojnë të papriturat dhe të gëzon mençuria e të treguarit dhe njohuria e “astronomisë” naive, emrat dhe lëvizjet e yjeve, ndryshimet e pamjes së Hënës. Është një aventurë e bukur e Erit nëpër qiell në pallatin e Mbretëreshës së Yjeve, që është Hëna e me radhë. Në këtë aventurë lexuesi nuk mund të mos dallojë zotësinë e autores së vogël për të vërejtur gjërat dhe për t’i treguar me saktësi, pa na shtrembëruar kuptimin brenda fushës së fantazisë. Mes kësaj fushe spikat edhe gjuha e pasur dhe e figurshme, duke marrë parasysh moshën dhjetëvjeçare të Edlirës.”

Librin “Udhëtim në Botën Quiellore” autorja e shkruan si roman, ngase edhe e kishte menduar dhe konceptuar të tillë. Ai ka hyrjen, zhvillimin, por edhe përfundimin dhe edhe mund të konsiderohet si një roman i shkurtër për të vegjëlit. Përshkruan një aventurë që personazhi Eri e bën në ëndërr, aventurë në të cilën ai njeh botën qiellore, galaktikën, e cila përherë ka zgjuar dhe zgjon kureshtjen e të gjithë fëmijëve në interesimet e tyre për ta njohur botën,  para së gjithash gjithësinë me trupat enigmatikë qiellorë. Është interesante si arrin një krijuese e re ta mendojë dhe ta shpërfaqë një ide kaq interesante, e cila, në esencë, është preokupim dhe ëndërr e të gjithë fëmijëve në botë, e madje për të ngelin kureshtarë të përhershëm edhe të rriturit. Në përfundim të përrallës autorja e re nxjerr edhe mesazhin për lexuesin, i cili konsiston në dashurinë për vendin. Eri i vogël, përballë gjithë bukurive përrallore që has në gjithësi, deklarohet se më me dëshirë do të qëndrojë të jetojë në vendin e vet, bukuria e të cilit nuk krahasohet me atë të vendeve të tjera përrallore që i viziton në ëndërr.

Librat me përralla të Edlira Ramës, përveç vlerësimit të Dritëro Agollit, u pritën me gëzim edhe nga autoritete të tjera të shquara të letërsisë për fëmijë. Për librin “Kur vallëzojnë lulet”, shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë për fëmijë Bedri Dedja, i mrekulluar me vlerat në të cilat has te kjo krijuese e re plot talent, shkruan: “Krijimtaria e Edlirës së vogël qe një nga befasitë e jetës sime.”

Edlira Rama, që në moshën e saj të re ka një përkushtim të veçantë në krijimin e përrallës për të vegjëlit, ndaj befason këndshëm edhe me përralla të tjera të cilat i përfshin në librat e radhës. Në librin “Kaprolli që donte diellin”, redaktor  Odhise Grillo, ilustrimet Gëzim Tafa, botuar nga Shtëpia botuese “Toena”, kemi shumë përralla të bukura, në të cilat vërehet edhe më shumë pjekuria, përkushtimi dhe mjeshtëria e rrëfimit artistik.

Përralla me titullin “Përrallat dalin nga libri” është, në të vërtetë, një përrallë për përrallat. Personazhe janë përrallat e Andersenit, e ku autorja i shpirtëzon personazhet në një atmosferë dhe kontekst përrallor. Pikërisht përralla “Kaprolli që donte diellin”, që është edhe titull i librit, është një rrëfim i bukur, me personazhe interesante dhe të tipizuara qartë, me kaprollin Kik dhe kaprollin Kopi, të cilët janë vëllezër, njëri më i vogël, e tjetri më i madh. Kaprolli Kopi, i vogli, të clin e shquan naiviteti fëmijëror fluturën e sheh si lule, ndërsa diellin si top dhe ka dëshirë që me të dyjat të luajë. Kur diellin e sheh të pasqyruar në lumë, ai, i mashtruar nga i vëllai më i madh se për ta kapur diellin do t’i ndihmojë peshku, mëton të hidhet në lumë për ta kapur topin që e dëshiron. Mesazhi për lexuesin e vogël del se edhe loja duhet të ketë kufijtë e saj, ngase ajo mund të jetë edhe me rrezik për fëmijën i cili ende nuk e njeh botën dhe gjërat në të. Ndërkaq në përrallën ”Kur je i lirë”, Tigi, qenushi i vogël, i ik vogëlushit Endri dhe arratiset në pyll, meqë nuk  duron të jetojë i lidhur me zinxhirë, pa liri të lëvizjes. Në pyll takon Kaprollin me brirë, nga i cili kupton se as ai nuk çon jetë krejt të lirë aty, ngase çdo çast ka rrezik të sulmohet nga ujqit. Për këtë vërejtje të Kaprollit, Tigi e konsideron atë mendjenditur, prandaj edhe e mirëpret këshillën e tij të kthehet me njerëzit, si kafshë shtëpiake që ishte. Mësim të ngjashëm, qenushi i vogël Tigi merr edhe nga takimi me mushkonjën, ku mësimi i vjen nga pyetja retorike që i bën ajo: Ku ka kafshë që bëjnë ç’të duan dhe shkojnë ku të duan?! Ngjashëm Tigi i vogël merr mësime edhe nga zogu, lepuri, ketri  e kafshë të tjera, ndaj edhe Endri i vogël kupton se Tigit i duhet liria dhe nuk e lidh më me zinxhirë. Sado që jepet në mënyrë naive, lexuesit të vogël marrin një mësim i vlefshëm.

Ndonëse autorja është e re, tekstet e saj letrare janë të pjekura dhe mund të krahasohen me ato të përrallëtarëve të njohur, qoftë kombëtarë apo edhe botërorë. Rrëfimin ia shquan racionaliteti, qartësia, figuracioni, poetika, gjuha e pastër letrare, që, të gjitha bashkë, bëjnë një stil tërheqës, i cili e kënaq lexuesin pavarësisht nga mosha që ka.

Edlira Rama krijimtarinë letrare për fëmijë e nisi shumë e re, madje me një bum që bëri, e i cili u përkrah dhe entuziazmoi aq shumë pena të njohura dhe dashamirës të tjerë të letërsisë sonë për fëmijë. Nga botimi i librit të fundit kanë kaluar bukur shumë vite. Është kjo një periudhë në të cilën ajo, siç e theksuam, ka pasur arritjet në fushën akademike, por edhe të punës, mirëpo lexuesi i vëmendshëm i letërsisë sonë për fëmijë nuk mund të arsyetojë as pranojë heshtjen bukur të gjatë të saj në krijimtarinë në të cilën u shqua.

Ishte kënaqësi e veçantë për mua takimi me Edlira Ramën kësaj vere në Durrës. Ajo, tanimë një intelektuale dhe krijuese serioze, e gjendur mes prindërve dhe miqve të tyre (akademik Gjovalin Shkurtaj dhe unë), shoqëruar edhe nga dy çunat e saj të mrekullueshëm, i mirëpritte vlerësimet e larta që kishte marrë për krijimtarinë e saj nga penat e njohura, të cilat ia ndërmendnim, i mirëpritte po ashtu edhe vlerësimet e mira nga ne, akademik Gjovalin Shkurtaj, unë, dhe prindërit të saj. Ajo, as fliste për atë që kishte shkruar, as premtonte shkrime të reja. Me buzëqeshje pranonte vlerësimet dhe miratonte kërkesat tona të kemi shkrime të reja nga ajo.

Vlerat që i gjetëm në librat që na i dhuroi, pjekuria dhe përgatitja e saj akademike na lënë me shpresën se do të na gëzojë me krijime të reja, të cilat më shumë se asaj i nevojiten letërsisë sonë për fëmijë, lexuesve të vegjël, të etur për krijime të bukura, të cilat do t’i plotësojnë kërkesat, dëshirat, pritjet dhe nevojat e tyre. Dhe, prej kujt mund të priten ato krijime më parë se prej një krijueseje, e cila që në fëmijëri na befasoi këndshëm?  Ndaj presim shpërthimin e saj të ri me krijimet letrare për fëmijë, ashtu siç pati shpërthim jashtëzakonisht të bujshëm dhe për lakmi në fillimet e krijimtarisë së saj.

Edlira Rama, të presim!

Exit mobile version