Kreu In memoriam Xhevair Lleshi: Misteri i zotit Kadare

Xhevair Lleshi: Misteri i zotit Kadare

AI VINTE PREJ NJË RACE ANTIKE

Ja tek e mbylla faqen e fundit. Kadare! Mister i gjallë, tronditës. Romani i fundit? Jo? Salla e shfaqjeve e teatrit të Operas. Skena. Arkivoli. Salla e mbushur me njerëz. Familjarët. Miqtë e vjetër. Studentë. Qeveritarë… Ndoshta. Gjithçka, nga faqja e parë në të fundit ishte krejt në natyrën e tij, po edhe në zakonet e tij. Madje aty dukej më shumë i habitur sesa i lënduar. Ai, dallohej lehtë duke ecur në gjurmët e trishtimit, një trishtim që bartte optimizmin e madh e të fuqishëm, ndonëse rrinte si i turpëruar dhe kërkonte ndjesë teksa, aty në faqen e fundit, thoshte se personazhi i tij mund të qe më i sjellshëm e më me kulturë. Zot, çfarë elegance!

Ndërkohë them se ai po bënte ca kohë që kish pësuar një ndryshim të befasishëm të gjendjes së tij shpirtërore. Askush nuk dinte gjë në gjithë hapësirën tonë se ai, galant e mondan, po luante kartën e fundit. Nëse romani e tij nuk do të fitonte popullaritetin e lakmuar, nëse ai humbte qoftë një pikë të vetme, kjo do të konsiderohej katastrofë, një shembje totale; shkalla e besueshmërisë së tij, paraqitja fisnike, tashmë e ngritur në një shkallë tjetër, edhe po të rrinte mes rrëmujash dhe erërash, do të merrnin trajta të tjera njëherë e mirë dhe në mënyrë tronditëse.

E megjithatë romani i tij i fundit mori rrugën e duhur. U prit shumë mirë. Ishte po ai dhe askush s’mund ta injoronte faktin se Kukulla u bë sirena që gllabëronte vëmendjen e kujtdo dhe se ky ishte ndoshta vërtet siç thamë pak më lart, romani i fundit, të cilit i kishte hyrë në misterin e tij të tronditur, duke ia shkërmoqur edhe ato që i kishin mbetur nga tërë ajo krijimtari gjigante. E çfarë nuk nënvizohej për të! Thuheshin gjithandej kapriçio të tilla të çmendura, fjalë e shprehje hedhur në erë, apo mbaheshin si një grusht me margaritarë hedhur në vatrën me zjarr, një mbrëmje, pse jo kur misteri i tij krejt i panjohur ishte si i dehur, për të parë nëse edhe fjalët dhe shprehjet aq të goditura digjeshin si qymyri…

Pak e nga pak, tentativa për ta ngritur qoftë edhe pak velin e misterit të tij duket si një punë e imponuar: veç, edhe po të përpiqeshe sado pak për ta kuptuar këtë tendencë si robin e njohur përgjatë veprës letrare, do të ndiheshe edhe më i varfëruar nga mendimi i thellë, po ndërkohë edhe më elegant, sikur të vinte prej një race antike. Në atë moment, kushdo të ishe rrezikoje gjithçka, i mbërthyer aq keq prej shijes së tij, saqë ndiheshe i humbur brenda skepticizmit tënd. Kohët e fundit, prej burimesh të sigurta, ai i kishte premtuar botuesit të tij se tani ai qe nën ethet e përpjekjeve për ta mbajtur fjalën e dhënë. Vetëm se kjo e acaronte aq shumë, sa ai do ta kishte rrahur, aq budallaqe i dukej në atë çast që ai po kalonte. Mendo: të rrahësh fjalën e bukur! Domethënë se misteri i tij ishte konkret, diçka që perceptohej lehtë dhe papritur e pa kujtuar mund t’ia behte si një pamje e fortë e dëshirës…

MISTERI – NJË ZONË E MBROJTUR?…

Ajo që përfytyroja, krejt e ngrefosur që, më në fund, po vinte këmbë në këtë zonë të mbrojtur, e mblidhte veten që të ecte sa më mirë, me ngadalë, përpara atyre që ishin ulur në fillim të tribunës. Në ato dhjetëra rreshta karrigesh ishte një masë e madhe veshjesh ku ngjyra e zezë përzihej me ato të qiellit të hapur, me një lëvizje nga njëra anë në tjetrën dhe formonin ca rrathë miqësorë, nga takimet në mënyrë krejt rastësore, të cilat të kujtonin ato në një shesh publik ku fëmijët e lënë të lirë vrapojnë sa tek njëri grup, tek tjetri. Kisha vënë re lëvizjen, dinamikën, rëndesën, fuqinë dhe paraqitjen flurore dhe po ndihesha edhe më tepër nën

pushtetin e habisë.

Ndërkohë bëja sikur nuk kuptoja gjë. Për t’u futur edhe më thellë në atë që synon duhet me patjetër të aktrosh, ndërsa ai duke ndenjur përpara tribunës së festës, nën efektin e rreptësisë së detyrës, zbavitej pa masë. Po të mos arrinte në këtë pikë, atëherë do të ndihej krejt ndryshe, si në lëndinat rrethuar me pemë të shumta, ku vetë e fshehta që e brente me ëndje dhe si nëpër ethe, nuk i dukej dje aq e këndshme. Mbase, nën një çati prej kashte, mund të tërhiqej për të parë yjet drithërues nëpër plasa, me një lëvizje dhe dinamikë jashtëtokësore. Rrotull domosdo kishte njerëz që bërtisnin me duar e me këmbë; si një ring i vërtetë! Mirëpo misteri kërkonte ca kuti të zbrazura dhe, më tutje, vetëm hijet dhe hirin e pushtetit, aty ku lodrohej subjekti.

Kjo panoramë do ta zhgënjente  zotin Kadare. E dija, e kisha ndjerë në takimin tek buzëparku i madh ku folëm për Ismail Qemalin dhe armenët… Një bisedë e gjatë, e thjeshtë.

Duket se një numër burrash hiqeshin se kishin formuar zonën mbrojtëse të mendimeve të tij, edhe nëpër zhavorrin e rrugicës, edhe nën njollat portokalli të kartës mbi tryezë, ndërkohë tek tribunat imagjinare ku vazhdonte ecejaket bota e paorganizuar e njerëzve, e cila e bënte për vete për një sekondë, por më pas nuk ia vlente të merakosej, sepse atje nuk lejohej të hyje. Ishte e pamundur të hyje në botën e tij të mendimeve.

Njerëzit që kaluan aty, e përshëndetën me shenjë dhe ata u afruan drejt tij.

Papritmas, ai u krodh rishtas në mendime të thella. Botën e tij s’mund ta mbronte dot askush, veç ai, edhe mendimet që tirrte me një delikatesë që befas bëhej këmbëngulëse, e fortë, ndonëse e plakur! Gjithmonë po aq edhe të çmeritur, që tregonin më të fundit, edhe histori tenderësh, partneriteti, këpujë filmash e politike që as nisnin dhe as bitisnin ndonjëherë, të themi para dy ditëve, por njëlloj edhe të para dy shekujve, të cilët askush nuk i kish marrë vesh akoma. Pasi kishte ndenjur pezull, pa lëvizur nja tre muaj me radhë, duket se shpendi grabitqar vërsulet nga qielli mbi prenë e tij…

– Jo, more! Ç’punë të bukur paska bërë! – thirri një zë, i revoltuar. – I paska shkuar mendja në të thella tani!… Përveç kësaj, unë e njoha mirë atë fytyrë… Plaku, me sa duket, e paska nxjerrë nga kuvlia ku ruan misteret…

Mirëpo fjalët askush nuk po i dëgjonte, ashtu të acaruar siç ishin dhe me një dëshirë të madhe për të hequr qafe njëherë e mirë misteret që e rrethonin padukshëm, sigurisht edhe për t’u shkëputur sa më parë prej tyre. Por me të vërtetë ishte e kotë, pasi ata ende nuk kishin parë asgjë. Kështu që kujtdo, do t’u duhej t’i çonin, megjithatë me një lloj ngurrimi e bezdie që dukej sheshit në fytyrën e tij. Por, në të kundërt, ai ndjehej i kënaqur që të tjerët pushtoheshin nga kureshtja se pas pak mund ta prisje diçka tjetër të bukur për të parë. Ky bëhej edhe fillimi, edhe fundi. Ndodhte kështu sepse askush nuk mund të ruante misteret e tij të mahnitshme…

MISTERET TANI KANË PUNË MË SHUMË…

Një shesh hapej midis lëndinave të rrethuara me blire të rinj; edhe atje, duke formuar një rreth të gjerë, në hijesirën e butë të gjetheve të gjelbra, një linjë e ngushtë mendimesh të hedhura mbi tryeza dhe që dihej se prisnin në ajër, dukeshin si në një panair fjalësh. Për të zotëruar turmën e mendimeve dhe për të mos i penguar ata, disa kishin hipur mbi ca stola prej druri dhe pranë tyre, me sytë vigjilent, shënonin arritjet me një gjest e picërrimë të lehtë të syrit. Aq shpejt ndodhte kjo, saqë kureshtarët, të habitur, thjesht vështronin, por nuk merrnin vesh asgjë. Ishte një rrëmujë me mendime që jepeshin me zë të lartë, me ndryshime arritjesh në mënyrë të papritur. Herë pas here, rrëmuja dyfishohej, disa lajmëtarë vinin duke vrapuar drejt hyrjes së këtij sheshi, lëshonin me vrull klithmën e nisjes dhe mbërritjes, e cila e ngrinte edhe më lart atë zallamahi mendimesh dhe ethe të paskajshme, gjithnjë aty nën diellin e shndritshëm në labirintin e tij të zakonshëm. Ec e dil prej këtij misteri, që në të vërtetë ishte gjendja e tij e zakonshme.

– Sa të çuditshëm, apo jo? – belbëzoi një nga të pranishmit, shkrimtar, shumë i kënaqur. – Ata më duken figura së prapthi… Shiko, ja, atë trupmadhin atje, nuk do të desha kurrë të më dilte përpara krejt i vetëm, sikur edhe në fund të një pylli.

Mirëpo shkrimtari tregonte një grumbull mendimesh, pikasur ndoshta rastësisht, si një shitës produktesh të modës, i cili ka fituar jo pak, një shtatvogël, delikat e tallës, i rrethuar me njerëz që e respektonin, që s’dinte tjetër por veç të fliste me buzën në gaz, kurse duartrokitësit, klakerët, të cilët gjenden kudo dhe kurdoherë që ka manifestime gjuetie për mistere, nuk i ndahen, grumbulluar aty për të shuar kureshtjen dhe s’i ndahej syve kurrë njëherë. Pikërisht kjo duhej, sepse misteret tani duheshin edhe më tepër, pasi tani fjalën e kanë pikërisht ata… 

Por shkrimtari delikat, me këpucë të kuqe (e kuqja e tij e ndezur e mbante në këmbë me drejtpeshim të habitshëm!), me një shenjë të kokës, e tregon edhe një tjetër grumbullues enigmash e misteresh, që arrin të marrë guximin dhe të thërrasë, të tjerë të dikurshëm, shtatmëdhenj, ndoshta, me shpatullat sa të një demi. Tani që ai përpiqej ta kërkojë fatin dhe pasurinë e tij tek të fshehtat e letërsisë, me fonde ku origjina e të cilave është e dyshimtë, dikush mundohet ta nxisë, duke i ngarkuar misteret e tij të fshehta, madje edhe duke e trajtuar gjithmonë si një të shtëpisë, të besuar, prej të cilit s’ka pse të fshihet. Gjithsesi, edhe në këto kushte, ky njeri kishte humbur njëra pas tjetrës idetë e mëdha të mistereve të shkrimtarit të madh, zotit Kadare, tejdukshëm, si duke luajtur kartën e fundit, me sy të përgjakur, të prishur nga e ndenjura e gjatë para kompjuterit.

Edhe tani, sidomos në këto kushte, sapo e kupton se po kërkojnë të gjejnë të fshehtat, enigmat dhe misteret e tij, ai bëhet shumë i acaruar, ndonëse e ka hapur zemrën menjëherë në gjithçka të shkruar, kur ata gjendeshin përpara sallës së mendimit. Sallë për t’u menduar! A nuk janë ato sallat e bibliotekave të sotme që ende kanë mbetur gjallë si karabina? Aty shtrohen kurdoherë vetëm të fshehta, enigma dhe mistere. Se libra s’ka dhe s’lexon kush. Edhe të Kadaresë? Po, edhe të Atij, ndonëse aty misteri më i madh është të kuptuarit…

HAPËSIRË SHPRESE…

Dhe ai hyri në sallë, një hapësirë e ngushtë, me tavan të ulët, si e bllokuar nga një sfrat i madh, që e bënte të dukej më tepër si një sallë bagazhesh në një stacion. Aty ndjen edhe një tjetër zhgënjim, pasi e ke parafytyruar një hapësirë të gjerë, me një monument të bërë që më parë dhe të lënë aty enkas si shenjë përkujtimore. Por jo! Aty s’ia vlente të çaje kokën për ta parë! Te monumenti doemos që merrje pamje idiote, me pajimet mendore te kufjet, ku në çdo rast presin ca burra të bëshëm që bënin matjet e mendimeve të secilit, pa aparatura, por vetëm me sy, diçka e ushtruar në kohë. Të gjithë ne formonim një turmë, të heshtur e të menduar.

Ishte momenti që homazhet do të mbylleshin.

Edhe ata që kërkonin enigmat, të fshehtat dhe misteret duhet të nxitonin, ndërkohë që sytë vetvetiu bien te një zotëri i imët, të cilin kamerat sikur duan t’ia tregojnë atyre që presin para ekraneve. Zotëria ishte duke biseduar me përgjegjësin shtetëror të homazheve.

– Shiko, – thoshte shkrimtari i imët. – Kam një ese të gjatë, si “Mosmarrëveshja”, por vetëm për të fshehtat e talentit të jashtëzakonshëm.

– Ah! Nuk është koha, zotëri! – thoshte ai me një të qeshur të hollë mërie.

Për një çast dukej një gjë goxha e shëmtuar. Të gjithë të pranishmit kishin fytyrë budallai; kjo, padyshim, ngaqë nuk i lejonin të rriteshin, të zmadhoheshin, mendonte një shkrimtar tjetër pranë meje. Po të shihje rreth e rrotull do të vije re, një burrë tek të dyzetat, dukej si një fëmijë i rritur, i plakur, i tharë, me një fytyrë të gjatë e të hollë, të gërryer nga rrudhat, si një fytyrë e vdekur. Trupi ishte aq me nyje, aq i zvogëluar, saqë petku me mëngë të gjera blu, me

të bardha te mëngët, dukej si i hedhur mbi një copë druri.

– Jo, ti e di,  – tha ai duke u larguar, – ky (dhe pa nga arkivoli) nuk do të më bënte të ndihesha e lumtur.

Përsëri një turmë me njerëz ishte grumbulluar te salla e Operas, pllakat e së cilës, lagur dhe shkelur, kishin ndërruar ngjyrën, saqë dukeshin se qenë kthyer në të zeza. Përpara dy tabelave me të dhëna, njerëzia shtyhej, duke ngritur kokën, në pritje të shtimit të zallamahisë, që një fije elektrike, e lidhur me sallën bënte të shfaqeshin lëvizje dinamike në ekran. Dhe misteret qenë fshehur më keq.

Jo, sot nuk ta merrte mendja se do të ishit në gjendje të vinit këtu. Ti e di, ma merr mendja, opinionin tim. Unë nuk doja, bëmë një marrëveshje, ca këshilla të ashpra, por edhe mbikëqyrje të vazhdueshme… Në rregull, sepse ishte ai që e donte këtë. Oh! Çfarë skene, pastaj! Lot, fjalë të këndshme flakërinin kudo. Ai, dihet pikërisht nga kjo, do të mërzitej shumë, do ta bënte patjetër ç’kishte në mendje, do dilte të ikte… Dhe kështu do të ndodhte, derisa pranova të merrem me misteret. Mbase do ta zgjidhja këtë… Por ja që shpresa ime e fundit kaq e pat! Ah, sa gjëra të bukura kisha ëndërruar…

MENDIME PA FUND…

Zhurma e një mendimi erdhi dhe u dëgjua gjithmonë e më pastër. Po kuptoheshin edhe fjalët e paqarta që thuheshin lart e poshtë nga grupe të ndryshme njerëzish.

Një drithërimë e gjatë lëkundte vargun e pambarimtë, ndërkohë tingulli i një kambane mund të lajmëronte mbërritjen e të tjerëve në sallën e Operas.

Atëherë, një prej miqve të mi, për të parë më mirë, u ngrit në këmbë përmbi një ndenjëse të vënë rastësisht, duke rrëzuar përtokë buqetat me lule e me trëndafila. Duke hedhur vështrimin rreth e qark, ai përfshin të gjithë horizontin që duket i paanë. Në këto ethe, salla duket e zbrazët, e mbyllur nga barrierat e saj ngjyrë drite, ku ishin rreshtuar palëvizshëm mendimet. Mund t’i shihje në dy rreshta, gjithnjë të palëvizshëm, heroikë, statuja të gjalla, mbuluar nga djersët e korrikut. Dy e nga dy. Kurse tipi i përbaltur me sqimë kryeneçe, përpara tij, bëhet tjetër, duke u kthyer në një fasadë të butë, të kadifenjtë. (Ku na dalin këtu fasadat?!) Më pas, në qendër, duke ulur sytë, ti sheh “lëndinën” që gumëzhin, ngritur në majë të këmbëve, të tjerë mbështetur tek fasadat, mbërthyer nga pasioni (Ah, pasioni! Ai qenkej enigma!), ndërsa dëgjoheshin imitime thirrjesh si hingëllima, frymë nga pëlhurat e tendave që fërgëllonin, shkrimtarë që u dilnin kamerave përpara e që rendnin për t’u mbështetur tek barrierat; ndërkohë, nga ana tjetër, ishin ata që ktheheshin nga tribunat, figurat zvogëloheshin, masa e madhe e kokave s’ishte gjë tjetër veçse një larmi ngjyrash që mbushte rruginat, shkallët, tarracat, ku një rrasje profilesh të zeza shquhej nën qiellin e hapur. Më tej akoma, përreth kësaj salle homazhesh, zotëronte heshtja me një muzikë të lehtë funebre si subdominant i lodhur, ku prisnin rreshtat e palëvizshëm të ngushëlluesve të shtetit (në raste të tjera shteti ngushëllohet!), por ai s’ia ka haberin se ç’do të bëhet me misteret e jetës dhe ato të shkrimtarit të madh…

Njerëzit vazhdonin të vinin, si një vijë, nga një shirit i hollë rruge, në atë hapësirë salle; ndërkaq, shumë larg, pranë nesh, publiku priste përcjelljen, në hije e nëpër diell, ishte në një vijë të lëvizshme pikash të errëta, rrafsh me jetën, misteret e pazbulueshme.

– Eh, tek s’ia gjeti ai kësaj jete, nga kush pritet tjetër? Kujtova se do ta varrosnin te Shenjtët e Kombit, në Park e jo në Tufinë… 

Misteret aty pranë buhitën një gëzim të papritur që i ngrohu frymët që mbulonin atë pjesë të sallës së Operas dhe gjithë sheshin e dielltë përqark sallës si një lëvizje instinktive, të hutuara nën qiellin e pamasë.

Tiranë, më 3 korrik 2024

Exit mobile version