Kreu Opinion Xhevair Lleshi: Librat dhe Tirana monumentale

Xhevair Lleshi: Librat dhe Tirana monumentale

1.

M’u desh të bëja një shëtitje nëpër Tiranë, bashkë me piktorin Helidon Don Haliti. Një shëtitje për të parë realizimet e tanishme, që po ndodhin para syve tanë: Pikturat gjigante në fasadat e mureve. Një projekt në dukje i çuditshëm, i bukur, i vështirë, real, që mund të shijohet me krenari. Grupi i realizimit të këtij projekti nuk ka të bëjë vetëm me Tiranën, po edhe me qytete të tjerë, të vegjël e të mëdhenj, të rëndësishëm e të parëndësishëm. «E kisha projektuar këtë vajzë që të mbante të paktën një libër, thotë Helidoni, por edhe kjo nuk u pranua nga piktori realizues, për të na dhënë një vajzë të bukur teksa prehet e qetë, si të thuash është në qejf të vet.» Krejt rastësisht si rrethanë, por e parandjerë prej kohësh. Diçka nuk shkon dhe vazhdon te mos shkojë, të paktën për librin, madje po bëhet gjithnjë më e pranishme, si një gozhdë kryqi e ngulur në trupin e kulturës, e cila sigurisht i kushton shtrenjtë vendit, sepse mungesa e librit në mjediset publike ka për të dhembur më fort në ndërgjegjen e njerëzve. Kurse qeveritarët e çdo kallëpi fërkojnë duart… E di që gjithkush mund të thotë: po pse i mëshon fort idesë se libri do kujdes qeveritar… Edhe ai që pret përgjigje e ka të qartë se të paktën poshtë këtyre pikturave monumentale e murale, me një art klasi dhe të bëra me uri të madhe, me personalitet dhe energji që s’ka për t’u harruar kurrë, pasi krijon një mjedis të jashtëzakonshëm, duhej të ishte një bibliotekë pse jo fëmijësh, të rinjsh, komuniteti, po edhe profesionale, për gratë, për autikët, për të gjithë, pa u lodhur të gjejmë terma se janë pa fund. Detyra e qeverisë për mjediset kulturore e publike është jo vetëm të sigurojë mjediset, po edhe t’i pajisë me fonde për të pasur brenda libra. Por deri sot asgjë e tillë nuk bëhet, përveç parullave mashtruese, për të hedhur hi syve. Biblioteka pa fund! Dhe jo për të hedhur hi syve, por të vërteta! Nëse duam që ky yni të mos kthehet në popull gabel, që shumë shpejt ka për të harruar gjuhën shqipe…

2.

Helidoni më shpjegon sesi u arrit ky projekt në Tiranë e qytete të tjera. I përulem punës së madhe që bëjnë. Është vërtet e jashtëzakonshme. Por do të doja që të ecnin në një front me to edhe gjithë zhvillimet e tjera kulturore. Vinim nga një promovim libri në librarinë Onufri në Tiranë «Dorëshkrimet e fshehta të burgut» dhe diskutonim me z. Astrit Hykaj, kur befasohemi me një koncert fëmijësh në lulishten «1 Maji». Ja kjo që po shihnim të ngashënjen, të fal emocion, të gëzon. Pak më tej është mbi Kafe Libri një nga muralet e reja që së largu hedh dritë, personalitet e më tepër shpirt edhe mbi ty. Poshtë duhet të ishte siç ka qenë dikur një librari, ndoshta edhe kafe-librari, ose kafe bibliotekë. Por me sa duket kafe Libri ekziston veç në kujtim të librit. Ia arritëm edhe kësaj dite! Mrekulli! O zot, si më erdhi kjo figurë shtegtare prej shkrimit të librave në ditët tona të rrënuara. Pikturat monumentale, muralet e reja dhe me vështrim modern i japin qytetit frymë dhe energji të bukur, por ato nuk ndërtohen ditën për t’u prishur natën, sepse pamja natën do drita që ta rrahin, nga buron edhe drita e pikturës, se pemët duhen krasitur, ndryshe pamja prishet. Kjo nuk është thjesht «përshtypje udhëtimi», por ndjesi që duhet ta shkaktojë përfitimi i plotë kulturor që njeriu, qytetari të fitojë energjinë shpirtërore aq të munguar. Pastaj sa mirë do të qe sikur të mbetej vetëm përshtypje dhe jo realitet.

3.

Isha te libraria ‘Adrion’ dhe po diskutoja me një mik, jo thjesht rreth halleve të përbindshme të kulturës në Shqipëri, po edhe për kontrastet e forta. U dha një koncert ngjitur me ne në skenën e re dhe në krejt teatrin e ri të Operas dhe Baletit (ku fle edhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore (i dikurshmi, natyrisht) dhe ngaqë televizionet nuk arritën ta jepnin të plotë reportazhin e përgatitur enkas, mbetëm pa mend sepse nuk u fol për të ftuarit Plaçido Domingo dhe Ermonela Jaho, për të mësuar diçka të bukur dhe kuriozitet artistik rreth tyre, sidomos për divën tonë, sepse mjaftoi krisma e armës së një burri mbi gruan e vet në Divjakë që i zymtoi lajmet dhe televizionet harruan gjithçka dhe u morën me vrasjen. Dhe kështu ndodh përditë. Por ama askush nuk e vë gishtin në plagë: Zotërinj, para se të ndërtoni ndonjë copëz rruge njëzet milionëshe, ju lutem më parë mendoni që me gjysmat e pareve të një kilometri rruge të artë, të ndërtoni një bibliotekë dhe një librari – bibliotekë, të një biblioteke kopshti a shkolle, të diçkaje që sjell kulturë, që fëmijët të mos këndojnë në sheshe të improvizuara në mes të rrugës, por në vendet që kanë përkujdesjen shtetërore. Kjo ditë i munguar në kulturë ikën dhe nuk vjen më…

Ne këqyrnim librat në përgjithësi, të vjetrit, klasikët, të rinjtë gjithfarësh dhe diskutojmë për njëmijë e një mungesa, por gozhda në tru është libri. E kemi Adrionin një mrekulli, por do të donim që ky të qe kudo dhe të plotësonte çdo nevojë. Pastaj një autobus-bibliotekë lëvizëse, që menjëherë fiton emër, sepse lëvizja e tij është kudo në hapësirat shqiptare, ndoshta edhe si një grackë që u ngre njerëzve vetvetiu libri. Ai autobus-bibliotekë lëvizëse është një mjedis i ndrequr me hir e përkujdesje, s’ka pse të duket si një sallon mode, por një katalog i madh librash që shëtit kudo dhe lë pas libra që marrin njerëzit kudo në vend, të tjerë që hipin dhe lexojnë atë në këtë risi kulturore…

***

Para se të ecim më tej, duhet tërhequr vëmendja: Para dy-tre muajsh, me faturë tatimore të rregullt i dërgohen ADRION-it POEZITË E ROLAND GJOZËS në 14 vëllime edhe si tituj më vete, por LIBRAT nuk pranohen prej LIBRARISË ! Pse? A ke dalë për këtë punë? Po! Atëherë mos luaj me librin! Nuk je ti që përzgjedh librin që do jetë pjesë e ekspozimit në librarinë tënde. Dhe kë? Librin poetik!…

4.

More, ti s’je në të, ke lajthitur më duket! A e di ku jeton? Jo? Ne na udhëheq një artist që nuk i do librat dhe as një popull që të dijë. Ah, xhaketat treçerekëshe, kollaret e bukura, pikturat moderne dhe sidomos librat që shkruan ai vetë, vetëm ato pinë ujë! Të tjerat, gjithçka do hedhur në koshin e plehrave! Ai do të ishte gati të ndërtonte nga një bibliotekë të vogël edhe në çdo pallat mjaft që aty të ishin një Kuran, një Bibël dhe një Kurban. Kaq. Të tjerat janë kot. Na zuri goja lesh, or mik i dashtun, u bëmë zhele duke ulëritur që mbi Lanë, kudo ku ka ura anash tyre të ndërtohen vetëm biblioteka të mëdha me holle e stil që t’u shërbehet kulturuar qytetarëve, me struktura xhami dhe mjedise çlodhëse, me studio piktorësh, ku reklamat të bubërrojnë me kopertina të mëdha librash që natyrisht të ngashënjejnë dhe bëhen magjepsës, ku harmonizohet financimi shtetëror dhe ai kulturor, ku e nesërmja e shkollës dhe e librit shqip do të jenë krenari dhe veçanti tërheqëse e këtij vendi. «Të paktën, do të thonë me siguri, pamë një vend të vogël plot me libra, pamë Tiranën, që mot (2022) do të jetë kryeqytet i rinisë, me piktura monumentale dhe me libra… More plot me murale dhe me libra pa fund! Të bëhet zemra mal! Shqipëria në kohën e qoftëlargut kishte 4-5 mijë biblioteka!»

***

Edhe në librarinë ALBANIA tregohet i njëjti «kujdes» si tek libraria ADRION me 14 librat (vëllimet) me poezi të Roland Gjozës, botuar në pranverë 2021 nga UEGEN. Pse gjithë ky «kujdes i madh» mospranimi!… Nuk arrijmë ta kuptojmë!

5.

Librat! Piktura monumentale! Dy gjëra që i dua dhe i nderoj shumë. Mund të rri me orë të tëra pranë tyre. Duke shëtitur me Helidonin fantazia shpërthen: herë bëhet si udhërrëfyese e librit të përshtatshëm, herë mbeteshim pa frymë para «Vajzës me një tufë lule» aty ku është kryqëzimi i rrugës Kosova (dhe jo i Kosovarëve, siç quhet aktualisht!) me rrugën e re të Olimpikut dhe pallatit të sportit Era. Edhe njerëzit më me temperament që nxitojnë kot së koti, i mbajnë këmbët dhe pëshpëritin: Bravo! Veç ta shohësh në sy Helidonin, i kishin marrë një shkëlqim të bukur, hijerëndë dhe me tjetër vizion. Ti,or mik, i thosha Roland Gjozës, një nga ditët e tij tiranase, se këto pallate të bukur në dy blloqe harkore, buzë liqenit artificial, do të shpëtojnë nga pesha e tyre dhe eleganca e përsosur dhe kaq? Jo, ato do t’i shpëtojë vetëm kur në të të hijeshojë libri dhe kultura. Në njërin qendra kombëtare e librit për të rinj, në një tjetër qendra kombëtare e pikurës, në tjetrin salla e koncerteve, pastaj edhe biblioteka mbretërore etj., etj… Mrekulli! Ti di vetëm gjërat e tua dhe vetëm ato thua! Por mendo, miku im, se kjo botë ka edhe plot gjëra të tjera përplot madhështi dhe elegancë…

Libra që mbushin tejpërtej raftet. Histori të zakonshme jete. (Jo thjesht llaç e tulla, që endin pëlhura merimange plot me të papritura, ndonëse me tharm e të hatashme dhe me stimë!). Pastaj libra morali, feje, botime që të çorodisin… Romane me dashuri. Tre shokë, të Remarkut. Jo? Grataciela prej letre. Çmime te kripura. Male me tulla, myku e byku? Plot. Hyjnë e dalin emigrantë. Dhurata. Peng trishtues me librin e dikurshëm po edhe me vjersha idiote qe duhen mësuar përmendësh. Pranë tyre piktura monumentale. Një ndjenjë e re prej snobi, a prej njeriu te kulturuar? Jo, janë mënyra krejt sfiduese! Një përmendore e beftë dhe një ndjenjë pendimi e hidhur për librin. Ku janë poezitë? Goxha librari të mos ketë një raft për poezitë? Jo, duhen kënde të sajdisur e të zgjedhur për libra personalitetesh! Personalitete leshi! Grimasa të lehta, Dhimbje. Të qeshura të krisura. Monotoni. Dhe mbi faqe të godinës shumëkatëshe një pikturë e re monumentale. Ja në këtë sfond ngrihet edhe Tirana e re monumentale që ngroh emocionalisht veten dhe përqesh librat.

Kopertinat e librave! Zot më shpëto! Ç’përshtypje! Letërsi zbavitëse! Dhe libri i autorëve shqiptarë, të njohur e të panjohur. Ja një parullë: NDALOHEN LIBRAT E AUTORËVE SHQIPTARË ! Tallje. Shkrimtarët më të mirë! Kërcënime të lehta në zë, po të mbështjella me mirësjellje. Po ku e dini ju se këta janë shkrimtarët më të mirë? Përralla. Dështim, me një keqardhje për veten…

Ngushëllim për veten; Balzaku, Drajzeri, Çehovi, Dostojevski, Tolstoi, Mopasani, Floberi, Hygoi, Turgenievi janë aty. Pranë tyre mjeshtrit e mëdhenj, të vdekur, Noli, Pasko, Shvarci, Zheji, Kokona, Caci, Evangjeli, Doko, Selfo, Shllaku, Lacaj, Gjeci, Bllaci, kanë lënë pas një bibliotekë të tërë! Përballë nesh një pikturë e re monumentale…

Tiranë,29 shtator 2021

Exit mobile version