Në vitin 1980, Petro Markos iu sugjerua të shkruante një roman me frymë autokritike. Supozohej që ky roman të ishte i tillë mirëpo për Petro Markon liria në të shkruar e në të jetuar as nuk shitej, as nuk blihej e as nuk negociohej. Ai ishte një shpirt i lirë që nuk pranonte ta fuste letërsinë në kornizë. Ndaj dhe romani “Çuka e shtegtarit” mbeti i ndryrë në sirtar deri në çastin kur i erdhi ora. Libri ka në qendër një shkrimtar të realizmit socialist, Bato Martinin. Ai nderohet e respektohet nga pushteti pasi i ka dhënë disa vepra të mira letërsisë. Ai ashtu si dhe kolegët e tij, ndjen se shteti totalitarist ku jeton, ka nisur të lirojë ca prangat me të cilat mban mbërthyer popullin. Dhe kështu, ulet e shkruan romanin e tij të radhës. Bash ky roman, është dhe ndëshkimi i tij.
Romanin nga pikëpamja logjike mund ta ndajmë në tri pjesë. Ai hapet me festimin e datëlindjes së shkrimtarit Bato Martini. Shtëpia e tij gëlon nga miqtë, kolegët, artistët, shokët e shoqet e së bijës gjimnaziste. Baton, Partia e nderon, ai gëzon disa priviligje që të tjerët as nuk i ëndërrojnë (si p.sh apartamenti me katër dhoma) për një familje me tre persona, udhëtime jashtë vendit, etj. Hyrja e romanit të gënjen me atmosferën festive, dollitë, urimet, këngët e kërcimet. Përveç datëlindjes, Bato në njëfarë mënyre po feston dhe për romanin e ri që ka çuar për botim. Kolegët flasin me superlativa për librin e tij dhe të gjithë mezi presin ta lexojnë. Nuk kalon shumë dhe autori fillon të luajë telat e personazheve. Biseda ku zë vend politika, rinia që vendos në magnetofon këngë të huaja, dyshimet e mikpritësve se mos po kalohet caku dhe e pësojnë.
Një personazh me rol dytësor është ai i Gjon Martinit, babait të Batos. Plaku është ulur në krye si më i moçmi dhe hesht. Vëzhgon gjithçka dhe gjithkënd. Habitet me “lirinë” e rinisë, me batutat dhe habitet me qetësinë e të birit, të cilin autori e portretizon si naiv. Në mozaikun e personazheve Petro Marko sjellë në festë edhe një funksionar të shtetit me qëllim që të ngatërrojë lexuesin. Të gjitha bisedat, këngët, thirrjet, diskutimet për artin, për realizmin socialist ndiqen me interes nga pushtetari. Ai mban tërë kohës një buzëqeshje të stampuar si për të treguar se gjithçka është në rregull. Një pjesë e të ftuarve janë ca të dehur. Frika i mbërthen mikpritësit ngase druhen se mos nis ndonjë sherr. Dhe gjatë gjithë darkës ka ngacmime, romuze, debate të ndezura që do të mjaftonte vetëm pak për ti çuar përtej. Autori jo pak herë vë përballë të renë dhe të vjetrën. Të rinjtë këndojnë e kërcejnë muzikë të huaj, disa e kanë tepruar me pijen, disa u drejtohen të rriturve me arrogancë. Në libër gjen dialogje ku përplasja mes brezave është e prekshme, e ashpër.
“Cili nga ju kujton se rinia është e përjetshme? Ju nuk na kuptoni. Ju kërkoni që ne të plakemi pa jetuar ditët e rinisë sonë. Jeni bërë të bezdisshëm, keni skaduar komplet… Keni marrë fund… Ishin çaste të rënda, të hidhura, ngarkuar me tension.”
Situatat dhe prerjet që krijon Petro Marko përgjatë festimeve janë të përllogaritura me saktësi kirurgu. Ai ngërthen bisedat mbi artin novator dhe tradicional, ndërfut klithmat rinore mes kalemxhinjtë të partisë, u vesh personazheve ndjenja të tilla si ankth, frikë, xhelozi. Pas një momenti të tensionuar, mes skenaristit dhe poetit – gazetar, ky i fundit i xhindosur, i nxehur tejmase nis të flasë për arritjet e Partisë, për sakrificat, direktivat, dhe autori fill pas këtij episodi nxiton të fusë personazhin e një djali të ri i cili ngrihet e lexon një poezi që ka shkruar. Lexuesi mund ta lexojë këtë situatë si çast ftohjeje, sikur autori do të donte të shuante gjakrat. Mirëpo poezia e djalit, i lë të gjithë pa gojë. Akulli thyhet me të qeshura të sajuara e duatrokitje të shplara.
Lart, diku në ajër,
Fluturimi i një shpendi
Përvijon shkronja dhe shkronjat fjalë.
Diçka do të thotë…
Çudi!
Krisma nuk u dëgjua.
Kush qëlloi… kush?
Në tokë shpendi u rrëzua.
(Diçka deshi që të thoshte…)
Po ky gjak ç’është?
Ç’është kjo njollë e errët
Në gjoksin tim?
Kush qëlloi…kush?
Poezia e djalit nuk është gjë tjetër veç klithmës për liri. Shpendi në fluturim, artisti me krijimet e tij, njeriu me ëndrrat e tij, goditet, përgjaket, vdes. Pa krisma, pa bujë, vetëm gjaku rrëfen fundin. Ndërfutja e kësaj poezie pikërisht në pjesën e parë të romanit, është një paralajmërim për ngjarjet që do zhvillohen më tej. Shpendi (Batoja në këtë rast) dëmtohet rëndë nga goditja.
Nga fundi i mbrëmjes ndihet një atmosferë e nderë e cila nuk lë vend për dyshime. Pika kulmore e pjesës së parë arrihet kur Lira, bashkëshortja e Batos, mëson nga një skenarist se romani i ri i të shoqit nuk do të botohet për shkak se ka të meta ideologjike. Dhe këtu fillon kalvari i dyshimeve, frikës, ankthit, pritjes…
Si pjesë e dytë mund të merret momenti kur Lira, pasi mësoi se romani i të shoqit kish gjasa të mos botohej e të bëhej karton, nisi të lexonte dorëshkrimin. Këtu ndeshim shtresëzime rrëfimesh, pasi autori teksa rrëfen për ngjarjet e tashme, fut dhe ngjarjet e dorëshkrimit, ditarin e Jonës (vajzës së Batos), shënimet e Detarit (personazhit kryesor në romanin e Batos). Vija logjike që përshkon pjesën e dytë është e ndërthurur mes leximeve të dorëshkrimit nga Lira, Jona, diskutimeve mes bashkëshortëve për atë çfarë i pret, ankthit, ftohtësisë së miqve. Lajmi se romani i fundit i Bato Martinit është kritikuar rëndë dhe pritet të merret vendimi për shkrimtarin, është përhapur me shpejtësi jo vetëm në qarqet letrare por dhe tek miqtë e ngushtë, të njohurit, fqinjët. Reagimet e shumicës janë të ftohta, një pjesë ndërrojnë rrugën, fshihen, nuk u flasin më. Vetëm disa hyjnë e dalin për t’u dhënë kurajë.
Në këtë pjesë të dytë shtjellohet subjekti i romanit të Batos, nëpërmjet leximeve të Lirës dhe Jonës. Batoja ka zgjedhur për personazh kryesor një piktor, Detar Gjinin. Emër që simbolizon lirinë, i lirë të lundrojë në dallgët e artit, jetës. Ai është dërguar për riedukim në një fshat për shkak të ndikimeve të huaja në artin që zhvillon. Një mik i sjell fshehurazi albume e revista me veprat e piktorëve botërorë. Detari mahnitet nga ngjyrat, format, stilet e larmishme. Ai ëndërron liri në art, ëndërron të pikturojë i lirë: “Dua të krijoj sipas dëshirës sime. Jam i ri. Më pëlqejnë linjat e zhdërvjellta, ngjyrat e guximshme; më pëlqen të interpretoj, të tentoj, të guxoj. Pa u ndrydhur, pa pasur frikë. Kur i shikoj albumet e artit, më mbushen sytë me lot. E pse duhet t’i shikoj fshehurazi sikur po kryej ndonjë krim? Pse të kem frikë të pikturoj ashtu si dua unë, ashtu siç e ndjej?”
Mentaliteti i Detarit, karakteri i tij, këndvështrimi që ai ka bien ndesh me gjindjen, me Partinë e mësimet e kësaj të fundit. Ai jo rrallë herë është objekt bisede, kritikohet, dënohet. Detari ndihet i pakuptuar nga masa, dhe nuk ngurron të shprehet lirshëm për mendimet që ka: “Njerëzit e pushtetit në fshat s’të kuptojnë, ata shesin mend dhe flasin për artin figurativ, sikur të flisnin për fasulet dhe për kungujt që prodhojnë.”
Por edhe njerëzit e Partisë nuk mbeten pas përsa i përket kritikave, vërejtjeve që i bëjnë piktorit, para se ta degdisin prapa diellit. Në mbledhjen e organizuar për të, e deleguara e Partisë ndër të tjera i thoshte: “Ti në art je një revizionist i pacipë. Ti, more, të imitosh dekadentët, të kopjosh abstraksionistët, ti të propagandosh artin e fëlliqur e çnjerëzor, shtazarak dhe armiqësor! Kjo është si të tradhtosh Atdheun!”
Si të mos mjaftonte ky telash, Detari edhe në fshatin ku u dërgua vijoi të jetonte me frymën e lirisë që e karakterizonte. Ai pikturonte njëlloj si më parë, sillej ndryshe nga të tjerët. U dashurua me Amardën, mësuesen që punonte në atë fshat, shëtiste me të nën dritën e hënës, shkonin në kishën e braktisur të fshatit, ajo pozonte për të, ai pikturonte portretin, kurmin e saj.
Batoja kishte guxuar t’u jepte shumë liri këtyre dy personazheve Natyrisht që ata bien në sy të fshatarëve dhe nuk vonon shumë që Detari të thërritet me urgjencë në Tiranë. Amarda kur e merr vesh se ai është larguar drejt kryeqytetit, niset pas tij. Atje, nga një miku i Detarit mëson se atë e kanë dërguar në Fierzë. Kaq zbulon autori nga romani i Batos. E megjithatë kaq mjafton që për shkrimtarin të organizojnë një mbledhje në fshatin e tij të lindjes, atje ku ai dhe i ka vendosur ngjarjet e romanit.
Pjesa e tretë dhe e fundit e romanit ka të bëjë me mbledhjen që Komiteti organizon për librin e Batos dhe vendimin që do të merret për autorin. Ngjarjet zhvendosen në fshatin e lindjes së Batos. Kjo për arsye se për subjektin e romanit ai kishte përdorur fshatin si vendin ku ishte dërguar Detari. Kishte futur në libër disa portrete bashkëfshatarësh, të cilët tashmë ishin të indinjuar që Batoja i kishte përdorur. Partia u shpërndan disa libra fshatarëve që ata të kenë ç’mund të flasin ditën e mbledhjes. Kryesia i ka nxitur njerëzit të flasin keq për librin, për Baton, edhe pse në të vërtetë, fshatarët nuk kuptojnë asgjë nga çfarë ka shkruar bashkëfshatari i tyre. Ata nisin e llomotisin vetëm nga frika e pushtetit. Për të qenë në rregull me vijën e Partisë, se ndryshe nuk dihet se ç’mund ti presë. Mbledhja bëhet ditë të diele, në oborrin e vatrës së kulturës. I gjithë fshati ish mbledhur atje. Ashpërsia me të cilën goditet autori dhe vepra e tij nuk lënë vend për të shpresuar. Lehtësia me të cilën një vepër arti hidhet poshtë, gjykohet, dënohet është tejet e dhimbshme. “Romani i tij, që nuk është veëse një paçavure, u kap në kohën e duhur. Dhe ato dhjetë kopje që i kemi shpërndarë me listë, do t’i dorëroni që nesër, që t’u vemë flakën.”
Mungesa e autokritikës nga ana e Batos është shenjë se ai i qëndron pikë për pikë asaj që ka shkruar e kjo e tërbon edhe më shumë parinë. E ndërsa Bato vijonte të ishte ende në fshat, në shtëpinë e tij në Tiranë, erdhi njoftimi se i hiqej e drejta e profesionit dhe e gjithë familja do të shpërngulej në Elbasan.
Fundi i romanit përshkruan Baton tek i ngjitet monopatit për në Çukën e Shtegtarit ose ndryshe Çukën e Syrit. Atje ngjitej kur ishte fëmijë. E atje ku shpirti i tij artist rifitoi lirinë, i fanepset plaku i moçëm Seo Vreto. Iu ndërmendën rrëfimet e tij për historinë e Çukës që dikur ish quajtur Çuka e Syrit se atje ishte syri i gjithë fshatit e kur dukeshin armiqtë ai që i shihte i binte këmbanës që ndodhej atje pranë e të gjithë zinin vendet. Pastaj mori emrin Çuka e Shtegtarit se gratë që kalonin për të bërë dru gjetën njëherë një shtegtar të huaj, të plagosur. Fshati e strehoi, e shëroi, e u kujdes si ta kishte birin e saj. E kur ai u largua, bëri ikonën e Shën Mërisë dhe Krishtit si dhuratë. Çuka e shtegtarit simbolizon lirinë, majën, hapësirën e pamatë në të cilën duhet të enden lirisht njerëzit. Libri mbyllet me Baton që nxiton të zbresë në fshat duke menduar për gruan e vajzën e tij.
Përsa i përket autokritikës që regjimi kërkonte prej Petro Markos nëpërmjet këtij romani, shkrimtari edhe njëherë tregoi se mbi gjithçka qëndron liria.



