Kreu Letërsi Shënime mbi libra Xhahid Bushati: “n’teh” si dukuri jetësore, “n’teh” si dukuri artistike në poezitë...

Xhahid Bushati: “n’teh” si dukuri jetësore, “n’teh” si dukuri artistike në poezitë e Melita Vjerdhës

Botimet Fishta, Lezhë, 2023

“n’teh”…

Edhe pse është vëllimi i parë poetik, ajo, Melita Vjerdha vjen pas një përvoje e pune të heshtur, do të thosha përgjithësisht të panjohur për lexuesin. E, kjo nuk është çudi, kjo ndodh në jetën e krijuesve të vërtetë. Ashtu siç e thashë pak më sipër, vëllimi i parë i titulluar “n’teh”, teksa e lexon na thotë se Melita Vjerdha është nga ajo tipologji poetësh, e veçanërisht poeteshash, ku grafika e ndërtimit kompozicional të poezisë rezonon e shkrihet si një e vetme me zërin lirik të autores, ku vargjet edhe pse nazike kanë një pushtet poetik që të emocionojnë, frymojnë përmes shpirtit, figuracionit dhe shpirtit gegë. Një poete e talentuar, ku përmes rrugës së mundimshme të krijimit, me përveçësinë e saj, na shpërfaq një botë motivesh, ku nga këndvështrimet dhe mënyrat e trajtesës së poezive e të procedimeve strukturore, etj., për vlerat që mbartin ato, pasurojnë denjësisht rrugëtimin e poezisë shqipe. Përftesat e tyre gjatë leximit, të kujtojnë e pse jo (e kam fjalën pozitivisht) ndikime migjeniane, të Gaspër Palit, ndikime koliqiane. Është vlerë që përmes vetjakes tënd të kesh gjurmën tënde të dallueshme në rrugën e ndritur të trashëgimisë së ndritur gege e mbarë shqiptare.

“n’teh” që prezantohet dhe shënjohet në kopertinën e librit që po diskutojmë, në vetvete mbart sprovën dhe raportin e njeriut me një problem, vështirësi apo dukuri të caktuar, sigurisht që është delikat, aq delikat sa në atë “n’teh” mund ta fitosh apo ta humbasësh një betejë jete, që ka koston e një buzëqeshje të pafund si dhe të një hidhërimi të pafund. Por “n’teh-un” që na dhuron përmes vargjeve Merita, ne përftojmë magjinë e një emocioni që fal poetika e saj, ndërsa ndjesitë përmes delikatesës vibrojnë sipas ritmikës së shpirtit. “n’teh” i jetës me “n’teh” i librit gjejmë plot stacione jete njerëzore, ku ata përkojnë e takohen, por që sigurisht edhe ndahen. Gjithsesi, nuk mund të harrosh apo të anashkalosh, teksa i kujton nga leximi, si: copëza realitetesh, kohë të harruara e kohë të përjetuara, realizëm dhe ëndërime, dëshira… Të gjitha këto e të tjera janë kompozuar dhe realizuar përmes një larmie rrafshesh shikimi dhe interpretimi. Mendoj, që poezia “ekuilibër” na e thotë këtë të vërtetë, ku ky nocion i kthyer shpesh në metaforë vizatohet përmes shkallëzimeve e inversioneve herë ngjitëse e herë zbritëse. citoj: “me lé / me qenë / me pasë / me ditë / me u lumnu / me andrru”. Më tej: “me dashtë / me drashtë”. Më tej: “Me u rrëzu / me më ra / me u vra / sërisht me u rigjetë”.

Përmbledhja “n’teh” i Melitës; në koncept e strukturë paraqitet si një tablo të jetës njerëzore, ku poetesha ka hyrë në skutat e shpirtit të tyre, në vizatimet e peizazheve shpesh lirike duke u njëjtësuar si gjendje shpirtërore, pa mbetur dorëjashtë dhe meditacioni e njëherazi edhe refleksionet e autores. E këto cikle janë: – ekuilibër; – kur plaket heshtja; – dizajn metaforash; kuadri i një epoka gri. Nga një këqyrje formale, mendoj se Melita është poeteshë e metaforës: herë drithëruese, e herë me nuanca tragjike e shpresëdhënëse…

Natyra e poezisë së poetes Melita Vjerdha

Po për çfarë shquhet natyra e poezisë së poetes Melita Vjerdha? Ku duket e dritshmja dhe e fshehta e saj, e njohura dhe e panjohura e saj, materja dhe heshtja e saj, e pabërtitura dhe modestia fisnike e saj? Po përmend disa prej tyre… – Poezitë ndërtohen dhe shquhen për raporte komunikimi. Ky dialog e nis fillin te titulli i poezisë, që për autoren është i rëndësishëm dhe është themeli, ku ngrihen më pas ngrehinat dhe strehëzat e fjalëve të mirëmenduara, plot ngjyra e stilistikë.; – Është e pranishme koha me të kaluarën dhe të përditshmen e saj. E folura e saj nuk është dekor, por do të thoja “personazh”.; – Në mënyrën e përceptimit dhe të bashkëbisedimit, shpesh dhe të enumeracionit, kanë gjetur prezencën e tyre shpirtëzuese, si: dëshirat, lutjet, falja në emër të shpresës… etj., – thekse domosdoshmërie për të ngritur e vazhduar një ëndërr të saponisur apo të një ëndrre që të mos mbetet ëndërr.; – Përmes procedimit të poezive, që në dukje të parë duken si pabujë, por në të vërtetë shpirti i poetes është i shqetësuar, fundi i vargjeve shpesh shfaqet si kundra punt i kësaj “rrjedhe të qetë” do të thosha, pra një befasi, apo si plotësim i portretit të poezisë. Kjo është një veçori që plotëson individualitetin e poetes. Këtij plotësimi, shpesh i vjen në ndihmë paralelizmi figurativ dhe kontrasti.; – Një natyrë tjetër poezie që zë vend është dhe ajo që unë e kam quajtur poezia-portret. Edhe kjo është një veçori tjetër që i vjen në ndihmë individualitetit të poetes për ta dimensionuar artistikisht atë. Zakonisht poezitë-portret zënë hapësirat e ciklit “kuadri i një epoke gri”.

Fjala si akt besimi

Si përfundim, te ky libër me vlera e që të emocionon, Melita e përzgjedh fjalët, i jep asaj siguri e jetë. Fjalët u ngjajnë gjyshërve të urtë e të ditur, që edhe pse plaken vazhdojnë të rrëfejnë aq bukur histori jetësh njerëzore. Përse e them se Melita i beson fjalës? Një pjesë e poezive si titull kanë vetëm një fjalë. Dhe ky është një akt i madh besimi që kjo marrëdhënie kurorëzohet me sukses e artistikisht. Po përmend disa: “ekuilibër”, “rutinë”, “falma”, “mur”, endacak”, “gjurmë”, “qetësi”, paradoks”, tjetër”, “peng, “pupël”, “mik”, “rikthim”, “thinjat”, “liqeni”, “ngujim”, etj. Me që jemi tek fjala, po ndalem tek figuracioni ndërtimor, ku shpesh kthehet në në fjalë urtësie e mençurie dhe kjo falë Melitës. Citoj: vdekje dëshirash, dëshira t’ngujume, kujtime t’idhnume, grumbuj vujtjesh, gjurmë vesesh, tingull i shpirtit, melodi të trishta; vrapi i shpejtë, kam e vogël, këpucët e randa; vjen një kohë që i druhesh kohës; janë derdh ujnash pa u la / janë rrezu malesh pa u vra; kam harru me andrru / duke e jetu jetën përditë; telajot me ngjyrat e heshtjes; në pëlhurat e vjeshtës delikate; nuk kam kohë  / mos me dashtë ; më pëlqen çdo ikje për me u rikthy…

Shkodër, mars, 2024

Exit mobile version