Kreu Letërsi Shënime mbi libra Xhahid Bushati: Kush ishte Ndue Pal Shllaku (meditim)

Xhahid Bushati: Kush ishte Ndue Pal Shllaku (meditim)

Xhahid Bushati ka përgatitur dhe ka botuar më herët këtë vit krijimtarinë poetike, mbetur prej dekadash në dorëshkrim, të Ndue Pal Shllakut. Pjesa e mëposhtme është shkëputur nga parathënia e përgatitur prej tij. Po ashtu, në vijim edhe disa prej poezive të Shllakut, marrë nga libri në fjalë, titulluar “Ndue Pal Shllaku, Bisedë me shpirtin”, “Fiorentia”, Shkodër, 2024.


Ai ishte një djalë me sy të shkruar. Ai, me guxim, luftoi kundër valëve të egra të jetës. Që në fëmijëri dishiroj babë. Trupi i tij përkundej në bohçe mbi shpinën e ngarkuar të s’amës. Qante e veç lotët e syve të vet rigonin mbi mollëza, ia lëmonin ato Ndues ferishte. Strehë pushimi ditore për Nduen, ishte një hije peme ndër ara të zharitura, ku e ëma punonte për të ushqyer veten e të voglin e saj. Ato duar nëne nuk e përkëdhelën kurrë Nduen e vogël, se ishin duar të vrazhda por shumë të dashura nëne. Kënga e gjumit ishte për të zëri i natyrës.

Tashmë, Ndueja kishte zënë me ecë. Me një safë teneqeje lodronte në vetmi, nën një hije, jetimi i vogël. Mbushte e zbrazte ať kuti teneqeje me gjeth e bar, të cilat i mblidhte aty pranë, rreth vetes. Orë e çast drejtonte sytë nga e ëma, se mos ajo zhdukej, ajo e vetmja dashuri e tij, dhe…

Ishte tre vjeç, kur erdhi në Shkodër. Tashmë nuk mund ta shoqëronte nënën në punë, ashtu si në malësi. Familjet e pasura nuk kishin kohë të dëgjonin vajin e një fëmije pa babë. Pranë MOTRAVE SERVITE gjeti strehë pushimi, gjeti edukatën e një nëne shumë të mirë që dora-dorës me të tjerë fëmijë pa i dalluar e diferencuar, i mësonte të udhëtonin nëpër rrugën e drejtë të jetës.

E ëma, para se të nisej për punë drejt dyerve të familjeve të pasura, e përkëdhelte dhe i tregonte vendin se ku ia kishte lënë bukën dhe ushqimin e vogël.

Shpesh hipte mbi një stol me tre këmbë, shtrinte e zgjaste duart e njoma për të arritur shportën që varej në një gozhdë. Pastaj ulej këmbëkryq pranë vatrës, kafshonte bukën e verdhë, duke e njomur me lotët e zemrës, në vetmi.

Vera dhe vjeshta ishin stinët që e lëndonin Nduen e vogël. Frytet e pemëve që ishin në oborr, i lakmonte. Nuk guxonte t’i këpuste. Nuk guxonte t’i merrte edhe ato që binin përdhe. I duheshin dhënë të zonjës së shtëpisë, e cila kishte një natyrë që rrallë buzëqeshte, ndonëse edhe e donte, edhe pse në të rrallë i falte mollën apo dardhën e ëndërrueme.

Në mëngjes, mezi priste të dilte me nanën për të blerë simitin, pastaj, pasi merrte çantën me spangon për të luajtur kuajsh, u niste drejt shkollës. I vetmi shok që ia largonte mërzinë në vetmi të shtëpisë, ishte një top prej lecke, që hidhej sa andej-këtej dhe në mënyrë të pakuptueshme i jepte një tjetër ngjyrë hijeve të mekëshme të dhomës së errët.

Kishte dëshirë të shkonte në kinema. Si i varfër që ishte, nuk përtonte të mbante pllakatat e filmit, zakonisht të dielave në mëngjes, si e si të ishte e mundur të hynte në kinema pa lekë, të shihte një film ëndërrues. Kur hynte nuk harronte të… Ashtu kujdesshëm mblidhte dita-ditës fytyrat e artistëve të filmit, sidomos atyre të aventurierëve e i rreshtonte nëpër muret e dhomës me thumba apo me qirish të përgatitur me miell.

Në mes vuajtjeve jetësore dalëngadalë Ndueja po rritej. Nisi të kuptonte jetën dhe kohët e pushimeve, kur ai punonte si shegert në ndonjë dugajë, për t’i ardhur në ndihmë sadopak nënës së vet. Tashmë e kishte kuptuar gjendjen e vet, e, se ideali i tij i vetëm ishte shkolla. Matura rrinte për të si pikë kryekreje e si themel, mbi të cilën ai do të ndërtonte jetën familjare. Ëndërronte veten në punë, zot i konakut e mjet pushimi e jetese në qetësi të nënës, që me aq vuajtje e kishte rritur. Ëndërronte për… Por mjerisht…

Poezi nga Ndue Pal Shllakut

PËR DITË N’MES T’FLETVET, TE I LULE

Për ditë n’mes t’fletvet, te ‘i lule,
Të shoh, o bletë!
Në at’ fllad t’qetë
Fjoll-tymi, përher’ ti ule;
Shastisë, e ia thithë njomsin’;
Se, vet t’a ep dashnin, ambëlsin.

‘Dhe zemra – eme ngjan fort si lule,
Shpirti – t’saj’t fletë…

FLI E HESHTJES

M’u shprehë të mbujshe
E t’zemrës trishtimin
I ças veç me largu
Gjithshkafen shkëlqimi
Kish për t’a mbulu
Ma s’do vuejshe.

Por me gojë të mbyllun
Zani nuk ndihet
Me zemër të ndrydhun
Kurrgja s’përtrihet
Për ty DASHUNI
Do t’bije fli.

RETË E PRENDIMIT

Knaqem me ato re prendimi që qetas
Të kuq-ngjyme enden nepër qiell
dhe lehtas
Përulen, pushojnë e falen me diell!

N’ças n’ze mer pa pritë bjen mjerimi
N’ato re deshiri gjithçka zhduket
Shkelqimi
Ndrron n’hije terrëta, kurrgja ma s’duket.
Humbet dhe ‘j ditë.

S’DIJ PSE KJAJ
Shtou po shtou o zhumhurë
E shpirtit tim t’plagosur
Vall po thu der kuer
Do rrish tue m’plandosur
Ndër vuejtje Shpirtënore
Qi rrijnë tu m’gri perore?!!

O zemër e vetmueme
Ti vetëm më vështron
Në kët jetë të zezueme
Me gjak ti më shoqnon
Vajton me mu e mjerë
Si i ditë i ditë përherë..!!?

Por sot ç’kan tmijit sy?
Qi nqeshen plot me mallë…!!?
Vajtojnë! Po ndër lot tu shfry!!!?
Nqeshen!?..thue dojnë mu tallë?!!!?
Por jo, sod syet e mi
Vajtojnë për dashuni.

Exit mobile version