Kreu Letërsi Shënime mbi libra Wajdi Mouawad: Anima

Wajdi Mouawad: Anima

Botim i ri nga Ombra GVG
Përktheu: Xhimi Lazri

Një grua shtatzënë, e masakruar, e përdhunuar, e rrethuar nga një pellg gjaku, gjendet në shtëpinë e saj të zymtë. Dëshmitari i vetëm dhe i pafuqishëm, i kësaj ngjarje është macja. Kjo është skena makabre që shfaqet para syve të Uash Debshit një mbrëmje, kur sapo ishte kthyer nga puna. Ajo shtëpi është e tij dhe viktima, është gruaja e tij. I verbuar nga dhimbja dhe etja për hakmarrje, por mbi të gjitha për ta parë në sy, ai niset në kërkim të gjurmëve të vrasësit. Në përpjekjet dëshpëruese për të kuptuar të keqen, ai zhytet edhe më thellë në një bote tjetër, të fshehur nën sipërfaqen e botës së qytetëruar, një botë që sundohet nga mafia, trafikimi, krimi, që qeverisin me ligjet tyre. Në këtë aventurë të guximshme, i shoqëruar nga miqtë besnikë, kafshët, zbulohet historia e dramës së tij që fillon nga koha e fëmijërisë. Kafshët dëgjojnë, kafshët mund të shohin në brendësi të shpirtit, por nuk mund t’ia zbusin dhimbjen. “Anima” është një odise bashkëkohore tronditëse, njëkohësisht është edhe një provokim i guximshëm letrar. Kapitull pas kapitulli, fija narrative rimerret nga kafshët, duke filluar me macen që rrëfen skenën tronditëse të krimit, që kreu një “bishë djallëzore”. Qeni, macja, minjtë, gjarpëri, merimanga dhe insektet e çdo lloji që dëshmojnë të gjithë historinë, e dritësojnë lexuesin për perceptimin më të saktë të këtij realiteti ku jetojmë. Gjatë rrugëtimit të Uash Debshit, zbulohen humnera ku brenda tyre shtrihen male me kufoma njerëzore. Ai është i traumatizuar, i shkatërruar, pa asgjë për të humbur dhe pas çdo hapi që hedh, kupton se njerëzimi është një bashkësi mizore. E vërteta e hidhur që zbulon kjo dramë, është: “Qielli akoma nuk ka parë asgjë më kafshërore se njeriu”.

Wajdi Mouawad [1968] shkrimtar, dramaturg dhe aktor libano-kanadez, ka studiuar për aktrim dhe u diplomua në vitin 1991. Është autor i veprave Scorched, Tideline, Forests and Heavens dhe Anima. Veprat e tij janë përkthyer në më shumë se njëzet gjuhë dhe janë lujatur thuajse në të gjithë botën. Mouawad është drejtor artistik i Teatrit Francez të Qendrës Kombëtare të Arteve në Ottawa, Kanada dhe drejtor i Théâtre National de la Colline në Paris.

Exit mobile version