Kreu Letërsi Shënime mbi libra Virion Graçi: Vendlindjet e shkrimtarit Romeo Çollaku

Virion Graçi: Vendlindjet e shkrimtarit Romeo Çollaku

Shkrimtarin dhe përkthyesin Romeo Çollaku e kam njohur e lexuar që në hapat e parë të karrierës së tij krijuese; libri i parë me poezi “Zemër virgjine”, (1993) dallohet si miniaturë premtuese e personalitetit të mëpastajmë të autorit: ligjërimin i zhveshur nga retorika boshe, i çliruar nga manitë e manierat, i çliruar po ashtu nga veset në modë të poetëve të rinj të asaj kohe, pra, i çliruar nga perifrazimet parodizuese, pathosi i errët deklarativ, stërpikjet banale në fjalor, etj. Poezia e tij ishte e është rrëfim i qashtër artistik, vëzhgim i ndjerë minimalist, ndjenjë e mirëfilltë lirike e shpërngulur në mendjen e lexuesit nëpërmjet gjetjesh të përkora, me hollësi simbolizuese, me fragmente domethënëse nga mozaiku i madh i kaosit epik të jetës sonë. Këto karakteristika mbarten, pasurohen e theksohen më tej në librat e tjerë me poezi: “Gjithë diell e natë” (2003); “Kumbaraja e kohës” (2004); “Heshtjen duke gërmuar” (2011); “Vise kundërmime” (2013). Por, Romeo, si shumë krijues të tjerë të talentuar e të pasur në mendim, u ndie ngushtë brenda mundësive shprehëse të poezisë si zhanër letrar; libri i tij i dytë ishte romani “Varrezat e vendlindjes” (2003), ndërsa libri i tij më i fundit është po ashtu një roman – “Mjalt në teh” (2016).

Proza e tij romanore, bashkë me vëllimin e suksesshëm me tregime “Për shtegëtarët e pak metrave katrorë” (2009) më ka nxitur shpesh të mendoj për to. Te secili autor origjinal priremi të hetojmë çfarë bote të re, të panjohur, të figurshme ka ndërtuar; te prozat e R. Çollakut kemi përherë një kthim të fuqishëm, prekës, përnderues e delikat në vise të njohura të zanafillës njerëzore, në mjedise e formacione shoqërore ku era standardizuese e riformatimeve urbane-kulturore nuk e ka fshirë, nuk e ka marrë me vete karakterin e personazheve, botën e tyre shpirtërore, gjuhën e tyre të përditëshme, strukturat e të menduarit e të të shprehurit, sikurse, ka shpëtuar, është ruajtur edhe skena natyrore ku luhet drama spektakli i përditëshëm i jetës zë zakonshme. E thënë ndryshme, R. Çollakut i është bërë zakon ta çojë lexuesin në vendlindjet e tij shpirtërore, në burimet e tij të ëndërrave, zhgënjimeve, zbavitjeve; nëse ka shkrimtarë që shkruajnë duke parë me sytë e mendjes nga e nesërmja, Romeo shkruan me sytë e shpirtit e të kujtesës, i përqëndruar deri në makth në jetën e jetuar dikur, viteve të pafajësisë e të ndjeshmërisë fëminore. Mbase kjo e bën prozën e tij të shquhet, të jetë e dashur, e këndshme dhe e kujtueshme, njëkohësisht.

Kliko për ta blerë

Romani “Mjalt në teh” është më domethënësi sa i përket vëzhgimit tonë të mësipërm: një fshat i jugut të Shqipërisë rrëfehet në kapërcyell të dy epokave, nga muajt e fundit të L2B deri në mesin e viteve 60 kur Shqipëria, me urdhër nga kupola e pushtetit diktatorial, u bë i pari dhe i vetmi vend ateist në botë, i mbylli objektet e besimeve fetare: kisha, xhami, teqe.. Fshati i romanit “Mjalt në teh” ngjan një ishulli në brendësi të të cilit nuk depërton asnjë ideologji e re, asgjë zhargon bashkëkohor politik, asnjë formë ‘e re’ e jetës së re që ka përfshirë mbarë atdheun e atëherëshëm socialist; kuptohet, jeta ndryshon në sipërfaqe, pushteti i ri i krijon teologët e tij, tellallët e tij e normat e reja të organizmit shoqëror, por kjo i ngjan një inskenimi teatror, i ngjan një farse të cilën banorët pranojnë ta lozin seriozisht nga fillimi në fund, pa u dashuruar me rolin që u është caktuar arbitrarisht, pa u konfrontuar me “regjisorin” fuqiplotë të shfaqes, me regjimin e ri. Poshtë petkave të reja, banorët e fshtatit ruajnë me fanatizëm e inerci shekullore format e shprehjet tradicionale në perceptimet e tyre lëndore e botëkuptimore: toka, kisha, ritualet individuale të jetës vetjake, nga lindjet, pagëzimet, martesa, deri te vdekja, të tëra nën hijen dhe nën hirin e kishës e të kumbanores së saj..

Më gjatë ndalemi kësaj here te romani i tij i parë, i njohur si “Varrezat e vendlindjes,” në botmin e parë (2002) dhe ribotuar e qarkulluar më së miri katër vite më vonë me titullin “Ar e fosfor.” Pëlqej t’i drejtohem me emrin e parë: “Varrezat e vendlindjes” risjell në letërsine shqipe ballafaqimin me botën e varreve, me pasvdekjen fizike te njeriut. Themi e risjell sepse fshirjen e kufirit midis jetës dhe vdekjes, botën e varreve me të gjitha ngarkesat dhe efektet e saj etiko – emocionale e gjejmë jo rrallë në letërsinë tonë, si në letërsinë popullore edhe atë të kultivuar. Nga letërsia popullore janë të shumta përrallat, këngët, baladat me temë pasvdekjen ose mardhënien midis të gjallit dhe të vdekurit; nga letërsia e kultivuar do të përmendim dy autorë përfaqësues: Mitrush Kutelin dhe Ismail Kadarenë. I pari, Kuteli në disa tregime të mrekullueshme e ka përdorur mjeshtërisht pranëvënien jetë tokësore – jetë e amëshuar; i dyti, Kadare pafundësinë e kohës astronomike e ka anthropologjizuar duke i projektuar në jetën e përditshme të njerëzve të gjallë në disa vepra, sikurse ndodh në mënyrë më të drejpërdrejtë te romanet: “Kush e solli Doruntinën”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “S.P.I.R.I.T.U.S”, “Pasardhësi”.

 Në krijimet e Kutelit dhe të Kadaresë prania e të vdekurit, prania e njeriut te vrarë ose bota e përtej varrit në përgjithësi krijon vatra sematike të fuqishme, ndjeshmëri dhe simbolika te veçanta. Te proza e R.Çollakut ky proces pranë vënës dhe ballafaques nuk e koncentron ndjenjën dhe nuk i sofistikon përfytyrimet metafizike për jetën e përtejme, përkundrazi: ky realitet qënësor dhe imagjinar njëkohësisht, përherë rrëqethes dhe enigmatik gradualisht ç’tensionohet, natyralizohet hap pas hapi duke u shkarkuar nga ngarkesat emocionale dhe nga simbolikat e njohura deri më sot në letërsinë shqipe. Për nga mënyra e procedimit artistik vlera e romanit qëndron te animizimi konvencional i ambjentit, i vendit te veprimit, kurse shuarja e kontradiktës midis thelbit njerëzor të heroit dhe rrethanave ç’njerëzore në të cilat ai detyrohet të përfshihet e të veprojë përditë për të mbijetuar fizikisht – sjell një dukuri të re në romanin shqiptar: estetizimin e negativitetit njerëzor.

Estetizimi i negativitetit.

Te Varrezat personazhi kryesor i quajtur Çiraku ndërmerr një udhëtim pune në vëndlindjën e tij bashkë me Ustain. Ecin të heshtur, përkrah njëri – tjetrit. Errësira, ftoma, shiu, shpellat janë pjesë të pandashme të udhëtimit të tyre.

Nga jeta e Çirakut mund të nënvizojmë këto ngjarje: në fëmijëri ë përzënë nga fshati për hapjen e një varri; bëhet ndihmës i një vjëdhësi varresh në një vend të huaj; pushtohet nga malli i fortë për vendlindjen; gënjen Ustain dhe bashkë me të kthehet në vendlindje; ballafaqimin me të kaluarën nuk e përballon dot. Shoku i fëmijërisë ka vdekur. Nuk takon askënd. Dritat e shtëpisë së tij i duken të ftohta dhe armiqësore; nga ky udhëtim ftohet dhe vdes, mjaft i ri në moshë; te vendi ku varroset sipas porosisë së tij nuk i vihet ndonjë shenjë dalluese.

Paraqiten pra dy personazhë me veprimtari të jashtëzakonëshme në kuptimin negativ të fjalës. Ustai jepet si figurë plotësuese, me një rol dekorativ për shkak të bashkëpunimit profesional me Çirakun. Çiraku është heroi problematik i romanit. Figura e tij zbulohet shkallë–shkallë dhe përkundër punës së neveritëshme me të cilën merret, nuk perceptohët negativisht në atë masë sa do të mund të ndodhtë në kushte normalë. Dy lëvizje dallojmë te ky personazh, të dyja të mishëruara qartë e të kundërta mes tyre në planin etik. E para lidhet me përditshmërinë, me punën për sigurimin e mjeteve materiale të jetesës: udhëtimet e lodhëshme me veglat në shpinë, shtegëtimet e gjata e të rrëzikshëme përkrah Ustait, plaçkitja e varrezave. Lëvizja tjetër është shpirtërore dhë në kundërshtim të vazhdueshëm me veprimtarinë e jashtëme. Kjo lëvizjë vjen duke u theksuar, luan rolin e një rezistence pasive e cila përparon gradualisht në kahun pozitiv. Dhe romani nis në çastin kur personazhi vepron i kushtëzuar nga pjesa e mbetur e ndërgjegjes. Formalisht është me Ustain si në ndërmarrjet ë mëparëshme por së brendëshmi përgatitet të ndahet përgjithmonë me gjithçka, jo vetëm me profesionin. Në fundin zhgënjyes të udhëtimit të shumë ëndërruar Çiraku, shpirtërisht duket se po ndahet edhe me vëtveten. Vdekja e parakohëshme i ngjan vëtvrasjes – aq shumë është shuar te ai dëshira për të jetuar – aq shumë është ndezur te ai dëshira për tu ndarë nga koha e tanishëme e ekzistencës. Tanimë zanatin e dënueshëm e shfrytëzon për të nxjerrë nga varri të kaluarën e tij prej njeriu normal.

Koha e tashme e ekzistencës i nënshtrohet të kaluarës nëpërmjet përjetimit të fuqishëm të kujtimeve fëminorë, gjithashtu e tashmja i nënshtrohet përfytyrimit të së ardhmes prej vdekatari të rëndomtë. E shikon veten shpesh të shtrirë në varr dhe sipër gropës imagjinon një vjedhës varresh. Në ëndërr i shfaqet lumi i Karontit, varka që shtyn për më tej shpirtrat e vdekur.

Me mjeshtëri autori e ekspozon Çirakun në stacionin e parafundit të jetës tokësore duke ia vënë në provë thelbin njerëzor. Duket se fillon të refuzojë negativitëtin e jashtëm, ka energji të mjaftueshëme për tu tërhequr në thellësitë e pandotura të qënies, por nuk ka fuqitë e duhura dhe nuk motivohet dot për të nisur një ekzistencë të re. Ndërgjegjësimi për papërfillshmërinë e jetës tokësore kundrejt përjetësisë si dhe bindja në pamundësinë e rezultateve të pëlqyeshëme për një raport të ri me njerzit e tjerë i’a kushtëzojnë sjelljen. Ekzistenca reduktohet në një qëllim të vetëm dhe final: ta rijetojë edhe një herë atë përiudhë, para se ta dëbonin nga familja, nga shokët, nga vendlindja. Për këtë arsye të vetme kthehet duke nxjerrë si shkak varrezat e vendlindjes. Situata ngjan paradoksalë. Autori duket se kërkon të pamundurën nga heroi. Sprova krijuese kalohet me sukses–e jashtëzakonëshmja, e pamundura natyralizohet nëpërmjet digresioneve të cilat shpjegojnë dhe arsyetojnë deri diku metamorfozat e çuditëshme të Çirakut. Fëmijëria e tij ka përkuar me sundimin ë Gavrilëve të cilët në tre breza shkaktojnë mjerim të padurueshëm. Vdekja e Gavrilit të tretë ia ndryshon jetën Çirakut sepse duke parë trupin e tij të pavarrosur e të mbushur me qindra stoli e unaza floriri, bie në tundimin për t’ja vjedhur pasuritë kufomës. Kjo lloj revolte paraprihet nga një marrdhënie direkte mes familjes së Çirakut dhe sundimtarit; pra, çiraku fëmijë kërkon t’i marrë sundimtarit pas vdekjes ato pasuri të cilat në të gjallë sundimtari iu kish rrëmbyer fshatarëve duke i rrënuar me gjithçka. Digresionet në rrëfim sipas rastit plotësojnë të tashmen ose e theksojnë atë nëpërmjet kontrastit. Në përfundim të historisë kemi këtë dialog:

-Çirak, ke rënë në të thella? – e pyeti Ustai.

-Mendoj për atë peshkatarin – tha ai – për atë peshkatarin që u mbyt dhe kurrë nuk iu gjet trupi. Vetëm valët e detit ia trazojnë eshtrat.

Ky dialog tregon si kurorëzohet te Çiraku lëvizja e tij shpirtërore: nga një dhunues eshtrash deri pak më parë tani pikëllohët për eshtrat e një të panjohuri – duke lënë pas dore kujdesin për vetveten, duke lënë mënjanë pikëllimin për jetën e tij e cila dukshëm fillon ti venitet përpara syve me shpejtësi fatale. Duket se është pajtuar me fatin e tij ndonëse s’ka jetuar si njeri po vdes si i tillë, dhe atij për të qënë i ngushëlluar kjo i mjafton.

Animizimi konvencional i mjedisit.

Vend të rëndësishëm në “Varrezat e vendlindjes” zë animizimi konvencional i mjedisit dhe funksionet të cilat ai kryen. Animizimi i mjedisit në një masë të përfillëshme e bën të panevojshëm karakterizimin e personazheve me mjetet tradicionale të zhanrit. Nga përshkrimet e jashtëme dhe nga rrëfimet e brendëshme të tyre mbeten të panjohura për ne përmbajtja e personazheve, mbeten të panjohura edhe raportet që krijojnë ata me vetveten e botën përqark. Portretizimi i bërë nga kënvështrimi i një fëmije që ata takojnë udhës mbetet i vetmi portretizim, i pandryshueshëm, dhe i vlershëm deri në fund: në fytyrat e dy udhëtarëve, në veshjet, në pajimet dhe në ecjen e tyre asgjë nuk binte në sy si e pazakontë. Asgjë nuk i bënte të frikshëm. Fytyrat e tyre fëmija i hetonte pa vështirësi – nuk shkërbenin keqbërësin. Thjesht shprehnin lodhje.

Ustai e Çiraku jepen skematikisht si personazhë që lëvizin në mënyrë mekanike. Fjalët që shkëmbejnë dhe gjestet që kryejnë nuk zbulojnë origjinalitetin e tyre. Bisedat, monologët si dhe përshkrimet e autorit në lidhje me ta kanë fakte jo domethënëse. Dukët sikur nuk zotërojnë asnjë cilësi – ndërkohë përcaktues dhe domethënës bëhet vendi i veprimit, ambjenti ku ata duken sipërfaqësisht. Ambjenti animizohet duke marrë përsipër funksione të përqëndrimit dramatik e të dendësimit kuptimor. Ambjenti i animizuar mbi bazën e disa konvencioneve krijon vatra ku konvergojnë lëvizjet, ndjesitë dhe simbolet e veçanta.

Së pari:–është konvencioni i shpirtit të vajzës i cili i korenspondon fëmijërisë fatëkeqe të Çirakut, parajsës së humbur, lumturisë pa kthim: Kjo shtëpi e braktisur, e banuar nga hije të kërrusura, ishte vendlindja e Çirakut… Aty më poshtë, në fund të asaj rruge, në shtëpinë e fundit të fshatit kish jetuar mikesha e tij e fëmijërisë… Një ditë ( dita e balonave) ajo i la në duar shpirtin e saj dhe i tha: Merre. Shikoje me kujdes. Dhe pastaj bëj ç’të duash më të. Iku. Ai e mbante shpirtin e saj në duar dhe e vëzhgonte me kujdes. Shpirti ishte i vogël, i bardhë. Ç’mund të bënte më të? Meqë ishte dita e balonave, balonë e bëri dhe e nisi në qiell.

Së dyti:–është konvencioni i fustanit të kaltër i cili i korenspondon fatit të bukurisë dhe të dashurisë në një kohë dhe në një vënd të përcaktuar tashmë: çdo pranëverë në fshat flladi sillte fustanin e kaltër të një vajzë të vdekur. Kjo ndodhte në krye të stinës, po të njëjtën ditë kur skutave kundruall spikasnin vjollcat e sapoçelura. Fustani thuhej vinte nga larg, nga një zabël dushqesh rreth 4 a 5 ditë larg fshatit.

 Më poshtë tregohen Ustai e Çiraku: ja ku ishin tani duke u çapitur, me atë ecje tejet të ngadaltë, në rrugën e fustanit të kaltër”.

Së treti: – është konvencioni i uturimës i cili i korenspondon një jetë tepër të varfër: kur ia behu muaji i të korrave, në fshat filloi llahtara: nga ara filloi të vinte një rënkim i zgjatur, i njëtrajtshëm, therës, i fortë si uturimë, ishte natë.

Së katërti:–është konvencioni i varrezave të Dëshmorëvë të Idealit Kombëtar i cili i korenspondon bjerrjes morale e historike në një etni të caktuar : nuk gjetën asnjë send të çmuar në varrezat e Dëshmorëve të Idealit Kombëtar. Gjetën medaljonët e kallajtë të matrikujve që as numurat nuk u shquheshin më. Gjetën helmeta, bajoneta e gaveta të ndryshkura.

Së pesti:–është konvencioni i lumit të Karontit i cili i korenspondon mallkimit të përjetshëm, dënimit me vetmi të pafundme sikurse mëson Çiraku se ai vet është i shënjuar nga fati–as në varkën e Karontit nuk ka vënd për të. Karonti zemërohet me Çirakun, currila gjaku i burojnë. Ai thotë: nuk mund ta nis varkën për dy vetë.

Së gjashti:–është konvencioni i dy vëllezërve binjakë, Gëzimit dhe Trishtimit. Nga vëllezërit binjakë mbetet gjallë Trishtimi, kurse Gëzimi vdes para kohe sikurse çdo gjë e mirë dhe e bukur shkatërrohej krejt dhe mbulohej me baltë në atë fshat.

Në vepër ka konvencione të tjera funksionalë, të një rëndësie më të vogël. Do të donim të nënvizonim faktin së animizimi i mjedisit në “Varrezat e vendlindjes” shndërrohet në parim krijues duke luajtur rol parësor në organizimin kompozicional të veprës. Nëpërmjet tij, ngjarja bazë e romanit – gjendja e Çirakut – në mënyrë të koncentruar, nga faktografi e një jete të zymtë individualë imponohet bindshëm duke u shpalosur si metaforë e një jete kolektive.

Në vend të përfundimeve: autori është njëkohësisht dhe përkthyes i talentuar, I përkushtuar. Çdo vit i dhuron lexuesit tonë disa qindra faqe letërsi të përzgjedhur nga bota letrare: romane, poezi, tregime me të cilat shfaqtë njëjtin përkushtim gjuhësor e saktësi të ligjërimit artistik, sikurse edhe në krijimet e tij. Qysh tash, për nga sasia e librave të përkthyer, për nga rëndësia historike, letrare-estetike e veprave të përkthyera, Romeo e ka merituar një vend mes përkthyesëve tanë të dalluar. Por, duam të ketë më shumë kohë për veten e tij, vendlindjet e tij letrare janë të pasura, të begata. Ato presim me padurim të vijnë në skenën e prozës shqipe nëpërmjet penës së R. Çollakut.

Exit mobile version