Kreu Letërsi Shënime mbi libra Virion Graçi: Dramaturgjia e Etëhem Haxhiademit dhe skena e asaj kohe

Virion Graçi: Dramaturgjia e Etëhem Haxhiademit dhe skena e asaj kohe

Krijimtaria letrare Etëhem Haxhiademit, e dënuar me heshtje dhe ndëshkime të skajshme përgjatë gjysmës së dytë të shek.XX në Shqipëri, del e plotë në dritë për njohje dhe studim këto kohë. Etëhem Haxhiademi, edhe vetë personazh tragjik në historinë e Shqipërisë komuniste, i dënuar padrejtësisht, është dalluar në vitet tridhjetë mes krijuesve, përkthyesve dhe intelektualëve të tjerë. Ajo epokë e ka dashur E. Haxhiademin, ka mirëpritur punën e tij, ka pranuar me natyrshmëri personalitetin e tij, talentin, protagonizmin e tij si qytetar e si shkrimtar. Pajisur e formuar sa me kulturën klasike aq dhe me kulturën bashkëkohore-europiane, ai synoi të sjellë në shqip kryevepra nga fondi botëror i letërsisë, sikurse, nga ana tjetër, në harkun kohor të dhjetë viteve, afërsisht, shkroi e botoi një sërë veprash për skenë, tragjeditë mitologjike si “Ulisi”, “Akili”, “Diomedi”, dhe ato me temë historike si: “Aleksandri”, “Pirrua”, “Skënderbeu,” “Abeli.”

Në vitet ’30 Etëhem Haxhiademi është pranuar dhe përshëndetur nga autoritet letrare si autor i ri, me talent të veçantë, zë i përveçëm dhe i shquar, jo vetëm në brezin e tij. Vangjo Nirvana (Vangjel Koça) duke përcjellë me një analizë paraqitëse të karakterit psikologjiko-historik tragjeditë “Ulisi,” “Akili”, “Aleksandri” shprehet: “Këto janë të tri tragjeditë e para të Haxhiademit, që, me gjithë të metat e tyre – se dhe kryeveprat akoma kanë të meta, kanë cilësira që e nderojnë zotësinë dhe inspiratën e autorit të tyre, dhe janë një prodhim i vlyer në letteraturën e sotme të brezit të ri.” Vlerësim më i lartë i bëhet autorit të ri E. Haxhiademi nga Gjergj Kuka, kur shprehet: “Në radhët krenare të shpatëtarëve të literaturës së re shqiptare, ai ecë me ball të lidhun me dafinat e nderit.. Shkrimtarë të tempramentit të Haxhiademit s’kanë nevojë për lëvdata mbassi e kanë fitue me mundime të vazhdueshme vendin e tyne në litteraturën Shqiptare.”

Për shumë arsye, nga veprat e tij origjinale, ende sot, më e rëndësishme mbetet  tragjedia “Skënderbeu”. Botimi i tragjedisë “Skënderbeu” nga Shtëpija Botonjëse “Kristo Luarasi”, Tiranë, 1935 ka qenë ngjarje e shënuar në jetën kulturore të kohës, është pritur me shkrime përshëndetëse nga intelektualë të dalluar si Branko Merxhani, Aleksandër Xhuvani, Behar Shtylla (me pseudonimin Bardhi Shtylla), Vangjel Koça (me pseudonimin Vangjo Nirvana), Jup Kastrati, etj.

Duke përkujtuar autorin, duke u përpjekur të gjejmë afërsisht vendin e tij në historinë e letërsisë sonë, etiketimi i parë që të shkon në mend është ai që vetë autori do ta kishte ëndërruar, “themelues i tragjedisë shqipe”. Dhe, siç do ta shohim më tej, në atë periudhë, është ndier nevoja për ta pasur një theatër kombëtar, në dobi të edukimit qytetar, estetik dhe atdhetar të njerëzve të zakonshëm. Në historinë e dramaturgjisë shqiptare këtë vend, “themelonjës i tragjedisë shqipe” Haxhiademi e ka merituar. Por, parimisht, nga dramaturgjia e shkruar – te historia e teatrit si histori repertori teatror, si kategori historike, si fenomen social- kulturor – shumatore shfaqesh të suksesshme dhe rikonfirmimesh përtëritëse të pjesëve teatrore nga  njëri brez në tjetrin, rruga është e gjatë dhe misioni mbetet pa provuar dhe i papërmbushur, fatkeqësisht. Në këtë rrafsh, pra, një trashëgimi teatrore si lëndë e parë e objekt pune kryesisht për studiuesit, për historianët e letërsisë dhe të gjuhës shqipe, prurjet prej debutuesi në një zhanër autoritar si tragjedia, institucion shpirtëror e moral për më tepër se dymijë e pesëqind vjetë në jetën e popujve të mesdheut, mund të arsyetohen e të pranohen relativisht, brenda sistemit letrar shqiptar të asaj kohe. Nëse shohim përqark aso kohe, kemi teatrin e Luixhi Pirandelos, pjesët për teatër të Zhan Pol Sartre, teatrin e Bertold Breht, e disa autorëve të tjerë, me gjasë, të njohur edhe nga autori ynë i mirë shkolluar, E. Haxhiademi. Prandaj, sot e vendosim në kontekstin përkatës tragjediografinë e tij, rëndësinë e saj, si meritë e autorit Haxhiademi, dhe kufizimet – si kufizime vendimtare të traditës si mungesë dhe të horizontit pritës.

Le të kthehemi në vitet ’30-të. Vedad Kokona te Revista Letrare, Tiranë, 1944, nr, 4, në shkrimin “Theatri dhe ne” shprehet: “Në një vend ku përqindja e analfabetizmës ndodhet në një shkallë t’atillë sa njeriut i vjen me të vërtetë  keq, ku turma e verbër ngryset e gëdhihet përpara tavllës apo xholit duke pirë duhan e duke zënë njëri tjetrin në gojë ose ku edhe ata që dinë këndim e shkrim nuk të zënë kurrë një libër me dorë, theatri duhet të lozë kryesor në edukimin e popullit; të jetë një shkollë e vërtetë ku, hërë pas here, edhe ay më i humburi që rron në llomin e jetës, të ketë mundësinë të jetojnë në një atmosferë fisnike dhe qytetëronjëse. Mjerisht ndër ne, edhe pikërisht ndër ne ku ndjehej nevoja më shumë se në çdo vend tjetër, theatric nuk e ka lozur këtë rol me rëndësi dhe ka mbetur dhe sot e kësaj dite, në mes të shekullit të njëzet dhe në një vend që është një urë mes Lindjes e Perëndimit – ka mbetur, themi, në fazë aq embryonale aq sa, mund të thuhet pa pikë hezitimi, se në lëmin theatror asnjë tentativë serioze nuk është bërë në vëndin t’onë.”

Tjetër intelektual i asaj kohe, Muhamet Bala, te “Kultura Islame”, Tiranë, 1942, nr.5-6-7 në shkrimin “A kemi nji dram modern shqiptar?” shprehet: “Pse popull i vogël e gadi gjithmonë nën zgjedhë të huej, pse përherë i nëpërkamun prej amnikut të pashpirt e gjakpirës, Shqipnija, s’pat rase me njoftë mirë e me hye për palc, deri vonë, jetës mendimtare e hartistike të huej: Ky asht zakonisht fati i të gjithë kombeve të vogjël.” Po aty, “Ndijësija e Bukuria kanë nisë me u përvetësue mjaft prej nesh. Na kemi një epikë. Kemi një folklorë. Lirika vazhdon gjithnjë tue u mprehë e tua u hollue sa ma tepër. Novella s’na mungon, madje një novelë në kuptimin e vërtetë të fjalës. Romanxi vazhdon me u zhvillue me hapa të shpejtë. E dramatikja? Dramatika ka mbetë me gjith se populli asht i ethshëm për theatro. Shpesh dëgjoj zane si: “Jemi lodhë ma prej dramave historike.. Mjaft me drama me shtjellime të kalueme… Kur do të shohim ma nji dramë të kohës?..dramë e kohës, me sensibilitete të ditës, personazhe me petka qytetare..”

Fiqret Fterra, te gazeta “Shkëndija”, Tiranë, 1943, në rubrikën “Për një ritrajtim theatror”, shprehet: “Për popullin t’onë vlera e theatrit, nuk do të kufizohet vetëm si qendër edukimi por do të ndreqi një urë të fortë, e cila do të lidhi kulturën me turmat….(shkurt – vg) Në këto dhjet vjetët e fundit, theatri ynë a ka bërë ndonjë përparim? Po t’a shqyrtojmë, në bazë të numrit të çfaqeve, në vend përparuar jemi në dekadencë. Të gjithë mbajnë mënd pa a shumë se përpara pak vjetëve, në Shkodër, Korçë, Tiranë ndihej një etje dhe vlim për theatër, dhe çfaqet ndonëse me shumë të meta artistike prapë ishin të shpeshta ashtu edhe në Elbasan, Vlorë etj”. Sa i përket repertorit të huaj, që mund e duhet të përmbushë nevojat estetike të çdo publiku, F. Fterra bën një vëzhgim interesant, një qortim me vend: “Kemi pasur rastin të shohim personazhët e komedive të Molier-it të mveshur me brekushe e me një tufë presh në duar; ose tjerë auktorë të huaj, të përmëndur, personazhët e të cilëve, dilnin në skenë me këmisha nate (një lloj pizhame) e me faqore të rakisë nëpër duar, duke u unjur këmbëkryq mbi rrogozë.”

Në një mjedis të tillë mungesash e nevojash të jashtëzakonëshme kanë ardhur tragjeditë e E. Haxhiademit. Duke lexuar me kritere të zhanrit “Skënderbeun” e tij, mund të themi se jemi larg zhanrit; jemi në zhanër sa i përket anës formale, mënyrës së rrëfimit, organizmit të lëndës në akte, në skena, zbulesës së personazhve nëpërmjet dialogimit, trialogimit, jemi në zhanër edhe sa i përket fundit me vrasje a vetvrasje personazhi; kurse pjesa përmbajtësore, konflikti i madh ideor e botëkuptimor i përfaqësuar nga të paktën dy protagonistë, nga dy autoritete rivalizuese në planin etik – nuk e ka intesitetin dhe subilimim e domosdoshëm; idealet e reja, kumtuar nga heroi i cili sakrifikohet me vetëdje për t’i mbrojtur e  afirmuar ato nëpërmjet flijimit të tij heroik, janë jehona faktesh dhe hamendësimesh, por jo vetëdije e re ekzistenciale që kërkon e meriton të fitojë të drejtën e qytetarisë. Nisur nga numëri jo dhe aq i bollshëm i tragjedive në tradiën botërore të teatrit, parë me kriteret e nënkuptuara dhe funksionet e tragjedisë si zhanër, nga “Poetika” e Aristotelit e këndej, do të kishim tragjedi, katharsis, nëse Skënderbeu ose një i ngjashëm i tij do të humbiste jetën duke i artikuluar e mbrojtur deri në flijim idealet e veta, përkundër forcave rivale, madhore, etj. Parë edhe me sytë spektatorit të teatrit klasicist, me të cilin e kanë njësuar dramaturgjinë e Etëhem Haxhiademit bashkëkohësit diturakë si Branko Merxhani me të tjerë, do të zbulonim largime edhe nga ajo paradigmë teatrore. Dhe, nuk janë nga ato largime krijuese-novatore që e pasurojnë zhanrin, i sjellin risi, i sjellin zbulesa domethenëse brendish njerëzore dhe – galerisë së personazheve letrare i shtojnë tipa origjinalë, me domethënie të fuqishme social-filozofike e etike. Nga praktika e teatrit klasicist gjejmë të mishëruar vetëm vizatimin e personazheve bardh e zi, të pa ndryshueshëm në rrjedhë të ngjarjeve, si dhe përfundimet tepër të arsyeshme, tepër të arsyeshme për të qenë zgjidhje konfliktesh tragjike, që do të thotë, artificiale, deux ex machine. Por këto të fundit nuk numërohen si të arritura të atij teatri, përkundrazi. Veç pritshmërive të sipërcekura të pjesëve që janë titulluar tragjedi, është dhe një kriter thelbësor që e dallon tragjiken/dramatikën nga zhanret e tjera letrare: protagonistët veprojnë e nuk rrëfejnë. Ky raport, pra, midis veprimit të personazheve, si mjet afirmues i tyre dhe, nga ana tjetër, e rrëfimit për vetveten, është tregues që e cilëson veprën, e klasifikon atë.

Më shumë se tragjedi, “Skënderbeu” i Etëhem Haxhiademit është një eulogji e shquar për Heroin tonë Kombëtar. Autori dramtizon në mënyrë mjaft të thjeshtëzuar disa episode të diskutueshme që kanë lidhje me mënyrën e lidhjes së martesave dhe tradhëtitë e princërve/ushtarakëve madhorë të Arbërit, bashkëluftëtarë ose familjarë të Gjergj Kastriotit.  Oborri mbretëror, Gjergj Kastrioti dhe shpura e tij janë maja e shoqërisë, dhe problemet, gjakimet e tyre vlejnë të mishërohen vetëm në zhanrin e lartë, që është tragjedia, sikurse E. Haxhiademi ka bërë. Po ashtu, gjuha e përdorur është në përshtatje me personazhet e sërës së lartë dhe me zhanrin: është gjuhë poetike, mbizotëron retorika, fjalori – i përzgjedhur me kujdes, dhe elokuenca në dialogim. Secila shprehje karakterizon madhështinë e Gjergj Kastriotit, urtësinë e tij, trimërinë e pa shoqe, shpirtgjerësinë, virtytet, rëndësinë si prijës kundër Turqisë, etj. Këto, e të tjera si këto, deklarohen/rrëfehen e nuk shfaqen, nuk vinë përmes veprimit dramatik. Konflikti ndjenjë-arsye nuk ndodh, nuk është në plan të parë sepse mbizotëron arsyeja dhe panegjirika. Nuk është hedhur në fushën e sprovës simboli, garantuesi dhe mishërimi më i lartë i cilësive njerëzore dhe shtetërore, Gjergj Kastrioti. Vend kryesor ka zënë sqarimi i lexuesit/publikut se Hamzai, Moisiu, Zanfina ishin të zemëruar me mbretin Skënderbe, por ishin të zemëruar për arsye meskine, karriere, lakmie apo nga ndjenja të tjera inferioriteti përballë Fatosit të Shqipërisë, mbretit të Shqipnisë. Pjesa është, mbi të gjitha, glorifikim i Skënderbeut dhe historisë së tij në sytë shqiptarëve të zakonshëm të viteve ’30. Bie në sy përdorimi i thirrorëve: Mbret i Shqipnisë si dhe përsëritja e shpeshtë e fesë, nënvizimi se jemi tjetër fe me Turqit. Në fundin e arsyeshëm (sipas poetikës klasiciste të tragjedisë) kemi Skënderbeun:

SKËNDERBEU

Si don qi t’jet tradhtija e ‘tij mbaroi, /Porse tradhëtia e Hamzait filloi. /Filluëm të msohem na me pun’ t’këqija. /Dhe si po shoh e mjer’ do t’jet’ Shqipnija. /Por un deri sa t’rroj nuk do t’kursehem. /Për t’mbrojtur tokën t’ime qi ushqehem. /Barbarit të tërbuëm sa të jem gjallë /Do t’i vërsulem rreptësisht me pallë /Dhe gjak’ i im bregoret do t’i lajë /Qi t’rroj Shqipnija, dhe flamur’ i sajë!

Me “Skënderbeun” e E. Haxhiademit jemi përsëri në frymën e epikës-romantike rilindase, krahas emrave të mëdhej si Jeronim de Rada, Naim Frashëri, krijimtaria e të cilëve, më së pari, kur lëvronte këto subjekte kishte pathos edukativ-atdhetar. Ja si e fillon Naim Frashëri gati gjysmë shekulli përpara Haxhiademit, “Histori e Skëndedrbeut”:

Këndo, ëngjëll, urtësinë /Edhe gjithë mirësitë, /Skënderben’ e trimërinë, /Q’i dha Shqipërisë dritë. /Të lumtë goja, këndona, /Me gjuhë të ëmbël si mjaltë, /Skënderben’e madh tregona /Trimnë burrë, Zotn’ e naltë. /Punëtë që ka punuar /Kordhëtari i vërtetë /Kombin duke nderuar /Dhe Shqipërinë përjetë.

Ngjashmëria mes vargjeve të mësipërme të Naimit dhe vargjeve të marra nga E. Haxhiademi, është simetrike. Haxhiademi ka përkthyer në gjuhën specifike të një zhanri tjetër të njëjtin imazh, të njëjtën frymë. Dhe kjo është vlerë e çmueshme e tij. Karakteri agjitativ, didaktika patriotike në dramën shqipe të gjysmës së parë të shek.XX, dëshmuar mjaft te ‘autori ynë,’ është i kuptueshëm dhe i pa shmangshëm, ndonëse, në gjini të tjera letrare, tregim, novelë, poezi, kapërcimi në fushën e artit të kulluar, kishte ndodhur në emrat më përfaqësues, në veprat më përfaqësuese.

Si përfundim, nëpërmjet “Skënderbeut” dhe veprave të tjera të tij, Etëhem Haxhiademi zë një vend nderi në plejadën e v.’30 të shek.XX. Duke njohur vështirësitë, përpjekjet dhe prurjet intelektuale të asaj periudhe, ideologët dhe mendimtarët e shquar shqiptarë të të gjithë drejtimeve politike që po përpiqeshin për një ideologji kombëtare, për një neoshqiptarizmë, për një orientim perëndimor të shoqërisë dhe vendit tonë, për përparim kulturor e ekonomik, për emancipim botëkuptimor, qytetar e estetik, gjejmë se E. Haxhiademi, sikurse para tij Naimi, Konica, Noli, Fishta e të tjerë, e ka bërë muzën krijuese dhe bagazhin e tij artistik, më së pari shkollë edukimi, forum predikues, forcë morale për të ndjerë krenaritë e trashëguara dhe për të marrë përgjegjësitë e duhura.

Exit mobile version