(Shënime për “Në klubin e të shëmtuarve” dhe “Gosti në natën e fundit të vjeshtës” – romane nga Gëzim Aliu.)
Gëzim Aliu, (1977), shkrimtar e studiues i letërsisë shqipe në Prishtinë, është emër i ri që tingëllon mirë në skenën intelektuale e letrare shqiptare. Autor i dy monografive shkencore, i tre romaneve dhe një përmbledhjeje me tregime, G. Aliu duket se ka mbritur radhën e protagonistëve me punë, talent e përkushtim. Ndërsa angazhimet e tij të deritashme në kërkimin shkencor priren ndaj autorësh të njohur, ndaj vlerash të shquara: “Diskurset e ideve në prozën e Kadaresë” (studim, 2007) dhe “Romanet e Ismail Kadaresë, 1963-1990, retorika e tekstit dhe narracioni”, (2016, monografi, çmimi Vjetor Kombëtar), krijimtaria e tij letrare ecën në rrugën e saj të mëvetëshme, pak ose aspak e rrahur në traditën tonë. Romanet “Në klubin e të shëmtuarëve” (2009, çmimi Vjetor kombëtar), “Katedralja pa kryq” (2014), “Gosti në fund të vjeshtës”, (2017) dhe libri me tregime “Libri i fundit” (2012) janë sfidë e madhe për autorin e ri në shtegëtimin shpirtëror e mental drejt andjes e mendjes së lexuesit të ‘vjetër’ e shijes tmbizotëruese: është letërsi atipike në kuptimin përmbajtësor të fjalës. Nëse në agimet e saj letërsia shqipe ishte kryesisht didaktike-atdhetare; nëse më vonë u bë reflektim e shprehje vetjake e mëtimeve grupore e klasore, e problematikave sociale, e rrëzimeve e mëkëmbjeve ditore të njeriut të zgjedhur si personazh; nëse letërsia jonë aktualizoi mitet, përditësoi e rifiguroi krenueshëm historinë, ajo, jo shpesh ia ka dalë të sinkronizohet me zhvillimet kulturore kontinentale, jo shpesh ia ka dale të jetë letërsi emocionalisht e fuqishme, konceptualisht befasuese/origjinale, estetikisht e arrirë; e ka pasur të dobët pulsin realist, nëse e masim edhe sipas poetikës së realizmit kritik. Falë edhe kushteve jashtë-letrare, nuk e ka pasur mundësinë të zhvillojë mjaftueshëm elementë e topikë të satirës sociale e politike, të groteskut, të blasfemisë laike, të stigmatizojë ligjërimet demagogjike e dështimet vetjake&shoqërore. Në pjesën më të madhe të saj letërsia shqipe është letërsi e afirmimit të vlerave etiko-morale, letërsi e afirmimit lavdërues të së kaluarës historike e njerëzve të mëvetshëm; është letërsi e pathosit kolektiv e politik, letërsi e hiperbolës e jo e vëzhgimeve të imëta, të mprehta, mikroskopike. Jashtë vëmendjes së saj kanë qenë përgjithësisht etapat e dakadencës, segmentet e zhgënjimeve, krizat komplekse etnike e individuale; krizat e dilemat e thekshme morale e botëkuptimore po ashtu nuk kanë bukë e përditëshme për pjesën më të madhe të shkrimtarëve tanë të traditës. Shkrimtarët tanë tradicionalisht kanë dashur ta gjejnë të bardhën dhe të bukurën edhe aty ku vështirë se ato mund të ishin, shkrimtarët tanë të traditës nuk kanë parë njollat e zeza të realitetit dhe të shëmtuarën e shtruar këmbëkryq mes nesh. Përjashtim fatlum përbëjnë në këtë galeri kronologjike romanet “Dr. Gjëlpëra”, (Faik Konica), “Gomari i Babatasit”, (Gjergj Fishta”, “Vdekja me vjen prej syve të tillë”, (Rexhep Qosja), “OH” (Anton Pashku), “Odin Mondvalsen”, (K. Trebeshina), “Ata të dy e të tjerë”, (K. Kosta) dhe një sërë veprash të shquara të I. Kadaresë si: “Viti i mbrapshtë”, “Pallati i ëndërrave”, “Qorrfermani,” “Piramida”. Në këtë tipologji shkrimore mund të klimatizohemi me natyrën krijuese të Gëzim Aliut, dëshmuar në romanet e tij: letërsi e groteskut, letërsi e alegorisë dhe humorit të zi, dekriptim estetik i tiranive dhe utopive…
* * *
Rrëfimin romanor G. Aliu e mbështet në ecurinë psiko-fizike të protagonistit të tij. Dhe protagonistët e tij, rrëfimtari, te “Në Klubin e te shëmtuarëve” dhe Cen Berisha te “Gosti në fund të vjeshtës” janë individë të nëpërkëmbur nga rrethanat e trashëguara dhe nga sistemi i ri marrdhënieve njerëzore që po kristalizohet me shpejtësi dhe shkujdesje dëshpëruese. Pra, janë vepra të strukturuara rreth anti-heroit, ose me heroin e humbur si përfaqësues i heshtur një gjenerate të re, përkundur me ëndërra e synime ambicioze. Heroin e humbur, të margjinalizuar nga rrethanat e pa volitëshme historike e familjare, të denatyruar nga pesha e strukturave shtetërore totalitare, aq dhe nga dobësia vetjake, brishtësia psikologjike – e gjejmë shpesh në romancierë të Shqipërisë të pas viteve nëntëdhjetë; heronj që nuk kanë besim te vetja, heronj që kanë përçmim për veten, përçmim për të shkuarën e tyre, skepticizëm tëhuajsëim emocional me të tashmen. Të ndodhur dikur mes një shoqërie të indoktrinuar a grupi klasor antagonist, ata lloj heronjsh nuk kanë mundur të ndërtojnë marrdhënie të dyanëshme me kohën, me perspektivën, duke penguar njëherësh integrimin dhe distancimin mes gjindjes së përgjithëshme, kaotike. Pasiguria, dyshimi, ndjenja e përndjekjes dhe e ligështimit fizik i shoqëron organikisht protagonistët e romaneve shqiptarë të pas viteve nëntëdhjetë. Sendërtimi i një bote të tillë romanore përbënte një zhvillim të pritshëm e të përligjur deri diku në Shqipërinë post-diktatoriale, nga autorë që e kishin kaluar një pjesë të rëndësishme të jetës nën totalitarizëm; por, në Kosovën e pas-luftës çlirimtare, në Kosovën e mëvetësuar si shtet, me ëndërra dhe ambicie përtëritjeje etnike e individuale, në Kosovën rinore që nga treguesit demografikë të popullsisë deri te institucionet e rithemeluara të vlerave shpirtërore&morale&material – perspektiva e përmbysur, rrëfimet groteske për masat dhe individët e shquar mes masave/turmave, do të tingëllonin të parakohshme, të pavolitëshme, sipërmarrje për të cilat romancieri nuk mund të shpresojë mirëkuptim të tërësishëm, aq më pak – nuk mund të presë nga lexuesit masiv përqafim të vizionit të tij artistik për epokën dhe bashkëkohësit. Por G. Aliu nuk është kujdesur për të qenë i pëlqyeshëm duke përdorur penelata zbukuruese, duke hedhur nota artificiale të optimizmit e të glorifikimit në romanet e tij të parë; jo, më tepër ka dashur të shkojë në embrionin e dukurive dhe të individëve për të kapur e kuptuar në gjenezë zhvillimet e mundëshme të vendit të tij, të gjeneratës që ka radhën në skenën e kohës t’ia japë vendit zërin e fizionominë e saj.
Në romanet “Në Klubin e të shëmtuarëve” dhe “Gosti në fund të vjeshtës” nuk kemi heroin e përhumbur, të ngatërruar me hijen e tij dhe me hijet e shtresëzuara në pavetëdijen e tij. Gëzim Aliu nuk shkruan roman të heroit a antiheroit të konservuar. Me mjetet shprehëse të groteskut, ironisë, humorit të zi ai mishëron estetikisht struktura të rëndësishme të shoqërinë bashkëkohore, por edhe mospajtimin dramatik të individit me të parathënat e fatit, konfliktin me shoqërinë dhe barrierat e shtuara të saj. Heronjtë e tij të humbur shfaqen si njerëzs të rinj në një botë të re; ata tregohen të vendosur, veprues në një botë që sa ka nisur të kristalizohet e të kanonizohet, njëkohësisht. Protagonisti i “Në klubin…” tregohet i paepur deri në fund për t’u integruar në Klub, Klubi – si Olimpi modern për egoistët dhe garuesit heterogjenë; pavarësisht Kokërrës së Zëzë, një kumt viziv që e ndjek dhe e përndjek këmba – këmbës, ai nuk resht përpjekjet e tij: përshtatet, kundërshton, komploton, futet në ambiente e sipërmarrje të rrezikëshme, finalizon duke e shprazur mllefin dhe zemërimin. Protagonisti i Klubit e nis rrëfimin për veten me përkufizimin shpotitës, blasfemues: Unë jetoj në një banesë që gjendet në një lagje të skajit verior të kryeqytetit. Lagjja doherë emërtohej sipas një partizani të vrarë në Luftën e Dytë Botërore, kurse tash mund të quhet “bërllokhane”…(f.5)
Pasi e vren se bota e vogël në të cilën po rritet e po abiemtohet nuk e ka bukurinë në rendin e vlerave themelore, pasi e vren se shëmtia dhe antivlerat janë formula të mbijetesës e të suksesit në xhunglën qytetëse, ai dëshiron ta thotë fjalën e vet. Në finale e gjejmë si fitimtar, e ka dhënë grushtin e tij në zemër së së keqes, e ka hequr qafe, mbase përkohesisht sinonimin e së keqes, botën e padëshiruar e cila po ia cënonte ekzistencën, thelbin njerëzor: Kutinë e teledirigjimit e mbaja lehtë, butë, si të ishte letër dashurie që premton shumë lumturi. Dola nga ai vend, vrapova, u futa pas një kontenieri bërlloku që tymoste nga pak dhe kundërmonte flliqtë, shikova kah dyert e ndërtesës së Klubit ku roja mundohej ta thërriste dikë me aparatin e tij të komunikimit dhe e preka sustën e kuqe. I pari eksplodoi kati përdhes, duke bërë zhurmë të thekëshme, pastaj shkatërrimi I shoqëruar me spirra zhamash, flakë e tym vazhdoi shpejt deri në katin e lartë, atë që përpiqej ta shponte qiellin. Kur flakët e përfshinë çdo gjë, atëherë ndërtesa u shkërmoq dh era poshtë, mbushi oborrin duke thyer e mbuluar pishat e pemët e tjera dhe krijoi një grumbull të madh që ngjante shumë me bërllokishten e lagjes sime. Nga maja e bërllokut të sapoformuar filloi të vijëzonte drejt qiellit një hollimë tymi, pastaj filloi të rritej, të trashej, të nxihej, të mërrolej dhe më në fund u bë shtëllungë, shtëllungë e zezë që e mbuloi qytetin krejtësisht. (“Në Klubin…” , f291-292)
Romani i mësipërm e ka një rrëfim të imtësishëm për jetën në Kosovë, për jetën e dikurshme në fshat dhe për jetën e re në qytet. Fëmijëria, familja e zgjeruar me xhaxhallarë e të afërm, vëllazëria, shoqëria e ngushtë në fshat e në qytet si dhe kategori të tilla si martesa, dashuria, nderi, nuk jepen me tone të ndezura idilike, përkundrazi.. Kurse romani “Gosti…” diskursin letrar e përqëndron në dilema krijuese-intelektuale. Cen Berisha, protagonisti i “Gosti….” nuk e ka rrugëtimin e hollësishëm nga fshati në qytet, nga qyteti në Shehrin e Madh (Kryeqytet) sikurse protagonisti i romanit “Klubi…”; ai është në ballafaqim me krijesën e vetë letrare/artistike, është në dilemë me dorëshkrimin e tij i cili nuk po rritet, nuk po bëhet roman. Me tregimin e dikurshëm “Një njeri i zakonshëm” protagonisti Cen Berisha e ka fituar një çmim letrar kombëtar, por ai tregim nuk e dëshmonte fare autorin e tij, jetën, Kosovën, historinë, dramën e përbashkët. Pas epigrafit-motos autoriale: Jeta është rrëfim… i shkatërruar… bërë copë-copë brutalisht.. Nuk mund të jetë ndryshe! –rrëfimi nis me po këtë frymë vetëgjyqësie krijuese: Cen Berisha e shikonte qiellin nga ballkoni dhe shpresonte që atë natë nuk do të binte shi. Kështu kishte lexuar edhe në internet: shanset për shi ishin diku rreth dyzet për qind. Qielli ështe mbushur me re, por nuk do të bjerë shi, tha me vete dhe u fut Brenda. Ai e kishte vendosur që atë natë ta digjte dorëshkrimin, në kopësht, aty midis ushtarëve të vdekur. (“Gosti…”, f.7)
Planet e gjakimet e Cen Berishës shkojnë paralel me gjendjen sociale; të dy, individi dhe shoqëria janë përkrah në shtegëtimin e tyre nëpër një të tashme pa cilësi, pa shpresë, pa vlera të spikatura, pa bukuri, pa dashuri e respect për të bukurën. Edhe ky hero e bën kryengritjen e tij, ndahet dhunshëm nga faktorët dhunues, përpiqet ta shembë, ta shpërthejë kafazin e ri në të cilin e ka kyçur liria pa standard, pa modele të admirueshme humanizmi e vlerash: Fantazmat nuk digjen, do të thonë. Ceni e shikoi dorëshkrimin që e mbante në duar. I djegur anash. I nxirë. I lagur. I dredhuar. I thyer. Ishte prapë aty. Unë duhet të ik. Puna ime mbaron këtu. U ngjita shkallëve ngadalë dhe u futa në dhomën e madhe. Tablosë i ishin djegur lulet, degët, trungu, duhet t’i digjen dhe rrënjët, mendova. Ia nxorra rrënjët. Flakët filluan menjëherë të lodronin mbi to. Ktheva edhe një herë kokën nga dritarja dhe shikova jashtë. Ceni, me dorëshkrimin në duar qëndronte si statujë duke shikuar zjarrin e madh që kishte ndezur. Si një statujë e zezë nën shi. (“Gosti…” , f.226)
Në romanet e Gëzim Aliut nuk fabrikohen heronj dhe idhuj, nuk evokohen lartësi vlerash etno-kulturore, por i bëhet kritikë radikale kulturës së re, pseudokulturës, dhunës, bërllokut e vulgaritetit. Tiranët e rinj, të përditshëm, jo dhe aq të dallueshëm nga sytë e zakonshëm, bëhen të dukshëm e të qartë nëpërmjet rrëfimit kontestues romanor, nëpërmjet groteskut dhe fqinjëve të tij. Autori nuk lyp simpati, nuk bën kompromis me pritshmëritë e lexuesëve të tij të mundshëm; estetikisht ai demonton antipatiken, të pavlerën, të shëmtuarën tonë të përbashkët.