Kreu Arte pamore Vincent van Gogh mbi tri fazat e dashurisë

Vincent van Gogh mbi tri fazat e dashurisë

Në një letër drejtuar vëllait të tij Theo, më 3 nëntor 1881, Vincent van Gogh përshkruan një dashuri që s’qe e dyanshme dhe kështu hedh idenë e tri fazave të dashurisë.


I dashuri im Theo,

Kam diçka në mendje të cilën dua të ta them. Ndoshta di tashmë diçka për këtë, dhe kjo që po të them nuk është e re.

Doja të të tregoja se këtë verë kam rënë aq thellë në dashuri me Kee Vos sa nuk mund të gjej fjalë të tjera për këtë se sa “është sikur Kee Vos është njeriu më i afërt për mua dhe unë njeriu më i afërt për Kee Vos.” Dhe, këto fjalë ia thashë asaj. Por kur ia tregova këtë, u përgjigj se e shkuara dhe e ardhmja e saj ishin një për të ndaj ajo nuk mund të ndihej kurrë njëlloj për mua.

Pastaj isha në një dilemë të shëmtuar mbi çfarë të bëj, t’i nënshtrohem asaj “jo, kurrë”, apo, të mos e quaj çështje të mbyllur, dhe të marr forca e të mos dorëzohem ende.

Zgjodha të fundit. Dhe deri tani nuk jam penduar për këtë vendim, edhe pse vijoj të përballem me atë “jo, kurrë”.

Që atëherë, sigurisht, kam vuajtur shumë “mjerime të vogla të jetës njerëzore”, të cilat, nëse do të shkruheshin në një libër, ndoshta mund të shërbenin për të argëtuar disa njerëz, megjithëse zor se mund të quhen të këndshme nëse dikush i përjeton vetë. Gjithsesi, deri tani, jam i lumtur që ia lashë dorëzimin ose metodën “si-të-mos-e-bësh” atyre që e preferojnë dhe unë mora pak kurajë. E kupton se në raste të tilla është çuditërisht e vështirë të dish se çfarë mundesh e çfarë duhet të bësh. Por “e gjejmë rrugën tonë duke ecur” dhe jo duke ndenjur në vend.

Një nga arsyet që nuk të kam shkruar më parë për këtë është se pozicioni ku e kam gjetur veten është kaq i paqartë dhe kaq i pavendosur sa s’mund të ta shpjegoja.

[…]

Thashë se situata tani po bëhej disi më e qartë. Fillimisht, Kee thotë jo, kurrë, dhe për më tepër mendoj se do të kem tej mase vështirësi me të moshuarit të cilët tashmë e konsiderojnë çështje të mbyllur dhe do të përpiqen të më detyrojnë që të heq dorë. Tani për tani, ama, mendoj se do të vazhdojnë me kujdes, duke më mbajtur varur dhe duke më larguar deri sa të mbarojë festa e madhe në dhjetor e xhaxha dhe hallë Stricker. Sepse duan të shmangin ndonjë skandal. Por pas kësaj kam frikë se do të marrin hapa për të më hequr qafe.

Më fal për termat e ashpër që po përdor për të të qartësuar pozicionin tim. E pranoj se ngjyrat janë pak të ashpra dhe linjat e vizatuara tepër fort, por sidoqoftë do të të japë një panoramë më të qartë të situatës se sa po t’i bija larg e larg. Kështu që mos dysho se s’kam respekt për ata të moshuar.

Vetëm unë besoj se kanë vendosur kundër kësaj, dhe dua të të bëj ta shohësh. Do të përpiqen që unë dhe Kee të mos shihemi e të mos i shkruajmë njëri-tjetrit, veç sepse ata e kuptojnë shumë mirë se nëse do ta shihnim njëri-tjetrin, t’i flisnim, t’i shkruanim, do të kishte një mundësi që Kee të ndryshonte mendje. Vetë Kee mendon ashtu, megjithëse të moshuarit po përpiqen të më mbushin mendjen se nuk do të ndryshojë, ata gjithsesi i druhen atij ndryshimi.

Të moshuarit do ta ndryshojnë mendjen për këtë çështje jo kur të ndryshojë mendjen Kee, por kur unë të bëhem dikush që fiton të paktën 1000 guilda në vit. Sërish, më fal për konturet e ashpra me të cilat i nënvizoj gjërat. Megjithëse kam simpati për të moshuarit, mendoj se më të rinjtë do ta kuptojnë qëndrimin tim. Ndoshta ti, Theo. Ndoshta ti ke dëgjuar të thuhet për mua se dua ta bëj me forcë këtë apo ndonjë shprehje të ngjashme. Por kush nuk e kupton se sa e pamend është të përpiqesh ta detyrosh dashurinë! Jo, kjo është krejt larg mendimeve të mia. Por nuk është e padrejtë apo e paarsyeshme të dëshiroj që unë dhe Klee, në vend se të ndalohemi ta shohim njëri-tjetrin, të shihemi, të flasim, të shkruajmë e kështu, ta njohim më mirë njëri-tjetrin, do të kemi mundësi ta shohim vetë nëse jemi apo jo të përshtatshëm për njëri-tjetrin. Një vit kontakti do të ishte me përfitim dhe për të dhe për mua, por të moshuarit nuk ndërrojnë mendje. Nëse do të isha i pasur, do të flisnin ndryshe.

Por tani e kupton se nuk dua të lë gur pa lëvizur në përpjekjet e mia për ta afruar te vetja, dhe deklaroj se

Do ta dua për kaq gjatë

Sa në fund edhe ajo do të më dojë

Sa më shumë të zhduket, aq më shumë do të shfaqet

Theo, a nuk je dhe ti i dashuruar ndonjëherë? Do të doja të ishe, pasi, më beso, “mjerimet e vogla” të saj kanë edhe ndopak vlerë. Ndonjëherë je i dëshpëruar, dhe ka çaste kur je në ferr, por po ashtu të sjell edhe gjëra më të mira. Ka tri faza, e para të mos duash e mos të të duan, e dyta të duash e të mos të të duan (rasti në fjalë), e treta të duash e të të duan.

Them se faza e dytë është më e mirë se e para, por e treta! Ajo është!

Tani, djalosh, shko e bjer në dashuri e ma trego ndonjëherë. Mos fol për rastin në fjalë dhe më ndje mua. Do të doja më shumë të kisha një po dhe amen, sigurisht, por ndërkohë jam fort i lumtur me “jo, kurrë”. Unë e konsideroj të jetë diçka, por njerëzit e moshuar e të mençur thonë se është asgjë. Rappard ishte këtu, solli bojëra uji që po bëhen të mira. Mauve vjen së shpejti, shpresoj, përndryshe do të shkoj unë te ai. Po vizatoj shumë dhe mendoj se po përmirësohen, po punoj shumë më shumë me furçë. Tani është aq ftohtë sa gjithë ç’bëj është të vizatoj figura brenda, rrobaqepëse, thurëse koshash, etj.

Një shtrëngim duarsh në mendime, dhe më shkruaj shpejt, dhe më beso.

Gjithmonë i yti,

Vincent

Donin t’u premtoja se nuk do të flisja apo të shkruaja më për këtë çështje, por nuk mund ta premtoja këtë; asnjë në botë, për mendimin tim, nuk mund të kërkojë diçka të tillë prej meje (apo ndokujt tjetër në këtë situatë). Kam siguruar vetëm xhaxha Cent që do të ndaloja së i shkruari xhaxha Stricker për momentin, deri sa rrethana të paparashikuara ta bëjnë të nevojshme. Lauresha nuk mund të mos këndojë në pranverë.

Nëse bie ndonjëherë në dashuri dhe merr një “jo, kurrë”, dorëzoju! Por ti je aq qen me fat sa diçka e tillë s’do të të ndodhë kurrë, shpresoj.


Van Gogh e vazhdon këtë në një letër tjetër drejt Theos, më 1 maj 1882.

Vitin e kaluar të shkrova shumë letra duke të thënë se çfarë mendoja për dashurinë. Nuk po e bëj tani, sepse jam i zënë tek i praktikoj këto gjëra. Personi për të cilin i ndjeja ç’të shkrova ty, nuk është në rrugën time, nuk e arrij dot, pavarësisht gjithë mallit për të. A do të kisha bërë më mirë të vazhdoja duke e menduar dhe të mos i hidhja sytë çfarë më vinte përpara? Nuk mund të vendos nëse po tregohem i qëndrueshëm në sjellje apo jo. Le të hamendësojmë se sot do të filloja të vizatoja një gërmues, për shembull, por burri thotë, duhet të largohem dhe nuk dua ose nuk mundem të pozoj më. Nuk kam të drejtë ta fajësoj se më la aty me një vizatim zor të skicuar, aq më tepër sepse fillova ta vizatoj pa i marrë leje. A duhet të ndaloj pra së vizatuari një gërmues? Mendoj se jo, sidomos se nesër mund të takoj dikë që thotë, dua të vij jo vetëm sot por edhe nesër dhe pasnesër, dhe e kuptoj çfarë të nevojitet, vazhdo, jam i duruar dhe kam vullnet ta bëj. Për t’u siguruar, nuk i qëndrova tamam përshtypjes sime të parë, por a do të ishte me mirë të kisha arsyetuar: jo, më duhet patjetër gërmuesi i parë, edhe nëse thotë, nuk mundem e nuk dua? Dhe nëse kam filluar me nr. 2, atëherë sigurisht nuk mund të punoj pa referencën e natyrës para meje, duke menduar ndërkohë për nr. 1. Kështu janë gjërat.

Përktheu Enxhi Hudhri

Exit mobile version