Kreu Letërsi Shënime mbi libra Vdekja e shkrimtarit të madh

Vdekja e shkrimtarit të madh

Nga Mira Meksi

Titulli është huazuar nga një shkrim i Mario Vargas Llosa-s, botuar vite të shkuara në gazetën El Pais; që në reshtat e parë Vargas Llosa pohon se ai vetë ia pat marrë titullin “tronditës” esesë së Henri Raczymow-it “La mort du grand écrivain”, çka më shtyu që ta lexoj me një frymë esenë e këtij të fundit.
Tezat e të dyve, ndonëse H. R. flet vetëm për Francën dhe i dyti ca më gjerë, kanë vlerë universale. Gjithsesi duhet sqaruar se cili është shkrimtari i madh dhe ç’veçori duhet të shpalosë për të qenë i tillë. Të dy janë të një mendjeje, për së pari, se termi shkrimtar i madh duhet kuptuar në konotacionin që jep modeli prej “udhërrëfyesi intelektual” i një shkrimtari në një shoqëri të përcaktuar (siç qe, fjala vjen, Victor Hugo-i, Voltaire-i, Sartre-i e të tjerë shkrimtarë nëpër botë për bashkëkohësit e tyre), i cili, nëpërmjet autoritetit dhe prestigjit të tij kthehet në një ndërgjegje publike; së dyti, kulti i një modeli të tillë shkrimtari krijohet dhe jeton atëherë kur letërsia konsiderohet si e shenjtë, çka ndodhi në Siècle des Lumières, kur shkrimtari dhe artisti, u bënë profetët, mistikët apo supernjerëzit e një shoqërie që besonte te shkrimësia dhe artet, të cilat i jepnin përgjigje çdo pyetjeje nëpërmjet shprehjes së nivelit më të lartë të shpirtit njerëzor. Ajo çka as Llosa dhe as Raczymow-i nuk e cekin në esetë e tyre, është modeli tjetër i shkrimtarit të madh, ose i Shkrimtarit me germë të madhe, atij që u krijua në shoqëritë sociokomuniste, ku pasi u gjykuan, u dënuan dhe u syrgjynosën të gjitha shfaqjet e jetës fetare pa përjashtim, madje, edhe shfaqja dhe shprehësia e vetë Zotit me shenjtët e tij, vendin bosh e zuri Heroi i pafe, heroi ateist.
Fjala është për shkrimtarin dhe artistin e realizmit socialist, i gatshëm të bëhej “udhëheqësi shpirtëror”, apo “edukatori dhe emancipuesi ideologjik” i masave të gjera të shoqërisë së tij; pavarësisht se ishte thjesht dhe vetëm mbartës dhe rrip transmetues i një ideologjie të përcaktuar dhe “pararojë” e një udhe të çelur nga partia në pushtet, ky shkrimtar, gjithsesi, shfaqej i veshur me shumë prestigj dhe i shkërbyeshëm si model nga masat e gjera.
Sidoqoftë, të dy modelet, ai i shkrimtarit të madh, sipas Llosa-s dhe Raczymow-it, dhe ai i shkrimtarit të realizmit socialist, gjithsesi të madh, janë absolutisht të papajtueshëm me agoranë e demokracisë dhe tregut. Një tjetër model shkrimtari ka lindur, shkrimtari i letërsisë së çastit. Është shkrimtari që është mbërthyer ligsht nga ingranazhi i tregut, ai që prodhon mall të zakonshëm për konsumatorin, jo për lexuesin, ai që me prodhimin e tij i bindet vetëm tregut, duke shkërbyer, me turlisoj marifetesh dhe prosedesh letrare, televizionin (tema të ngjashme me ato të filmave televizivë, skena e gjuhë pikante etj). Dhe s’ka si të ndodhë ndryshe, është epokë e re, është demokraci (“Ah, nuk ka tjetër demokraci përveç asaj të tregut”, ofshan Raczymow-i) dhe instrumenti thelbësor i demokracisë (edhe sipas Llosa-s) është televizioni, i cili eglendis (turqizëm,) dhe argëton shoqërinë e niveluar.
Dhe s’është për t’u çuditur që kjo bindje verbërake ndaj tregut dhe ky model i shkrimtarit-televizion u shfaq vetëtimë edhe në shoqërinë tonë të pas viteve ’90. Shkrimtari i kohës që bëhet pjesë e Kupolës së “risive snobe dhe modelizimeve”, ku vlera e veprës letrare përcaktohet nga imazhi apo vlera reklamuese që mbart vetë shkrimtari, dhe kur nuk ka opinion publik, por vetëm publik, është shkrimtari Vedette, Star-i, është këngëtari, moderatori, spikerja, modelja, politikani që bëjnë letërsi – me një fjalë, e shkurt, ushqimi i parapëlqyer i medias vizive.
Jemi të tejmbushur në jetën tonë nga televizioni, është ai që na plotëson pothuaj çdo kërkesë që kemi, me shpejtësinë e dritës, na jep informacion (më shumë thashetheme), humor, seks, argëtim… Dhe shkrimtari-televizion prodhon sot një lloj të ri libri të suksesshëm, librin mediatik. Po çfarë gjejmë vallë në këtë libër mediatik? Gjejmë thashetheme pa fund, intimitete lehtësisht të emërtueshme, personazhe të jetës së sotme publike dhe politike të tallandisur në përskaj, ngjarje të shtrembëruara në mënyrë perverse të historisë sonë… dhe broçkulla të tjera që mund të prodhohen veç nga penda majëthyera.
Sepse thotë Tocqueville-i: “Është era e shkrimtarëve që parapëlqejnë suksesin dhe jo lavdinë”. Suksesi është sot për sot, është bestseller-i, është era e kohës që e bën veprën letrare të përshkënditet si fishekzjarr dhe të shuhet dhe të harrohet pas pak. Lavdia është pavdekësia, është vepra e rëndësishme, është vlera për brezat e ardhshëm. Shkrimtarët për të cilët folëm më sipër janë të përjashtuar nga pavdekësia, ata vetë nuk e aspirojnë pavdekësinë, ata aspirojnë suksesin: “Për tani dhe për këtu”, i përcakton ata Raczymow-i. Por ç’rol luan suksesi, apo sa tregues është ai në vlerën e vërtetë që mbart një vepër letrare? Ernesto Sábato thotë se suksesi nuk është as i nevojshëm dhe as i mjaftueshëm që një vepër letrare të jetë e rëndësishme.
Don Kishoti për shembull ka qenë një bestseller, vepra të Márquez-it, Kadaresë, Saramago-s, Alliende-s etj, po ashtu. Por jo prej këtij fakti i pari ka vulosur lavdinë dhe përjetësinë e Cervantes-it, apo të tjerët kanë vepra të rëndësishme.
Në një intervistë të kohëve të fundit në DW Kadare thotë se nuk i trembet vdekjes: Krijuesi nuk i trembet vdekjes, pasi vepra e mëson me vdekjen; ai shkruan per kohën që është gjallë, ai shkruan edhe për kohën që s’do të jetë më…po të jetë shkrimtar i mirë, vepra do të vazhdojë t’i mbijetojë disa dhjetëra vjet, po të jetë shkrimtar shumë i mirë, do të vazhojë akoma më tepër, po të jetë shkrimtar i jashtëzakonshëm mund të vazhdojë edhe me shekuj…– pohimi i tij të lejon të kuptosh se ai aspiron lavdinë (nuk shqetësohet prej suksesit dhe as duket se e vlerëson atë), mbijetesën e veprës së tij, përjetësinë. Njëlloj ndoshta si Balzac-u apo Baudelaire-i. Ndërkohë, çarmatosës për gjithë ç’u tha më sipër, vjen pohimi i të madhit Borges që thotë se nuk i intereson aspak fati i veprës së tij, kur e ka nxjerrë nga duart. Vdekjen e tij e lidh me një besim të vjetër anglez, sipas të cilit ke vdekur kur imazhi yt nuk pasqyrohet në pasqyrë: “kam kohë që i shmang pasqyrat”, pohon Borges-i, “Më mirë të jetoj në padije, nuk dua të verifikoj jetën a vdekjen time”. Por nuk e lidh aspak jetëvdekjen e tij me gjallimin apo mbijetesën e veprës së tij pas vdekjes.
Por fenomeni për të cilin folëm më sipër, shoqërohet nga një tjetër fenomen i dykuptimtë që ndodh vetëm ndoshta në shoqëri të vogla si kjo e jona që kanë dalë nga regjime diktatoriale dhe po enden akoma në periudha të tilla socioekonomikopolitike të panjohura më parë që quhen “tranzicion”: është rrekja për të ringjallur shkrimtarin e madh të Siècle des Lumières, të vrarë nga demokracia, dhe vënia e tij në krye të intelektualizmit dhe të mendimit udhërrëfyes intelektual dhe shoqëror. Është po e njëjta shoqëri që u “qorton për vdekje” shkrimtarit të madh apo intelektualit, faktin që nuk u “sakrifikuan”, që nuk u vranë apo që nuk u burgosën në regjimin diktatorial në emër të një roli prej patriarku të kombit që duhet të luanin. Historia njeh plot raste që njerëz të punës intelektuale kanë mundur të udhëheqin lëvizjen e opinionit publik ose kanë mundur të vihen në krye të masave në shërbim të një çështjeje të caktuar, gjithmonë duke shfrytëzuar famën e tyre dhe duke qenë të bindur për epërsinë e inteligjencës apo mendjekthelltësisë së tyre. Sepse kjo është pikërisht ajo që gabojnë shpeshherë shoqëritë tona në lidhje me shkrimtarin e madh apo me intelektualin; pasi nuk mund të ngatërrohet suksesi një vepre letrare, apo një vepre çfarëdo intelektuale, qoftë edhe lavdia e saj, me aftësinë e mendimit udhërrëfyes shoqëror. Për fat të keq një nga karakteristikat e intelektualëve tanë në përgjithësi është siguria e madhe që kanë në drejtësinë e mendimit të tyre dhe prandaj mund t’u vishen sytë më kollaj dhe të bien më lehtësisht në fanatizëm…
Ka vdekur vërtet shkrimtari i madh si një perëndi e vogël mbi dhe, i vrarë nga epoka e re e demokracisë, porse ende është gjallë, ndonëse në pakicë, shkrimtari i rëndësishëm që aspiron lavdinë, duke krijuar vepra të vlefshme edhe për brezat që do të vijnë.
(2008)

Exit mobile version