Kreu Letërsi Shënime mbi libra Vasil Vasili: Duke u bashkuar me dobësinë time

Vasil Vasili: Duke u bashkuar me dobësinë time

Libri me tregime “Frymë e Bardhë” e Andon Andonit

Ç’mendoj unë për librin me tregime “Frymë e Bardhë” e Andon Andonit nuk është ajo që mendon Andon Andoni për librin e tij dhe, ç’mendoj unë dhe Andoni nuk është ajo që mendojnë të gjithë lexuesit për këtë libër.  Por, ka një rast ideal, kur këta tre llojë lexuesish mendojnë njëlloj, por kjo ndodh rrallë.

Nëse mendimi im si këqyrës retorik dhe mendimi i Andonit si krijues, dhe mendimi i lexuesit si mbartës i artit, bashkohen në thelbet e tyre, atëherë është vendosur një mirëkuptim i diskutueshëm. Pse “një mirëkuptim i diskutueshëm”? Sepse pa qënë i diskutueshëm mirëkuptimi, thelbet, që vijnë nga drejtime të ndryshme, s’janë të vërteta.

Unë, si këqyrës retorik dhe pa qëllim përfitues, kërkoj të jem ndikues te lexuesi me retorikën time për thelbet e librit “Frymë e Bardhë”. Thelbi është një ide, njëjësi është arti. Arti, këtë herë, është i Andon Andonit.

Për mua dhe për ata që s’merren me biografitë e shkrimtarëve, “Frymë e Bardhë” qënka libri i dhjetë i autorit!  Sa i vonuar jam!

Tani Andon Andoni është tregimtar, është vlerë.

Në tregim gjallon proza më e brishtë edhe në se brenda ka fuqinë titanike të personazhit, por ai e ruan me këmbëngulje thelbin e rrëfimit. Pas këtij parashtrimi vjen natyrshëm pyetja:

Ku gjenden rrënjët e tregimtarit Andon Andoni?   

Rrënjët… janë brenda krijuesit, por janë edhe në ajrin me të cilin u rrit. Po Andoni ka pasur një vështirësi etiko-estetike për t’u bërë tregimtar. Në një vështrim tjetër, ai ka pasur një lehtësi etiko-estetike për t’u bërë tregimtar dhe, kjo  e dyta, e ka shoqëruar në ecjen e tij, pa e ndier  që edhe ana tjetër, vështirësia, ka qënë po aq e rëndësishme për t’u vetëformuar si tregimtar. Shpesh siguria qëndron mbi pasiguritë.

Andoni i përket një shkolle tregimtare në Shqipëri që ka një shekull që ka dhënë frutet e saj. “Shkollat punojnë në grup të lartësojnë Mjeshtrin edhe kur dishepujt punojnë për vete.”

Mësimet e Mjeshtrit janë ligjësi për dishepujt. Me ligjësitë Mjeshtri e ka lidhur pas vetes të ardhmen e tij. Nëse tejkalohet Mjeshtri merr fund shkolla dhe nis një shkollë e re me emrin e atij që e ka tejkaluar. Ende “Mjeshtëri Madh” i kësaj shkolle, Mitrush Kuteli, nuk është tejkaluar.

Dishepujt janë besnikë të shkollës dhe kjo i lidh me vlerat e saj. Nga ana tjetër, ata kërkojnë të jenë vetja. Besnikëria ndaj shkollës është nga pengesat më të mëdha psikike për një krijues siç është  edhe një rrugë e shtruar. Janë dy anë, por varet cilën pamje shikon krijuesi.

Po Andoni, si tregimtar, që buron nga një shkollë, por që ka edhe vetëdijen për të qenë vetja, si e ka zgjidhur pengesën psiko-estetike?

Ai ka ruajtur thelbin e rrëfimit të shkollës, me ngjyrimet e gjuhës, me ritmin e asaj pjese të etnisë që e end të treguarit hap pas hapi e shkoqur, me fshatin (e shenjtë) përplot me karaktere, me gjuhën ngjyruese, me toponiminë, me tingëllimin e fjalisë, me përfshirjen e peizazhit brenda rrjedhës rrëfimtare, etj. Brenda besnikërisë… ka kërkuar ta vërë në provë shkollën në motorin e saj, pikërisht me mënyrën e transmetimit të energjisë së rrëfimit dhe me personazhin e deheroizuar.

Mjeshtri gjithnjë këqyret nga dishepujt si i barabartë me krijuesin e një feje, prandaj çdo tundim për të ndërhyrë te mësimet e tij është sikur po kryen një herezi fetare. Vetë tundimi shoqërohet me pasiguri etiko-estetike. E shenjta është tagër i mjeshtërit. Ende Mjeshtri i Andonit është shenjt dhe shkollë.

Nëse do ta përshkruajmë vetëm me një fjalë mënyrën e rrëfimit të Andon Andonit  ajo do të ishte: “thoshin”.

Kjo fjalë të sjell ndërmend teknikën e rrëfenjës. E gjithë estetika e shkollës përmblidhet në këtë fjalë. Nëse shkollës i hiqet mënyra e të menduarit artistik me foljen “thoshin” ajo shpërbëhet.

Thoshin  është mënyrë të menduari krijues; është afsh rrëfimi që kushtëzon ritmin; në atë thoshin gjendet mënyra e lidhjes dhe e endjes së rrëfenjës; thoshin  ëshë një pikë këqyrëse për rrëfimin; thoshin  është distilimi i shumësit; ajo është fara e rrëfenjës; thoshin është rrota që e mbledh rrëfenjën.

Personazhi në rrëfenjë nuk e tregon vetë veten. Etika e rrëfenjës kërkon që personazhi të udhëhiqet dhe dikush ta dëgjojë historinë. Një histori nuk mund të udhëhiqet më mirë se sa nga ajo “thoshin”. Në të janë ndryrë zërat estetikë dhe filozofikë të brezave. Ajo rrjedh nga një përkorje popullore që afrohet, herë-herë, me anonimatin. Ajo është krijuar për t’u dëgjuar, prandaj rrëfenja rrjedh nga ajo “thoshin” dhe kontrollohet nga ajo, madje edhe natyra është futur nën diktatin estetik të saj. Rrëfenja është një shkollë me disiplinë estetike dhe etikë popullore. Mënyra e përdorimit të foljes rrëfyese “thoshin” nga dishepujt e mjeshtrit i dallon ata nga njëri-tjetri. Më ortodoksit e përdorin për të hapur një ngjarje nga e kaluara dhe ajo e mban nën kontroll rrëfimin, madje ndërhyn në rrëfim, aq e rreptë tregohet estetikisht. E gjithë bukuria e rrëfenjës rrjedh nga kjo fjalë koncept. Shkolla ka emblemë një fjalë.

Në tregimin “Unë dhe kali Kërr” vetëm tri herë është përdorur arketipi i konceptit artistik në trajtat tekstuale: tregonin, thoshin dhe pat thënë, por këto tri forma i gjen brenda çdo fjalie dëftore të tregimit (rrëfenjën e dominojnë fjalitë dëftore).

Njësia bazë rrëfimtare dhe ritmike e këtij tregimi vërehet me lehtësi në këtë fjali që është e Andonit, po aq edhe e shkollës: “Thoshin se zjarri i mbante, i thante dhe i mbronte”.

Andoni mund të jetë tip sanguin dhe një tip sanguin nuk mund të shprehet kurrë në prozë në këtë trajtë kaq të disiplinuar ritmike. Vetëm disiplina estetike e shkollës mund ta detyrojë një sanguin të shkruajë me një ritmikë kaq të kontrolluar nga paraardhësit. Përveç njësisë bazë rrëfimtare dhe ritmit të saj, në këtë frazë do të ndiejmë edhe muzikalitetin, dhe mënyrën e shikimit në jetë (filozofinë).

Arketipi ritmik është i shtrirë në të gjithë tregimin, prandaj estetikisht tregimi është shkruar mjeshtërisht.

Ja edhe një frazë tjetër nga ky tregim: “Dita shkonte si shkonte, hynin e dilnin njerëzit e pakët mbi pragun e dyqanit të ngjizur nga bora e këmbëve”.

 “Dita shkonte si shkonte.” A nuk është një filozofi popullore?!

“Hynin e dilnin.” A nuk është një ritëm i mbështetur në të folmen vendore?!

“Të ngjizur nga bora e këmbëve.” A nuk është një vështrim melodik i jetës së fshatit malor?!

I gjithë tregimi është i endur me masë ritmike dhe psikike dhe përshkohet nga një poetikë popullore. Poetika popullore e të treguarit është një nga mësimet kryesore të shkollës.

Çfarë rrëfehet në tregim? Në një fshat të gjithë burrat në dimër kanë ikur larg për punë stinore. Kanë mbetur gjinia e bukur, të pamundurit, dhe ndonjë hileqar. Dyqanxhiu me kalin e tij është personazh i tregimit. Jeta në fshat ditën është si e shkretë, por nata është mëkatare. Vlojnë pasione femërore me të mbeturit në fshat. Ky është skeleti i tregimit. “Asgjë e re nga fronti i tregimit”, por Andonit i ka ngjallur interes jeta mëkatare e natës. Përsëri asgjë e re. Gjithënjë jeta kështu ka qënë. E rëndësishme estetikisht është të zbulohet dhe të rizbulohet jeta dhe pasionet.

    Ky tregim ka tiparet përfaqsuese të shkollës sepse është i kontrolluar tërësisht nga koncepti estetik i saj. Natyrshëm, nga parashtrimi i mësipërm, rrjedh një pyetje:

A ka liri rrëfimtari? Nëse tregimi ka arritur pjekurinë artistike ai i ka brenda liritë dhe ato mund të këqyren nëse krahasohen me një shkollë tjetër. Liria e shkollës që krijoi Kuteli u mbështet mbi estetikën popullore shqiptare, mbi gjuhën dhe mbi psikologjinë e saj, dhe mbi rrëfimin tradicional. Ajo është një kulm i të treguarit artistik, por liria e saj, me ndërgjegje, aq mëtoi, truallin shqiptar.

Në prozën moderne ngjarja, me ndërgjegje artistike, zvogëlohet për të plotëruar personazhin. Në prozën klasike personazhi spikat ngjarjen dhe është në shërbim të saj.

Rrëfimi i Andonit, duke qenë lirik, e ka lehtësuar etikën e shkollës. Lirika shpreh individualitet etik dhe aktivizon subjektivitetin që spikat personazhin edhe nga brenda.   

Subjektiviteti lirik vetvetishëm e shkarkon nga vetja një pjesë të disiplinës krijuese të shkollës që mbështetet tek të rrëfyerit epik. Por individualiteti lirik i Andonit nuk arrin ta prishë strukturën e rrëfenjës. Një shkriftësi lirike ia përshkon tregimin, brenda lirizmit personazhi është grotesk. Është një lidhje e rrallë e personazhit grotesk me përbërësit e tjerë të rrëfenjës. Personazhi i tregimeve të Andonit ka tiparet e dobësive të kohës dhe groteskja, që e përshkon personazhin, është në thelb të modernes, ndërsa përbërësit e tjerë në tregim janë të shkollës klasike.

Personazhet e tregimeve të Andon Andonit e vuajnë vetminë dhe për pasojë, ata janë ksombla psikike të dëmtuara nga pesha e një rrethane; ata janë përgjithësisht meshkuj që s’e kanë realizuar dot dashurinë. Ata nuk e kanë tharmin e kundërshtimit dhe, në thelb, janë personazhe të mundur. Nëpërmjet tyre ne këqyrim dhe kuptojmë peshën e rëndë të shoqërisë mbi individin. Ndiejmë keqardhje për personazhet dhe na duket pak e habitshme që ata i dorëzohen pa asnjë kusht rrethanave, më shumë atyre morale. Personazhet bëhen të dashur edhe me dobësitë e tyre. Papërsosmëria është e përhershme. Andoni është mjeshtër i këtij lloj personazhi.

Për Andonin fshati është vend i shenjtë, por te “Frymë e Bardhë”, fshati ndodhet në një kohë braktisjeje nga banorët. Është braktisur e shenjta. Është gati e pashpjegueshme se si tradicionalja, mu në folenë e saj, u braktis. Në fshatin e braktisur Andoni ka gjetur lëndën e tregimeve. Gjer tani askush më dhimbshëm se ai nuk e ka zbuluar fshatin e kësaj periudhe. Fshati në tregimet e Andonit vuan nga smundja më e rëndë e kohëve moderne, braktisja. 

Në tregimin “Frymë e Bardhë”, thuhet: “Çobua ishte ndër të vetmit burra  që kishin mbetur në fshat. Tërë punët i bënte ai. Të një fshati.” Në tregimin “Guri në mes të lumit” thuhet: “Të mbeturit, thuajse të gjithë pleq dhe plaka, rrinin sofateve dhe përcillnin me sy përshëndetës mysafirët që shkonin përmes fshatit”.

Në fshatin e tregimeve të Andonit nuk rritet më pema e brezave. Hallkat e shoqërisë janë këputur. Të përpunosh kujtimet, më shumë se sa të jetosh jetën, është drama e personazheve të rrëfenjave të Andon Andonit. Kam mendimin se Andon Andoni është përfaqsues i spikatur që i përmbledh qashtër dhe besnikërisht tiparet e shkollës, por Andoni është edhe i larguar nga Mjeshtri duke i ruajtur vetëm thelbin shkollës, ndërsa përbërësit  e tjerë ia ka përshtatur natyrës së tij psikike. Ai është tregimtar i lidhur drejtpërdrejtë me botën e tij ndjesore, e shikon të sotmen shumë më qartë se të kaluarën. Nëpërmjet së sotmes shprehet artistikisht. Shkolla e ka përdorur më shumë të kaluarën për të ndriçuar të sotmen. Si  metodë ajo afrohet me romanizmin, por idealeja romantike është e përmbytur nga realizmi popullor. Andoni e ruan thelbin popullor në rrëfim dhe struktura e tregimit i përngjason mozaikut. Nëse ka një përbërës tjetër që i plotëson dramaturgjinë dhe luksin e tregimit, është natyra e dhënë si peizazh. Me natyrën Andoni krijon një personazh më shumë, por natyra është një personazh metafizik që ka marrë frymë. Peisazhi është futur në indet e tregimit. Ai është një gjendje frymore dhe ndjesore, ashtu siç është edhe një personazh. Andoni e ka këtë vetëdije dhe me vetëdije artistike e përdor. Natyra është teatri i bukur i lojës së tregimit, gjithnjë është poetik, por kjo poetikë i bashkëngjitet lojës rrëfimtare. Ajo është shoqëruesja e parë e fabulës, është plotës i kudondodhur. Ajo është ndjenjë që vjen nga bukuria dhe përjetësia. Duke qenë  kaq e bukur dhe e përjetshme ajo bën kontrast me personazhet grotesk. Peizazhi i  shërben si një pushim ritmik, edhe pse tregimet e Andonit tensionin e kanë të fshehur. Në peizazh është derdhur gjithë poetika e përfytyruar e Andonit. Edhe kur përshkruan rrethanën apo personazhin, e jep me teknikën e peizazhit.

Peizazhi dhe teknika e mozaikut në ndërtimin e tregimit e dallojnë rrëfimin e Andon Andonit. Mozaikut i shton edhe kujtimet.

Energjia e rrëfimit të tregimeve të tij të lë mbresën se harxhohet më shumë se sa në një tregim modern, sepse ajo vë në lëvizje jo vetëm atë “thoshin” konceptuale, që do energji fillestare për të vënë në punë gjithë rrëfenjën, por energji do edhe mënyra e rrëfimit, do energji edhe personazhi për t’u spikatur në relievin e rrëfenjës, energji do edhe peizazhi natyror, do edhe vetë ajo “thoshin” konceptuale energji, për të punuar edhe për vete, gjersa të shteret rrëfimi.

Pse ndodh që përftohet kjo mbresë?

Sepse energjia është shpërndarë në pjesët përbërëse të tregimit që janë të dallueshme, që mund t’i përqasësh si minitregime brenda rrëfenjës. Metoda e shkollës së rrëfenjës është që ta derdhë  energjinë e rrëfimit në një sipërfaqe të gjerë dhe në një kohë me tre përmasa, ndryshe nga tregimi modern, tek i cili energjia gati përqëndrohet dhe e zhbën kohën heraklitiane.

Tek tregimet e Andon Andonit ndihet ndryshimi i ritmit dhe i poetikës në pjesët përbërëse, dhe hallkat e tregimit janë më të dallueshme. Midis hallkave krijohet një largësi që do mbushur me energji shtesë. Rrëfimtari i rrëfenjës harxhon më shumë energji për ta mbajtur ritmin e njësisë ritmike se sa do rrëfimi modern, që skenën e tregimit e zvogëlon dhe lidhjen e personazhit me ngjarjen e bën sa më të padallueshme. Ai largon nga skena peizazhin natyror, fsheh gjurmët e rrëfimtarit dhe synon që hallkat përbërëse  të tregimit t’i mbulojë. Kohën e rrëfimin përpiqet ta kthejë në një çast të vetëm duke shmangur kronologjinë dhe duke lënë në skenën e tregimit, mundësisht, vetëm persanazhin me sa më pak ngjarje rreth tij.

Rrëfenja do disa veta që të ecë në hullinë e saj. Së pari, ajo do këqyrësin anonim të rrëfenjës të futur në atë “thoshin”, pastaj do edhe rrëfimtarin (krijuesin). Pra, ajo, shpesh, ka dy pika rrëfimtare; do personazhin dhe  plotësat e personazhit, do dëgjuesin e asaj “thoshin” që është diku… i pranishëm, pastaj do natyrën e shpirtëzuar që është një personazh metafizik, ndoshta personazhi më ideal i rrëfenjës dhe është edhe ajo një pikë rrëfimtare.

Rrëfenja përmban, në sasi, më shumë përbërës artistikë dhe ajo ka në inventarin e saj më shumë luks fjale e përbërësish (jo të gjithë të nevojshëm), se sa tregimi modern.

Andon Andoni është rrëfimtar, ndoshta nga të fundit, që rrëfenjën e njeh në detaje dhe e shkruan mjeshtërisht. Gjaku i tij krijues e vë në punë rrëfenjën në trajtën më poetike të mundshme, por poetikën e shoqëron me dhimbje, brenda rrëfimit ndihet një zë hokatar, i cili është një botëvështrim më pranë lirshmërisë… etike të natyrës.

Përbërësit e veçantë të rrëfenjës i gjen pothuajse në të gjithë tregimin shqiptar, por Shkolla e Kutelit është e dallueshme sepse ajo ka një sistem të sajin, të mbyllur, të mbrujtur me psikikën shqiptare, ka mënyrën e rrëfimit linear, ka gjuhë dhe psikikën e gjuhës shumë të ndjeshme dhe shumë shprehëse dhe, fuqia mrekulluese e saj, e futur në atë “thoshin”, ende na jep rrëfime bashkëkohore dhe kënaqësi.   

***

Bëra një sprovë për t’u futur tek tregimi i Andon Andonit, dhe në s’u futa dot brenda, trokita në portën e tij me çokun e thelbeve.

Exit mobile version