Kreu Histori Tri letra të panjohura të poetit Manush Peshkëpia (ose një ese për...

Tri letra të panjohura të poetit Manush Peshkëpia (ose një ese për poezinë)

Nga Uran Butka

Pikërisht ditën e 26 shkurtit 2021, të premten, pra, ditën e përvjetorit të 70-të të pushkatimit të poetit Manush Peshkëpia më 26 shkurt 1951, zbulova në Arkivin e Shtetit tri letra të panjohura të tij, që mbajnë datat 30 qershor 1944, 31 korrik 1944 dhe 17 gusht 1944, fondi  54, dosja 67 dhe që i drejtohen Sotir Kolesë, atdhetarit dhe dijetarit të shquar.

Ishte rastësi, apo një zë i paplotësuar, i paqetë, që nuk rreshti së trokituri tek unë pikërisht atë ditë?

Zërat e pavdirë, që vijnë nga e kaluara dhe që përbëjnë nënkrësën tonë, duhet të jemi të aftë t’i kapim, t’i dëgjojmë dhe t’i ndjejmë, për të kuptuar rrënjët  tona.

Zëri i Manush Peshkopisë na vjen sot përmes tri letrave tejet interesante, në të cilat autori shfaqet në fushë të kulturës shqiptare e më gjerë si një hulumtues, njohës dhe kritik i poetikës shqiptare në përgjithësi dhe  poetikës së Çajupit në veçanti.

Manushi ishte edhe vetë një poet i ndjerë, përkthyes dhe studiues.

I rritur në një mjedis familjar e shoqëror nacionalist dhe të kulturuar, në mes të librave dhe njerëzve të ditur, Manush Peshkëpia u afirmua si një personalitet fuqishëm atdhetar, por edhe si krijues. Rrugës së krijimtarisë letrare ai i ishte futur aty nga fundi i viteve ’20-të dhe u shqua në vitet ’30-40 për krijimet poetike, por edhe për përkthimet nga frëngjishtja, italishtja dhe anglishtja. Gjithashtu, u bë i njohur sidomos në rubrikën e ndërtuar bashkë me Mid’hat Frashërin “Të huajt për ne, ne për të huajt”.

Bashkëpunimi me Midhat Frashërin ka qenë  i frutshëm  në fushën e kulturës, por edhe të idealit të përbashkët kombëtar. Po kështu edhe komunikimi me vëllain e vet nacionalist Nexhat Peshkëpinë, Vedat Kokonën,  Mitrush Kutelin etj

 Në esenë “Poemi i Shëndaumit” të Mitrush Kutelit, transmetuar më 19.04.1944 nga M.Peshkëpia në Radio Tirana, ku drejtonte emisionin letrar, ai tërhoqi vëmendjen e opinionit publik për një “shqiptar të

ri me vlerë dhe intelektual në kuptimin më të gjerë të fjalës”, për talentin e  letrave shqipe, Mitrush Kutelin.

Poezitë e M.Peshkopisë shfaqeshin tek revistat me prestizicioze të kohës, sidomos tek “Përpjekja shqiptare “ e Branko merxhanit, krahas krijuesve te  poetëve të viteve tridhjetë, si Nexhat Hakiu, Vedat Kokona, Nonda Bulka,  Dhimitër Shuteriqi, Sotir Caci, Arshi Pipa etj.

 Me këtë rast po japim per lexuesin poezinë lirike te njëzetvjeçarit Manush Peshkëpia titulluar ”Shpirt’i  ri”, botuar në revistën “Përpjekja  shqiptare”:

Nëndë muaj n’errësirë

Nëndë muaj krejt i mpirë

E zë mall’ i përvëluar.

shpirt’ i ri posa gatuar

N’errësirë s’duron dot,

Do të vijë në këtë botë

Të shoh’ dritën e kulluar.

Shpirt’ i ri posa gatuar

Lindi, ra në botën t’onë,

Po – i shkreti shpirt’ i njomë

Zu të qaj’, oh, i penduar!

Është shpirti i ri, i sapogatuar, i Manushit dhe i brezit të ri përparimtar të asaj kohe, që ëndërronin për një botë  të re, që digjeshin për një dritë të kulluar, por që ranë një botë të vrazhdë e të trishtë, zhgënjyese. “Revista letrare” shkruante atëbotë: ”Doli nga shtypi libri i M.P., por nuk gjindet asnjë kopje e këtij botimi”. I zhgënjyer autori që s’pa as dritën e botimit!

Manushi spikati më së shumti si poet i vetvetishëm dhe i ndjerë. Atë e ka çmuar veçanërisht albanologu gjerman Maksimilian Lambertz, njohës i mirë i gjuhës, letërsisë historisë shqiptare, i cili në botimin “Antologjia e letërsisë shqiptare” (Albanishes Lesebuch, Leipsig, 1948) e përshiu edhe poetin Manush Peshkëpia, duke botuar edhe dy vjersha të tij “Nënës” dhe “Flokëvedhës”.

Shkrimtari dhe përkthyesi i mirënjohur Vedat Kokona është shprehur kështu për mikun, poetin dhe njeriun Manush Peshkëpia:

“…Shumë nga shokët e mi vdiqën zemërplasur pas dekada vuajtjesh dhe mjerimesh. Një nga këta fatzinj, ishe dhe ti, Manush. Askush nuk të ka njohur sa të kam njohur unë, si vëllai yt, gjashtëdhjetë vjet më parë, atëherë kur ti dhe unë gicilonim muzën dhe këndonim pranë burimit të Hipokrenit. Si duket, Polimnia s’na deshi shumë dhe na la… Shumë njerëz kam njohurnë jetën time, pak kam çmuar, shumë pak kam dashur siç të kam dashur ty. Ti shkruaje vjersha pa e hequr veten poet. Të mos jesh  poet , s’është faj. Faj është të mos jesh njeri. Ti, Manush, ishe poet-njeri. Pak poetë kam njohur të tillë. Mund të bësh vjersha patriotike sa të duash pa qenë as poet e as patriot, siç ka shumë, por vështirë tepër ta duash atdheun dhe gjuhën si i doje ti. Ti doje një Shqipëri demokratike, të cilën, për fatin tënd të zi, nuk

pe, sepse re tok me shokët në një varr të përbashkët. Ti doje një Shqipëri demokratike, të cilën ne të tjerët patëm fatin ta shohim. Për të vazhduar udhën që kishe ndërmarrë ti, neve na duhet ajo dashuri që kishe ti për vendin e shumëvuajtur dhe për gjuhën e ëmbël shqipe. Lum ata nga pasardhësit e tu që do të vazhdojnë udhën tënde të ndriçuar nga drita jote.”

*

Tri letrat e pabotuara më parë, që po sjellim për lexuesin,  i drejtohen dijetarit Sotir Kolea, njëherësh edhe mikut të familjes Peshkëpia. Në atë kohë Manushi punonte si redaktor në “Radio Tirana” dhe ishte atje një zë i spikatur i kulturës shqiptare. Në kohën që do të jepte nje emision radiofonik për poetin Andon Zako Çajupi, i kërkonte me përgjërim të urtit Sotir Kolea informacion për jetën dhe veprën e Çajupit, sepse po përgatiste edhe nje botim (broshurë) per krijimtarinë thuajse të panjohur të Çajupit. Sotir Kolea kishte jetuar disa vjet në Egjypt, ku banonte Çajupi dhe e njihte mirë jeën dhe veprën  e tij.

 Shfaqet qartësisht prirja e Manushit per hulumtime dhe studime të reja ne fushë të letërsisë dhe autorëve të saj.

Ndryshe nga dy letrat e tjera, ku kërkon informacion, në letrën e dytë të datës 31 korrik,  Manush Peshkëpia shfaqet si një mendimtar evropian, drejtpeshues  paanshëm i letërsisë, gjykues pa komplekse dhe tejet original për poezinë e Çajupit, por edhe të autorëve të tjerë të letërsisë shqiptare  edhe të huaj. Madje kapërcen edhe mendimin që i shfaq Sotir Kolea ne letrën-përgjigje të tij lidhur me Çajupin, i cili e kishte stigmatizuar  dhe konfliktualizuar publikisht Dr. Adhamidin, këtë personalitet historik si edhe familjen e tij, siç bëri edhe me Midhat Frasherin tek “Klubi I Selanikut”. Ndryshe nga ç’e paraqiste Çajupi tek komedia “Pas vdekjes” si një mjek të paaftë dhe sharlatan, Dr Adhamidi, doktor në mjekësi i Unuversitetit të Monpelierit, ishte njëherësh edhe kryetar I shoqërisë “Bashkimi” të Egjiptit, ministër në qeverisjen e Princ Widit,, përfaqësues i parë i shtetit shqiptar në Romë, kryetar i Komitetit shqiptar në Gjenevë, që dha një ndihmesë të madhe në mbrojtjen e çështjes shqiptare nëpërmjet shkrimeve dhe përpjekjeve te tij përgjatë Konferences se Paqes në Paris dhe Lidhjen e Kombeve, si edhe me letrën drejtuar Presidentit Wilson në vitin 1918.

Ja reagimi i Manush Peshkopisë, kur merr përgjigjen e S.Kolesë:

“Nuk përjashtoj  se jeta e poetit tonë Çajup s’ka qenë skandaloze, por ngul këmbë se vepra e tij nuk është për t’u hedhur poshtë, apo për t’u fshirë… Episdodi i poetit Çajup me familjen Adhamidi nuk ka qenë i huaj per mua, dikush më kish  bërë fjalë për të. Por ky episod, që unë bashke me ju e quaj të turpshëm, nuk ia unj vleftën  poezisë së Andon Çakos. Marr lejën   që me këtë rast t’ju kujtoj se kam lexuar në vëllimin “Poesia” të Benedetto Groces, kur ky thotë se  për të gjykuar një vepër  të një poeti,  nuk duhet ta nënvleftësojmë këtë me jetën private të autorit… Për të vleftësuar vleftën e një poeti nuk duhet ta konfondojmë këtë me jetën private të autorit, këto janë dy gjëra që nuk lidhen me njëra tjetrën, thekson Manushi.

Siç shihet,  poeti dhe studiuesi objektiv Peshkëpia, qysh në atë kohë, përshfaq forminin e tij si një mendimtar dhe kritik modern  perëndimor në gjykimin e shkrimtarisë. Këtu ai del në fushën e teorisë së letërsisë dhe i paraprin mendimit më përparimtar shqiptar, ndryshe nga mendimi zyrtar i kohës së tij, por edhe i kohës më pas, diktaturës, kur vlera e një poeti përcaktohej nga deologjia apo  elementet e biografisë së tij së tij, siç ndodh shpeh edhe sot e kësaj dite.

Manushi gjykon me kokë të tij dhe me këmbë në tokë:

“Unë për veten time jam i mendimit, që kur gjykojmë shkrimtarët, e sidomos poetët tanë, duhet të rrojmë brenda atmosferës sonë. S’kemi pse të matemi me shtetet e tjerë, as ballkanas, pa le pastaj evropianë. Dhe duhet të kemi paraasysh se gjuha jonë e shkruar letrare s’e ka arritur as shekullin dhe, pra, s’kemi një traditë letrare. Mund të mburremi vetem me folklorin tonë të pasur, Kështu, pra, që Çajupim mund ta cilësojmë si poet të tonit tonë popullor, ashtu se edhe të tjerë. Por, siç thosha edhe me lart, Çajupi, të paktën ka marrë nga goja e popullit dhe është munduar  ta veshë me petkun e poezisë, brenda mundësive te tij dhe në gjuhën tonë të pazhvilluar Dhe të mos harrohet sidomos që ay ka bërë poezi gjysmë shekulli më parë, ahere kur s’kishte nje alfabet të caktuar, po sikushdo shkrimtar e trillonte një abece të tijën”

Manushi mendon se çdo poet ka shtatin e vet, ndricon botën me dritën e vet të vetmjaftueshme, aq sa ka fuqi dhe shpirt. Këtë mendim ka edhe per vetveten. Bukur e përcakton Vedat Kokona: “Ti shkruaje vjersha pa e hequr veten poet. Të mos jesh  poet , s’është faj. Faj është të mos jesh njeri. Ti, Manush, ishe poet-njeri”.

Koha e ardhme do të sjellë të tjerë poetë e të tjera vlera më të mëdha, mendon Manushi. “Gjersa të kemi edhe ne një Dante, një Gëte, një Shekspir, ka për të kaluar kohë e gjatë, ndofta mund të nevojiten shekuj me radhë. Nashti për nashti kemi vetëm këta. Midis Fishtës e Shirokës, Naimit dhe Çajupit, Asdrenit dhe Lasgushi, Nexhat Hakiut dhe Vedat Kokonës, ndryshimi është shumë relativ. Një notë më e mirë, një numër më pak. Vleftë absolute nuk kemi. Sikur të marrim n’analizë veprën madhështore edhe të madhështorit Fishta, pikërisht në kryeveprën e tij “Lahuta e Malcis” besoj se  edhe atje do të gjejmë   vargje dhe jo poezi, dhe ndofta jo tek tuk”.

Manushi ishte gjithnjë në kërkim të vetes dhe të të tjerëve. Ai nuk nginte mite, por edhe as nuk minimizonte kërkënd. Ishte kundër atyre, që disa poetë i ngrinin në qiell, ndërsa të tjerët i i ulnin në tone minore. Ai përpiqet t’i afrohet të vërtetës, ndonëse jo gjithnjë ia arrin. Se edhe ai vetë poet është. Ai shkruan: ”Çajupin, një shoku im “dottore in lettere” ma cilësoi si poet të tonit “minor”. Unë e kundërshtova dhe i thashë: Po cilët kemi ne në Shqipëri të tonit “madhor”? Ndoshta Fishtën, sepse rekllama e madhe  e ka ngritur në qiell, atje tek nuk qëndron dot. Bile dikush e ka vënë  në krah të Homerit, ashtu sikundër, këtu e tre vjet më përë, një i krisur mendsh e vuri Ethem Haxhiademin tonë kundruall Sofokliut. Por këto, i nderuar z.Kolea, janë krahasime qesharake dhe dëftejnë se nuk jemi të gatuar ende. Emrat e Homerit, Sofokliut e të tjerë janë yje që shkëlqejnë prej mijëra vjetësh, dritën e të cilëve s’kanë mundur ta errësojnë as Dantet, Hygotë dhe Shekspirët”

Eshtë me interes  të theksohet se anash letrës dërguar S.Kolesë, M.Peshkëpia shënon me shkrim dore: “Si vete puna e fjalorit të gjuhës sonë? Akini edhe shumë për të punuar? Ai ishte i interesuar për punimet shkencore të Sotir Kolesë dhe e punëtorëve të tjerë të shqipes. Dihet se puna më e madhe, më e plotë studimore e Kolesë mbetet hartimi i pesë fjalorëve shqip grengjisht, shqip greqisht etj, ku më kryesori ishte fjalori i gjuhës shqipe, ende i pabotuar, për të cilin punoi që nga viti 1905 e deri në fund te jetës, duke përdorur metodën e krahasimit për çdo fjalë të shqipes me fjalorët më të mëdhenj të botuar në gjuhët greke e frenge.

Manush Peshkëpia zbuloi se n Bibliotekën Kombëtare (drejtor i së cilës ishte Sotir Kolea në vitin 1928) ekzistonte  një pako e dërguar nga Jani Vreto, me nënshkrimin: “Të hapet në vitin 1945”, pra, pas 15 vjetësh nga koha e dërgimit.. Duke qenë se Çajupi kishte vdekur në vitin 1930, dhe po plotesoheshin 15 vjet nga ajo ditë, Manushi mendonte se plikoja me dorëshkrime do të ishte e A. Z. Çajupit, dërguar në atdheun e tij. Por edhe kjo hamendësi, enigmë apo fakt, u fshi nga koha, sepse viti 1945 ishte viti i fillimit të inkuizicionit në Shqipëri dhe jo i letrave, i poezisë.

Exit mobile version