Kreu Letërsi Shënime mbi libra Thurima poetike si përkryerje në vijimësi (Variant leximi i poezisë “Kristal” të...

Thurima poetike si përkryerje në vijimësi (Variant leximi i poezisë “Kristal” të I. Kadaresë)

Nga Tomorr  PLANGARICA

Më së paku, përballë tekstit poetik lexuesi përvijon natyrshëm dy qëndrime: i qaset tekstit për kënaqësi e merr prej tij përjetime estetike; priret të përvijojë në raport me të një marrëdhënie bashkëplotësimi të domethënies së tij, së jashtmi, duke ri-kontekstualizuar rrjetin e lidhjeve të brendshme të tekstit, në sajë të interpretimit të tyre prej strukturave dhe paraqitjeve që lexuesi zotëron paraprakisht dhe i ka të ruajtura në kujtesën afatgjatë tashmë në formën e dijeve enciklopedike.

Në rastin më të mirë, teksti poetik përçon qartazi një shqetësim poetik, poetizon këndshëm një ndjesi, që spikat dukshëm dhe pa mëdyshje nëpërmjet shenjimeve a njësive leksikore që në përdorim përftojnë figuracion tërheqës që mban të ndezur vëmendjen dhe kureshtinë e lexuesit përgjatë të lexuarit. Në tekst, njësitë gjuhësore, qysh tek ato fonetiket e prozodiket e deri tek ato më të zgjeruarat, sintaksore,  ngjallin e formësojnë efekte të vazhdueshme, ngjizin realitete brendatekstore përmes paraqitjeve mendore që rezonojnë lehtazi me ato që lexuesi i konservon dhe ruan në zona aktive të kujtesës së tij, e për më tepër, i vlerëson si mundësi të njohjes, por sidomos të vlerësimeve a qëndrimeve të tij estetike ndaj botës, që e tërheqin dhe e joshin atë, dhe pa vështirësi e bëjnë një “unë” Tjetër në procesin e të lexuarit dhe përftimit të përjetimeve. Në procesin e të lexuarit të drejtpërdrejtë, pra kur gjendet në kontaktin me tekstin, është i zhytur brenda tij dhe ndjek pa vështirësi lidhjet pararendëse e pasrendëse të një rrjeti të cilin ai natyrshëm e bën të tijin. “Lexuesi është pra ai që harrohet, që humbet në tekst dhe në botën e tjetrit. Dhe që i harron të tjerët, ata të botës së tij rrethuese: që s’i interesojnë më dëshirat e tyre, shqetësimi i tyre, logjika e tyre” (N.P.-Gros, 2002:36). Ai rrjet lidhjesh e raportesh, duke e pronësuar atë në universin e krijuar, duket se e fton në Universin e paanë që mund t’i shfaqet hap pas hapi…,…; por, gjithsesi, lexuesi është në kontakt me një gjësend, objekt, qoftë edhe si një endje a thurimë, e cila është e fundme, e për pasojë, edhe leximi, receptimi dhe përjetimet në atë zhytje në mjediset e atij realiteti të përftuar janë të fundme. Vetë kontakti me tekstin dhe procesi që zhvillohet në kohë dhe hapësirë (jashtë kohës dhe hapësirës së lexuesit) është i fundëm dhe dikur magjia, joshja, tërheqja, magjepsja mbaron.

Poezia “Kristal” është ndër ato krijime që ta jep me bujari këtë kënaqësi. Por gjithsesi, “të lexuarit është tejet refleksiv: të menduarit vetë ‘mendon’ dhe ndien përgjatë kohës që unë lexoj, thekson Gros. Ai e rikthen subjektin te vetvetja, përmes takimit me tjetrin; ai e fton pra ta shtrijë të lexuarin përtej librit, për të deshifruar veten…” (N.P.-Gros, 2002:35).

Ndaj, përtej këtij procesi, më së shumti ekziston edhe një formë tjetër të lexuari, kur krijimit i kthehesh tashmë së jashtmi, jo për të shijuar, por arsyetuar, interpretuar.

Përvijimi i varianteve të leximit e interpretimit në kuptimësimin e tekstit

Duke e anashkaluar të lexuarit thjesht për kënaqësi e përjetim estetik, do të synojmë përvijimin e një varianti shkrimor të leximit të tekstit dhe interpretimit të tij, që parakupton bashkëshoqërime idesh e konceptesh, njohurish e qëndrimesh, që janë produkte të njohurive, dijeve e koncepteve që krijojnë marrëdhënie jashtëtekstore, me nxitje gjithsesi nga vetë teksti, nga nyjat e tij kuptimore, lakunat a zbrazëtitë e tij të natyrshme e hera-herës të qëllimshme kuptimore, të cilat  parakuptojnë rolin e lexuesit në këtë proces, e për këtë arsye, edhe të njohurive që janë përftuar tashmë në fushën e studimeve letrare, por edhe nga gjuhësia, shkencat e ligjërimit dhe shkencat kognitive për të shpjeguar marrëdhëniet poet – tekst -lexues.         

Përballemi në këtë rast me një problem të parë, në dukje disi paradoksal: teksti dhe krijuesi i tij të ngulitur në një kohë dhe hapësirë të caktuar, dhe destinimi i produktit ndaj një marrësi të panjohur, të larmë, tejet të papërcaktuar.

Shekulli XX e zgjeroi hapësirën e interpretimit, duke përfshirë në të edhe tekstin vetë, e po ashtu edhe lexuesin.[1]  Shekulli XXI ka nisur me mëtimin e rinovimit të koncepteve për vetë procesin e përftimit të vlerave në bashkëmarrëdhëniet mes autorit, tekstit dhe lexuesit, duke i përcaktuar ato bashkëmarrëdhënie si proces komunikues dhe vlerat e përftuara në atë proces si të kushtëzuara nga ligjësitë e diskursit letrar, si lloj i veçantë i diskursit zanafillor/konstituant (Maingeneau et Cossuta, 1995). Në këtë kontekst, mistika e ripërtëritjes në pafundësi e veprës, e po ashtu edhe rindërtimi i kontakteve të lexuesit me autorin, duket që ka hapur njërën nga dritaret prej nga mund të vështrohet dhe kuptohet më shumë në lidhje me ato marrëdhënie. I përqendruar tashmë në marrëdhëniet dhe ligjësitë e diskursit (letrar), shpjegimi bart lehtësitë dhe përparësitë që ofojnë në lidhje me diskursin (edhe letrar) shkencat e ligjërimit dhe gjuhësia në përbërje të tyre.[2] Në këtë kontekst jemi të prirur t’i bëjmë shqyrtimet për poezinë “Kristal”. Në këtë kontekst mund të fitojë ekzistencë përvijimi i varianteve të shkruara të leximit e interpretimit  të teksteve të caktuara, qoftë edhe i një poezie të vetme, siç është rasti ynë me poezinë “Kristal” (shih edhe Plangarica, 2014, 2015).                 

Kuptimësimin në vijimësi, tashmë nuk e zotëron më autori, por pikërisht lexuesi, duke qenë edhe ai bashkëdialogues në diskursin që teksti përfaqëson, ashtu siç ka qenë paraprakisht vetë poeti në raport me objektin e tij poetik, gjendjen a situatën, tharmin a formën e pastër të së cilës e ka ngjizur dhe paraqitur më tej përmes shenjave tekstore, me anë të të ashtuquajturit proces të mimesis-it. Duke shkuar deri në skajet e një interpretimi tejet të lidhur me dukurinë, Barthes-i, madje, do të pohonte “vdekjen e autorit” me “lindjen e lexuesit”.[3]

I tërë ky proces është tregues i gjallërisë së tekstit vetë, që në atë formë të ngjizur e ngulitur tashmë shfaq paprerë shumësinë e kuptimeve të bartura, është shprehje e asaj që H.-G. Gadamer e cilësonte si “interpretim të veprës vetë, në larminë e aspekteve a kuptimeve që ajo bart (Gadamer, 1991:207).

Subjektivizimi i objektit

Teoritë e të thënit dhe pragmatike, ato të diskursit dhe tekstit, gjuhësisë kognitive dhe semantikës interpretative, duke mos zëvendësuar objektin me subjektin, por duke subjektivizuar objektin, mundësuan trajtime të reja edhe për objektin tekst. Duke qenë një tërësi shenjash, që si të tilla shfaqin lidhje të realitetit jetësor, duke krijuar marrëdhënie së jashtmi gjithsesi me të, por në trajtën e fjalëve të cilat bartin domethënie (ndryshe nga shenjat e tjera që janë thjesht lidhje të sendëzuara, të cilat ne vetë i kuptimësojmë), teksti letrar, si thurimë që krijon  rrjete marrëdhëniesh që duhen aktualizuar në procesin e kontaktit me të, pra përgjatë të lexuarit, konceptohet tashmë në lidhje me vlerat dhe kuptimet që përftohen përtej domethënieve të fjalëve, përgjatë përdorimit të tyre, e pikërisht të lidhura me kontekstet e përdorimit.

Nuk do të ngurronte të paralajmëronte në këtë kontekst J. P. Valery se “vargjet e mia kanë kuptimin që ne u huazojmë atyre” (Valery, 1973:1509).

Gjuhësia dhe shkencat e ligjërimit shënuan kalimin prej përqendrimit të tyre në objektin gjuhë ose në praktikën e një folësi-dëgjuesi ideal, në studimin e akteve të ligjërimit, në analizën e të cilave ngulmohet për përfshirjen dhe rolin e subjekteve folës-bashkëfolës në aktivitetin ligjërimor, ku kuptimësimi i mesazhit vjen si bashkëmarrëdhënie e këtyre dy subjekteve, këtyre dy interpretëve, bartës të roleve dhe përkatësive të tyre kulturore, diskursive, sociale, psikologjike etj. (Vion, 1998:189).

Në logjikën e parashtrimeve të mësipërme përlind pohimi se “në të shkruar, ajo çka është thënë, çlirohet prej kontekstit nistor prej të cilit nis e ngjizet pohimi, e për pasojë çlirohet edhe nga synimi i autorit, dhe ajo çka teksti thotë nuk përkon (tërësisht) me të: teksti i adresohet kujtdo që di të lexojë dhe të kuptuarit zgjerohet përtej një akti bashkëbisedimi” (Deniau, 2015:28). Përftohet natyrshëm në këtë mënyrë një dekontekstualizim dhe rishtazi edhe një rikontekstualizim në një situatë të re, çka e bën, siç thekson P. Ricoeur-i, “tamam akti i të lexuarit” (Ricoeur, 1986:111).

Kuptimi, në këndvështrimin e shkencave të sotme kognitive, është “paraqitje semantike e ruajtur, e magazinuar në leksikun mendor, në bashkëshoqërim me paraqitjen e formës së fjalës; […] kuptimi nuk është kurrsesi një karakteristikë qenësore e fragmentit të diskursit në vetvete, por është rezultati i interpretimit të tij” (Tiberghien, 2002:276). Madje Searle-i thekson: “Pothuajse të gjitha veprat e shquara të fiksionit transmetojnë një “mesazh” ose “mesazhe” që janë transmetuar nga teksti, por që nuk janë tekst…” (Searle, 1982:118-119).

 Paraqitjet mendore[4] dhe informacionet gjuhësore në takimin e interpretëve

Duke ndjekur logjikën e parashtrimeve të mësipërme, mund të pohojmë se teksti i poezisë “Kristal”[5] është produkt i përftuar në paraqitjet mendore të poetit, të cilat zgjohen e marrin nxitje nga ngacmues të natyrës së veçantë ndijore që kanë të bëjnë me aspekte cerebrale të cilat ndikojnë më tej perceptime të një natyre të veçantë, që po ashtu krijojnë një rrjet lidhjesh të veçanta. I gjithë ky realitet është së brendshmi dhe formësohet si i tillë brenda atyre ligjësive; ngjizja gjuhësore është pasqyruese e atyre operacioneve që përftohen aty dhe ndjek logjikën e formësimit të atij realiteti: përzgjedhjet gjuhësore ndjekin linjën e kalimit të natyrshëm të interpretimit të brendshëm që pësojnë ndijimet, për t’u konkretizuar, duke u bartur në konceptet e gjësendeve në të cilat ato fshihen[6]. Distancimi, largimi, vdekja që janë  tashmë të pranishme në rrjetin e paraqitjeve në poezinë “Kristal” janë të pranishme në potencë edhe në “leksikun mendor”; ato do të duhet të konkretizojnë, përmes lojës ligjërimore, ankthin, shqetësimin, por edhe mosdëshirën për largim, praninë e ndërsjellë te njëri-tjetri, qoftë si ndjesi, qoftë si përfytyrim. Në këtë realitet bashkëshoqërimesh të imazheve, gjenden hapësira që motivojnë lidhje dhe raporte të shpërmasimit të distancave e të relativizimit të ndarjes a vdekjes; e në këtë mënyrë, edhe motivim të shpresës. Në lojë tashmë është jo vetëm vetëqenia, por edhe përparësitë e një qenieje që di të shprehet poetikisht, që ka aftësinë të ngjizë gjuhësisht, për ta bërë të dukshëm së jashtmi atë rrjet përmes produktit poetik, thurimës fjalësore: në lojë tashmë është poeti që krijon; nga ana tjetër, lexuesi është përballë thurimës së tij, së cilës do t’i japë jetë në aktin e të lexuarit, do ta kuptimësojë atë dhe rikontekstualizojë sipas produktit të përftuar nga nxitjet që do të lindin nga sinorët a shenjat tekstore, të cilat shkaktojnë sërish nxitje; gjithsesi, ai e ka të përcaktuar tashmë rendin e diskursit; ai interpreton, kur në atë rend ndien ngërçe në kuptimësim. Kjo kahje nga e cila ka orientuar poeti mendimin poetik dhe ka organizuar thurjen a kombinimim e njësive gjuhësore përcakton për të edhe strategjitë e kërkimit, zbulimit a interpretimit.[7] Por ky proces i abstraktimit, i përvijimit të analogjive, i shqyrtimit të lidhjeve dhe rikuptimësimit të tyre, i evokimit,[8] bëhet i suksesshëm kur dallohen dhe shqyrtohen pikërisht ato sinorë tekstorë që bartin vlerat e metaforizimit të koncepteve dhe mundësojnë prej asaj bartjeje unitetin tekstor. Marrëdhëniet asociative në tekst, me dinamizmin e raporteve konceptuale të lajmëruara aty, marrin jetë kur rezonojnë me ato që janë të pranishme në përvojat mendimore të lexuesit a interpretuesit.[9]

 Do ta orientojmë interpretimin tonë të poezisë “Kristal” duke pasur parasysh tre faktorë që mundësojnë interpretimin  e këtij teksti poetik: a. Prirjen e natyrshme të lexuesit për t’iu përafruar paraqitjeve mendore të folësit në tekst; b. përftimin e kuptimeve të reja, si pasojë e konceptimeve të rimodeluara nga nxitja e asosacioneve të pranishme në thurimën poetike; c. lidhjen e veçantë që përftohet në skenën thënësore me realen/referentin,  jo si lidhje përshkruese, por evokuese, abstraktuese,  jo për të gjetur një referent të drejtpërdrejtë, por më shumë një rrjet të hapur asosacionesh.

a) Përkimi i paraqitjeve mendore të interpretëve (autorit, tashmë  dhe lexuesit)

Lexuesi i qaset tekstit të poezisë “Kristal” me përparësinë e zotërimit të një rrjeti të gjerë paraqitjesh mendore vetjake që janë natyrshëm të ruajtura në kujtesën e tij afatgjatë; ne memorizojmë përfytyrimet tona (ato që në psikologjinë kognitive quhen imazhe mendore) për objektet dhe botën që na rrethon. Ato janë njësi përfaqësuese në kujtesën tonë, të cilat paraqesin imazhe të objekteve reale. Këtyre imazheve ne gjithashtu u referohemi. Teksti i poezisë “Kristal” zhvillohet pikërisht përmes kësaj gjetjeje të imazhit mendor të diçkaje që provon mpakjen, largimin, vdekjen. Gjësendit të vdekur i poetizohet riti i pasvdekjes. Në këtë rit, buthton më tej imazhi mendor i kristalizimit e polenizimit, që çon më tej te mosvdekja, mosharrimi, ruajtja, ripërtëritja. Imazhi mendor bart përparësinë e paraqitjes në mënyrë vijimisht të përpunuar. Ai mundëson që në ritin e pasvdekjes të bësh të pranishëm referentë shpirtërorë që mund të jenë pafundësisht të larmishëm (ndërsa ato perceptualë janë të përcaktuar). Këto përparësi shfrytëzon poeti, duke i endur shenjimet e tij me këto vlera subjektive të shenjimit të objekteve në tekst. Poezia përfshihet në një topos që ka rrjetin e tij të paraqitjeve, të pranishëm te lexuesi, si pasojë e përvojave vetjake ose leximore, kulturore e sociale; për më tepër, boshtet në të cilat është mbështetur struktura e poezisë, largimi, harrimi dhe vdekja, shqetësimi dhe përkujdesja në ritin e pasvdekjes dhe ruajtja e ndjesisë përmes shndërrimit, metamorfozës a ripërtëritjes së llojit (brenda tërë rrjetit metaforik në tekst), përvijohen natyrshëm edhe përmes paraqitjeve vetjake të lexuesit, sepse ato gjejnë hapësira të konsiderueshme bartëse të këtyre paraqitjeve edhe tek ai vetë, në mendjen e tij. Pjesë e rizgjimit dhe rimodelimit të këtyre paraqitjeve, si pasojë e nxitjeve në tekst, janë edhe procesi i kristalizimit, që përftohet përmes shndërrimit të lëndës dhe ruajtja në atë gjendje të re të tipareve të vlerësueshme estetikisht, tashmë në pakohësi; ose të polenizimit, që përfton po ashtu në pakohësi ruajtje të llojit e rigjallërim.[10] Po ashtu, në mendjen e lexuesit zgjohen edhe paraqitje që kanë të bëjnë me forcën e artit për të ruajtur në përtejkohë ndjenjën dhe emocionin, apo paraqitjet e tjera mendore që kanë të bëjnë me përvojat e njeriut për të respektuar të dashurit po ashtu në përtejkohë, në pasvdekje, duke krijuar shenjtërimin e vendit të varrosjes apo duke i bartur atij edhe parapëlqime sociale e estetike.   

b) Shenjat gjuhësore në thurimën poetike, si bartëse asosacionesh

Rikuptimësimin dhe rikontekstualizimin e tekstit e ndihmojnë më së shumti vetë përzgjedhjet gjuhësore dhe teknikat e përdorura në organizimin e tekstit, që duke u rimodeluar, të çojnë në mjete metaforike që rikuptimësojnë thëniet dhe mesazhet e bartura. Asosacionet e pranishme në tekst përlindin prej një rrjeti lidhjesh, të përftuar prej raportesh e teknikash formale gjuhësore e izotopike[11], të mbështetura në tipare semantike a sema, që synojnë : papëcaktueshmërinë dhe fluiditetin e përmasave kohore dhe hapësinore, që  ndihmojnë për abstraktime, interpretime dhe asosacione më të shumta ; dinamizmin e leksemave kyçe në thënie (për pasojë, aktivizimin e një rrjeti asosacionesh) që përftohet mes leksemave në kotekste të atypëratyshme gjuhësore a mikromjedise përdorimore që e drejtojnë vëmendjen drejt tipareve më të veçanta semantike, si dhe përftimi i një rrjeti izotopik që i krijon koherencë mendimit dhe kohezion shprehjes së tij ; gjithashtu, asosacione të pranishme, të përftuara prej përzgjedhjes së formave gjuhësore e modale të njësive gjuhësore që i largohen jo pak herë shenjimit të gjësendeve konkrete a gjendjeve e situatave,  që të çojnë te konceptet a klasat që ato u përkasin, duke ngjyruar tërë thënien me modalitete plotësuese.  

Papërcaktueshmëria e përmasave kohore e hapësinore që karakterizon njësitë gjuhësore ka mundësuar përtejdomethëniet e tyre, duke i zgjeruar hapësirën kuptimore të tekstit dhe duke i mundësuar atij polifonizmin në shprehje. Përmasat kohore në tekst vijnë me caqe tejet fluide ; prej së shkuarës pa cak, në të tashmen (ka kohë… tani…) drejt një të ardhmejeje të mbrujtur në format e dëshirores, të cilat ia theksojnë këtë përmasë edhe më shumë në vijimësi. Për më tepër, formula e rrëfimtarisë ka kohë… ka veçantinë të lidhë çastin e rrëfimit me një të shkuar në të cilën lë të papërcaktuar përzgjatjen e veprimit, duke e drejtuar në këtë mënyrë përqendrimin e vëmendjes jo te koha dhe përzgjatja e saj (apo largësia kohore me çastin e ligjërimit), por te veprimi i foljes që mban peshën e predikativitetit të thënies (shihemi/s’shihemi – krahaso me “ka dy muaj/vjet… që shihemi/s’shihemi). Duke qenë se përmasat kohore në raport me ndjenjën e dashurisë, ngjalljen e saj, mbajtjen e saj ndezur, mpakjen a harrimin (vdekjen) janë tejet relative, të papërcaktueshme, atëherë formula e një caku me kufij kohorë të hapur është më e përshtatshmja.

Dhe në përputhje të plotë me këtë konceptim të shenjimeve kohore, është përvijuar edhe loja ligjërimore me përmasat hapësinore, shpërmasimin a fluiditetin e madhësisë. Qokat hapësinore (poshtë, lart, e veçanërisht varr, mermer, morg-kristal, hon, fushë, lulnajë), të përfshira në “lojën ligjërimore”[12] në tekst, me role dhe funksione të përftuara në ato përdorime, mundësojnë përvijimin e kuptimeve që shkojnë përtej domethënieve të tyre, mundësojnë kuptime të ngarkuara tashmë me tregues socialë, estetikë, etj. Leksemat varr, mermer e morg-kristal, në kontekstin e përdorur, bartin e përcjellin vlerën simbolike të një përvoje që lidhet me një mendësi e botëvështrim të caktuar: leksema varr, me domethënien karakterizuese normale “strehë e zakonshme në pasvdekje”, e përdorur në lidhje kotekstuale me deiktikun asnjë (që pragmatikisht parakupton “të tërën, të gjithë, por njëherazi edhe mohim të tërësisë), në fakt nuk të çon te gjësendi konkret, i lokalizuar, por në një hapësirë më të gjerë, përlindëse, që të çon natyrshëm në konceptin fqinjë që përftohet prej përdorimit dhe domethënies së re të përftuar: asnjë varr, do të thotë asnjë vend i destinuar në pasvdekje, pra “(asnjë) varrezë”, si institucion njerëzor.[13]  Së dyti, këto leksema bartin e përcjellin një përvojë sociale që shpreh respektin kolektiv, përmes një shenje të vlerësuar shoqërisht tashmë, të përfaqësuar nga mermeri, lëndë a gur që dallohet estetikisht për bukurinë e shfaqjes dhe formave që mund të marrë pas punimit (e prej këtej, kjo përvojë është shtrirë edhe si përvojë e  respektit individual/vetjak, në raportet e vlerësuara më intime e familjare); dhe së treti, në rritje të skajshme, këto përvoja të çojnë te kristali (morgu-kristal), ku treguesit estetikë dhe metamorfoza e pranishme në përftimin e tij, shfaqen sfidueshëm në status sipëror. Dhe për ta kontrastuar me këtë hapësirë tejet të humanizuar, por që nuk ka gjithsesi prani të përmasave të mëdha, poeti endet sërish në shenjime gjuhësore që do të bartin ato përmasa, madje sërish në kufijtë e së skajshmes: honi, me përmasën e thellësisë së papërcaktuar; dhe fusha e sidomos lulnaja, sërish me këtë papërcaktueshmëri, në gjerësi tashmë.

E gjitha kjo marrëdhënie hapësinore që bart vlera kuptimore përjetimesh vetjake e sociale, rezonon dukshëm me shenjimet e hapësirave të një natyre tjetër, që kanë ardhur të metaforizuara në strofën pararendëse; konceptime që duket se vijnë nga lartësitë sublime të artit/arteve (strofa, pra, nga poezia dhe nota, pra, nga muzika), për të shkuar në lartësitë absolute estetike, pra, te brilanti, te vlerat e padiskutueshme estetikisht të tij; dhe nga lartësitë e realiteteve të tilla sublime, fillon kërkimi te hapësirat e përvojave më tokësore; kjo zbritje në diminuento drejt më tokësores, është thjesht një efekt i parë, që me elementet sociale, e më njerëzore, do të përvijojë kurbën e thyer, tejet ndikuese emocionalisht prej kontrastit, për të vijuar më tej në gjetjen finale, me një raport tjetër shenjimesh jo vetëm hapësinore, por sërish të atilla që të bartin edhe proces lëvizjeje, zhvillimi, madje rigjallërimi e ripërtëritjeje, e përmes kësaj ripërtëritjeje, vijimësi të llojit në pafundësi, përmes polenit në lulnajë e procesit të polenizimit që siguron këtë lëvizje e ripërtëritje.

Ndoshta mund të gjejë shpjegim kjo marrëdhënie e pasqyrimit të hapësirës në tekst përmes papërcaktueshmërisë në lokalizimin e hapësirës, për më tepër shenjimin e klasës ose fushës semantike dhe fqinjësisë që krijohet mes elementeve në një shtrirje më të gjerë shenjimesh, në atë që Foucault-ja e konsideron si prirje bashkëkohore të vështrimit së brendshmi të hapësirës. Ndryshe nga ajo që mund të quhet hapësira mediane (e konceptimimit në Mesjetë), ku mbizotëronte prirja e vendosjes sa më konkrete e vendeve në marrëdhënie varësie e përqasjeje mes tyre, një lloj shenjtërimi i hapësirës konkrete e të lokalizuar ngushtësisht, madje të sublimuar e në raporte të caktuara (vend i shenjtë-vend profan, hapësirë vetjake-hapësirë e grupit…), sot kemi, sipas Foucault-së një konceptim të ndryshëm, drejt një zgjerimi të këndvështrimeve tona, ku synohet të vërehet shtrirja, gjerësia, marrëdhënia e elementeve të fqinjësisë që përftojnë kufij më të gjerë të vëzhgimit e konceptimit tonë.[14] E, për më tepër, në lojën e papërcaktueshmërisë hyn si gjetje edhe konceptimi, me përmasa gati spekulative, i koncepteve që shenjojnë gjësendet kyçe në tekst, si poleni dhe kristali: domethënia e polenit vjen te ne si diçka e vlertë, e brishtë, gati fluide, e pakët në shfaqjen konkrete të tij, ndërsa në poezi si diçka e pafund, që si tis mbulon a i jep gjallëri vetë ekzistencës së lulnajës; po kështu edhe kristali, i pamatë në shfaqjen e tij gjithsesi të vogël fizike, po aq i pamatë në nxitjen e përjetimit estetik të së bukurës; madje, me kureshtjejen asnjëherë të pashpresë për vlerat e tij; e për pasojë, në çdo rast, shumë mëdyshje, përsiatje. Në tiparet semantike të të dyja leksemave është e pranishme gjithsesi izotopia e kujtim-mosharrimit. Në fakt, është një pranëvënie a përqasje domethënëse: kristali, si koncentrim vlerash dhe ideal estetik, si përftim që vjen përmes koncentrimit në kohë, ngjizjes dhe transformimit në kohë, deri në ngurtësim të lëndës me cilësi të re shumë të vlertë; dhe nga ana tjetër, poleni, që bart si tharm aftësinë shndërruese dhe ripërtëritëse, që zhbëhet e përhapet për të krijuar vlerë në pafundësi. Kristal-in dhe polen-in i bashkon izotopia e shndërrimit të lëndës, që gjen shprehje në botën minerare përmes kristalit a brilantit, dhe në botën bimore, përmes lulnajës e polenit, izotopi të pranishme hershëm në përvojat letrare. Kjo përqasje e madhe në tekst është e pranishme në përmasa gjithsesi jo kaq të skajshme në pranëvëniet “notë”, “strofë”, nga njëra anë, e “varr”, “mermer”, “hon” e “lulnajë”, nga ana tjetër.

Është interesante të vërehet që logjika e parashtrimit poetik ka kërkuar ta theksojë atë tipar të ruajtjes, duke e përqasur me një tjetër gjetje që ka të bëjë me përzgjedhjen e një tipari semantik që shenjon të kundërton e ruajtjes: “kërkim për të larguar diçka nga vetja”; ndaj në tekst është i pranishëm një rrjet foljesh si lëshoj, vë, lë, hedh, shpërndaj, por në një shkallëzim tejet domethënës, me një diapazon tiparesh semantike që shkon nga një shkëputje e dhunshme (lëshoj, hedh) deri te një marrëdhënie tejet e brishtë dhe përkujdesëse (shpërndaj); madje në lidhjet kontekstuale kjo brishtësi theksohet nga raportet me polenin dhe mënyrën e shpërhapjes së tij butësisht, që duke bartur embrionin e riprodhimit, rigjallërimit, krijon pamundësinë për shkëputje, largim a distancim (e për pasojë, vjen natyrshëm, edhe më e motivuar edhe kotekstualisht, dhe jo vetëm kontekstualisht, pasiguria për largimin dhe shpresa për mosharrimin.

Por polifonizmi i tekstit ndihmohet edhe nga elemente të tjera formale gjuhësore, si prania e harmonizuar e foljeve në lidhore (përmes të cilave shprehet dëshirë, mirësjellje) me foljet mirëfilli në dëshirore (të përdorura në thëniet kushtore që e nxisin ose e nxjerrin edhe më shumë në pah faktin që veprimi është tejet i dëshiruar); këto përdorime janë harmonizuar me tonalitetin e përgjithshëm të poezisë, ku në fakt, mëdyshja veçse fsheh një dëshirë: mosharrimin. Po ashtu përdorimi i konektorit dhe në kontekste që i mundësojnë atij të ndihmojë në përftimin e modaliteteve të ndryshme, duke përmbushur jo thjesht funksione shtesore, por edhe lejore, shkakore (dhe/ndaj/prandaj… ndiej), (dhe/për këtë arsye, për këtë shkak, për pasojë… ndiej); kohore (të të mashtroj dhe /pastaj/ndërkohë… të të puth…), përcaktuese (dhe/në këtë rast… s’do dimë…), etj., duke nxjerrë edhe më në pah modalitetin e dyshimit e dëshirës.

Rrjeti izotopik në poezi nuk shfaqet vetëm në raport me përpunimet dhe përzgjedhjet leksikore e semantike, por edhe ato fonetike e prozodike; për shembull, tempo-ritmika në treshe dhe theksimi në fund, i fjalës së fundit të vargut. Rendi numërues në treshe krijon një sfond ritmik që përveç disiplinimit dhe qëndrueshmërisë tempo-ritmike të thënieve, bart si element të mbishtresuar edhe qëndrueshmërinë e nënvetëdijshme që është ngulitur tashmë si përvojë intelektuale, por gjithsesi edhe religjioze (nga ngulitja e formulës së trinisë së shenjtë). [15] Në çdo rast, rindërtimi dhe rikuptimësimi është bashkëshoqërues në këtë kontakt me këto njësi tekstore.

Efektet e përftuara nga mjetet fonetike a prozodike përforcohen kur kombinohen edhe me procede të tjera të natyrës gramatikore. Shembull domethënës është në këtë rast vargu: …mos duhet vall prapë të të mbart…, që i rreshtuar pas vargjesh që shenjojnë përkujdesje, për nga mënyra e strukturimit të tij ngjall njëherazi ndjesinë e plogështisë dhe lodhjes, ngadalësimit të veprimit të përftuar nga tepria e pjesëzave të përdorura në mënyrë të njëpasnjëshme, që shenjojnë modalitete (mohim+mundësi+dyshim+rimarrje/përsëritje) që brenda asaj hapësire të vogël paradigmatike vonojnë shprehjen e predikativitetit në ngjizjen e fjalisë; për pasojë, ndjesia e plogështisë, por edhe e kohës më të shumtë  për meditim që do të vijojë, e mban pezull këtë pritshmëri (largësia mes foljes modale duhet dhe lidhores të mbart është e pazakontë për shqipen).

c) Situata e të thënit a skenografia, si bartëse të polifonisë[16] dhe shumëkuptimësisë

Fokusimi në rrjetin metaforik të pranishëm në thurimë, dhe evokimet që përlindin natyrshëm në raportet e krijuara në paraqitjet mendore të cilat barten përmes përzgjedhjeve leksikore të bëra nga poeti, na çojnë në përfytyrimin e një skene të thëni ku janë të pranishme dhe veprojnë njëherësh qeniet diskursive[17] që i japin ekzistencë vetë mesazhit. Skena e të thënit ose skenografia, sipas emërtimit të Maingueneau-së, është formësuar me praninë e folësit, tek i cili gjëllijnë dy qenie diskursive (njëra që pohon dhe shqetësohet, dyshon, rreket e kërkon), dhe tjetra që mohon. Këto dy pikëshikime  mundësojnë në tekst praninë e një thëniepërftuesi/enonciateur që nuk shprehet, megjithëse ka të pranishme gjurmët e tij aty dhe ndikon në këtë mënyrë në kuptimësimin e tekstit; është ky thëniepërftues i dytë që përfaqëson qenien zbuluese[18] në kuptimin heidegerian, që ka një qasje ekzistenciale ndaj botës, ndaj realitetit, ndaj dashurisë, ndaj së dashurës. Pikërisht kjo qasje ekzistenciale parakupton dhe motivon dy gjetjet që përbëjnë tharmin e poezisë, kristalizimin dhe polenizimin, si forma të ruajtjes dhe konservimit, madje të ripërtëritjes, si teknikë elitare në diskursin letrar, e në veçanti atë surealist. Duke u shprehur përmes mohimit, pra duke parakuptuar në ligjërim edhe një thënës të dytë brenda vetes, marrëdhënia ligjërimore e përftuar motivon dyshimin, pasigurinë, dëshirën, kureshtinë, angazhimin, indiferencën…, më së paku, qasjen ekzistenciale ndaj botës dhe dashurisë.

Në pamje të parë, pikëvështrimi lokalizohet në brendësi për të vënë në dukje statusin e marrëdhënies ndjesore, të karakterizuar nga krijimi i distancës me të dashurën nga mpakja deri në fikje e gjurmëve të ndjenjës; më tej, si realitet i brendshëm, bëhet i vëzhgueshëm përmes interpretimit të imazheve të përftuara nga perceptimet e objekteve të vëzhgueshme; ky status i marrëdhënies nistore në ligjërim krijon mundësi për vijim të poetizimit të situatës dhe përftimit të marrëdhënieve të tjera  me objektin e poetizimit – ndjenjën e dashurisë – që vëzhgohet tashmë së jashtmi, e sendëzuar, e trupëzuar, e vëzhgueshme, e manipulueshme, e aftë si e tillë t’u nënshtrohet lojërave ligjërimore; e për pasojë, të ngjizet përmes metaforizimeve a proceseve metonimike, të vihet e lihet e përjetësuar në poezi, në muzikë, të varroset, të gdhendet në mermer, madje të sublimohet në morg-kristal a përjetësohet duke u ripërtërirë në vijimësi, si poleni që ruan e riprodhon llojin. Ndjesia e harrimit transpozohet në objekte të vëzhgueshme që bartin dhe parakuptojnë ruajtjen, konservimin, madje ripërtëritjen e llojit a gjësendit. Është në këtë rast pragu i kalimit që i jep paraqitjes, mimesis-it poetik, premisat për ekzistencë spekulative.[19]

Statusi i tekstit dhe jehona e ndërtekstorësisë

Qenia njerëzore është gjithnjë në kërkim e shqyrtim, e gjithnjë e palumtur në këtë proces, sepse vetë procesi nuk është i fundëm, çka përbën edhe premisën e kësaj “palumturie”; por në një kuptim më të gjerë, përbën pikërisht premisën e kuptimit të vetë qenies; e në terma pozitivë, edhe të vetë lumturisë. Toposi i dashurisë është ndër më të përshtatshmit për t’u ngjizur ky status. Mëdyshja në këtë qasje, poetizimi i saj, metaforizimi i marrëdhënieve, përvijimi i analogjive nga më të larmishmet kanë përftuar qysh në fillesat e ligjërimit poetik modele që përbëjnë kulme në letërsinë botërore. Në trajektoret e ngjizjes së këtij toposi, përvojat analogjike me dukuritë e botës materiale që në procesin e shndërrimit të materies në vlera estetike, e madje edhe përtej tyre, përmes procesit të sublimimit[20] e kristalizimit[21] kanë përvijuar praktika të suksesshme dhe domethënëse. Rasti i Stendalit (sajues i termit të kristalizimit në trajtimin e këtij toposi) ka shënuar një praktikë të marrë e rimarrë  më tej edhe nga psikanaliza, e veçanërisht nga surealistët. Për këta të fundit, kristali, motiv gjithnjë i pranishëm në trajtesat e tyre, “duket se kondenson një ideal estetik: transparencën, imazhin e njohurisë absolute”.  Feks në trajtesat e surealistëve me motiv kristalin (të përftuar prej kristalizimit), kujtimi i analizave stendaliane (Trouvé, 2003:14-15). Për A. Bretonin, kristali paraqet idealin e së bukurës: “Vepra e artit, thekson ai, ashtu si çdo copëz e jetës njerëzore, e vështruar në domethënien e saj më të thekshme, më paraqitet e zhvlerësuar nëse nuk paraqet ashpërsinë, ngurtësinë, rregullsinë, shkëlqimin e kristalit në të gjitha faqet e tij së brendshmi dhe së jashtmi”. (Breton 1937:681). Pranëvënia e kristalit me koralet, e minerales me organiken, e admirimit për atë përsosmëri formash e shkëlqimi me realitetet njerëzore, janë shprehje e qasjes ndaj atij ideali estetik, ku njerëzorja, organikja e inorganikja ruajnë dhe bartin vlera deri në transcedencë.

Këto flukse ndriçimi që duket se ngjizin sërish shndërrime të toposit të dashurisë drejt rivlerësimesh dhe analogjish, ku sërish ngjizet një ideal estetik, duket se joshin muzat e poetëve; Kadareja është treguar vijimisht i vëmendshëm ndaj kahjes që ato joshin dhe ka guxuar; poezia “Kristal” është sërish një shembull. 

Poetët, në kohë e vende të ndryshme, mund të pikëtakohen natyrshëm në ato hapësira letrare, duke sjellë përvoja dhe teknika vetjake, që veçse e popullojnë më dendur atë mjedis. Përkimet me përvojat, teknikat a konceptet e pranishme në përvoja të ndryshme letrare, sidomos në ato me të cilat operon rëndom poezia surealiste, veçse ia përforcojnë më shumë statusin këtij teksti, drejt përcaktimit të vendit atje. Është një kontekst vlerash në të cilin arritën ta bëjnë të pranishme qenien e tyre atje edhe poetët e vendeve ku imponohej doktrina zyrtare e realizmit socialist, çka vërehet edhe te poetët dhe artistët në Hungari, Çekosllavaki, Serbi a Rumani të atyre viteve. Gjithsesi, motivimet në çastin e krijimit, të përftuara në studion e poetit mbeten të fshehta, e shkrimtari i ruan për vete dhe i merr me vete ato.[22] Teksti, megjithatë, bën jetën e tij dhe na jep nxitjet për t’u përqendruar edhe në mjediset prej të cilave ai merr ndriçime. Sa më qartë t’i dekriptojnë ato flukse drite, aq më të plota i receptojmë edhe ato profile; e për pasojë, aq më i plotë është edhe rindërtimi nga ana jonë i kuptimit të tekstit dhe aq më funksional bëhet rikontekstualizimi i tij. Kompensojmë, në një farë mënyre, edhe pengun e të pathënave, që po ashtu janë të ndryra në atë proces krijues.

Në mbyllje… në një jubilar

Shkrimtari ka përparësinë të na lërë përmes fjalëve, shenjat që na joshin në vijimësi t’i interpretojmë, brendi të tyre që në vijimësi na nxisin t’i rikontekstualizojmë, e në këtë mënyrë t’i ri-ndërtojmë, duke qenë vetë të pranishëm në ato realitete të përftuara ; gjithsesi, jubilarët e shkrimtarëve, edhe ky jubilar i Kadaresë, mund të na sugjerojnë sërish se sa i pamoshë është poeti, ose se sa i ri është ai brenda përmasave të moshës së Poetëve. Variantet e të lexuarit e të interpretuarit, qoftë edhe të një poezie të vetme, na ofrojnë edhe neve si lexues një rishfaqje tonën në kontekste që po ashtu na nxisin të jemi qenie zbuluese dhe, për këtë arsye, edhe më dinjitozë në realitetet jetësore të përditshmërisë, duke bartur, si pa dashje, atë çka tekstit ia blatuam së jashtmi e, në këtë mënyrë, edhe vetvetes.

Bibliografia

Barthes R. (1984), La mort de l’auteur, Essais critiques. Seuil, coll. “Points”.

Brasoli, Ch. (2003), Essai de poétique cognitive: de la poésie lyrique à la poésie dramatique de Maeterlinck. Revue Romane, 38.1, pp. 67-88.

Breton A. (1937), L’Amour fou. Œuvres complètes I, Paris, Gallimard, “Bibliothèque de la Pléiade”, 1988.

Deniau, G. (2015), Qu’est-ce qu’interpréter. Vrin.

Ducrot, O. (1984), Le dire et le dit. Paris, Minuit.

Dominicy, M. (1990), Sémantique textuelle et évocation in ‘Prolégomenes à une théorie générale de l’évovation’; Peeters, Louvain.

Foucault, M. (1994), Dits et écrits 1984, Des espaces autres. (Conférence au Cercle d’études architecturales, 14 mars 1967) in “Architecture, Mouvement, Contunuité”, nr.5, Octobre.

Gadamer, H.G. (1991), L’art de comprendre. trad. fr. P. Fruchon et alii, Paris, Aubier.

Gadamer, H.G. (1992) L’actualité du beau. trad. fr. E. Poulain, Aix-en-Provence, Alinea.

Garnier C., Sauvé L. (1999) Apport de la théorie des représentations sociales à l’éducation relative à l’environnement – Conditions pour un design de recherche, Education relative à l’environnement – regards, recherches, réflexions. Arlon, FUL.

Gros, N.P. (2002) Le lecteur. Textes choisis&presentés, Corpus, GF Flammarion.

Laszlos, P. (1991), Cristallisation et récristallisation. Littérature, 1991, Numero 82, pp. 72-85.

Maingeneau, D. et Cossuta, F. (1995), L’analyse des discours constituants. Langages, Année 1995, Volume 29/Numero 117, pp. 112-125.

Maingueneau, D. et Ostenstad, I. (2010) a, Au-delà des oeuvres, Les vois de l’analyse du discours littéraire. L’Harmattan.

Maingueneau, D. (2010) b, Manuel de linguistique pour les textes littéraires. Armand Colin, Paris.

Nolke, H., Flottum K., Norén, C. (2004), ScaPoLine, La théorie scandinave de la polyphonie linguistique. Edition KIME, Paris.

Plangarica, T. (2014), Shkencat e ligjërimit dhe një variant të lexuari i këngës së fundit të ‘Milosaos…,  në  Aktet e “Konferencës shkencore ndërkombëtare ‘Letërsia dhe kultura arbëreshe’ në kuadrin e 200 vjetorit lindjes së J. De Radës”,  UE. A. Xhuvani, Elbasan, 4-5 qershor 2014.

Plangarica, T.  (2015), Gjuhësia/shkencat e ligjërimit dhe  teksti letrar (… dhe një analizë e një kënge nga Këngët e Milosaos…), në “Studime (Në nderim të prof. Françesko Altimarit me rastin e 60-vjetorit të lindjes)”, Albpaper, Tiranë, mars 2015.

Raynal, F. et Rieunier A. (1997), Pédagogie: dictionnaire des concepts clés (apptrentissage, formation, psychologie cognitive). ESF.

Ricoeur, P.  (1986), Du texte à l’action. Paris, Seuil.

Searle, J.R. (1982), Sens et Expression. Etudes de théorie des actes de langage. Paris, éd. de Minuit.

Tiberghien, G. (dir.) (2002), Dictionnaire des sciences cognitives. Armand Colin.

Trouvé, A. (2003) Cristal et sempervivum: l’écriture allégorique dans “L’Amour Fou” d’A. Breton, in “Allégorie et symbole”, ADONI, Université de Poitiers.

Valery J.P. (1973), Oeuvre I “Bibliothéque de la Pléiade”. Paris, Gallimard.

Vion R. (1998), Du sujet en linguistique, in “Les sujets et leurs discours” (éds.) PUP.

Ëittgenstein L. (2004), Recherches philosophiques, trad. fr. F Dastur et alii. Paris, Gallimard..

Abstract

La nature spéculative d’un texte littéraire se présentant comme une seule et même chose en même temps pourtant différentes, permet une interprétation en continue. Aujourd’hui les connaissances scientifiques du discours, celles cognitives, les théories de l’énonciation, de la pragmatique et de l’analyse du discours littéraire viennent en aide aux lecteurs à recontextualiser et interpréter le texte même au cours du processus de la lecture en le complétant et le parfaire en permanance le sens. Cette étude porte sur l’interprétation de la poésie « Kristal » sous l’optique de ces points de vue théoriques. Le lecteur interprétant le reseau figuratif, les blancs, lacunes, implications et préupositions sémantiques et pragmatiques peut avoir la possibilité de la distinction de plusieurs « voix » sur la scène énonciative du texte.


[1] Autorë të ndryshëm ((veçanërisht Iser (1976) dhe Ingarden (1983)) kanë theksuar se vepra nuk është e tejngopur, por përmban “vende boshe” (Leerstellen) të cilat i takon lexuesit t’i mbushë. Këto hapësira të bardha, këto zbrazëti nuk janë mirëfilli të natyrës kuptimore: nuk janë vetëm heshtje të tekstit, në pritje të të folurit të lexuesit, as pyetje të cilave ai duhet t’u përgjigjet. Më thellë akoma, bëhet fjalë për mundësi ose virtualitete të organizimit të tekstit, që lexuesi mundet ose jo t’i realizojë. Teksti është i hapur më së pari sepse nuk e thotë gjithçka; sepse të folurit e tij nuk është i drejtpërdrejtë; por edhe ngaqë ai nuk e përcakton aspak mënyrën me të cilën ai duhet ose mundet të jetë konfiguruar. Roli i lexuesit konsiston pra të vendosë këtë ose atë lidhje, të kombinojë këtë segment të tekstit me tjetrin dhe t’i lërë të tjerat në hije. Këto ndërhyrje të lexuesit do ta orientojnë, natyrisht, kuptimin që do t’i jepet tekstit. Një konceptim i tillë të mundëson të pohosh që “lexuesi e ndërton tekstin para se t’i japë një domethënie” (N.P.-Gros, 2002:16).

[2] D. Maingueneau vëren : “…tashmë, shkencat e ligjërimit nuk kënaqen më vetëm me justifikimin e interpretimeve,  edhe ato vetë thonë diçka për veprën letrare, ngaqë ajo merr pjesë në një lloj regjimi të diskursit, i parë në të dyja aspektet, gjuhësore dhe institucionale […] mund të thuhet se “kokrriza” e objektit tekst ka ndërruar tashmë, sikur të përdornim një mikroskop shumë më të fuqishëm për të vëzhguar tekstet” (Maingueneau, 2010:14-15).

[3] “Lindja e lexuesit duhet të paguhet me vdekjen e Autorit…… lexuesi është ai që mban të mbledhura në të njëjtën fushë të gjitha gjurmët me të cilat është përvijuar shkrimi” (R. Barthes, 1984:69).

[4] “Paraqitja është një dukuri mendore që u korrespondon një tërësie pak a shumë të vetëdijshme, të organizuar dhe koherente, të elementeve njohës, afektivë dhe të fushës së vlerave që kanë të bëjnë me një objekt të veçantë. Gjejmë aty elemente konceptuale, qëndrime, vlera, imazhe mendore, konotacione, asosacione etj. Është një univers simbolik, i përcaktuar kulturalisht, ku përftohen teori spontane, opinione, paragjykime, vendime për veprën etj.” (Garnier et Sauvé,1999 :66). Përaqitjet mendore janë “zëvendësuese të realitetit, një ndërtim intelektual i atypëratyshëm, që mundëson t’i jepet kuptim një situate, duke përdorur njohuritë e ruajtuara në kujtesë dhe/ose të dhënave që vijnë prej mjedisit, për t’i dhënë një domethënie elementeve që përftohen prej analizës perceptive” (Raynal et Rieunier, 1997:320).

[5] Ja teksti i poezisë, botuar më 1979, dhe ribotuar disa herë : Ka kohë që s’shihemi dhe ndjej/Si të harroj un’ dalngadal,/Si vdes tek unë kujtimi yt/Si vdesin flokët dhe gjithçka.// Tani kërkoj unë posht’ e lart/Një vend ku ty të të lëshoj,/Një strofë a notë a një brilant/ku të të lë, të puth, të shkoj.// Në s’të pranoftë asnjë varr,/Asnjë mermer a morg-kristal,/Mos duhet vall’ prap’ të të mbart/Gjysmë të vdekur, gjysmë të gjallë?// Në s’gjetsha hon ku të të hedh/të gjej një fushë a një lulnajë/Ku butësisht porsi polen/Gjithkund, gjithkund të të shpërndaj.// Të të mashtroj ndoshta kështu//Dhe të të puth e t’ik pa kthim/Dhe nuk do dimë as ne, askush/Harrim ish ky a s’ish harrim. 1979, në “Ca pika shiu ranë mbi qelq, Dyzet poezi të zgjedhura, Onufri, 2003, faqe 76-77).

[6] Ndijimet ndjehen, provohen, por nuk vëzhgohen; për të qenë të vëzhgueshme ato barten përmes perceptimeve në gjësende dhe në këtë shndërrim ato mundësojnë më tej interpretime.

[7] Ndjekja e hullive alternative është gjithnjë e mundshme, sepse, mbi të njëjtën thurimë, paraqitjet mendore dhe interpretimi i simbolikave, ngërçeve në kuptimësim, lakunave a zbrazëtive kuptimore etj., kanë të bëjnë me lexuesin e ndryshëm në çdo rast, e për pasojë, edhe variantet janë gjithnjë të pranishme, sipas lexuesve që ndërmarrin interpretimin.

[8] M. Dominicy ka tentuar të zhvillojë një teori semantike dhe pragmatike, të aftë të përshkruajë në parim veprimin që vetitë a karakteristikat formale ushtrojnë mbi mekanizmat interpretativë të përdorur ose kërkuar nga receptimi ose prodhimi i një teksti poetik (Dominicy, 1990:9-37). Sipas tij, teksti poetik në tërësinë e tij bart paraqitje që nxisin analogjinë; këto raporte analogjike rezonojnë me ato që janë magazinuar në kujtesën afatgjatë të lexuesit, dhe në këtë rezonim nis “puna” për rindërtimin e tekstit, interpretimin e kuptimeve te tij. Në këtë proces të të evokuarit, “[…] thënia përshkruan, por thënia nuk përshkruan për të gjetur një referent të drejtpërdrejtë, të saktë, por synon më shumë të vendosë një rrjet të hapur asosacionesh” (Bresoli, 2003:75).

[9] “Procedura e interpretimit ose e evokimit ka të bëjë me ndërveprimin mes paraqitjeve të  folësit dhe paraqitjeve mendore të lexuesit, çka në sytë tanë përfaqëson një formë këmbimi njëherazi  gjuhësore dhe mendore virtuale” (Bresoli, 2003 :84).

[10] Prej procesit të polenizimit, shpërhapjes dhe shndërrimit, mund të nxiten në ato skaje të kujtesës asosacioni me shpërndarjen e hirit pas vdekjes. Asosacioni me hirin e pasvdekjes është më tepër një asosacion savant ; ai është gjithsesi larg ritualit shqiptar të pasvdekjes dhe larg rrjetit të lidhjeve kuptimore në tekst. Ndoshta më i atypëratyshëm dhe më i natyrshëm mund të jetë asosacioni i ripërtëritjes dhe lulëzimit në vijimësi në ritin floreal që  është tejet i pranishëm në mendësinë shqiptare (qiparisat, selvitë, trëndafilat… janë pjesë e ritit). Po ashtu, tiparet semantike të zhbërjes e ngjizjes, shndërrimit e ripërtëritjes mund të çojnë në përvoja që qysh herët kanë bërë të mundshme mitemat e ndryshme ; ndoshta mbi këto tharme kanë lindur miti i Feniksit, i Sizifit a bërja e zhbërja e pëlhurës së Penelopës…

[11] Sipas parashtrimeve sidomos të A.-J. Greimas-it dhe F. Rastier-it, me termin izotopi do të parakuptojmë një mënyrë të shfaqjes së kohezionit semantik të një teksti, përmes së cilës terma të ndryshëm janë të lidhur nga prania e semave ose tipareve semantike të përbashkëta.

[12] E përdorim këtë term, në kuptimin që i jep atij Wittgeinstein-i si “tërësi e formuar nga ligjërimi dhe aktivitetet me të cilat ai është mpleksur” (Wittgeinstein, 1991 :7).

[13] Përdorimi i emrave në trajtë të pashquar, të shoqëruar ose jo me nyjë joshquese a deiktik tjetër shoqërues (një, asnjë) është parim organizues në këtë thurimë poetike, që mundëson hapësirë më të gjerë të paraqitjeve mendore, që të çojnë te domethëniet më gjithëpërfshirëse e zanafillore të tyre ; e në këtë mënyrë, përdorime të tilla janë më të afta të pranojnë në çdo rast ngarkesa kuptimore, zgjerime a shtrirje në klasat fqinje përlindëse. Gjuhëtarët kognitivistë theksojnë që përdorimi në trajtën e shquar ose të pashquar të një emri a grupi emëror “saktëson në përgjithësi tipin e referncës a paraqitjes ligjërimore për të cilën bëhet fjalë : një referencë e pashquar ((p.sh., (një) libër, (ca) qen)) mundëson përgjithësisht krijimin e një elementi të ri që zotëron karakteristikat zanafillore (një nyjë zbritëse e konceptit libër në një formalizëm të rrjetit semantik, një shfaqje e veçantë e prototipit qen, në një formalizëm të skemës…)” (Tiberghien, 2002 :250). Një teknikë e përafërt është shtrirë edhe në fushën e foljeve: “harroj”, në fillim të tekstit – që tregon procesin, dhe “harrim” në fund – që tregon rezultatin, etj. Ka qenë kjo logjikë e shtrirjes a fqinjësisë që nuk e ka penguar përkthyesin në frëngjisht të kësaj poezie që në vargun “vdesin flokët e gjithçka”, të shtojë buzët, dhëmbët, megjithëse duke e mënjanuar dukshëm poeticitetin e gjetjes së poetit (…Meurent déjà tes cheveux, tes lèvres, tes dents (Poèmes, 1957-1997, Librairie Arthème Fayard, 1989 et nouvelle édition, 1997, p. 110).

[14] “Vepra madhore e  Bachelard-it, thekson Foucault-ja, përshkrimet e fenomenologëve na kanë mësuar që ne nuk jetojmë në një hapësirë homogjene dhe të zbrazët, përkundrazi, në një hapësirë që është tërësisht e ngarkuar me cilësi, një hapësirë që është ndoshta deng me fantazma ; hapësira e perceptimit tonë të parë, ajo e ëndërrimeve tona, ajo e pasioneve tona përmban në vetvete cilësi që janë të qenësishme ; është një hapësirë e lehtë, eterike, transparente, ose fare mirë një hapësirë e errët, e ashpër, penguese : është një hapësirë prej së lartmi, është një hapësirë prej kreshtash, ose është në të kundërt një hapësirë së poshtmi, një hapësirë prej dheut, një hapësirë që mundet të jetë e gjallë si uji i rrjedhshëm, është një hapësirë që mundet të jetë e ngulitur, e ngurosur si guri ose si kristali” (Foucault, 1994 :46).

[15] Numrat idealë qysh nga Antikiteti kanë marrë shpjegime të natyrave të ndryshme ; përvoja njerëzore konceptohet trikatëshe ; forma jonë ekzistenciale është trikatëshe : kohore, psikike, shpirtërore ; natyra jonë ka po ashtu tri kate : materiale, psikike dhe shpirtërore ; rendi i botës është, pra, ternar. Qysh në Antikitet, pitagorianët i kanë dhënë numrit tre kuptimin e tërësisë : në natyrë ekziston gjithçka që përmban fillim, mes, mbarim (shih Encyclopédie Universalis, Nombres idéaux).

[16] I referohemi në këtë rast  polifonisë gjuhësore që ka në zanafillë dallimin mes folësit dhe thëniepërftuesve, të kuptuar si “zëra” që folësi i bën të pranishëm në skenë, sipas teorisë së zhvilluar nga O. Ducrot (1984). Folësi mundet të ndërtojë tipe të shumta imazhesh të vetvetes, ose role të ndryshme që ai është i aftë të luajë në thëniet e tij. Ai ndërton konfigurimin polifonik, pjesë e të cilit është edhe ai vetë. Pjesë e skenës enonciative janë edhe thëniepërftuesit e tjerë, së bashku me bashkëfolësit a bashkëthënësit.

[17] Për të lehtësuar shpjegimin, po përdorim këtë term të ScaPoLine (Teoria Skandinave e Polifonisë Linguistike), ku nuk flitet për thëniepërftues, por për “zërat” ose më mirë pikëvështrimet të cilat u bashkëshoqërohen drejtpërdrejt qenieve diskursive, që janë kuptuar si imazhe të “personave” që popullojnë diskursin e krijuar nga folësi (Nolke, Flottum, Noren, 2004 :31-42).

[18] Kemi përdorur këtë term, “qenie zbuluese” (në frëngjisht être-au-monde), shprehje e përdorur në filozofi për të treguar, sipas Heidegger-it, një qenie të gjallë që zbulon botën.

[19] E në këtë mënyrë edhe hulli të hapura interpretimit. Le të kujtojmë pohimin se “vepra ka indentitet spekulativ : ajo është një, e vetme dhe e njëjta gjë, e njëherazi, gjithsesi, e ndryshme ; dhe ndaj ajo është e hapur në vijimësi për interpretime” (Deniau, 2015 :44).

[20] Sipas P. Laszlo-së (studiues që priret të vërejë dhe analizojë përdorimin e koncepteve shkencore në fushën e letërsisë), “sublimimi është kalimi i drejtpërdrejtë prej një trupi të ngurtë në gjendje të gaztë ; kur ai rivjen në gjendjen e ngurtë, mundet të shndërrohet në kristale, me forma të bukura dhe të kthjellëta”. Sipas tij, edhe pse termi i sublimimit ishte pranë atij të kristalizimit, “V. Hugo-i përdor, në pasazhe të Njeriu që qesh dhe Katedralja e Parisit terma të prejardhur prej sublimimit, për të cilësuar një kristalizim më të përzgjatur në kohë, më të përmbushur. Ai bëhet në thellësi : toka është mitër për këtë proces të ngadaltë, gati magjik, të shndërrimit të një substance të zakonshme – uji ose plumbi – në një gur të çmuar kristalin.” (Laszlos, 1991 :72-85).

[21] Kristalizimi është dukuri e kalimit të lëndës së gaztë ose të tretur në një lëng në një trup të ngurtë me forma të rregullta e dhe tejet të përcaktuara. Stendali e propozon këtë term (në librin e tij « Për dashurinë »), për të bërë të pranishme analogjinë me shndërrimin dhe lartësimin që pësojnë në sytë e të dashuruarit cilësitë e së dashurës. Është tejet domethënëse gjetja e Stendalit për të bërë analogjinë, ku bashkohet bota inorganike me atë të gjallë, bimore, madje edhe shtazore. Në kapitullin e dytë, “Për lindjen e dashurisë”, ai flet për kristalizimin. Sipas tij “kristalizimi” e ka burimin e tij në distancën me qenien e dashuruar dhe dyshimin mbi ndjenjat e saj : Ju largoheni, kristalizimi fillon. Ai bën analogjinë me degën e zhveshur që hedh në dimër në minierën e Salzburgut dhe mbulimin e saj me kristale brilantesh shndritëse pas 2-3 muajsh. Imazhi i Stendalit pasurohet gjithashtu prej vëzhgimit dimëror të pemëve të veshur nga ngrica : degët e tyre mbulohen prej një cipe akulli që e drejton ndriçimin në të gjitha anët… e më tej në këto raporte të sinergjisë së bimores me mineralen përfshihet edhe bota shtazore, me praninë në analogji të këmbëve të veshura me kokriza kristali të një zogu të vogël të quajtur mesange (shih Pierre Laszlos, 1991 :77).

[22]Ftesë në studio, Kadareja shkruan : […] laboratori i fshehtë i shkrimtarit është i padukshëm e i pashpjegueshëm gjer në fund. Atelienë  e tij shkrimtari e merr me vete në varr (Ftesë në studio, 1990, Onufri, 2005, faqe 138).

Exit mobile version