Kreu Letërsi Shënime mbi libra Tefë Topalli: Tre libra me letërsi ndryshe të Stefan Çapalikut – i...

Tefë Topalli: Tre libra me letërsi ndryshe të Stefan Çapalikut – i fundit, si recetë farmacie, në miniatura…

Larg qëllimit të sjellim këtu prodhimin e pasur letrar në poezi (tashmë të braktisur prej autorit), në prozë e dramatikë (pa harrur lëmin e studimeve estetike si pedagog i Arteve), na tërheq vëmendjen prej kohësh kjo krijimtari e veçantë e tij, pas viteve 2020, përmbledhur në formate tipografike aq të dallueshme në masën e librave Taschenbuch, të cilët manovrohen krejt bukur në këtë kohë globale të lëvizjeve dhe udhëtimeve të shpeshta..edhe mes sendeve vetjake të çantes së vogël sportive, apo edhe brenda një xhepi xhinsash…për lexim në trena Eurocity apo aeroporte, ku Çapalikut, herë me ftesa nominale dhe, më dendur, si përfaqësues i ri i shkrimtarëve të sotëm shqiptarë, i takon të bëhet pjesë e tubimeve letrare në qytete e kryeqytete europiane; këtu edhe në takime si autor i veprave të veta, të përkthyera në jo pak gjuhë korrente të kontinentit….

Edhe pse i referohen Shkodrës, dy librat antologjikë (si i quan autori) për vdekjen dhe jetën (sjellë në kontravers ngjyrash): i pari me ballinë të bardhë dhe tjetri, me të zezë, janë të parat në letërsinë tonë moderne, që përbëjnë letërsi ndryshe, me Hyrje të thukëta studimore, që na kujtojnë botimet e I. Calvino-s, si dhe me shkrimtarí që vetëm aty e gjemë: nga struktura, masa e rrëfimit, dialogu, personazhet, komikja dhe meënyra e shprehjes së saj; mbi të gjitha, tek antologjia e jetës, ai ka risjellë në jetë humoristët e njohur, të cilët ende nuk janë shuar ata që i njohin, T.Palushin e T.Banushin, B.Pepën dhe shkrimtarin e paharruar, Paulin Selimin….Njëherësh, këto dy botime janë edhe dy guida kulturore për qytetin e lashtë verior… Do të meritonin shkrime më vete këto dy antologji të spikatura, por këtu dëshirojmë të veçojmë përmbledhjen me titullin e çuditshëm “Darkave, nga nji mbas buke “- një sintagmë recete mjeku, që në letërsi vjen si përftesë stilemore me efekt humori, të cilën e piva jo me eks, siç thotë autori, por me disa shënime të merituara, sipas meje…Libri është shtruar në miniatura – një term i sjellë në letërsi prej artit të vizatimit, në përmasa të vogla, me finesë dhe efekt zbukurimi; edhe për modelim mjedisi a peizazhi. Për më gjatë, termi është përdorur edhe për të treguar artin e dokorimit të një libri, në dorëshkrim, nisur nga shek.XV, si dhe kur libri është në proces shtypi. Etimoni vjen nga lat. “miniare”, që do të thotë shkrim me të kuqe i shkronjave fillestare të një faqeje. “Minium-i”, në fakt, ishte një pigment i kuq në portokalli që shërbente për të nënvizuar këto karaktere të fillimit të shkrimit. Procesi njihej që në kohët antike, në Mesjetë, kur riprodhoheshin me shkrim tekstet në monastiret e mëdha (Scripteria, ku përgatiteshin pergamenet e ilustroheshin, para se të lidehshin.) Kështu është e hapur letërsia edhe për termin tjetër – nga arti i muzikës – etyde – kompozim muzikor didaskalik, i shkurtër, me të cilin sot, shkrimtarët japin modele shkrimi në skicografi etj. 

Ky libër na çon në mendje një botim të traditës letrare shkodrane, para Luftës së Dytë Botërore “Për nat kazanash”, të shkrimtarit e përkthyesit don Lazër Shantoja, tek pati mbledhur e botuar kasha e lasha (gjëza e gjëza) dhe proverba, pa harruarrrëfimet e shkurtëra anekdotike, nga ata që piqnin raki në kazana artizanalë, gjithë natën e natës, sepse ditën punonin dhe kështu kënaqeshin edhe në pije me miq e shokë: me shot’s, putira e me kadá (shishe gastare), por edhe kallëzonin gazmore nga jeta e ngjarje të personave rretherreth. (Këtu duhet të ketë lindur edhe thënia gaztore “Çka po qet kazani, po e pin Hasani”- e pra Hasani e kishte të ndaluar alkoolin!). Na kujton bleni i don L.Shantojës edhe rrëfimet me aq stil e mjeshtëri të shkrimtarit të ri të asaj kohe, Mitrush Kuteli, si b.f. “Fshati im e pi rakinë!…..

***

Përmbledhja më e re e shkrimtarit Çapaliku, përmban 30 rrëfenja – të gjitha me tituj njëfjalëshe, ndryshe prej tregimeve të kësaj gjinie, që mbajnë edhe tituj të gjatë: me sintagma, por edhe me fjali, për shembull, fabula e pjesës “Zotni Zefi”, mund të emërtohej edhe: Si u çoi njerëzve mallin e gjelit Z.Zefi, Gjeli butaforik i Z.Zefit etj. Njëzet e tri anekdota kanë një peshë teksti: deri në 3 faqe, kurse vetëm 7 të tjera, si: Internimi, Jani, Macet, Sheqerparja, Uka, Vespa dhe Z.Zefi, kapen në 4 faqe, ose deri në 5 të këtij formati libri, duke mos qenë më të mirat e vëllimit, për shkak të numrit. Në këto kallëzime tërheqëse, për t’u lexuar me një frymë, siç quhet receptimi i shpejtë i një vepre letrare, ndiejmë se është rasti i rrallë ku mund të qëndrojnë pranë e pranë elemente të gjuhës së folur dhe ato të gjuhës së shkruar, të kultivuar nga autori, sidomos në përzgjedhje leksikore dhe atruktura të rregullta tekstore. Lloje të tilla letrare prodhojnë, në mënyrë të veçantë kur ngjasin kapërcime cilësore të shoqërisë, shprishje të kufijve klasorë, mbi bazën e hierarkisë dhe ndarjes së kamjes, kur ajo është shndërruar në të kundërtën e saj: në skamje! Po shndërrimi ka arritur deri tek emrat e njerëzve (antroponimet), një fushë ku autori gjen rastin të bëjë lojën e fjalëve “Liri-a” – vajza librashitëse e njohur në të gjithë qytetin, me sy të  mëdhenj dhe bojëqielli – me mbiemrin  f. “Líbera”, të cilin ia shqiptoi më së pari i dashtuni i saj, duke e zgjatur jo pa vështirësi theksin mbi rrokjen e parë të kësaj fjale paraoksitone, kur u lidh me të ! Ajo, jo vetëm e deshi fort këtë emër, por këmbënguli ta quanin ashtu sa më shpejt, sikur u bë më moderne! Më e shkathët, edhe në përpjekjen për të ruajtur atributin e librashitëses në një hapësirë me qira, kur lokalit ish-shtetëror i doli pronari i vërtetë, që e ktheu në mëngjesore! Dy gjëma të rënda e gjetën Líbera-n: i dashuri largohet për në Itali dhe nuk po jepte shenja se do të kthehej dhe, më e trishtuara: librat në qytet po shiteshin përditë e ma pak ! Vetëm një miniaturë me dy emra të së njëjtës rrënjë prejardhjeje “Liri – Libera”, i është dashur autorit të sjellë në këtë vogëlimë rrëfenje dukurinë e transpozimit gjuhësor, kur diçka e respektuar në një kohë, vjen e paraqitet si mediokre dhe e ulët. (H.Bergson, f. 76.) Kjo sjell përjetimin që na bën të qeshim tek vajza Liri, sapo ajo vjen e pëlqen edhe së brendshmi emrin e ri Líbera!

***

Çelësi i pohimit tonë se letërsi si kjo e këtyre librave fitojnë të drejtën që dy modelet e gjuhës së shkruar e të folur bëhen të pranishme, del në zhargonin aq të përdorur kur rrëfejmë diçka: ngatërrojmë rendin e ngjarjeve dhe na duhet të ndihmojmë dëgjuesin (destinatarin), duke prekur, mbase, edhe kokën me gishtin tregues (!), njëherësh me fjalinë “Se harrova t’ju them…! – është një lloj faljeje, edhe me gjuhën kinezike, se duhet shtuar diçka për të siguruar lidhjen narrative, nëpërmjet kësaj fjalie pa sintaksë, për shkak të një strukture pa prani – prandaj dhe duhet kaluar në një segment Flashbach-u, ose tërhequr vëmendja, si emetues, se po bëj një rimarrje, një diçka që kaloi pa u thënë….Këto trajta të gjuhës së folur, si, b.f.: Shtat e hije – mend asnjë fije; apo tjetra: arabo-turke…persiane

Sa marshallah – budallah, janë njësi shprehëse në rrafsh fjalie, pa pasur as Subjekt, dhe as Predikat!  Kjo përzierje me vend e dy varianteve të të gjitha gjuhëve natyrore, lejon dhe kërkon të vëmë në gojë të krijuesit apo personazheve gjithnduer shpehjesh, si: diell ngrohatar marsi, nuk luen shpije (për “nuk del prej shtëpie”), mos o Zot, gurit e drunit, bante be e rrufe, ishte nji hashari i tmerrshëm, kishte rrëkllye disa gota, qe ba brryl, ia ka dalë të jetë selektiv, Bib Brushtulli i gjatë sa nji dajak, e po të krijohet nji pauzë, e të asht futë rryeshëm në rrëfyestore, Mana Zotit pra, më pëlqen vrulli e uk e duroj të avashtit, ishte nji tavë korani: me lanë thojtë, ndiesia më zapton krejt, isha rritë si shtogu në pleh, kjo nuk hahet prej s’amlit (aq e pëlqyeshme diçka), u shkapa aso katundit, dukeshin drimhumbuna, kund mbas katër-pesë orëve gjumë, u gjend rehat brenda emnit të ri, i ftohti më ra turijve, të ftohiti më ra si sëpatë ballit, kishte një kokë frikmënisht sferike, nisi të ndjehej si fluger (nga ta çojë era), ta jepnin baçen në dorë (prodhimet e baçes), kur ta ketë zogun e qejfit, ngrehina të qejfit burrnor (mejhanet), trashigimta i dejë i mejhanxhijve të qytetit, jua piftë dreqi n’bark, në 12 të natës iu këput kryet mbi tavolinë, e hollë e e thatë si saragë Shiroke, u gëzova shumë sa u bana fëmijë, në mirakandje me njani-tjetrin, bollëku i kohës s’Italisë, s’ka burrë nane qi t’nxjerr prej klubit, kruejti zanin e bani se po kollet, u shtye fort në pje, iu rrëfye rojës si te prifti, rritë jetim kishte pasë guidë nanën, muhabet korr e mos lidh, nji kafe elbi e pinte si kalë, shihej diçka prej fëmije mbrenda tij, në kokërr të gjumit, tesh e mbrapa, iu lëshur me bërryl, vajzë e vajzuke, durova si breshka, ai kishte dalë partizan në mal – kurse baba me bagëti po në atë mal, e lashë axhën Ndoc ashtu lëmuç për tokë, Zoti ndan nafakët për ditë, sakristian me sytë kapuç (i pagjumë), të realizoja planin tem me se s’ban, etj.etj.    

Së dyti, këta tregues të idiomës së folur hyjnë hareshëm dhe pa qortim brenda rrëfimit të autorit, madje së bashku edhe me thyerjet normative, pasi, në kallëzime të tilla, ashtu vjen gjuha: natyrshëm dhe pa vëmendjen të zgjedhim shprehësi të tjera e as të priremi drejt standardizimit; kështu le të lexojmë me ëndje edhe devijancat gjuhësore: abuzimin me lidhëzën “mbasiqë” përgjatë tekstit – krahas përdorimit të bukur të adverbit “atbotë”, apo një shkalle të veçantë mbiemërore  dhe ndajfoljore, si: “bukur e gjatë” , “bukur mirë”; gjejmë pranë e pranë në rrëfimet qytetase shkodrane trajta anormative: duke kapërcye, për me ra, si të qe (si të ishte), na jena të lumtun, me shkue e me marrë nusen, mundohemi me lexue diçka, i kan mbarue të tana përrallat, vazhdon me besue, fashti jonë, tesh hamë kubla nesër, ajo i tha të gjithëve se i gatuva shpejt e shpejt, Qenka pas dashtë me e ba ma parë muhabet me nanën, etj., ku mund të gjejmë edhe përpjekje për të sjellë sinonime letrare, si te fjalia “Disa koka priftërinjsh i rrijshin mbi krye…” (f.85)Shkurt, lexuesi do të shijojë si e përdornin gjuhën: pijetarët e kafe “Moskës” në qendër të Shkodrës: shokët më të ngushtë të Simonit dhe vetë ai, kur e veshin me veladon dhe nuk mbërrin me njohë vedin; lexuesi bëhet kurioz dhe kërkon të njihet me mosmarrëveshjen që shkakton gjuha amtare mes të huajve kur qoftë edhe një fjalë harrohet pa u përkthye (Sheqerparja);çfarë qëndrimi mbajmë kur, papritmas na ritkthehet  në jetën tonë një person i largët në kohë: Pra, ishte e qartë: dikush duhej heqë nga lista…! (f.95); çfarë po ndodh në ditët tona me ata…që shkruajnë libra! (f.98); ç’trishtim përcjell autori ynë kur merr e kallëzon barceletën e atij që shkoi te biblioteka e burgut për të kërkue nji libër dhe në vend të librit gjeti aty autorin (f. 89); çfarë nuk presim në jetë nga vesi i pijeve (f.104); të kuptojë lexuesi edhe shprehjet apo thëniet bigame(f. 113); si epilogu i rrëfimit miniaturë Qamili, vjen e mbyllet me një farë haiku japonez (f. 79); çfarë ngjet kur pasioni për një lojë kalon kufijtë normalë (f.75); sa duhet të përkulemi para kulturës së të huajve (f.40), se çfarë është koha e të pamerituarve që sollën shndërrimet shoqërore e politkike në vendin tonë (46), etj.etj.

E treta, ata që e njohin shkrimtarinë e S.Çapalikut, kanë dalluar prej kohësh një dozë humori dhe ironie në mjaft linja krijimtarie, qoftë edhe në romanet më serioze si “Një engjëll veshë me frak”, i cili del në ballë, ndoshta, si vepra më e arrirë e autorit deri më sot: në strukturë, gjuhë dhe karaktere. Në këto miniatura humori, ose e qeshura, si do të na këshillonte esteti ynë – autori i nga një hapave mbas buke – është shtrirë si kripa që përhapet brenda një gjelle në dietë; jo me sentenca morale në fund, si janë klishetë e fabulistëve të mëdhenj nga Esopi, Fedri, La Fonteni apo Krillovi, por na vjen e shpërndarë si në tregimet e famshme popullore të vëllezërve Grimm (Kinder und Hausmärchen). Çapaliku i vë kapak miniaturës për Ylljetin me fjalët e sanitares Kadrije: “Mbylle pianën tashti. Mos i bjer ma, se iku drejtori…” (f.113), çka konteskti fare pak na ndihmon të orientohemi për domethënien a po aludimin…Dhe lexuesi gjen mbështetje vetëm tek H.Bergson që shkruan për kësi rastesh: “Përftohet një efekt komik atëherë kur hiqemi sikur kuptojmë një shprehje tekstualisht, ndërkohë që ajo është përdorur në kuptim të figurshëm. Për ta thënë ndryshe, sipas tij, sapo vëmendja jonë përqëndrohet mbi materialitetin e një metafore, ideja e shprehur shndërrohet në komike.”  (H.Bergson, E qeshura, T, 2015, f. 72).

Shumë gjëra të mëdha mund të gjenden në miniatura, por le të mjaftohemi me porosinë miqësore që, po të keni marrë biletë udhëtimi me Eurocity, Adria Ferries, Croceira, Wizz Air…apo disa ditë pushime në plazhin e Shën Gjinit, merrni me vete edhe librin e këndshëm që përshkruam më sipër.

Tiranë, 24 maj 2023

Exit mobile version