Kreu Letërsi Shënime mbi libra Somer Shahade: Njeriu i krijuar nga burgu (Besnik Mustafaj në arabisht)

Somer Shahade: Njeriu i krijuar nga burgu (Besnik Mustafaj në arabisht)

Errësira sundon jashtë hekurave.

Lexuesi zbulon se burgu, që duket si vend në romanin “Një sagë e vogël burgu”, i shqiptarit Besnik Mustafaj, nuk është thjesht një vend. Romani, i botuar nga shtëpia botuese jordaneze “Al -Aan”, me shpërndarje në mbarë botën arabe, përkthyer nga origjinali shqip prej Ibrahim Fadlullah, trajton ndryshimet e thella psikologjike, që shkakton burgu mbi të burgosurit, gardianin dhe familjet e tyre.

Romani ndahet në tre libra. Secili prej tyre tregon një aspekt nga jeta në burg. Romani zbulon botën e errët të burgut dhe, nëpërmjet zbërthimit të padrejtësive, bëhet edhe zbërthimi i njeriut, që ka krijuar burgu, në vend që të dalë andej një njeri i ri dhe i shëruar. Romani nuk del jasht realitetit të egër dhe po kështu atij nuk i mungon shpresa dhe optimizmi.

Në librin e parë: Bardhyli Huta rrëfen historinë e babait të tij, Omer Huta. Është një tregim, që ai e ka të lidhur me gjyshin, Oso Hutën, me kontradiktat midis të vërtetës së dukshme dhe të asaj, që është e fshehur. Gjyshi, gjatë regjimit mbretëror, kishte qenë i dënuar politik. Omeri u rrit në dy periudha të ndryshme: njëra shkon deri në moshën dymbëdhjetë vjeçare. Kjo është një etapë, ku fatntazia e tij krijon përfytyrimin për atë baba kreshnik, i cili ka në gjoks një zemër prej dragoi; të babait, me heroizmat dhe trimëritë e të cilit lavdërohen të tjerët. Ai është një burrë që i kundërvihet shtetit, megjithëse i vockël në krahasim me shtetin e fuqishëm. Ky përfytyrim për babanë kreshnik dhe të ndryshëm sa vjen e rritet në fantazinë e fëmijës, si një formë kompensimi për mungesën e babait. Në krahasim me fëmijët e tjerë, që jetonin nën kujdesin dhe mbrojtjen e baballarëve të tyre, Omeri kishte një baba ndryshe. Ky ndryshim krijon krenarinë e fëmijës, megjithëse është i detyruar të jetojë si të ishte një bonjak. Kur Omeri mësoi se babai i tij ishte në burg, iu ndez fantazia dhe vendosi që burgu të bëhet edhe fati i tij.

Burgu nuk është vetëm katër mure, por edhe ëndërrime e mendime.

Por një ngjarje rutinë do ta shkatërronte fëmijën. Kur, bashkë me nënën, vizitoi në burg, babain e tij, Oso Hutën, në moshën dymbëdhjetë vjeçare, ai zbuloi re se i ati s’ishte siç e kishte përfytyruar, por një burrë i dobët dhe i pafuqishëm, i poshtëruar deri në thellësi të shpirtit. Osoja qan dhe përqafon djalin e tij, Omerin, i cili, nga ana e vet, ndjen neveri për babanë e tij të drobitur. I shpërthejnë lotët dhe ikën prej tij, për të paralajmëruar, vite më vonë, djalin e tij, Bardhylin se, nëse do binte në burg, ai nuk do shkonte ta shihte atje.

Siç vepron fantazia në jetën e fëmijës, po kështu vepron ajo edhe tek i burgosurit, i cili, në librin e dytë të romanit, është vet Bardhyli. Ai ra në burgun shqiptar pasi vendi u bë Republikë Popullore Socialiste. Bardhyli rikthen jetën e gjyshit të vet pas gjashtëdhjetë vjetëve. Pas njëmbëdhjetë muajsh brenda në burg, ai ka drojë të takojë gruan e tij, Lindën. Fantazia e tij seksuale përflaket kur mendon për një takim me gruan e tij të ligjshme. Por dy paralajmërime: njëri prej shokut të tij në burg, që sheh se ai po shkon në takimin e premtuar dhe i thotë:” O i gëzuar! Mos u gëzo”! dhe tjetri, që i erdhi nga gardiani, i cili i tha: ”Mbaje gozhdë në tru”, ia vranë fantazinë.

Ëndrrat poetike të të burgosurit shndërrohen kështu në një lloj holuçinacioni, që vërshon gjatë gjithë kohës së takimit me gruan e tij. Ai torturohet nga dyshimi se, bashkë me ta, nëpërmjet mikrofonëve të përgjimit, në dhomën e posaçme të takimeve intime brenda burgut, të jetë i pranishëm, është edhe polici, bartësi i uniformës ushtarake, gjë që e pengon të sillet normalisht me gruan e tij. Plus frikëra të tjera, që vërshonin me ngulm në trurin e tij, si ajo për Lindën, humbja e besimit në vetvete si dhe ajo miza, që i gumëzhinte vazhdimisht ne vrimën e veshit. Të gjitha këto e shpartalluan afrimin e Bardhylit me gruan. Gjatë përçartjeve dhe rrethanave të tij pasqyrohet sa e madhe është dhuna, që aplikon shteti  kundër armiqve të vet. Kjo e bën Bardhylin të mendojë se ajo dhomë takimesh ishte përgatitur për takimin e babait me gjyshin e tij dhe për takimin e atij vet me gruan e tij. Por ajo tashmë ua kalon pajisjeve të tortures në burg. Kjo, sepse i burgosuri e kupton dhimbjen që e ka pllakosur, duke shkatërruar, në mënyrë të pandreqshme, përfytyrimin e vjetër për të dashurit e tij.

Në librin e tretë të romanit “Një sagë e vogël burgu” ngjarjet  zhvillohet jashtë tij. Për lexuesin bëhet e qartë se i gjithë romani shtjellohet rreth detyrës dhe përgjegjësisë. Shkrimtari tregon historinë e tre shembujve, që e japin këtë preambulë para botës. Kjo, sepse pas largimit të italianëve dhe në pritje të pushtimit të Shqipërisë nga gjermanët, organet e shtetit ishin inekzistente. Por si gazetari, si gardiani dhe ushtaraku i dalë në pension mbeten besnik të përgjegjësive të tyre. Secili prej të treve është shembull i njeriut, të cilin e burgosin përgjegjësitë e tij. Burgu nuk është vetëm në kështjellë, por edhe në veprimet, që njerëzit kryejnë gjatë jetës së tyre.

Shpërbërja e eksperiencës së burgut nuk do të thotë se njeriu del prej tij i shëruar.

Linda tregon historinë e gjyshit të saj, Hiqmet Hidit, me qëllim që të kuptojë kompleksin e nënës së saj për burgun, pasi ajo refuzoi martesën e vajzës së saj me Bardhylin. Ajo deshi ta martojë atë në një vend, ku s’kishte burg politik. Linda arrin tek historia e gjyshit: në kohën, kur italianët largohen, të burgosurit ikin nga kalaja-burg, duke marrë me vete gardianët, me qëllim që t’i ndëshkonin për keqtrajtimin, që u kishin bërë. Por ata e lënë Hiqmet Hidin të lirë, sepse ai kishte qenë i mëshirshëm me ta. Në pritje të udhëheqësve të rinj të Shqipërisë, gardiani Hidi mbledh gurë dhe i vendos nëpër biruca. Për këtë ai konsiderohet i çmendur, që bën me turp gruan dhe vajzën e tij, nënën e Lindës. Kjo pas një thashethemi, sipas të cilit, ai do i arrestonte të dyja ato për të bërë një burg të vërtetë me njerëz të burgosur.

Në roman jepen shumë përshkrime rreth çasteve të fundit të Hiqmet Hidit në burg, para se t’i dorëzohej vendimi. Në vend të dhunës shtetërore, romani zbulon një lloj tjetër dhune: dhunën e njerëzve. Në pjesën e fundit  jepet historia e  një gazetari pa gazetë,  e një luftëtari pa ushtri dhe e një gardiani të mbetur pa burg. Në këto shembuj, që jetojnë me një punë në boshllëk, rrjedh shakaja e njerëzve, pas të cilës fshihet poshtërsia e tyre. Në pritje të ardhjes së gjermanëve, përballë egërsisë së njerëzve dhe dhunës së tyre, që vijnë si pasojë e përvojave të këqija lidhur me aparatin shtetëror, mbeten pikëpyetjet e të çmendurit për përfundimin e diktaturës.

Nga errësira e burgut, vend i mbyllur, i cili përbën një laborator të pasur për çdo shkrimtar, Besnik Mustafaj transmeton pikëpyetjet për burgun, në mes të mureve të kalasë, tek të gjithë llojet e tjerë të burgjeve, duke filluar nga përfytyrimet e personazheve për veten e tyre dhe për të tjerët e duke përfunduar tek përfytyrimet e ndryshme rreth burgut, që kanë të tjerët në mejdisin shoqëror, si dhe për arbitraritetin e tyre në fatin e personit. Ndërsa terrina e egër e burgut e merr errësirën e saj nga lidhjet që ka me mendimin dhe nga shkatërrimi që i bën presioni nga brenda.


Somer Shahade, i lindur në Latakije, qytet kryesor në bregdetin sirian, më 1989, vlerësohet si njëri nga shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë së sotme arabe. Ai bëri emër qysh me romanin e  parë “Fushat e  misrit” (2016) për të cilin mori Çmimin El-Tajib Saleh në Hartum. Me romanin e dytë “Ndarje”(2019) mori Çmimin Nagib Mahfuz në Kajro.

Artikulli u përkthye në shqip nga Sulejman Tomçini.

Exit mobile version