Kreu Letërsi Shënime mbi libra Sokol Zekaj: Një ngjarje e vogël, e çuditshme, me një libër për...

Sokol Zekaj: Një ngjarje e vogël, e çuditshme, me një libër për Ndre Mjedën

Ky shkrim i përket vitit 2015, ndërsa vetë “ngjarja” është më e hershme. Atëherë mungonte një botim dinjitoz i veprës poetike të Ndre Mjedjes, ndryshe nga poetët tjerë të traditës të cilët qenë kështu të botuar. Sot ky botim, edhe për Mjedjen, nuk mungon.

Vonë e kam marrë në dorë veprën poetike të Ndre Mjedjes, me synimin për të shkruar për të. Kjo ka ndodhë në verën e vitit 2012, ndonëse si lexues i poezisë, më duket se gjithmonë jam ndjerë para tij, si fëmija para prindit. Më 30 korrik eseja u botua te Shekulli, me titullin “Njëqind vjet: Andrra e jetës”, dhe më dha kontakte dhe vlerësime. Synimi im ishte modest: për të dhënë lidhjet e mia me këtë poezi, gjë të cilën e kisha përmendur më parë në parathënien e vëllimit tim poetik “Mollët”, botuar më 2009 nga Botimet “Camaj-Pipa” në Shkodër. Mes atyre që më uruan, qe edhe botuesi i respektuar i këtij libri dhe i disa librave tjerë të mi, profesori Hasan Lekaj, shumë i njohur në ambjentin letrar të Shkodrës, një dashamirës pasionant i poetit.

Në fakt ky shkrim, ishte një variant i shkurtër për një gazetë ditore, i asaj çfarë synoja. Por ndihesha mangët. Sa më shumë po lexoja e rilexoja, aq më e madhe më bëhej mungesa. Por çfarë kërkoja? Ato që nuk i gjeja. Por çfarë nuk gjeja? Ato që nuk i dija. Ne na duhet të njihemi me gjërat, jo për t’i renditur ato, por për të zbuluar lidhjet mes tyre, sistemin e fuknksionimit të tyre, të ngritjes së të vërtetave të atëhershme, në nivelin e shikimit tonë të sotëm. Nuk them se ky nivel është ma i lartë a ma i ulët, por se është një nivel që i përket kësaj kohe.

Sa e çuditshme! Të gjithë poetët e shquar të traditës, i kemi në botime të mira, veç Mjedja jo! Thonë se Kisha nga ana e vet, ka treguar përkujdesjen që i takon, në rregull, por për poezinë, gjërat nuk kanë lëvizë asgjë. Poezitë mund t’ia gjesh veç në disa fashikuj të lirë trotuareve.

Mjedja është një poet i vlerësuar në të gjitha kohët por jo i përkëdhelur, dhe jo pa probleme. “Juvenilja”e tij u botua më 1917. Në një botim të vitit 1973, kur ishte më këmbë diktatura, një autor i njohur i kohës, shkruan kështu në librin e tij: “… poema “Andrra e jetës” është në vijë direkte pesimiste, në përputhje të plotë me predikimin fetar të durimit e nënshtrimit ndaj vrazhdësisë së jetës… Vetë fakti që shkrimtari nuk vë në dukje faktorët shoqërorë dhe politikë…” etj, etj. Vini re mes gjërave tjera stignatizuese, edhe se autori e quan Mjedjen “shkrimtar”, dhe nuk gjen arsye për ta quajtur “poet”, ashtu siç është në fakt! Pas këtyre fjalëve njeriu beson se atëherë mund të priteshin shumë gjëra.

Por duhet thënë se ky zë, megjithëse jo i parëndësishëm në situatat që kaloheshin, nuk ka arritur ta mbizotërojë mendimin e përgjithshëm, as në atë kohë dhe as më pas. Mund të themi se më i qëndrueshëm mbeti mendimi i Gjergj Fishtës, i shprehur më 1921 se “…kjo vepër ka me kenë doemosdo e nevojshme me u përdorë si tekst ndër shkolla të Shqypnis”. Dhe, vërtet u përdor në shkolla. Ky fakt flet për vlerat e saj.

Befas një shënim që e shihja jo për herë të parë, atë ditë m’u duk si një zbulim. Kështu, ndodh që gjëra me të cilat, në fakt, jemi ndeshur, në një situatë të re, na shfaqen me një shkëlqim të papritur, verbues, a si një kontakt elektrik: ekzistonte një libër i Mark Gurakuqit për Mjedjen! Por Mark Gurakuqi është ndarë nga jeta në moshë relativisht të re, shumë dekada më parë. Kur kam qenë në gjimnaz, e kam takuar. Pati ardhur tek ne bashkë me dy shkrimtarë tjerë me rastin e Muajit të Letërsisë, nëse nuk gaboj, në maj. E pra, ky ishte libri i duhur dhe  i domosdoshëm. Një libër i gjithë për Mjedjen! Mu zgjua një dëshirë e papërmbajtur për ta pasur. Besoja në profesionalizmin e këtij autori, pasi kisha parë parathënien që i ka bërë Juvenilias në botimin e vitit 1964.

M’u kujtua një librari e vogël si një shtëpi kukullash, që mban kryesisht libra të vjetër. Nuk isha vonë, ora sapo kish kaluar dymbëdhjetën. Por, a mund të gjendej një libër i botuar tridhjetë vjet më parë, kur ka plot libra të botuar asaj kohe, por edhe më vonë, a edhe, po them, para një viti, që i kam kërkuar dhe i kërkoj ngado se dua t’i kem, por më kot. Dhe tash më vete mendja te një libër i kahershëm, dhe them po e marr sikur po shkoj te dhoma tjetër dhe po tërheq një libër që e di se e kam! Nga ana tjetër, ishte gusht, kohë pushimesh, dhe ndoshta është e mbyllur. Ndërsa në këto ditë, temperatura e ditës rëndom shkon 38 deri në 40 gradë. Këto janë pikërisht, ditët e djegagurit, siç quhen në disa zona të vendit, një fjalë që merr kuptim të vërtetë, të ashpër në qytetet e ngjeshura me beton dhe të zhveshura nga gjelbërimi.

Rruga e Dibrës, nga kryqëzimi me rrugën Bardhyl, deri te kryqëzimi me rrugën e Barrikadave, rridhte nxehtësi. Për të ndjekur hijen, duhej ecur në të majtë buzë mureve, më shumë të ulta se të larta, e diku buzë banesave përdhese, me oborret e vogla me lule. Në një banesë modeste, mbase si njëra nga këto banesa shqiptare, ka kaluar fëmijërinë Ndre Mjedja. I ati i pat lënë të vegjël, atë dhe të vëllanë, Lazrin. I rriti e ëma duke punuar si rrobalarëse dhe shërbyese, thotë Mark Gurakuqi në parathënien e Juvenilias.

Në moshën 13 vjeçare nis udhën e studimeve jashtë vendit, duke filluar me Spanjën, më pas Kroaci, Itali, Poloni si student dhe si pedagog e profesor, deri në vitin 1898, vit kur do të kthehet në Shqipëri, duke i refuzuar ofertat tjera mbasi zemra i rrihte gjithnjë për vend të vet. Pothuaj njëzet vjet në shkolla dhe universitete. Zotëroi shumë mirë latinishten, greqishten e vjetër, italishten, frëngjishten, gjermanishten, spanjishten, polonishten dhe serbokroatishten. Nga poemat marrim vesh se në gjithë këto vite, dhimbja e madhe e tij ka qenë nëna.

 Nuk kalon nji natë e n’andërr

porsi zhgjandërr

e shoh nanën ktu për bri…

-shkruan poeti te I tretuni.

Sa ishte i ri ndër studime, kishte shpresë se do ta bënte të lumtur nënën e vet, por vitet kalonin dhe shpresa zbehej, e ndoshta u shua, se gjasat janë që ai nuk arriti ta bënte të lumtur askurrë. Por, cili poet ia ka arritur kësaj? A mos, shkodrani tjetër Frederik Rreshpja? Gjithsesi porosia për Mjedjen kish qenë:

Nji nanë tjetër thoshe ke

bir n’kët’ dhé

nana jote a Shqyptaria.

Mend e zemër për të shkriji

e përtriji

nam e lavd kur t’i vij’ dita.

Mbas fjal’sh tua përherë shkova

e t’ndigjova

Shqyptarinë nuk e korita.

Sigurisht se poezia e këtij poeti është e denjë për t’i edukuar brezat shqiptar, sot e më vonë.

Në atë vapë fërgëlluese, hapësira te rruga e Barrikadave ngjante, edhe më shumë e zhveshur nga detajet, nga sa është. Mbaj mend, në këtë kënd të rrugës, ka qenë një librari e madhe, por ka vite ndërruar.

Ah! Ja! Nga larg, kundruall, pashë se libraria e vogël qe hapur. Mirë, hapur. Ndoshta, nuk është se jam gëzuar. Shqetësimi lë pak vend për ndjenjat tjera pasi është refuzues në vetvete. Kam ecur. U përshëndetëm me librarin por nuk i thashë se çfarë kërkoja. Nuk desha ta dëgjoja atë fjalën, të më thoshte në çast, “nuk është”. Kalova një hapësirë të ngushtë që e gjeta, dhe hyra brenda si njeriu i patakt. Hodha vetë një vështrim, dhe u afrova në krah. Libra në radhë. Libra përballë. Libra mbi libra. Eh! Pak hapësirë, shumë libra! Libraria ësht si një tempull. Ti hyn dhe mediton, ndërsa sheh. Shpesh librarët nuk e dinë, ata thjesht shesin. Megjithatë unë isha në kërkim të diçkaje.

Në vështrimin e parë, syri s’po më kapte asgjë. U gjenda si në një kabinë me aparate të palexueshme ku shkrimet veç rrotullohen. Por kjo kuptohet. Duhet kërkuar me vëmendje. Njeriu shpreson. Vlera e të shpresuarit, nuk qëndron në vetë arritjen e qëllimit, por në mbajtjen në këmbë të përpjekjeve për të arritur qëllimin. Ah! Po. Si fillim, lart, dy radhë librash, të vënë stivë, një mbi një, ashtu siç i vëmë në tryezë kur kemi shumë libra. Mirë, të filloj këtu, te këta që nuk duken. Ngrita dorën lart, lart mbi kokën time, te njëra nga ato, stivat, dhe me majat e gishtave tërhoqa librin e parë, të parin nga të padukshmit, dhe më mbetën sytë: Mark Gurakuqi – Mbi veprën poetike të Mjedës. Mister! Ishte vetë libri që kërkoja! I botuar tridhjetë vjet më parë! Mbas kaq shumë vitesh lexim  dhe komunikim me poetin, pothuaj një jetë njeriu, kjo thirrje, ky za i pashmagshëm! Mbase edhe ky është një nga rastet, ndonëse të thjeshta, veç shënuese si mbresë që më kujton atë shprehjen latine, “Finis coronat opus” (Fundi kurorëzon veprën), them.

2015

Exit mobile version