Kreu In memoriam Skënder Gjinushi: Kadareja qe korifeu i përkatësisë europiane të popullit shqiptar

Skënder Gjinushi: Kadareja qe korifeu i përkatësisë europiane të popullit shqiptar

Në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit të madh dhe akademikut Ismail Kadare, Akademia e Shkencave dhe Kuvendi i Shqipërisë, më 1 korrik 2025, mbajtën veprimtarinë përkujtimore në nderim të tij.

Si sot, një vit më parë, i dhamë lamtumirën në emër të Asamblesë së Akademisë së Shkencave, të tërë botës akademike shqiptare, anëtarit të saj të nderuar për 35 vjet me radhë, gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadare; kryeakademikut, për nga vlera e jehona e veprës së tij, e mirënjohur e vlerësuar ndërkombëtarisht.

Humbja fizike e Kadaresë është pa dyshim humbja më e madhe e letërsisë sonë; është një humbje shumë e madhe e kulturës dhe letërsisë europiane e botërore, e akademizmit shqiptar e atij europian.

Vepra e Kadaresë i ka kaluar me kohë kufijtë e Shqipërisë e të botës shqiptare, dhe bën pjesë në patrimuanin e letërsisë botërore.

Kadareja do të lexohet e vlerësohet në vazhdimësi, pasi mesazhet e veprës së tij, stili e forca e fjalës dhe mendimit e bëjnë veprën e tij aktuale, tërheqëse dhe emancipuese për të gjitha kohërat.

Kadareja shkroi nën diktaturë, por vepra e tij përkthehet, lexohet e vlerësohet njëlloj nga lexuesit në të gjithë botën, pavarësisht cilës kulturë apo cilit sistem politik i përkasin. Ajo vazhdon të vlerësohet me çmimet më të larta, duke fituar garën edhe me homologët e tij, me letërsinë dhe veprat e shkruara në demokraci; duke treguar se vlera e krijimtarisë letrare çmohet me sa ajo nxit emancipimin e shoqërisë, lirinë e lexuesit, e jo nga sa ka kushtëzuar lirinë fizike të shkrimtarit; çmohet kur ajo e bën mendjen e lirë të shkrimtarit pjesë të zgjimit të madh të popujve që rrëzuan “perden e hekurt”, si do ta çmonte Presidenti i Francës kontributin e Kadaresë.

Fjalën e fundit e thotë lexuesi, dhe lexuesit e Kadaresë, të shtrirë tashmë në tërë botën e në të gjitha gjuhët, vijnë vetëm duke u shtuar; dhe e tillë do të jetë vepra e Kadaresë për dhjetëvjeçarë me radhë, krahas veprave të pavdekshme të letërsisë botërore, që nuk njohin epokë, por bëjnë epokë.

Ne do t’i jemi gjithnjë mirënjohës për gjithçka i la trashëgim popullit shqiptar me krijimtarinë e tij, por veçanërisht edhe për kontributin e dimensionin e tij si akademik.

Kadareja është hulumtuesi, zhvilluesi e mbrojtësi më i zjarrtë e më me influencë i gjuhës shqipe, i origjinës e lashtësisë së saj, i vlerave e pasurisë së saj. Gjuha shqipe, si një gjuhë që arriti të shfaqë talentin e gjenialitetin e Kadaresë në tërë larmishmërinë e thellësinë e tyre, renditet tashmë në gjuhët e mëdha të një populli të vogël.

Kontributi i tij si lëvrues i gjuhës është po aq i çmuar sa ai i Çabejt e i plejadës së tij, si studiues të saj.

Kadareja qe korifeu i përkatësisë europiane të popullit shqiptar, të vlerave e karakteristikave të kulturës së tij ndër shekuj, të origjinës e lashtësisë së tij ilire e parailire, të zgjedhjes së tij perëndimore që në periudhën e mesjetës.

Kadareja ishte një busull e përcaktimit europian të Shqipërisë, avokati më me influencë i pranimit të Shqipërisë në familjen europiane, i mbështetjes së zgjidhjes së çështjes së Kosovës e pavarësimit të saj.

Kadareja është tashmë një figurë identitare e popullit shqiptar, krahas figurave të tilla si Skënderbeu, Ismail Qemali, Nënë Tereza, e si i tillë do të zërë vend në enciklopedinë shqiptare e kujtesën e popullit shqiptar, kudo që ndodhet.

Akademia e Shkencave ka pasur privilegjin ta kishte anëtar të saj për 35 vjet me radhë, çka çdo anëtar i saj e quan një nder të veçantë dhe i është mirënjohës për mbështetjen e peshën që i ka dhënë Akademisë e botës akademike shqiptare në tërësi. Emri i Kadaresë i jep një shkëlqim të veçantë Librit të Artë të Albanologjisë të Akademisë së Shkencave, të cilin ai vetë e cilësonte si: “amza e më të shquarve në studimet shqiptare, që prej themelimit të saj deri më sot… kodiku i nderit i atyre që e kthyen shkencën për shqiptarët nga ekzotike në paradigmatike, pa të cilën nuk bëjnë dot studimet ballkanistike, europiane dhe indoeuropiane”. Cilësime, të cilave vepra e emri i Kadarese u jep edhe më kuptim.

Ne sot kujtojmë me hidhërim këtë humbje të madhe, për largimin nga jeta të anëtarit e kolegut tonë, për humbjen e ikonës së inteligjencës e kulturës shqiptare, por dhe me krenari e mirënjohje për veprën e Kadaresë, vepër e cila do të ruhet si një nga thesaret e kulturës sonë e të shkencave albanologjike, do t’u përcillet brezave si një testament qytetërimi e identiteti, si një pasuri e vyer kombëtare.

Exit mobile version