“Unë jam e bazuar mbi persona të vërtetë”
–Kristina Lugn
Në vjeshtën 1989, po pastroja tavolinat si kamarier diku në jug të Suedisë, kur në ekran të madh të restorantit shfaqet një grua jashtë konteksti. Më kujtohet që reagova, pse ajo dallonte nga figurat e tjera në tv. Leshkuqe e pakrehur, me sy të enjtur, me një veshje eklektike dhe një të folme të ngathët, me fjalë që i dilnin ngadalë si rob lufte, e me një shikim të hutuar që sikur kërkonte shpëtim diku në tavan, a ende më lart. Shihej qartë se ajo grua u kish hyrë gabim në studio. Suedishten s’e dija ende mirë, por kaq po arrija të kuptoj, se po flisnin ose për pemën e ahut, ose për një libër: të dy e ndajnë të njëjtin homonim, bok. Do të jetë pema e ahut, më kujtohet tek mendoj. Agronome qenka, shkrimtarët vishen mirë. Kur dua ta konfirmoj njohurinë e suedishtes me pronarin e restorantit, një zdap ulqinak që kish jetuar me vite në Suedi, ai ma bën me dorë që të mos e çaj kryet. Është një shkrimtare e trentë, më thotë, si shtrigë; ik mbaro tavolinat. Kohë më vonë do të kuptoja se ajo gruaja e hutuar paskësh qenë Kristina Lugn. Ata të ftuarit tjerë në studio ishin shkrimtarë e kritikë letrarë, të ftuar aty për të diskutuar përmbledhjen e saj më të radhës me poezi, të botuar në tetor 1989.
Disa shkrimtarëve u duhet që të vdesin, pa të bëhen të pëlqyeshëm. Kristina Lugn, një ndër emrat më të njohur të letërsisë suedeze, poete, dramaturge, eseiste, autore 55 librash të botuar dhe fituese e një sërë çmimesh letrare, bën pjesë pa dyshim në këtë çetë të profetëve. Ajo dikur quhej “gruaja më e vetmuar në Suedi”; një eufemizëm ky, sa për të mos thënë gruaja më e urryer. Është çudi se sa i provokon gjindjen dikush, sidomos një grua, që refuzon të krehet e të ndjekë rregullat. Por me kalimin e viteve, urrejtja kaloi së pari në respekt, e pastaj në adhurim. Tek po i afrohej ditëlindjes së gjashtëdhjetë, Kristina Lugn u zgjodh nga Të tetëmbëdhjetët e Akademisë Suedeze si një ndër ta, një nder ky që konfirmonte publikisht vendin e saj tashmë të pranuar në letërsinë suedeze. Sot Kristina Lugn vlerësohet post mortem si një nga zërat më origjinalë të kësaj letërsie, e është e përkthyer në dhjetëra gjuhë.
Gunhild Bricken Kristina Lugn, si qe emri i saj i plotë, u lind më 1948 në Tierp, një qytezë kjo e vogël jashtë Upsalës. Babai i saj, Robert Lugn, ishte gjeneralmajor, nëna Britta-Stina lektore në Universitet të Upsalës. Në kujtimet e veta Kristina Lugn tregon se, kur ish e vogël, i jati i lexonte para gjumit biografi burrash të shquar. E ëma, ndërkaq, i thoshte që ta presë moshën e shkollës për të mësuar germat. Kristina e vogël kureshtare mëson që të lexojë për inat të së ëmës, para moshës pesë vjeç, nga revista të animuara për fëmijë – “më dukej sikur po zbërtheja një sekret magjik të botës së të rriturve”, do të thoshte ajo më vonë. Por prindërit ndihen të brengosur. Vajzës së tyre të vetme i ka ëndja të lexojë “shkrime koti”, poezi e tregime.
Idoli i Kristinës së vogël është gjyshja mizantrope, që lëçit njerëzit dhe izolohet në nënkulm për të lexuar. “Prindërit e mi e quanin sakate, thoshin se plaka s’di të shoqërohet me njerëz ndaj shoqërohet me libra; por mua më dukej sikur bota e tyre ishte sakate, e se gjyshja kish sajuar një botë më të mirë në papafingo”. Gjyshja e Kristinës, Gunhlind Henschen, kish dalë asokohe në pension si drejtore e Muzeut të Egjiptit. Jetëshkruesit mendojnë sot se kjo lidhje e hershme me gjyshen, si dhe afiniteti që kishte Kristina Lugn për të lexuar herët, do të kenë qenë ndër ato shtysat e hershme që ushqejnë genin e shkrimtares. Kur rritet, Kristina i ngjan gjyshes edhe në pamje. I njëjti stil leshkuqesh të pakrehura, pa grim, në devijim demonstrativ nga çdo modë e veshjes dhe nga çdo ide për kultivim imazhi. Ku ta dish? Gjenitë mbase kanë nevojë për një shembull çlirues se si të ndjekësh rrugën tënde, pa ia varur fort pritshmërive të botës.
Një tjetër shtysë për krijimtarinë e Kristinës së vogël është biblioteka e shkollës. “Në rastin tim, ishte bibliotekarja e shkollës fillore, qoftë e bekuar aty ku është, që më ngjalli kureshtjen për librat e të rriturve. Nga letërsia për fëmijë, drejt e te Selma Lagerlöf”, thotë Kristina Lugn, në një intervistë dekada më vonë. Në Suedi, puna në bibliotekë kërkon specializim universitar, me 3 vjet studime e diplomë të veçantë, 180 pikë akademike në sistem të Bolonjës. Kristina Lugn punon vetë me vite në bibliotekë pas diplomimit në Universitet të Upsalës. Ajo thekson në shumë ese të veta rolin vendimtar që ka biblioteka publike për t’i udhëzuar fëmijët kureshtarë kah letërsia cilësore dhe shija e mirë estetike.
Gjatë studimeve universitare, Kristina Lugn provon, si duket, t’i japë një mundësi jetës konvencionale. Ajo martohet dy herë, por ndahet në afat rekord, e bën fëmijë me një burrë të tretë. Dardha nën dardhë, si thonë: vajza e saj e vetme, Martina Montelius, është sot shkrimtare dhe dramturge e njohur në Suedi. Ajo ka përshkruar shpesh dritëhijet e rritës me një nënë kreative, e cila besonte në edukim të lirë, e jo në “kurthet” e sigurisë ekonomike.
Përkundër dramave personale – ose ndoshta falë tyre? – dhuntia letrare që ka Kristina Lugn buis. Më 1972, ajo merr një magjistraturë në letërsi, gjuhë nordike dhe histori të artit, si dhe boton përmbledhjen e vet të parë me poezi; për të vazhduar pastaj me nga një përmbledhje të re poezish çdo dy a tri vjet. Suksesi i parë publik quhet një përmbledhja me poezi të cilën e boton më 1983. Aty Kristina Lugn shtjellon me vetironi personazhin e një gruaje të mpakur për dashuri të sinqertë, e cila kërkon njohje me burrë të përshtatshëm përmes një njoftimi anonim, nga ato anonset që botoheshin dikur në gazeta. Në përkthim shqip, titulli do të ishte, përafërsisht, “Kërkoj njohje me një burrë të edukuar dhe në moshë”. Poezitë në atë përmbledhje janë një sërë skenash tragjikomike ku kryepersonazhi grua, që vuan nga ankthi e depresioni, kërkon shpëtim në pilula, alkool, seks, e trope poezish; skenat janë të interpunktuara nga intermezzo në trajtë përsiatjesh të ndjera për gratë, burrat, fëmijët dhe natyrën e gjërave.
Gjuhën risimtare që ka Kristina Lugn te kjo përmbledhje, e të cilën e ka ruajtur edhe në shkrimet e tjera, është quajtur më vonë vetërrëfyese, e është krahasuar me atë nga Anne Sexton. Por ndërsa Anne Sexton ka gjuhë neo-simplistike, e skena nga realizmi i përditshëm, stili që ka Kristina Lugn anon më fort kah absurdi. Kristina Lugn ka vetironi dhe një humori të zi absurd, pothuajse morbid, që gërsheton artin me banalitetin e të përditshmes. Pikërisht ky efekt i mprehtë kontrasti midis së lartës dhe së ultës ia bën poezitë, por dhe tekstet e mëvonshme teatrale, tejet goditëse. Në vitet 1980 dhe gjer në vitet 2000, Kristina Lugn ajo e lë poezinë dhe shkruan vetëm ese dhe tekste dramash, që i inskenon në një skenë të veten në Stokholm. Por dashuria e vjetër s’ndryshket kurrë, thotë një proverbë suedeze. Kristina Lugn i kthehet poezisë, me një përmbledhje më 2003, e cila quhet eventi letrar i vitit në Suedi. Dy botimet e saj të fundit, më 2020 dhe 2022, janë po ashtu përmbledhje me poezi. Në këtë kohë ajo është e kudondodhur në media, në shtyp, në radio e në tv.
Karriera letrare dhe paraqitjet publike e kanë bërë shkrimtaren Kristina Lugn ikonë të letërsisë suedeze. Mirëpo, stili i saj ka ngjallur ndër dekada edhe reagime urrejtëse. Mund të tingëllojë e habitshme kjo sot, që një grua shkrimtare në Suedi (!) të provokojë aq fort urrejtje e distancim nga burra, por edhe nga gra, thjesht pse ndjek një rrugë të veten në shkrime e në paraqitje publike, pa i shkrepur në kokë se ç’mendojnë të tjerët për të. (Apo ndoshta jo aq e çuditsme, po të shikosh reagimet që bëjmë edhe sot ndaj disa autoreve tona gra.) Ai zdapi ulqinak tek i cili punoja në vjeshtën 1989 s’është se kish ndonjë interes të tepruar për letërsinë. Idenë se Kristina Lugn qenkësh një shtrigë e trentë, do ta ketë marrë nga diskursi publik suedez. Kur lexon sot reagimet e kritikëve të saj të hershëm, të sajojnë një cringe tragjikomik, në nivel me atë tragjikomikë të cilën ta sajon vetë leximi i shkrimtares Kristina Lugn. Retorika pasiv-agresive delsheshit. Si mund të jetë dikush kaq e papërgjegjshme?! Si kërkuake një dashuri të sinqertë, ndërsa mbytesh me pilula e alkool? A s’është kjo që shkruan Kristina Lugn veçse një hymnizim letrar i dekadencës dhe nihilizmit? Wfarë shembulli për rininë japin shkrimtarë si ajo? E si do të duhej bota sikur të silleshim të gjithë si ajo?
Them se shumë nga këto reagime janë shkaktuar pse gjindja e kanë pasur të vështirë të ndajnë shkrimtaren Kristina Lugn nga personi Kristina Lugn. Ajo vetë tregon në një intervistë se si nganjëherë nuk është ndier e sigurt në rrugë. “Një herë tek po shkoja në punë më kalon pranë një zotni i panjohur, i veshur mirë, tip drejtori. E ma fut një plloskë pështyme drejt e në surrat. Pa thënë asnjë fjalë. Ecën tutje, burri i botës, s’e kthen as kryet të shikojë”, tregon Kristina Lugn në një intervistë. “Më duket se ai, e shumë të tjerë, mendojnë se unë jam personazh në tekstet e mia. Por unë s’jam figurë në libër. Jam e bazuar mbi persona të vërtetë”.
Pikëkthesa në perceptim publik ndodh më 2006, kur anëtarët permanentë të Akademisë Suedeze e zgjedhin njëzëri që të trashëgojë stolin nr 14 të një kolegut të tyre akademik, i cili sa kish ndërruar jetë. “Kristina Lugn do të jetë një zë i shumëkërkuar rebel i poezisë në mesin tonë”, shkruante Akademia Suedeze në një kumtesë për shtyp. “Humori i saj therrës dhe i errët dhe aftësia e saj për të eksploruar përditshmërinë e gruas dhe mangësitë e qenies njerëzore do ta zgjerojnë rrezen e Akademisë.” Kristina Lugn ishte asokohe gruaja e pestë në mesin e tetëmbëdhjetë anëtarëve permanentë të Akademisë Suedeze. Ajo ka dëshmuar vetë më vonë se vendimi i kish ardhur në orë të zorit. “Atëbotë kisha vetëm 7 mijë krona pension (diku rreth 600 euro) dhe ai vendim më shpëtoi”.
Ne s’mund ta dimë se si e pritën atë lajm tipat si ai drejtori, a ai zdapit prej Ulqinit. Por dihet se mbas pranimit në akademi, Kristina Lugn u shndërrua gradualisht në figurë të respektuar dhe, më vonë, në ikonë të idhuruar të letërsisë. Aty e tutje, gjindja do ta ndalnin vetëm për t’i kërkuar autograf. Një nga ata është edhe i nënshkruari këtu, një nga thesaret e vocrra të biliotekës sime personale është një përmbledhje me poezi nga Kristina Lugn me përkushtim të shkruar nga ajo dora vetë. Mbaj mend se si qeshi kur i tregova shkurt për zdapin nga Ulqini, që e kish quajtur shtrigë të trentë që shkruan libra. “Nê përvojën time”, më tha, “burrat e gjatë shohin gjithmonë më larg.” Koment tipik à la Kristina Lugn.
Kristina Lugn vdiq në maj 2020, sot varri i saj modest ndodhet në varrezat e Kishës së Maries në qendër të Stokholmit. Në intervistën e vet të fundit, Kristina Lugn flet për fundin e afërt. “E kam shumë zët vdekjen, më duket fort e ligë. Gjindja thonë shpesh, të dua përgjithmonë. Por kjo është rrenë. Del për cigare dhe të shtyp makina, e u lë shëndenë të gjithëve. Vdekja na bën të gjithëve kaq të pafuqishëm.” Gazetari e pyet nëse beson në jetë të përtejme dhe Kristina Lugn i thotë jo. “Po të kish ekzistuar jeta e përtejmë, gjindja do të lajmëroheshin që andej. Jo çfarë, s’besoj hiç në të tilla.” Por Kristina Lugn s’do të ishte ajo që ishte pa një kundërthënie në fund. Ajo shton: “Unë kam hasur shpesh në të vdekur dhe gjithmonë në lagjen e jugut. Një herë ishte një shoku im i vjetër, e përshëndeta. Tek po flisja më të kisha harruar se kish vdekur. Kështu që vetëm folëm kot, s’është se thamë diçka të veçantë.”



