Kreu Letërsi Shënime mbi libra Shefqet Dibrani: Një mëz që turfullonte pas karrocës

Shefqet Dibrani: Një mëz që turfullonte pas karrocës

Shpend Sollaku Noé, poezia MËZI PAS KARROCËS, 1971, botuar në librin ‘SFINKSI – MEZAT E KALTER’, 1987.
*Marrë nga antologjia poetike ATDHEU I TJETRIT, faqe 23. USA 2011

Mëzi është pjellë e pelës, ndërsa në frazeologjinë shqipe kemi mjaftë barcoleta për mëzin para pele, ndërsa për NJË MËZ QË TURFULLONTE PAS KARROCËS, e kemi poezinë e mrekullueshme të Shpend Sollaku Noé, e shkruar në vitin 1971, kur poeti kishte vetëm 14 vjet. Duke e njohur suksesin e autorit në fushën e librit dhe të poezisë, nuk mund të cilësohet as poezia si rastësi. Poezia tregon për gjenialitetin e poetit të ri, i cili pas rënies së diktaturës komuniste në Shqipëri emigroi në Itali, duke u bërë shkrimtar i njohur me botimet e librave në gjuhën italiane. Ky argument, na bënë për të gjykuar më drejt e më racionalisht për gjeniun e ri i cili atëherë kundërshtonte një sistem totalitar që në ato vite shënonte suksesin e diktaturës së proletariatit, duke shtrirë ndikimin dhe përgjimin në secilën pore të jetës qytetare. E nëse mendja jonë kthehet në retrospektivë të atij sistemi dhe të diktaturës komuniste, poezia ka një anologji që përputhet me veset dhe sjelljen e njeriut të ri socialist ndaj njeriut të rëndomtë që fati e kishte detyruar të jetonte nën atë diktaturë e cila për njohësit e saj është cilësuar ndër më të vrazhdëtat dhe më primitivet në tërë kampin e sacializmit. Prandaj poezia e shkruar nga një katërmbëdhjetëvejçar në diskursin e anologjive, tashmë merr kuptim dhe domethënie tjetër, dhe mund të cilësohet si dokument i pastër i disidencës kulturore edhe ndër poetët e paktë që kishin pasur guximin të tallëshin kaq shumë, kaq fort dhe kaq vrazhdët me Socializmin Proletar i cili në ato vite, siç thamë i korrte rezultatet e mëdha të Diktaturës së Proletariatit Komunist.

Darisa mëzi nuk ka vetëdije, njeriu e posedon atë, por vetëdija e mëzit kryesisht udhëhiqet nga instinkti jo aq nga logjika, andaj i del para nënës së vet, e si shtazë që është padyshim justifikohet deri në atë shkallë, kur mëzi e tepron me ngarendjen kryesisht para mamasë, prandaj në kulturën popullore, jo vetëm te ne shqiptarët, po kudo në kulturat tjera janë thurur qindra frazeologji, dhe krejt natyrshëm vetitë dhe sjelljet e shtazve tërheqin analogji në mes kafshës dhe njeriut, ashtu siç ndodh edhe në mes mëzit dhe njeriut të papjekur, të pavetëdijshëm i cili nxiton për të dalë para njeriut të mençur dhe para intelektualit. Secili njeri që nxiton në biseda e sipër qortohet të mos nxitojë si mëzi para pele. Në rastin konkret, te poezia e Shpend Sollakut Noé, kemi të kundërtën e kësaj analogjie sepse kemi të bëjmë me mëzin e lidhur pas karrocës i cili detyrohet të dëgjojë ustain, në të kundërtën ai do ta detyrojë të bëjë atë që dëshiron frerëmbajtësi flokërënë siç shprehet poeti.

Sipas poezisë në fjalë, turfullima e mëzit pas karrocës duhet të ketë qenë e mprehtë e dhembshme dhe trishtuese. Së këndejmi mëzi duhet të ketë nxjerrë ajrin nga hundët dhe nga goja me tërbim, veçmas pse ndjehej i ndëshkuar. Edhe egërsimi i tij kishte frikën, pasi hipotetikisht besojmë se edhe mëzi si njeriu kishte jetën përpara, andaj shfrynte me tërëbim pse detyrohej të ecte pas karrocës. Edhe hapi i tij krijonte zhurmë të mbytur dhe dëshpërim, prandaj ai duhet të ketë lëshuar turfullima të mbytura dhe njëkohësisht krijohej përshtypja se turfullimat e tij ishin përplotë me inat. Kafshë ishte, por edhe kafsha ka zemërimin e vet, sëkëndejmi edhe mëzi i kësaj poezie që pa nda e pa ndërpërerë nxirrte dufin kundër karrocierit flokërënë. I cili përmes frerëve drejtonte edhe fatin e mëzit pas karrocës. Prandaj turfullima e përshkruar nga poeti është strukturuar si lebetitje dhe alarm dëshpërues, ndërsa refuzimi i mëzit për të qëndruar i pranguar pas karrocës shprehte edhe frustracionin e tij, ishte mospajtues edhe për ndëshkimin poetik që ia bënte poeti Shpend Sollaku Noé, dhe kjo padrejtësi poetike ka të bëjë me pozcionimin tematik, pasi të paktën poeti është dashur ta ndërtoj metaforën e “mëzit para pele” pasi gati të gjitha frazologjizmat janë ndërtuar për mëzin para, e jo për mëzin të lidhur pas karrocës. Sipas një analogjie, duket se ndëshkim më të madhë as diktatura nuk i ka bërë njeriut të rëndomt, se sa ky motiv i poetit për mëzin pas karrocës. Edhe në këtë poezi, mëzi nuk është i mbyllur në stallë, vetëmse ai detyrohet të eci pas karrocës dhe t’i zbatojë urdhërat e njeriut flokërënë që e detyronte përmes frerëve edhe mëzin të zbatojë tekat e tij. Një analogji ndër më të bukurat që ka ndërtuar ndonjë poet për të shpjeguar se populli dhe qytetarët e Shqipërisë trajtoheshin si kafshë dhe ishin të detyruar t’i zbatonin urdhërat që vinin nga lart.

Po kush qenka ky karrocier flokërënë?! Figura e të cilit përshkruhet e vrazhdët ashtu si natyra që ia ka trembur nga koka flokët duke e bërë tullac. Sjellja e tij ndaj mëzit është sjellje e një fodulli, tipa të tillë në atë kohë kishte rritur, shkolluar dhe edukuar me teprim partia e cila trumpetonte se ishte si fanar ndriçues për njerëzimin. Karrocieri tullac, ndaj të cilit poeti i jep epitetin flokërënë, por jo edhe i devotshëm, ai sillej si ustai i Sigurimit të shtetit që i zbatonte urdhërat e Partisë. Karrocieri flokërënë ishte një figurë e përrallave popullore, fodull, i pashpirt dhe i vendosur të zbatoj urdhërat nga lartë, andaj flokërëni si figurë stilistike mund të quhej si përralla e qerosit të partisë, në kokën e të cilit bëhej berber secili. Të tillë kishte shumë, dhe vetëm ata bëheshin zbatues të urdhërave që vinin nga lart sepse Punët e Partisë ishin fare të lehta, ato mund t’i bënte kushdo pa asnjë vështirësi, madje edhe ata flokërënit dhe ishin “Hem qeros, hem qibar, d.m.th. fodull, ata kishin kërkesa të mëdha, megjithëse mundësitë e aftësitë e tyre ishin gjithmonë të kufizuara e të pakta”, (proverb popullor.)

Edhe karrocieri flokërënë, sikur të ishte kuadër partie mbante shtrënguar dizgjinat e frerit të mëzit, të cilit ia shtrëngonte sa herë ai turfullonte. E mëzi thotë poeti “S’i duron dot në gojë frerët,/ shkarëzehet si rebel”, prandaj mëzi zhgërryhej nëpër baltë por karrocieri flokërënë me frerët e tij e tërhiqte pas qerrës nëpër baltë duke e poshtëruar kafshën e gjorë, e përbuzte aq sa mundte, duke ia shkarëzuar zakonet që i kanë edhe kafshët, në këtë rast mëzi, i cili më me dashje do të shkonte para pelës se sa të poshtërohej e përbuzej gjer aty nga karrocieri flokërënë, i cili si figurë stilistike duket tejet i shëmtuar dhe si karakter i ulët dhe pashpirt.

Me zor ustai shtrëngon frerët, /në baltën pa mbarim”, shkruan poeti i ri vetëm katërmbdhjetëvjeç. Si duket kështu ishte edukuar karrocieri flokërënë, zanati i tij ishte karroca pas të cilit kishte lidh mëzin dhe fatin e tij. Tashmë karrocieri është njeri që ka bërë një zanat, e mjeshtria e tij ishin frerët në gojën e mëzit fatkeq. Ai urdhëronte kafshën ndaj të cilës ushtronte dhunë. Metaforikisht ai ishte Ustai i Partisë që ia ndreqte kurrizin secilit qytetar, duke e bërë Revolucionin Socialist të trishtët, dhe me më shumë ustallarë. Karrocieri flokërënë është figura stilistike më e pështirë e kësaj poezie, ai si çirak i partisë ishte shegert i zellshëm i Sigurimit të Shtetit, zbatuesi i pamëshirëshëm i mizorive kundrejt qytetarëve. Këtë ashpërsi ai e zbatonte edhe ndaj kafshës, por në këtë poezi nuk dihet pasioni i tij kafshëror edhe ndaj njeriut, qytetarit fatkeq të Shqipërisë Socialiste. Karrocieri flokërënë, kishte detyrim partiak ta edukonte mëzin të mos vrapoj para pelës, prandaj karrocieri flokërënë në poezinë e Shpend Sollaku Noé, është njeriu monstrum i asaj kohe, i cili njihte dhe nuhaste turfullimat edhe të mëzit fatkeq të cilin detyrimisht përmes frerëve që ia kishte besuar Partia e detyronte të bënte e vepronte siç dëshironte ustai i rritur në Shkollën e Partisë.

Si fodull, ustai konsideronte veten të aftë për punën që bënte, ishte mjeshtër i sprovuar për të ushtruar dhunë edhe ndaj kafshëve. Po ndaj qytetarit të asaj kohe çfarë mizorish kanë luajtur “Karrocierët flokërënë”?!…

Poezia MËZI PAS KARROCËS, e shkruar nga Shpend Sollaku Noé, përveç si lirikë artistike, ka mesazhin e saj të qartë. Tashmë dihet se kjo poezi është dokumenti më origjinal i disidencës dhe i protestës intelektuale të asaj kohe, i atyre rrethanave në të cilat, diktatura komuniste që vepronte në Shqipëri, bënte mizoritë e saj. Janë këto arsye pse themi se poezia në fjalë është antologjike dhe e pakaluar nga asnjë poet i përkdhelur i asaj kohe nga pushteti komunist, por as nga ata të cilët janë të përsekutuarit e diktaturës komuniste në Shqipëri!

MËZI PAS KARROCËS

Ç’e paskan lidhur pas karrocës
një mëz që turfullon.
Vështrimin bredh, por këmba s’ecën,
ndaj jelen flakëron.

S’i duron dot në gojë frerët,
shkarëzehet si rebel,
e nuk e ndjen syrin e pelës
plot lëng që e përkedhel.

E karrocieri flokërënë
bën sikur s’sheh asgjë.
Më fort në gishta shtërngon frerët
e mërmërin pa zë:

Këtej, këtej, kalë i parritur,
nga freri të drejton.
Në s’të pëlqen rruga e nisur
ky fre të detyron.

Me zor ustai shtrëngon frerët,
në baltën pa mbarim.
Si dy vullkanë të vegjël flegrat
shfryjnë afsh e pikëllim.

1971

St. Gallen, 17 tetor 2023.

Botuar në nr. 256 të ExLibris

Exit mobile version