I. Një libër për ringjalljen lazariane të orthodoksisë ndër shqiptarë
– Ringritja e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë (1991-2012), botim nga Fortlumturia e Tij Anastasi, Kryeepiskop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Tiranë 2014[1] –
Libri i fundmë i Fortlumturisë së Tij Anastasi, kryeepiskop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, me titull Ringritja e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë (1991-2012), i është kushtuar historisë së ringjalljes së besimit të krishterë në Shqipërinë post-totalitare, në radhë të parë historisë së ringjalljes së kishës orthodokse autoqefale, me institucionet, klerin dhe bashkësinë e besimtarëve të saj.
Për këtë histori është shkruar e diskutuar gjatë, janë harxhuar shumë energji intelektuale dhe energji të tjera. Na vjen mirë a na vjen keq – në fakt është për të ardhur keq – këto diskutime janë zhvilluar më së shumti jashtë kishës dhe kryesisht në dëm të saj. Pas një gjysmë shekulli ateizëm, orthodoksia u gjend para një forme tjetër demonizimi, shprehur deri në përdallimin e saj tinzar me zgjedhjet e tjera të mundshme të besimit në Shqipëri. Ndërsa qendrimi i kishës vetë, siç shprehet autori i librit, ka qenë i mjaftuar me pohimin lakonik: Të të mjaftojë Perëndia!
Ekspansioni propagandistik nga njëra anë, shpesh i shoqëruar edhe me mbështetje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë politike, deri tek përpjekja për ta faktorizuar besimin për ndikim e pushtet; si dhe qendrimi disi larg këtij rrafshi të debatit nga ana e Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë nga ana tjetër, kanë krijuar një pasqyrë të shtrembër për procesin e vështirë të ringritjes së kësaj kishe në periudhën më të fundme. Libri Ringritja e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë (1991-2012) vjen për ta historizuar këtë proces, për ta certifikuar dhe vërtetuar me interpretime dhe dokumente që kanë munguar, duke ndihmuar për një ndërrim regjistri në debatet e deritashme: nga ai agjitativ në regjistrin certifikues-dëshmues.
Kryeepiskopi Anastasi, profesor e akademik gjithashtu, është autor i disa dhjetëra veprave të botuara me karakter shkencor, teologjik, filozofik, antropologjik e kulturor. Por kjo është një vepër krejt e veçantë, është një vepër që mund të quhet misionare, sepse hedh dritë në mënyrë prapavajtëse në të vërteta që nuk dihen ose dihen keq, duke provuar të vërtetat. Dhe në mënyrë të veçantë shërben për të rikonfirmuar autoqefalinë e kishës orthodokse shqiptare, e cila nuk mbaroi në vitin 1967, siç thuhet ndonjëherë, duke iu referuar shpërthimit të furisë ateiste, të sanksionuar më pas në kushtetutën e vitit 1976, sepse ligjet shtetërore nuk mund të anulojnë vendimin e shpallur me tomosin patrikal të vitit 1937.
![](https://exlibris.al/wp-content/uploads/2025/02/EXLIBRIS_320.jpg)
Ky është një libër nga i cili mund të mësojë çdo lexues. Besimtar apo mosbesues, i krishterë apo i papagëzuar, shekullar apo doktrinar, nga ky libër mund të mësohet se krishterimi apostolik është predikuar jo vetëm rreth e përqark në Illyricum, siç thuhet në Epistullën e Shën Palit romakëve (15:19), por edhe në anësoret e Via Egnatia-s, një prej arterieve orientuese të rëndësisë parësore krishtërore në Mesdhe.
Mund të mësohet se periodizimi i historisë së kishës orthodokse të Shqipërisë nuk e ndjek në mënyrë simetrike dhe analogjike periodizimin e historisë së Shqipërisë vetë, ashtu sikurse nuk ka simetri dhe analogji të plota midis ndarjes së saj etnografike e administrative me organizimin kishtar të vendit në njësi kishtare.
E rëndësishme është theksuar prej një kryeprifti, siç e quante veten Noli, që autoqefalia nuk është një dukuri historike e shekullit të 20-të, sepse deri në vitin 1767 kryeepiskopata e Ohrit jo vetëm e kishte pasur këtë status, por kishte funksionuar si patrikanë, shkalla më e lartë e hierarkisë kishtare, dhe mbase prej këtij statusi mund të shpjegohen dhe shumë zhvillime të rajonit, si lulëzimi i Voskopojës.
Rruga që ka përshkuar Kisha Orthodokse Autoqefale e Shqipërisë drejt statusit që ka sot ka qenë mjaft e ndërlikuar dhe se kanonizimi i këtij statusi nga kryeqendra e kishës-mëmë në Konstandinopojë është shenjuar vetëm në vitin 1937, një fakt që nuk thuhej me të shkruar gjëkundi. Ky vendim më së fundi pajton autorin e librit me themeluesin e autoqefalisë Fan S. Noli, për të cilin ai qe shprehur se po të ishte gjallë do të ishte miku i tij më i mirë.
Theksohet me të drejtë në libër se autoqefalia e një kishe mund të rrezikohet jo vetëm nga jashtëvarësia, por dhe nga varësia e brendshme prej pushtetit politik, siç dëshmohet me Statutet e dy periudhave, të asaj mbretërore dhe të asaj totalitare, gjegjësisht në vitet 1929 dhe 1950.
I vështirë ka qenë drejtqendrimi kanonik për kishën orthodokse, përderisa edhe gjatë shekullit të 20-të ka pasur klerikë të shuguruar dhe të tillë që nuk e kanë marrë ndonjëherë shugurimin kanonik, pavarësisht se kanë ushtruar detyra meshtarie dhe priftërie.
Lexuesit i bëhet vërtetësisht e ditur se çfarë pengese e jashtëzakonshme ishte për bashkësinë orthodokse boshllëku ligjor në të cilën u gjend kisha e saj në fillimet e shoqërisë së hapur, kur i vetmi akt juridikisht në fuqi ishte Tomosi mbi bekimin e Autoqefalisë së Kishës Orthodokse në Shqipëri i muajit prill 1937, që botohet për herë të parë shqip në këtë libër.
Përkundër historisë së saj mijëvjeçare, si një prej kishave më të hershme të Krishtit në Europë, viti 1990 e gjeti kishën e krishterë lindore të Shqipërisë me gjithsej 12 meshtarë e 3 dhjakonj të gjallë, pa asnjë episkop, pa asnjë mitropolit. Mjafton ky fakt për të kuptuar se sa e vështirë ka qenë ta mbash kryqin, po të perifrazonim titullin e meshës celebruese të Fan Nolit – Mbaje Kryqin! – për vetë Kryeepiskopin Anastasi, në kushte të fyerjeve, denigrimeve, mosbesimit e paragjykimeve.
Institucionalizimi i hierarkisë kishtare brenda Kishës Orthodokse Autoqefale; rindërtimi administrativ i saj; krijimi i sinodit të shenjtë kishtar dhe formimi i klerit të të gjitha niveleve; kanë qenë sfida të jashtëzakonshme, jo më pak të vështira se ringritja e kishave, manastireve, enorive, shkollave, akademive dhe universiteteve.
Në mënyrë të pabujshme kisha orthodokse e Shqipërisë përballoi me dinjitet nënçmimin hierarkik edhe përmes ligjit, siç qe rasti i projektit aventuresk dhe të dështuar të kushtetutës së vitit 1994, duke arritur shkallën më të lartë të legjitimitetit të saj me Statutin e ri të vitit 2006, i vetmi statut në historinë e Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë që është në harmoni me Tomosin mbi autoqefalinë dhe njëherësh me Kushtetutën e Shqipërisë të vitit 1998. Nënshkrimi i marrëveshjeve me qeverinë në formën e konkordateve për respekt të ndërsjellë në kushtet e një shteti shekullar është gjithashtu një rregullim à la France.
Po të zgjidhnim të shpreheshim me një sintagmë të botuesit frëng Claude Durand, pas viteve 1990 Shqipërisë i është dashur një ringjallje lazariane, dhe libri i Kryeepiskopit Anastasi është pasqyrë e kësaj ringjalljeje, e cila ka si pikënisje predikimin e ungjillit të Krishtit në rrënojat e kishave të vjetra, në sheshe publike, deri shugurimin e një meshtari në Korçë në ballkonin e një familjeje besimtare. Nisur prej kësaj pike reference, ajo që ka ndodhur me Kishën Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë gjatë 22 vjetëve të fundme është me rëndësi epokale. Dalja prej profanisë dhe besimit të fshehtë dhe bashkimi me krishterimin kanonik e sakramentet e shenjta; themelimi i shkollës së parë priftërore dhe i shërbimit murgjëror; ngritja e Akademisë në Shën Vlash; akreditimi i universitetit Logos, ndërtimi i kishës katedrale në qendër të kryeqytetit ngjashmërisht me Shën Sofinë; shkollimi e dorëzimi kanonik i mbi 150 priftërinjve shqiptarë; hierotonisja e episkopëve të parë vendës; rithemelimi i mitropolive të Beratit, Gjirokastrës dhe Korçës; funksionimi i një rrjeti shkollash të profilizuara si lice, gjimnaze dhe të tjera profesionale, ndër të tjera dhe i një shkolle për muzikën bizantine; shumë nisma filantropie dhe solidariteti, duke përfshirë një kontribut shenjues në krizën e madhe të shpërnguljes së shqiptarëve të Kosovës; restaurimi i monumenteve historike të kishës, i ikonave dhe ikonostasëve; vëmendja për kodikët e shenjtë dhe dorëshkrimet e arkivat kishtare në përgjithësi; manifestimi shembullor i bashkëjetesës si një model europian pikërisht në ditët e lëndimit më të rëndë të saj, në ditën kur terrori shtiu në shënjestër pikërisht Parisin; janë vetëm disa prej atyre nismave që do të mbeten në historinë e kishës së krishterë në përgjithësi, madje dhe të historisë së besimeve në Shqipëri.
Nuk ishte shkruar më parë (përveçse në studimin e shkëlqyer të dy viteve më parë, me titull Pluralismo confessionale e comunità religiose in Albania, të përgjegjësit të katedrës së së drejtës së krahasuar kanonike kishtare në Universitetin e Bolonjës Giovanni Cimbalo), për rishfaqjen e ndikimit të kishës shqiptare ndër arbëreshë për një kishë administrativisht të njësuar edhe në fillimin e viteve 1990 (siç patën shpresuar misionet baziliane nga fillimi i shekullit të 18-të dhe Fan S. Noli në vitin 1924, me idenë e tij për një kishë kombëtare), prirje që autori e ka cilësuar si rrezik parësor për orthodoksinë, ndonëse dihej për takimin e imzot Kissi-it më 1942 me ipeshkvinj arbëreshë për një qendrim të përbashkët përgjatë luftës antifashiste, fakt që përbën një ndalesë intriguese në librin e Kryeepiskopit.
Veprës ia shtojnë rëndësinë një varg dokumentesh të rendit parësor për kishën, besimtarët e saj dhe popullin shqiptar.
Një vepër të ngjashme pati shkruar në gjuhën angleze në vitin 1958 Theofan S. Noli, kryeepiskop i parë i kishës orthodokse të shqiptarëve në Amerikë (Fiftieth Anniversary of the Albanian Orthodox Church in America: 1908-1958, Boston 1960), për fat të keq dhe kjo e njohur shumë pak në botën shqiptare deri në kohën e botimit të kësaj vepre të Kryeepiskopit Anastas, për shkak se u shkrua në anglisht.
Me këtë vepër Fortlumturia e Tij na sjell ndërmend një varg klerikësh dijetarë të ndritur, prej Joasafit të Voskopojës, Anthim Aleksudhit – mikut të dijes, siç njihej nga të gjithë; Joakim Martinianit e Evllogj Kurillës, deri tek studiuesit e kohëve më të reja, si Theofan Popa, Dhimitër e Kristofor Beduli, Hirësi Joan Pelushi e mjaft të tjerë. Vepra të tilla të përforcojnë bindjen se kult e kulturë nuk mund të ndahen.
II. Për botimin shqip të Mujorit, vëllimi I-IV, përgatitur nga Àt Justini[2]
Përkthimi dhe botimi shqip i Mujorit, vëllimi I-IV, jashtë çdo dyshimi, ka qenë një punë shumë e vështirë dhe e mundimshme.
Àt Justin Athimiadhi, autor i përkthimit, përshtatësit dhe botimit, që ka ndërmarrë këtë nismë të jashtëzakonshme, meriton nderimin e teologëve, meshtarëve, klerikëve dhe të çdo lexuesi, besimtar apo laik qoftë. Mujori shqip pasuron bibliotekat dhe në mënyrë të veçantë është një provë se si mund të funksionojë gjuha shqipe me virtyt të plotë edhe në regjistrin e ligjërimit kishtar, pavarësisht ngrirjes së përkohshme për shkak të ateizmit shtetëror.
Ndryshe prej traditës së përkthimit të teksteve biblike dhe ungjillore, të mesharëve dhe katekizmave, të doktrinave të krishtera, të librave didaskalikë, tradita e përkthimit të minejve dhe troparëve, të librave kalendarikë dhe të të kremteve e festave (Pesëdhjetorja, p. sh.), është shumë më e vonët, disa shekuj më e vonët. Nevoja e përkthimit të këtyre librave lindi ku nisi meshimi shqip. Me përjashtim të Fan S. Nolit dhe të Visarion Xhuvanit, pak emra mund të përmenden si kontribuues të kësaj tradite. Kjo ka qenë vështirësia e parë për autorin.
Mund të pohohet me bindje se shqipja e ka kaluar me shumë sukses provën e vetëmjaftueshmërisë së saj me përkthimin e Shkrimeve (që nga Buzuku tek Kristoforidhi), por jo dhe aq me përkthimin e librave që janë krijuar për një përdorim elitar, kryesisht si libra të njerëzve të sakramentit të priftërisë. Dhe kjo është një vështirësi e dytë.
Përkthimi i Mujorit i nënshtrohet një hermeneutike që është krejt ndryshe prej hermeneutikës laike. Në hermeneutikën kanonike përllogaritja e fjalës, rrokjes, tonit, theksave, gjatësisë së zanoreve etj. nuk është çështje formale. Kjo është një vështirësi e tretë që duhet marrë në vlerësim në këtë rast.
Së katërti, duke njohur karakterin konservativ të gjuhës së kishës, që është një dukuri botërore, mund të supozojmë se përkthimi është bërë jo nga greqishtja popullore (δηµοτική γλώσσα / νεοελληνική κοινή), por nga greqishtja e pastër e njohur si katharevusa (καθαρεύουσα), që ka kodin e vet specifik ligjërimor dhe shpesh kuptimet nga ligjërimi kishtar në ligjërimin popullor kanë mërguar prej njëri-tjetrit.
Mbi të gjitha nuk mund të lëmë jashtë vëmendjes faktin e përmendur nga vetë përkthyesi në shenjimin hyrës, që gjatë shqipërimit ka qenë e domosdoshme të merrej në konsideratë karakteri himnodik i lëndës, pajtimi i rregullave të prozodisë letrare-gjuhësore me kanonin muzikologjik, ndonjëherë duke ia nënshtruar të parën të dytës.
Theksojmë me këtë rast dy paralajmërime që i bëhen lexuesit në hyrje: që ky është një përkthim i përkohshëm, për përdorim të brendshëm, dhe së dyti, që disa gabime gjuhësore janë pranuar qëllimisht.
Përkthyesi ka bërë mirë që ka integruar në tekstin e Mujorit edhe fragmente përkthimesh të mëhershme, që na lejojnë të kuptojmë se ikja prej gramatikës formale, që vërehet në tekst jo rrallë, ka ndodhur edhe më parë dhe nuk është çështje e kompetencës gjuhësore, por e kanonit specifik të përkthimit. Po përmendim, sa për shembull, rrokjen formale të munguar, sidomos në rastin e zanores ë formale, por edhe në rastin e elizionit ndërvokalik (kur takohen dy zanore bashkë), që rregullisht e gjejmë të shprehur me apostrof edhe në fragmentet e përkthyera më herët, njësoj siç ndodh në transkriptimin e teksteve të këngëve popullore, të cilat disiplina muzikologjike i ndëshkon vokalisht dhe gramatikalisht, duke i kthyer në 8-rrokësh apo 10-rrokësh edhe nëse lexuar ndaras prej fletës muzikore nuk janë ashtu.
Duke i vlerësuar të gjithë këta faktorë së bashku mund të thuhet se:
Mujori i përkthyer nga Àt Justin Anthimiadhi është një vepër që i shërben forcimit të stilit ligjërimor ekleziastik të shqipes së sotme, ligjërim që është ende në provë e sipër. Le të mos nxjerrim nga mendja se në kohën kur konsolidoheshin stilet e tjera të ligjërimit të shqipes, duke përfshirë edhe filozofinë, dituritë elitare, ligjërimi fetar ishte i ndaluar dhe kjo doemos do të shkaktonte një vonesë relative;
Lexuesi-model, nëse me këtë term kuptojmë lexuesin e shkolluar dhe me kulturë fetare e gjuhësore mbi mesataren, jo atë përdorues që italishtja e njeh me termin dislessico, me siguri nuk vëren mungesë kompetence gjuhësore të përkthyesit (ndonjë përjashtim i rrallë në rendin sintaksor duhet të ketë lidhje me diktatin e toneve muzikore). Përgjigjen për këtë pyetje na e ka njoftuar autori vetë: gabimi i qëllimshëm, gabimi i vetëdijshëm. Në rast të një ribotimi kjo kategori gabimesh mund të shenjohet formalisht për t’ia bërë të ditur lexuesit, njësoj siç është përdorur asteriksi i kuq për të njoftuar se ka përkthim të mëparshëm.
Në lidhje me komunikueshmërinë, jemi të detyruar të dallojmë një hierarki dyshkallëshe. Besojmë se njeriu që ka zgjedhur sakramentin e shërbimit të meshtarisë, murgjërisë, oshënarisë, nuk ka probleme komunikimi. Sa i takon lexuesit të gjerë, Mujori shqip nuk është aq bujar sa të ofrohet lehtësisht për vetëlexim. Pra, nuk i drejtohet një lexuesi popullor. Në këtë shkallë të dytë të hierarkisë së leximit Minej është në një shkallë jo të vogël hermetizmi. Por kjo duhet të jetë njësoj edhe në gjuhën e burimit. Vështirë është për t’u përfytyruar se besimtari apo lexuesi laik i zakonshëm grek, me formim të zakonshëm në orthodoksi, nuk ka probleme receptimi të teksteve të tilla.
A mund të ishte më i afërt ky tekst me gjuhën popullore? Mund të thuhet se po. Këtë pohim e mbështesim në krahasimin e përkthimeve të mëparshme me tekstin integral të Àt Justinit. që janë me një gjuhë më të thjeshtë, më të çliruar prej termave të gjuhës së urdhrit. Ndërsa në tekstin integral të Mujorit ka forma dhe fjalë, qoftë neologjizma, qoftë kalke, qoftë huazime, që e ndërlikojnë kuptimin. Me sa duket Àt Justini ka preferuar më mirë besnikërinë si primat se tejdukshmërinë e leximit popullor. Sigurisht ai ka marrë në vlerësim edhe karakterin e këndueshëm të tekstit, që duhet të jetë fund e krye cantabile, dhe këto përligjin këtë shkallë ndërlikimi.
Në botime të tilla shpjegimet jashtëtekstore nuk janë të pëlqyera, prandaj autori me të drejtë është rezervuar në përdorimin e tyre, por një fjalorth terminologjik, i fjalëve të rralla, i neologjizmave dhe kalkeve, që përfaqësojnë një rezervàt të vërtetë për gjuhëtarin, do ta ndihmonte mjaft lexuesin tjetër, të pamësuarin, ose atë që dëshiron të vetëmësohet.
Në përfundim, vlerësojmë si një kontribut të rëndësishëm botimin e këtij korpusi të tipologjisë minej (mujor), që ka traditë në dorëshkrimet kishtare të ruajtura në AQSH, në fundin e kodikëve, shkruar kryesisht në gjuhën greke. Duke qenë të paralajmëruar nga përkujdesësi, njëherësh përkthyes e përgatitës, që përkthimi është për përdorim të brendshëm, që do të thotë jo për lexim popullor; duke qenë të paralajmëruar po ashtu prej tij për gabimin e vetëdijshëm (që ka të bëjë me pajtimin e tekstit gjuhësor me formulën muzikore, dy rende shpesh herë me prirje për t’iu larguar njëri-tjetrit – kënga në fund të fundit nuk është gjuhë), gjejmë shpjegim të plotë edhe për prishjen e gramatikës rast pas rasti. Stabilizimin e ligjërimit ekleziastik në shqip është një prej kushteve të konfirmimit të plotësimit të funksioneve të shqipes letrare.
III.
Në jubileun e madh të 2000-vjetorit të Krishterimit u gjenda në krye të rrjetit kombëtar të arkivave dhe pata privilegjin e përgatitjes së kuadrit juridik për lejimin e pranisë së një vëllimi të kodikut më të hershëm të ruajtur në Shqipëri, Codex Purpureus Beratinus në ekspozitën jubilare që u organizua në Romë nga Selia e Shenjtë. Kjo kërkonte jo vetëm miratim me vendim qeverie, vlerësim në inventar nga një komision i posaçëm të kryesuar nga zëvendëskryeministri; hartim e nënshkrim kontrate me kushte sigurie në udhëtim e në ekspozim, përgatitje pasaporte e kartele shkencore për dorëshkrimin dhe botim artikulli në katalogun e Ungjijve të Popujve (I Vangeli dei Popoli), por edhe një mirëkuptim të konfirmuar ndërkishtar dhe garanci për trajtimin protokollar në shkallën më të lartë si në nisje ashtu dhe në mbërritje e kthim të kodikut.
Pyetjet që i drejtoheshin shërbimit arkivor për të dhënë shpjegime pse një kodik i shkruar greqisht, i ruajtur shekull pas shekulli në kisha e manastire orthodokse, duhej të paraqitej në ekspozitën botërore të dorëshkrimeve kishtare në Romë do të merrnin përgjigje bindëse pas bisedave me Kryeepiskopin Anastas, paralel me organizimin e konferencës së përbashkët 2000 vjet krishterim në Shqipëri: dorëshkrimet kishtare duhejt të konsideroheshin trashëgimi ekumenike, për më tepër, çdo shkrim i periudhës së paleokrishterimit dhe i periudhës deri në ndarjen ndërkishtare të vitit 1054, që, në fund të fundit, ndau kalendarët, gjuhët e liturgjisë dhe rregullimin administrativ, por jo doktrinën teologjike. Këtë qendrim Kryeepiskopi e shfaqi edhe më pas, me nismën për krijimin e një strukture ndërfetare në Shqipëri.
Ndër rastet e pakëta që kam pasur mundësi të vërej e çmoj jo vetëm përbërësen akademike, por edhe atë njerëzore të Kryeepiskopit, është hapja e ekspozitës së miniaturave të kodikëve të Shqipërisë, riprodhime cilësore të mundësuara nga KOASH; si dhe hapja e një ekspozite të kodikëve më të hershëm në Pallatin e Brigadave, në të dyja rastet me kujdesin e tij të drejtpërdrejtë. Për befasinë time, gjatë vizitës në ekspozitën e miniaturave, ai u ndal para njërës prej tyre dhe tha: Ai që e ka krijuar këtë miniaturë (ishte një shembëlltyrë e ungjilltarit Mattheu), nga mënyra si i ka shkruar ato pak germa, duket se është jogrek. Këtë pohim të tij e pata evokuar në një shkrim modest për kodet dhe simbolet në miniaturat e kodikëve të Shqipërisë dhe praninë e një varianti vendës të shkruesve (scribes), kaligrafëve dhe miniaturistëve.
***
Nëpërmjet këtij triptiku, mbase krijohet një pasqyrë e një pjese krejt të vogël të atij kontributi që Fortlumturia e Tij, Kryeepiskopi Anastas la në gjithë lamiet e përmendura, çka na siguron se përjetësia e figurës së Tij mes besimtarëve dhe laikëve, akademikëve e filantropëve është një destinë e sigurtë tash që Ai vetë prehet në amëshim.
[1] Paraqitur si recension në ditën e përurimit të kësaj vepre në kishën metropolitane të kryeqytetit.
[2] Ky vlerësim m’u kërkua disa vjet më parë nga Kryeepiskopi Anastas. Tashmë Mujori ka një botim të numerizuar në faqen e KOASH dhe botimi me këtë rast është shprehje nderimi për të dhe për autorin e përkthimit.