Autorin e ndjerë të albumit fotografik Berati, dream and feeling, Leon Çika, reporter e fotograf i rrallë i trashëgimisë materiale shqiptare, diku-diku i përafërt me Marubët; gjetiu i ngjashëm me zgjedhjet artistike të Gjon Millit, e njihja prej së hershmi, por nuk më kishte rënë gjasa të bashkëpunoja. Një dekadë e ca më parë, kur albumi kishte marrë fytyrën e një vepre të mbyllur, ndodhi ajo që nuk e kisha menduar: një kërkesë për të shkruar hyrjen e tij. Përgjigjes sime të mirësjellë se nuk isha njohës i artit të fotografimit autori i albumit iu përgjigj aq shpejt sa dukej qartë se do ta kishte paramenduar ngurrimin tim:
– Nuk prish punë, ti shkruaj për Beratin, albumi do të botohet shqip e anglisht, gjithë qëllimi është që lexuesi, sidomos ai që nuk na njeh, ta dojë këtë qytet.
Dhe u nis e u shkrua kjo parathënie, e botuar në atë kohë në hyrje të veprës dhe e ribotuar sot ad honorem për autorin e saj Leon Çika.
I.
Qyteti i Beratit është një vendbanim protoshqiptar, i themeluar në kufijtë e shekullit të 6-të dhe të 5-të para Krishtit. Në shekullin e 4-t mori karakterin e një qyteti (polis), kurse në shekullin e 3-të ishte qytet-kështjellë. Në periudhën antike njihej me emrin Antipatrea (Αντιπατρια).
Martin Leake, një udhëpërshkrues i njohur britanik, në vitin 1835, duke u nisur prej ngjashmërive të dukshme të Beratit me Antipatrea-n antike, si një qytet që ndodhet në një grykë të ngushtë, siç përshkruhej nga Tit Livi (XXXI, 27: 3), i pati njësuar Antipatrean dhe Beratin si dy vendbanime urbane që vijojnë kronologjikisht njëri-tjetrin. Një argumentim kritik të plotë i ka bërë kësaj vijimësie arkeologu shqiptar Neritan Ceka (Lashtësia dhe emri antik i kështjellës së Beratit, në Monumentet, 1990/2, f. 33-36, numër përjashtimor për Beratin monumental). Neritan Ceka shqipton gjithashtu hipotezën e një lidhjeje burimore etimologjike midis emrit të fisit ilir të parthinëve dhe kryeqendrës së tyre Parthe (nga rrënja e ilirishtes i bardhë, ngjashëm dhe në shqipen e sotme), me formën mesjetare të kalkuar semantikisht të të njëjtit qytet, Belegradon (Βελεγράδων) me kuptimin qytet i bardhë; sido që nuk mund të përjashtohet dhe interpretimi prej greqishtesπαρθένος, me kuptimin i pastër, i virgjër).
Në terminologjinë e administratës së krishterimit të hershëm emri i Beratit, si qendër ipeshkvie, del në formën Pulheriopolis (Pulchériopolis / Πoυλχερίοπολις). Ipeshkvi i Pulheriopoli-t, siç kemi përmendur më herët në një shkrim tjetër (Kodikët e Shqipërisë, thesare të kulturës botërore, në Eksklusive, nr. 36/2003, f. 84-119) mori pjesë në koncilin e parë të Nikesë dhe nënshkroi aktet ekumenike të pranuara.. Por, sipas një historiani jo shumë të njohur të antikitetit, Sozomenus, vendbanimi i hershëm në buzë të Osumit, që njihej me emrin Antipatrea (Αντιπατρια) mbante edhe emrin tjetër, Veritos (Βηρυτός, Βερυτός), që fonetikisht ngjan shumë me emërtimin e sotëm.
Aleksandër Meksi, njohës i dorës së parë i historisë së ngulitjes së krishterimit në formë të organizuar administrativisht, mendon se Pulheriopoli si njësi episkopale përmendet pak më vonë, në udhërrëfyesin e Hieroklitit, që i takon viteve 528-529. Meksi vëren se për një kohë emri i kësaj peshkopate del nga vëmendja dhe rishfaqet në fund të shekullit të 10-të, në kohën e sundimit të perandorit bizantin Cimiskes, kohë kur qyteti i shpëton sundimit bullgar (vitet 970-998). Emri Pulheriopolis ruhet deri në shekullin e 12-të, kur, me sa del nga burimet, përmendet për herë të fundit së bashku me Gllavinicën, si ipeshkvi të varura administrativisht nga Ohri. Berati ridëshmohet në epitafin e njohur të Gllavinicës, ku përmendet Kalisti, peshkopi i Gllavinicës dhe i Belegradit (A. Meksi, Kishat bizantine të Beratit, në Monumentet, 1990/2, f. 37).
II.
Guntram Koch, një studiues bashkëkohës i shkollës klasike gjermane, heq çdo dyshim nëse Antipatrea, Pulheriopolis dhe Berati janë apo jo i njëjti qytet në periudha të ndryshme të historisë, pavarësisht se nuk e dimë me siguri se deri kur Antipatrea u quajt Pulheriopolis. E sigurt është se, së paku prej fillimit të shekullit të 6-të, Antipatrea – duke e marrë të besueshme tezën e mbivendosjes së Beratit të sotëm ndaj saj – quhej Pulheriopolis, apo qyteti i Pulherias, një toponim i zgjedhur për nder të emrit të motrës së perandorit Teodosis i dytë. Pulheria, në vitin 450, u martua me gjeneralin Markianos, i cili, për këtë arsye, pasoi në fron perandorin.
Vetë ky fakt tregon se Berati në krishterimin e hershëm nuk ishte një vendbanim çfarëdo. Një vendbanimi dytësor nuk mund t’i rezervohej privilegji për të mbajtur emrin e motrës dhe të tutores së perandorit. G. Koch mendon se në veprën Mbi ndërtimet të kronikanit Prokopios, bashkëkohës i perandorit Justinian, toponimi Antipagrai (Αντιπαγραί) si qytet ku ishin rindërtuar kështjella, duhet të jetë një formë gjuhësisht e gabuar e emrit Antipatrea, ku shkronja T (ταυ) e greqishtes është ngatërruar me shkronjën G (γάμμα). Në artikullin e tijDisa dëshmi të periudhës së hershme bizantine në Berat (Monumentet, 1990/2, f. 113-115) G. Koch sjell fakte të rëndësishëm që provojnë se Berati kishte një shkallë të lartë zhvillimi në kohën kur mendohet se u shkrua kodiku më i hershëm i traditës kishtare në Shqipëri, Kodiku i Purpurt i Beratit – Codex Purpureus Beratinus j 043, që nga viti 2005 pjesë e programit të trashëgimive më elitare të UNESCO-s Memoire du Monde.
Sado që shumica e studiuesve pajtohen se Berati mori rolin e një kryeqendre administrative dhe kulturore kishtare nga shekulli i 12-të e këndej, një pjesë e rëndësishme e tyre mendojnë se në antikitetin e vonë, prej shekullit të 4-t deri në shekullin e 6-të, rëndësia e qytetit rritet (E. Riza, Qyteti muze i Beratit, arritje dhe perspektiva, në Monumentet, 1990/2, f. 10). Njoftimi i Guntram Koch se në antikuarin e pasur të Beratit gjendet, veç Kodikut të Purpurt (duke nënkuptuar me këtë të parin, atë të mesit të shekullit të 6-të, sepse Berati ka dhe një kodik tjetër të purpurt, të shekullit të 9-të) edhe një objekt tjetër i pazakontë, i së njëjtës kohë, një pllakë parmaku që i përket një kishe bizantine të hershme, të ndërtuar në gjysmën e parë të shekullit të 6-të, merr një rëndësi thelbësore në lidhje me debatet që janë zhvilluar e zhvillohen rreth burimit të traditës së shkrimeve të krishtera në Shqipëri. Koch mendon se objekte të tilla vijnë nga kisha paleokristiane (po aty). Ai shprehet i shqetësuar pse këtij artefakti nuk i është dhënë vëmendje shkencore e merituar, qysh prej vitit 1918, kur dijetari E. Buschbec pati saktësuar se ai gjendej në Xhaminë e beqarëve, dikur kishë e Ungjillizimit, ku në vitin 2010 nuk u gjet asnjë gjurmë.
Duke vlerësuar tipologjinë e këtij relikti, ku shquhen dy figura-simbol: kryqi dhe qengji, Koch mendon se nuk mund të gjejmë shembuj të tjerë në perandorinë bizantine, veçse në Sirinë e largët (Disa dëshmi të periudhës së hershme bizantine në Berat, në Monumentet, 1990/2, p. 113-115), dhe kjo na kujton se një shumicë paleografësh dhe historianësh të Shkrimeve të Shenjta edhe prejardhjen e Kodikut të Purpurt të Beratit e gjejnë të referuar në shkollën siro-palestineze (E. Crisci,Vangelo di Matteo e Marco, në I Vangeli dei Popoli, Roma 2000, p. 123), përkundër një mundësie tjetër, që t’i përkasë shkollës së ndërmjetme (middle school). Vetë Koch sheh një lidhje të mundshme zanafillëse midis këtij objekti, që mund të ketë qenë në Berat prej periudhës së krishterimit të hershëm, dhe kodeksit të kushtueshëm të purpurt, ndoshta një kushtim i perandorit Justinian për Antipatrean (Antipatrai-n”). Përfundimi i Koch se të gjitha këto gjetje së bashku na bëjnë të mendojmë për shkëlqimin e Pulheriopolis-Antipatreia-s në antikitetin e vonë dhe në periudhën e hershme bizantine, ndihmon shumë për të kuptuar historinë e Shkrimeve të Shenjta të hapësirës shqiptare.
Në fundin e mijëvjetëshit të parë, kur qyteti i Ohrit, deri në vitin 1767 me status patrikane (e kryesuar ndër të tjera edhe nga klerikë arbëreshë), u shfaq si kryeqendër e krishterimit slavonik (pravosllav), Berati ishte në lulëzim. Në studimet e fundme pranohet se Ohri e mori ndriçimin jo nga Beligradi sllav, por nga Beligradi shqiptar, Berati. Kjo tashmë pranohet dhe nga disa studiues të mundësisë tjetër. Njëri prej tyre, Trendafil Krstanov, njohës ngulmues i burimeve arkivore të Selisë së Shenjtë, në studimin Vatican Sources on Velegrad-Belgrad-Berat: Clement of Velitza Episcopacy from 906 to 916 (p. 124-125), shkruan: Shën Cirili, Shën Metodi dhe dishepujt e parë, Klementi, Naumi, Sava, Gorazd dhe Angelarius, janë njohur si “7 mësuesit e shenjtë të Bullgarisë”, ose “drita e Bullgarisë dhe Dalmacisë”. Duke punuar në Bibliotekën e Vatikanit, unë munda të mbledh një koleksion me mbi 200 dorëshkrime greqisht. Në të njëjtën përmbledhje në bibliotekën e dorëshkrimeve greke të Vatikanit, unë gjeta një tekst të panjohur sllav. Në përpjekje për të ekzaminuar këto dorëshkrime dhe për të realizuar interpretimet e tyre, në shënimet e mia nga Vatikani zbulova disa të dhëna me ndikim ndër ne për Velegradin – Beligradin tjetër ose Beratin shqiptar (Eshtë fjala për tekstin që pason i kronikën e Astarhi Stavraki-it, në Greek Vatican Cod. 2492): Bishopric of Velagrad or Velegrad (Berat) ana Canina, Northern Epirus. A town in Albania, the present day Berat. The Bishopric originally belonged to the Drach Metropolis, knoën as Pulheriopolis, subsequently the Velegrad Metropolis, under the Ohrid Archbishop’s see and from 1767 under the Patriarchate of Constantinople, with a Metropolitan title: Υπερτιμος εντιμότατος και έξαρχος πάσης Αλβανίας – Most Honest and Exarch of all Albania).
III.
Deri në mesin e shekullit të 6-të pas Krishtit kultura e Beratit dëshmohet në gjetjet arkeologjike dhe në burimet e autorëve antikë grekë e romakë. Prej shekullit të 6-të fillon periudha e dokumentuar e saj. Kësaj kohe i takon i mirënjohuri Kodiku i Purpurt i Beratit, një prej versioneve më të vjetra të letërsisë ungjillore në shkallë botërore shkruar në pergamenën më të shtrenjtë e më luksoze të krishterimit të hershëm, e njohur fillimisht si purpurea imperialis e më pas si purpurea divina; fund e krye në ar e argjend (gjithë nomina sacra shkruar në ar, duke nisur nga shkurtesat për emrin Krisht e Zot dhe për shenjën e kryqit). Ky dorëshkrim përmban Ungjillin sipas Mateut dhe sipas Markut. Mendohet se është shkruar me dorën e vetë Shën Gjon Gojartit (Joan Chrysostomos /Ιωάννης ο Χρυσόστομος), siç shkruan Pierre Batiffol.
Deri në mesin e shekullit të kaluar Kodiku i Purpurt i Beratit është përdorur si libër liturgjie një herë në vit, pikërisht në ditën e shenjtorit që besohet të jetë autor i tij, më 27 janar. Në këtë ditë ungjilli nxirrej para besimtarëve për t’u dhënë bekim. Në kohën kur u shkrua ky kodik, ungjijtë ende nuk ishin njësuar e kanonizuar tërësisht. Aleks Buda shkrojti një gjysmë shekulli më parë se në përmbajtjen e këtij kodiku ka shenja të asaj epoke kur mendimi njerëzor i njihte ende vetes njëfarë kompetence mbi Shkrimet e Shenjta (periudhës para kanonizimit të ungjijve).
Kodiku i Purpurt i Beratit ka rëndësi për historinë e zhvillimit të mendimit të krishterë në shkallë botërore. Shkronjat e kllapuara që janë përdorur (oncial, uncial) dhe lëkura e kuqe që prodhohej në qytetin antik të Pergam (Azi e Vogël) shprehin madhështi, sakralitet dhe vlera të shenjta. Në ekspozitën Ungjijtë e Popujve, që u hap më 2000 në Vatikan, veç Kodikut të Purpurt të Beratit, kishte vetëm dy kodikë të tjerë të purpurt: Sinopensis O (që e mori emrin nga qyteti antik Synope) i bibliotekës kombëtare të Parisit dhe Rossanensis i bibliotekës së dioqezës së Rossano-s në Itali. Midis dorëshkrimeve kishtare që ruheshin në bibliotekën e kishës së Shën Gjergjit në kohën kur u vizitua nga Pierre Battifol gjendeshin vlera që nuk ruhen më në botë. Deri në mesin e shekullit të 19-të në këtë bibliotekë ruhej edhe dorëshkrimi origjinal i Liturgjisë së Shën Gjon Gojartit, një kodik tjetër i shekullit të 4-t dhe një kodik i ruajtur në Gjirokastër i shekullit të parë, që nuk gjenden më në biblioteka kishtare e laike. Shkrimet e Shenjta beratini krijuan një traditë të njohur në shkallë europiane.
Në gjysmëshekullin e fundmë për Kodikun e Purpurt të Beratit kanë dalë të reja për të vërteta të përjashtuara përgjatë gjithë traditës së mëhershme të studimeve.
Procesi i shërimit të Kodikut të Purpurt të Beratit dhe të Kodikut të Artë të Anthimit u realizua nën përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të Aleks Budës, kryetar historik i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, dhe ish-kryetarit të Akademisë së Shkencave Shoqërore të Kinës (CASS) Go Moruo. Çfarë zbuloi ky proces, përveçse shpëtoi dorëshkrimet, ende nuk është studiuar. Në vitin 2005, ku Asambleja e Përgjithshme e UNESCO-s, e mbledhur për rastësi në Pekin, vendosi regjistrimin e dy kodikëve në programin e Kujtesës së Botës, lindi një interesim fillestar për teknologjinë aq shumë të vlerësuar dhe më pas edhe për mundësitë e krijuara nga restaurimi për të bërë të dukshme të padukshmen, pa folur për leximet e mundshme të tekstit përmes inteligjencës artificial dhe lehtësimit të një transliterimi tjetër pas afro një shekulli e gjysmë që nga tejshkrimi i belgut Pierre Battifol, tashmë mjaft i diskutueshëm. Disa përfundime, të konsideruara historikisht si të mbyllura, u vunë në dyshim dhe pikëpyetjet po shtohen.
Ishte pohuar ngulmësisht që nga shkrimi i parë e për më shumë se një shekull se në Kodikun e Purpurt të Beratit nuk kishte asnjë shenjë të alfabetit muzikor (neuma, νεύμα), ndoshta duke pasur në mendje faktin që kodifikimi muzikologjik i liturgjisë (Antifonari, Αντιφωνάριον) u krye gati tre shekuj më vonë, nën autoritetin e Papa Gregorit. Por, në një studim të S. Shupos, u dëshmua se, së paku në dy fletë (fl. 44 dhe f. 156), ka qartësisht shenja drejtuese të frazës muzikore, jo rastësisht në një prej vargjeve më të kanonizuar të ungjijve: Krishti u ngjall së vdekurish / me vdekjen vdekjen mundi (S. Shupo, Gjurmët më të lashta të shkrimit muzikor bizantin në Shqipëri: neumat ekfonetike në Codex Purpureus Beratinus, Tiranë 2008), pa veçuar fletët e tjera me shkrim muzikor të mbivendosur në kohë të mëvonshme dhe me ngjyra e ngjyrues të zakonshëm (jo argjend e ar).
Me të njëjtën këmbëngulje është pohuar se në këtë dorëshkrim ka vetëm shkrim të pandërprerë (scriptio continuae) dhe fjalët nuk ndahen nga njëra-tjetra. Por, përmes zmadhimit të mundësuar prej teknologjisë së numerizimit, është vërejtur se së paku në një rast gjendet një shenjë e pavërejtshme me sy të lirë, e ngjashme me asteriksin, që, me sa duket jo për rastësi, gjendet rregullisht në kufijtë ndarës të fjalëve.
Albanologia kineze Ke Jing dhe studiuesja tjetër e katedrës së shqipes në Pekin dr. Ma Sai kanë hedhur disa hapa të tjerë kërkimorë, që me sa duket do të provojnë se shërimi nuk qe aspak vetëm çështje teknike. Ditari i mbajtur nga arkivistët shqiptarë, i botuar prej nesh në vitin 2003, është përkthyer e botuar tashmë në anglisht e frëngjisht nga studiues europianë të paleografisë dhe të historisë së Shkrimeve (Didier Lafleur, Luc Brogly, Greek New Testament Manuscripts from Albania, Brill 2018) Ndërsa ditari i mbajtur nga arkivistët kinezë vetëm sa është shfletuar. Para së gjithash merr rëndësi procesverbali për pritjen e arkivistëve shqiptarë për restaurimin e dy librave antikë shqiptarë (接待阿尔巴尼亚古书修复小组简报) dhe ditarë të tjerë të mbajtur nga ekspertë restauratorë, disa prej të cilëve ishin dijetarët më të formuar për njohjen e restaurimin e veshjeve më të hershme të mëndafshëta të perandorëve kinezë, duke nisur nga studiuesi Wang Xu, që kryesoi drejtimin e punës në Institutin e Arkeologjisë të Pekinit (në A collection of Wang Zhongshu’s Work, botuar nga CASS, gjenden të dhëna paraprake).
Në arkivat e Pekinit ruhen kopjime (dizenjime) të miniaturave të dy kodikëve nga ky studiues dhe shenjime pas këshillimeve me historianë të kanonizimit të Shkrimeve të Shenjta. Ndryshe nga sa mendohej, teknologjia e shërimit është bazuar në përforcimin e çdo flete me rrjeta mëndafshi (rrjetëzim i katërfishtë). Numri i mjeshtërive të kombinuara në proces është mbi 40, duke përfshirë uzinën e prodhimit të monedhës kombëtare kineze dhe disa lloje fabrikash të përpunimit të arit e argjendit, mëndafshit e lëkurëve; ngjyruesve natyrorë e kimikë. Vetëm ngjitësit janë 16 llojesh. Merr rëndësi të madhe gjithashtu ditari i zëvendësdrejtorit të atëhershëm të Institutit të Arkeologjisë Xia Nai, i cili citohet pjesërisht edhe në Listën e Kryeveprave të Trashëgimisë Botërore.
Më e rëndësishmja nga të gjitha është se kudo ku dy dorëshkrimeve u është kryer një shërbim, kudo ka një gjurmë njoftuese, pjesën më të madhe të të cilave nuk e dimë. Në aq dëshmi sa janë publikuar, falë kujdesit të dy kolegeve kineze, të cilat kanë organizuar së fundmi dhe një takim në katedrën e shqipes me kërkues që trashëgojnë dokumente dhe burime nga puna e drejtpërdrejtë për shërimin e dy dorëshkrimeve, për të inkurajuar studimet njohëse mbi historinë e jetës së kodikëve në Kinë.
Kodiku i Purpurt i Beratit është ekspozuar për herë të parë në jubileun e 2400-vjetorit të qytetit të Beratit, në kushte të forta sigurie, pas dhënies së lejes me shkrim nga kryesia kolektive e shtetit – Presidiumi i Kuvendit Popullor (1989). Ai është ekspozuar edhe një herë tjetër, pa bujë, në festimin e 50-vjetorit të themelimit të shërbimit arkivor kombëtar, më 1999, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar. Në vitin 2000, me vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave, një vëllim prej 20 fletësh i Kodikut të Purpurt të Beratit u paraqit në ekspozitën më të madhe ndërkombëtare kushtuar 2000-vjetorit të krishterimit Ungjijtë e Popujve organizuar nga Biblioteka Apostolike e Vatikanit. Beratinus-1 u rishfaq edhe një herë po me atë rast jubilar përpara një publiku të zgjedhur vendës e diplomatëve të huaj, në Pallatin e Brigadave, në ekspozitën Kodikët e Shqipërisë – përmendore të historisë së mendimit njerëzor, që u zhvillua më 2002 nën kujdestarinë e akad. Rexhep Meidanit, në atë kohë President i Republikës. Më pas kodiku është ekspozuar edhe në Sofje dhe në një rast tjetër brenda vendit.
IV.
Berati është qyteti i mjeshtërisë së artit kishtar. Në Mesjetën e hershme kishte gjashtë shkolla pikture dhe bukurshkrimi. Sipas studiueses së artit mesjetar Dhorka Dhamo, mund të flitet për një varg ikonash dhe miniaturash të shekullit të 14-të – 15-të, të riprodhuara me dorë në skriptoret /shkollat, mjeshtrat/ e Beratit, në manastirin e Ungjillizimit (Dh. Dhamo, Të dhëna për datimin e afreskeve në Berat, në Monumentet, 1990/2, f. 52). Në Berat gjenden kryevepra të piktorit të shquar të afreskeve të stilit bizantin, të ndikuar fort nga shkolla e Rilindjes Europiane kreto-venete, Onufrit, kryemjeshtër e protopapë me titull (kryeprift). Me veprën e tij studiuesit kanë identifikuar terminologjikisht një prej nuancave të ndezura të së kuqes, e ngjashme vetëm me atë të inkonografit rus Andre Rubljov(Viktoria Puzanova: Piktori shqiptar i shekullit të 16-të Onufri nga Neokastra – Elbasan, në Buletini për Shkencat Shoqërore nr. 3/1953, f. 2-22; Prapë përmbi artin shqiptar të shekullit të 16-të – 17-të, në Buletini për Shkencat Shoqërore, nr. 2/1958, f. 152-156; Disa tipare të pikturës monumentale në Shqipëri gjatë shekujve të 12-të – 15-të, në Studime historike, nr. 2/1967, f. 105-112). Në periudhën arbërore Berati ishte zotërim i Muzakajve e kryeqendër e zotërimeve të tyre dhe bënte jetën e një qyteti perëndimor. Në këtë periudhë emri i tij herë-herë konsolidohet në formën Belegradon. Sipas Kristo Frashërit, mitropolia e Beratit u fuqizua dhe mori një rol të rëndësishëm rajonal pasi u shua roli i peshkopatave të Bylis-it, Apollonisë, Amantias dhe Kaninës. Madje ai mendon se edhe peshkopata e Vlorës ka pasur një rol të mëhershëm.
Qyteti i Beratit u bë i njohur edhe për traditën e shkrimeve në gjuhët e Orientit: osmanisht, persisht e arabisht. Sixhilati i sherijes së Beratit (një formë ndryshe e kodikëve kronografikë, që, sikurse kuptohet nga emri, përmban akte të gjykimit të kadinjve sipas Sherijatit) është një prej regjistrave më të rëndësishëm të ngjarjeve, zhvillimeve dhe protagonistëve të historisë së Shqipërisë e të Ballkanit për rreth katër shekuj. Ky regjistër ka më shumë se 220 vëllime dhe përmban të dhëna me karakter enciklopedik për gjithçka ka ndodhur në këtë anë të Botës. Sixhilati i Beratit është një burim të dhënash të pazëvendësueshme për popullsinë, pronat, zhvillimin e dhënien e së drejtës, emërimet e lirimet e funksionarëve të administratës, dënimet dhe gradimet, ndëshkimet dhe shpërblimet, gjendjen kulturore dhe fetare, raportet e së drejtës shtetërore me atë etno-zakonore, luftërat dhe paqet, kryengritjet dhe nënshtrimet, ndodhitë e natyrës, epidemitë, vitet e urisë, vitet e bollëkut, mrekullitë dhe çuditë e botës, të ngjarat e të pangjarat. Sixhilati i Beratit ka të dhëna për një hapësirë prej Besarabisë (emri i vjetër i Moldavisë) në Gjibraltar. Shënimi më i hershëm i këtij sixhilati është i vitit 1604 kurse më i vonshmi i vitit 1923. Një studim paraqitës ka botuar rreth vlerave të këtij regesti Eleni Duka(Sixhilati i sherijes së Beratit, dëshmi dokumentare-kulturore me vlerë, në Monumentet, 1990/2, f. 103; Haki Sharofi dhe vepra e tij, Tiranë 2000, f. 148-151). Karakterit specifik të rendit osman, i njohur si pax ottomana, si dhe dallimeve midis otomanizimit të përgjithshëm dhe islamizimit të pjesshëm të shqiptarëve, si dhe statuseve të ndryshme të kishës lindore dhe asaj romane në kuadër të këtij rendi e të protokollit shtetëror perandorak u patëm kushtuar gati dy dekada më parë një artikull të bazuar në dorëshkrimet orientale (botuar në revistën Perla, 2008/4, f. 132 e vijim.), si dhe në studimin e mëhershëm Berat (Belgırat) şehri şer’iyye sicil defteri (mahkeme kayıt defteri) – Arnavutluk ve doğu bölgeleri hakkında ansiklopedik bir hazine (Gazi Üniversitesi, Ankara 2005).
Në Berat ka ekzistuar një shkollë dijetarësh të shquar orientalistë, si Vehxhi Buhara, Andrea Saatëçiu, Ferid Vokopola dhe jo pak të tjerë.
Berati lulëzoi si qendër kulture edhe në periudhën e asaj që për analogji me një zhvillim të ngjashëm në pikëpamje të alfabetit me një degëzim të letërsisë hispanike të shek. 8-të e vijim është quajtur alhamiada-s shqiptare, letërsisë e shkruar me alfabet rrokjesor. Bejtet e Nazimit të Frakullës dhe rivaliteti i tij me myftiun e vendit mulla Aliun bënë që qyteti të ndahej në dy pjesë dhe të hynte në ethet e garës. Shqetësimi u përcoll deri në qendër të ish-perandorisë osmane, prej nga bartësi i privilegjeve të khalif-it në Kostandinopojë i shkroi administratës vendëse këtë letër:
I ndershmi zoti gjykatës i Beligradit shqiptar. Mbas selamit, ju bëjmë të ditur se myftiu i Beligradit shqiptar Aliu është hequr nga detyra e fetvasë, meqenëse jemi lajmëruar që me sjelljet e tij të këqija është përzier në disa çështje, duke shkaktuar anarkinë e qytetit. Duhet ta porositni, në mënyrë të përsëritur, që prej ditës së sotme të rrijë në punë të vet e të mos përzihet më në çështje të fetvasë. Vesselam (Haki Sharofi dhe vepra e tij, Tiranë 2000, f. 149).
Siç dëshmoi orientalisti Vehxhi Buhara në historikun e mëhallës Çelepias të Beratit, qyteti kishte aq shumë tolerancë dhe mikpritje të artit, sa, në fillim të shekullit të 18-të, një lahutar nga Shkodra, që ishte larguar nga vendlindja e tij për shkak se nuk çmohej, madje përqeshej prej të vetëve, erdhi në këtë qytet dhe fitoi shumë shpejt admirues nëpër çajtoret ku këndonte si rapsod.
Fryma shembullore e bashkëjetesës, që shprehet edhe në faktin e fqinjësisë së shëndetshme të Kodikut të Purpurt të Beratit me Sixhilatin e sherijes së Beratit, dy kryevlera të trashëgimisë arkivore – secila në llojin e vet – përbën një përvojë historike me vlera bashkëkohore, çështje që e patëm trajtuar më herët në artikullinŠta kažu albanski izvori, botuar si hyrje në katalogun Crna Gora u arhivskim dokumentima Albanije (Tiranë-Cetinje, 2001, f. 3-10).
Berati është vendlindja e një prej familjeve më të fuqishme të ish-perandorisë osmane, Küprülü. Vetë dhe me të tjerë ata reformuan dhe shpëtuan perandorinë nga rrënimi ekonomik dhe politik, duke ndarë pushtetin ekzekutiv (veziratin) prej pushtetit ligjëvënës (sulltanatit). Dinastia Küprülü sundoi për afro 70 vjet. Në Berat gjeti strehë ushtria kryengritëse e Sabbetha Zevi pas vitit pas dështimit të qëllimit shtetformues në vitin 1666. Hebrenjtë sabbatazevistë që u vendosën në Berat formuan një sekt të ndërmjetëm, hebraik dhe islamik (bektashian) që njihej me emrin dönme (të kthyerit, të konvertuarit) dhe maranos (μαράνος). Mendohet se në Bilçë të Beratit gjendet një prej varreve të shumtë cenotafikë të Sabbetha Zevit. Deri vonë qyteti kishte një lagje hebrenjsh rezidentë, që njihej me emrin Mëhalla e çifutëve – Jahudi mehalasi dhe sot ka një rrugë të pagëzuar me emrin e hebrenjve. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, në prill të vitit 1942 e më pas, në Berat u strehuan 94 familje hebrenjsh dhe 87 individë të ardhur njëherësh (në grup) nga Kosova. Asnjë hebre i ardhur nuk iu dorëzua kundërshtarit. Të qeverisurit dhe qeverisësit, populli dhe bashkëpunuesit, mbajtën ndaj tyre të njëjtin qendrim mbrojtës.
Qyteti i Beratit është një kryeqendër kulturore rajonale, me rëndësi për historinë e Shqipërisë dhe të popujve fqinjë, Greqisë, Bullgarisë, Turqisë osmane etj. Për trashëgiminë e çmuar origjinale, materiale e shpirtërore që ruan, prej vitit 2008 Berati është shpallur qytet i listës së qyteteve nën kujdesin e UNESCO-s.
2012