Kreu Letërsi Shënime mbi libra Sevdai Kastrati: Romanet që janë konsideruar gabimisht të F.Konicës janë shkruar nga Nikolla...

Sevdai Kastrati: Romanet që janë konsideruar gabimisht të F.Konicës janë shkruar nga Nikolla Lako

Vijon nga: https://exlibris.al/sevdai-kastrati-romanet-qe-jane-konsideruar-gabimisht-te-faik-konices-pjesa-3/

7. Dokumentet dhe ilustrimet

F. Andrea për ta përmbyllur këtë problem të vështirë, që i ka mbetur ende i pasqaruar, për çështjen e autorësisë së romaneve “Martesa e Leilës” dhe “Sotiri e Mitka” jep burimet arkivore. Kështu për shembull e boton për herë të parë vlerësimin për romanet nga Edmond de Gabory i gazetës L’Avenir d’Arcachon. Përveç këtij vlerësimi që është një prurje e re, ai i ka kushtuar vëmendje të veçantë të dhënave nga letërkëmbimi i G. C. Camet me Jeronim De Radën.

  Këtu dua të theksoj se G. C. Camet nuk është i panjohur për studiuesit e letërsisë shqipe¹. Ai do të çmojë veprën e parë poetike të De Radës Këngët e Millosaut, për të cilën do të shkruajë se ajo shquhet me bukurinë e Amnitës së T. Tasos.  Me sa di, Alberto Straticò² është i pari që përmend në Manuale di letteratura albanese, që u botua në Milano më 1896. Më vonë, një letër e G. C. Camet drejtuar De Radës më 4 maj 1878 u botua shqip në shkrimin e Ahmet Kondos “Jeronim De Rada – propagandues i flaktë i të drejtave të shqiptarëve”. Në këtë letër (sipas dëshmisë së Camet) A. Dumas i Riu ishte shprehur se De Rada është krijuesi i gjuhës kombëtare  dhe historia do ta quajë Dantja i Shqipërisë.³

F. Andrea riboton dy letra nga tre se kishte botuar4 më parë prej G. C. Camet drejtuar De Radës me qëllim që të ndihmojnë në çështjen e autorsisë së romaneve “Martesa e Leilës” dhe “Sotiri e Mitka”.

Po kështu mund të thuhet edhe për letrën e F. Konicës, që mban datën 20 tetor 1902, dërguar N. Naços në Bukuresht. Letra e lartpërmendur që ruhet në AQSH u përfshi nga F. Andrea në shtojcën e dokumenteve, edhe pse nuk është e panjohur për lexuesit. Pikërisht kjo letër u botua për herë të parë në revistën “Brezi 9”5 të Tetovës më 1995 nga Baki Ymeri, të cilit ia kishte dhuruar në Bukursht Dhimitër Polena në vitet ’90.

Libri në fund është pajisur me ilustrime: tablo, portrete, fotografi, kartolina, dokumente, faksimile etj.

Me këtë rast do të veçoj një portet dhe një fotografi.

Me interes të veçantë është portreti i Lejla Konicës me veshje shkodrane, i porositur nga Fotaq Andrea tek Lazar Taçi. Ka porositur Aladro romane, ka porositur Aladro tablo e portrete, pse të mos porosit edhe Fotaqi. Jo vetëm kaq: ka bërë edhe një porosi tjetër (të drejtpërdrejtë) për një portret të Faik Konicës tek i njëjtë piktor.

Më në fund do të ndalëm në fotografinë që Fotaqi gabimisht e ka quajtur autoportret i Theohar Gjinit5. Ai është kujdesur që të mos i referohet asnjëherë. Nuk e zë në gojë as për të mirë e as për të keq. Ikën nga ai sikurse djalli nga temjani. Ndonëse nuk ka dyshim se gjatë hartimit të studimit hyrës “Lojnia” do ta ketë ndeshur emrin e tij. Edhe pse ai është sekretar i Aladro Kastriotit. Është NIKOLLA LAKO, autori i romaneve “Martesa e Leilës” dhe “Sotiri dhe Mitka” që gabimisht janë konsideruar nën autorsinë e Faik Konicës.

(Vijon numrin e ardhshëm)

____________________

¹Shih Klara Kodra, Fillimet poetike të De Radës dhe poema ”Këngët e Milosaos”, në ”Studime filologjike”, Tiranë, 1978, nr. 2, f. 86; Rexhep Qosja, Historia e letërsisë shqipe (Romantizmi II), ”Rilindja”, Prishtinë, 1984, f. 173.

²“Votre jeune Milosao a tute la fraicheur e toutes les beautés de l’Aminta du Tasse”, në Alberto Straticò, Manuale di letteratura albanese, U. Hoepli, Milano më 1896. f. 247.

³Ahmet Kondo, Jeronim De Rada – propagandues i flaktë i të drejtave të shqiptarëve, në ”Me pushkë dhe me penë për liri e pavarësi”, Shtëpia botuese ”8 Nëntori”, Tiranë, 1977, f. 272.

4Shih Vepra e juaj, një monument i bukur i jetës, gjuhës dhe traditës së shqiptarëve, në Fotaq Andrea, “Arbëreshët e Italisë 1413-2007”, Shtëpia botuese ”Via Egnatia”, 2012, f. 189-192.

5Shih Letër e pabotuar e Faik Konicës dërguar Nikolla Naços në Bukuresht, ”Brezi 9”, Tetovë, 9 maj 1995, nr. 5, f. 8.

6Është e njëjta fotografi që Edi Rama e përkujton Nikolla Lakon në Amarcord më 6 mars 2017. Ai ngatërron vitin e botimit të gazetës ”Shqipëria” që është 1907 e jo 1897.

Exit mobile version