Kreu Opinion Sevdai Kastrati: Hipotezat dhe shpjegimet e Fotaq Andreas

Sevdai Kastrati: Hipotezat dhe shpjegimet e Fotaq Andreas

Vijon nga: https://exlibris.al/sevdai-kastrati-ku-gabon-fotaq-andrea/

Ndërkaq, në gjurmët e Gjikës ecën edhe F. Andrea kur (pas një punë të gjatë e të mundimshme kërkimore!!!) ‘zbulon’ se pagëzimi mund t’i përkasë vitit 1894 dhe jo siç thotë Th. Gjika, vitit 1895. Madje, duke shkuar tek kësaj hamendjeje nuk ngurron të pohojë se emri i pagëzimit është Dominik dhe jo siç thotë profesori i tij me emrin Domenik. Në fakt e korrigjon Th. Gjikën, i cili është përkrahësi kryesor i hipotezës se romanet janë të Konicës, me qëllim që personazhi Dominik të jetë i ngjashëm me emrin e pagëzimit të Faikut gjoja në katolik.

Ndonëse studimet mbi Konicën gjatë këtij shekulli janë pafund deri në ditët e sotme, prapëseprapë asnjëri nga studiuesit nuk është rrekur të bëjë një krahsim të kujdesshëm me argumente bindëse nëse Faiku ynë është pagëzuar në ‘katolik’.

 Ndër studiuesit që janë marrë me çështjen e pagëzimit të Faik Konicës, ndër të cilët veçoj Thanas Gjikën, i cili është i pari që ka bërë një përpjekje me shkrimin Sikur ta kishim dëgjuar Faik Konicën! (Ecuria e mendësisë fetare tek shqiptarët, në 115-vjetorin e pagëzimit të Faik Konicës). Th. Gjika supozon se “pagëzimin e Faik Konicës me emrin Domenik e dëshmojnë edhe disa letra të viteve 1895-97, dërguar shqiptarëve të Bukureshit”. Veçse për këtë pohim (edhe pse pa kurrfarë hollësish) nuk jep tjetër argument dhe na shtynë të mos pajtohemi me mendimin e tij.  Ashtu siç nuk mund ta besojmë edhe thirrjen kinse Konica i ka bërë Murat Toptanit9 për t’u bërë ‘katolik’, sepse është vetëm një pohim i Th. Gjikës pa asnjë referencë të burimit që ka shfrytëzuar. Po në këtë shkrim të Gjikës argumentet janë mjaft të cekëta dhe nuk sjellin asgjë të re për ndriçimin nëse Faiku vërtet është pagëzuar në ‘katolik’.

Ndërkaq, në gjurmët e Gjikës ecën edhe F. Andrea kur (pas një punë të gjatë e të mundimshme kërkimore!!!) ‘zbulon’ se pagëzimi mund t’i përkas vitit 1894 dhe jo siç thotë Th. Gjika, vitit 1895. Madje, duke shkuar tek kësaj hamendjeje nuk ngurron të pohojë se emri i pagëzimit është Dominik dhe jo siç thotë profesori i tij me emrin Domenik. Në fakt e korrigjon Th. Gjikën, i cili është përkrahësi kryesor i hipotezës se romanet janë të Konicës, me qëllim që personazhi Dominik të jetë i ngjashëm me emrin e pagëzimit të Faikut gjoja në katolik. Në këtë rast i jap të drejtë F. Andreas se personazhi i romanit është me emrin Dominik (Dominique).

 Sa i përket çështjes së pagëzimit të Faik Konicës në ‘katolik’ shkruesi këtyre radhëve ka  një sërë arsyesh të mos pajtohet me mendimet e studiuesve të lartpërmendur: 

a)      Dëshmia e Faik Konicës, i cili në shkrim Ç’është liria?10 thotë: “Janë Shqipëtarë qi kanë fe. Unë u thom: “ata janë të lirë të kenë fe, janë të lirë të thonë që kanë fe, janë të lirë të shkrojnë që feja ësht’ e mirë, janë të lirë të bëjnë ç’ urdhërojnë feja”; dhe kur më dërgojnë artikëlla për të lavëduar ferat, i shtyp pa besuar, se s’kam të drejtë t’u pres lirin’ e fjalës. Po kur unë besonj, thom, shkronj që më vjen të vjellur për ç’ do fe, – ata shpirtrobërit më thresin: “S’të lëshojmë lirinë të shaç ferat!” S’më lëshoni të shaj ferat? Por unë, shpirtrobër, pse u lëshonj  t’i lëvdoni ferat ato? A kini, në mos fillosofi, pakëzë mend për ta kuptuar që fjala juaj është fjalë gomari?”;

b)      Kryepeshkopi ynë Theofan në ditën e varrimit të Faik Konicës nuk bërë ndonjë cermoni fetare: përpos fjalimit të përzishëm që mbajti në shqip dhe anglisht e përcolli mikun e tij të shtrenjtë për në banesën e fundit me muzikë nga Wagner, kompozitori i adhuruar i të ndjerit;

c)      Dëshmia e Fan S. Nolit, i cili në shkrimin Flet Faik Konica¹¹ kinse e shkruar në Romë më 15 shtator 1945 dhe i fshehur pas pseudonimit Robo Rogozhina thotë se “Faiku, në djalëri kishte kaluar nëpër të gjitha ideologjitë revullocionare, dhe jo për cipë a shkel-e-shko, po kishte hyrë thellë, dhe i kishte shtudiuar me zjarr e pasion… Po t’a kruanje pak, menjëherë çfaqej revullocionari i vjetër”;

d)      Përsëri kemi edhe një dëshmi  tjetër nga Imzot Noli kur flet në lidhje me vendin që zë Konica në historinë e re të Shqipërisë: “Si mysliman dhe me prejardhje nga një familje e vjetër aristokratike e Shqipërisë së Jugut, Konica i kishte të gjitha rrugët e hapura për të arritur pozitat më të larta të Perandorisë turke, në të cilën Shqipëria bënte pjesë që nga vdekja e Skënderbeut. Për shembull në kohën, kur Konica ishte ende i ri, Veziri i madh ose Kryeministër i Perandorisë turke ishte Ferid Pasha, një shqiptar nga Vlora. Por kjo rrugë për të bërë karrierë nuk e tërhiqte Konicën. Ai mendonte se misioni i tij ishte që të luftonte për pavarësinë e Shqipëris딹².

Përpos fakteve të lartpërmendura mund t’i shtojmë dhe disa të dhëna të tjera për të mbështetur hipotezën tonë:

Është thënë se Faiku në Paris u përzi me qarqet socialiste revolucionare dhe për një kohë bashkëpunoi me disa gazeta ekstreme të Parisit.

Është thënë se Faiku në rini ishte një anarkist revolucionar dhe njëherit ishte redaktor i një gazete anarkiste me titullin Le Scandale.

Në këtë rast do të ndalemi edhe në disa të dhëna që na ofron vetë Faiku gjatë qëndrimit në Amerikë:

Në javën e parë të dhjetorit (1912) gazeta “Herald” e Bostonit  e quan Faik Konicën socialist dhe përkthyes të Kuranit. 

Dhjetë vjet më vonë (janar 1922) gazetat greke të New York-ut e akuzojnë Faik Konica kinse e ka përkthyer Kuranin në shqip, me qëllim që të ndez fanatizmin e shqiptarëve myslimanë. Në të vërtetë Kurani është përkthyer dhe është botuar prej shqiptarit ortodoks Ilo Mitkë Qafzezi më 1921 në Bukuresht. Në parathënie Qafzezi bën me dije se “e përktheu nga dëshira për të dijtur se cila është ajo ‘cipë qepe’ misterioze që i ndan fetarisht shqiptarët myslimanë nga vëllezërit e tyre të krishterë”. 

 Është fakt në anën tjetër se Faik Konica i ka bërë thirrje shqiptarëve myslimanë për t’u kthyer në krishterizëm ose për t’u bërë gjysmë të krishterë me qëllim që të ndalohet copëtimi i Shqipërisë: në mos idealismi, të pakën buka dhe detyra që kini te fëmija juaj ju shtrëngon të bëni nga dy gjëra njërën: a të kthehni te feja e stëgjyshërve t’uaj, a të mbeteni muhamedanë, po duke u lidhur me aqë vërtetësi dhe zëmrë me të krishterët nga gjaku juaj sa t’i jipni kombit t’uaj një karakter gjysmë të krishterë.

Po kështu edhe tre vjet më vonë, më 5 dhjetor 1912, Faik Konica do ta kundërshtojë kandidaturën e Kolonisë së shqiptarëve të Misirit për të përkrahur Ahmet Fuatin për fronin e Shqipërisë:

Pa mohur cilësit’ e njeriut, të cilin as që e kishim dëgjuar më parë; pa vënë re që ka të ngjarë se munt të zgjidhet, si i pëlqyer nga Austria, i përkrahur nga fanatizmi i fshehur i Muhamedánëve, dhe nga moskuptimi a ftohtësia e të krishtérëve: – unë, Faik Kontza, protestój kundrë zgjedhjes së një princi muslimán për fronin e Shqipërisë, edhé u lutem bashkatdhetárëve të mij të mos bëjnë që në krye një lajthím politík të trashë, i cili do të vërë tërë të pritmen e Shqipërisë në rrezík.

Me këtë rast Konica do të shtjellojë katër argumente:

Zgjedhja e një princi mysliman në fronin e Shqipërisë është e dëmshme në pikëpamje politike, sepse Shqipëria në botën e qytetëruar do të konisderohet shtetet oriental si Bukhara, Khiva, Afganistani, Tunezia. Me një një fjalë do të jetë një Turqí e dytë dhe do ta përdorin fqinjët si të duan. 

Zgjedhja e një princi mysliman në fronin e Shqipërisë është e dëmshme në pikëpamja adminstrative, sepse Shqipëria do të qeveriset sipas metodës së vjetër. Pra, duhet e  sotmia të pritet nga e djeshmja dhe të bëhemi një komb europian i përparuar. 

Zgjedhja e një princi mysliman në fronin e Shqipërisë është e dëmshme në pikëpamje mendore, sepse  Shqipëria s’ do të ketë shpëtím nga medresetë dhe Anadolli. 

Zgjedhja e një princi mysliman në fronin e Shqipërisë është e dëmshme edhe në pikëpamje morale, sepse  Shqipëria do të jetë e mbuluar me një ngjyrë anadollake. “A   e dini – pyeste Konica – ç’do me thënë një mbret muhamedán – osé, që të flasim të vërtetën, një emír, një khedív, a një khán, i Shqipërisë? – Do me thënë që Pallati do të ketë të pakën disá duzina gra, kafase në penxheret, Arapë të tredhur, edhé gjithë intrigat e zakónëshme të Haremit”. 

Në fund Konica shpreh besim se shqiptarët që ruajnë aq bukur nderin dhe paqësinë në vatrat e tyre, s’kanë as nge as dëshirë për të tilla zakone.¹³

(vijon në numrin e ardhshëm)

9 “Mbas pagëzimit, Faiku i propozoi mikut të tij të ngushtë, Murat bej Toptanit, të pagëzohej dhe ai dhe të dy së bashku të nxisin miq e shokë të tjerë për t’u pagëzuar edhe ata. Mirëpo Murati iu përgjigj se nuk mund ta bënte një hap të tillë, mbasi vëllezërit Frashëri, tek të cilët ai ishte dhëndër, do ta dëbonin nga shtëpia”: Thanas Gjika, Evoluimi ynë kërkon njohjen dhe dënimin e fajit (Artikuj, portrete, letra, kujtime), Botimet DDS, Tiranë, 2011, f. 56-57.

10 Shih Robo Rogozhina, Flet Faik Konica, “Dielli”, Boston, 28 nëntor 1945, nr. 5698, f. 2.

¹¹ Faik Konica, Ç’është liria?, “Albania”, Bruxelles, 1897, nr. 2, f. 32.

¹² “As a Moslem and as a descendant of an old aristocratic family of Southern Albania, Konitza had every chance to obtain the highest offices in the Turkish Empire. For instance, in Konitza’s youth, the Grand Vizier or Premier of the Turkish Empire, Ferid Pasha, was an Albanian from Valona. But that kind of career did not appeal to Konitza. He thought that his mission was to fight for the independence of Albania”: shih Introduction by Bishop F. S. Noli, në: Faik konitza, Albania: The Rock Garden of Southeastern Europe and Other Essays, “Vatra”, Boston, 1957, f. xxi-xxii.

¹³ Faik Konica,   Një problem i rëndë – të zgjidhurit e mbretit. “Dielli”, Boston,  5 dhjetor 1912, nr. 178, f. 1.

Exit mobile version