Kreu Letërsi Shënime mbi libra Sali Bashota: Sinteza e vështrimit analitik dhe krahasimtar

Sali Bashota: Sinteza e vështrimit analitik dhe krahasimtar

Për autorin

Adnan Ismaili njihet në disa fusha krijuese dhe akademike të cilat ndërlidhen me veprimtari të shumta dhe të suksesshme, falë përkushtimit dhe kontributit të tij të pakursyer. Në radhë të parë, Adnan Ismaili, është autor tekstesh të arabishtes, përkthyes, themelues i Katedrës së Orientalistikës në Universitetin e Tetovës, ku vazhdon punën e profesorit.

Gjithsesi, kurorëzimi i veprimtarisë së tij në fushën e botimeve është funksionalizuar në Shtëpinë Botuese “Logos-A”, pa dyshim, një nga ndërmarrjet botuese më të njohura në Ballkan e cila shquhet me vlerën e botimeve sipas standardeve më të avancuara ndërkombëtare.

Për strukturën e veprës

Çdo studim qëllimin kryesor e funksionalizon në analizën dhe sintezën e vlerave letrare, estetike, stilistike, gjuhësore, figurative, etj., e veprave të veçanta, por edhe në trajtimin e fenomeneve të ndryshme të letërsisë, duke i detajizuar kërkimet në nivelin shkencor, pikërisht me shenjat e avancimit të metodave më produktive të cilat e nënkuptojnë vlerësimin shterues. 

Vepra studimore “Jusufi dhe Zelihaja në letërsinë shqipe” e Adnan Ismailit shquhet me artikulimin e qartë të koncepteve kritike të cilat paraqiten në rrafshin e ideve, domethënieve dhe përbërësve të tjerë që kanë të bëjnë me mbarështrimin e përmbajtjes duke iu referuar një njohjeje të dëshmuar në një plan më të gjerë, aty ku ndërtohet modeli i qasjes për të na ofruar të dhëna të reja.

Në këtë mënyrë është arritur të realizohet një projekt i rëndësishëm i cili ka për qëllim kryesor të ofrojë informacione të rëndësia me shembuj përkatës gjithnjë në funksion të zbërthimit të problematikës së shqyrtuar deri në kërkimin e thellësive kuptimore që kanë të bëjnë edhe me terminologjinë, gjuhën, stilin, por edhe me dimensione e domethënie të tjera në kuadër të perspektivës së studimit.

Shpjegimi i esencave të veprës studimore “Jusufi dhe Zelihaja në letërsinë shqipe” parashtrohet përbrenda tetë pjesëve të sistemuara qartë dhe saktë, pikërisht aty ku takohen teoria e interpretimit me specifikën e letërsisë. Prandaj në këtë mënyrë shpjegohet tërë tematika e ndërlidhur me Jusufin dhe Zelihanë, filluar nga konteksti historik për të mbërritur deri te ndikimi në vepra të caktuara të autorëve, siç janë veprat e Muhamet Çamit, Çajupit, Hafiz Ali Korçës, etj.

Me kërkimet e tij, Adnan Ismaili, e ka përcaktuar qasjen përbrenda kontekstit tematik dhe estetik, për t’i parashtruar pikat e veçanta duke i gjetur pikat e përbashkëta, kryesisht përmes dy metodave: metodës analitike dhe metodës krahasimtare, madje duke i vështruar përkimet dhe dallimet përbrenda një sfondi të gjerë të shqyrtimit të përmbajtjeve dhe domethënieve që bëhen pikë referimi në secilën fazë të interpretimit. Kjo i hap udhë studiuesit për të vazhduar me konkretizimin e analizës letrare nga kapitulli në kapitull.

Tri pjesët e para të veprës “Jusufi dhe Zelihaja në letërsinë shqipe”, përqendrohen në tematikën e caktuar, kryesisht të ndërlidhura me përshkrimin e jetës së Jusufit dhe të familjes së tij, si dhe me rolin e Jusufit përbrenda rrethanave shoqërore-historike në Egjipt. Më tutje, shtjellohet tregimi për Jusufin, duke iu referuar Librave të Shenjtë. Aty ku ka evidentime ngjarjesh dhe veprimesh, saktësohen karakterizime e tipizime personazhesh.

Pjesa e tretë e ka për objekt studimi interesimin e popujve të Lindjes për tregimin e Jusufit dhe Zelihasë, përkatësisht praninë e kësaj tematike në letërsinë arabe, persiane dhe turke, ndërkaq në pjesën e katërt shqyrtohet letërsia islame me alfabet arab.

Në pjesën e pestë të veprës studimore “Jusufi dhe Zelihaja në letërsinë shqipe”, argumentohen kërkimet e studiuesit për të saktësuar më qartë problematikën e shqyrtimit të motiveve dhe temave që paraqesin relacione interesante me veprën “Jusufi dhe Zylejhaja” të Muhamet Çamit në letërsinë shqipe. Për më tepër, janë një varg çështjesh që e përcaktojnë modelin e qasjes, por edhe praninë e kësaj vepre, si dhe ndikimin estetik në rrjedhat dhe zhvillimet e letërsisë.

Në këtë rrjedhë të vlerësimit kritik, pikëpamjet e studiuesit fuqizohen në kontekst me temën kryesore, siç është tema erotike. Analiza letrare për poemat “Jusufi e Zulejhaja” të Muhamet Çamit, “Jusufi me Zelihanë a më e bukura e ngjarjeve” të Hafiz Ali Korçës dhe poezia “Zolejka” e Çajupit, paraqesin shembuj të qëlluar dhe të realizuar përmes të cilëve funksionalizohet kodi apo shenja letrare ku atribut kryesor është modaliteti i rrëfimit nga këndvështrimi perspektiv i studiuesit.

Pjesa e shtatë dhe e tetë janë mbarështruar kryesisht në tregimin për Jusufin me Zelihanë. Në këtë drejtim, studimi krahasimtar i ka dhënë një mundësi me efekt dobiprurës në mënyrë që studiuesi të merret më konkretisht me vepra të caktuara që e kanë tematikën e përqendruar te tregimi për Jusufin dhe Zelihanë. Po kështu, pikënisjet dhe përfundimet i bashkon krahasimi i zgjedhur, si te Çami, si te Korça, si te Çajupi. Jepen shumë shembuj, por edhe variante të pjesëve të zgjedhura të poemave në të cilat trajtohet jeta e Jusufit dhe Zelihasë, pastaj ëndrra, pafajësia, zilia, zhdukja, burgosja, vuajtja, martesa me Zelihanë, etj. Nga rendi përshkrues i ngjarjeve shenjohet karakterizimi dhe tipizimi i personazheve në raport me përbërësit e tjerë të veprës, siç janë: gjuha, stili, rrëfimi, etj.

Konceptimi i veprës studimore në tetë pjesë është bërë me një gjeturi, meqë në mënyrë kronologjike është ndërtuar metoda dhe vizioni për t’i trajtuar veçoritë kryesore të veprave të cilat e paraqesin rrëfimin për Jusufin dhe Zelihanë. Në këtë drejtim, relacionet tematike funksionalizohden në pika të përgjithshme dhe të veçanta, aty ku kërkohet ideja dhe renditen çështjet dhe fenomenet përbrenda kodit fetar mysliman, kodit historik dhe kodit letrar. Në fakt, shtresat kuptimore të tekstit e ndërtojnë funksionin kryesor të veprës së trajtuar, ku triumfon funksioni i letërsisë që bëhet praktikë dominante për t’i konkretizuar më qartë edhe përbërësit e tjerë të veprës së analizuar.

Për rezultatin e studimit

Në studimin e tij, Adnan Ismaili, ka arritur t’i studiojë fenomenet letrare dhe estetike të cilat ndërlidhen me tregimin për Jusufin dhe Zelihanë. Një studim i tillë e ka afirmuar qasjen e argumentuar të autorit duke filluar nga zgjedhja e temës, mbarështrimi i fakteve dhe argumenteve deri te rezultati i kërkimit shkencor. Prandaj veçoritë kryesore të motiveve dhe të temave të veprave të zgjedhura në këtë studim, gjithsesi, e kanë një emërues të përbashkët që ka të bëjë me njohjen dhe afirmimin e kësaj letërsie.

Studiuesi i ka dhënë përparësi ofrimit të shembujve karakterizues që kanë bëjnë me praninë e një tematike të tillë në një rrafsh më të gjerë, qoftë historik, fetar, letrar, psikologjik, estetik etj. Vepra të tilla, siç është studimi i Adnan Ismailit, synojnë dhe arrijnë ta fuqizojnë një lexim dhe një interpretim të kujdesshëm. Përmes analizës përmbajtësore dhe estetike autori ka arritur te esenca e konstatimeve të qarta kritike të cilat bazohen në argumentime të sakta dhe të thukta. Kështu është mbarështruar një lëndë e pasur, qoftë me gjerësinë e preokupimeve të strukturuara përbrenda profilit kritik të autorit, qoftë për mundësitë shprehëse që e favorizojnë dinamikën e kërkimeve, sidomos kur krahasohen çështjet dhe fenomenet letrare apo kur ato paraqiten në relacion me variantet e teksteve të ndryshme që për objekt trajtimi e kanë legjendën për Jusufin dhe Zelihanë.

Rëndësia e teksteve të tilla që kanë një përmbajtje gjithëpërfshirëse e cila strukturohet përbrenda rrethanave historike dhe kulturore e avancon më tutje kureshtjen e studiuesit për t’u marrë me dimensione të caktuara të veprës. Para së gjithash, receptimi i tillë i funksionalizuar në relacion me Kur’anin, Dhiatën e vjetër dhe Dhiatën e re, dëshmon qasjen e përkushtuar të Adnan Ismailit për të nxjerrë sa më shumë vlerësime të qëndrueshme me interes duke përzgjedhur karakterizimet në planin analitik dhe krahasimtar.

Vepra studimore “Jusufi dhe Zelihaja në letërsinë shqipe” e Adnan Ismailit është rezultat i një pune të admirueshme e cila është konceptuar me të dhëna të shumta, në radhë të parë, me përdorimin e një literature të zgjedhur dhe mjaft të pasur, si në gjuhën shqipe, po ashtu, edhe në gjuhën turke, gjuhën arabe dhe në disa gjuhë të tjera. Prandaj rëndësia e veprave të tilla, siç është vepra e Adnan Ismailit, tregon për seriozitetin e pikëpamjeve kritike, sikurse edhe për thellësinë e njohjes së problematikës së trajtuar dhe për një varg treguesish të tjerë që e afirmojnë përkushtimin e autorit në arritjen e rezultateve duke dëshmuar vlerën e kësaj vepre në përgjithësi.

Exit mobile version