Kreu Letërsi Shënime mbi libra Sali Bashota: Leximi i shenjëzimeve poetike

Sali Bashota: Leximi i shenjëzimeve poetike

Deme-Topalli

Hyrje

Në letërsinë bashkëkohore shqipe, Demë Topalli, shquhet si poet dhe përkthyes. Ka botuar veprat me poezi “Vera e ikur”(1978), “Druri i fatit”(1972), “Haber i mirë”(1991) dhe  “Sytë që dinë me pa” (2016). Në fushën e përkthimeve, duhet përmendur  librin teorik të autores kanadeze, Linda Hutcheon, me titullin “Poetika  e postmodernizmit: historia, teoria, fiksioni”, si  një numër të madh esesh dhe tekstesh kritike të autorëve të huaj, të cilat i ka sjellë në gjuhën shqipe. Gjithashtu,  kontributi i tij i pakursyer  në fushën e kulturës dhe të veprimtarisë botuese, ndërlidhet në mënyrë të veçantë me revistën letrare “Jeta e re”, e cila siç dihet botohet nga viti 1949 e këndej dhe, pa dyshim, është revista më e rëndësishme letrare në Kosovë.

Funksionalizimi i paskajores

Demë Topalli hyn në mesin e atyre poetëve që kanë botuar pak vepra, por që kanë thënë mjaft, duke sjellë vargje të bukura para lexuesve. Prandaj, bota e tij krijuese strukturohet përmes shenjave e veta autentike. Pikërisht, aty  shqiptohet  koha dhe hapësira e pëshpëritjeve të zgjedhura shpirtërore, jo rrallë, me frymën e trajtave gjuhësore të paskajores, për të mbërritur efektin stilistik, figurativ dhe estetik.
Vepra e tij poetike “Sytë që dinë me pa”, e cila përbëhet vetëm nga tridhjetë poezi, dëshmon një konceptim mahnitës lirik, i cili përthyhet me trajtat e ligjërimit lutësor, duke përcaktuar udhëtimin e ëndrrave të jetës, drejt cakut figurativ dhe mesazhit të funksionalizuar përmes ideve dhe motiveve të karakterizimit refleksiv.
Në fakt, çdo poezi e ka ndjeshmërinë dhe ritmin e vet, natyrisht e parapëlqen kodin tematik dhe estetik, për ta funksionalizuar parimin krijues, kur gjërat konkrete dhe gjërat abstrakte, rikrijojnë përfytyrimin dhe shpërfytyrimin e harresës, mahnitjes, ikjes, durimit, vetmisë, mallit, etj.
Demë Topalli është poet, i cili nuk vrapon pas figurave të zbehta as pas trajtave të mjegullta ligjërimore. Situatat, ngjarjet, detajet lirike apo metarrëfimet në poezinë e tij, e zbulojnë udhën  e sigurt, nga fuqizohet dimensioni dhe kuptimi i meditimit lirik, ndjeshmëria e një urtie të mbivendosur në relacionet midis gjuhës, stilit, ritmit, figurës.
Cilësia e këtij meditimi lirik e formëson  botën e vet, për të shpërthyer në sfondin e përjetimeve të renditura sipas shkallëzimit të detajeve përjetuese, aty ku ka dhimbje, ka edhe edhe fat apo aty ku ka harrim, ka edhe dashuri.
Po kështu, kumti i frikshëm, i përmendur shpesh në poezinë e Demë Topallit, e ka një lutje të pësëritur për ruajtje nga mallkimi: me harrue me shkrue. Poezia “Shtëpia e bërë prej harrese”, e shpjegon qartë ardhjen e frymëzimit, duke i konkretizuar tonet pasionante drejt gjurmimit të një parahistorie mijëvjeçare që ka të bëjë me ndjenjën e harresës, por edhe për rikthimin e besimit në virtytet më të admirueshme të jetës. Prandaj, në vetminë e poetit është ndërtuar “shtëpia e bërë prej harrese”, për ta shpjeguar kuptimin poetik të shenjave, të ndërlidhura me harrimin e shkrimit.
Poezia e Demë Topallit, jo rrallë, brenda vetes e ka përballjen alegorike dhe paradoksale me tundimin (“Tundimi i parë”), pastaj shpërthimin e vazhdueshëm të imazheve ku “soset bota” (“Rënia e parë”). Për më tepër, dimensioni kuptimor i kësaj poezie e parapëlqen pjekurinë e frymëzimeve, për të formësuar ndjeshmërinë e qëndrueshme të procesit krijues, i cili e prodhon efektin e parë të ndikimi estetik, ku ndërlidhen fijet e forta të fjalës dhe të mendimit, me një vargëzim enumeracionesh të bukura dhe të përzgjedhura me mjeshtëri.
Cikli “ Fjalët”, i përbërë nga pesë poezi,  është kërkim i tëhollur i fjalëve “mos me vdekë parënë në letër” (“Ka çaste”). Poeti thotë: “Ka çaste/Kur mendimi mbyllet deri në errësim/Dhe fjalët vijnë krejt të sfilitura, vdesin/ Vdesin ende pa ra në letrën e bardhë”/.

Për çdo poet, ballafaqimi me letrën e bardhë, është akti më magjepsës i frymëzimit, aty ku fillon të thuret pasioni dhe ndjenja e trillimit të gjërave të bukura, të cilat e vëjnë komunikimin me fjalët, mendimet, figurat. Kërkimi më i veçantë, gjithsesi, është fuqizimi i ndjenjave, për ta ndërtuar harmoninë e mesazhit të shenjave emblematike që i prodhon ligjërimi.
Poezia e Demë Topallit është filozofi e ekzistencës, e cila pikëmbështjen e ka tek formulimet e ëndrrës e të realitetit, ndonjëherë veç e veç, ndonjëherë bashkë. Më tutje, përjetimet bëhen copa  kujtimesh të thërrmuara, aty ku flet një zot i mirë dhe kërkohet dalja nga cila derë. Përmasat e përballjes i situojnë ato shenjëzime poetike që kanë një artikulim të fuqishëm të fatit individual (“Kafaz”).

Gjithsesi, subjektiviteti krijues i kësaj poezie udhëhiqet nga urtësia e ligjërimit, nga ngadalësia e parqitjes së mendimeve të cilat ndërlidhen me një objekt, dukuri, fenomen etj.

Esenca e së bukurës platonike në poezinë e Demë Topallit strukturohet përbrenda universit komunikues, aty ku e veçanta ballafaqohet me të përgjithshmen apo konkretja me abstrakten. Shtëpia dhe harresa, bëhen bashkë, pastaj qartësohet perceptimi i botës, përmes formulimit të mrekullueshëm poetik si gjetje fantastike: shtëpia e bërë prej harrese.

Lëvizja fluturake e frymëzimeve

Cikli “Heshti”, përbëhet nga pesë poezi. Janë këto pesë poezi si pesë shenja: hapësirë, kohë, heshti, lutje, dashni. Demë Topalli e ngulit një nocion të ri në ligjërimin e tij poetik, nocionin heshti (jo heshtje as heshtimë). Kështu, poezia “Heshti” e prodhon një lëvizje fluturake të frymëzimit, atëherë kur një gjeth i vetëm në degën e tharë, bie në barin e njomë. Aty ndërtohet filli i çdo gjëje të bukur, mahnitëse për poetin. Është ky një reflektim i imazhit për çastin: gjethi i vetëm, dega e tharë, bari i njomë, pastaj vargjet: Me vdekë/Një mijë herë me vdekë/ E me u ngjallë bashkë me ty/Përsëri, në Heshti”/.

Kësomënyre, raporti mes imazhit, mendimit, ndjenjës, figurës, çastit, etj., sikur zhvillohet përbrenda nuancave të metafizikës dhe filozofisë, në radhë të parë, për ta fuqizuar detajin poetik me përsëritjen e fjalës heshti, edhe në përmbyllje të kësaj poezie të bukur. Sigurisht, asnjë art tjetër, nuk do ta kishte një kënaqësi të tillë të përjetimit estetik, për ta fuqizuar, kaq bukur e kaq qartë, përshkrimin e detajuar të frymëzimit, të derdhur përbrenda vizionit dinamik të imazheve asociative.

Një ndër poezitë më të realizuara, pos poezive “Shtëpia e bërë prej harrese” dhe “Heshti”, është poezia “Lutje”. Lutja është nevojë shpirtërore e njeriut në çdo rrethanë jetësore, është zjarri i brendshëm i shpirtit, i ndezur midis perceptimit të së veçantës, për t’u bërë shenjëzim universal, në ëndërr e në jetë. Ruajtja e fshehtësisë së gjërave të bukura, ruajtja e mahnitjes së parë, ruajtja e dashurisë, e ëndrrave, etj., është shpjegim i vetëdijes krijuese, doemos, për t’u ruajtur uni, egoja, vetvetja. Është mishërim dhe fisnikërim i shpirtit të krijuesit, për të fuqizuar konceptin poetik dhe konceptin estetik për jetën dhe botën.

Cikli “Për një lule të paemër”, i përbërë nga poezitë: ”Kam mall”, “Një takim ish-gjimnazistësh”, “Për një lule të paemër”, “Brengë” dhe “Një emër”, shenjon mallin përtej vetvetes, për ta përcaktuar pafundësinë e ëndrrave për një botë që nuk kthehet më, për një vetmi e cila lëkundet  me ndjeshmërinë e papajtuar midis shpirtit dhe arsyes. Prandaj, poeti sikur e kapërcen sfondin e këtij ëndërrimi, për t’i dhënë funksion parësor ligjërimit poetik, përmes një empatie pozitive të ndërlidhur me ekzistencën. Fjalori poetik i kësaj poezie dëshmon për refleksionin krijues midis harmonisë dhe përsosmërisë së situatave dhe imazheve në projektimin e ideve dhe mesazheve dinamike për jetën.

Kësomënyre, malli, emri dhe brenga karakterizohen e funksionalizohen përbrenda asaj ndjeshmërie lirike, të fuqizuar nga reflektimi i atyre imazheve që shfaqen në forma ngjyrash e trajtash poetike të emërtuara me invencion krijues, pikërisht në një sfond tjetër të ekzistencës, siç ndodh në poezinë “Për një lule të paemër”, me vargjet e fillimit: “Kur unë vij e due me hy/Ti gjithnjë ik nga ky kafaz/Drejt një hapësire të pafund”/.

Poeti i mbindërton pasionet dhe ndjenjat, ikjen dhe pafundësinë, për ta projektuar mendimin dhe kuptimin estetik për gjëra të veçanta dhe magjepsëse, të cilat e zotërojnë fushën e preokupimit krijues, ndërkaq hapësira e pafund asnjëherë nuk mbërrin në pikën përfundimtare, kështu që udhëtimi vazhdon nëpër kohë, edhe atëherë kur befas vjen mahnitja e parë, por edhe atëherë kur ikën tundimi i fundit.

Demë Topalli e funksionalizon konceptin e shenjuar të fjalëve, duke e provuar kombinimin e elementeve përbërëse të përsëritjes, ritmit, figurave, etj., pikërisht brenda atyre raporteve ligjërimore përmes shumësisë së përfytyrimeve, midis lojës së analogjive dhe lojës së  kundërvënieve.

Cikli përmbyllës i librit “Sytë që dinë me pa”, me titullin “Ndoshta”, përbëhet nga nëntë poezi.

“Me Dashtë e Me Qenë i Lirë” (me shkronja të mëdha), është klithja poetike e Demë Topallit në poezinë “Shumë të falem, Mnemozina”. Kjo klithje e ka në pronësi shpirtërore vetë muzën deri në sajesën e ëndrrës, në atë dhomë plot dritë, por “edhe nën një qiell vetmitar me hanë”. Mrekullia e frymëzimit shkon më tutje, për ta përcaktuar afshin e kujtimeve e të imazheve për ruajtjen e vazhdimësisë së përjetimeve në skajin tjetër të kujtesës, aty ku janë; malli, fjala, dashuria, Zana, trupi e shpirti.

Karakterizimet e këtilla e fuqizojnë vizionin dinamik të jetës, duke rimarrë botën e miteve e të legjendave,  për të riprodhuar efektin estetik dhe figurativ të simboleve e figurave të tjera, në poezitë e veçanta të këtij vëllimi, siç janë: “Një zemërim i lashtë”, “Në dhomën plot dritë”, “Mahnitja e parë”,”Votra”, “Lumi Stiks”, e ndonjë tjetër.

Vargjet impresionuese të këtyre poezive, të frymëzuara nga çaste dhe momente të ndryshme, nga ide e fakte njerëzore, mund të jenë shenja të veçanta krijuese që prodhojnë figurshmërinë e realitetit jetësor, ndërlidhur me  legjenda e mite të moçme (figura e Mnemozinës, lumi Stiks).

Në poezinë “Votra”, vargjet me ndijime të holla, siç janë: “Shumë, shumë kisha dashtë/Sikur zoti im i parë, aq i mirë/Të m’i jepte sonte një mijë palë sy/, e formësojnë botën e dashurisë për të zmadhuar pasionin e dëshirën, apo një alternativë tjetër të pamjes seë bukur “me një mijë palë sy”.

Demë Topalli kujtesën e besueshme të frymëzimit e projekton si pamje magjike, duke e rritur pasionin për klithjen e tij poetike të vullnetshme. Mrekullimi “me një palë sy”, e ka bukurinë e vet përtej kujtimeve të zjarrta e të pakrahasueshme.

Poezinë e poetit e përfaqëson frymëzimi “Sikur zoti im i parë, aq i mirë”, të jetë shenja kryesore e konceptit krijues dhe  fjalës së shenjtë. Më tutje, po ky admirim është burim i ndjenjave, pikërisht me shfaqjen e dimensionit të hyjnores. Gjithsesi, një poezi e bukur që e ka emrin e vet.

(Prishtinë, gusht 2020)

Exit mobile version