Tregimi “Atë Sergi” i Lev Tolstoit dhe tregimi i Kutelit “E madhe është gjëma e mëkatit”
Tregimi “Atë Sergi” i Leon Tolstoit dhe tregimi “E madhe është gjëma e mëkatit” i Mitrush Kutelit trajtojnë jetën e dy klerikëve ortodoksë: të murgut rus Stepan Kasatskit, me emrin fetar atë Sergi, në tregimin e Tolstoit dhe të priftit shqiptar Tat Tanushi në tregimin e Mitrush Kutelit. Vëmendjen më të përqendruar autorët e drejtojnë për nga raporti i një kleriku me mëkatin dhe mbi rrugët e shpëtimit prej tij, pra, në thelb, trajtojnë temën e përsosjes së njeriut.
Çështja e mëkatit mbetet nga nyjet më të rëndësishme të të gjitha religjoneve. Sipas hebraizmit, mëkati është rebelim ndaj perëndisë, ndaj mëkati lahet me gjak, me jetë.
Për krishtërimin njeriu është mëkatar i lindur, mëkatar për nga natyra. Jezu Krishtit në kryq pagoi me jetën e tij për mëkatet e gjithë njerëzimit dhe mbas kësaj nuk ka vlerë rebelimi, mëkati. Kryqëzimi i Krishtit e bashkoi përfundimisht njeriun me Perëndinë. Njeriu nëpërmjet besimit, nëpërmjet bashkimit me Krishtin, vihet nën hirin e perëndisë. I krishteri mëkaton, pendohet, e rrëfen mëkatin dhe hiri, dashuria qiellore, e shpëton. Ky hir hyjnor shpëton edhe kriminelët më të mëdhenj, kur ata venë kokëulur para perëndisë. Madje këta plangprishës të penduar perëndia i do ca më shumë nga të tjerët.
Në teologjinë induiste shpirti i njeriut vdes e ringjallet pandërprerje në trupa të tjerë, derisa, me provat që ka dhënë, është pastruar nga mëkatet dhe meriton të pranohet në Nirvanë, në Parajsën induiste..
Dy klerikë mëkatarë
Stepan Kasatski (atë Sergi) i Tolstoit, fisnik në origjinën e tij shoqërore, oficer i ri që po ngjitej në majat e karierës dhe të shoqërisë së kohës, pas një zhgënjimi në dashuri, rreh të gjejë strehë në kishë. Fillimisht vesh rrason e murgut, pastaj shkon e mbyllet (varroset) si eremit në një nga shpellat e humbëtirave ruse. Kalojnë vite. Po thinjet dhe ai mbetet i papërkulur: ekstremisht i rreptë me veten dhe krejt i kyçur në botën asketike. Botën e ka braktisur jashtë shpellës. Një vejushë e bukur e shtresës së lartë i vjen qëllimisht në shpellën e eremitit. Ajo lakuriqet, e tundon, do të vërë në provë devotshmërinë e tij. Për të shmangur mëkatimin me të, Atë Sergi pret me sëpatë gishtin e madh të dorës. Pas kësaj prove, fama për shënjtërinë e tij merr dhenë. Por demonët nuk janë jashtë te bota që e kishte mohuar, janë brenda tij. Në një rast të dytë përballjeje me mëkatin, ai nuk reziston. Një vajzë 22-vjeçare me mendje fëmije ia kanë sjellë në strehën e eremitit për ta shëruar. Vajza e tundon dhe kësaj here atë Sergi dorëzohet… mëkaton.
Menjëherë braktis jetën kishëtare, bëhet lypës, pelegrin dhe zbulon se kushërira e tij, Pashenka, që i shërbente me nënshtrim familjes së saj me shumë halle dhe që shkonte shumë rrallë në kishë, ishte më e shenjtë se ai dhe se sa gjithë ç’ishin fetarë. Fundi i tij është Siberia. Gjen paqe si shërbetor i zotit, pa emër, pa identitet, tek punon kopshtin dhe u jep mësime fëmijve të një muzhiku.
Te “E madhe është gjëma e mëkatit” Tat Tanushi, prift dhe artist, është i lumtur me kishën dhe me gruan e tij të adhuruar. Mitrush Kuteli tregimtar e thyen këtë lumturi me vdekjen e gruas së dashur. Kjo e lëkund rrënjësisht personazhin e Tatë Tanushit si njeri dhe si klerik. Më tej Tat Tanushi mëkaton me një grua tjetër. Mëkaton brenda kishës me të. Zoti e ndëshkon. Mbi të bie mallkimi i gjëmshëm. Ai duhet të endet si oshënar dhe eremit për qindra e qindra vjet. Mallkimi vdekësor është aq i keq, sa edhe vdekja nuk e pranon. Edhe nëse vdes, si mëkatar nuk e pranon dheu. Endet pa kohë e pa vend, pa jetë e pa vdekje si i mallkuar në shekuj. Më së fundi, peshkop Nikanori ia fal mëkatet, Tat Tanushi merr hirin e perëndisë dhe vdes i kthyer sërish në Bubutimën e tij.
Prova apo hiri e shpëtojnë njeriun?
Nga sa thamë, vërehen ngjajshmëri dhe dallime midis dy tregimeve. Dallimet thelbësore janë dy. Njëri (Mitrush Kuteli) e pranon hierarkinë kishëtare si të vetmen strehë shpëtimi, tjetri, (Tolstoi) e mohon atë krejtësisht. Njëri (Mitrush Kuteli) mendon se me prova mund ta rifitosh devotshmërinë, tjetri (Tolstoi) thotë se shënjtëria arrihet me shërbime të përulura dhe me dashuri ndaj njerëzve, arrihet edhe jashtë kishës si institucion. Sipas Tolstoit, nuk blihet hiri i Zotit me prova, por ai që është i zgjedhur si shërbetor i zotit, jep prova të shenjtërisë së vet.
Tregimet janë në kundërbalancë me njëri-tjetrin dhe brendapërbrenda tyre. Atje ku ndal njëri, e rimerr temën tjetri. Në pjesën e parë Kuteli na thotë se laikja është e shenjtë: dashuria femër-mashkull e përkushtuar gjer në vetmohim është e tillë. Në pjesën e dytë thotë se e shenjta është e kanonizuar nga kisha, jo tjetër. Tolstoi në pjesën e parë na thotë se e kanonizuara (jeta kishtare, në kisha, në manastire) nuk është e shenjtë. Në pjesën e dytë të tregimit na thotë se kur laikja jeton dhe mbron me themel parimet e krishtera, është e vetmja shenjtëri.
Stepan Kasatski rebelohet dy herë: së pari ndaj jetës laike duke kërkuar mbrojtje tek ajo kishëtare, dhe së dyti, rebelohet ndaj jetës kishëtare, e cila qenka e mëkatshme dhe e pambrojtur prej mëkatit njëlloj si e para. Në të dyja rastet vendimet i merr nga përvoja e vet. Kishte mohuar botën, por bota e ndoqi deri në shpellën e eremitit. Kishte pandehur se do ta mundëte të keqen brenda vetes, por kishte dështuar. Përfundimisht, e pranon veten dhe botën ashtu si janë. Për Tolstoin njeriu është mëkatar i lindur. Si i tillë ai duhet ta pranojë natyrën e tij dhe të jetojë jetën e përditshme me shërbime pa shpërblim, shërbime deri në mohimin e vetes.
Pra, i shenjti është te njeriu i zakonshëm, te të veglit, tek ata që do të fitojnë mbretërinë e qiellit, te ata që as i mban kush për të shenjtë, dhe as ata nuk e mbajnë veten për të tillë.
Rebelimi i Tat Tanushit vjen se i morën Kalijen, dashurinë që mbase për të ishte më e lartë se sa perëndia. Tat Tanushin e mallkojnë dhe e zbojnë nga kisha urdhëra që vijnë nga lart, nga altari. I përjashtuar nga jeta, nga kisha, ai ngrin në anullimin e mallkimit, as i gjallë as i vdekur endet që me bamirësi ta rifitojë daljen nga mallkimi.
Tolstoi e nxjerr në jetë eremitin mëkatar, Kuteli e kthen në eremit të përjetshëm priftin mëkatar. E kthen ngulshëm te praktika dhe tradita kishëtare lindore. Tat Tanushi kështu përçon tezën e traditës së kishës së Lindjes që me prova të pafundme mund të meritohet hiri i përëndisë. Sipas Ungjillit, hiri është dhuratë hyjnore që kurrë nuk meritohet me fuqitë tokësore të njeriut. Po të ishte për provat, (Atë Sergi i Tolstoit) edhe njeriu më i ashpër me veten do të dilte i humbur.
Tolstoi ka qenë i çkishëruar nga kisha ruse e kohës se ishte për kthimin e besimit te thjeshtësia ungjillore, te ngjashmëria me ndjekësit e Krishtit, (peshkatarë, muratorë, gra të dyshimta), të cilët në jetën e përditshme ishin njerëz të gabueshëm, por edhe të shenjtë se i pranonin dhe pendoheshin për mëkatet.
Dallimet janë dhe në formën dhe në botën e tregimeve. Si Tolstoi dhe Mitrush Kuteli u referohen shkrimeve të shenjta në tekstet e tyre, por gjithmonë në shërbim të atmosferës poetike te Kuteli dhe të zbulimit realist të jetës së personazhit te Tolstoi. Tolstoi i përmbahet poetikës së realizmit, ngjarjet në tregimin e tij ndjekin rrjedhën shkak-pasojë. Përmes këtyre ngjarjeve zbulohet imtësisht dhe hap pas hapi jeta shpirtërore e personazhit. Te Kuteli tregimi thyhet në pjesën e dytë e të tretë, mjedisi dhe figura e Tat Tanushit mitizohen, marrin përmasa tej reales. Tolstoi është prozaik, Kuteli është poetik në vizatimin e situatave, të pesonazhit, po edhe në ngjizjen dhe thyerjet subjektore. Tolstoi sistematik dhe epik i jep rëndësi motivimit të mesazhit, Kuteli për nga afëria me elementet poetikë e fantastikë u shkon më pranë tregimeve të Gogolit. Tregimi i Kutelit përmban zëra hyjnorë, hije të të vdekurve, oshënarë shëtitës, engjëj, aureola drite mbi kryet e personazheve, fërfëllima të pëllumbave (simbole të shpirtit të shenjtë), ikona, numrin dymbëdhjetë etj. Me këto ai e përforcon karakterin thellësisht mistik të kishës së Lindjes. Tolstoi është i thatë dhe fare larg nga kjo mistikë e krishterë.
Nuk e dimë pse Mitrush Kuteli i kushton kaq vëmendje provës. Ungjinjtë japin shumë shembuj të faljes së mëkatarëve. Synimi, me ç’duket, është gjetkë. Edhe shtrirja mitike e ngjarjeve nga hershmëritë ilire e deri në kohët tona, edhe ndëshkimi i konvertuesve (tregimi i Nikanorit mbi Anastasin), edhe shpërblimi pas mundimeve për devotshmëri i njerëzve si Tat Tanushi e nxjerrin Mitrush Kutelin një mbrojtës të krishtërimit tradicional. Theksimi i kësaj vazhdimësie dhe historie të provave të përjetshme e vënë Mitrush Kutelin përballë kohës së tij, kohë që mohonte lidhjet me kulturën tradicionale shqiptare në emër të një bote të re në luftë me gjithçka të vjetër, sidomos në luftë me vjetërsinë në institucionet dhe me besimet të cilat u shpallën armiqësore. Mitrush Kuteli mendonte se kjo kulturë, që ka dhënë prova të mëdha, do të dijë të rezistojë.
Për Tolstoin nuk kanë rëndësi as prova, as vetë institucioni i kishës, ai e vë theksin te fryma ungjillore jashtë të gjitha strukturave. Për Kutelin, për kushtet që iu vunë përpara, jeta do të kërkonte prova të rënda. Dhe Mitrush Kuteli i hoqi ato mbi shpinën e vet.
Por edhe një diçka tjetër: me që shqiptarët ashtu si Tat Tanushi nuk janë as klerikë, as njerëz të pamëkatshëm, madje janë dhe të konvertueshëm, Mitrush Kuteli kërkonte përsosjen e tyre me prova të larta dhe të pandërprera. Hiperbolizonte që në titullin e tregimit gjëmën e mallkimit të përjetshëm si ndëshkim për mungesë devotshmërie. Atëhere si përsoset njeriu? Me besimin dhe praktikimin e mësimeve të shenjta {Tolstoi), apo me prova e mundimeve shekullore të pastrimit, me të cilat do ta meritojë hirin hyjnor, dheun dhe varret e të parëve si Tat Tanushi?
Pavarësisht rrugëve, kërkesa për përsosmërinë e njeriut sot e kurdoherë është një ideal i mirëpritur. Dhe ky është një mesazh i madh i shkrimtarëve që marrin përsipër të jenë mësuesit e popujve të tyre.
Femra, ajo që ia përmbys jetën një burri
Femra, sado dytësore, ka rolin e vet në të dy tregimet. Te Tat Tanushi Kalija (Noemi) është e bukura, e dashura, gruaja, frymëzuesja e krijimit artistik. Ajo poetizohet me gjalljen dhe deri me vdekjen e saj. Ajo hyn midis Tat Tanushit dhe Hyjit duke marrë një vend të parë ose pothuaj të barabartë me Hyjin. Femra e dytë që hyn në jetën e Tat Tanushit, më shumë se sa një personazh është mishërimi i mëkatit që pason mallkimin e gjëmshëm. Simbolizon mëkatin e mishit, i cili i torturon dhe i mposht të dy klerikët.
Te Atë Sergi i Tolstoit gruaja është në rolin e demonit më së shumti. Ajo si edhe te Mitrush Kuteli ia ndryshon jetën një burri. E fejuara, kontesha Meri Korotkova, ia përmbys jetën Stepan Kasatskit, e bën që të urrejë botën me fund dhe me themel. Sa merr vesh që ajo ishte e përlyer në shtrat si dashnore e Carit, ky njeri me vullnet të pashtershëm, i jep shkelmin karrierës së shkëlqyer dhe gjithëkaje tjetër që kishte arritur.
Vejusha e bukur, e cila çdo burri që t’ia vinte syrin, e shihte nën këmbët e saj, e pësoi keq nga refuzimi i atë Sergit. Ai u gjymtya dhe nuk e pranoi atë. Më tej, kjo vejushë e shtresës së lartë, e penduar për rolin e ulët që kish ndërmarrë, u fut në manastir.
Femra e tretë, Marija, vajza e re, e sëmurë dhe fyçkë, e mposhti atë Sergin me lehtësi, me naivitetit të saj. Atë Sergi i dha kështu fund krizës brenda tij: jeta kishëtare nuk i kishte dhënë paqen e dëshiruar.
Femra e katërt, kushërira e moshuar Pashenka, Praskovja Mihajllovna, një njeri jo i përkryer, grua fatkeqe, por e devotshme gjer në flijim ndaj të vetëve, i jep atë Sergit modelin e njeriut që duhet të ndjekë. Ajo ishte me zotin, pa e ditur se ishte e tillë.
Asgjë nuk është poetike tek këto gra të Tolstoit, siç është Kalija e Tatë Tanushit e denjë për t’u kënduar sipas modelit të Këngës së Këngëve të Solomonit, e denjë për t’u pikturuar në ikona. Por gjithçka është brenda konceptit të Tolstoit: të mos mitizojë, përkundrazi, të çmitizojë edhe Carin, edhe klerikët e lartë, edhe eremitët e murgjit.
Humanizmi: si ta përsosim njeriun
Synimi i Mitrush Kutelit është teologjik dhe nacional (tipare të kishë së Lindjes këto). Mesazhi i Tolstoit është më universal: përsosja dhe kërkimi i së vërtetës është një punë e mundimshme dhe e gjatë, brenda vetes, së pari, dhe pastaj i ushtuar me shërbime ndaj të tjerëve.
Tolstoi ngjan pak me protestanët. Kuteli shkon drejt Dhjatës së Vjetër. Në mos edhe më tej, drejt induizmit, ku duhet të vdesësh e të ngjallesh pafund, derisa të pastrohesh. Hyji i Mitrush Kutelit ngjan shumë me Jehovain. Mallkimi i Tat Tanushit të çon te mallkimet e lashtësive biblike. Tolstoi fisnikun e vesh me rroba muzhiku. Njeriu i Kutelit, pasi pastrohet, flet me engjëj. Ky njeri është i ndërtuar mbi filozofinë e Kishës ortodokse, mbi teozën, doktrinën mbi njeriun-zot, njeriun gati në një lartësi me Perëndinë. Ndaj në fund të tregimit Tat Tanushi dhe Zoti i kërkojnë ndjesë njëri-tjetrit.
Për Tolstoin një njeri i tillë nuk ekziston. Për të bashkimi i njeriut me Perëndinë duhet të realizohet atje poshtë, tek ata që janë kripa e tokës, tek ata që rrojnë me mundime, pa bujë dhe pa shkëlqim, por që e kanë të nevojshëm si ajrin praktikimin e krishtërimit.
Mitrush Kuteli të rrëmben me shkëlqimin gjuhësor dhe me larminë e shkrimit: poetik, alegorik, simbolik, ekleziastik (S. Hamiti, Vepra letrare, 8, faqe 640, botoi Faik Konica, Prishtinë, 2002). Ky tregim i gjatë i Kutelit (disa e quajnë novelë) është kryevepra e tij, është shkruar më bukur se gjithçka para dhe pas saj.
Dhe sidomos ai të prek me atë se kujt i refrohet me mesazhet e tij. Njeriu mund të jetë i bukur dhe me shumë cilësi, por po qe mëkatar, herët a vonë gjëmat do të bien mbi të pafundësisht. Ky trualli ynë dje dhe sot ka nevojë për të tilla porosi morale. Ndaj tregimi i tronditi të gjithë ata që e lexuan dhe shkruan mbi të. Mesazhi tingëlloi profetik: u lexua mbas gjysmëshekulli ndalese. Mitrush Kuteli i kishte parashikuar gjërat: do të mbeteni as në tokë as në qiell, as dheu as vdekja nuk do t’iu pranojnë. Pastrohuni që ta meritoni vdekjen, dheun e të parëve dhe një varr pranë varreve të tyre.
Por a e pastron veten njeriu ndonjëherë? A përsoset dot? Ndaj ky tregim do të ketë dhe lexime të tjera.
Së fundi, kjo pranëvënie me Tolstoin na e zbulon më mirë Mitrush Kutelin. Edhe pa pranëvenie të tilla Mitrush Kutelit i mjafton vetvetja dhe vendi i merituar që ka zënë në letërsinë shqipe. Krahasimi me kryeveprat botërore i veprave të autorëve tanë, një porosi mbase dhe e keqkuptuar e Konicës kjo, do të sillte më shumë objektivitet në gjykimin mbi trashëgiminë e tyre. E them këtë se ende kritika jonë nuk u ka shpëtuar përfshirjes së faktorëve jashtëletrarë në vlerësimet për autorë dhe vepra.
Postscriptum: Takimi im me Kutelin
Dhimitër Paskon, alias Mitrush Kutelin, e kam takuar për herë të parë nën një gjysmëterr të zgjatur qershori në një rrugicë të Tiranës. Në rrugicën “Him Kolli”. Viti 1965. Gjatë gjithë atij takimi të rastësishëm fizionomia dhe gjithë figura e tij vinte pak si e harkuar, si e shtëmëngur. Shpirt që frymonte përmes një ajri të rralluar. Bimë e prirur, e gatshme për t’u fshirë nga çasti në çast. Një gjallim që njëherësh ishte dhe nuk ishte i këso bote.
Gjysmëterri i gjatë i asaj mbrëmjeje dhe i atyre viteve e bënte edhe më të tëhuajsuar këtë takim. Takim me një shkrimtar që zyrtarisht ishte dhe nuk ishte i gjallë. E dinte dhe e dinim të tillë: autor i madh, por i botës “së vdekur”, mjeshtër i fjalës, por i ndaluar, autor i gjallë nën cipë terri e nënterri. E makthshme të flisje me një që kish brofur prej andej matanë. Mbase të tillë ma sjellin vitet. Edhe ai, edhe ne sikur nuk donim të ishim të vërtetë në ato çaste. Muzgu që po dëndësohej e mpiksej na ndihmonte. Dhe ja, (veç të tjerash, veç të tjerash), ja, bomba që ai lëshoi nga goja: lexoni Biblën dhe Kuranin, në doni të dini gjërat më të vyera për humanizmin, më të lashtat. Ju, të rinjtë, t’i lexoni, t’i lexoni patjetër këto dy libra.
Për kohën porosia ishte pëlcitëse. Mbase shumë herë më sureale se sa ai rrëzim i qetë gjysmëterri mbi tjegullat e qerpiçet e shtëpive të ulëta të Tiranës së atëhershme. Një porosi që gati t’i shqyente sytë dhe trurin. Por sado t’i shqyeje, prapë mbeteshe në errësirë. E para, se nuk kishe ku t’i gjeje libra të tillë. Dhe, e dyta, politikisht ishe gati si të varroseshe për së gjalli, po të lexoje dhe të pranoje filozofi të tilla. Profesorët tanë zyrtarë këto libra i kishin shpallur si kulmi i idiotësisë dhe i mjerimit intelektual. Gjithë takimi mbeti me shijen e atij gjysmëterri të pakontrolluar nga askush, nga ai muzg që po teptisej me shpejtësi, deri sa në fund të tij ne nuk mund të shihnim dot se më kë po bisedonim. Mitrush Kuteli e ruajti distancën. Foli si tej vetes dhe fare përtej nesh. I ftohtë dhe neutral. Një zë nga matanë… Donte që modestisht të ishte nën hije, një zë që ia lejonte veten shkretimin dhe muzgun. Por atë që donte të thoshte, e tha. Pa i dhënë rëndësi mënyrës, përcjelljes, së asaj që foli.
Nga ana tjetër, ai foli në mirëbesim: përpara kishte djalin e mikut të tij të vjetër, Ilon, të birin e Sterio Spasses. Isha dhe unë, që më paraqitën si mik të Spasseve. Ai këtë miqësi që na bashkonte e na lidhte si në një rrënjë, mbase e dinte. Duhet ta dinte shumë mirë. Ndryshe nuk kishte pse të hapej në biseda që…. të kushtonin.