Kreu Letërsi Shënime mbi libra Sadedin Mezuraj: Lumi poetik i Ilirian Zhupës

Sadedin Mezuraj: Lumi poetik i Ilirian Zhupës

Vështrim rreth poemës “Lumi im”, pjesë e librit “Mos më pyet ku kam qenë”

Poema “Lumi im” e Ilirian Zhupës, të duket sikur është shkruar në një kohë tjetër  dhe jo në vitin 1988, kur u publikua si pjesë e librit “Mos më pyet ku kam qënë”. E lexuar nga perspektiva e të sotshmes, ku e shkuara totalitare  shpesh vjen përmes narrativave esencialiste, apo, thënë figurativisht,  si skeleti i peshkut të plakut Santiagos në novelën Plaku dhe deti të Heminguejt – për dikë të painformuar, poema  krijon iluzionin se diktatura, me mekanizmat e saj të censurës, nuk përbënte më kërcënim për poetët dhe shkrimtarët.

Në të vërtetë, soc-realizmi vazhdonte të rëndonte si çati e rëndë mbi krijuesit. Censura ishte ende vigjëluese dhe, sikurse shprehet autori në parathënien e botitmit të dytë ( Toena-2016), në ato kushte“ duhej të manovronte, të bënte lëshime …me qëllim që poezia e njëmendtë të mund të kapërcente me sa më pak gërvishtje  e deformime, barrierat penguese të censurës”.

Falë vetëdijes estetike të autorit, poema Lumi im vjen si një rrjedhë poetike, përtej sinoreve kohore dhe stinëve politike, e zhveshur nga gjurmët dhe ambalazhet ideologjike të kohës kur u shkrua.

Ilirian Zhupa i përket brezit të poetëve  të cilët, nga fundi viteve shtatëdhjetë e deri në rënien e regjimit komunist, përtej presionit dhe shtërngesave ideologjike, ja mbritën të kultivojnë një poetikë të re, më personale dhe intime, larg fanfarave dhe patetizmit gërthitës të kanonit të socrealizmit.

Lumi poetik i Ilirian Zhupës lexohet  si një rrjedhë shpirtërore, pa brigje fizike, si një metaforë gjithëkohësie, ku takohen historia, vetëdija dhe kujtesa. Lumin real –Vjosën- si referencë paratekstore  dhe shtysë frymëzimi- autori e transfiguron dhe transformon në simbol të kërkimit ontologjik për kuptimin e qenies identitare, të rrënjëzuar  në historinë e vet dhe të hedhur në rrjedhat e kohës.

Fernando Pessoa në një nga poezitë e tij thotë se  detare është jeta , duke na përcjellë idenë për jetën si udhëtim të pasigurt, të hapur dhe të pafund, ku njeriu përballet me sfida, pasiguri dhe rrezik, por edhe si hapsirë ku gjen liri dhe mundësi vetë-zhvillimi. Deti për Pessoa është horizont i pafund, aventurë ekzistenciale dhe reflektim mbi kufijtë dhe guximin e njeriut.

Në mënyrë të ngjashme, Ilirian Zhupa në poemën e tij duket sikur na thotë se “lumore është jeta”, pra një rrjedhë e pandërprerë, si energji, kërkim, ndryshim dhe ringjallje shpirtërore. Ndryshe nga deti i Pessoas, lumi i Zhupës thekson lëvizjen e natyrshme dhe përballjen e subjektit lirik me sfidat që sjell rrjedha e kohës dhe jetës.

 Poema Lumi im përfaqson një qasje refleksive fenomenologjike të përvojës dhe meditimit, me diskurs poetik ku kërkimi ontologjik, harmonizohet me lirizmin me frymë ekzistenciale. Edhe pse poema është shkruar në vitin 1988, autori me vetëdije dhe mjeshtëri artistike ka shmangur qasjen epike dhe teleologjinë triumfaliste të imponuar nga kanoni i relizmit socialist, duke e trajtuar kohën, kujtesën dhe historinë, jo si narrativë progresi, por si rrjedhë e përjetuar dhe e reflektuar nga subjekti lirik. Teksti poetik çideologjizon diskursin historik dhe e çvendos atë në planin fenomenologjik të përjetimit individual.

Poema bart frymë refleksive fenomenologjike sepse realiteti në pamjet e tij të shumëfishta trajtohet si përjetim dhe koha shpaloset si përvojë ekzistenciale e të jetuarit në rrjedhë.  Diskursi poetik merr thellësi ontologjike sepse autori mediton mbi rrjedhën si modelim i qenies, trajton rrjedhën si proçes ndryshimi, ku përkohshmëria ushqen vazhdimësinë dhe subjekti është pjesë e rrjedhës kohore.

Poema Lumi im përcjell një vizion filozofik por autori nuk operon me nocionet abstraktte filozofike të kohës, kujtesës, qenies, identitetit etj. Filozofia e tekstit zbulohet si frymë dhe përvojë e mishëruar e rrjedhës së lumit të kohës, historisë dhe vetëdijes. Kërkimi dhe meditimi subjektit lirik shpaloset përmes rrjetit të gjërë të figuracionit artistik, imazheve vizuale, përjetimeve subjektive  dhe figurave sonore.

Falë kësaj teknike poetike, lumin poetik e shikojmë me pamjet e tij të ndërrueshme, plot ngjyra dhe nuanca nëpër stinët e motit, e dëgjojmë dhe ndjejmë rrjedhën e tij si mërmërimë, gurgullimë, si rënkim dhe  gulçimë në shtratin e kohës historike dhe sociale. Lumi rrjedh jashtë dhe brenda subjektit lirik, duke lidhur përvojën personale me kujtesën dhe  historinë kolektive.

Kërkimi i burimit të lumit merr kuptime simbolike, si  kërkim i burimeve të jetës dhe  kuptimit të identitetit dhe vetë ekzistencës. Kërkimi – i cili niset nga jashtë dhe përfundon brenda subjektit lirik, pra  “Te vetja”- është një zgjidhje e bukur poetike dhe ekzistenciale. Burimi ekzistencës nuk është gjeografik por ontologjik.

E strukturuar si një triptik, si rrjedhë e kohës, e jetës dhe vetëdijes, arkitektura e poemës  ka në epiqëndër subjektin lirik, i cili dialogon me Lumin simbolik dhe njëkohësisht monologon me vetveten, duke i folur lumit dhe duke na folur për lumin e tij, si për një entitet që bart  në vorbullat e tij jetën me të gjitha dimensionet -gëzimet, dhimbjet, shpresat, dëshirat, përvojën individuale dhe kujtesën kolektive.

Në krye të çdo kënge  autori parashtron pyetjen apostrofike mbi lumin, duke e paraqitur atë si entitet që komunikon energji dhe reflektim: “Ç’më thua ashtu me zhurmë, lumi im, ç’më thua ashtu me heshtje…”. Zhurma dhe heshtja janë dy forma të ekzistencës së Lumit, të cilat alternohen, transkriptohen dhe konkretizohen në rrafshet shumështresore simbolike dhe semantike të poemës.

Rrjedhën e jetës dhe flukset e kohës, të kujtesës dhe vetëdijes poetike, autori e ka strukturuar  me vargje të shtrira, figuracion të pasur, personifikime dhe kontraste, duke krijuar ndjesinë e  frymemarrjejes së gjërë të një lumi që rrjedh jo vetëm jashtë, si kohë objektive por edhe brenda vetëdijes, si kohë e subjektivizuar emocionale, medituese dhe reflektuese e heroit lirik.

Poema Lumi im operon mbi simbolikën polisemike të lumit, i cili funksionon si metaforë e konceptit heraklitian të kohës: gjithçka rrjedh, gjithçka është në lëvizje, natyra, jeta individuale dhe koha historike. Lumi mban brenda të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen: e shkuara si kujtesë historike, e tashmja si përvojë intime dhe  vetëreflektim identitar, e ardhmja si shpresë për ringjallje dhe ripërtëritje të pandalshme. Dialektika e ndryshimit është ligji i jetës dhe historisë.

Njeriu –ose Daisen sipas Haidegger-është qenia e shtrirë në kohë dhe i ndërtuar prej kohës si rrjedhë ndryshimesh. Ndryshe nga guri, tryeza apo pema, njeriu është qenie që mendon dhe kohën, historike dhe sociale, e përjeton dhe subjektivizon si vetëdije, njohje, kujtesë dhe kërkim të kuptimit.  Koha në pomën  Lumi im formëson kujtesën kolektive dhe individuale. Nga ky ndërveprim formësohet identiteti, jo si esencë e fiksuar por si proçes i vazhdueshëm njohjeje dhe kërimi i burimeve ontologjike të vetes.

Prej lashtësisë vjen thirrja filozofike: Njeri-njih vetveten! Dhe njohja e vetvetes nuk mund të realizohet jashtë lidhjeve të shumëfishta të subjektit me kohën e jetuar, historinë, kujtesën dhe  trashëgimninë. Prandaj poeti shkruan: Lumi im, që më rrjedh e më mbledh larg e pranë,/E i kthjellët më rrëmben mes shtjellës,/E i turbullt më lë mënjanë./Gjysh stërgjyshi qenke, qenke ati dhe nëna..,

Poema ndërthuret si një strukturë rizomatike (sipas konceptit të Deleuze dhe Guattari- A Thousand Plateaus-1980), pra një rrjet fleksibël, i degëzuar dhe i ndërlidhur, ndryshe nga struktura lineare apo hierarkike e një peme. Tre rizomat bazë mbi të cilat ndërtohet rrjeti kuptimor i poemës janë koha, kujtesa dhe identiteti. Ato nuk funksionojnë si kategori abstrakte por si fusha semantike të ndërthurura, ku rrjedha historike, përjetimi personal dhe reflektimi subjektit lirik ndërveprojnë në mënyrë dinamike. Falë lumit si simbol polisemik dhe strukturës rizomatike, poemës mund t’i qasemi përmes leximeve të ndryshme dhe të ndërtojmë rrjetin e kuptimeve brenda strukturës së shumëfishtë të lumit.

Lumi poetik shpaloset si:

– metaforë e kohës të trupëzuar si kujtesë historike dhe gjenealogjike, e jetës dhe përvojës, ku subjekti lirik ndjehet i rrënjëzuar;

-simbol i identitetit, vetëdijes dhe botës shpirtërores, e cila pasurohet në rrjedhat e kohës, të jetës dhe përvojës historike.

–fluks i energjive ekzistenciale, në rrafshin  meditativ dhe të reflektimit filozofik për kohën, kujtesën, qenien, ekzistencën, jetën, dashurinë, dhimbjen dhe vdekjen.

 Le të shikojmë të tri këngët e poemës Lumi im, me një qasje më të detajuar në rrafshin strukturor, simbolik, semantik  dhe ideor :

i. Kënga e parë: Lumi i kohës historike dhe kujtesës

Në këngën e parë Lumi shpërfaqet si forcë e natyrës dhe energji që sfidon dhe trondit pengesat, si rrjedhë e kohës historike me vrulle e tronditje, si kujtesë kolektive dhe si udhërrëfyes për reflektimin ekzistencial. Në këtë ndërthurje të ndjenjës personale dhe historike, lumi plazmohet si simbol i vuajtjes dhe tragjedisë, si burim dashurie dhe energjie jetësore.

Lumi rrjedh si personifikim i historisë me dhimbjet, tragjeditë dhe tensionet e saj: “Turbull – turbull vije, lumi im, turbull – turbull…/ Shkuleshin gurët e maleve dhe prishnin një urë dashurie,/ Një kasolle të mjerë, një dushk të sapo ngritur në këmbë,/ Një jelek nuseje, një djep të vogël fëmije..”

Ashtu sikurse lumi natyror, edhe rrjedha e kohës historike, herë është e qetë dhe hera herës dallgëzohet e shungullon me përmbytje, luftra e katastrofa. Vargu “Turbull-turbull, vije lumi im”të sjell në kujtesë këngën polifonike labe për lumin e turbullt, me kufomën e një djali të mbytur dhe klithën vajtimtare  të nënës në breg. Mjafton kjo referencë intertekstuale dhe lumi bëhet simbol i vuajtjeve historike dhe dhimbjeve kolektive. Dimrat që qeshin me bubullima simbolizojnë forcat iracionale, natyrore dhe historike, që sfidojnë jetën dhe strukturat e shoqërisë.

Lumi nuk është më vetëm kujtesë apo histori; ai është vetë identiteti dhe vetëdija, një pjesë e pandashme e qenies së poetit. Përmes këtij identifikimi, subjekti lirik përjeton bashkimin e brendshëm me rrjedhën e jetës, ku emocionet dhe reflektimi filozofik janë të bashkuara në një fluks të pandërprerë.

Subjekti lirik zbulohon identitetin e tij, si vetëdije e të qënurit pjesë e kësaj rrjedhe historike me martirë, qëndresë, gjak dhe dashuri për jetën. Në këtë përqasje, subjekti lirik zbulon ngjashmërinë e tij me lumin  si entitet kompleks, dinamik dhe në lëvizje: Ngjasokam fort me ty në gëzime e dhimbje,/Në dashuri e besë, vdekje e lindje,Lumi im – jeta ime. Në vargjet  “Kam dëshiruar gjithë jetën, / Zgjuar, në gjumë, / Të jem rrjedhë, Të jem lumë.”, poeti e koncepton qenien e tij dhe identitetin si fluks i përhershëm i njohjes dhe vetënjohjes,pjesë integrale e rrjedhës së historisë dhe jetës.

ii. Kënga e dytë: Lumi i Dashurisë dhe Vetëdijes

Në këngën e dytë subjekti lirik identifikohet  me lumin, ku lumi shfaqet sisimbol i jetës dhe i përvojës ekzistenciale. Boshti tematik i këngës së dytë përqendrohet në rrjedhën e brendshme dhe lidhjen intime të subjektit me veten, dashurinë dhe jetën. Lumi nuk është më vetëm histori dhe vuajtje, por bëhet rrjedhë e brendshme që harmonizon emocionet personale me  përjetimet intime të subjektit lirik. Dashuria shfaqet si vatra e energjisë shpirtërore dhe si forcë që mbush me dritë  rrjedhën e jetës. Edhe dashuria është rrjedhë, kërkim, pritje, prani dhe mungesë: E kam pritur një vajzë, E ke pritur një përrua, Ti atë e bën dritë, Unë atë e bëj grua.”

Kënga e dytë është strukturuar mbi pesë pjesëqë mund të perceptohen si etapa të rrjedhës së ndërgjegjes poetike: fillimi me pyetjen retorike për lumin, identifikimi me të, perceptimi i tij si energji dhe forcë, përjetimi i marrëdhënieve intime dashurore dhe reflektimi mbi prapavijën historike dhe sociale.

Vargjet janë të shtrira, me ritëm të lirë dhe pulsues, që krijon ndjesinë e rrjedhës së pandërprerë, që imiton rrjedhën e lumit dhe të mendimeve. Strukturimi i vargjeve të gjata, me muzikalitetin e përftuar prej  aliteracioneve, onomatopeve, figurave stilistike tingullore, simulon rrjedhën e pandërprerë të lumit dhe mendimeve poetike, ndërsa personifikimi, antiteza dhe metaforat e shumta, krijojnë puls emocional, kontraste dhe thellësi semantike.

iii. Kënga e  tretë: Lumi i ripërtëritjes dhe ardhmërisë

Boshti tematik i Këngës së tretë është harmonizimi i individit me natyrën dhe universin, ku lumi simbolizon ripërtëritjen, energjinë ekzistenciale dhe ciklin e përjetshëm të jetës.

Pjesa e parë e kësaj kënge  përcjell inicimin e frymës ripërtëritëse, ardhjen e pranverës dhe shpërthimin e energjisë së natyrës: “Behari vjen ngadalë nëpër grykat e maleve dhe ujërave…”. Përdorimi i elementeve natyrore (grykat, ujërat, pemët, ) krijon kontekstin e një lumi që rigjeneron natyrën dhe bëhet vendi ku subjekti lirik përjeton harmoninë e brendshme dhe të jashtme.

Strukturimi i vargjeve dhe imazheve naimiane të natyrës (thatësira, njerzit e punës, fushat, shpendët dhe kafshët) krijon fluksin meditativ, duke lehtësuar kalimin nga përjetimet intime, drejt reflektimeve  ekzistenciale dhe imazheve për jetën.

Kënga e tretë e zhvendos lumin nga identiteti dhe përvoja historike, drejt një simboli të ripërtëritjes dhe harmonisë me natyrën dhe universin. Dashuria, e paraqitur më parë si vatër e dëshirës dhe përjetimit të subjektit lirik, bëhet forcë krijuese dhe energji jetësore, e cila rrjedh nëpër të gjitha hapsirat fizike të natyrës dhe jetës njerzore.

Anafora “Atje tej” e përsëritur, krijon një ndjesi të thellë largësie fizike dhe shpirtërore. Përsëritja e vazhdueshme e kësaj shprehjeje përcjell një ton mallëngjyes dhe sugjeron  për diçka të pa mbritshme. Ajo i jep poezisë ritëm dhe tonalitet të veçantë emocional, ndërsa ndërton një lëvizje kuptimore nga përshkrimi i peizazhit të jashtëm, drejt zbërthimit të botës së brendshme të poetit.

Në këtë mënyrë, largësia shndërrohet në simbol të një gjendjeje ekzistenciale të papërmbushur. “Atje tej janë njerëzit, qytetet, fshatrat, Të etura për pikën e ujit. Atje tej je ti, lumi im, që humbet…” Këtu subjekti lirik reflekton mbi bashkëjetesën e natyrës, njerëzve dhe rrjedhës së lumit, ku energjia e dashurisë dhe e jetës përhapen tek çdo qenie.

Në fund poeti identifikohet me lumin kur shprehet “Atje tej është lumi, jam unë vetë, Si ai vdeksha në jetë”, duke njëjtësuar rrjedhën e lumit me jetën dhe fatin e njeriut. Lumi humbet para se të arrijë në det, pra jeta shuhet pa e përmbushur plotësisht qëllimin e saj. Por ndërkohë, vargjet sugjerojnë se jeta nuk shuhet, ajo vetëm transformohet, duke u derdhur në detin e madh të gjithësisë. Lumi nuk është më thjesht identitet individual apo histori kolektive, por merr trajtat e simbolit të përjetësisë, ripërtëritjes dhe energjisë krijuese.

Ankthi i frikës së humbjes, kujtesa e plagëve dhe thirrja e lumit për të vepruar (Mos fli!) bashkohen në një fluks të pandërprerë të lumit poetik, jetësor, emocional  dhe filozofik.

Në qëndër të gjithësisë, të ripërtëritjes dhe sinteza e këtij përshndërrimi të pandalshëm është subjekti lirik-njeriu pra- pema më e bukur e pemëve:  “E unë rritem i ndjeshëm si degët e shelgjeve, E unë bëhem pema më e bukur e pemëve, Me mijëra lastarë e mijëra çerdhe. E ti nxjerr avuj të lehtë nga buzët e tua të dridhshme…”

Subjekti lirik e brendëson rrjedhën e lumit si identitet dhe ekzistencë të tij: “Kam ndjerë se rrjedhin thellë qenies sime”. Lumi nuk është vetëm natyrë ose kujtesë, por vetë rrjedha e qenies, ku identiteti dhe koha bëhen të njëjta me rrjedhën  universale. Lumi, dashuria dhe natyra bashkohen në një simbol të përbashkët të jetës, ku çdo përvojë personale gjen vendin e saj brenda rrjedhës universale.

Pjesa e fundit e këngës së tretë  ka një ton që përngjason me psalmet biblike, ku çdo element i natyrës dhe vetë lumi shndërrohet në një lloj hymni për bukurinë e jetës. Optimizmi lirik shfaqet në mënyrë delikate dhe ekzistenciale: subjekti lirik bashkëjeton dhe lulëzon bashkë me natyrën e ripërtërirë, duke reflektuar rritje, zgjerim dhe frymëzim të brendshëm.

Subjekti lirik nuk shfaqet si bartës i domosdoshmërisë historike, por si meditues i lumit të kohës, me rrjedhat e saj historike, sociale, si përvojë dhe kujtesë e akumuluar. Edhe pse autori krijon një perspektivë shprese rigjeneruese, optimizmi zhvishet nga fryma triumfaliste dhe rigjenerimi paraqitet si cikël natyror dhe ekzistencial.Konceptimi i rrjedhës kohore të  zhveshur nga determinizmi historik, shënon një formë emancipimi estetik dhe e çliron progresin nga dogmatizmi doktrinar.  

Optimizmi me të cilin mbyllet poema, përtej klishesë që impononte ideologjia e kohës, buron nga vetë dialektika e brëndëshme e poemës lumore – e vetë lumit, si simbol polisemik i jetës dhe rrjedhës së pandalshme të kohës. Në këtë kuptim, poezia jo vetëm feston bukurinë e natyrës, por përcjell te lexuesit edhe një ndjesi paqeje, frymëzimi dhe shprese ekzistenciale.

Të tre këngët e poemës bashkohen në një vizion të plotë: Lumi është energjia e jetës, rrjedha e kohës,vetëdija dhe reflektimi filozofik  mbi ekzistencën. Në përfundim, poema “Lumi im” është një rrjedhë e integruar, ku pathosi emocional, ethosi moral dhe reflektimi filozofik ndërthuren me mjeshtëri.

Exit mobile version