Kreu Letërsi Shënime mbi libra Sadedin Mezuraj: “Aksidenti” i Kadaresë një roman për dashurinë, lirinë dhe seksualitetin

Sadedin Mezuraj: “Aksidenti” i Kadaresë një roman për dashurinë, lirinë dhe seksualitetin

Ismail Kadare u prezantua në letrat shqipe qysh në krye të herës, si një shkrimtar novator, duke sjellë në prozën romanore poetika të reja  të ligjërimit narrativ,me shenja të dukshme për kah  moderniteti.

Në rrugën e gjatë të krijimtarisë,Kadare ja mbriti të kristalizojë profilin e tij të pangatërrueshëm dhe njëkohësisht,brënda kësaj hullie,nga një roman në tjetrin, të“rishpiki”vetveten,përmes kërkimit të risive të elementëve të formës dhe mjeteve të ligjërimit narrativ.

I pa joshur nga “kënga e sirenave” të avangardizmit dhe eksperimenteve në prozën romanore të shekullit të njëzetë, shkrimtaria e tij i përngjet një pemë të mbjellë në tokën e modernizmit, me rrënjët tek  mitit e antikitetit dhe shenja të postmodernes, si teknikë dhe tipare të rrëfimitarisë .

Romanit Aksidenti, i cilësuar nga kritika si“atipik”, do t’i shkonin fjalët e J.F. Loyotard i cili pohon se“moderniteti është një proces  i pandërprerë, që rishkruhet dhe rinovohet përmes postmodernes, si rend i ri ligjërimor. [1]Në vargun e gjatë të romaneve të Kadaresë, Aksidenti’ është ndoshta romani më modern, një rrëfim  marramendës dhe turbullues, një miksim i thrillerit policor, me teknikën e “rrjedhës së kujtimeve dhe zhbirilimeve metafiziko-psikologjike për dashurinë, seksualitetit dhe lirinë në qytetërimin (post)modern.

Rrëfimi dhe diskursi narrativ në romanin Aksidenti

Narrativa e romanit Aksidenti  e merr  lëndën nga  bashkëkohësia. Ngjarja prej nga ngjizet rrëfimi është  krejt e rëndomtë: një aksident në kilometrin e shtatëmbëdhjetë të rrugës për në aeroportine Vjenës, ku mbeten të vdekur dy shqiptarë: Besfort Y, ekspert në Këshillin e Europës dhe Rovena St.- stazhiere në Institutin e Arkeologjisë në Grac të Austrisë. Dy personazhet qendrorë të romanit, të kurthëruar në një raport pasionat obsesiv, çvendosen në hapsirën europiane, duke sjellur me vete jehonat e miteve dhe baladave ballkanike, në sfondin e plojave (Lufta e Kosovës) dhe ngjarjeve kaotike të Shqipërisë në rrugën e vështirë të tranzicionit demokratik.

Romani tingëllon si një requiem dhe baladë për dashurinë në kohët moderne, në sfondin e një Ballkani të mbulluar me mjergullat e miteve dhe tymin e konflikteve ndëretnike. Përmes aluzioneve ngrihet një metaforë me nuanca të forta politike: Rovena, një grua e bukur, e joshur nga Besforti për udhëtimin në Europë, merr trajtat simbolike të Shqipërisë të kapluar  nga ëndrra europiane.

Si alkimist i fjalës, autori ka projektuar një strukturë narrative, të mbuluar me mjegull kuptimore, ku rrjedha e kohës destabilizohet përmes flashbeck-eve, teknikës së inversit dhe ndryshimeve të vazhdueshme të “kamerës” së fokalizuesit. Një rrëfim opak, ku buisin hamendësime, dyshime, haluçinacione, skenarë që ndërtohen dhe prishen si pëlhura e Penelopës, për t’i lënë vëndin motërzimeve të reja, por pa mbërritur tek enigma dhe misteri që mbështjell jetën dhe vdekjen e çiftit Besfort -Rovena.

Kërkimi përvuajtshëm i hulumtuesit për rikonstruktimin e jetës dhe raporteve mes çiftit fillon dhe përfundon me pasqyrën e brendshme të taksisë, me enigmën e ndryrë brënda saj.

Çfarë ishte ky aksident? Një vrasje e qëllimtë? Një vetëvrasje? Një vrasje politike e maskuar si aksident? Apo thjesht një aksident i rëndomtë, si mijra aksidente që ndodhin rrugëve nëpër botë?

Proza romanore e Kadaresë i ka tharmet e bukurisë jo vetëm tek gjuha e përpunuar, por edhe tek veshja e rrëfimit me nëntekst, me aluzione, alegori  dhe përsiatje të rrafshit filozofik, duke  shpalosur një diskurs intelektual, si reflektim rreth shqetsimeve dhe krizave të individit në shoqërinë moderne.

Nëse në pjesën e parë të romanit, rrëfimi fokusohet në përvijimin e pistave të ndryshme për zbulimin e shkaqeve të aksidentit, në  pjesën e dytë diskursi narrativ shtyhet përpara dhe merr shenjat e një  kërkimi metafizik në zëmër të dashurisë, aty ku shpërthejnë shtysat konfliktuale dhe tensionet e raportit të ndërlikuar mes Besfortit dhe Rovenës.

Narrativa të krijon përshtypjen e një rrjedhe  të ngadalësuar si në një ëndërr me ankth, ku fragmentet  e kujtimeve ndërthuren kaotikisht, në një rend të përmbysur, ku koha ecën mbrapsht dhe sekuencat e  jetës ndodhin pas vdekjes. Dy protagonistët, të vendosur në “makinën e memories”, enden sa para e prapa në kohë, të mbyllur në labirinthin e kujtimeve, si dy shpirtra të mbetur pezull, ashtu sikurse besohet nga partizanët e teorisë së “After Life”.

Rrëfimi është eliptik.

Hulumtuesi misterioz, i përmes fakteve dhe dëshmive të mbledhura, ku realiteti përzihet me dromca ëndrrash dhe kujtime të fragmentuara, ndërmerr kërkimin rraskapitës, për të rikonstruktuar kohën dhe rindërtuar puzlen e jetës së dy personazheve në vitin e fundit të jetës së tyre.

Në puzzlen e jetës së rindërtuar të dy personazheve mbeten kutiza bosh, motive të paqarta të sjelljes së tyre, fakte të dyshimta, enigma, segmente jetësore të paqartësuara.Teknika e suspanses rrit dramacitetin e rrefimit. Narratori  e fut lexuesin gradualisht në një atmosferë ankthi dhe tensioni, me dyshime dhe pasiguri, ku gjithçka duket e dyzuar, e turbullt  dhe e paqëndrueshme, një lojë mes asaj që duket dhe domethënies së saj, një realitet fiksional , ku gjithçka jepet sipas një vizioni të përmbysur të realitetit.

Një pasqyrë ovale, simbol i narcizismit dhe sekreteve te një bote ezoterike, ku përthithen shëmbëllimet e fundit të çiftit misterioz në taksi, hap narrativën dhe e mbyll atë brënda një qerthulli të pazbërthyeshëm. Metafizika e dashurisë, ku mplekset spiritualiteti me seksualitetin, shtysat instiktive libidoiane me socialitetin human, mbetet e parrokshme në totalitetin e saj kompleks prej sociologjisë empiriste. Në përpjekjen për të ndriçuar enigmen, orvajtja e narratorrit hulumtues mbrrin tek një ledh i pakapërcyeshëm, përtej të cilit hapet një zonë mister. Përtej atij kufiri, gjuha mbetet memece, njohja e pamundur, arti i pafuqishëm.

“E vërteta” mbetet e pambritshme, enigma e pazbërthyeshme, misteri i dashurisë dhe vdekjes së saj, i parrokshëm. Nuk ka një “të vërtetë” përfundimtare por këndvështrime alternative. Paradigma niçeane e perspektivizmit se “nuk ka fakte, por vetëm interpretime” e mishëruar artistikisht në ngritjen dhe rrëzimin e skenarëve rreth aksidentit, përcjell idenë se në epokën postmoderne, e vërteta, më shumë se sa një konsideratë përfundimtare, mbetet një dije relative, kontekstuale dhe e kontestueshme nga këndvështrime të tjera. Jemi në kushtin postmodern të relativizmit dhe konceptimit fukoian të së “vërtetës” si produkt i diskurseve të ndryshme.

Pasi ke përfunduar leximin, e mbyll librin dhe ai qëndron para teje si një sfinks, me enigmën e ndryrë brenda tij. Fundi i rrëfimit “pa fund” është një tipar tipologjik i prozës romanore  të Kadaresë. Pistat mbeten te hapura, duke e futur lexuesin në konfuzion, por edhe duke e ftuar atë për interpretim të ngjarjes.

Romani ‘Aksidenti’. bashkë me dy romanet e tjerë, ‘E Penguara (Rekuiem për Linda .B)’ dhe ‘Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut’, nisur jo vetëm nga kronologjia e vendosjes së ngjarjeve të rrëfyera( vitet e vështira të komunizmit, fundi viteve tetëdhjetë dhe  dhe fillimi tranzicionit postkomunist ) por edhe nga tematika dhe  shtrati ideor, përbëjnë tri hallka të një triptiku. Historia e personazheve të tre romaneve të sipërpërmendur, përplasjet dhe drama e jetës së tyre, shpalosen fatalisht brenda një raporti trekëndor: pushteti-dashuria  dhe liria.

Dashuria-metamorfozë dhe tjetërsim

Në prozën romanore të Kadaresë, edhe atëhere kur seksi në letërsinë shqipe  ishte një tabu, ndihen gjithkund erëzat erotike,  kurse personazhet femra lëvizin në sfondin e një bote maskiliste, duke shpalosur seksualitetin e tyre në varësi të strategjive të mbijetesës[2].

Por arkitektura e romanit ‘Aksidenti’, si asnjëherë më parë, ngrihet drejtpërsëdrejti mbi vatrën e Erosit, e pikërisht aty, autori farkëton dy personazhe, me historinë e një dashurie të komplikuar, plot pasion, dyshime, obsesion, paranoja. Përkundër hymneve thurur dashurisë si lumturi pa fund dhe  mitit të “dashurisë që nuk vdes kurrë”, Kadare ka thurur mjeshtërisht një realitet fiksional, duke vendosur në qendër të rrëfimit dramën e një çifti të kurthëruar nga pasioni obsesional i dashurisë. Një dashuri e cila përndizet dhe në kohëzgjatjen e saj konsumohet, shuhet, shterret, shkrumbohet. Dy personazhe, të cilët, teksa mundimshëm përpiqen ta ringjallin  dashurinë e fikur prej hirit të  saj, rreken  të trashendetojë kufijtë e kësaj bote dhe të futen në një zonë të re, plot mistere , ku “ligjet ishin të tjera dhe pakti po ashtu” )[3].

Në harkun e dymijë e pesëqind vjetëve, nga  antikiteti grek tek mendimtarët modernë, përvijohet një  kërkim i parreshtur për të  rrokur fenomenologjinë e dashurisë dhe raportet e Erosit me njeriun dhe  qytetërimin. Çfarë është dashuria, ky ëngjëlldemon, që trondit qënien njerëzore, duke e ngritur në kreshtat e lumturisë dhe rrokullisur në honet e dëshpërimit?

A mos vallë dashuria është një gjëndje iluzive e mendjes, një vetëmashtrim, një kurorë zbukurese humane e institktit natyror seksual, një kurth i natyrës për sigurimin e vazhdimësisë së species njerzore?[4] Mos valle dashuria, kjo  urë prej nga egzistenca e Tjetrit të panjohur vjen brënda ekzistencës tonë, me totalitetin e saj mbytës, bie ndesh me shtysat e lirisë  individuale?

Romani, nisur nga shenjat e dukshme intertekstuale, ngrihet si një diskurs dhe dialog me tekstet e tjera të shkruara për dashurinë: nga Platoni me Simpoziumin e tij të famshëm, tek  Shopenhauer me Metafizika e dashurisë,  Frojdi me teorinw psikanalitike tw seksualitetit e deri tek  Badiou Lavdi dashurisë etj, pra një kërkim i pareshtur për të kuptuar dashurinë, të veshur me aureolën e hyjnores dhe misterit, pa mundur rrokjen e totalitetit të saj në një formulë racionale.

Romani Aksidenti, përmes fiksionit letrar  dhe diskursit narrativ, vjen si vazhdë e këtij kërkimi tundues dhe torturues.Kërkimi i hulumtuesit zbulon dritëhijet e raportit kompleks Besfor-Rovena dhe hap pas hapi ravijëzon diagramën e degradimiit të këtij raporti, metamorfozën e dashurisë dhe tjetërsimin  e saj:

-faza e parë, kur ata përjetojnë plot pasion dhe epsh seksual lidhjen e tyre dashurore

-faza e dytë, e ndërmjetme, ku shprehja “asgjë nuk do të  ishte më si më parë”, bie si një këmbanë e përzishme, në kufirin mes  kohës së dashurisë me kohën tjetër, zonën tjetër të cilën ata rreken të kapërcejnë. “Aty kishte të tjera ligje. Aty niste koha negative”[5] Lidhja mes tyre është ftohur dhe dashuria, nga një ndjenjë ngazëllimi, përjetohet si një barrë prej të cilës ata duan të çlirohen.

-faza e tretë- momenti post mortem (vdekja e dashurisë), kur Besforti i propozon Rovenës të bëhet ish-gruaja e tij. Tashmë Rovena për Besforitn është thjesht një call girl (eufemizëm për prostitutën). Metamorfoza e Rovenës vazhdon deri në zvogëlimin e saj si personazh dhe zvetënimin e vlerave: geishë, lavire e luksit, më tej një kukull seksi dhe, në fund, një kufomë- një trajtë manekini me masken e allcisë në fytyrë.  Tani- thotë Besforti – ne jemi  “përtej pasqyrës… të çliruar nga rutina , nga trysnia e ritualit, nga xhelozitë..nga ajo zonjë fatale, vejushë e përzitur, ndarja[6].

Në prozën e Kadaresë mitet e lashta dhe modelet arketipale aktivizohen për ndriçimin dhe depërtimin në thelbin e dukurive moderne. Nga ana tjetër, nën dritën e ngjarjeve moderne, ndriçohen nënshtresat dhe gjuha simbolike e miteve antike. Miti i letrarizuar rifunksionalizohet dhe realiteti fiksional strukturohet përmes teknikave mitologjizuese.

Hulumtimi raportit të ndërlikuar dashuror Besfort Y. me Rovena St. hedh dritë mbi mitin e Orfeut  dhe miti i risemnatizuar kthehet në një semantikë për depërtimin në enigmën që mbështjell çiftin e aksidentuar. Miti i Orfeut, zbrazet nga arkaikja  dhe rimbushet me shenjat e bashkëkohësisë, posaçërisht me  rrëfimin e raportit kompleks dashuror mes Besfort dhe Rovena. Ndërsa bashkëkohorja, dashuria dhe vdekja në aksident e dy personazheve, vishet me velin e mitikes, përmes rrëfimit të konceptuar si lojë mes formës dhe kuptimit të tekstit, i cili e mbërthen lexuesin me ambiguitetin e tij shtërngues .“Miti është ambiguitet… kjo lojë interesante kukafshehti mes kuptimit dhe formës përcakton mitin” (R. Barthes-Mitologjitë, Tiranë, Pika pa sipërfaqe 2016, f 250).

Përmes pësiatjeve të hulumtuesit, mbrihet në një kuptimësim të ri të mitit të Orfeut : nuk është Euridika që ka vdekur por Dashuria. Zbritja e Orfeut në Had për të takuar Euridiken e vdekur është vetëm një alibi. E vërteta është pikërisht ajo, vdekja e dashurisë dhe pamundësia e Orfeut për ta ringjallur. Përtej  ambiguitetit dhe mjergullës semantike, miti sjell në kohët moderne kumtin dhe brengën e përjetshme të njeriut: Dashuria, pas ftohjes graduale dhe konsumimit, është një energji e pa rikthyeshme. Ringjallja e saj është përtej së mundshmes. Njerëzit, thotë autori, duhet të mësohen me këtë dialektikë/fatalitet të brendshëm të saj dhe të pranojnë ne paqe ligjet e saj misterioze. Dashuria nuk fitohet me forcë dhe nuk mund të mbahet në këmbë me dhunë.

Dialektika e dashurisë: erosi dhe ankthi lirisë  

Historia e një lidhje obsesive pasionante për nëntë vjet i ka vendosur të dy protagonistët në një situatë kontradiktore: ata rreken të ndahen dhe duken fatalisht të pashqitshëm me njeri tjetrin. Të dy   përjetojnë mrekullimin e epshit seksual dhe ndërkohë, gradualisht erosi kthehet në një skenografi plot tension dhe dyshime. Në zëmër të dashurisë janë hedhur farat e rrënimit të saj. Në vatrën e Erosit,  atje ku farkëtohet dëshira seksuale rritet dhe aspirata  për posedim total të tjetrit. Kupidi, Zoti i dëshirës seksuale dhe atraksionit, në mitologjinë romake paraqitet me hark e shigjetë, duke përcjellë konceptimin e dashurisë si një dhimbje e bukur, si forcë gjallëruese e psikes por edhe aspektin plagosës të saj.

Është mjaft interesant ndërfutja në dialogun Besfort-Rovena e pasazhit mbi Empedoklin i cili nga kureshtja u hodh në honin e vullkanit. Duket sikur edhe gramatikisht-fall in love-rënia në dashuri, mbart një lloj fataliteti dhe rreziku. Dashuria i përngjet një luleje të brishtë të mbirë buzë kraterit të një vullkani, e rrezikuar të shkrumbohet nga flaka e tij. Ajo i përngjet një meteori i cili konsumohet dhe fiket teksa bie nga qielli (hyjnor) drejt tokës (realitetit brutal dhe banal). Rovena në Grac të Austrisë rikujton  Lasgush Poradecin dhe lexuesit i nëpërmendet një nga poezitë më të bukura të tij për greminën ( e dashurisë):

Ndaj hoqa rëndë ashtu

Gjer në greminë.

Llaftarën që më zu,

Për dashurinë.

E kqyrur nga optika e kritikës feminist, Besforti dhe Rovena pëfaqsojnë dy profile psikologjike brenda skemës së kulturës maskiliste: Besforti racional, i ftohtë, vetëvendosës,mospërfillës, ekspert për çështjet e Ballkanit kurse Rovena,  e rrethuar me breroren e bukurisë dhe misteret e seksit, emocionale, e pasigurt, ankthioze. Dy profile psikologjike brenda skemës: Meshkujt vijnë nga Marsi, femrat vijnë nga Afërdita[7]. E shprehur me termat e Simone de Beauvoir[8] Besforti profilizohet si Subjekti, Absoluti, i vetëpërcaktuar në totalitetin e tij  kurse Rovena si Tjetri, pra femra  që gjen përkufizimin e saj përmes mashkullit.

Si një raport mes të barabartëve, shkruante  Shulamith Firestone –dashuria do të ishte një pasurim, ku secili duke zgjeruar veten përmes tjetrit, në vend të mbylljes në qelinë e vetvetes, vetëm me përvojën e tij, të merrte pjesë në ekzistencën e një  tjetri, si një dritare shtesë në botë”. Në kontrast me këtë vizion, Rovena e rënë në kurthin e dashurisë për Besfortin, klidh e pafuqishme: ti po më robëron dhe më ke mbyllur çdo dritare!

Fillimisht në trajtë të turbullt ajo ndjen një lloj frike iracionale, ankth dhe pasiguri. Referuar Kierkegard, “ankthi është liria e penguar”,[9] Më tej Rovena  gradualisht e gjen veten të kapluar nga “xanxa e lirisë”. Madje ajo deklaron: Ti më konsideron robinjën tënde, ti je vrasës! Ti je Tiran! Ti po më shkatërron seksualitetin”.[10] Besforti Çlirimtar në sytë e saj transformohet në Tiran dhe skllavërues.

Lidhja dashurore  mes Besfortit dhe Rovenës përvijohet si një raport i pabarabartë pushteti. Dashuria sipas psikoanalistit Lacan[11], ekspozon enigmën e diferencës midis seksesve. Në vatrën e këtyre diferencave prodhohet tensioni dhe shtysat konfliktuale. Rovena ndjehet e skllavëruar në dashurinë pasionante për Besfortin. Poshtë luleve të lumturisë së dashurisë ajo ndjen ankthin  e prangosjes së  lirisë.Në zëmër të konfliktit është tensioni mes shtysës së dashurisë me shtysën e lirisë.

I gjithë raporti mes tyre duket si një lidhje sadomazohiste, e gryerr së brendshmi nga frika, dyshimi, koha dhe vetëkonsumimi. Rovena em viktimizuar manifeston sindromën e Stokholmit: adhuron Besfortin, dhunuesin e lirisë së saj dhe ndjen frikë prej tij. Dialektika e një raporti të tensionuar i ka mbërthyer në kurthin e shtysave konfliktuale mu në zëmër të dashurisë.

Statusin e saj të varësisë Rovena e kompeson me përdorimin e seksualitetit të saj, si strategji rezistence dhe hakmarrje ndaj Besforit, penguesit të saj, duke filtruar me bashkëstudentin çek dhe me mikeshën e saj, Lulu Blum. Rovena në metamorfozën e saj  (Rovena St. Rovi, Anerov, call girll, kukull seksi) shpalos një identitet të shumëfishtë ndërsa seksualiteti saj është më fluid .

Dashuria është skena e Dyshit -thotë Badiou[12]. Si e tillë, ajo ka si bashkëshoqërues xhelozinë, e cila në esencë, manifeston eskluzivitetin seksual mbi partnerin/en. Në  skenën e Dyshit përjashtohet ndërhyrja e të Tretit kërcënues. Ndërkaq, ndërkallja e tekstit të Servantesit në strukturën tekstore të romanit, e riinterpretuar, modifikon skemën: I treti, dashnori fshehtë i futur në shtratin e Kamillas me vetë miratimin e Anselmit, e eksiton këtë të fundit dhe i ndez më tepër epshet dashurore për Kamillën.  Shfaqja në  “skenën e Dyshit” e të Tretit të përfshirë (vizita në klubin e shkëmbimeve seksuale, flirti Rovenës me Lulunë)  e eksiton më tepër Besfortin  dhe nxit dëshirimin seksual ndaj Rovenës. Mirse vini ,pra, në skemën e çiftit të hapur!

* * *

Fillimisht përmes aluzioneve e më tej, gjithmonë e më hapur, Kadare  heq një paralele të qartë mes raportit të ndërlikuar pasionant Besfort Y-Rovena St. dhe çështjeve të lirisë dhe tiranisë. Nga shqyrtimi i dinamikës së raporteve intime të një çifti, diskursi ngrihet në një rrafsh politik, duke krijuar parabolën me Shqipërinë totalitare dhe raportin e diktatorit Enver Hoxha me vendin e tij. Liria ishte marrë pang nga Tirani në emër të “dashurisë” për popullin e tij. A nuk ka ndodhur e ndodh në  historinë  e popujve dhe kombeve ajo    dialektikë  fataliteti, kur nën breroren e Çlirimtarit , fillon e zgjatet hija e Tiranit, Diktatorit, Autokratit, Sunduesit?. Idesë për lirinë e munguar në totalitarizëm i pranëvihet ideja e “tiranisë” së lirisë, e cila,  kur shpërdorohet, kur keqkuptohet dhe abuzohet me të,  kthehet në një forcë mbytëse dhe destruktive të demokracisë.

 Shkrimtari i madh ka folur me gjuhën e artit për rreziqet e reja në rrugën tonë  shkëmbore të demokracisë…

Analogjia mes proçesit të integrimit të Shqipërisë në Europë me odisenë aventuroze të çiftit Besfort-Rovena nëpër hapësirën europiane, është e hapur. Udhëtimi dy protagonistëve në hapësirën europiane kthehet në një parabolë dhe metaforë e rrugëtimit plot zigzake, aksidente dhe tensione të Shqipërisë drejt Europës.

Romani ‘Aksidenti’ tingëllon si një rekuiem  për humbjen e dashurisë në raportet e ndërlikuara të çiftit Besfort-Rovena.Mbi këtë fabul, diskursi autorial kthehet në një reflektim të thellë për dashurinë, seksualitetin dhe lirinë në kontesktin dhe rrjedhojat e revolucionit seksual në shoqërinë moderne. Dashuria, kumton autori, u shfaq në tokë para pesëmijë vjetësh, si një proces humanizues i njeriut primitiv, si kaprëcim përtej  lidhjeve inçestuale dhe epshit karanal seksual brënda fisit. Dashuria duket një konstrukt human tepër i brishtë dhe i ri, përballë shtysave arkaike, parake të Erosit të shtypur nga Qytetërimi dhe në sfondin e gjallërimit të orientimeve të reja seksuale. Në këtë optikë, në rrafshin fenomenologjik, dashuria përngjason me një gjëndje ylberore, përherë e kërcënuar të shpërbëhet.

Liberalizimi i raporteve seksuale si rrjedhojë e revolucionit seksual dhe çlirimi seksit nga shtërngesat e riprodhimit biologjik, në kushtet e konsumerizmit dhe “kulturës  fast food”,  kanë përuruar qytetërimin tonë likuid, seksualitetin fluid dhe plastik. Por përtej lirisë pa limite dhe kënaqsisë seksuale pa pengesa , përtej robërisë së iluzioneve[13] dhe obsesionit seksual, qëndron përherë boshësia dhe vetmia e individit të atomizuar. Dhe këtë boshësi dhe vetmi ekzistenciale duhet dhe mundet ta mbushë vetëm dashuria. 


[1]  Lyotard, J-F., “Riscrivere la modernita” në “L’inumano, Divagazioni sul tempo”, Milano, Lanfranchi, 2001, fq. 55 

[2]  Irena Myzeqari: Ligjërimi feminist tek vepra e Ismail Kadaresë, Temë doktorature, UET, 2015

[3]  I.Kadare: Aksidenti, Onufri 2010, f 109

[4]  Arthur  Shopenhauer : Metafizika e dashurisë, Plejad, 2014

[5]  I.Kadare: Aksidenti, Onufri 2010,f. 112

[6]  I.Kadare: Aksidenti, Onufri 2010, f. 147-148

[7]  John Gray : Meshkujt vijnë nga Marsi, Femrat nga Afërdita, Sh.Botuese Pema, 2019

[8]  Simone de Beauvoir : Seksi i dytë, Çabej, Tiranë 2002, f 11

[9]  Soren Kierkegard  : Koncepti  i Ankthit, Plejad, Tiranë, 2002,  f. 57.

[10]  I.Kadare Aksidenti, Onufri, 2010

[11]  Lacanian prespective of love

http://www.kritike.org › demandante_june2014

[12]  Alain Badiou: Lavd i dashurisë, Zenit Editions, Tiranë, 2011

[13]  Erich Fromme:  Përtej robërisë së iluzioneve, Fan Noli, Tiranë 2012

Exit mobile version