Kreu Opinion Rudolf Marku: Mëkatet e biografizimit në letersi, dhe të tjera

Rudolf Marku: Mëkatet e biografizimit në letersi, dhe të tjera

rudolf-marku

1.

Para ca kohësh, në një revistë letrare, dhe më pas, dhe në social media, u cek, në formën e një si shkëmbimi miqësor opinionesh, raporti i krijimtarisë letrare me biografinë e autorit a raporti mes veprës letrare dhe elementëve të caktuar biografikë të autorit. Në fakt, preokupimi i atyre që morën pjesë në këtë shkëmbim mendimesh, qe më tepër mospranimi, madje refuzimi kategorik, i rëndësisë së biografisë së autorëve në vlerësimin e veprave të tyre. Ky shkëmbim miqësor mendimesh, i filluar nga një shënim si i çastit në Facebook, pa qëllime dhe pretendime shtjelluese akademike, nga studiuesi dhe kritiku Behar Gjoka, u bë objekt i një shkrimi më të gjerë, botuar në Peisazhe të Fjalës, prej studiuesit Ardian Vehbiu. Më pas, përmes një shkrimi jo fort të ndryshëm nga ai i Ardian Vehbiut, Visar Zhiti, veçse shprehur në mënyrë më ngatërruar ose më të sofistikuar (varet nga këndvështrimi i lexuesit) nga shkrimi i Vehbiut, shkruan se ’Natyrisht që kjo është një vuajtje, një padrejtësi në letrat tona, nxitoj të them, dhe, që të mos ndodhte, duhej parandaluar më herët. Vuajtja e autorit, burgu apo konforti i tij, plagët apo dekoratat nuk janë vlera letrare. Vepra letrare nuk ka më biografi, as të sajën, por vetëm vlera, ngulmoj siç kam ngulmuar dhe më herët,,.

Ky shkëmbim mendimesh më nxiti të them opinionin tim modest për këtë raport (vepër- elementët biografikë të autorit), si dhe për kontekstin e disa problemeve më të gjëra se kaq të mendimit kritik në vendin tonë.

Me gjithë racionalitetin e pikëpamjes se vepra letrare në radhë të parë duhet parë si tekst, kritikët dhe studiuesit më fanatikë të favorizmit të tekstit, nuk do të guxonin të shpreheshin në mënyrë kaq simpliciste se vepra nuk ka një biografi të sajën, por vetëm vlera (ose-mosvlera- r.m) – siç shprehet zoti Zhiti.

Kur flasim për biografinë e autorit apo elementët biografikë të jetës së tij, mendoj se duhet të shprehemi pa ekuivoke për çfarë bëhet fjalë: nëse është fjala për show-n kunjuktural biografik të meritave të autorit, për qëllime praktike (një shkrimtar ish i burgosur, që vë në shitjen mediatike vitet e burgut të vet, për arsye që të rrisë vlerat e munguara artistike të veprës, apo që të përfitojë kredenciale politike të kohës a çeqe të formave të ndryshme materialistike)-bëhet lehtësisht e kuptueshme se një gjë e tillë e etikës, jo vetëm që nuk është letërsi, por as që ka ndonjë lidhje me diskutimet për letërsinë a krijimtarinë letrare a artistike. Ironikisht, mund të jetë objekt i materies letrare, një subjekt i një vepre letrare të ardhshme, por jo letërsi! Është e kuptueshme dhe për një nxënës shkolle, se do të ndodheshin brenda një anijeje, e cila lundron jashtë ujërave të letërsisë, të gjithë ata pseudokritikë a studiues apo autorë, të cilët e ngatërrojnë veprën letrare me elementët biografikë bruto, të papërpunuar në procesin krijues, të përdorur për qëllime jashtë letrare! Nga ana tjetër, nëse është fjala që elementët biografik të jetës së vet, autori i ka bërë pjesë të procesit krijues në një vepër letrare, në mënyrën rrëfimtare të jetës së vet apo përmes metamorfizimit metaforik të këtyre elementëve në jetën e karaktereve të veprës letrare, përmes mjeteve të fuqishme shprehëse, veç atëherë mendoj se do t’ia vlente të diskutonim për raportin e elementëve biografik dhe veprës. Nuk kam dyshim se z. Vehbiu dhe z. Zhiti e kanë fjalën për këtë të dytën. 

Është e vërtetë se deri në shekullin e 20-të besohej se autori—njeriu që shkruan dhe krijon një vepër letrare—e di më mirë nga çdo kush tjetër se çfarë do të thotë vepra e shkruar prej tij. Një mendim i tillë, mbështetej nga Kritika biografike—njëra prej shkollave letrare që favorizohej prej shumicës së kritikëve letrarë, deri sa, në fillimet e shekullit të XX, Kritika e re (New Criticism) formuloi vështrimin tjetërsoj të veprës letrare, atë që u quajt close reading, leximin nga afër.

Metoda e New Criticism (ose: metoda Formaliste), e konsideron tekstin si burimin e parë të kuptueshmërisë së veprës, duke u përpjekur që të gjejë kuptimin e veprës më tepër nga zgjedhja e fjalëve të autorit, se sa përmes kontekstit të përvojës së autorit dhe kontekstit historik. Por kjo nuk do të thotë se në studimin e letërsisë ky kriter është i vetmi, dhe as se të gjitha kriteret e kësaj metode janë të padiskutueshme. Që në fillim, disa studiues seriozë, që përgjithësisht nuk janë ithtarë të kultit të prioritetit absolut të studimit të tekstit, në dëm të metodave të tjera studimore të veprës, vunë re se New Criticism duket më tepër një si degë e studimeve pedagogjike, se është thjesht një version i shprehjes Franceze të explication de texte, i dobishëm për studentët e kolegjeve amerikane që studiojnë veçanërisht poezinë, dhe se New Criticism është apo ngjan shpesh herë me një estetikë ezoterike, se është një si ringjallje e Artit për Art, e painteresuar për qenien njerëzore dhe e aftë për ta prurë studimin letrar në një fqinjësi të rrezikshme me shkencën…

Me këtë nuk dua të them se kush ka të drejtë—një gjë e tillë është përtej njohurive të mia teorike të studimit të letërsisë—se sa të pohoj se askush në këtë botën tonë nuk guxon të thotë se vetëm ajo që di ai është dhe dija më e fundit, dhe pas kësaj nuk ekziston gjë tjetër. Te studiuesit tanë shpesh gjejmë pohime të shprehura me arrogancë, që nuk të lënë shteg për një mendim a opinion tjetër. Studimi i veprave letrare mund të ketë këndvështrime nga më të ndryshmet, falë dhe subjektivitetit që mbart krijimtaria artistike, dhe asgjë tjetër nuk mund të stonojë më shumë se toni kategorik i një studiuesi a i një shkrimtari kur flet për krijimtarinë. Në fakt, edhe një nxënës shkolle sot, e di se ka një shumëllojshmëri tepër më të madhe metodash për të studiuar letërsinë, veprën letrare, se sa vetëm pranimi a mospranimi i elementëve të biografisë së autorit.

Nga të gjithë studiuesit seriozë, pranohet se krahas New Criticism, ekzistojnë dhe metodat krahasimore, etike, ekpsresvie, madje dhe ajo feministe, për të vazhduar me metodat historike, mimetike, pragmatike, psikologjike, shoqërore, tekstuale, teoritike, po të përmendim disa prej tyre. Secila prej tyre me avantazhet dhe disavantazhet e veta. Ndërsa, për sa i përket autorëve, pavarësisht nga metoda që zgjedhin ata për krijimin e veprës letrare, në mënyrë të ndërgjegjshme a të pandërgjegjshme, më tingëllon e çuditshme, por jo krejt e pashpjegueshme, pohimi i disa prej tyre se—sidomos kur gjykojnë letërsinë e shkruar jo nga ata vetë—se letërsia është vetëm tekst, dhe asgjë tjetër, se vuajtja, burgu, plagët—sidomos plagët e të tjerëve—janë të pakonsiderueshme për krijimtarinë letrare. Nëse do ta merrnim si të vertetë këtë parim, më tepër se gjysma e veprave të Dostojevskit—po përmend shkarazi—Shtëpia e të Vdekurve, Shënimet nga Nëntoka —botuar shpesh herë dhe me titullin Letra nga nëntoka—dhe mijëra kryevepra të tjera të letërsisë, do të hidheshin poshtë si vepra joletrare! Dhe po kështu nuk do të kishte ‘far kuptimi dhe pikëpamja e Frederik Niçes, se të jetosh do të thotë të vuash, ndërsa të bësh art do të thotë t’i japësh kuptim vuajtjes njerëzore!

Mendimi i zotit Vehbiu se mund të merreshim me leximin e veprës se sa të harxhonim kohën me ca konferenca për zbulimet e jetës së shkrimtarëve, për medalje dhe fletëlavdërimet që kanë marrë ata nëpër botë, më duket një mendim shumë racional dhe i drejtë. Dhe, në vazhdim të mendimit të z.Vehbiu, do iu sugjeroja miqësisht të gjithë kritikëve ithtarë të prioritetit të studimit të tekstit mbi çdo gjë tjetër, se mund të merreshin vetë ata me analizën strukturore a jostrukturore të tekstit të veprave klasike dhe bashkëkohore të letërsisë Shqipe, se sa të harxhonin kohën me shkrime teorike që tashmë mund t’i gjesh, të paktën që prej pesëdhjetë vitesh, në revistat dhe gazetat letrare, deri tek librat voluminozë akademikë në çdo gjuhë të botës.

Alergjia ndaj biografizimit të veprës letrare tek ne mendoj se ka ardhur dhe nga sharalatinizmat ala shqiptare të botuar si studime letrareDeri para pak vitesh, një studiues i ynë botonte shkrime për gjetjen e këpucës së Migjenit, po ashtu si të tjerët që vazhduan të shkruajnë libra spekulativ për miqësinë e atyre vetë me Migjenin, apo libra memuaristikë të një kujtese selektive relativiste, sipas qëllimeve pragmatiste të autorit. Elementët biografikë kanë rëndësinë e vet kur bëhen pjesë e letërsisë, aq sa ka shumë shkrimtarë që nuk mund të kuptohen pa to. Fama e librit Dyqanet e Kanellës, e Bruno Shulcit—njeri ndër librat më të rëndësishëm të shekullit të 20-të, është gati i pakuptueshëm pa njohjen e jetës së autorit, dhe sidomos pa njohjen e rrethanave të jashtëzakonshme të vrasjes së tij. Dhe po kështu Tregimet e Kolimës, të Shalamovit, të Isak Babelit, dhe poezitë e Nikola Gumiljevit, bashkëshortit të Ana Ahmatovës, apo romani Kronikë në Gur, i I. Kadaresë dhe Patria—romani i famshëm i shkrimtarit spanjoll Fernando Aramburu- 2016—janë të lidhura ngushtë me jetën e autorëve të tyre. Mund të sillnim me mijëra shembuj të estetizimit artistik të elementëve biografikë të autorëve në veprat e veta. Puna është që elementët biografikë të mos mbesin në vepër elemente të huaj jo letrar. Puna nuk është te elementët biografikë—të cilat mund të jenë një avantazh i madh për shkrimtarin, ose dhe disavantazh—por te forca e talentit të shkrimtarit për t’i kthyer këto elementë bruto, sipas mjeshtërisë së zejesë së vjetër të alkimistëve artistikë të Letërsisë, në ar.

Por ndodh ndonjëherë që mohimi kategorik i përdorimit të elementëve biografikë në vepren artistike të jetë një hipokrizi e modës. Nuk mund të gjejë një eufemizëm më të mirësjellshëm, kur kritikët që janë kundër elementëve biografikë, ngazëllohen prej botimit të një shkrimi jo letrar të një pseudohistoriani të tipit Jack of all trades, master of none, i cili akuzon poetin Martin Camaj si bashkëpunëtor të sigurimit. Një studiues, të cilit nuk do t’i interesonin elementët biografikë të shkrimtarit, të paktën duhej të kishte shprehur një mospërfillje profesionale për këto gërmime në jetën personale të një shkrimtari shqiptar, sidomos nga një shkrues—askushi, në mos të kishte shkruar vetë ai një ndër ato shkrimet me spec të shtypit kundër një njeriu që shitet për një moment si studiues kompetent i historiografisë, i dosjegrafisë dhe letërsisë në të njëjtën kohë. Dhe po aq hipokrizi do të kishte qenë nëse një shkrimtar hipotetik, i cili, ta zëmë, ka vënë në treg vuajtjet e jetës së vet personale,në atë shkallë, sa dhe një dhembje të vet dhëmballe përpiqet ta tregojë si ngjarje botërore, të flasë kundër biografizimit në krijimtari!

2 . MODERNIZMI DHE POSTMODERNIZMI

Umbert Eko, gjatë një polemike të fundit të viteve ’80, ankohej për psikologjinë provinciale të shumë kritikëve italianë. Ai shkruan, pak a shumë, se ka plot studiues italianë që kanë psikologjinë e atij fshatari, që mendon se të gjitha të këqijat ndodhin veç në fshatin e vet ose në shtëpinë e vet… Kjo ndodh sot me shumicën e studiuesve të letërsisë shqipe…Të mësuar për një kohë shumë të gjatë me gjykimet më ekstreme të mospërfilljes së tekstit letrar (një sëmundje që e sheh pothuajse tek të gjithë ata që dhe sot e kësaj dite e gjykojnë letërsinë si opinion vetjak), dhe të shijeve letrare të një realizmi publicistik të politizuar, ndodh shpesh të kalohet me lehtësi në ekstremin tjetër, në kërkesën e një letërsie sterilizuese në emrin e modernizmit a të postmodernizmit, dhe në mohimin e çdo gjëje të shkruar jashtë modernizmit. “Nuk do të shkruaj kurrë në mënyrë realiste, kam vendosur të shkruaj si Prusti ose si Xhojsi’’—deklaronte para ca kohësh një letrar i ri në shtypin shqiptar, i cili ka botuar një quasi-roman dhe një libër poetik modest! Ajo që është më shqetësuese, deklarata e tij, u mor nga shumë kush prej rretheve letrare si një pohim i një talenti që, pa u bërë shkrimtar, ka zgjedhur me guxim rrugën e krijimtarisë së vet!

 Nga ana tjetër, Epopeja e Ballit Kombëtar, nuk është letërsi, jo nga se nuk është poemë moderniste, por se nuk është poezi. Rasti i Epopesë së Ballit, është thjesht dështimi i një pamfleti politik që është përpjekur të konsiderohet, për arsye jo letrare, si letërsi… Shpesh ndodh paradoksi, që puritanët e vlerësimit të letërsisë dhe përcaktuesit e kritereve të vlerësimit të modernizmit, tek ne, janë ku e ku më puritanistë se kolegët e tyre në Itali, Angli, Francë, Irlandë e Veriut, Gjermani dhe SHBA—vende këto me një traditë paksa më të pasur nga vendi ynë, por që e harrojnë puritanizmit kur është puna të konsiderojnë pjesë të letërsisë shqipe, për ca arsye personale, ca vepra që madje nuk janë as letërsi e keqe—letërsi e mirë jo se jo—për arsyen e thjeshtë se nuk janë fare letërsi.

Studiuesja e njohur e Irlandës së Veriut, Fran Breaton, profesoreshë e letërsisë bashkëkohore në Queen’s University të Belfastit, duke folur për poetin Michael Longley, fitues i sivjetshëm i Çmimit Poetik prestigjioz Ndërkombëtar Feltrineli, mik i ngushtë me poetë të tjerë, të ndjerin Seamus Heaney (Nobelist), and Derek Mahon, shkruan se tek Longley çmon “kthjelltësinë maksimale, ekonomizimin e shprehjes, sinqeritetin, të gjitha këto të shprehura nga një teknikë e kujdesshme dhe jo pretencioze, duke shtuar se mbi të gjitha i pëlqejnë poezitë politike të këtij poeti. Poezitë politike të Longley-t nuk janë gjë tjetër veçse një zë plot dhembshuri dhe aspak sentimental, dhe një shprehje e vëmendjes së poetit tek detajet, çka risjell konkretshmrinë e një pike të historisë, e cila ka rrezik të humbasë në abstraksionin e numrave, të dhënave, statistikave të vdekjeve, përtej çdo përpjekjeje për kuptuar diçka”.

Lexuesi i ardhshëm shqiptar, me raste shumë të rralla përjashtuese, për fat të keq, duke lexuar letërsinë tonë bashkëkohore, rrallë do të arrinte të kuptonte se çfarë ka ndodhur në këtë vend, se cilat kanë qenë plagët, preokupimet, vuajtjet njerëzore të këtij vendi dhe më kot do të përpiqej, nga leximi i letërsisë, të kapte kuptueshmërinë e asaj pike të historisë së vendit tonë kur dhe u krijua kjo letërsi. Vetë Micheal Longley, në Nëntorin e vitit 2021, u shpreh që, sipas mendimin të tij, edhe pse detyra e parë e Poetit është imagjinata, Poetin e presin dhe detyrime të tjera, jo thjeshtë si qytetar. Ai vetë shprehet se: Shkrimtari nuk do të ishte Human nëse nuk do t’i përgjigjej me veprën e tij ngjarjeve tragjike të komunitetit të vet, dhe do të mbetej një artist i varfër artistikisht, nëse këtë përgjigje të mos e jepte në formën e një përgjigjeje imagjinative!

3. PURITANISTË TË VONUAR

Forma kundër Përmbajtjes, Estetika kundër Politikës, Modernizmi kundër Realizmit—këto shina trenash të ndërthurura e të stërkryqëzuara me njëra-tjetrën, kanë synuar dhe vazhdojnë të synojnë, që në vitet e hershme të shekullit të 20-të, që ta çojnë trenin e strukturave letrare të veprave në disa stacione të reja. Në detyrë aspak e lehtë, sepse këmbëngulja e Realizmit veçse ka treguar se preokupimet përcaktuese të tij—mosfshehja e simpative të autorit, klasat, determinimi shoqëror, i kanë dhënë jetë dhe vetë veprave të shkrimtarëve modernistë, si James Joyce, Virginia Woolf, Samuel Becket dhe Ralph Ellison. Në kundërshtim me mitin e vjetër dhe shumëherë të përsëritur të modernizmit të begatë në mjetet shprehëse, që hedhin poshtë realizmin social, së bashku me strukturat e veta, studiuesi i respektuar botërisht, Paul Stasi, argumenton dhe sjell me shembuj përmes librave voluminozë (më i fundit botuar para një muaji, nga Cambridge University Press), se si dhe shkrimtarët më modernistë janë të preokupuar dhe të angazhuar me realizmin, në atë shkallë, sa të pranohet si e vërtetë se vetë preokupimet sociale të modernizmit janë të pandara nga preokupimet formale.

Letërsia moderniste dhe ajo postmoderniste, përvoja e kësaj letërsie në shumë vende të Europës perëndimore dhe në Amerikë, me James Joyce, Virginia Woolf, T.S. Eliot, dhe Franz Kafka, William Faulkner, Gertrude Stein, D.H. Lawrence, Joseph Conrad, nuk ka tentuar kurrë të përjashtojë veprat e shkruara me teknika të tjera shprehëse jashtë modernizmit. Ernest Hemingway ishte një shkrimtar jo modernist, në kuptimin akademik të përcaktimit të këtij termi, por thellësisht bashkëkohor dhe një ndër stilistët më të mëdhenj të prozës së shekullit të 20-të. Po kështu dhe njëri ndër shkrimtarët më të mëdhenj të prozës amerikane të shekullit të kaluar, J.D. Salinger, nuk ishte modernist dhe as postmodernist, në kuptimin shkollaresk të shpjegimit që u jep në mënyrë shumë të hollësishme këtyre metodave letrare zonja akademike, pr.dr. Flora Dado, në një seri numrash të gazetave të vendit tonë (me aq hollësi, sa shkrimtarit që i lexon këto leksione teorike, të mos i mbes gjë tjetër, veçse të ndjej kompleksin e fajit se nuk është modernist!). Por të mos qenit modernist, nuk e ka penguar J.D. Salinger të ndikojë në mënyrë të fuqishme në një brez shkrimtarësh të letërsisë bashkëkohore, jo vetëm amerikane. Dhe po ashtu nuk kanë qënë dhe as u pat shkuar ndërmend të jenë modern as dhe Evelyn Waugh, as George Orwell dhe as Graham Green, tre romancierë të mëdhenj të letërsisë angleze të viteve ’30-’60 të shekulli të kaluar.

Po të më thonin të zgjidhja disa nga romanet më të suksesshëm të viteve të fundit, të botuar në botë, do të veçoja romanin Atdheu, roman i shkrimtarit spanjoll- bask Fernando Aramburu (2016), sjellë në shqip në një përkthim brilant të shkrimtarit B.Shehu, si dhe dy romanet fitues të Çmimit prestigjioz Booker Prize, respektivisht në vitet 2020: Shuggie Bain i shkrimtarit Douglas Stuart, dhe romanin tjetër Premtimi, i Damon Galgut ( Booker Prize për vitin 2021). Po riprodhoj më poshtë fragmente të kritikave bashkëkohore të shtypit anglez nga paraqitja e këtyre romaneve:

“Subjekti i romanit Atdheu, zhvillohet në Provincën Baske (Basque) në kohën kur organizata ETA shpërbëhet. Romani ka angazhimin në një temë madhore të shoqërisë spanjolle të veprimtarisë së ETA-s dhe terrorin që ushtroi për 40 vitesi dhe impaktin e këtyre ngjarjeve në jetën private të karaktereve të romanit. Vetë autori është për vete bask dhe romani ka një lidhje të fort mes përshtypjeve të fëmijërisë së autorit (biografisë) dhe fiction-it romanesk. Autori ka deklaruar se romani i tij është ‘një dëshmi e mizorive, vuajtjeve dhe pasojave të tyre në jetën e njerëzve”.

Romani tjetër, ai i Booker Prize për vitin 2020, Shuggie Bain i shkrimtarit Douglas Stuart:

Shuggie Bain i Douglas Stuart është historia e paharrueshme e djaloshit Hugh ‘Shuggie Bain, një vetmitar që e ka kaluar fëmininë e vet në shtëpitë shtetërore në qytetin e Glasgout, Skoci. Janë vitet ’80, koha kur politika Thaçeriane i nxirte nga puna baballarët dhe fëmijët e tyre, ndërsa epidemia e njohur e këtij qyteti, epidemia e drogës, pret të shpërthejë…Një histori prekëse e shkatërrimit nga droga, dhe e seksualitetit dhe e dashurisë, Shuggie Bain është një portret epik i familjeve të klasës punëtore, që rrallë është shfaqur ndonjëherë në fiction tek ne!”

Ndërsa romani i tretë, Booker prize për vitin 2021, Premtimi, e Damon Galgut, paraqitet me këto fjalë:

“Një sagë e një familjeje moderne, ardhur nga Afrika e Jugut, shkruar me një prozë brilante nga shkrimtari dy herë kandidat për Çmimin Booker Prize, dhe këtë vit fitues i tij. Të ndjekur nga një premtim i pambajtur, Stuart-ët humbasin kontaktet me njëri-tjetrin, pas vdekjes së matriarkates së familjes… Të ribashkuar pas tridhjetë vitesh, familja e shpërbërë reflekton atmosferën e Afrikës së Jugut, atmosferën e keqardhjes për jetën e shkuar, ringalljen dhe atë të shpresës. Premtimi, është një dramë epike që shpalos ecjen e pandalshme të historisë së kombit

Të jemi të sinqertë deri në fund, asnjë kritik shqiptar nuk do të kishte guxuar të shkruante ndonjërin prej shkrimeve të mësipërme, nga frika se mos do të ishte konsideruar si një kritik i shkollave sociale dhe historike të letërsisë. Ku është modernizmi dhe postmodernizmi? A nuk tingëllon tepër e vjetër, skematike dhe primitive shprehja portret epik i familjeve të klasës punëtore? Ku është magjia e tekstit? Ku janë metaforat, çmontimet semantike, tropet, shtresat dhe nënshtresat kuptimore të gjuhës, kompozicionet gjithëpërthyerse kaledioskopike, marramendja e pakuptueshmerisë së frazave dhe strukturave sintaksore të kritikut dhe të vetë autorit? Si mund të shkruhet kështu, me kaq qartësi, për një vepër letrare?

Natyrisht, edhe tek ne ka kritikë dhe studiues, që vazhdojnë të dëshmojnë ndershmëri në analizat e veprave letrare dhe artistike. Nuk po them se dëshmojnë veç kulturë dhe njohje. Sepse, ashtu siç e thotë indirekt në shkrimin e vetë studiuesi Ardian Vehbiu, në disa gjëra duket se njohja, madje e thellë, profesionale e teorive të letërsisë, e studiuesve, dhe ambicia pa frè, e pashoqëruar me substancën e talentit, e disa shkrimtarëve, nuk qenkan të mjaftueshëm për shpirtrat e zgavërt!

Exit mobile version