Kreu Panair Rudin Dakli: Të ruajmë kulturën dhe traditat. Dhe ndoshta qasja duhet të...

Rudin Dakli: Të ruajmë kulturën dhe traditat. Dhe ndoshta qasja duhet të fillojë jo nga gjuha, por nga kultura.

Bisedoi: Andreas Dushi

Rudin, gjej rastin t’ju përgëzoj edhe personalisht për iniciativën e jashtëzakonshme të një festivali të librit shqip në Kanada. Kur e kuptuat se Kanadaja kishte një komunitet aq të madh lexuesish të gjuhës shqipe?

Faleminderit, Andreas, për mundësinë e intervistës. Gjej rastin të falënderoj edhe z. Bujar Hudhri për bashkëpunimin. Kanadaja, dhe sidomos Torontoja ku jetoj prej dy dekadash, ka pasur vazhdimisht aktivitete të lidhura me librin dhe letërsinë, duke qenë se këtu tashmë jetojnë prej vitesh autorë që kanë shkruar letërsi cilësore dhe e kanë vazhduar krijimtarinë e tyre në shqip. Kam marrë pjesë shumë herë në promovime librash, takime e tema mbi letërsinë dhe në këto takime është shtruar shumë herë dëshira e autorëve kanadezë, po edhe e lexuesve pjesëmarrës në këto takime, për ta pasur librin shqip në Kanada përtej porosive dhe blerjes së librave vetëm gjatë udhëtimeve në atdhe.

Mendoni se më të interesuar për këtë festival janë ata shqiptarë që u mungon shqipja si gjuhë e përditshme leximi, apo ai brez i dytë emigrantësh të cilët e kanë humbur deri diku shqipen dhe, nëpërmjet leximit, duan ta rigjejnë, ta rifitojnë atë?

Të interesuar janë më shumë shqiptarët e brezit të parë, të cilët vazhdojnë ta lexojnë librin dhe letërsinë shqipe, sepse e njohin gjuhën në atë lartësi që nevojitet për të lexuar dhe kuptuar letërsinë. Brezi i dytë shtyhet të marrë pjesë nga kurioziteti, po për fat të keq ka filluar ta humbë lidhjen me gjuhën, aq sa të mos jenë të sofistikuar për të shijuar leximin e një poezie apo libri në shqip.

Meqë tani është edicioni i dytë, besoni se festivali po kthehet në traditë?

Shpresojmë. Po mbetet për t’u parë. Në traditë mendoj se mund të kthehet kur brezat e ardhshëm të emigrantëve shqiptarë të fillojnë të lexojnë shqip. Përndryshe do të jetë një traditë që, edhe nëse krijohet, do të fillojë të humbë me kalimin e kohës.

Kur ideuat dhe organizuat edicionin e parë, cilat ishin pritshmëritë që kishit dhe, a mendoni se i keni arritur ato?

Kur nisëm punën për realizimin e edicionit të parë pati shumë pikëpyetje. Megjithë një ndjesi pozitive që na kishin krijuar takimet me autorët apo bisedat me të njohur që, sapo gjenin dikë që vinte e kthehej në Shqipëri, porosisnin libra, pritshmëritë nuk ishin të mëdha. Mendoj se edicioni i parë i kaloi pritshmëritë tona. Në fakt, pas festivalit, me gjithë mungesat që mund të ketë pasur në organizim aty-këtu, u ndjemë se kishim arritur një diçka të rëndësishme; hapëm rrugën për futjen e librit shqip në Amerikën e Veriut.

Dua të më tregoni pak për diasporën shqiptare në Kanada. A është e organizuar në shoqata si dhe, a ia ka dalë të bëhet pjesë e jetës politike, ekonomike, shoqërore e kulturore të atij vendi?

Diaspora në Kanada është, për vetë mënyrën e përzgjedhjes, një nga komunitetet shqiptare me mesataren e edukimit më të lartë. Për këtë arsye ka tendenca aktivizmi shoqëror, gjë që e tregon edhe numri i madh i organizatave jofitimprurëse në të gjitha fushat e jetës. Mund të them me bindje se tashmë shqiptarët janë bërë pjesë e jetës ekonomike dhe kulturore dhe tashmë ka lëvizje drejt integrimit dhe pjesëmarrjes edhe në jetën politike. Së shpejti besoj do të kemi shqiptarë të Kanadasë që do të kandidojnë në të gjitha nivelet e qeverisjes.

Për t’u rikthyer edhe një herë te festivali i këtij viti, rritja e numrit të botuesve si dhe e shkrimtarëve të pranishëm, çfarë do të thotë për ju? Po për diasporën tonë në Kanada?

Është një shenjë e mirë që aktiviteti ka ngjallur interes. Herën e parë nuk pati jehonë, pavarësisht përmasave, sepse edhe koha për të njoftuar njerëzit ishte e shkurtër. Ne jemi një organizatë jofitimprurëse dhe e gjithë puna është e vetëfinancuar dhe vullnetare, kështu që edhe mundësia për të sjellë autorë, botues etj. ishte e kufizuar. Këtë vit kemi pasur edhe ndihmën e Ambasadës dhe veçanërisht ambasadores Artemisa Malo, që na ka mbështetur pa rezerva.
Sa i përket interesit të komunitetit këtu për të ftuarit, mendoj se këto takime shërbejnë për të vendosur lidhje dhe krijuar njohje të reja, dhe ndoshta edhe për të filluar bashkëpunime të reja.

Po sjellja e librave nga Shqipëria në Kanada, si ishte si përvojë? Sa në apsektin logjistik, aq edhe në atë të përjetimit. Pasi s’e di, më duket disi poetike ideja se dikush në një doganë apo port dhe pret libra që vijnë nga atdheu.

Sjellja e librave nga Shqipëria ishte pika kryesore e hezitimit për të nisur një rrugëtim të tillë. Mungesa e përvojës bëri që herën e parë të merrnim një kontenier nga Shqipëria që kishte vetëm librat në 1/4 e tij dhe pjesa tjetër ishte bosh. Nga pikëpamja logjistike ishte herë e parë dhe çdo hap ishte një përvojë. Librat erdhën nga Durrësi në Montreal dhe pastaj me tren në Toronto. Ngaqë kishim dëgjuar përvoja të ndryshme, morëm vendimin të mos e prenotonim hapësirën deri në momentin që librat ishin këtu. Kjo na kushtëzoi edhe në kohë, edhe në përzgjedhjen e vendit ku do të mbanim panairin. Ishte një përvojë e bukur marrja e librave në dorëzim, po edhe intimiduese. Pesë mijë libra! Një komunitet relativisht i vogël në Toronto, 30–40 mijë shqiptarë. Shumë pikëpyetje, po që, për fat të mirë, morën përgjigje pozitive në ditët e panairit.

Në programin e festivalit, më bëri shumë përshtypje që ai hapej me një bisedë të lidhur me letërsinë për fëmijë e po ashtu, ditën e dytë ishte sërish e pranishme një autore librash për fëmijë. Është një ndër synimet e festivalit të farkëtojë lexuesin e gjuhës shqipe në Kanada?

Po, një nga synimet tona është të ruajmë kulturën dhe traditat. Dhe ndoshta qasja duhet të fillojë jo nga gjuha, por nga kultura. Ky është mendim personal. Është e rëndësishme që brezi i dytë dhe i tretë tashmë të njohë kulturën shqiptare, qoftë edhe në gjuhën që i vjen më lehtë. Kjo do të sjellë interesin dhe kuriozitetin për gjuhën në vazhdim. Çështja e mësimit të gjuhës është e komplikuar dhe mendoj se meriton diskutim të vazhdueshëm.

Si e keni ndërtuar programin? Ka qenë dëshira për një përfshirje sa më të madhe ajo çfarë ju ka shtyrë t’i ofroni hapësirë promovimeve dhe ligjëratave që lidhen sa me nonfiction-in, aq edhe me fiction-in dhe të cilat, po ashtu, kalojnë nga letërsia për fëmijë, deri te memuaret?

Për t’iu përgjigjur interesit të lexuesve menduam të shtrihemi edhe në fusha të tjera veç letërsisë. Pati shumë interes për librat historikë dhe këtë vit menduam të organizojmë një takim me temë historinë. Po kështu ka një takim tjetër me temë jurisprudence, një tjetër ku fëmijët e komunitetit do të recitojnë e lexojnë shqip etj. Një larmi aktivitetesh menduam se do të ishte më e përshtatshme dhe do t’u jepte mundësinë edhe segmenteve të tjera të komunitetit që lexojnë letërsi jo “fiction” të kenë mundësi të marrin pjesë me interes.

Për këtë vit, cilat janë pritshmëritë që keni?

Shpresojmë për më mirë se herën e parë. Në fakt vazhdimësia e kësaj nisme do të varet shumë nga rezultatet e ketij edicioni. Shpresojmë të mos jetë thjesht kurioziteti ai që i dha suksesin edicionit të parë.

Exit mobile version