Ka të ngjarë që, fill pas vitit 1972 (Kongresit të drejtshkrimit), intelektualët gegë e toskë bënë një “marrëveshje” të cilën e zbatojnë sot e kësaj dite. Sipas kësaj “marrëveshjeje”, toskët duhej të vazhdonin të shkruanin e të flitnin toskërisht, sepse gegët thoshin se toskërishtja ishte bërë gjuhë standarde. Ndërkaq, intelektualët gegë mendonin që duhej të flitnin e të shkruanin si toskët, meqë dialekti i tyre, duke i hyrë në hak gegërishtes, na qenkësh bërë gjuhë standarde. Kjo ujdi është çuditërisht edhe sot në fuqi. Së këtejmi s’është për t’u habitur që shumë shembuj të së folmes së shqipes në televizionin shqiptar nuk përkojnë me Drejtshkrimin e gjuhës shqipe (përjashtim bën gjuha e lajmeve).
Kjo filloi të zbatohej në Shqipëri në një kohë kur në Prishtinë po fashiteshin edhe ato pak reagime ndaj standardit të propozuar të shqipes (reagime më të mëdha kishte në Serbi, sepse serbët, që “shikojnë përtej bjeshke, ua qanin hallin” kosovarëve se nuk do ta kuptonin standardin e shqipes. Me t’u hartuar rregullat e drejtshkrimit të shqipes, të gjithë shqiptarët që rronin në Jugosllavi, pavarësisht nëse ishin nxënës, mësues a profesorë, përkthyes, shkrimtarë, aktorë, administratorë a gazetarë, nisën t’i zbatonin normat e shqipes standarde me një entuziazëm të paparë, të bindur se kështu vinin gurë në kalanë e tyre të përbashkët (“Flaka e vëllazërimit” në Shkup kishte nisur të ecte në këtë rrugë që në vitin l967, ndërsa “Rilindja” e Prishtinës që nga viti l968).
(Pas demonstratave të vitit l981 në Kosovë, u mbajt në Prishtinë një takim me drejtuesit e mbarë medias së Jugosllavisë. Takimin e kryesonte një funksionar politik i Kosovës. Aty u shtruan shumë pyetje. Një redaktor i gazetës “Politika” të Beogradit, iu drejtua funksionarit të Kosovës me një ton kritik: si do të bëhej me shqipen në Kosovë, pas standardizimit të saj? Këtë shqipe, tha ai, shqiptarët e Kosovës nuk e dinë dhe nuk e kuptojnë. Vallë do ta ndërrojë Kosova qëndrimin ndaj saj? Si t’i priste gjuha brisk, funksionari u përgjigj në çast. Urtë e butë, ai tha: Këtë temë e kemi mbyllur një herë e përgjithmonë sipas postulatit që një popull nuk mund të ketë dy gjuhë standarde. Ajo nuk do të hapet më, tha ai duke hedhur shikimin drejt gazetarëve që kërkonin fjalën. Gazetarit serb i lëshuan sytë xixa.)
Le t’i kthehemi “marrëveshjes” së lartpërmendur. Në përputhje me të, së pari u vendos që të mos respektohet norma gjuhësore (paragrafi 1 i Drejtshkrimit të gjuhës shqipe, që thotë: Shkruhen me e (dhe jo me ë) fjalët që kanë një e të theksuar, të ndjekur nga bashkëtingëlloret m, n, nj. Në kundërshtim me këtë normë, televizioni i Tiranës vazhdon të thotë: dhëmb, dhëmbje, gjëmb, shëmb, shëmbull, trëmb, zëmër, zëmëroj, zëmërim, i përzëmërt, brënda, i brëndshëm, cënoj, çmënd, i çmëndur, gjëndje, vënd, kuvënd, vëndës, zëvëndës, qëndër, kam qënë, duke qënë se, gjërë, gjërësi, i vëmëndshëm, mëndje, i mënçur (pa hë, hëni de, hëni edhe pak, le të bëhemi më papistë e më katolikë se papa e le t’ia ngjeshim toskërishtes edhe ato që nuk i ka e të themi: mëndim, mëndoj…), ndënjur, shënjë, i shënjtë, i vrënjtur e sa të duash shembuj të tjerë, sa edhe kopshtit i thonë kopësht (bobo, po ç’kërkon kjo “ë” këtu, çfarë funksioni ka?! Ndërkaq, në kundërshtim me këto ngarkesa të ë-së, na erdhën ca propozime të tjera, fushk në dushk, që të shkurtohen shumë fjalë nga shkronja ë. Dhe do ti, gjuhëtarë të njohur, të zgjedhur në komisione gjuhësore e në akademi, na propozuan që ta heqim “ë”-në jo nga rastet e lartpërmendura, por në fjalët djalë, djathë, kalë, lumë, brumë, ujë e shumë të tjera, të bindur se do të na e mbushim mendjen se ne shqiptarët thënkemi “kam një djal, kam një kal” (s’mjafton të mbyllësh një vesh, por që të dy, madje mirë e mirë, që të pajtohesh me këtë propozim të çuditshëm).
Janë shumë të shpeshta rastet kur përemri pyetës “kush” ngatërrohet me përemrat cili, cila, cilët, cilat. Kështu, p.sh., thuhet: Kujt periudhe i përkasin këto eshtra? Kush është mendimi i tyre? Kujt opozite i takon? Kush është motivi i kësaj kënge? Kush janë problemet kryesore? Kush parfum shkon me lëkurën? Në të gjitha këto raste përemri “kush” është përdorur në vend të përemrave “cili, cila, cilët, cilat”.
Siç dihet, përemri pyetës “kush” përdoret vetëm për njerëz, për të njohur e për ta emëruar një njeri. Mandej – kërkoj të falur nga ata që e kanë flakur këtë fjalë nga fjalori i tyre, paçka se s’ka fjalor të gjuhës shqipe nga ai i ’54-ës e deri sot që nuk e ka – përemri “kush” ka vetëm kategorinë gramatikore të rasës (kush, i kujt, kujt, kë). Kaq dhe asgjë më. Ndërkaq, përemri pyetës “cili” ka kategorinë gramatikore të gjinisë, të numrit dhe të rasës. Këto rregulla i gjen në çdo gramatikë të gjuhës shqipe, por akoma më parë se gramatika, shumë e shumë më parë, ato i ka vënë në vendin e duhur vetë natyra e gjuhës sonë. Janë ca dhurëti që thithen me qumështin e nënës.
Është për t’u çuditur se si qenka e mundur që një intelektual të mos dijë ta bëjë këtë dallim kaq të madh. Si është e mundur që, një shqiptar, që ka mbaruar shkollën fillore e të mesme, që ka lexuar ndonjë vepër letrare, ta bëjë këtë gabim? Ky gabim është shumë i rëndë edhe kur bëhet nga një i huaj që e mëson shqipen, përjashto ndonjë rrozgan matuf, jomë nga një intelektual shqiptar (në shtëpitë e huaja të informimit, që mbajnë llogari për meritat dhe rolin që kanë, atyre që duan të bëhen gazetarë, u thonë “jo” që në çastin kur provojnë të hyjnë në portën e tyre).
Këto shkelje të rregullave të gjuhës ta kujtojnë atë gabimin e një të folmeje, që thotë “ia mora këtë, ia japa atë”. Është i një niveli me të edhe gabimi që zhvendos theksin në shprehjet “tani për tani” (nga i-ja në a) (në Kosovë), apo në fjalën madje, nga e-ja në a (në Shqipëri). E këtillë do të jetë edhe sajesa “ngritem” në vend të foljes “ngrihem”, sepse na qenkësh edhe vetvetore e foljes “ngrij”. Sikur ky përkim na qenka i vetmi në gjuhën shqipe. A s’ka edhe shumë raste në ngjashme kur vetëvetorja a pësorja e një folje përputhem me një folje tjetër? A s’janë të tilla rastet me foljet “zgjedh” dhe “zgjidh (zgjidhem në të dyja rastet), me foljet “fsheh” dhe “fshij” (po kështu njësoj – “fshihem”).
Është e çuditshme dukuria e pashquarsisë së emrave të huaj dhe shmangia e lakimit të tyre. Nuk e dimë në çfarë rregulla mbështeten këto veprime. Këta emra jepen në trajtën “tha Clinton”, “erdhi Johnson” (çështje më vete është përdorimi i shkrimit të huaj). Dihet se disa gjuhë nuk e njohin trajtën e shquar të emrave të përveçëm, disa e njohin pjesërisht, të tjerat e njohin dhe e respektojnë tërësisht. P.sh., në frëngjisht nuk shquhen emrat e njerëzve (Pierre–Pjer, Pjeri, Georges – Zhorzh, Zhorzhi). Po kështu nuk shquhen emrat e qyteteve (Paris – Paris, Parisi, Tirana – Tiranë, Tirana). Por, ka përjashtime (Le Havre – Avër, Avri, Le Caire – Kajro-ja). (Ndoshta do të ishte e udhës që shquarja dhe lakimi i këtyre emrave dhe mbiemrave të bëhet me një vizë në fund, ndryshe mund të qëllojë që një emër ose mbiemër i huaj të dalë njësoj si ai që mbaron në zanore, ashtu edhe ai në bashkëtingëllore. P.sh., le të marrim dy variante të një mbiemri Martin dhe Martini. Këta mbiemra do të mundnim t’i shquanim Martini dhe Martin-i, ndërsa gjatë lakimit në formën Martini-t dhe Martin-it. Por, kjo është punë e gjuhëtarëve.) S’janë të pakta rastet kur edhe shqiptarët mbajnë emra të huaj. Si do t’ia bëjmë në këtë rast? Më tha Artur (i huaji), më tha Arturi (shqiptari), deklaroi Rafael (një i huaj), deklaroi Rafaeli (shqiptari). Ose: foli Hasani (shqiptar), foli Hasan (turk), erdhi Hiseni (shqiptar), erdhi Hisen (arab)… (Dhënia e emrave të huaj në formë të pashquar dhe pa i lakuar është një pozë të cilën nuk e marrin gazetarët këtej kufirit të Shqipërisë).
Pothuaj është bërë normë e re e drejtshkrimit të shqipes shumësi i gabuar i disa emrave. Kështu, p.sh., thuhet dokumenta, argumenta, instrumenta etj., pastaj ujësjellësa, profesionista në vend: dokumente. argumente, instrumente, ujësjellës, profesionistë. Ky shumës i gabuar të detyron të bësh gabime të tjera. Ka dardha bisht. Në vend të themi dokumente të rëndësishme (argumente të fuqishme, instrumente të bukura) detyrohemi të themi gabimisht dokumenta të rëndësishëm (argumenta të fuqishëm, instrumente të bukur. Nga një gabim na dolën katër.
Përdorimi i panevojshëm i fjalëve të huaja është një rrëke që jo vetëm se nuk mehet, por sa vjen e shtohet. Ca kohë më parë u fut jo vetëm pa pikën e nevojës, por me një vulgarizëm fjala “luk”. Nga iu kujtua atij të parit ta fusë në gjuhën tonë këtë fjalë fare të panevojshme. E themi këtë së pari ngaqë kemi disa fjalë shqipe për të: dukje, dukë, pamje, madje edhe fjala e huaj aparencë do të ishte më e përshtatshme, në mos për tjetër, për faktin se është ambientuar me shqipen gjatë një shekulli. Me të harruar fjalën “luk” dikush u kujtua ta fuste, po edhe këtë pa pikën e nevojës, fjalën “laiv”, duke pasur fjalët drejtpërdrejt, drejtpërsëdrejti. Fjala riparoj përdoret vend e pa vend; p.sh., “për të riparuar marrëdhëniet shoqërore”! Riparo marrëdhëniet shoqërore, riparo makinën! Marrëdhëniet shoqërore mund të përmirësohen, rregullohen a ndreqen. Me kuptimin e lartpërmendur kjo fjalë nuk përdoret në këso rastesh as në gjuhën nga ajo na vjen. Përdoret pa nevojë fjala “neglizhoj”, duke i harruar fjalët shqipe lë pas dore, shpërfill, nuk e përfill, nuk kujdesem, s’i kushtoj vëmendje. Fjala “probabilitet” natyrisht se duhet të përdoret në sferën e matematikës e të fizikës – teoria e probabilitetit. Por, jashtë këtij kuptimi ne kemi fjalën e duhur: gjasë. Fare i panevojshëm është përdorimi i fjalës “agravoj” në vend rëndoj, përkeqësoj, vështirësoj; i fjalës “abandonoj”në vend braktis,, lë pas dore, heq dorë nga diçka. Po kështu është edhe me fjalën “vulnerablë” (i prekshëm, i cenueshëm, i ndjeshëm, i lëndueshëm). Thithja e fjalëve pa kriter nga një gjuhë mund të të shpjerë edhe në situata qesharake. Kështu është rasti, p. sh., me shprehjen frënge “deja vu” (që lexohet dezha vy), por, duke qenë se ajo është marrë nga anglishtja, që nuk e ka shkronjën y, na del në dezha vu (që është qesharake).
Rrallë-rrallë dhe aty-këtu vërehet ndonjë ndikim i vogël i serbishtes. Kështu ndonjëherë përmendet fjala “njëjtë” si ndajfolje, po që në gjuhën tonë nuk ekziston në atë formë. Në serbisht, mbiemri asnjanës isto (ist,a,o) është në të njëjtën kohë edhe ndajfolje (shqip: njësoj, njëlloj, në po atë mënyrë, po kështu, pa dallim, në atë masë. E njëjta gjë ndodh edhe me shprehjen “za razliku”. Herë-herë ajo përkthehet fjalë për fjalë nga serbishtja – për dallim, në vend: me dallim, (në dallim, ndryshe) nga, kundrejt (za razliku od prošle godine kundrejt vitit të kaluar, ndryshe (në dallim) nga viti i kaluar.
Shpeshherë ngatërrohen përemrat vetorë “ne” dhe “neve”, “ju” dhe “juve”, pra emërorja dhe dhanorja (ne japim, neve na japin), “ne” (jo “neve”) duam, ju pashë “ju” (jo “juve”), jo “t’u them ju”, por: “t’ju them juve”. Ngatërrohen edhe përemrat ata dhe ato, këta dhe këto. Themi tri ngjyra, tri javë, tri faza, tri pjesë, tri palë, por themi trengjyrësh, trejavësh, trejavor, trefazësh, trefazor, trepjesësh, tre vjeçe. Edhe shumësi i emrit vit nuk përdoret si duhet. Ndryshe nga televizioni, themi dy vjet, dhjetë vjet, njëqind vjet, sa vjet, shumë vjet, disa vjet (jo dy vite, dhjetë vite, shumë vite, mjaft vite), ndërsa themi këto (ato) vite, vitet e shkuara, vite të bukura, vitet e kaluara, vite të vështira etj. Ndonjëherë nuk bëhet dallimi ndërmjet ndajfoljeve ngrohtë dhe nxehtë. Nuk mund të themi: nesër do të mbajë mot i ngrohtë, temperatura do të sillet rreth 38 gradë celsius (por “mot i nxehtë”). Edhe fjala “ndaj” dhe “kundër” ia zënë vendin njëra-tjetrës. Akuza nuk ngrihet ndaj dikujt, por kundër tij. Pastaj 3.5 kg, 2.6 km etj. në vend 3,5 kg. 2,6 km. Edhe matematika ndonjëherë na i përzien fijet. Të thuash se dikush u dënua me tre vjet e katër muaj burg nuk është njësoj si të thuash u dënua me 3,4 vjet burg, sepse kjo do të thotë tre vjet e dy muaj e gjysmë. Nuk themi ju faleminderit, por faleminderit, të falem nderit, ju falem(i) nderit, jo mirësevini, por mirë se vini (po mirëmëngjesi, mirëdita, mirëmbrëma); vendi, problemi, brezi ynë (jo “i jonë”), jo i thashë atyre, por u thashë atyre, jo unë thoja, por unë thosha (po: unë doja, unë punoja, unë lexoja etj.). Jo gjysëm, por gjysmë, jo dasëm, por dasmë, jo basëm, por basmë. Jo vëllain, babain, Rizain, Hamzain, por vëllanë, babanë, Rizanë, Hamzanë, ndërkaq Skënderbeun, Aliun, atdheun, njeriun, jo “kam patur”, por “kam pasur”.
Le ta tregojmë si një anekdotë rastin e një gazetari të njohur në Tiranë.
Një mesnatë, një gazetar me përvojë, na bëri të mbajmë barkun me dorë duke i përshëndetur “mirëmëngjesi” shikuesit e emisionit të tij humoristik sapo akrepi e kaloi orën 24. Për çudi, ky gazetar nuk e paskësh ditur se mëngjes quajmë fillimin e ditës, kohën pak përpara e pas lindjes së diellit, pjesën e parë të ditës, pra kohën që fillon me të gdhirët, jo pasmesnatën. I gjori ngatërroi kuptimin e fjalës ditë – kohën kur lind dielli e derisa perëndon, me kuptimin tjetër të po kësaj fjale – kohën prej 24 orësh.
Prapësi gjuhësore kësodore janë hasur në televizionet e Shqipërisë. Kjo nuk do të thotë se ne këtej kemi një standard më të mirë të shqipes. Kjo është larg mendsh. Ne jemi të vetëdijshëm se shqipja jonë edhe sot e kësaj dite është nën ndikimin e gjuhës sllave. Në Kosovë gjendjen e koklavit kohëve të fundit si kurrë më parë ngatërrimi i shqipes standarde me të folmen e vendit. Ne në Maqedoni jemi në një pozitë akoma më të vështirë. Ndër të tjera kjo vjen edhe nga pozita shumë më e mirë e gjuhës shqipe në Kosovë se në Maqedoni, në të kaluarën dhe sot, nga numri shumë më i madh i institucioneve, intelektualëve etj.
Kjo pasqyrë e shkurtër tregon se shumë fjalë a shprehje në televizionin shqiptar përdoren vend e pa vend, jashtë rregullave të shqipes standarde. Nuk duam të besojmë se kjo anarki gjuhësore shpjegohet me lirinë e njeriut e me demokracinë. Vallë na e thotë këtë përvoja e praktika e gjuhëve përkatëse të shteteve të Europës Veriore e Perëndimore – në Finlandë, Suedi, Norvegji, Gjermani, Francë?