Intervistoi Violeta Murati
Z. Ismajli ju kemi parë si kërkues të burimeve arkivistike, ringjallës të veprave në dorëshkrim, përkthyes i trashëgimisë albanologjike, kërkues shkencor, drejtues ekipesh për botime të tilla, si polemist për çështje në interes publik…kalimi nëpër gjithë këto disiplina, çfarë kanë qenë për ju gjithë këto përgjegjësi? -Cilat janë parakushtet e një shkencëtari, studiuesi për të mbërritur tek “ju”? Besojmë ka qenë një synim, nxitje?
Parakushtet nuk di t’i them, besoj se duhet të jenë individuale. Mund t’ju rrëfej rrugën time, që gjithsesi nuk ka diçka të veçantë. Kam bërë një jetë modeste si shumë prej brezit tim në provincat po ashtu modeste ballkanike. Studimet i kam nisur me zellin për të mësuar sa më shumë. Me kohë kam parë se duke mësuar të rritet kërshëria dhe vullneti për të mësuar dhe prapë për të mësuar, siç bëj edhe sot. Në rrethanat e sotme janë paskajshmërisht më të favorshme dhe me dimensione krejt të reja falë revolucionit informatik, po edhe shkallës së lirive që kemi arritur ndërkohë. Jam rritur në familje me mundësi modeste ekonomike dhe në një vend po ashtu me mundësi të vogla për çfarëdo paraprogramimesh. Kam pasur kureshtjen që në faza të ndryshme të shkollimit ma ka bërë të mundshme të mësoja diçka. Me kohë gjërat kanë marrë një orientim. Më ka ndihmuar shumë që gjatë studimeve në Prishtinë në tri vitet e fundit (1968-1971) më ishte dhënë mundësia të kisha akses tërë kohën në bibliotekën e Departamentit të Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filozofisë, ku kishte një fond librash që unë nuk kisha pasur mundësi t’i shihja më parë. Me kohë hapeshin horizonte të tjera, por kishte dhe profesorë që na nxisnin për sa më shumë hulumtim – më lejoni të përmend këtu me respekt në radhë të parë Anton Çettën, Hilmi Aganin, Idriz Ajetin. Në atë Bibliotekë kisha mundësi të lexoja dhe libra që sillnin ide për studimet e gjuhës e të letërsisë të cilat dallonin shumë nga ato që mësonim në klasë, apo në librat e paktë universitarë. Interesimet më çonin nga historia e gjuhës dhe duke kërkuar edhe diçka përtej asaj që mësonim në klasë dhe në librat e mëdhenj të albanologjisë deri atëherë (aty kishim mundësi të lexonim studimet e albanologëve dhe ballkanologëve të ndryshëm). Aty më ra të lexoja pak më shumë për gjuhësinë e krahasuar dhe historike dhe, duke shpupurishur nëpër revistat që kishim, të shihja interesime dhe konceptime pak më të ndryshme të një brezi tjetër studiuesish. Më ra të lexoja studime në fushën e gjuhësisë historike, shumëçka nga gjuhësia strukturale, sidomos ato që lidheshin me shkollën e Pragës, por më tërhoqi vëmendjen sidomos vepra e A. Martinet-së për ndryshimet fonetike dhe përgjithësisht për historinë e gjuhës. Tek ai shihja edhe studiuesin e diakronisë, që nuk e gjeja te strukturalistët që kisha mundësi të lexoja. Kështu ngadalë u dhashë drejt një letërsie që më dukej jashtëzakonisht tërheqëse edhe si botëkuptim – që ishte gjuhësia strukturale dhe strukturalizmi në përgjithësi. Shikoja që në Francë kishte një det debatesh, po edhe në Jugosllavi, sidomos në Zagreb, tashmë kishte depërtime me informacione dhe përpjekje jo të pakta vendëse. Në mbytjet që kishim me leksionet për marksizmin të zbritur në nivel propagande, leximet e atilla më dukeshin më shumë se mundësi për diçka të re. Në vitin e fundit të studimeve nisa një seri artikujsh të shkurtë për gjuhësinë moderne, i botoja më shpesh te gazeta Rilindja e kulturës të shtunën. Shtojca e kulturës te Rilindja lexohej shumë atëherë dhe merrja reagime pozitive dhe nxitëse për ato që shkruaja nga më shumë anë. Kjo ishte njëherësh dhe koha e entusiazmit në rritje për dijen, për njohjen dhe për aspiratat tona kulturore e të tjera si shqiptarë në Jugosllavi paralelisht me njohjet që sa vinin e shtoheshin për shkallën e kufizimeve për ne në raport me të tjerët në Jugosllavi, ishte atmosfera dhe shtimungu (të përdor një fjalë gjermane që në qarqet intelektuale në Kosovë është përdorur qysh herët) që disi ta shtonin vullnetin për të ngulur këmbë në këto hulumtime. Ishte puna ajo që më jepte kënaqësinë për çka po mësoja përmes saj dhe njëherësh më nxiste me përshpejtim për hapa të mëtejmë. Tash vonë në shënimet që ka lënë pas vdekjes Selman Riza kam lexuar se ai vlerësonte që suksesi i tij në punët që ka bërë gjatë jetës për mbi 95% i detyrohej punës dhe vetëm për pjesën tjetër talentit.
Si student shkruaja ndonjë gjë kryesisht për çështje librash dhe te gazeta e studentëve Bota e re, ndërsa në atë kuadër shumë shpejt bashkë me I. Rugovën, H. Islamin, e disa shokë nisëm dhe revistën shkencore Dituria, e cila në rrethanat e atëhershme shihej si një sukses. Arritëm të nxirrnim vetëm 4 numra. Kisha nisur dhe ndonjë përkthim të poezive që na dukeshin moderne. Më 1971 themeluam dhe botimet Bota e re, ku si libër të parë të serisë pata mundësinë të botoja një përzgjedhje të vjershave të Jacques Prever-it (Shi dhe kohë e bukur). Atëherë më kisha botuar dhe ndonjë artikull në revistat shkencore të kohës dhe tashmë kisha marrë orientimin e preokupimeve me gjuhësi. Pas diplomimit, që për herë të parë në Prishinë bëhej me një temë për pikëpamjet e një gjuhëtari modern (zvicerani Charles Bally), kërkova mundësinë të shkoja për studime në Paris. Idenë për të shkuar në Paris ma mbështesnin dhe profesorët (I. Ajeti, H. Agani, A. Çetta) dhe sidomos miqtë G. Bobi, A. Pashku e të tjerë të brezit. Kontaktin e parë atje, për mua krejt çuditshëm të lehtë, e mora me telefon me profesorin André Martinet, veprat e të cilit i lexoja me aq shumë vullnet. Ai kontakt, pas një bisede të gjatë në shtëpinë e tij më hapi rrugë dhe më dha zemër të vazhdoja më tej. Pas një qëndrimi të shkurtë në Paris u ktheva në Prishtinë me paketa librash që më dukeshin thesare. Profesor Ajeti më njoftoi se tashmë i kishte arritur letra e profesorit francez, i cili shprehte rekomandimet e tij për mbështetje. Në fillim Bashkësia për Shkencë e Kosovës më dha një bursë për studime të shkallës III në Beograd, e cila ishte krejtësisht e pamjaftueshme, por ndërkohë fillova të punoja si asistent në Fakultetin Filozofik dhe një pjesë të pagës e ndaja për qëndrim të kohëpaskohshëm në Paris. Shpejt u ndërpre dhe bursa, kështu që çdo gjë duhej të përballoja vetë, ndërkohë që atje kisha mbaruar vitin I të studimeve të III cycle, ndërsa Martinet më kishte propozuar të kaloja menjëherë në shkallën e doktoratësduke miratuar dhe projektin. Mundësi financiare për të vazhduar studimet e doktoratësnë Paris nuk kisha, edhe pse ndërkohë kisha botuar mjaft gjëra, kisha përkthyer veprën e Martinet-së, po përktheja veprën e Saussure-it, kisha përkthyer një përzgjedhje të poezive të Alain Bosquet-së. U detyrova të kthehesha në Prishtinë dhe prej atje të vazhdoja të ndiqja fillet që kisha zënë ndërkohë, por u pa se ashtu nuk ishte e mundshme të shkohej larg, prandaj me propozimin e I. Ajetit paraqita doktoratën në Prishtinë. Për një kohë lëvizjet Prishtinë-Paris vazhduan deri më 1980, ndërsa pas vitit 1981 nuk qenë dhe aq të lehta për mua. Sa shkoja në Paris pak më me rregull, në vitet ‘72-74’ kisha krijuar afërsi me qarqet rreth Martinet-së, po edhe me A. Bosquet-në, i cili shfaqte interes për të mësuar diçka më shumë për letërsinë dhe artet shqiptare.
Tani kur e gjithë hapësira shqipfolëse, jo vetëm brenda Ballkanit, por edhe në gjithë botën komunikon lirshëm, na duket sikur gjuha vazhdon të jetë pak a shumë brenda kuadrit të imponuar dikur, a kemi sot një gjuhësi të hapur që të mendojë për të gjitha problemet?
Shqiptarët sot kanë mundësi më shumë se kurrë në historinë e tyre të komunikojnë ndër vete në hapësira rruzullore përtej pengesave të të gjitha llojeve, sot gjuha shqipe po përjeton përdorimin e saj më të gjerë dhe më të përhapur të mundshëm në të gjitha rrafshet dhe përdorimi është mbështetja kryesore për lulëzimin e një gjuhe. Çka është shumë e rëndësishme, shqipja sot është në kontakte të përditshme të zakonshme, të punës, të jetës dhe të botës kulturore me një numër të madh gjuhësh në fqinjësi në Ballkan dhe me gjuhë të ndryshme anekënd botës. Jemi në sprovën e madhe të daljes nga izolimi ku na kishte vënë historia dhe para ndërdymjeve në mos gjuha jonë nuk do të jetë në gjendje t’ia dalë, mos do të humbasim një numër palejueshëm të madh folësish dhe kështu do të dobësohej trungu dhe kapaciteti i shqipes në kontekstet gjeopolitike. Fakti se sot ka numër kaq të madh folësish të shqipes që mund të komunikojnë midis tyre në nivele dhe forma nga më të ndryshmet, se ka kaq shumë shqiptarë që mendojnë për veten e tyre si për shqiptarë dhe për gjuhën e tyre si për gjuhë shqipe, është garancie madhe se shqipja do ta zërë vendin e vet brenda hapësirës europiane. Për fat të keq, derisa me potencialet e veta demografike-sociale, me veçantitë e saj, shqipja hyn diku para vendit 20 të gjuhëve të Europës, me praninë e saj në studimet në botën europiane e tjetër është gjithnjë ndër të fundit. Ikjet e mëdha nga trungu ballkanik që po vijojnë me intensitet edhe sot po na krijojnë frikën për të ardhmen edhe të gjuhës, sepse po vërejmë se jemi në një vorbull të ri, në të cilin qysh në brezin e parë të të mërguarve po ndeshen kalime krejt rrënjësore në gjuhë tjetër. Dinamizmi i shqipes është në shkallë të paparë më herët. Kështu edhe interesimet për gjuhën shqipe detyrimisht duhet të shtrihen në hapësira që nuk i kemi pasur si qendrore më parë. Kështu as orientimet tona të mëhershme normativiste nuk po janë më të mjaftueshme. Lëvizjet në këto fusha, për fat të keq, nuk po zhvillohen me dinamizmin e zhvillimeve të tjera, çka për një pjesë të mirë i detyrohet orientimit vleror të shoqërisë dhe të mekanizmave shtetërorë. Po synojmë shoqëri të hapur, gjuhësi të hapur, mendje të hapur, por jemi në shtrëngesat e zhvillimeve mjaft të egra të kapitalizmit, në të cilat ende nuk po duket të jenë arritur balancat e nevojshme për të siguruar zhvillime normale për këto fusha si në botën tjetër perëndimore. I riu, para se të vendosë të thellohet në studimet në këto fusha, duhet të gjejë burime ekzistence pak a shumë stabël për një kohë, njëfarë sigurie për veten dhe familjen që do të krijojë, ndërsa ai është vënë para pamundësive që nuk merreshin me mend më herët. Si mund të pritet që i riu/ e reja para gjithë këtyre dilemave që kemi sot në shoqëritë tona të zgjedhë t’i përqëndrojë të gjitha energjitë e veta në këtë fushë, që nuk ia siguron as minimumin e ekzistencës. Pika tjetër e rëndësishme në këto zhvillime është horizonti që ka sjellë revolucioni informatik, i cili ka hapur mundësi krejt të reja. Të rinjtë tanë jo rrallë po ndërlidhen në këto rrjedha, por a po jemi ne të përgatitur t’i ndihmojmë në këto kapërcime? Gjuhësia jonë ende me vështirësi rreth përvetësimit të asaj që njihet si gjuhësi moderne, tani po ndeshet me këtë kapërcim të ridhe në rrethana krejt të reja për përdorimin e gjuhës sonë. Ndërkohë që në saje të shkollimit të të rinjve në mjedise të ndryshme të botës po na vijnë ide dhe interesime me shumë interes, nuk e di nëse në hapësirat ekzistuese të punës së organizuar po krijohet ndonjë mundësi pak më realiste për optimalizimin e këtyre prurjeve dhe potencialeve. Gjuha shqipe tani ndodhet në sprovat më të mëdha që ka pasur ndonjëherë, përdoret më shumë se kurrë në fusha që nuk kishte pasur mundësi më pare, por njëherësh po u shtrohet nevoja marramendshëm më të gjera, sidomos nëse dëshirojmë të ndërlidhemi në rrjedhat rruzullore të dijes. Në këtë situatë dhe në gjendjen e dinamizmit të paparë dhe të kontakteve që kurrë më parë nuk i kanë pasur folësit e kësaj gjuhe ndër vete orientimet tona ngushtësisht normativiste duken krejtësisht të pamjaftueshme.
Në vitin 1974, në Prishtinë, bashkë me akademikun Idriz Ajeti ishit themeluesit e parë të Seminarit për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare. Si lindi ideja për këtë, si erdhi ky moment?
Meqenëse në Shqipëri mund të dihet më pak për ato rrjedha, po lejohem të them disa fjalë më shumë. Në vitet ‘70 të sh. XX në Kosovë pati një entuziazëm për zhvillime kulturore e të tjera që nxisnin hapjen dhe komunikimin me botën. Kontaktet e pakta të mëhershme tani po zgjeroheshin, ndërsa veprimtaritë e mëdha shkencore si Konferenca ndërkombëtare për Skënderbeun në Prishtinë, Konsulta gjuhësore (1968), Kuvendi i studimeve ilire, Kongresi i Drejtshkrimit (Tiranë 1972), Konferenca për Joklin në Innsbruck 1972, etj., ku studiuesit nga Kosova ishin bukur të pranishëm, kishin dëshmuar nevojën, vullnetin dhe mundësitë për ndërmarrje të qëndrueshme në këtë drejtim. Nëpër republikat e Jugosllavisë, ashtu si në vendet e Lindjes pos Shqipërisë, tashmë kishte shumë veprimtari në këto fusha. Në dimër të vitit akademik 1973/74 në Degën (Departamentin) e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, me nismën e Shefit shumëvjeçar të Degës profesor Idriz Ajetit, u diskutua për nevojën e themelimit brenda këtij fakulteti të një qendre të kulturës shqiptare për të huajt. Diskutimi shprehu mirëkuptim për nismën, edhe vetë isha aktiv. Në Degë u morën vendime për themelimin e Qendrës, për organizimin, për kohën kur do të bëhej veprimtaria e parë në formën e një seminari për gjuhën, për njerëzit që do të merreshin me përgatitjen e tekstit të mësimit dhe të materialeve të tjera të nevojshme për atë rast, ashtu si dhe të programit. Për hartimin e tekstit u caktuan H. Agani, M. Bardhi dhe R. Ismajli, i fundit ishte caktuar dhe sekretar i seminarit, ndërsa profesor Ajeti ishte caktuar Drejtor. Ndërkohë në Degë pati diskutime të tjera që jo krejtësisht në frymën e mirëkuptimit, kështu që përgatitjet reale nisën vetëm më vonë në muajin maj. Pastaj u nisën ftesat e para (disa madje në qershor). Ndërkohë H. Agani kishte hequr dorë nga puna për tekstin, kështu që ajo mbeti detyrë për ne dy të tjerët. Në qershor ndjeheshim jo shumë komodë, sepse ende nuk e dinim a do t’ia dilnim të zgjonim interesimin e një numri të mjaftueshëm të pjesëmarrësve dhe a do të kishim mundësi të ofronim përmbajtje të mjaftueshme të një niveli përkatës. Gjatë kësaj kohe (qershor-korrik) hartuam tekstin Kurs i gjuhës shqipe për të huaj (autorë: M. Bardhi, R. Ismajli; tekstin pastaj e përktheva frëngjisht dhe M. Mufaku e ktheu arabisht, ndërsa një version u përshtat gjermanisht nga albanologu A. Hetzer), bëmë programin dhe ia dolëm të siguronim pjesëmarrjen e një numri të mjaftueshëm studiuesish. Të gjitha ftesat ishin bërë duke u mbështetur te kontaktet që kishim I. Ajeti dhe unë dhe te përvoja e mëhershme të Degës në komunikimet me studiuesit jashtë Kosovës, mbi të gjitha të njohjeve personale. Shumë prej tyre u ftuan në momentet e fundit. Ideja u prit mirë, kështu që askush nuk bëri vërejtjen për vonesat.
Programi i punës ishte shtypur në një fletëpalosje në 8 faqe shqip e frëngjisht dhe, meqë këtej mund të mos njihet mirë kjo histori, po lejohem ta citoj gjerësisht:
“Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës, Qendra e Kulturës Shqiptare për të Huaj, Program i seminarit të parë të gjuhës dhe të kulturës shqiptare për të huaj, Prishtinë 10-30 gusht 1974”.
Në faqen e dytë jepej ky shënim:
“Qendra e Kulturës Shqiptare për të Huaj, e themeluar sivjet, ka marrë për obligim të organizojë për çdo vit një seminar ndërkombëtar, programi i të cilit përbëhet nga dy pjesë themelore: kurset e gjuhës shqipe dhe ligjëratat mbi probleme të ndryshme të gjuhës, të kulturës, të historisë dhe të letërsisë shqiptare. Sivjet organizohet Seminari i parë”.
Selia e Qendrës ishte vendosur në Fakultetin Filozofik, që ishte themelues i saj, ndërsa drejtohej nga një Komitet organizues me drejtor dr. I. Ajetin dhe sekretar R. Ismajlin.
Në faqet 3 dhe 4 jepeshin shpjegimet vijuese:
“Për pjesëmarrësit e seminarit do të organizohen dy kurse mësimi të gjuhës: për fillestarët do të mbahen mësime në bazë të tekstit të përgatitur nga një komision i Qendrës, ndërsa për pjesëmarrësit e tjerë do të mbahen ushtrime lektorike. Të dy grupet do të punojnë çdo ditë prej orës 8 deri në orën 9,30 në lokalet e Fakultetit Filozofik. Mësimet dhe ushtrimet do të mbahen nga një grup mësimdhënësish të Degës së Gjuhës Shqipe të këtij fakulteti nën drejtimin e mr. Mehdi Bardhit, ligjërues i lartë.
“Përveç kësaj, në program janë paraparë ligjërata mbi probleme të ndryshme të gjuhësisë, të letërsisë, të historisë dhe të kulturës shqiptare. Janë paraparë dhe disa shëti dhe dy ekskursione të vogla nëpër Kosovë.”
Në tri javë pune ishin parashikuar këto veprimtari dhe ligjërata (I. Ajeti, E. Stavileci, G. Luboteni, B. Bokshi, R. Qosja, H. Mekuli, A. Aliu, H. Kaleshi, R. Ismajli, L. Mulaku, Sh. Pllana, Sh. Rahimi, A. Çetta, Z. Mirdita, M. Krasniqi, M. Bardhi, E. Gjerqeku). U organizuan dhe diskutime. Programi u realizua në tërësi.
Në Seminarin e parë morën pjesë 28 studiues dhe të interesuar për mësimin e shqipes, që ishin vendosur në konviktin e studentëve. Ndër pjesëmarrësit kishte studiues tashmë gjerësisht të njohur në fushat përkatëse. Shumica syresh kishin ardhur me tërë gëzimin që po niste një veprimtari që më parë nuk kishte ekzistuar për studimet e gjuhës shqipe. Kishte ndër ta autoritete që kishin ardhur edhe për kërshërinë shkencore, po edhe për një mbështetje morale për përpjekjet e organizuesve. Ligjëratat e çdoditshme përktheheshin të shkurtuara për grupe kryesisht frëngjisht, ndërsa për të tjerat jepeshin njoftime të përmbledhura në këtë gjuhë. Ishte përvoja jonë e parë në atë gjerësi dhe shpesh kishim dilema se si ishte më mirë të vepronim. Ishte vlerësim i përgjithshëm i pjesëmarrësve se po niste një veprimtari shumë e dobishme, që duhej të zhvillohej më tej.
Suksesi i Seminarit të parë u vlerësua lart brenda Fakultetit, në Universitet dhe në opinionin publik të Kosovës, pati një jehonë pozitive jashtë vendit. Kështu nisi një traditë që do të vazhdonte nëpër breza deri sot.
Ndërkohë kishte ndodhur një ndryshim: instanca organizuese e veprimtarisë nuk quhej më Qendra e Kulturës Shqiptare për të Huaj, po thjesht Seminari i Kulturës Shqiptare për të Huaj, më vonë Seminari për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare për të Huaj dhe më në fund Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
Një ngjarje jetëgjatë, sivjet në sesionin e 38-të, a mund të na thoni si ka mundur të mbijetojë në kushtet e represionit serb?
Se kishte nevojë të kishim kujdes për zhvillimet e tilla u pa qysh në Seminarin e parë, në fund të të cilit na u shqiptua një gjobë si dënim për ndonjë mungesë formale në regjistrimet e pjesëmarrësve të huaj, edhe pse organet që merreshin me ato punë ishin vënë në dijeni paraprakisht me të gjitha zhvillimet e parashikuara. Deri në vitin 1980 për rrjedhat e tilla përgjegjëse të vetme ishin autoritetet e Universitetit dhe autoritetet shkencore në Kosovë. Mbështetja publike për veprimtarinë e Seminarit ishte shumë e madhe, ndërsa afirmimi ndërkombëtar sa vinte rritej. Autoritetet e Kosovës shihnin këtu një sukses për to (Kushtetuta e vitit 1974 jozyrtarisht në qarqe të ndryshme shihej si një sukses jo i plotë, sepse nuk u realizua kërkesa për Republikë). Demonstratat e vitit 1981 dhe reagimet hakmarrëse dhe shumë të dhunshme të autoriteteve represive, në maj madje u mbyll për një kohë puna në Universitet, krijuan një atmosferë në të cilën puna e Seminarit për atë vit nuk ishte e mundshme, ndërsa shumëkush dyshonte nëse do të rikthehej ndonjëherë. Me këndelljen e pjesërishme në vitin vijues akademik veprimtaria e Seminarit u rimor, natyrisht, me tërë kujdesin e nevojshëm. Tashmë ishte e qartë se veprimtaria e Seminarit ishte shumë e rëndësishme për Kosovën, prandaj edhe përpjekjet për ta mbajtur duke e mbrojtur nga lloj-lloj eventualitete ishin të shtuara. Angazhimi i tillë, korrektesa profesionale, begatia e programeve e bënin atë me interes për pjesëmarrësit, ndërsa kjo sillte jehonën brenda dhe jashtë vendit. Megjithatë, pas vitit 1981 gjërat kishin lëvizur për keq. Pas vitit 1989 nuk qe më e mundshme të mbahej Seminari, sepse u vu në dyshim gjithëçka. Vlera e tërë kësaj ideje të organizimit të një institucioni të atillë nuk u venit as në vitet e vështira ‘90, kur Fakulteti i Filologjisë me dekan dhe drejtor të Seminarit profesor Z. Rrahmanin, në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë organizuan dy sesione të Seminarit më 1995 dhe 1996 në Tiranë, çka po ashtu u prit mirë. Pas Lufte, në vitin 2000, me drejtor R. Ismajlin Seminari e rimori veprimtarinë e vet sërish në Prishtinë dhe e vijoi përvojën e bashkëpunimit me qendrat në Tiranë, fillimisht me Institutin e Gjuhësisë të Akademisë së Shkencave, më vonë me Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës dhe vijoi rritën e tij si institucion shumë i rëndësishëm i kulturës dhe i shkencës.
Çfarë ngjarjesh kanë kulmuar në organizimin e këtij Seminari, çfarë kujtoni si më të rëndësishëm ndër vite?
Çdo seminar ka pasur veçantitë e veta. Në të gjithë pa përjashtim ka mbisunduar interesim i madh për gjuhën shqipe, për historinë e saj. Nuk di ta them saktësisht nëse kjo ishte arsyeja, por qysh në fillimet Seminari u pa dhe me një dyshim. Temat e diskutimit kanë qenë vazhdimisht të përzgjedhura – të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me gjuhën shqipe, me strukturën e saj, me historinë e saj, me raportet e saj me gjuhët e Ballkanit, ashtu si shumë çështje të letërsisë, të historisë dhe të kulturës shqiptare kanë qenë objekt diskutimesh dhe debatesh në këtë seminar. Nuk kanë mbetur aspekte të patrajtuara ndonjëherë. Në çështje të historisë së gjuhës jemi kthyer disa herë në vitet ‘70-’80, sepse kemi përfituar dhe nga prania e autoriteteve në këto fusha. Disa prej ligjëratave të mëdha të Seminarit, ashtu si disa prej sesioneve, janë mbajtur mend gjatë.
Nëse themi se ka një kontribut konkret në gjuhë dhe identetitet, çfarë do t’ja dedikonit këtij organizimi?
Po, sigurisht që seminari ka luajtur një rol me rëndësi në këto aspekte. Në të gjitha diskutimet e tij gjuha shqipe dhe populli shqiptar janë parë si një dhe në tërësinë e tyre, pavarësisht nga trysnitë e çastit. Aty kanë qenë të pranishme diskutimet në shkallë të barabartë për të gjitha varietetet e shqipes, përfshirë arbëreshët dhe diasporën. Më pak ka pasur mundësi të depërtonim tek arbëreshët e Greqisë, por edhe me ta kemi pasur kontakte pak më të dukshme në vitet e hershme. Mendoj se Seminari ka luajtur një rol me rëndësi për afirmimin e arbërehsëve të sotëm në Kosovë dhe më gjerë, e me këtë edhe për nxitjen e veprimtarive të rëndësishme ndër ta. Qysh në nismë organizimi ishte konceptuar si qendër e studimit të kulturës shqiptare për të huajt, pra ishin parashikuar dy komponente të mëdha: kultura shqiptare dhe të huajt që merren me të. Në sh. XX ne kishim nevoja të mëdha për komunikim midis nesh në hapësirat e ndara shqiptare dhe me të tjerët. Ky komunikim ishte krejtësisht i kontrolluar midis nesh në Shqipëri e në Jugosllavi, me diasporën nëpër botë, pastaj ishte i kushtëzuar nga ndarjet lindje/ perëndim, etj. Në të gjitha ato ndarje Seminari duhej të gjente rrugën për të siguruar komunikimin kaq të nevojshëm për ne, e pastaj u pa se kështu ishte dhe për të tjerët. Seminari ka dhënë një ndihmesë të mirë në hulumtimin dhe theksimin e këtij identiteti përtej të gjitha ndarjeve.
Po lidhja me Shqipërinë, kur ka shënuar bashkëpunimin dhe si shihet sot, ndonëse na bën përshtypje se si një ngjarje në rang akademik, ka organizim universitar?
Bashkëpunimi me Universitetin e Tiranës ka filluar qysh në vitet ‘71-’72. Pastaj çdogjë është bërë sipas protokolleve përkatës. Në Seminarin e parë dhe të dytë nuk ka pasur ndonjë bashkëpunim specifik. Më vonë ka pasur pjesëmarrje të kufizuar të studiuesve nga Shqipëria (mbase edhe për arsye të kontakteve me botën tjetër). Nuk kanë qenë të shumta, por ka pasur. Pengesat ideologjike dhe politike kanë qenë të atilla që jo çdo herë ka qenë në dorën tonë t’i superonim. Nga fundi i viteve ‘70 bashkëpunimi dukej më i mundshëm, ndërsa pas vitit 1981 u ndërpre çdo lloj kontakti. Në vitet ‘90 në Kosovë nuk ishte e mundshme të organizohej seminari, ndërsa në Shqipri përballeshin me vështirësitë që njihen. Megjithatë, u krijuan mundësi për rivendosjen e kontakteve. Kishte vullnet dhe pajtim që të shihej organizimi i tij në bashkëpunim me institucionet në Tiranë dhe në dy vite – 1995, 1996 Seminari u organizua në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Tiranë. Viti 1997 përmbysi çdo gjë dhe ne patëm mundësi ta rimerrnim veprimtarinë e Seminarit (me shumë vështirësi) vetëm në vitin 2000 dhe prej atëherë gjithnjë në bashkëpunim me institucionet në Tiranë, në fillim me Akademinë e pastaj me Universitetin e Tiranës.
Le të kalojmë pak, në një rrëfim personal. Çfarë është kujtesa për vendlindjen, Preshevën që sot nuk është pjesë kufitare e Kosovës? Sot ju keni një qëndrim politik për këtë, është ndjeshmëri e juaja për çështjen e ndarjes së kufijve.
Në jetën time kam përjetuar ndryshime jo të vogla në këtë raport. Në vitet ‘50-’60 ne kishim shkollë fillore në gjuhën shqipe. Ndonjë prej atyre që mund ta vijonin shkollimin shqip kishte mundësi të shkonte në Shkup (me Shkupin kishte lidhje me tren), ndërsa shumë pak prej tyre në Prishtinë, kuptohet dhe për shkak të lidhjeve krejtësisht të vështira. Më 1962 u hap gjimnazi në Preshevë me një klasë shqip, një të përzier dhe një serbisht, me plane të gjimnazit të Vranjës. Kjo u përjetua atëherë si hapje e një horizonti të ri (paralelisht nisi zvogëlimi i ikjeve për Turqi). Mbaj mend si ëndërr udhëtimin e parë në Prishtinë si nxënës në vitin 1964 përmes Shkupit me tren. Përtej të gjitha vështirësive kemi pasur mësues të jashtëzakonshëm dhe vullnet për të bërë gjëra dhe në atë kohë: kishim klubet letrare, diskutimet. Hapja pas vitit 1966 solli horizonte krejt të reja dhe nisën procese të një integrimi më thelbësor në zhvillimet shqiptare në Kosovë, u bë një rrugë dhe u krijua një realitet, përtej dallimeve formale administrative. Nga viti 1981, kur për mua nisi periudha e diferencimit ideo-politik, qeshë shtrënguar të bëhesha më i kujdesshëm në kontaktet me njerëzit jashtë familjes dhe rrethit të miqve, por i kam ndjekur me shumë vëmendje zhvillimet. Me keqardhje do të them se kujdesi i pjesëve të tjera shqiptare ndaj asaj hapësire nuk ka qenë asnjëherë në nivelin e duhur, sidomos jo pas vitit 2000. Edhe më i keq është përdorimi i gjendjes së tyre për nevoja të propagandës politike interne në hapsirat e tjera, sepse nuk po ndiqet me asgjë reale. Jam bërë 20-vjeç në Preshevë dhe atje kam një pjesë të rëndësishme të jetës, atje kam varret e prindërve, familjen e gjerë, miqt e panumër. Nuk ka dyshim se ajo që quhet sot Lugina e Preshevës është pjesë integrale e hapësirës shqiptare në drejtim të Kosovës dhe njëherësh në drejtim të Maqedonisë së Veriut. Ndarja e Madhe Shqipëri/ Kosovë ka shkaktuar gjithato tragjedi dhe problem në të gjitha rrafshet e zhvillimeve, por pjesa e mbetur në Kosovë me përmasat e saj kishte disa mundësi zhvillimi. Këto pjesët e vogla, fillimisht të mbetura herët në Malin e Zi, dhe tani në Luginën e Preshevës, kanë mundësi shumë të kufizuara për çfarëdo zhvillimi, sidomos në rrethanat kur përballë kanë një opinion, qëndrim social dhe shtetëror serb me shumë negativitet ndaj gjithëçkaje që lidhet me identitetin dhe aspiratat e asaj popullate. Kuptohet që zgjidhja e vetme e mirë për atë krahinë është bashkimi me Kosovën. Nga ana tjetër, Kosova ka hyrë në një proces për ne si publik të paqartë të bisedimeve me Serbinë. Kosova ka një numër shumë të madh njohjesh ndërkombëtare pikërisht në kufijt e ish-Krahinës Autonome të Kosovës, por nuk e ka integrimin në mekanizmat ndërkombëtarë për shkak të refuzimit të Serbisë, Rusisë, Kinës e disa vendeve europiane. Hapja e diskutimeve për ndryshimin e kufijve me Serbinë e vë në dyshim vetë stabilizimin e shtetit të Kosovës, na kthen në faza të mëhershsme, ndërkohë që nuk ka asfarë garancish se do të marrësh çkadoqoftë nga Lugina e Preshevës, sepse Serbia atje po vazhdon fortifikimin. Ndryshimi i rrjedhës së stabilizimit të shtetit të Kosovës le mundësi edhe më të vogla për ta ndihmuar Luginën. Lëvizjet e pamenduara në këtë drejtim mund të jenë me pasoja largvajtëse për fatet e Luginës.
(vijon nga numri i kaluar)
Dimë se nga Parisi, ku nisët studimet e para, u kthyet në Kosovë, për çfarë arsye? Ç’ishte kjo përvojë franceze?
Përvoja franceze për mua ka qenë vendimtare për çdo gjë pastaj. Kam pasur në vijim dhe për¬¬voja gjermane, por ato kanë ardhur vetëm si plotësim, sidom sa i përket traditës së studimeve kra¬hasuese. Deri më 1980 kam pasur kontakte intensive me rrethet ku jam sjellë në Paris dhe kam për¬fituar nga komunikimet e drejtpërdrejta me zhvillimet e atjeshme. Ndjehem mirë që kam sjellë veprën e Saussure-it qysh më 1977, të Martinet-së edhe më herët – 1974, të Ducrot-Todorov më 1984, kam nxitur dhe ndihmuar përkthimin e Trubeckoit, të Sapirit, etj. Shpresoja që në një kohë të arsyeshme të kishim një korpus veprash themelore të gjuhësisë modern, çka në Shqipëri nuk ishte e mundshme, por zhvillimet nuk na dhanë kohë.
Dhe studimet vazhduan në Kosovë, çfarë po “kërkonit”?
Në Kosovë u ktheva me iluzionin që kishim në botën e atëhershme të izolimit për të bërë diçka në fushën e studimit me të cilën merresha dhe për t’i lëvizur gjërat përmes arsimimit. Si çdo iluzion i të riut, kishte ndeshje nga më të ndry¬shmet. Megjithatë, nuk jam penduar. Njësoj në vitin 2000 u ktheva duke refuzuar profesurën në Universitetin e Mynihut.
Dy risi themelore, e para që lidhet me gjuhësinë bashkëkohore, pas Sosyrit, dhe si një strukturalist, me studimet që shkojnë përtej konceptimit tradicional të gramatikës, në trajtimin si sociolingusitikë …” – këto kanë veçuar studiuesit mbi risitë e veprës tuaj studimore e shkencore? Ju vetë çfarë keni ndjerë në pak fjalë, se ka ndryshuar në veprën tuaj?
Në orientimin tim të parmë dhe në vijim kam qenë i interesuar në radhë të parë për studimet e zhvillimit të gjuhëve. Kjo ishte arsyeja që e kisha kërkuar Martinet-në. Kjo rrethanë më çoi te zhvillimet strukturale. Funksionalizmi i Martinet-së e theksonte dhe rolin e aspektit social të gjuhës, pa e bërë atë të parmin. Rrethanat në Jugosllavi lidhur me shqiptarët dhe gjuhën shqipe pas vitit 1981 fare natyrshëm më shtynë drejt interesimeve sociolinguistike për të gjetur shpjegime dhe mundësi denoncimi për gjendjen që kishte arritur dhe sidomos për projektimet për rrëgjimin e saj më tej. Njëkohësisht, qysh herët kam pasur interesim për letërsinë. Në rrethanat që po përqëndrohesha gjithnjë e më shumë në gjuhësinë historike, në studimin e teksteve të vjetra të shqipes, në çështjet sociolinguistike, fare natyrshëm interesimi për letërsinë u shndërrua në interesimin për gjuhësinë e tekstit që sapo lindte.
Jeni autori kryesor që keni sjellë në gjuhësi drejtimin modern në linguistikë. Çfarë orientimi ishte kjo për gjuhësinë shqiptare? Pavarsisht çfarë ndodhte në Shqipëri.
Po, orientimi nga gjuhësia moderne në rrethanat shqiptare ishte shumë i dobishëm dhe hapte horizonte krejt të reja studimi, por njëherësh të vinte përballë zhvillimeve krejtësisht tradicionale që sundonin në Shqipëri në një shoqërim kushtëzimesh jetë a vdekje me një ideologji kokëfortë. Më dukej se dobia nga ky orientim ishte e madhe, madje për mua tashmë ishte zhvillim pa kthim. Nuk konsideroja se ishte i nevojshëm ndonjë konfrontim, po më dukej më i dobishëm bashkëpunimi në fushat dhe aspektet ku mund të bashkëpunohej. Dhe kjo ka qenë shumë e frytshme në kontaktet me të mëdhenjtë Çabej, Riza, po edhe me të tjerë. Në Prishtinë kishim mundësi komunikimi shumë substancial me Besim Bokshin dhe me brezat që erdhën pastaj. Mendoj se kam pasur fat dhe ia kam dalë që për katër dekada në Prishtinë të formësoja kursin dhe të jepja mësimet e gjuhësisë së përgjithshme me bazë në gjuhësinë moderne jo vetëm për studnetët e gjuhës shqipe po edhe për të tjerët, madje në një kohë
Ndër autorët e parë të studimeve sociolinguistike, cila ka qenë puna juaj për standardizimin e gjuhës, në studimin e këtij procesi?
Me çështjet e standardizimit jam marrë qysh herët, madje qysh si student, por ende pa qenë i orientuar në fushën e sociolinguistikës. Atëherë më interesonin çështjet konkrete. Nga viti 1981 nisa të merresha pak më me kujdes me këto çështje. Në atë fazë, më duket natyrshëm, më delnin përpara dy çështje të mëdha: pozita dhe statusi i gjuhës shqipe në Kosovë dhe në Jugosllavi dhe nevoja për të argumentuar një shkallë më të lartë barazie, në një anë, dhe forcimi i vetëdijes e selitja e përdorimit të një gjuhe unike letrare (standarde). Më 1974 kam qenë bashkëhartues i tekstit për mësimin e shqipes stan¬darde për të huajt. Më vonë, sidomos në vitet 1987-88 kam shkruar më shumë për çështje të barazisë së shqipes me të tjerat në Jugosllavi. Më 1989 më morën në izolim, përvojë nga e cila nuk u ktheva dot në rrjedhat e mëparme, megjithatë, pas një kohe iu riktheva interesimit për statusin e shqipes, natyrisht, në kuadër të gjith atyre gjërave që bënim në vitet ‹90. Në çështje të studimeve sociolinguistike kam vazhduar të thellohem më tej pas vitit 2000 paralelisht me interesimet për historinë e gjuhës shqipe dhe në të dy këto fusha kam botuar libra të ndryshëm.
Jeni marrë me albanologjinë, historinë e studimeve shqiptare, keni një mendim se ku jemi sot? Flas për punimet, studiuesit apo përfshirjen e akademikëve…
Historia e studimeve shqiptare ka faza të ndryshme. Në pjesën e dytë të sh. XX studimet shqiptare ndër shqiptarë arritën nivele dhe rezultate që në shumë aspekte Tirana dhe Prishtina të shiheshin si qendrat kryesore për këto studime. Tani jemi në epokën e globalizmit në çdo fushë, prandaj edhe kemi sfidën që bashkë me kolegët e tjerë nëpër botë, ku gjithnjë e më shumë po ka dhe shqiptarë, të ndërtojmë një shkencë integrale albanistike, çka kërkon nga ne përpjekje më të mëdha për përbrendësim të metodave të avancuara gjetiu në fushat e ngjashme të studimeve. Edhe në këtë drejtim Seminari ynë ka disa merita dhe ofron disa mundësi.
Ju përmendni Andre Martinet me të cilin keni pasur një njohje të drejtpërdrejt me këtë personalitet, jeta brenda këtij komuniteti shkencor, sa kanë ndikuar tek ju? Më tej, cilët patën gjurmën më të madhe tek ju?
Si thashë, Martinet ka qenë profesor i jashtëzakonshëm. Prej tij kam mësuar shumë më tepër se një teori gjuhësore, atë të strukturalizmit. Kam mësuar shumë gjëra për natyrën e hulumtimit shkencor, po edhe për raportin ndaj mendimit tjetër e ndaj tjetrit. Sigurisht që do të isha i lumtur të kisha mësuar sa më shumë nga një mendje e atillë. Ai më ka mësuar gjithashtu që të mos mbetem rob i të mësuarave, qoftë dhe nga ai.
Ju jeni shprehur për rikonsiderimin apo ripërshtatjen e standardit në pajtim me nevojat e reja të krijuara në shoqëri… çfarë keni pasur parasysh me këtë?
Më saktësisht jam shprehur për nevojën e zgjerimit të hapësirave të përdorimit, të përfshirjes së varieteteve të tjera brenda standardit, të krijimit të një qëndrimi më permisiv ndaj realiteteve gjuhësore dhe për dy arsye kryesore: realiteti i folur, kontaktet e mëdha si kurrë më parë, aksesi në publik i të gjitha varieteteve, e bëjnë të domosdoshme një hapje të tillë; kjo e bën të mundur amortizimin e tendencave të tjera, në një anë, dhe, çka është shumë e rëndësishme, sjelljen në përdorim të potencialeve të optimalizuara të shqipes. Bashkë me këtë do të kishim dhe një përvojë përdorimi më të lirshëm, me më pak pasiguri gjuhësore. Duhet të jemi të ndjeshëm që të mos e çojmë më tej përshtypjen e disave se paska ndër shqiptarë që nuk e ditkan gjuhën e tyre, se ajo gjuhë qenka pronë e dofarë guruve që vetëm ata ditkan të dallojnë të mirën nga e stërkequra dhe që, në rrethanat ku po vihemi gjithnjë e më shpesh, dikush të dëshpërohet. Nevoja për optimalizimin e potencialeve shkon paralelisht me mundësinë e aksesit që është zgjeruar shumë. Në anën tjetër, kemi tërë një trashëgimi shumë të shtrenjtë nëpër varietete të ndryshme, prej së cilës nuk mund të heqim dorë ashtu lehtë.
Një vend zë në studimet tuaja edhe poezia arbëreshe, rumune, franceze, dhe ajo italiane – përse erdhi ky interesim?
Thashë, prej fillimit kam pasur interesim për poezinë dhe për letërsinë. Në fillim të viteve ‘70 ne për arbëreshët dinim më shumë si për një traditë tonën gati të vdekur. Vizitat në Itali dhe ardhja e arbëreshëve në Kosovë, kontaktet me Francesco Solanon e të tjerët më shpërfaqën një realitet tjetër: atje kishte një poezi të gjallë dhe me vlera. Këtë desha ta paraqisja më 1978 dhe besoj se u bë me sukses. Rumanisht kam mësuar qysh në Paris për nevoja të studimeve ballkanike. Gjatë mësimit pashë se atje kishte një poezi që më pëlqente shumë, ndërsa ne nuk denim gjë për të. Poezinë, e vërteta, e kam pëlqyer gjithnjë dhe prandaj kam përkthyer vazhdimisht, qysh si student nga poezia moderne frënge. Kur më liruan nga izolimi më 1989 u ndjeva në një gjendje dëshpëruese për shkak të trajtimit shnjerëzor. M’u kishin topitur dhe shprehitë e të shkruarit, kështu që gjatë asaj vere e pak më tej u mora më intensivisht me lexime e përkthime poezish, ndër to diçka nga impresionizmi gjerman, diçka nga poezia oksitane, nga poezia baske, etj. Kishte aty dhe italianë e ndonjë amerikan. Ishte libri që më ndihmoi të bindja veten se e kisha superuar një gjendje.
Nisur nga rrethanat e reja të krijuara, të shkëputjeve të komunikimeve me Serbinë, çfarë ka mbetur nga mitet e mëparshme?
Mendoj se raportet me Serbinë në Kosovë dhe te shqiptarët e Jugosllavisë kanë qenë pak më të distancuara gjithmonë. Edhe nënat dhe gjyshërit tanë thoshin: jemi nër Serbi, Sërpi i parë, Sërpi i dytë, ashtu si Bugari i parë, Bugari i dytë. E tërë jeta kulturore zhvillohej në një kundërvënie të nëntëshme. Komunikimet i kemi pasur për një pjesë të detyrueshme dhe prej tyre po ashtu një shtresë njerëzish ka mësuar. Negativitetet që vinin si pasojë e ambicieve imperiale dhe pushtuese të politikës serbe i kishin fryrë edhe më shumë distancimit dhe nevojës për dallim. Kjo i ka mbuluar aspektet e tjera të kontakteve patjetër me interes dhe të dobishme. Këto aspekte të tjera duhet të shihen, p.sh. në letërsi, në studime, në kulturë. Vetë kam përkthyer poezi shqipe në gjuhën serbokroate (një libër të F. Arapit, një të Rr. Dedajt, pastaj poezi të zgjedhura të E. Bashës, I. Kadaresë, poetëve arbëreshë, A. Podrimjes, etj.), por në fushën e gjuhësisë më shumë kam ndjekur traditat frënge. Për një pjesë, sidomos për periudhën e strukturalizmit, më kanë interesuar shumë autorët kroatë. Në pjesën e studimeve ballkanike dhe të historisë së gjuhës vazhdoj të ndjek me vëmendje se ç›po ngjet në ato tradita. Kuptohet që jam përpjekur të shoh gjithçka është shkruar në raport me gjuhën shqipe.
Libri “Tekste të vjetra” merret si referencë e dorës së parë në studimet akademike. Botuar në vitin 2000, nga Dukagjini, voluminoz, ju paraqisni në gjerësi të madhe, autorët shqiptarë të shek. XVII: Budin, Bardhin dhe Bogdanin, kur Buzuku dhe Matrenga ishin botuar. Çfarë nuk ka mjaftuar nga botimet e deritanishme nga ky korpus letrar?
Me tekstet e vjetra, me gjuhën dhe aspektet filologjike të tyre jam marrë vazhdimisht qysh në vitet e vona ‘70. Korpusin e teksteve të shekujve 18-17 e kam ndjerë nevojën ta paraqitja në një formë të përmbledhur për nevojat e kursit që zhvilloja në Mynih. Disa prej autorëvë dhe teksteve të asaj kohe ishin studiuar mjaft mirë nga brezi i mëparshëm i filologëve dhe gjuhëtarëve tanë e të tjerë: J. Rrota, M. Roques, E. Çabej, N. Ressuli, S. Riza, M. Camaj, G. Svane, M. Sciambra, etj., kështu që nuk ishte punë e vështirë. Në disa pjesë (Buzuku, Bardhi, Budi, pjesërisht Bogdani) kisha dhe ndonjë hulumtim timin, ndërsa libri doli i mbledhur në një tërësi, ashtu siç e kishte klasifikuar më herët S. Riza, i cili kishte bërë një punë të ngjashme me më shumë përqëndrime në pika të veçanta. Sot studimet e teksteve të vjetra kanë kaluar në një fazë të re, pjesërisht edhe falë teknologjisë informatike, kështu që kemi botime kritike të Bardhit (B. Demiraj), Bogdanit (A. Omari) ashtu siç kemi botime shumë cilësore përsa i përket punës filologjike tek arbëreshët me F. Altimarin në Kalabri dhe M. Mandalànë në Sicili. Korpusin arbëresh e kemi tashmë thuaja të plotë, por edhe tjetrin në arealin verior tashmë e kemi në një pjesë të mirë. Më duket se duhet të vazhdojmë më tej me autorë të sh. 18 e pjesërisht edhe 19 për të përmbledhur një traditë të rëndësishme. Secili brez e ka mënyrën e vet të studimit dhe në këto fusha kjo bie në sy qartë: Çabej ndryshon shumë nga Rrota, po edhe Resuli, Riza ndryshon nga të tre sa i përket fokusimit dhe mënyrës së trajtimit, Camaj sjell madje përqëndrime të reja.
Kemi pasur dhe studime të traditës së shkruar me alfabet arab, fushë në të cilën janë shquar më herët O. Myderizi, H. Kaleshi, I. Ajeti, etj. Tash kemi një grup orientalistësh në Prishtinë e në Tiranë që po vazhdojnë të merren seriozisht me këto hulumtime. Ne ende jemi në fazën e eksplorimeve jo të barabarta të teksteve shqipe që janë me alfabete të ndryshme dhe në kohë me lëvizje. Mendoj se ka ende punë për të bërë.
A duhet të kemi një normë të gjuhës shqipe, a është nevojë në kohën e sotme? Nëse, po, a mund t’i përfshijë norma gjithë varietetet e gjuhës përshembull për t’u marrë vesh si me shqiptarët e Kosovës apo Maqedonisë? Sa mund të tolerohet në këtë drejtim?
Po pa asfarë dyshimi. Norma është e nevojshme. Norma ka shtresëzime, ka nivele dhe realizohet në situata të ndryshme. Norma drejtshkrimore është një gjë dhe ajo thuaja se i plotëson të gjitha kërkesat për të gjitha varietetet (kuptohet, me shpjegimet që do të duheshin lidhur me pasqyrimin e gjatësive sipas sistemit me ë në rrokjen vijuese dhe elementeve të tjera morfonologjike, siç ngjet në të gjitha gjuhët e botës). Pak më shumë probleme dalin në rrafshin (morfo)sintaksor, por edhe për to ka mundësi të gjenden zgjidhje përmes dyshorëve apo përmes përshtatjeve të tjera. Në fushën e leksikut norma gati nuk ka kuptim, aty thjesht duhet të heqim dorë nga purizmi dialektor dhe t’u japim folësve kënaqësinë ta ushtrojnë kreativitetin e tyre në përdorimin e gjuhës së vet.Varietetet e shqipes, sidomos në një nivel përdorimi kulturor, nuk paraqesin vështirësi të mëdha të kuptuari të ndërsjellë.
Ekziston një Këshill Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, e themeluar nga dy akademitë e shkencave me kërkesën dhe nismën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në ç’drejtim ka funksionuar, i cili jo pak herë është bërë objekt debatesh në media, sidomos për drejtshkrimin?
Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe është themeluar më 2005 dhe ka funksionuar si institucion me dy bashkëkryetarë dhe pa buxhet të vetin. Këshilli ka funksionuar ashtu që për çështje të ndryshme të diskutimeve në fushat e drejtshkrimit apo të tjera kishte caktuar grupe specialistësh në Tiranë dhe në Prishtinë, ndërsa Këshilli merrej me diskutimin e prurjeve të këtyre specialistëve, propozimet e të cilëve ndonjëherë i miratonte, herë të tjera jo, sipas bindjes së anëtarëve dhe diskutimit në Këshill. Deri në vitin 2014 është përmbyllur një cikël diskutimesh dhe përfundimet e tyre janë bërë publike dhe mund të përmblidhen në një botim të veçantë. Këshilli ka marrë vendime në bazë të mirëkuptimit dhe të paktimit në shumicë të madhe të anëtarëve. Në fillim ka provuar të punonte me miratim të plotë, por ndërkohë u pa se kishte tendenca për të krijuar obstakle (shpesh nga ndonjë anëtar), prandaj u hoq dorë nga kjo. Përbërja e Këshillit ka ndryshuar shpesh, për shkak se ndërkohë kishin ndërruar jetë anëtarë të tij
(F. Raka, Sh. Demiraj, R. Nesimi, I. Bajçinca, A. Zymberi, I. Ajeti), ndërsa zëvendësimet jo rrallë sillnin edhe vështirësi. E. Lafe ka dhënë dorëheqje nga Këshilli. Ka pasur dhe vështirësi që buronin nga gjendja e vazhdueshme reformuese në Akademinë e Shqipërisë. Diskutimet për çështje të tilla janë normale. Jam përpjekur t’i ndiqja dhe të nxirrja përfundim nga to, por mendoj se shpesh janë shoqëruar me inate, hatërmbetje e elemente të ngjashme. Kuptohet, në mënyrën e punës që kishte zgjedhur Këshilli asnjë individ, as bashkëkryetarët, nuk kanë pasur mundësi të impononin ndonjë qëndrim, po pranoheshin vetëm ato që vërtet shiheshin të tilla nga shumica dërmuese, për të mos thënë nga të gjithë.Këshilli është përpjekur të bënte një punë të dobishme me gjithë vullnetin e mirë dhe pa buxhet, ndërkohë që institucione me buxhete dhe detyrime të bënin hulumtime specifike në ato fusha nuk i kishin bërë ato. Kjo e vështirësonte skajshëm punën e Këshillit.
Për këto probleme, ne, si model gjuhësor, shpesh i referohemi Francës, për traditën e kultivimit të gjuhës. Disa janë të mendimit se kujdesi për gjuhën duhet të bëhet çështje ligjore, kam parasysh qoftë Shqipërinë, por edhe Kosovën.
Modelin francez e kam studiuar me hollësi. Atje ka një Akademi që merret vetëm me çështjen gjuhës dhe të fjalorëve, ka pafund institute hulumtuese për aspektet e ndryshme dhe ka një Delegacion të përgjithshëm të gjuhës frënge dhe të gjuhëve të Francës që është formuar me shndërrimin e Komisariatit të përgjithshëm të gjuhës frënge dhe që ka për mision të animojë në eshëlonin ndërministerial politikën gjuhësore në Francë, kohët e fundit lidhur me gjuhën frënge dhe me gjuhët rajonale. Është i vendosur në Ministrinë e Kulturës dhe autoritetin ia jep drejtpërsëdrejti kryeministri. I deleguari (gjithnjë linguist i shquar, si B. Cerquilini, Xavier North apo Paul de Sintey) ka kompetenca të mëdha dhe detyrime edhe të harmonizimit me instancat në Kanada, në Belgjikë, në Zvicër, në Senegal). Mund të thuhet se në fakt kemi të bëjmë me një ministri të tërë. A kemi bazë krahasimi? Por edhe në Francë, ku janë të njohura përpjekjet për zgjidhje ligjore dhe është nxjerrë ligji, po të pyesni specialistët, shumë shpesh do të thoshin se më mirë është të mos dihej se ka një ligj, sepse edhe efekti është i parëndësishëm, edhe danga se çështjet e gjuhës po përpiqen t’i zgjidhin me detyrim. Nuk ka dyshim se sa i përket përdorimit të gjuhës duhen zgjidhje ligjore (për shembull, qarkullimi i mallrave nuk mund të lejohet pa shënimin e nevojshëm shqip; qarkullimi i barnave/ilaçeve nuk mund të lejohet pa shpjegimet shqip: firmat, diçiturat, etj. duan bërë me shpjegime të qarta shqip, por nuk mund t’u themi njerëzve se ligji thotë farmaci, jo barnatore, ulje jo zbritje çmimesh, pastiçeri jo ëmbëltore, jepi in dietro/ shko mbrapa, etj).
Si ka qenë bashkëpunimi me Tiranën? Pyes qoftë për atë akademike, ku shohim më pak bashkëpunim, krahasuar me atë universitare ku ju jeni më i përfshirë.
Bashkëpunimi midis dy akademive është zhvilluar prej kohësh mbi bazë protokollesh që përtërihen përkrye dy vjetësh. Për të pasur bashkëpunim, secila akademi duhet të ketë rrethana të favorshme për zhvillimin e veprimtarive në hapësirën e vet. Më ka rënë të kem bashkëpunim me kolegët dhe me kryetarët e Akademisë në Shqipëri pas Aleks Budës. Ashtu si në Prishtinë, edhe në Tiranë të gjithë e kanë dëshiruar këtë bashkëpunim sa më të ngushtë. Janë zhvilluar dhe zhvillohen veprimtari të ndryshme të përbashkëta, por ka pasur dhe mund të ketë edhe më mospajtime apo mosharmonizime. Por akademitë janë institucione konservative dhe nuk mund të përshtaten sipas ritmit të ndërrimit të shefit të partisë, apo të zëvendësojnë institutet hulumtuese, që ne si shoqëri nuk po ia dalim t’i vëmë në funksion efikas. Përpara edhe bashkëpunimi midis universiteteve bëhej kështu. Nuk jam shumë i sigurt se tani po vazhdon më ashtu. Ka pasur dhe atje njëanshmëri. Jam plakur në Universitet (43 vjet mësimdhënie). Para studentëve në Tiranë kam pasur mundësi të dilnim vetëm një herë në një orë prej 45 minutash bashkë me Besim Bokshin, ndërkohë që gati askush nga brezi im nga Universiteti i Tiranës nuk kishte mbetur pa dalë para studentëve tanë madje pa kufizime. Në konferenca shkencore kemi pasur bashkëpunim më të mirë. Tani më duket se nuk ka më protokolle, por bashkëpunimi bëhet sipas interesave. Nuk i di rrethanat në detaje. Seminari është institucion që ia ka dalë ta ruajë bashkëpunimin, megjithë vështirësitë.
Jemi në një situatë të re të përdorimit publik të gjuhës si tregu i librit, mediat, gazetat, – çfarë mendoni se nuk shkon në këtë “bashkëjetesë”? Kur niveli i gjuhës është rritur, a mendon bashkarisht gjuhësia shqiptare, sot njësoj në të gjitha hapësirat ku flitet shqipja?
Në fushën e tregut të librit, të mediave, të gazetave bashkëjetesa më duket diçka që nuk shkon. Në Prishtinë nuk shiten gazetat e botuara në Tiranë dhe e kundërta. Në Tetovë i gjen gazetat e botuara në Beograd a Sofje, por jo ato të Tiranës e Prishtinës. Portalet dhe mediat elektronike e kanë zbutur pak gjendjen dhe ato po na i japin të gjitha lajmet dhe ekseset menjëherë. Por shikoni pak strukturën e lajmeve apo të emisioneve dhe referencat sipas hapësirave dhe vendit prej nga është medium. Sa i përket librit ka edhe më shumë për të dëshiruar. Në Prishtinë nuk ka libër të botuar kudoqoftë, sidomos në Shqipëri, që nuk gjindet në treg dhe kjo është begati. Nuk jam i sigurt që ndodh kështu në Tiranë. Kam dëgjuar arsyetime që thonë se nuk po shiteshkan, etj. Po tregu i shpërndarjes së botimeve me tenderë qeveritarë a bën fare diferencimesh? Po tregu i leximeve të detyrueshme? Në rrethana të tilla nuk ka shumë hapësirë për të menduarin e përbashkët të gjuhëtarëve në hapësirat e ndryshme. Në të vërtetë, nëse kemi të bëjmë me të menduar, nuk po shoh si mund të jetë ai i përbashkët. Por në fushën e standardit dhe të planifikimeve ndërmarrjet e përbashkëta janë të kuptimshme dhe të domosdoshme. Shpresojmë të ndodhin në të ardhmen. U bë abetarja e përbashkët, por shkollat në Kosovë e përdorin atë, ndërsa shkollat në Shqipëri, më kanë thënë, kanë në përdorim disa. Ç›kuptim ka marrëveshja?
*Portreti nga Ina Lajthia