Kreu Letërsi Shënime mbi libra Rei F. Hodo: Për nga “Mali i Qumështit”

Rei F. Hodo: Për nga “Mali i Qumështit”

Shkrimtaren Ervina Halili e ndjek prej kohësh falë miqësisë së botës teknologjike dhe njëkohësisht asaj letraro-artistike. Vëllimi “Nuk janë sytë e mi” (Berk, 2021) si pikëtakimi i parë me krijimtarinë letrare të autores në fjalë më ballafaqoi me një univers poetik të veçantë, tek i cili, rreket mendimi filozofik dhe trajektorja poetike.

Lëmia e prozës mesa duket qëndron mirë në shtatin e autores. Romani “Mali i qumështit” (Onufri, 2025) është një tjetër ballafaqim i saj me lexuesin, duke e paraqitur mendimin akoma edhe më të shpërbërë, më të gatshëm për të mbërritur tek mendja e lexuesit.

Universi poetik është një tërësi mendimesh e udhësh të cilat, edhe në një shkrim për vëllimin në fjalë (“Shpirtërorja në sytë e mi”, 2023) i kam cilësuar si të shtresëzuara sipas një ndarje shpirtërore. Aty binte në sy më së shumti shpirtërorja e zotit apo ajo e mëmësisë. Duket se kjo e fundit është burim frymëzimi për autoren, për sa kohë edhe në ballafaqimin e radhës, zë një hapësirë bukur të gjerë në rrëfim. Megjithatë, ky kanon do të marrë vëmendjen që i takon në rreshtat që pasojnë.

Për lehtësi komunikimi dhe konceptimi, këtë radhë zgjedh të bëj një ndarje shtresore me bazë raporti, për sa kohë mendoj që e gjithë vepra është ngritur mbi disa raporte që formojnë edhe bazën logjiko-rrjedhimore të saj.

Gjithashtu, pranoj se libri është një tërësi skenash të padukshme, lehtësisht të prekshme nga imagjinata dhe arsyeja e njeriut. Megjithatë, edhe pse në kushte të tilla, skena ku zë fill çdo skenëz e padukshme është një aktualitet përherë i gjallë. 

Raporti ndërmjet “njeriut të qytetit” (shën. nga romani) dhe njeriut Homo-sapiens (shën. i autorit)

Për t’u afruar disi tek njeriu, në ndihmë na vijnë katër vargje të autores nga krijimi “Q’ajo”: nji ditë kam pa andërr se kurrë s’kam qenë njeri/ veç nji gja që nuk asht e thanun me qenë/ nuk ishte as edhe gja/ e unë isha q’ajo.

Ky përkufizim, ndonëse mund të shfaqet i turbullt, herë-herë fatalist, me përmbajtje pesimiste, përsëri më krijon një shteg për të mbërritur tek njeriu i romanit. Njeriu i romanit ndodhet në mes të një raporti që peshon herë nga përmbajtja si urban dhe herë nga përmbajtja si natyror. Ky dualizëm shihet si një trajektore e tensionuar gjatë gjithë rrëfimit edhe pse, autorja nuk e fsheh përkrahjen e saj kuptimore dhe praktike. Në roman, autorja na e paraqet kështu këtë dualizëm: “Mendova trupin e topitur dhe mendjen e traumatizuar të njeriut të qytetit, që i ishte nënshtruar jetës urbane e cila kishte mjaftueshëm kohë për ta zhuritur aftësinë vitale të trupit të këtij njeriu duke e stërvitur vetëm për shtigje të shkurtra, mundësi të lehta, dashuriçka fragmentare. Ne që jetojmë në këto zona dembele, kur e lëvizinim pak më shumë trupin dhe shkundim lëmashkun e lëngut të nyejve dhe fijet e mykut nëpër muskuj, me aq ndiejmë dhembje.” Shpjegimi në fjalë si dhe shpjegimet vijuese që autorja i shtjellon me saktësi, paraqesin zhvillimet e vazhdueshme si dhe papajtueshmëritë e qarta ndërmjet dy krijesave. Për ta konkretizuar këtë në një rast, autorja shkruan: “Kur e mendoja unë vetë raportin me malin, e vëreja dyzimin aq sa të shihja veten karshi tij.” Qartësisht kuptohet se ekziston një betejë e vazhdueshme ndërmjet atij që në roman na përshkuhet si njeriu i qytetit dhe atij që jo detyrimisht duhet të ishte modeli më i kulluar por që duhej të paraqitej si krijesa e cila qëndron në bashkëjetesë harmonike me natyrën, prejardhjen e saj. E ç’është e drejta kjo bashkëjetesë nuk frymon. Në roman, pasqyrohet i tillë realiteti dhe raporti në fjalë: “Njeriu i sotëm është njeri insomniak, i zverdhur dhe pa shkëlqim në lëkurë, i nevrikosur pa relaksim të muskujve, i tendosur dhe i hutuar, intolerant ndaj tjetrit, i shkëputur nga natyra. Fle shumë, por nuk pushon; ha shumë, por nuk ngopet dhe pafundësisht vazhdon kjo sagë gabimesh që i duken të panevojshme për t’i shqyrtuar, sepse nuk ka kohë, duhet të bëjë gjëra të rëndësisë së veçantë për ta kënaqur egon.” Autorja na vë përballë dy koncepte të cilat ia mban veshur ngushtësisht njeriut të qytetit, atij insomniakut. Nga njëra anë janë gabimet, në të cilat përfshihen gjithçka sa më sipër si edhe zakone të tjera të përditshmërisë, të cilat munden të gjenden edhe në pasazhe të tjera gjatë rrëfimit. Nga ana tjetër është egoja. Autorja tregohet disi e ashpër në qëndrimin e saj duke na e përplasur të vërtetën sipas “Ligji primitiv i egos: copëto dhe kontrollo, konsumo dhe dhjamosu me identitet që të mund të kesh lëkurë të trashë të pushtetit.”  I gjithë ky qëndrim të sjell në mendje një nga poezitë e F. Hölderlin në të cilën ai thotë: “…/ E trembin kafshët, sepse është ndryshe nga ata,/ Njeriu; ai nuk të ngjan as ty dhe as babait/ Sepse brenda tij është i guximshëm dhe i vetëm/ Shpirti i lartë i babait me kënaqësinë tënde,/ O tokë! Dhe me pikëllimin tënd u bashkua përgjithmonë;/ Ai dëshiron t’i ngjajë nënës së perëndive,/ Natyrës, gjithpërfshirësve!” E në fund, autorja duket se e gjen sërish një shteg për të dhënë arsyen e saj për ta mposhtur këtë përmbajtje të re të njeriut kur parashtron se “Egërsia e këtyre maleve ka mbetur e butë në krahasim me egërsinë urbane. Këto alpe janë më pak të frikshme se fantomët monstruozë të ndërtuesve privatë që kanë blerë qytetin.”

Raporti ndërmjet Nënës dhe Fetusit si dhe përplasjet midis tyre

Rrëfimi i këtij raporti në vepër zë një pjesë të konsiderueshme të saj. Padyshim një mendje mund të kërkojë shpjegimin shkencor apo të përpiqet të gjejë urat e komunikimit medikal ndërmjet tyre. Shkrimi do vijojë të qëndrojë përsëri në kornizat e një qasje pasqyruese dhe racionalizuese edhe për këtë ndarje të dytë.

Fillimisht në libër përballemi me farën e krijimit, nga qeliza e padukshme dhe deri tek shkatërruesi i ardhshëm i njerëzimit (shën. nga romani). Për shumëkënd kjo mund të jetë një përplasje abstrakte, e ngritur mbi një themel jo të qëndrueshëm por në rrëfim kuptojmë se autorja ja del t’i komunikojë lexuesit pikërisht thelbin e këtij raporti. Megjithatë, edhe pse në kushte të tilla, përsëri autorja nuk ngurron të pranojë edhe vijimësinë e gjenezës së re. Ndër të tjera, ajo shkruan: “Mu ajo kokërr që rritet në barkun e një gruaje, e cila ishte edhe vetë e tillë.” Më ngjan se “shpërthimet” emocionale që vijojnë këtë konstatim, mund të na dërgojnë në një hipotezë që i del në krah këtyre të fundit. Edhe pse e kaluara, qëmtohet disi e largët, ajo përsëri të jep forcë sepse secili kujtim i madh është burim i konsiderueshëm i forcës. Në rrëfim gjejmë të shtjelluar si vijon: “Fiks ajo kokërr e vogël mund të jetë shkatërruesi i ardhshëm i njerëzimit, ose shpëtimtari vetë. Mu ajo do të ketë një trajektore historike të jetës dhe për të, ajo trajektore do të jetë gjëja më e rëndësishme. Atë kokërr të vogël sa një farë limoni kushedi kah do ta përplasë jeta, kushedi sa të gjatë do ta ketë udhën, prej çfarë gëzimesh do të rritet, prej çfarë dhembjesh, çfarë njerëzish do ta rrethojnë, çfarë detyrash.” Mund të themi se skena ku zë fill një tjetër skenëz e vogël, e planifikuar për t’u shndërruar në një skenë edhe më të madhe, është pikërisht një aktualitet krejt i gjallë. Pra, kuptojmë se edhe para lindjes frymon një jetë që datohet. Gjallon një botë përpara botës së re dhe në mënyrë krejtësisht të vazhdueshme, ekziston kohësia, një ligjërim pambarimisht jetësor.

Gjatë gjithë rrëfimit mund të hasim edhe diçka krejt të veçuar nga përmbajtja por që është në bashkërendim të plotë me ngjarjet e romanit. Pra, edhe pse e zhvendosur në kohë si objekt kujtese, autorja krijon një insinuatë të thjeshtë duke u mbështetur tek fakti, tek e njohura historike por që e sjell atë nëpërmjet dhimbjes empatike. Në roman po risjell vetëm një pjesë të shkurtër e cila e përmbledh të gjithë vuajtjen e gruas shqiptare vetëm në njërin dimension të saj: “Gjithmonë, kur e dëgjoja nënën time ta rrëfente këtë ngjarje, më dukej sikur mes rrahjeve të zemrës, vrushkujve të gjakut dhe një kordoni që oshëtinte kisha jetuar qysh në barkun e saj.” Autorja po ashtu kujdeset ta portretizojë figurën e nënës tepër estetike edhe në një prej poezive të saj, pikërisht tek “Rri nana”: …veç nana nuk prek as tokë as qiell/ veç tamblin nga sisët rrjedh nana/ dhe ne hapim gojët poshtë rrjedhës/ e ngopemi me flakë parasje në zemër/ dhe gjaku i hekurt na rrjedh në trup/ me na ba me i harru vetët tona/ në shtatë palë qiejt ku rri nana/ si nuse e bardhë me vello mbi sy.”

Në tërësi, gjej rastin ta përshëndes botimin e një romani të tillë duke e vështruar me një sy gjithëpërfshirës dhe të veçuar. Notat autobiografike si dhe ngjarjet historike që njihen nga të gjithë, e bëjnë romanin të shndërrohet në detyrim për lexuesin ta kalojë nëpër duar. Brenda veprës ndërthuren natyrshëm elementet filozofike dhe ato poetike. Kjo ndoshta edhe për arsyen e thjeshtë se vetë filozofia qëndron më afër me poezinë se sa me shkencën aq sa mund të pohohet se poeti edhe filozofi janë vëllezër.

Ashtu si edhe ndër të tjera, çdo vepër mund të konsiderohet si një copëz shkëmbi, mbi të cilin përplase uji pareshtur e në çdo stinë, shkëmbi qëndron aty, rrathët e ujit përhapen e humben por kurrë nuk zhduken.

E në fund, autorja na mëson se “Kështu kuptova që ditët edhe mund të ishin si një ditë e vetme e vazhdueshme.” Në këtë roman, ajo ia del që vazhdueshmërinë e ngjarjes ta ndërthurë me të bukurën e letërsisë dhe t’i ofrojë lexuesit një vepër mjaft të mirë.

Referenca

de Unamuno, M. (2023). Ndjenja tragjike e jetës (I. Maliqi & B. Braho, Përkth.). Alphabet J&H.

Halili, E. (2021). Nuk janë sytë e mi. Berk.

Halili, E. (2025). Mali i qumështit. Onufri.

Hölderlin, F. (2023). Poezi (E. Gjana-Boriçi & K. Shtufi, Përkth.). Alphabet J&H.

Quignard, P. (2007). Hijet që enden (F. Papleka, Përkth.). Botimet Koçi.

Exit mobile version