Kreu Letërsi Shënime mbi libra Raimonda Belli Gjençaj: Për ikjen si një rikthim

Raimonda Belli Gjençaj: Për ikjen si një rikthim

Një Vikamë Tingulli për Jetën, Dashurinë dhe Përjetësinë

Ishte hera e parë që më ndodhte. E nisa leximin e librit nga kopertina. Më goditi mendimi se askush nuk e mendon vlerën reale të një fotografie në momentin që e shkrep. Një shkrepje jetëson çastin, të shkuarën, por jo të ardhmen. Por ja që ardhka një çast tjetër kur një shkrepje e dikurshme i rrëfen së sotmes për të djeshmen dhe zë vend në kohë për të udhëtuar nga një e ardhme në një tjetër. Pafundësisht. Kujtdo që ka kënaqësinë ta “dëgjojë” nga afër veprën “Vikama e Tingullit”(botuar nga “Onufri”), do t’i mbetet në sy, figura e gjeniut të muzikës shqiptare, Fehim Ibrahimi, i përkulur mbi piano, i përhumbur mbi pentagram, me një laps në dorë, që prej atij çasti ka fituar privilegjin të jetë një objekt i çmuar, që e ka shoqëruar kompozitorin në ditët e netët e tij të frymëzimit, të mundimit, të ankthit, të triumfit, të zhgënjimit…Dhe prapë të triumfit, se veprat e gjenive nuk njohin rrugë tjetër… Ndërkohë që duke lexuar ende kopertinën, si një fillim dhe si një finale madhështore të veprimtarisë së kompozitorit, më vizatohen si krahë fluturash mbi flokët e tij, shkronjat e emrit të një gruaje që, në një fat të ndërsjellë për të dy, u bë jo vetëm dashuria e tij, por dhe bashkudhëtarja e brengave dhe gëzimit dhe tashmë rrëfimtarja e mrekullueshme e një jete, bukurinë e së cilës nuk mund ta tjetërsojë asnjë dhimbje. As ikja pa kthim…

Shfletimin e librit e nisa me idenë se po mbaja ndër duar një monografi. E nisa dhe me dilemën, nëse do t’ia dilja ta përballoja dhimbjen e dikujt që e njihja dhe e doja, që në bankat e shkollës së mesme, në korridoret e së cilës përcillte ngrohtësinë e emrit që mban. Por dhe ideja dhe dilema u shkërmoqën lehtësisht që në faqet e para. E gjeta veten të përpirë nga valët e një vepre letrare, që kërshërinë e fillimit ma kishin shndërruar në bindje. Vera Ibrahimi ka shkruar një roman. Autorja endet në një retrospektivë të detyrueshme, duke ruajtur koherencën e rrëfimit, ndërsa ngjarjet ushqejnë njëra tjetrën, si në një lojë mozaiku, duke qëmtuar me kujdes copëzat e tij për të formuar të tërën. Jo më kot ajo ka përzgjedhur një titull që jo vetëm evokon veprën muzikore të një gjeniu, si Feim Ibrahimi, por edhe kohën në të cilën u krijua ajo. Duke qenë vikamë, thirrja nuk mbetet në dridhjen e një tingulli të vetëm, por as nuk shfaqet si bashkësi tingujsh. Sepse vepra shkon shumë më larg. Ajo është si një thirrje për të njohur njeriun bashkë me vlerat që mbartte, por dhe tallazet e egra, me të cilat ai u përball, në betejat për t’i mbrojtur ato. Sepse vlerat janë një pasuri e çmueshme, që nuk i përkasin vetëm kohës në të cilën u jetësuan. Në këtë kuptim “Vikama e Tingullit” del përtej kufirit vetjak. Në këtë kuptim, “Vikama e Tingullit”, kapërcen dhimbjen e bashkëshortes për humbjen e parakohshme të shokut të jetës. Të tronditin, domosdo, skenat ku ankthi përzihet me shpresën se “një mrekulli mund të ndodhë” dhe ata do të jenë përsëri bashkë edhe për shumë vite të tjera. Autorja nuk mund ta shmangë hidhërimin, që më vonë do të bëhet ngasja e fuqishme për të hedhur gjithçka në letër. Ama me mjeshtëri, ajo, nuk na le gjatë mes vuajtjeve të saj. Sepse ka ditur t’i “qepë” me maturi të gjitha etapat e lundrimit të përbashkët, me njeriun që i kishte blatuar shpirtin dhe të cilit ajo i kishte falur veten. Këtë e ndien në çdo fjalë që Vera derdh në libër. Por ama dallon një dritë më shumë, kur në jetën e tyre hyn Etri, bija e tyre e vetme, që i dha ndjesi të reja kompozimit dhe dashurisë së çiftit. Deri atëbotë ia kishin dalë të ëndërronin edhe mes muresh të bodrumit ku jetonin. Por ëndrra me foshnjën e sapo ngjizur, ngrihej mbi përmasat e dhomës, që për adresë kishte “Pallatet e Shallvareve”. Duke shkruar, Vera Ibrahimi nuk rreket të ndryshojë gjë. As të heqë e as të shtojë. I pandryshuar mbetet emocioni i saj edhe tashmë, pas kaq e kaq vjetësh…

– Feim, ti je? – m’u duk sikur fola. Nuk po njihja as zërin tim.

– Ej, Vera?! Ç’ke, ç’ke keshtu? – dhe u sul drejt meje. Me perkedheli, por djerset me kishin shkuar deri ne rrenje te flokeve dhe u alarmua.

– Nuk jam mirë…më merren mendtë…, më përzihet…, mos u shqetëso…, do të më kalojë…! Kam frikë…, kam frikë se…jam shtatzënë…

Ai ngriu në vend për disa sekonda, pastaj:

– Oh, çfarë lajmi! Po ky është lajm! Po kjo është nje mrekulli! Vera, është një mrekulli!

Lexuesi hyn kështu në valën e gëzimit të çiftit që pret fëmijën. Duket si kontradiktore “frika” që shfaq gruaja. Por ajo ka të drejtë. Cila nënë do të donte ta rritte foshnjën e vet në një hapësirë bodrumi, pa dritë dhe plot igrasi? Vera ende nuk e di, por as lexuesi, jo, se torta dhe shishja në duart e të shoqit janë sihariqi për shtëpinë e re që po i pret. Etri po vjen këmbëmbarë…

Lexon dhe harron njohjen reale me njerëzit që frymojnë në libër. Pena e autores i sjell si personazhe të një rrëfimi, mirëfilltazi romanor. Të tillë shfaqen figurat e kompozitorëve, shkrimtarëve, poetëve, miqve, dashamirëseve, brenda dhe jashtë atdheut, të atyre që e vlerësuan veprën e gjeniut, por edhe të atyre që nuk ia dolën ta vrasin zilinë dhe tundimin për t’i vënë shkopinj nën rrota, fluturimit të muzikës së Feim Ibrahimit. Janë të gjithë aty, si dëshmi të pamohueshme të një miqësie të thellë me Njeriun, por edhe si forcë vitale e shpirtit të tij për të mos u përkulur ndaj padrejtësive. Kjo e dyta është një vlerë e spikatur për librin, por edhe për vetë autoren. Ndodh jo rrallë, që njeriu, i lodhur prej betejave të jetës, zgjedh të mbajë pranë qetësinë shpirtërore, duke mos i cekur kujtimet që do t’ia cenonin atë. Por Vera Ibrahimi dëshmon se është një prerje tjetër. Tregon që është një luftëtare e lindur, sepse ka zgjedhur t’i shkojë me guxim, deri në fund të vërtetave të jetës, që i përkasin jo vetëm kompozitorit. Ajo nuk mund ta “tradhtojë” atë. Ndaj autorja e sjell figurën e tij, në lartësitë e ngjitjes, por edhe me plagët e rrëzimeve, me një vërtetësi të tejskajshme, që trondit me përmbajtjen e saj, duke e zhbërë përfytyrimin mbi “jetën fjollë” të gjeniut. Është turbulluese, por dhe mahnitëse, të mësosh se sa shumë e kanë luftuar dhe me sa fuqi mbinjerëzore i ka përballuar të gjithë dhe të gjitha. Është si një mësim i vyer për këdo që rreket jo vetëm të mos i humbasë vlerat, por t’ia dalë dhe t’i nxjerrë në dritë, pavarësisht se me kë dhe me çfarë i duhet të përballet. Në këtë këndvështrim, Vera Ibrahimin e shohim edhe si një “guru” për lexuesit e librit, tek të cilët përcillen në heshtje jo vetëm përmasat e talentit të njeriut, të cilit ajo i qëndroi në krah, deri në fund, por edhe mençuria dhe fisnikëria me të cilat ai përballoi sfidat e vështira, që jeta me shumicë, nuk ia kurseu. Krahas kësaj, lexuesi i ndien ditët dhe netët e artistit si nota muzikore, ku gjallojnë të gjitha veprat e tij. Që Vera Ibrahimi i njeh si rrahjet e zemrës së saj. Kjo e bën librin të ndihet si një ndërthurje e natyrshme e fuqisë së ndjenjës me forcën e tingujve, që pasqyrohen edhe si burim e reflekse të vetë asaj. Ato rezonojnë nga faqja e parë, tek e fundit dhe lexuesi mjaft mirë mund të humbasë në sprovën e tij për t’i matur. Sepse dashuria e gruas është njësuar tashmë, me gjithçka që gjenialiteti i kompozitorit ka nxjerrë në dritë. Pavarësisht kësaj, gruaja e ka të pamundur ta fshehë dhimbjen. As kur fjala e prek drejtpërdrejt, as kur e shohim si një stërpikje mes radhëve. Pengu i saj nuk është personal. Më shumë se kushdo tjetër, ajo e di se sa shumë kishte ende për të dhënë Feim Ibrahimi. Por gruaja e di edhe se si do të donte ta shihte ai atë, kur fizikisht të mos ishin më bashkë. Ndaj pena që ka shkruar veprën “Vikama e Tingullit”, është ngjyer jo vetëm në dhimbje. Muzika është një balsam për plagët që hap humbja. Por muzika është magjia që të hedh në kohërat e krijimit dhe si e tillë, gjeneron gëzimin. Ndaj nuk është rastësi që në libër pulson e madhërishme dashuria, lajtmotiv që e përshkon dhe e shfaq ikjen e mbrame si një rikthim për të qëndruar përgjithmonë. Mbase edhe poeti i madh Xhevahir Spahiu këtë ka ndier, kur shkroi poezinë “Artisti”, kushtuar Gjeniut Feim Ibrahimi. Kështu i ndjeva dy vargje të saj:

…ti buzëqesh pa thënë asnjë fjalë,

Tingujt i kthen nga fllad në rrebesh;

Tiranë, më 27.01.2024

Exit mobile version