Romani “Në kohën e britmës” i Visar Zhitit, ikonës së letrave bashkëkohore shqipe, shfaqet si një copëzë mermeri i çmuar në mozaikun artistik të “Autorit model”, duke qenë fryma që lexuesi ndien gjatë leximit, brenda “makinës përtace që kërkon një punë të madhe bashkëpunuese nga lexuesi për të plotësuar hapësirat e lëna të zbrazëta.”, kurse “të pa thënat” (elipsi, metafora, alegoria morale) duhet t’i jetësojë me tërësinë e dijeve të veta kulturore “Lexuesi model”. (Eco. “Lector in fabula”, 1979)
Në krye të veprës së tij më të re autori ka shënuar:
“… ku çdo ngjashmëri me ngjarje dhe persona (i)realë është e rastit, vetëm rasti nuk është i rastit.”
Hapësira dinamike e krijuar nga reticensa me të cilën fillon fraza përkujtuese dhe zbrazëtia pas presjes, ku fillon fjalia e dytë e frazës, mbushen nga antimetabola, të cilën e jetëson lexuesi i kulturuar.
Ky bashkëpunim i frytshëm autor-lexues vijon me sukses, sepse romani është një tekst i hapur, siç kategorizohen veprat letrare ose artistike që lejojnë dhe mbështetin interpretime të shumta e të shtresëzuara, duke mos ofruar një të vërtetë të vetme absolute (Eco, “Opera aperta”, 1962). Lypset theksuar se bashkëprodhimi realizohet nga mirëkuptimi midis autorit dhe lexuesit, i cili nga faqja në faqe rrit kompetencat e nevojshme për të çkoduar tekstin ashtu siç është projektuar. Në indet e tekstit romanor lexuesi gjen mbështetjen për të zbuluar qëllimin e vetë veprës, që është më i rëndësishmi, kur është koherent me ndërtimin e brendshëm, kodet dhe kontekstin gjuhësor të vetë tekstit. Pa këto elemente të analizës së tekstit mund të kalohet nga interpretimi në “përdorim” të gabuar ose abuzim me veprën.
I vatërzuar te shpirti njerëzor, esenca dhe dhimbja humane, Visar Zhiti mbetet shërbestar konsekuent i popullit të vet në shkallë sipërore, duke e ngritur kulturën shqiptare në nivele ndërkombëtare. Në këtë pozicion elitar ai shfaqet edhe te romani “Në kohën e britmës”, botuar në tetor të vitit 2009 nga shtëpia botuese OMSCA-1; po ky institucion e ribotoi një vit pas botimit fillestar, kurse botimi i tretë cekur me elegancë e maturi nga autori doli nga shtypi jo fort moti: në qershor të vitit 2026, kësaj herë nga shtëpia botuese Onufri. Që latimi i shkrimit parak ka qenë i kujdesshëm dhe me finesë, dëshmohet veç të gjithash edhe me një personazh interesant, të cilin Zhiti duket e ka futur në kujtesën e vet artistike, qysh në kohën kur kryente burgun e pamerituar. Prej disa vitesh Rusia, jo rusët, ka nisur luftën e paprovokuar me popullin ukrainas, megjithatë Evgjeni H. L., bir me nënë ruse e baba shqiptar, gjithnjë i prajshëm, mbetet po ai protagonist e Qytetar i vitit 2009:
“… por njeriu jo: don’t move! të mbetet njeri. (Zhiti, 2026: 305)
Visar (njeriu ngjet me emrin, më ka thënë dikur babai) Zhiti, nuk e jep gjendjen e shoqërisë në kohën e britmës, por e jeton atë si kohë artistike. Në paragrafin e parafundit të epilogut të romanit dëshmohet dukshëm katarsi i shkrimtarit të përkushtuar me fatin e kombit të vet deri në dhembje:
“Prandaj, për çdo mëkat të rrëfimit, fajin e kishte e çara, jo vetëm mbi tryezë, si një britmë e vdekur, e cila vijon dhe në kufirin midis shteteve ashtu si dhe në kafkën time.”
Dihet që vepra e kryer pastron edhe autorin e, jo vetëm lexuesin, por sa i përket ‘mëkatit’ të rrëfimit, ai ndodhet i fshehur brenda subjektit të romanit dhe, kryesisht gjatë zbërthimit të karaktereve të protagonistëve të veprës. Romancieri të gjithë ata i shpërfaq sipas teknikave të romanit perëndimor, duke e mbajtur lexuesin në pritje për ta njohur personazhin e protagonistin deri në fund. Shkrimtarit Zhiti i duhet të veprojë kësisoj, edhe kur dihet se Jevtushenko, një mes miqve të vet të shquar, ka theksuar për rrëfimin:
“Si mund të mësojë rrëfimtari ata që janë të humbur e të sëmurë në zemër, kur ai vetë, ndër mëkatarët, është më i keqi dhe më i braktisuri? Është vetëm një lojë që ne luajmë me mëkatet e të tjerëve. Veç kësaj, të gjithë e dimë, se të gjithë gënjejnë duke rrëfyer.
Fjalia që përmbyll epilogun dhe njëherësh romanin: “Dhe fantazmat ishin të pashmangshme.” duke formuar një antimetabolë me prologun e thukët të veprës, ngërthen shqetësimin intelektual të qytetarit dinjitar dhe në të njëjtën kohë edhe kredon e vet artistike:
“… nuk na duan, por u duhemi, jo ne, por vuajtjet tona, idealet, ëndrrat …dhe na i vodhën, ndërkaq duan të mos jemi më, të ikim sa më parë nga vendi, nga jeta dhe kujtesa. Prandaj dhe fantazmat janë të pashmanshme. nga bisedat”
Diskursi i Visar Zhitit është esencialist, por duke kodifikuar subjektin e romanit, nëpërmjet alegorisë morale zbulon të vërteta universale, shpërfaq njohuri të thella filozofike, që i mbajnë nën kontroll unin e vet të brendshëm. Duke shembëlluar artistikisht ekzistencën e realitetit objektiv, autori i shmanget çdo lloj relativizmi, edhe kur i duhet të bëjë humor të zi:
“-I thoshte atij djali inxhinier Farka: ‘Evgjen, ti i ke të gjitha dukuritë e një të çmenduri, përveç çmendurisë’, – dhe ai qeshte. I pëlqente. ‘Jo, – kundërshtoja unë, – ka çmendurië dhe asnjë dukuri të saj.’”
E thukëton këtë lloj humori, duke krijuar antimetabolën tronditëse:
“Përhap zymtësi e dhunim. Ngjan sikur ai pirg na ka bërë ne e jo ne atë.”
Diku tjetër e pasuron ligjërimin e figurshëm me shprehjen popullore:
“Ia dha gurit, u thye; ia dha njeriut, e mbajti. Po çfarë? Krusmën?” (Zhiti, 2026: 23)
Për ta qetësuar disi trysninë e stilit konceptual, shpërfaq bukurinë e vajzës së vetëinternuar në qytezën, ku dergjen të humburit që shtyjnë ditët rreth hotelit të keq (të gërmadhuar?):
“Është si e përhënuar”, – më kishte thënë njëherë me dhembje. Kaq. Si të kuptohej? E bukur si hëna, me ëndrra, apo bukuroshe e fjetur?” Kur flitet për fëmijët: “Fëmijët mos i ço në muze, – më kishte porositur, – në asnjë muze. Më mirë të luajnë me top, edhe në baltë. Sa qejf e kanë një qen!” – “Po ku ta mbajmë?” – “E di ti si thoshte Muhamedi? Më i shenjtë se gjaku i martirëve është boja me të cilën shkruajnë fëmijët.” – “Vërtet, ashtu ka thënë?” – “Po. Po, – tundte dorën Gjergji, – ma ka thënë hoxhë Sabriu (të përkujton Sabri Koçin, Kryetarin e parë të KMSh pas riçeljes së besimit fetar) në burg.”
Në themel të filozofisë së tij etike dhe morale, përkundër individualizmit të tejskajshëm meskin, që dëmton deri atomin social, familjen, vendos kultin e miqësisë. I dëshmon realisht modestinë plot miradie dhe altruizmin, si pasuritë më të mëdha të botës, por fjala shok, mik, njeri, njerëzim i shërbejnë atij si fjalë kyçe në kodimin e kumtit artistik të veprës.
Qëndrimin e vet autori Zhiti e shpreh nëpërmjet botëkuptimit të miqve të vet realë, që në roman ndërthuren shpesh me personazhet irealë. Nuk iu ndahet miqësive të hershme, i ruan me mall, shton miq në udhë e sipër. Në Itali fitoi miqësinë e poetit të emëruar për Nobel Mario Luci; i shkoi në shtëpi familjarisht. Për Zhitin shkroi me respekt e mirënjohje edhe Umberto Ekoja i madh. Madje, miqtë e vet, e lidhin me shokët e miqtë e tyre duke e bërë kështu Visar Zhitin heroin e miqësisë:
“E kam për një shok, – tha Kodra, – i operohet e shoqja dhe do t’ia japim mjekut. Nuk e paguan dot operacionin.” (Zhiti, 2026: 302)
Jo vetëm i ka, por mësyn edhe ta kenë mik, siç e dëshmon me mirësi gjeniu Ibrahim Kodra:
“Këtë pikturë po e bëj për një fëmijë shqiptar, më pëlqeu emri i tij, Atjon, ishte këtu me prindërit, i kam miq. At’jon, Ati ynë, se fëmijët janë dhe etërit tanë. Ai mori penelat e mi dhe po pikturonte pas meje, mrekulli se edhe unë si fëmijë dua të pikturoj. Kur ikën, u bëra nga një portret mbi faqe gazetash. Do ua dhuroj. Shikojini, Visari me Edën dhe foshnja. A ju thashë që ne shqiptarët jemi të bukur, – dhe qeshi.” (Zhiti, 2026: 303)
I qëndron besnik sistemit të vet të mendimit krijues, çka shpërfaqet te figura e piktorit shqiptaro-rus Evgjen H. L., i cili guxon ta pyesë Kodrën luçid, që ‘i ka humbur atdheu…’, me kumtin dëftor:
“Edhe ne kërkojmë të humburit tanë…, – tha Evgjeni. … – Vuajnë më shumë ata që kërkojnë, ndonjëherë më shumë se ata që kërkohen. I kam provuar të dyja: edhe të humb, edhe të më humbasin, – tha me zë të pasmesnatshëm. Pas pak shtoi: – Prandaj jeni kaq të mirë ju. Miqësia është më e madhja e të gjithave, – dhe kapsalliti sytë.” (Zhiti, 2026: 303)
Diskursi artistik i tij, siç thekson filozofi Mishel Fokault (Michel Foucault), nuk mbetet vetëm gjuhë, por dëshmohet si një sistem mendimi që prodhon dije dhe i jep pushtet autorit. Me këtë bazë logjike dhe morale njëkohësisht, krijuesi ka mundur të ngrehë idenë kryesore, e cila kërkon reagimin jetësues të lexuesit të vëmendshëm. E ka bindje që duhet britma e së vërtetës, e cila zëvendëson heshtjen shtirane dhe mashtruese. Kësisoj proza e gjatë e Zhitit ngërthen elemente të shumta poetike, duke dëshmuar realisht se vepra është njëherazi autobiografia personale e shkrimtarit.
Visari ynë nuk u sëmur kurrë nga nakari (Jani Vretoja e quante ves të rëndë të njeriut) e urrejtja që pjell dhunë, të cilat kultivoheshin institucionalisht gjatë sistemit totalitar. Sindroma e tyre nuk është shuar ende në realitetin tonë shoqëror, ndaj duke përcjellë ndjeshmëri të lartë humane, romani grish për dekomunistizimin e individit dhe të shoqërisë sonë në përgjithësi.
Stili konceptual i ligjërimit artistik të Zhitit, e ndihmon të pasurojë stilin funksional të shkrimit me ide dhe fjalor fetar, sepse duket që edhe këtë stil e njeh bukur mirë. Ai ka ditur të mësojë nga tjetri, kushdo dhe kudo qoftë ai. Ndërhyn me elegancë në dialogjet aq pranë me ligjërimin bisedor të personazheve të shumtë, duke mos thënë asnjëherë mendime të zakonshme:
“- Ky fillim shekulli qan me të gjithë fëmijët e botës, – thashë unë. Ashtu më doli. Ngaqë s’po formuloja dot tjetër gjë më të thjseshtë, më bashkëbiseduese. I pëlqeu sentenca dhe ua tregonte miqve në çdo darkë. Zërin e ngadalësonte, me pakëz solemnitet, duke besuar që po më ngjasonte. Vërtet, pse flasim kështu ne, me një si oratori të kacafytur, shpotitëse? Kush na e mësoi? Sikur kisha ndryshuar këtu.” (Zhiti, 2026: 191)
Më poshtë shkrimtari, duke e njohur me profesionalizëm edhe funksionin tjetër të letërsisë, zhbiron karakterin e protagonistit gjatë komunikimit me veten:
“Më bënte përshtypje se këtu e ndienin tjetrin. Thellë. Por dhe jetën e jetonin më thellë, çdo çast, në imtësistë e saj. Duke vlerësuar gjithçka, duke e shndërruar në vlerë. Dhe nisa t’i vëzhgoja. Që të mësoja. Pse ishin kështu? Si? …, gjithnjë thoshin të vërtetën. Si dashuroheshin? Dhe a kishin të shenjtë? Po të huajin si e shikonin, të panjohurin, të humburin. Se i tillë isha, ishim… Unë sikur po doja të mësoja si jetohet. U rrëqetha. Të mos dish si jetohet, kur jeta është po ajo, një herë për këdo, cilidoqoftë ai, kudo. Po kur ta marrin? Kur bëjnë ç’të duan me vitet e tua, i rroposin si …? (Zhiti, 2026: 191)
Kredoja e protagonistit shprehet mes pohimit vetjak (ka disa të tillë), që nga qyteza e internimit të të pazëshmëve, jeton në Milano, në familjen e dy intelektualëve të shquar italianë, miq të Shqipërisë:
“Donim të ishim njerëz, edhe kur nuk lejohej, përsërita atë që thoshte një bashkëvuajtësi ynë. … Dhe po kërkonim Zotin… disa u bënë ateistë më shumë se ç’ishin… sa i doja kishat këtu, futesha në secilën që shihja… Tani donim të ribënim veten. Kishim të drejtë. Po ngriheshim.” (Zhiti, 2026: 192)
Trysnia shtetërore totalitaremerr kësisoj karakter simbolik, sepse ndërhyn në semiotikën e tekstit nëpërmjet sistemit të shenjave, të besimeve fetare apo ateizmit shtetëror, të emërtimeve të institucioneve të tyre përmes të cilave një bashkësi ruan kujtesën dhe përfaqëson identitetin e vet. Në këtë kontekst duhet lexuar edhe romani “Në kohën e britmës”, jo si kronikë e drejtpërdrejtë e kohës, por si tekst artistik, ku përvoja historike përzgjidhet, kodohet dhe shpërfaqet artistikisht.
Duke u vatërzuar te shpirti njerëzor, ekzistenca dhe dhimbja universale, romancieri Zhiti i shërben popullit të vet fisnikërisht: duke e ngritur kulturën e vendit në nivele ndërkombëtare. Ruajtja dhe zhvillimi i gjuhës amtare përmes një stili të lartë letrar është shërbimi më i madh afatgjatë për një komb.
Autori përzgjedh për individualizimin e protagonistëve dhe personazheve emra prej figurave historike apo nga personalitete të fushës: Gjergj Guraziu, Martin Lundra, Evgjen, Afërdita Malo, Atë Frani, Moisi, Teuta, Genc, Nora, Adrian Kurti (të përkujton Albin Kurtin në Kosovë), Mark, Anna Oxa (Ana Hoxha), Petrit, Altin, Amadeo, Adela, Beti. Krijon emra të përveçëm që i shërbejnë individualizimit të personazheve, si Rezana, Evgjen H. L. (të përkujton Eugjen Oneginin, titullin e kryeveprës ruse të Pushkinit gjenial). Kujdes të spikatur ka dëshmuar në gjetjen e emrit të “konsulli i (ç)nderit” Shasho (shkurtim i emrit ‘shasharan’, kokëpërpjetë, arrogant) dhe mbiemrit Qati (nga ‘qatip’, nëpunës i pavlerë, shkresaxhi në kuptimin e figurshëm të huazimit osman).
Të mbetet në kujtesë mënyra si e portretizon dykëmbëshin me kalë (ngrihet rëndom në realitetin tonë moral), i cili arrin të shesë sapunin për djathë, në kohërat kur ‘është shtuar liria, por është pakësuar morali’. Ai vetëdemaskohet kur vendos për emër letrar pseudonimin Hanxhari. Visar Zhiti nuk ndien për këtë tip as t’i vendosë emër dhe mbiemër individualizues, madje Gjergji për të tillë persona do të thotë:
“- Më duken të rrezikshëm për të përditshmen, normalen, njerëz si ai.” (Zhiti, 2026: 141)
Krijon pa pra neologjizma, që të mbeten në kujtesë, sepse janë pranë me ligjërimin bisedor: ujana e madhe për deti; ikësa për të larguarit gjatë eksodeve; e ububushme për alarmuese; statizëm në vend të kontroll shtetëror; i prajshëm, nga praj-hesht etj.
E kërkon me durim të drejtën për të komunikuar jo vetëm me heshtje, por edhe me tinguj të shenjtë metalikë, qëmton shprehje të fuqishme frazeologjike:
“Më pëlqen kambana, e di që janë të ndaluara, por unë i dëgjoj… M’u thinj zëri. Akull në zë. Kori antik i erës…” (Zhiti, 2026: 108)
Bën kujdes në përdorimin e shqipes standard, e pasuron gjuhën me urime, përshëndetje, përbetime, që vijnë nga gegërishtja e folur:
“Ju mfshefi unë, – ju tha prapë. – N’rrethina.” – “Jemi shumë.” – Pasha Kryqin, ju gjej dhe punë, sado kjofshi. Mandej kqyrim me ba letrat, dokumentet, deshta me thanë… I thoni na ka çue ajo e Zojës së Këshillit t’Mirë, kaq.”
Duke e njohur bukur mirë fonetikën e gjuhës shqipe, përdor tingëllimin e saj duke rrokjezuar fjalët:
“Udhëtuat për gjithë natën. Sa më larg. Sa më në Veri. Në vagonin me dërrasa. Evropë dhe dërrasa të prera, të gjata. Të pre-ra, të gja-ta! Të gja-ta, të pre-ra. Pre-ra, preh ra, gja-ta, gjah…ta …rrrr! Ta-ta-ta… Gjysmëgjumë i drunjtë. Dërrasat flinin te ju-u-u-uh. Shi-h-na… mos…”
Shkrimi i vyer në prozën e gjatë letrare duke shembëlluar realitetin nxit një proces shkoqitjeje të tij, krijon një lidhje të thellë emocionale, intelektuale ose estetike me lexuesin, grish lexuesin të lirohet nga iluzioni ideologjik i trashëguar. Njëherazi mbështet fisnikërimin e ndjenjave, duke e mbajtur lexuesin të ngërthyer me ndjesinë e kontrastit dramatik ngjizur nga vetitë estetike të jashtme, nëpërmjet të cilit jo vetëm zbulon, por edhe dëshmon realitetin.
Kur e mbyll faqen e fundit të romanit, jo vetëm ndihesh më i lehtë në shpirt, por edhe me më tepër besim se transformimi i nisur si tranzicion, i cili duhej të kishte përfunduar më herët dhe me më shumë rezultate pozitive, duhet të mbështetet edhe individualisht., kur shihet që jo pak individë kanë dashur, madje dhe duan fatkeqësinë e vet.
Kohërat u përkasin qëndrestarëve, prandaj romani “Në kohën e britmës” fton të mbështetet dhe ëndërrohet masivisht procesi i katarsisit dhe ai i emancipimit shoqëror:
“Na ishte një herë një njerëzim i bukur, i bukur, i braktisur nga komunizmi si nga një baby-sitter, ndërsa larg, shumë larg, bënin qejf të ftohtë prindërit, po, po qejf të ftohtë, thosha, tëezënë me punëra të tjera të rëndësishme (kupto: kapitalizmi, dhe më vinte turp që e politizoja imagjinatën). (Faqe: 208)
Dhe, me që ëndrra do kohë të bëhet realitet, autori kërkon ndihmë, i bindur që do të marrë përgjigje pozitive:
“Zot, bëj që të kemi gjithnjë britmë!” (Zhiti, 2026: 208)
Qysh në krye të veprës voluminoze në prozë dhe, jo më pak në poezi, ndihet që Visar Zhiti beson te vlerat humane të njeriut. Autori shpërfaqet në roman nëpërmjet zërit të një riu, që kuvendon me pleqtë në prani të Petrit Guraziut, vëllait të Gjergjit, një nga protagonistët kryesorë të romanit:
“- E kam dhënë një herë provim historinë, tani e ka radhën historia të japë provim tek unë, ha-ha,ha!
– Këput zverkun, se akoma i ke buzët me qumësht!
– Jo me gjak, jo!” (Zhiti, 2026: 20)
Visar Zhiti nuk dëshiron të mbetet ‘ende ai i gurit dhe i hobesë’; ai di të pranojë porosi, e jo vetëm të japë kësisoj. Orientohet nga verbi i Nobelistit Salvatore Kuazimodo (Salvatore Quasimodo), i cili sipas mendimit të vet ‘mbetet thellësisht human: njeriu duhet të mësojë të mos e përsërisë më tragjedinë e etërve dhe ligësitë e vetes…’
Shkëmbimet mes të mëdhenjve të letërsisë zgjojnë interes për masën e lexuesve, siç ndodh me përkthimin e Visar Zhitit të tercinës së Kuasimodos “Dhe menjëherë vjen mbrëmja”, së cilës i mbronte rimën e vetme:
“Secili është vetëm në tokë, te zemra, / i çarë nga një rreze dielli / dhe menjëherë vjen mbrëmja.”
Për thukëtinë mahnitëse të vetëm tri vargjeve ai do të shkruajë:
“Kaq e shkurtër dhe kaq tingëlluese, kaq e përjetëshme, e bukur deri në pikëllim hyjnor. Të jetë ky thelbi i Quasimodos që nga heshtja dhe tragjedia e kohës, të kërkosh të nxjerrësh gjithmonë dinjitetin njerëzor, paqen dhe humanizmin… dhe poezinë.”Top of FormBottom of Form
Mbrëmja po rrallon përditë brezin e heshtur, që u poshtërua deri në skajin e të qenit Njeri. Shpresoi aq shumë e, përsëri pret… Procesi human, etiko-moral dhe shoqëror i dekomunistizimit filloi ligjërisht qysh në Qeverinë e Stabilitetit duke u shndërruar thjesht në një fjalëkyç të ligjërimit të përditshëm bisedor, pa u bërë dot kryefjala dhe sprova e drejtësisë, që Shqipëria u bëri krimeve shtetërore. Procesi i demokracisë u zvarrit pafund institucionalisht, nuk dha rezultatet e pritshme, kurse ecuria e tij nuk u mbështet sa dhe si duhet nga shoqëria. Çelja e kutisë së Pandorës, do t’i bëhej krah e, jo nyje e pazgjidhur, tranzicionit shqiptar.
Totalitarizmi ndoshta nuk synon të rikthehet si ideologji zyrtare (veçmas pas gjëmës që la pas rënies së vet), por ai shfaqet si mendësi, kësisoj mosndarja me bindje prej tij mbetet si mekanizëm i trashëgimisë moniste e deri nostalgji për të. Brezi i ri rrezikon edhe më tepër, duke mos njohur arsyet e shumë prej plagëve, që ende nuk janë zgjidhur. Prandaj Visar Zhiti përcjell porosinë për edukatorët e kësaj gjenerate:
“Dhe ne jemi ajo që dimë të ruajmë.” (Zhiti, 2026: 328)
I djegur nga qulli, autori i fryn dhe kosit, me mundësitë e pafundme që jep krijimtaria (ul mjaft ekspozimin ndaj rrezikut të kompromentimit intelektual), e cila nuk pasqyron atë që ndodhi, sepse nuk lidhet me kohën historike; atë që po ndodh apo do të ndodhë, por atë që mund të ndodhë, në qoftë se larg qoftë shuhet koha e britmës; ‘Britmë, kohë e saj kur mbijeton një regjim pasi ka vdekur?’:
“Në harrim, ku edhe britmat vdesin… Gjithçka u rrënua menjëherë. S’do të kishte rrëfim. U zhduk dhe vazhdimi, shkoi tek të humburit e vet, e shtyrë pa kthim, ndoshta nga të njëjtët policë…” (Zhiti, 2026: 329)
Ligjërimi artistik zhitjan është vatërzuar te kujtesa, identiteti, roli i imagjinatës dhe fuqia emancipuese e artit në interpretimin e së shkuarës, për të kapërcyer poshtërimin historik përmes forcës së narrativës (Ypi, Prishtinë, 25 gusht 2026.) Gjithkund në roman ndihet mbështetja e ndjeshmërisë humane, që i bëhet krah lexuesit të kuptojë më mirë veten dhe tjetrin, duke rritur nivelin kulturor të shoqërisë.
Duke i sugjeruar publikut veprën e Visar Zhitit, poeti i papërsëritshëm Ali Podrimja la amanet me porosinë:
“… lexojeni pra, Visar Zhitin, se liroheni nga iluzioni. Gabimisht keni dashur fatkeqësinë tuaj…”
Qëllimi që realizon vepra është më i rëndësishëm se qëllimi i lexuesit apo ai i autorit Zhiti, të cilit i përkon aq pastër urtësia e Rumiut gjenial:
“Unë humba gjithçka, por gjeta veten.”
Tashmë së fundmi vepra letrare e Visar Zhitit, i përkthyer në disa gjuhë të Evropës, nisi të lexohet edhe përtej oqeanit Atlantik. E megjithatë ai nuk di të tërhiqet nga misioni që i ka vënë vetes, mbetet qëndrestari i thukët duke mishëruar porosinë e Jevtushenkos, mikut të vet të paharruar:
“Bëhu i barabartë me talentin tënd, jo me moshën. Le të jetë i turpshëm ndonjëherë hendeku mes tyre.”
BIBLIOGRAFI:
Eco, U. “Opera aperta”, 1962, rev. 1976 – English translation: The Open Work, (1989)
Eco, U. “Lector in fabula”, Bompiani, Milano, Itali, 1979.
Wisdom of Rumi: “I lost everything. I have found myself.” (“Unë humba gjithçka, por gjeta veten.”)
Ypi, Lea. “Dinjiteti dhe padrejtësia historike: historia e një familjeje shqiptare”, Seminari Ndërkombëtar, Prishtinë 25 gusht 2026.
Zhiti, Visar “Në kohën e britmës”, Onufri, Tiranë, 2026.



