Kreu Letërsi Shënime mbi libra Prof. univ. Dr. doc. Alexandru Balaci: Një studim i shkëlqyer në fushën...

Prof. univ. Dr. doc. Alexandru Balaci: Një studim i shkëlqyer në fushën e letërsisë krahasimtare

“Paradigmat e vetmisë në poezi”, nga Luan Topçiu

Libri Paradigmat e vetmisë në poezi është një studim i shkëlqyer në fushën e letërsisë krahasimtare. Autori i tij dëshmon aftësi të rralla për të dhënë gjykime me vlera shkencore në fushën e ndërlidhjeve të ndërsjella kulturore në lirikën shqiptare dhe rumune.

Që në fillim, në një kapitull interesant të titulluar “Ballkani si hapësirë kulturore”, autori dëshmon njohuri të thelluara mbi filozofinë rumune, të ilustruara dhe të aplikuara përmes nocionit të “hapësirës mioritike” në horizontin hapësinor dhe shpirtëror të zonës ballkanike. Valëzimi i famshëm i “hapësirës mioritike” që sugjeron filozofi Lucian Blaga është gjeneruar nga lëvizja: “ngjit” një shpresë dhe “zbret” një zhgënjim. Në mbështetje të tezës së tij, autori përmend edhe Mircea Eliade-n dhe Karl Krumbacher-in, duke argumentuar në mënyrë racionale mbi këtë njësi kulturore, e cila, sipas tij, mund të ketë origjinën në Perandorinë Bizantine. Mbi këtë bashkëjetesë dhe konvergjencë shpirtërore kanë shkruar edhe historianë rumunë, të përmendur nga Luan Topçiu në një listë revelatore, që nga Hasdeu, Xenopol, Pârvan, deri te Nicolae Iorga.

Kjo afri shpirtërore është, sipas autorit të këtij libri, më e theksuar në fushën e ashtuquajtur prej tij si “përkime gjuhësore” (në leksik, fonetikë etj.). Fondi i përbashkët, i dokumentuar në shekullin e kaluar nga B. P. Hasdeu, dhe më pas nga Grigore Brâncuș dhe gjuhëtari shqiptar Eqrem Çabej, nënvizon marrëdhëniet dhe lidhjet e ngushta, në hapësirën ballkanike, midis gjuhës shqipe dhe asaj rumune.

Bindëse, tejet të qarta, dhe herë-herë patetike janë faqet që trajtojnë paralelizmin në sferën e ndjenjës dhe të shprehjes lirike në letërsinë e të dy popujve, në lidhje me dy fjalë me të njëjtin kuptim: mall dhe dor. Këto faqe përbëjnë një studim të kujdesshëm, të përshkuar nga një intuitë kritike dhe një trajtim relativ të domethënies së nocioneve dhe entiteteve të shprehura në të dy fjalët, duke dëshmuar një inkursion pothuajse shterues të autorit në një biografi të gjerë dhe thelbësore.

Ndiqet me vëmendje dhe pjesëmarrje, me nuancime të holla kritike, historia semantike e fjalës “dor”, objektivizmi i saj lirik. Sillen argumente bindëse nga vepra e disa filozofëve si Lucian Blaga apo Constantin Noica. E njëjta vëmendje kritike i është kushtuar paralelisht edhe fjalës binjake shqipe mall, konsideruar si temë apo çelës interpretues në lirikën shqipe. Pas një argumentimi të hollësishëm nga ana e autorit, mund të pranohet pohimi i tij themelor se “malli lindi dhe u mbrujt në kushtet e transhumancës, të vëllazërimit me natyrën.”

Ndjenja e mallit dhe vetmia nostalgjike e gjeneruar nga përshkrimi i hapësirës dhe nga rrjedhja e kohës pasqyrohen thellësisht në marrëdhënie me hapësirën-kohore në lirikën e të dy popujve. (Interesant është studimi i thelluar mall–dor, në tematikën erotike, ku këto fjalë-ndjenja emblematike janë konsideruar përtej nostalgjisë, si gjeneruese të një energjie ekzistenciale dhe që, sipas konkluzionit të Luan Topçiut, dëshmojnë të jenë më komplekse në lirikën popullore rumune.)

Pjesa qendrore e librit i është kushtuar pranisë së mallit në letërsinë e lavruar, rumune dhe shqiptare. Në faqet e tij, autori thekson kompleksitetin e lirizmit individual përkundrejt atij kolektiv të folklorit.

Shembujt që dëshmojnë kalimin e teksteve që spikasin për një talent të shquar përkthyesi dhe kritiku, ndihmojnë në përshkrimin e evolucionit të spektrit semantik të fjalës dor në krijimtarinë e artit letrar të Costache Conachi, Iancu Văcărescu, Enăchiță Văcărescu, Anton Pann, Gheorghe Asachi, Eliade Rădulescu, Dimitrie Bolintineanu, Vasile Alecsandri.

Një kapitull i posaçëm i kësaj qendre tematike i është kushtuar “shtysës” kulmore të mallit në krijimtarinë emineskiane, ku malli shfaqet si përmasë e së pakufishmes. Një citat nga libri është domethënës: “…Vepra emineskiane sjell në letërsinë botërore universin më të pasur dhe më të nuancuar të mallit…” Ndërsa për Lucian Blagën, filozof i kulturës, malli përcaktohet në trinomin udhë–mall–udhëtar, duke gjeneruar vazhdimisht shpresë dhe dashuri.

Senzualiteti i gjeneruar nga dëshira për të jetuar plotësisht përshkon, përmes evolucionit lirik të poezisë së Blagës, përmasat kozmike. Askush më mirë se ai nuk ka ndjekur me aq intensitet mrekullinë e oborrit të mallit (vizione drite dhe fshehtësie në deshifrime kozmogonike). Në të vërtetë, poeti është ai që do të trokasë në portat e mëdha prej bronzi, plot mister, të botës së kësaj ane dhe të asaj së përtejme. (Luan Topçiu përmbledh mbresat e drejtpërdrejta në pasionin e leximit që befasojnë me hollësi të dallueshme, duke zbuluar magjinë e artit të poetëve të studiuar.)

Kapitulli kushtuar dor-it/mall-it në poezinë e lëvruar shqipe është, për çdo lexues të vëmendshëm të studimit të Luan Topçiut, revelator në fushën e letërsisë krahasimtare, duke qenë një tjetër dokumentim i qartë i evolucionit semantik dhe tematik të kësaj fjale emblematike për spiritualizmin e të dy popujve.

Denduria e saj është më e theksuar në periudhën romantike, te poetët që u drejtuan kah gurrat e kthjellëta të folklorit. Janë të analizuara, me vëmendje pjesëmarrëse dhe me përkujdesjen e një studimi racional, veprat e disa prej shkrimtarëve më përfaqësues të letërsisë shqipe, si: Jeronim de Rada, A. Ribek, Zef Serembe, Naim Frashëri (poeti kombëtar shqiptar), Andon Zako Çajupi.

Me interes të posaçëm janë faqet kushtuar pranisë së mall-it në veprën e tre shkrimtarëve shqiptarë nga “Bukureshti”: Asdreni, Poradeci, Kuteli, duke shënuar një shkallë të epërme dhe një lartësim intelektual, me meditime të thella mbi unin krijues dhe mbi marrëdhëniet me universin. Duke jetuar dhe shkruar në Rumani, ata hyjnë në konvergjenca shpirtërore me letërsinë e këtij populli, nën shenjën e romantikut të madh europian, Mihai Eminescu.

Të tre shkrimtarët janë paraqitur në tre medaljone të shkëlqyera letrare, ku evokohen aspekte të panjohura nga Bukureshti, i konsideruar kryeqyteti i Ballkanit dhe selia e një qendre të rëndësishme shqiptarësh.

“Shkrimtari i parë bukureshtas” është Asdreni (1872–1947). Poezia e tij meditative (me disa ndikime nga Eminescu dhe Arghezi) i drejtohet njeriut universal.

“Bukureshtasi i dytë” është Lasgush Poradeci (1899–1987), student në Belle Arte dhe në Teologji në Bukuresht, doktor shkencash në Graz, me një tezë mbi Eminescu-n. Ai është konsideruar poeti më i rëndësishëm i Shqipërisë moderne, i përqasshëm me Baudelaire-in dhe në interferencë me artin kozmogonik të Eminescu-t.

Medaljoni i tretë (seria e tre shkrimtarëve është tejet interesante për të vendosur edhe karakterizimin e marrëdhënieve kulturore rumune me spiritualitetin europian) i është kushtuar Mitrush Kutelit (1907–1967), student në Bukuresht, përkthyes i Eminescu-t, i cili u manifestua edhe në poezi, duke qenë ndër prozatorët më të shquar të letërsisë shqipe bashkëkohore.

Të tre shkrimtarët kanë qenë të përfshirë nga magjia e entitetit të mallit, duke depërtuar në zona të fshehta të subkoshiencës së paqartë, në një huajësim që ndodh në kontaktin metafizik me një ekzistencializëm quasi-onirik. Në poezinë e Lasgush Poradecit, malli merr kuptimin e një “migrimi” shpirtëror, një përkushtim absolut ndaj fjalës-simbol. Gjendja e thellë onirike i jep fjalës cilësi hermetizuese, duke rritur kënaqësinë e lexuesit për të deshifruar në mënyrë mbresëlënëse kuptimet e fshehta. Përmes tij, në poezinë shqipe depërton poezia e misterit.

Bindëse është edhe ekzegjeza kritike e faqeve të këtij libri, që analizon me imtësi paralelizmin Eminescu–Poradeci, duke mbërritur në një konkluzion – ndonëse të diskutueshëm – për Eminescu-n, si romantiku i fundit europian, dhe për Poradecin, si postromantiku që përfaqëson një poezi më moderne dhe më komplekse. Luan Topçiu e konsideron edhe Mitrush Kutelin të denjë për të hyrë në këtë “matricë stilistike”.

Një tjetër medaljon provokues, i titulluar në mënyrë simbolike “Victor Eftimiu – Urë lidhëse”, është shkruar me një simpati të veçantë intelektuale për këtë shkrimtar të rëndësishëm rumun me origjinë shqiptare.

Kapitulli V trajton mallin në letërsinë rumune dhe shqiptare të pasluftës, duke afirmuar praninë e tij në një sërë autorësh përfaqësues të letërsisë bashkëkohore të të dy popujve. Vëmendje e posaçme i kushtohet “Metafizikës së mall-it në poezinë e Nichita Stănescu-t”, ku mall-i vendoset krahas “motivit të lundrimit…”. (Vëzhgimet kritike të Luan Topçiut përbëjnë ndër interpretimet më të rralla dhe më të stërholluara të veprës së poetit që mbetet gjithmonë simbol i poezisë së pyetjeve thelbësore të ekzistencës.)

Në një simetri të vlerave të artit të fjalës në hapësirën shqiptare të sotme, evokohet malli si vetmi nostalgjike te Ismail Kadareja, i cili, natyrisht, “zë vendin e parë në letërsinë shqiptare”.

Në fjalën përmbyllëse, autori e argumenton me qartësi dhe koherencë finalitetin e këtij hetimi, duke u mbështetur në nxjerrjen në pah të domethënies së gjerë dhe komplekse të fjalës dhe ndjenjës së mall-it, në një krahasim të dy letërsive – shqipe dhe rumune – në të gjitha seksionet e parashtruara: poezia gojore, poezia klasike dhe poezia bashkëkohore, me shpjegime të gjera për vetminë nostalgjike dhe mallin, si në planin gjuhësor, ashtu edhe në atë shoqëror.

Mund të pohojmë me bindje se ia ka dalë mbanë plotësisht.

Exit mobile version