Kreu Letërsi Shënime mbi libra Prof. dr. Skënder Asani: Filozofia dhe teologjia e Shën Nënës Tereze sipas...

Prof. dr. Skënder Asani: Filozofia dhe teologjia e Shën Nënës Tereze sipas Don Lush Gjergjit

Don Lush Gjergji, me këtë libër risjell një këndvështrim të tij, si rrjedhojë e raportit që kishte Shën Nënë Tereza me temat dhe problematikat  komplekse të njeriut në rrethana e kontekste të caktuara, siç mund të jetë edhe  kuptimi mbi dashurinë tokësore dhe hyjnore, ku dashuria, sipas autorit, është parakusht jete në plotësi, kurse kërkimi i dashurisë në mënyrë indirekte, është kërkimi i Zotit, burimit të jetës, dashurisë dhe pavdekësisë. Për ta bërë më të fuqishme bazën argumentuese mbi këtë temë, Don Lush Gjergji sjell konceptin mbi dashurinë sipas Shën Gjonit që mbështetet në tre parime apo pohime:
Pohimi i parë: “Kush nuk ka dashuri, nuk e ka njohur Hyjin, sepse Hyji është dashuri.” (1 Gjn 4,8).

Pohimi i dytë: “Frikë në dashuri nuk ka, sepse dashuria e përsosur e përjashton frikën, pse frika e nënkupton ndëshkimin.” (1 Gjn 4, 18). Pohimi i tretë: “Nëse dikush thotë: “E dua Hyjin”, e këndej e urren vëllanë e vet, është rrenacak… Kush e do Hyjin duhet ta dojë edhe vëllanë e vet.” (1 Gjn 4, 19. 21).

Në rrafshin teologjik e filozofik këto tre pohime, sipas autorit, janë në fakt parime mbi të cilat mbështet jeta dhe vepra e Shën Nënës Tereze, e cila në një rast i kishte thënë Don Lush Gjergjit: “Kudo që shkoj shoh një gjë: njerëzit kanë shumë nevojë për Zotin, dhe për këtë ne duhet t’u ndihmojmë në kërkim të Tij dhe në gjetje të Tij. Kjo për ne, domethënë bota e sotme, mbi të gjitha ka nevojë për Dashuri – domethënë për Zotin.”

Libri që po i ofrohet lexuesit është një bashkëshoqërim në mes të leximit hermenautik të doktrinës biblike nga autori dhe dioptrisë botëkuptimore fetare e njerëzore të Shën Nënë Terezës. Si njëri prej njohësve më të spikatur të jetës dhe veprës së Shën Nënës Tereze, Don Lush Gjergji përmes këtij libri na shpie në shtresat më komplekse të ndërveprimit dhe ndërkomunikimit në mes të kësaj doktrine dhe porosive të Shën Nënës Tereze. Duke e  bashkëdyzuar komponentën aktive dhe kontempaltive në jetën e njeriut, Don Lush Gjergji ka arritur ta zbërthejë këtë tërësi botëkuptimore të Shën Nënës Tereze teksa konstaton se: “Nuk ka veprim pa dërgim, ose edhe më qartë: Kurrë nuk duhet të ndahet Zoti prej njeriut dhe anasjelltas, njeriu prej Zotit…”

E veçanta e këtij libri është se autori përmes një vëshgimi të stërholluar ka arritur të venerojë plagët sociale, shpirtërore e ekonomike të njeriut të sotëm, duke nxjerrë në plan të parë mungesën e gjallërisë dhe ngrohtësisë nëpër shtëpitë tona, si pasojë e largimit të njerëzve, gjegjësisht fëmijëve, dhe zhvendosjes së tyre në dhena të huaja. Këtë gjendje autori e ilustron më së miri me thëniet nga gurra popullore shqiptare: “S’ka shtëpi pa pleq dhe fëmijë” ose “Mjerë ajo shtëpi që nuk ka pleq dhe fëmijë.”
Autori  jo rastësisht e prek këtë problematikë, dhe kjo mund të jetë një prej analizave të rralla edhe në literature tone shkencore  që i bën ai trajtave socio-patologjike të jetës sonë, teksa konstaton se dy skajshmëritë e jetës tashmë janë të cunguara dhe pjesërisht edhe të dëbuara: zanafilla e jetës, fëmija, si dhe perëndimi i jetës, të moshuarit.

Mëkatet janë të natyrave dhe tipologjive të ndryshme. Edhe mbi këtë çështje, autori thërret në “ndihmë” Shën Nënën Tereze, nga e cila shkëput këtë pikëpamje të saj: “Mëkati më i madh është mungesa e dashurisë, indiferenca e tmerrshme për të afërmin, që lëngon nëpër rrugët e botës, si viktimë e shfrytëzimit, korrupsionit, moskujdesit shëndetësor, padrejtësisë. Mëkati na përndjek, është i pranishëm në ne. Mirëpo kurrë nuk duhet të dorëzohemi dhe dëshpërohemi. Nuk duhet të ndihemi dhe të jemi të pashpresë… “

Fjala më e përmendur në librin që kemi në rote, është dashuria. Autori, duke përdorur instrumente të shumta gjuhësore nga semantika biblike e kulturologjike, përgjithësisht, nxjerr derivate të shumta nga kjo fjalë, të cilat i vendos në kontekst të rikuptimësimit gnoseologjik e sakral, sipas porosive të Shën Nënës Tereze, të cilën madje e quan  “rrezja e dashurisë së Zotit”. Për ta bërë sa më kuptimplotë fjalën dashuri, autori operon me një vëzhgim të thellë në shtresat kuptimore të kësaj fjale, duke marrë në shqyrtim edhe thëniet e Shën Nënës Tereze, e cila thoshte: “Të gjitha fjalët do të jenë të padobishme, nëse nuk rrjedhin nga thellësia e zemrës…. Ju jeni ata që mund ta mbushni botën me dashurinë që Zot iu ka dhuruar.
Bota ka etje dhe uri për Zotin Dashuri…Të varfëritë kanë uri për Fjalën e Zotit, për Bukën e Jetës. ….Dashuria shëron vetminë…Dashuria është e natyrshme, si frymëmarrja..”

Kujdesi për të tjerët është një ndër virtytet themelore të altruizmit, të flijimit dhe dhurimit, të njeriut që me sy sheh, me mend kupton dhe me zemër vepron, një koncept ky i mishëruar thellë në botëkuptimin e Shën Nënë Terezës, e cila ngulmonte që kujdesi për të tjerët, përfundimisht duhet të jetë  shenjë e zemrës së mirë dhe të madhe, të njeriut që në tjetrin (ën) gjen dhe sheh vetveten, vëllain apo motrën.
Don Lush Gjergji ka arritur që perms përshkimeve të detajuara të jap edhe portretin shpirtëror të njeriut të sotëm, me ç’rast ai ka vërejtur se në fytyrat e njerëzve të sotëm nuk shihen vijat e dikurshme të disponimit që sillnin hare e buzëqeshje. Por edhe ky ndryshim në jetën e njerëzve tanë, ka shpjegim dhe është Shën Nëna Tereze, e cila qysh moti  është munduar të gjejë shkaqet që shpiejnë në këtë gjendje.

 “Gëzimi është një nevojë, një dhuratë e madhe për të tjerët, por edhe për ne, është flaka e dashurisë në ndezje. Gëzimi është uratë, gëzimi është fuqi, gëzimi është dashuri në veprim. Gëzimi është rrjeti i dashurisë ku mund të “peshkohen” shpirtrat e njerëzve. Zoti e do njeriun që dhurohet me gëzim. Mënyra më e mirë për ta treguar falënderimin tonë ndaj Zotit dhe ndaj të afërmit është ta pranojmë shoqi-shoqin me gëzim…”, thoshte Shën Nënë Tereza, fjalët e së cilës edhe sot tingëllojnë aktuale.

Libri, përpos lëndës përmabjtësore me tema e ide që autori i ka përzgjedhur t’i trajtojë, përshkohet fund e krye edhe me thënie të Shën Nënës Tereze, të cilat në secilën kohë kanë kuptim dhe në çdo rrethanë japin përgjigje për dilema e shqetësime të shumta.
Për ta bërë sa më të kompletuar këtë panoramë të jetës dhe veprës së Shën Nënës Tereze, autori në libër shjell edhe tre “stacionet” e rrugëtimit dhe veprimit të saj: jeta, risitë dhe trashëgimia, kurse si mbështetje e gjithë kësaj vjen një intervistë autetnike që autori e kishte zhvilluar me protagonisten e këtij libri, më 10 dhjetor 1979, në Osllo, me rastin e nderimit të saj me Çmimi Nobël për Paqe.

Exit mobile version