Kreu Intervista Prof. Dr. Mimoza Hafizi: Përmes romaneve të mi fantastiko-shkencorë transmetoj dijen dhe...

Prof. Dr. Mimoza Hafizi: Përmes romaneve të mi fantastiko-shkencorë transmetoj dijen dhe si personazhe kam lëvruesit e dijes

Bisedoi Andreas Dushi

A.D.: Pas një karriere të gjatë akademike e cila vijon akoma në fushën e astrofizikës, vendosët që një pjesë të përvojës tuaj ta shprehni nëpërmjet letërsisë. Kjo, për mua që ju njeh prej disa vitesh, kohë kur mbanit veshur petkun e politikanes, ishte befasi e po njëlloj, edhe për të tjerët, besoj. Cila qe shtysa e parë që ju nxiti ta ndërmerrni këtë iniciativë?

M.F.: Është e këndshme të vërej se pyetja juaj ka përfshirë brenda vetes edhe fjalën kyç të përgjigjes sime: politikën. Mund t’ju konfirmoj se romani im i parë e ka shtruar rrugën e vet përmes turbullirave të një zhgënjimi politik, i cili arriti kulmin kur pashë të më shembej para syve partia ime politike me emrin Libra. I kisha falur energji të pakursyera për ta krijuar. Por, gjithë ajo ëndërr, gjithë ajo shpresë që mblodhi rreth vetes me qindra njerëz të rinj e që fitoi në pak kohë besimin e disa dhjetë mijë shqiptarëve, ra nën peshën e rëndë të realitetit tonë politik, ku hileja dhe intriga janë shndërruar në norma funksionimi.

Goditja e kësaj ngjarjeje më tronditi, më mbushi me hidhërim, me zemëratë e me gjithfarë emocionesh të këtij lloji, që duhej medoemos t’i shkarkoja diku. Sigurisht jo përmes inatit, urrejtjes e mllefit. Duhej të kryeja një akt pozitiv.

Asokohe, më shumë se kurdoherë, faqet e revistave shkencore nuk reshtnin nga lajmet mbi zbulimin e planeteve të reja jashtë sistemit diellor, që ndryshe quhen dhe ekzoplanete. Këto objekte aq të vështira për t’u gjetur dhe aq të kërkuara prej nesh, po shfaqeshin përherë e më interesante. I tillë qe dhe Proxima b, ekzoplaneti më pranë nesh në të gjithë galaksinë. Dukej që ishte shumë afër mundësive për të zhvilluar jetë.

Edhe media shqiptare po tërhiqej nga këto lajme. Herë pas here më ftonin në emisionet e tyre për të shpjeguar.

– Në Proxima b mund të mos ketë natë. – Ky qe mendimi i parë që më erdhi në ato ditë trishtimi. – Nuk ka natë as në shumë planete që gravitojnë rreth disa yjeve të tjera, në ato planete që duke u sjellë rrotull, e kanë arritur ekuilibrin e duhur për t’i kthyer yllit të tyre gjithë kohën të njejtën faqe. Ashtu si Hëna na kthen ne vetëm njërën faqe të saj. Kjo do të thotë se në gjysmën e sipërfaqes së këtyre planeteve nuk ka natë. Ka vetëm ditë.

Dita dhe nata! Në jetën time politike kisha arritur të njoh edhe karaktere njerëzore të zinj si nata-ky është krahasimi në fjalorin popullor.

– Po si mund të jetë një qenie e lindur në një qytet pa natë? – qe mendimi i dytë që më pushtoi tërësisht.

Pikërisht ky mendim arriti të mbidhte rreth vetes shumë energji të shpirtit së trazuar e t’i derdhte në fjalë, fjali, paragrafë e kapituj që mëtuan të shprehin më të bukurën e asaj çka njeriu ka zbuluar në këtë fushë të kërkimit shkencor. Këto energji u trupëzuan në personazhe që punojnë për të kuptuar Tokën, qiellin, Universin.

Përmes atyre planeteve të largëta e të larmishme që mendja njerëzore ka arritur t’i kuptojë, unë bashkë me personazhet e mia do të meditoja edhe për gjurmët që dita dhe nata tokësore, e nxehta dhe e ftohta, acari dhe përvëlimi, errësira dhe drita kanë lënë mbi njerëzit dhe karakteret e tyre.

Kështu lindi ‘Pika Trëndafil’, romani im i parë, i cili më bëri të jem dhe autorja e romanit të parë shkencor në gjuhën shqipe. Ai iu dedikua zbulimit të planeteve jashtë sistemit diellor. Mbante emrin e Proxima b – Pika Trëndafil në stilin letrar.

Vala e dhimbjes kishte kaluar bashkë me daljen e tij në dritë.

A.D.: Më së pari, ju keni një angazhim akademik. Së dyti, sikundër e ceka fare pak më lart, dhatë një kontribut si politikane. Tani shkruani dhe dijet akademike i paraqisni në mënyrë të thjeshtuar për të gjithë, por sigurisht më tepër për të rinjtë e fëmijët. Te cila prej këtyre tri lamieve të ndryshme nga njëra-tjetra ndiheni më mirë?

Aktualisht ndihem më mirë me të tretën, letërsinë shkencore, se është më e reja për mua dhe ende jo krejt e eksploruar. Gjithashtu, në këtë fazë të jetës sime dhe të botës ku po jetojmë, letërsinë shkencore e përjetoj edhe si angazhimin tim më të dobishëm. Sepse në epokën e informacionit që qarkullon brenda sekondës e pa asnjë barrierë, e vërteta dhe e gënjeshtra shfaqen kaq pranë, sa njerëzit e kanë përditë e më të vështirë t’i shquajnë nga njera-tjetra. E kam fjalën për të vërtetën shkencore, e cila mbi gjithçka tjetër i përafrohet së vërtetës absolute. Në këto kushte, e ndiej si detyrë, si mision, që këtë të vërtetë t’ia ofroj të tjerëve me aq sa mundem e me aq sa kam kompetencë. Dhe fantazia letrare më duket si rruga më tërheqëse për këtë komunikim. Shkenca e thjeshtëzuar e ka mundësinë të shkojë pa vështirësi te grupe më të mëdha njerëzish, mjafton që ata të jenë kureshtarë e të interesuar. 

A.D.: Në vijim të arsyetimit tuaj, për astrofizikën dhe shkencat ekzakte në përgjithësi, një problematikë shumë e madhe është njësimi i kurioziteteve me dijen. Kështu, shpesh, një libër me kuriozitete trajtohet me po atë seriozitet si të ketë të njëjtën peshë me një libër që tejçon dije të përnjëmendtë. Sa mendoni se kontribuon letërsia shkencore për fëmijë dhe të rinj në qartësimin e këtij dallimi thelbësor dhe orientimin e lexuesit nga dija, jo kuriozitetet?

M.F.: Kureshtja është një nga prirjet themelore të njeriut, ajo është shtysa e parë që e çon njeriun drejt studimit të natyrës e drejt zbulimeve të vogla e të mëdha.  Por, sigurisht që ajo nuk mjafton. Njeriu, kërkuesi shkencor, duhet të shpenzojë shumë energji e të punojë pareshtur që kureshtjen ta kthejë në dije. Natyra nuk i fal sekretet e saj. Ajo ia dorëzon vetëm atyre që i meritojnë, që u përkushtohen, që i besojnë dhe i respektojnë. Në këtë marrëdhënie mes kureshtjes dhe dijes, letërsia shkencore për fëmijë e të rritur mund të shihet si një lidhje ndërmjetëse. Ajo i shpie njerëzit tek e panjohura në një mënyrë të tillë që ta ndiejnë e të kenë dëshirë ta kuptojnë. 

 Letërsia shkencore na ka munguar në Shqipëri. Shpresoj të fillojë të shkruhet edhe nga specialistë të fushave të tjera, ndonëse e di se sa e vështirë është për t’u zhvilluar. Më besoni se është pafundësisht më e thjeshtë të shprehësh një rezultat shkencor përmes formulave matematike, sesa përmes metaforave, epiteteve, krahasimeve, e mjeteve të tjera letrare. Por, ia vlen ta bësh këtë përpjekje, që të tjerët ta kenë të mundur t’i kapin pa u lodhur ato që konsiderohen dije të vështira.

A.D.: Planeti tokë ngërthen brenda vetes mjaft mistere, aq më tepër në raport me pafundësinë e universit. Ky fakt i bën të gjithë kureshtarë të dijnë më shumë, por sidomos fëmijët që kërkojnë të njohin përherë e më tepër, duke sfiduar shpesh edhe të rriturit. Romani juaj Duke pritur Supernovën, është një burim informacioni real për to, vendosur në sfondin e një historie të trilluar. Një konceptim i tillë i librit, mendoni se e bën më të thjeshtë për fëmijët të kuptojnë të këtilla çështje, shpesh të komplikuara edhe për të rriturit?

Romani ‘Duke Pritur Supernovën’ është përpjekja ime e parë për të shkruar për moshat e nxënësve të nëntëvjeçares. Kam hezituar gjatë ta ndërmarr këtë përpjekje. Nuk kisha besim te vetja se mund t’i përafrohem gjuhës dhe mendimit të këtij brezi. Gjithë jetën kam punuar në universitet, me studentë që e kanë kapërcyer adoleshencën. Edhe fëmijët e mi janë prej shumë kohësh të rritur.

– A do të di të gjej gjuhën me këtë brez?- kam pyetur veten me frikë.

– Le ta provoj, – iu përgjigja një ditë vetes dhe atyre që më nxitnin. – Po pata gabuar e kam zgjidhjen, nuk e fus fare librin në botim.

Mirëpo miqtë që e lexuan të parët, ish-studentë të mi që japin mësim prej vitesh në shkolla nëntëvjeçarë, më qetësuan e më siguruan se librin është i përshtatshëm për qëllimin e vet.

Në këtë libër astronomët parathonë se një supernova mund të ndodhë së shpejti.  Një yll i ri do të shfaqet në qiell. Ai do të shkëlqejë më fort se të gjitha yjet e tjera. Ka katër shekuj që një ngjarje e tillë nuk ka ndodhur. I ka ardhur koha. Njerëzimi po e pret. Po e presin edhe Hana e Martini, bashkë me shokët e tyre. Por, ata nuk rrinë duarkryq. Janë hedhur në një aventurë drithëruese për të zbuluar e kuptuar disa mistere të historisë së shkuar të supernovave dhe të asaj që po afron. Duan të jenë pjesë e kësaj historie, që padyshim do të përflitet në mijëra vitet e ardhshme. A do të jenë pjesë e saj?

Mund ta zbuloni në faqet e librit.

A.D.: Profesoreshë, mund të shërbejnë romanet tuaja si një lloj udhëzuesi për fëmijët që të krijojnë një marrëdhënie të shëndetshme me ambientin përherë e më kibernetik që po krijohet rreth tyre?

M.F.: Të gjithë ndodhemi tashmë të zhytur këmbë e kokë në mjedisin kibernetik, celularë, facebook, instagram, linkedin, tiktok, gazeta online …

Sot makina dhe programimi i saj po tentojnë t’i përafrohen modelit të inteligjencës njerëzore, dhe kjo është njëra nga risitë më spektakolare të epokës sonë. Çdo makinë e programuar në mënyrë përherë e më të sofistikuar na bën krenarë, në fakt, sepse është vepër e jona, e njerëzve; çdo produkt i ri i këtij tipi na mahnit me përkryerjen e vet. Së fundmi po flitet edhe për Inteligjencën Artificiale Kuantike, e cila mund të përshpejtojë e të rrisë ndjeshëm potencialet e teknikave të inteligjencës artificiale. Por, që në krye të herës, nuk ka njeri, të ditur a të paditur, të shkolluar apo jo, që të mos e ketë vrarë mendjen e të ketë pyetur veten apo të tjerët: Deri ku do të shkojnë kapacitetet e kësaj inteligjence artificiale?

Si akademike më mundon përherë pyetja nëse inteligjenca artificiale do ta prekë identitetin njerëzor. Unë vërej se njëfarë përtacie intelektuale na ka pushtuar, ngaqë disa prej aktiviteteve të mendjes na i kryen makina. Në dy-tri dekadat e fundit më duket se sofistikimi i makinave është shoqëruar me ulje të ambicieve të shkollës për të formuar nxënës me aftësi të spikatura në matematikë dhe shkenca. Dikur mësonim të shumëzojmë, të pjesëtojmë me mend, të mbledhim e të zbresim. Shpejtësia e veprimeve dhe saktësia e rezultatit na jepte prestigj mes shokëve dhe shoqeve. Sot këto veprime i bëjnë makinat.  Dikur zgjidhja e problemave të vështira na e vinte trurin përballë sfidave të forta: derivate e integrale, limite, ekuacione trigonometrike, polinome e grafikë. Tani, të gjitha këto mund të na i zgjidhë falas, shpejt e mirë, dikush tjetër. Por, deri në çfarë niveli kemi të drejtë të jemi përtacë në të menduar? Deri ku na lejohet të mos e lodhim trurin me ato procese, për të cilat ky organ kryesor i joni, truri, ka qenë i angazhuar prej më së paku mijra vitesh.  Ne po i vemë në gjumë këto procese. A mos ky delegim detyrash po i atrofizon aftësitë tona të të menduarit?

Në këtë konteks, lloji i letërsisë sime ka dhe një argument më shumë për t’u konsideruar i dobishëm. Ai në një farë mënyre nxit të menduarin shkencor. Ky është qëllimi për të cilin këto vepra letrare janë krijuar.

A.D.: Si profesoreshë me përvojë shumë të gjatë dhe kontribut të dalluar, mendoni se lexuesi, studenti apo kushdo e kap më mirë një material shkencor nëse jepet nëpërmjet letërsisë apo nëse jepet si leksion?

M.F.: Thjeshtëzimi është njëri nga hapat që të çon drejt dijes. Ai zgjon kureshtjen, mpreh mendjen, rrit sigurinë, formon arsyetimin. Por sigurisht, shkenca për profesionistin mësohet në shkolla, në auditore dhe në laboratore, aty ku gjithçka shprehet përmes matematikës, mbretëreshës së logjikës e arsyetimit, pa të cilën asgjë s’do mund të kishte përparuar.

A.D.: Raporti i njeriut me pafundësinë përbën një ndër linjat e rrëfimit në romanin tuaj Infiniti Blu. Mendoni se njeriu është gati të përballet me pafundësinë dhe të panjohurat e saj?

M.F.: Ka qenë gjithmonë gati për t’u përballur. Po t’i kthehemi historisë, njeriu ka dashur që në krye të herës ta kuptojë pafundësinë. A është e pafundme Bota? Apo veç një strukturë gjigante, që soset diku. E si mbaron? Sa larg e kemi mundur ta shohim me instrumentet tona? A ka patur dikur një fillim? A do të ketë dikur një fund? Apo Bota ka qenë e do të jetë e përjetshme. Sa imët mund ta copëtojmë lëndën? Po hapësirën? Pafundësisht? Apo ka një stad ku copëzimi ndalet. Sa thellë ka depërtuar imagjinata dhe dija shkencore? A MUNDET MENDJA JONË TA KUPTOJË INFINITIN? Apo jemi veç sqimatarë të pandreqshëm. Dhe mëkatarë mëndjelehtë.

Këto pyetje i kam formuluar në faqet e para të romanit ‘Infiniti Blu’, në një stil që përafron me mënyrën se si njëri nga fizikanët më në zë të shekullit tonë, Stephen Hawking, i ka shtruar. Ato pyetje, në fakt, ekzistojnë prej mijëra vitesh, por pata dëshirë që lexuesve t’u përafroj variantin Hawking, për arsye të madhështisë që ky shkencëtar shfaq në sytë e mi. Me mënyrën se si shpirti i tij ka arritur të dominojë trupin, më duket si një sintezë e përpjekjes së llojit tonë, njerëzve, për të kapëcyer vogëlsinë dhe brishtësinë e planetit tonë drejt pafundësive drithëruese.

Shënimet historike tregojnë se mendimi për pafundësinë është zhvilluar edhe përpara Aristotelit, dijetarit të famshëm grek të 2400 viteve të shkuara. Por ky i përmblodhi në mënyrë didaktike dhe bëri dallimin e qartë mes dy kategorive të infinitit, infinitit potencial dhe infinitit aktual. Këto dy kategori i mbijetuan zhvillimit të shkencave, kryesisht të matematikës, në dy-tre mijë vite pasuese.

Si përballen me pafundësinë njerëzit e shekullit XXI dhe personazhet e Infinitit Blu? Këtë mund ta zbuloni nëpër faqet e romanit.

A.D.: Profesionet tuaja kanë kërkuar përherë një përdorim të qartë të gjuhës, të përshtatshme për studentët. Kur shkruani, si ja dilni ta mbani narracionin në nivelin që i përshtatet lexuesve të vegjël dhe të rinj?

M.F.: Më ndihmon frymëzimi nga faktet që dua të shpreh e të komunikoj. Gjithsesi, secila nga veprat ka qenë një sprovë më vete. E para, Pika Trëndafil, më siguroi se unë mundem të jem shkrimtare. Fitoi edhe çmimin kombëtar të letërsisë për të rinj, i cili më dha një gëzim të pamatë, ngaqë më bindi se sprova e parë kaloi me sukses. Libri i dytë kishte në vetvete sprovën e pafundësisë. Libri i tretë kishte sprovën e moshës së vogël të lexuesit.

Ndiej se pa patur sfida, të shkruarit nuk do të më tërhiqte dhe nuk do ia dilja për të mbyllur një vepër, madje as për ta nisur.

A.D.: Si mendoni, profesoreshë, është më e madhe bota brenda fëmijës apo ajo jashtë tij?

M.F.: Bota e fëmijës fillimisht është e vogël e pastaj rritet papushim, ndërtohet sipas një arkitekture që ia ofrojmë ne, familja, shoqëria, por edhe universi rrethues që pashmangshëm i hyn përmes të gjitha shqisave. Bota e njeriut është në ndërtim ndërsa bota jashtë, ajo universalja, është gjigande e mjaft e strukturuar. E ne kërkojmë që këtë botë të madhe ta nxërë ajo e vogla. Duket si detyrë e pamundur, por historia e njerëzimit thotë se jo. Ajo ka treguar se ne, njerëzit, jemi të jashtëzakonshëm. Një mrekulli e natyrës. Mënyra se si prej mijëra vitesh jemi munduar të kapërcejmë hapësirat e pakufi, duke shtruar pyetje e kërkuar përgjigje, është e mahnitshme. Mes njëri-tjetrit mbase ndjehemi të zakonshëm. Por, në dimensionet e një bote gjigante, të cilën po arrijmë ta njohim ditë pas dite, shfaqen tiparet tona të jashtëzakonshme.

A.D.: Në mbyllje, sa e vështirë ka qenë për ju të shkruani libra fantastiko-shkencor, duke pasur parasysh se në letërsinë shqipe nuk kemi një traditë të pasur në këtë zhaner?

M.F.: Nuk ka qenë e vështirë, sepse në çdo rresht kam qenë e frymëzuar nga bukuria e pamatë e asaj që kam dashur të shpreh. Progresi aktual i shkencës është marramendës në të gjitha fushat, e veçanërisht në njohjen e Universit dhe në përpjekjen kurajoze për ta dominuar atë. Shekulli që jetojmë po shënohet me vulën e makinave hapësinore, të cilat shqyrtojnë sinjalet më të hershme, mbërritur nga origjina e botës;  të instrumenteve me saktësi përtej çdo limiti të imagjinuar. Arritjet janë kaq emocionuese, sa kushdo prej nesh që i rrok ato dimensione, mund t’i shijojë tërësisht vetëm nëse i ndan me të tjerët.

Shkencëtarët më në zë janë përpjekur e përpiqen të shkruajnë libra të shkencës popullore, të popshkencës. Në këtë linjë ndodhen edhe librat e mi. Kam zgjedhur t’i shkruaj në formë romani, sepse përmes faqeve të tij mund të transmetoj dijen e të kem njëkohësisht si personazhe lëvruesit e dijes. Ata janë njerëz realë, që jetojnë sot apo kanë jetuar në epoka të tjera, ose njerëz imagjinarë, të cilët punojnë në qendra reale shkencore. Liria e këtij zhanri artistik më lejon të endem nëpër përsiatje e refleksione që i përshtaten karaktereve të ndryshme, formimeve të ndryshme; më lejon të ndërthur bashkë me shkencën dhe histori personale njerëzore, ku secili mund të gjejë diçka nga jeta e vet. Ndiej kënaqësi pafund kur takoj njerëz që më thonë se librat e mi u kanë pëlqyer.

A.D.: Dhe për ta përfunduar me një prej pyetjeve të para, pas “tre jetëve”, asaj prej akademikeje, politikaneje dhe shkrimtareje, ju pret një e katërt me ndonjë angazhim krejt të ri?

M.F.: Të ardhmes nuk i dihet asnjëherë. Por, sa më shumë rrjedhin vitet, aq më pak mundësi mbetet për të bërë diçka tjetër. Koha në dispozicion zvogëlohet shpejt e pa u ndalur. Për më tepër, unë ende nuk e kam shterruar eksplorimin në ato tri jetët që përmendët. Ndërkohë jam bërë gjyshe e po përjetoj e mrekulluar këtë fazë tjetër të jetës, e cila është një risi më vete, aq e tillë sa nuk e kisha imagjinuar. Kush e ka provuar më jep të drejtë.

Exit mobile version