Kreu Letërsi Shënime mbi libra Prof. Dr. Klara Kodra: Dy fytyrat e “shëmtisë”

Prof. Dr. Klara Kodra: Dy fytyrat e “shëmtisë”

Romanet e Raimondës janë sa të ndryshëm edhe të ngjajshëm me njëri-tjetrin. Janë të ndryshëm se lindin nga një tharm jetësor që e shtyn autoren të  përtërijë gjithnjë  veten ashtu  si përtërihet toka  çdo pranverë. Janë edhe  të ngjajshëm se limfa e tyre  ushqehet  nga po ato rrënjë, nga po ai  individualitet krijues me veçoritë  e veta të papërsëritshme. Kanë  disa tema  që rikthehen  si tema e individit që lufton me mjedisin ose shtypet prej tij, të gruas  viktimë tragjike ose luftëtare për të afirmuar vetveten dhe në ndonjë rast figurë që shpreh këto  dy aspekte të kundërta, tema e të moshuarve si bartës të urtësisë popullore dhe të traditave më të mira, tema e dashurisë – pasion si forcë  shkatërruese ose si katarsis, tema e pushtetit  shkatërrues të parasë.

Romani “Shëmtia” është i gjashti në këtë  lloj rrëfimtar të gjatë dhe që nuk  mbyllet  dot në kornizat e  një përkufizimi të prerë, një lloj që si pohon  me të drejtë Kundera, ka zbuluar për herë të parë relativizmin e së vërtetës, që  ka përjetuar disa “vdekje” dhe disa ringjallje.

A  është  vallë më i përsosuri nga vëllezërit e vet? Dikush  do të thotë “po”, dikush “jo”, ne ngurrojmë të japim një përgjigje të prerë. E befason, ç’është  e vërteta, edhe një herë  lexuesin  me personazhet e vet që s’janë individë të copëzuar të  cilët dëshmojnë për një  shkatërrim të ngadalshëm të personalitetit, po karaktere të plota dhe të  ndërlikuar në të  cilat  ndërthuren e mira dhe e keqja, forca  dhe dobësia, po që  në fund e zbulojnë thelbin e vet.

Romani është  i strukturuar  në bazë të  antitezës  midis dy karaktereve kryesore  ku ndërthuren  shëmtia dhe  bukuria, shëmtia e jashtme me bukurinë  e brendshme tek protagonistja dhe në të kundërt bukuria e jashtme fizike me shëmtinë shpirtërore te personazhi tjetër  bashkekzistues dhe antagonist.

“Shëmtia” ndjek  evolucionin  shpirtëror  të  protagonistes nga fëmijëria  te një rini që i paraprin pjekurisë, biologjike dhe shpirtërore. Ky lloj  ka disa  elemente të “romanit të formimit” që u  shfaq  mjaft  vonë në romanin  shqiptar. Është  një  roman edhe realist  edhe modern  që e shfrytëzon retrospektivën me mjeshtëri. Lexuesi  ndeshet  në fillim  me Kadrijen e pjekur  dhe të  realizuar  për t’iu rikthyer  vogëlushes  që vuan  nga kompleksi i shtypjes  nga mjedisi dhe njerëzit, të rrethuar nga një anë me dashurinë e ngrohtë  familjare të prindërve  dhe gjyshes dhe të  sulmuar nga ana  tjetër nga  egoizmi i njerëzve, e pajisur  me një  zemërgjerësi dhe aftësi të madhe  për sakrifica nga të cilat  përfitojnë  individët manipulues, e mençur, po edhe  naive  pikërisht nga mirësia dhe besimi te njerëzit, nga dëshira  për të zbuluar tek ata  vetitë e mira  dhe për t’i riedukuar.

Ajo sheh te njeriu që dashuron  disa veti të mira  si një  zgjuarsi të natyrshme  dhe natyrën  gazmore; bukuria fizike e tij  i ngjan  sikur është refleks i një  bukurie  shpirtërore në të çelur e sipër. Edhe  lexuesi  sheh në fillim tek ai  viktimën  e një edukimi të  gabuar  që ka  mundësi  të përjetojë katarsis.

Vepra  është ndërtuar  mbi një  rrëfim në vetë të tretë  që jep  iluzionin e objektivitetit. Rrëfimtari di po aq sa personazhet, madje në disa momente më pak sesa protagonistja, kështu që lexuesi  befasohet  hera-herës, madje  në fund të  romanit përjeton bashkë  me protagonisten zhgënjimin  e fundit të saj që e çliron  përfundimisht  nga iluzionet.

Autorja ka zgjedhur  pikërisht  atë  teknikë rrëfimi që i jep  mundësi  të zbulojë hap pas hapi  rritjen shpirtërore të  protagonistes  dhe degradimin e ngadalshëm shpirtëror të personazhit tjetër, ta befasojë  lexuesin, po  edhe ta bëjë  të  thellohet, çka  s’do të  ishte e  mundur me një rrëfimtar të gjithëdijshëm ose me një rrëfimtar  në vetë të parë.

Alternimi i kohëve të  bën  të shohësh  nga një anë  vajzën e pjekur,  nga tjetra  fëmijën dhe adoleshenten e goditur nga fatkeqësi të njëpasnjëshme në të cilat  pasqyrohen  shqetësimet e mëdha  historike  të atdheut, regjimi diktatorial dhe  kaosi i  pasdiktaturës. Ky i  fundit  theksohet më tepër  dhe në atmosferën  e të cilit shfaqen  viktima  të reja të  ndryshimit të politikës, viktima po aq të pafajshme sa të persekutuarit e diktaturës dhe  një pushtet i ri që  s’ka  më formën e dhunës së egër, po një  shkëlqim mashtrues, shkëlqimin e parasë. Ky pushtet i ri e  shton  dyfytyrësinë e njerëzve.

Protagonistes i duhet  të jetojë në dy  periudha të kundërta dhe që e shtypin secila në formën e vet individin dhe të ndeshet  me to duke pasur  si armë  të vetme luftën  për dije  dhe vlerat  njerëzore. Së fundi  ajo arrin  një fitore  relative duke u afirmuar me anë të shkencës, po është  një fitore e hidhur  që realizohet me çmimin e largimit nga atdheu.

Ajo arrin edhe në një fitore  morale duke ruajtur  vlerat njerëzore të besnikërisë  ndaj familjes  dhe dashurisë gjithënjerëzore po i duhet të flijojë  disa ëndrra dhe bën edhe gabimin  tragjik të dashurojë njeriun e gabuar me iluzionin naiv  se do të mund  ta riedukojë dhe ta  shpëtojë moralisht.

Protagonistja nuk arrin  të shpëtojë as  të atin, as gjyshen, njerëz të  ndershëm, po viktima tragjike  të atmosferës kaotike politike nga vuajtjet shpirtërore të pamerituara, që pasohen nga një vdekje tragjike, as të ëmën nga një gabim të rëndë që ajo  kryen  për hir të fëmijëve.

Një paradoks i hidhur  që vihet re  në roman  është ai  që njerëz të ndershëm, të përkushtuar ndaj punës dhe familjes  të etiketohen  si “kriminel” dhe “lavire” nga opinioni i lëkundur i turmës që është gati të hedhë në  baltë “heronjtë e djeshëm”. Ky  paradoks të sjell ndërmend  “Duart e ndyra” të Sartrit ku vlera dhe kundërvlera ngatërrohen për shkak të kameleonizmit të njerëzve  dhe zigzageve të politikës.

Në fakt romani është ndërtuar  mbi  antiteza dhe paradokse. Është pikërisht një paradoks  i cili  e bën të  mundur që Gilberta Fllaja, një tjetër personazh i rëndësishëm, për një farë kohe të mbulojë shëmtinë  morale  me bukurinë fizike dhe  maskën e bamirësisë  në sytë e protagonistes, në saje  të pushtetit të parasë që ajo e përdor për interesat e veta meskine egoiste. Edhe ky personazh  nuk vizatohet  si plotësisht  negativ, si një përbindësh moral; ka në  shpirtin e kësaj  gruaje disa vetëtima që ngjajnë  si mirësi, ndjenjat e saj si nënë që  është gati të bëjë  gjithçka  për të birin, po edhe dashuria e saj amtare do të errësohet  nga egoizmi dhe ambicja e saj.

Autorja  e kryen me mprehtësi karakterizimin  social psikologjik të personazheve duke mos lënë pas dore as personazhet e dorës së  dytë.

Një  personazh origjinal  dhe veçanërisht i dashur  për lexuesin është gjyshja  Neke, mishërim i urtësisë popullore, në saje të së cilës  ngjan si “e gjithëditur” para syve të mbesës dhe i tipareve tradicionale  të  grave shqiptare, dashurinë për  punë  dhe për fëmijët, guximi dhe stoicizmi si edhe zemërgjerësia.

Veçanërisht e dashur ngjan  për lexuesin  figura e Lilit, grua  e mençur dhe punëtore, nënë  që flijon  gjithçka  për fëmijët. Po aq tërheqëse  është  edhe Joli që në fillim  ngjan disi e llastuar, e  rrethuar siç është  nga dashuria  dhe kujdesi  i familjes si fëmija  më e vogël, po që arrin evolucionin  shpirtëror  gjatë  romanit në saje të punës. Ajo ka një ndjenjë instinktive për të  drejtat  e veta  njerëzore që  ia  mohon  ambienti, siç e provon  dialogu i saj naiv me  të ëmën  “Pse rrimë në këtë  shtëpi  kaq të vogël?”, duke e krahasuar  me shtëpinë  e madhe të Fllajave.

Juli Seferi është  një figurë  kontradiktore  e cila shfaqet që  nga fillimi i romanit  dhe për një  kohë të  gjatë  si një  narciziste e dashuruar  me veten dhe indiferente ndaj ndjenjave të të tjerëve. Po ajo arrin  të përjetojë  një katarsis në fund që ngjan bindës meqenëse  motivohet  nga vuajtjet  që i shkakton  asaj njeriu  që  dashuron  i cili e merr  nëpër këmbë  si grua dhe arrin t’ia mohojë  të drejtën për amësi. Është pikërisht vuajtja  që  zgjon  më në fund  empatinë e saj  ndaj njerëzve  dhe e  ndihmon të arrijë me vonesë  një pjekuri  shpirtërore që e bën të kryejë  një gjest të vështirë për krenarinë e saj, t’i  kërkojë  falje  rivales  dhe  shoqes së  saj të  fëmijërisë, ndjenjat  e së  cilës i ka shkelur  një jetë të tërë.

Një tjetër personazh interesant  është Kadri Veliu me vrazhdësinë në dukje  në sjellje që buron  nga një sinqeritet  i natyrshëm  dhe i skajshëm, me mungesën e kujdesit  për pamjen e jashtme, po  me një  bukuri  të fshehur  shpirtërore  dhe aftësinë  për ta  kuptuar  drejt miqësinë e vërtetë.

Në roman ndeshen  edhe personazhe  episodike  njerëzish të  thjeshtë, të aftë  për dashuri  të çiltër gjithënjerëzore si familja Luli  që ngrihet  më lart se rrethanat  politike dhe pastruesja  e thjeshtë e shkollës që i jep protagonistes fëmijë lajmin e tmerrshëm të vdekjes së të atit.

Autorja  në dukje  është  distancuar  nga protagonistja, po shumë ngjarje të romanit i sheh në këndvështrimin e saj  si fëmijë, adoleshente, vajzë e rritur.

Në roman ka episode  domethënëse  ku personazhet zbulojnë thelbin e tyre të fshehtë si episodi  i ditës së parë të  shkollës për Kadrijen  kur ajo  për herë të parë  zbulon  shëmtimin e vet fizik ose mbrëmja e maturës ku dy protagonistët ballafaqohen dhe egoizmi i njërit  rrëzon  me  vrazhdësi  iluzionet e tjetrit; së  fundi  ndeshja  midis  Kadrijes dhe Julit  që ndriçon qartë  një të vërtetë  të lënë gjatë në errësirë si edhe pjekurinë  tashmë të arritur  të të dyja  vajzave.

Dialogët  janë të  natyrshëm dhe  të  besueshëm dhe, herë pas here hedhin një dritë të papritur mbi karakteret e personazheve.

Ndofta  mund të mënjanoheshin disa  pasazhe  si ai  kur shpjegohet  zemërgjerësia e papritur  e Juli Seferit në një  çast  të  caktuar që protagonistja  nuk e  kupton, po autorja  ia shpjegon  lexuesit  në mënyrë të tërthortë  duke  zbuluar mendimet e fshehta të personazhit ose mendimet që Juli nuk ia zbulon  së ëmës së Mandit, po i  bëhen të njohura lexuesit, për  shokun dhe më vonë të dashurin e saj, mendime që shprehin një vlerësim të  qartë i cili më mirë  të nënkuptohej nga lexuesi.

Autorja  e ka shprehur  ritmin e rrëfimit përmes një  alternimi të  goditur  fjalish të  shkurtra  dhe frazash  të gjata. Gjuha letrare  ndërthuret jo rrallë me  frazeologji  popullore e cila vihet në gojë të personazheve.

Fjala “e shëmtuar” është  si një  leitmotiv që e përshkon  veprën, për të treguar  një shëmti fizike apo shpirtërore.

A e ka  rinovuar Raimonda apo kapërcyer vetveten në këtë roman?

Ngurrojmë t’i japim përgjigje  kësaj pyetjeje, meqenëse  edhe romanet “Koha në mes” dhe “Zoti qeshi deri në fund” shënojnë disa  maja në  krijimtarinë e saj.

Kjo vepër  shënon një  thellim të  Raimondës në modernizmin e saj, pa u shkëputur nga realizmi  i saj me të cilin ajo spikat, na njeh me personazhe të rinj dhe të  ndryshëm nga ata të  veprave  të mëparshme.

Forca  komunikuese dhe tensioni  emocional vazhdojnë të jenë të ndieshëm.

Paradoksalisht, pavarësisht nga titulli “Shëmtia” vepra është e bukur.

Exit mobile version