Kreu Letërsi Shënime mbi libra Prof. Dr Bardhosh Gaçe: Refleksione jetësore në poezinë e dashurisë së Eva...

Prof. Dr Bardhosh Gaçe: Refleksione jetësore në poezinë e dashurisë së Eva Gavanit

1.

“Njëqind lirikat” apo poezitë e dashurisë së Eva Gavanit, përveç kohës së poetes është edhe koha e të tjerëve, një kohë që që hyn dhe del edhe në kohën e saj, pse gjendjet komunikojnë me njëra-tjetrën.

Në 100 poezitë e dashurisë së Gavanit, gjenden motive dhe refleksione të kësaj natyre universale, që përveç natyrës refleksive në kohë dhe hapësirë që poezia ka, ajo buron nga vetë natyra e saj brenda njeriut. Poezia “Thërrasim universin”, një poezi që shpërfaq në gjerësi dhe lartësi universin, vargjet “… Universi do të na kërkojë,/ të tjerëve t’u mësojmë,/ magjinë që përjetuam…”, duke parathënë në një formë mjaft të thellë zgjatimin që vjen nga kohët dhe hapësirën universale që mbart kjo magji, d.m.th. dashuria. I gjithë konteksti i poezisë në fjalë lidhet me raportin e dashurisë me universin si hapësirë dhe si koncept, kur thotë “t’u mësojmë” të tjerëve.

Në këtë koncept, edhe pse brenda poezisë shfaqet një lloj un-i është poezia “Kam gjetur një shteg”, pse duhet: “… të arratisemi sot të dy,/ por (dhe pse?!) kalon rruga mes yjesh,/Hëna të mos jetë aty…”, ku natyra dashurore plekset me yjet, hënën (që nuk duhet të jetë aty mes yjeve), një poezi që të kujton poezinë e dashurisë gjatë romantizmit, se në dashuri rrugën mes të dashuruarve dhe të dashurisë e kanë shtruar të tjerët, që nga Zeusi, Helena, Erosi apo Psika.

Poezia me titull “Ishim njohur” është ndoshta më e bukura që e “lidh kohën” në cepat e saj, kur shkruan poetja Gavani: “Njëmijë vjet kishin kaluar,/ s’ishim parë asnjëherë…” dhe “…njëmijë vjet do të kalojnë,/ të bashkojmë një urë…”. Çfarë motivi dhe hapësire mbart dashuria në këtë konceptim kohor, me njëmijë vjeçar, për të kuptuar universalitetin e saj.

E prurë përmes miteve dhe motiveve të njohura kjo ndjesi, e mbushur me kohët antike dhe të lashta, Eva Gavani e mbart mjaft mirë në poezi motivin antik përmes simboleve të njohura, që paralelizojnë, madje krijojnë gjendje përjetuese, që burojnë nga psikologjia e dashurisë. Ajo në poezinë “Përqasje” shkruan: “Ashtu si Akili ka një thembër,/ unë kam sytë, kam një lot” (pra dobësia e përthyer në raportin e saj me këtë ndjenjë sipërore) dhe “Në një pabesi si një Parid,/ nuk pres të më vrasësh sot…”, se ashtu siç dashuria, ky raport i valët dhe njerëzor, jetësor dhe aventuror ka udhëtuar dhe ka mbetur brenda njeriut, dhe brenda vetë poeteshës e meriton sakrificën për të. Në poezinë “Prapë do të dua”, e cila ngjan me një himn për këtë sakrificë, në një poezi mes baladës dhe kapërcimit të gjendjeve, ajo përmes metaforave, arrin ta shpërfaqë kaq bukur sakrificën e dashurisë, e cila universalisht si motiv ka krijimtarinë e saj, ndaj përdor disa situata për ta ndërtuar motivin në sintagma vargore si: “… për ty do të më lënë sytë,”, “… për ty do të bëhem meteor,”, etj motive që hasen në poezinë e përbotshme dhe krijimtarinë popullore.

Poezitë e kësaj natyre janë ndërtuar mbi motive të njohura, por poetesha përdor në të shumtën e rasteve unin poetik, ndërsa përdor një fjalor të zgjedhur, të natyrës kumtuese, qoftë të komunikimit universal, por edhe të miteve të njohura dhe personazheve biblikë-mitikë, të cilët mbartin motivin e dashurisë dhe erosit, dhe kjo të lë të kuptosh se poezia e dashurisë e ka në natyrën e saj motivin universal-biblik, si një e drejtë klasike e saj.

Poezi të lidhura në motive të drejtpërdrejta me burimin e hershëm të saj, pra të instinktit, siç thotë edhe Freudi, janë edhe poezitë “Eklips”, (“Dje bota nuk u përmbys,/ sepse sot më prisje ti,/Zoti eklipsoi Satanain,/ Të triumfojë me jetën, dashuria…”), ku shfaqet bukur natyra instinktive, po ashtu edhe poezia “E shkruar”, një refleks interesant që kujton në kontekst Pushkinin, ku shkruhet: “Struku në guackën e trishtimit,/ Nëse jeta të gënjen,/ Gëzimi po të jetë e thënë,/ Hap guackën e të gjen…”, një motiv i bukur, i shkruar thjeshtë, por edhe në motive të tjera, që shfaqen në detaje dhe fragmente të poezive lirike dhe të dashurisë në poezinë e Eva Gavanit, e cila arrin të krijojë një komunikim përtej aktualitetit të saj dhe të tjerëve, duke zbuluar burimin jetësor në poezinë e dashurisë dhe erosin.

2.

Ka një prani dy-vetore përgjithësisht në poezinë e dashurisë së Gavanit; “unë” dhe “ti”, çfarë nënkupton një gjendje fleksibile në raportin njerëzor, por edhe të thellë shpirtëror që krijon dashuria brenda njeriut. Nëse në poezinë e kësaj natyre, në të shumtën e rasteve shfaqet un-i, d.m.th. poetja shfaq vetveten dhe si simbol dhe si gjendje, në të gjithë motivet dhe detajet psiko-shpirtërore të poezisë ka një ekuilibër. Poezia “Balancë”, ngjan me një sentencë për këtë lloj raporti, ajo shkruan: “Në dashuri mos shko kaluar,/ e mos u mbaj krenarë,/ vetëm aty nuk ka të mundur,/ por s’ka as fitimtar.”, dhe pse natyra dhe gjendja e përkatësisë i përshkon gjithë poezitë e saj, ku ka një “unë” dhe një “ti”: “…Më paske pritur,/ ashtu si pritet uji në etje,/ në një shkretëtirë të pamatur…” (Paskemi qenë munguar), ndërsa përmes një antiteze brilante, ajo shpërfaq fuqinë e kësaj ndjenje jetësore: “… Si Sfinksi jemi një enigmë,/ zgjidhur më shumë e lidhur më fort…” (Të pandarë), një poezi që e përshkon dialektika filozofike e përkatësisë së pashmangshme.

Parë pikërisht në këtë qasje, d.m.th. si një shqyrtesë filozofike e zhvilluar nën simbolikën e përtëritjes si fenomeni i Sfinksit, Eva Gavani e kupton shumë mirë “materien” e dashurisë, jo vetëm si dhuratë, jo vetëm si instinkt hyjnor, që lind bashkë me njeriun, por edhe si sakrificë, si marrëdhënie që e drejton, ku humb apo fiton ajo apo ai, ndaj ajo shkruan: “Ti kot nga unë mos u tremb,/dhe beso në fjalën time,/ Unë s’jam sirenë përmbi shkëmb,/ që të josh me ledhatime…” (Jam Eva), një “subjekt”, që e përmbush në konstelacionin e dashurisë një poezi tjetër, e titulluar “Shpirtin ndjekim”, ku duket një hapësirë e çuditshme komunikimi: “Nëpër trazira shpirtin ndjekim,/ me frymëmarrjen e detit,/ e rrotullohemi në breg,/ si rrotullohet planeti…” Dhe raportet, me dëlirësinë dhe fisnikërinë e tyre ndjellin emocione të thella, ku asnjëherë nuk mungon pak dimër e pak vapë “Ti vjen andej nga vjen thellimi,/Ç’më fut në shpirt kaq ftohtësi…!” (Arratisem), ndërsa metamorfoza, shndërrimi që më së shumti mëton dashuria, si një instinkt njerëzor i përjetshëm është qenësia e kësaj ndjenje “Dy qiej bëhen një,/ me dashurinë që mbajmë…”.

Në poezinë e dashurisë së Eva Gavanit në atë ujdhesë të çuditshme që ka zakonisht në poezinë femërore kjo ndjenjë sublime, poetja kërkon dhe komunikon me nënën, burimin e jetës, në një formë sipërore, në detajet që ajo e zbulon këtë komunikim dhe përkujdesje, kur shkruan: “Mbi oqean dy gjysma malli,/ zemra e Nënës në sinkron rreh…” (Dy gjysma malli). Çfarë ndjesie, pastaj dhimbja për vëllain që nuk jeton më, ku copëza përjetimesh duket se ndërtojnë një dhimbje epike: “…Si në legjendë vëlla i dashur,/Ti ngrihesh e Konstandin mbi kalë…,/Ti je supi që kurrë s’e pata,/ je fjala e munguar…”; “e ike tretur në legjendë,/ portat e një qyteti mbylle…” (Eleni për tim vëlla).

Mozaikun e poezisë së dashurisë Gavanit e mbushin dy poezi brilante, njëra titulluar: “Ejonës”, ku ndër tjera shkruhet: “Fli, o mjellmë liqeni,/ Fli, sorkadhe mali,/Fli, sirenë deti,/ Fli ti, nani-nani…” dhe poezia tjetër titulluar “Arditit”, e parë në “simbiozën” e diellit: “Fli o fytyrë diell,/ Nani-nani fli…”, ndërsa motra, me “Tastierë malli” kujtohet përmes qiejve të mallit, kur shkruan: “…Qiellin ma përgjysmon me një biletë,/ Kafenë e kujtimeve vetmuar ta pimë…” Poezia e dashurisë, e vetuar në poezinë e Eva Gavanit e përshkon një refleksion jetësor, i cili pavarësisht natyrës personifikuese dhe metaforike ajo është tokësore.

3.

Eva Gavani e njeh mirë poezinë, qoftë si ndjesi e brendshme, e cila çliron një komunikim të natyrës së epërme, siç këngëton ajo: “duke shkruar pak dhe thënë shumë”, por edhe si një formë elitare e komunikimit, duke bashkë-vënë në këtë komunikim një masë të madhe elementesh që nga detaji, figura, zgjedhja e fjalës dhe sintagmës, duke i dhënë fuqi fjalës, vargut, strofës dhe të gjithë poezisë, duke ndërtuar konstelacionin e komunikimit, në një varg poezish ku flitet për ndjenjën, trishtimin, pritjen, ikjen, ankthin, lumturinë dhe jo lumturinë, duke përdorur simbolika për të shkurtuar largësitë, duke përdorur mjete dhe simbolikat universale të trajtimit të kësaj ndjenje, e cila në jo pak raste përbën instinktin njerëzor për të shkuar drejt asaj apo atij.

Libri poetik i Eva Gavanit me njëqind lirika është një përzgjedhje e rëndësishme për profilin poetik të saj, poezia lirike dhe poezia e dashurisë është një gjendje e epërme njerëzore dhe jetësore, e cila pleks bashkë refleksionet e instinkteve dhe të vetëdijes njerëzore. Gavani përdor mjeshtërisht gjendjet emocionale, ndërsa duke njohur mirë marrëdhëniet njerëzore nga mënyra më e thjeshtë deri në sublimitetin e ndjenjës së dashurisë, i shpërfaq kaq mirë shndërrimet, jetësimin e gjërave të pajetë dhe të pa ndërgjegje, si: qiellin, gurët, valët, detin, drurët, për të krijuar fuqinë që dashuria të jetësohet, duke sjellë një refleksion të bukur në poezinë moderne, të shpirtit dhe të strukturës së metamorfozës që zakonisht e ka balada antike, ajo shqiptare dhe krijimet popullore të tjera.

Poezia e dashurisë e Eva Gavanit ka një përdorim të mirë të epitetit, krahasimit, personifikimit, metaforës, antitezës, simbolikës, pjesën më të madhe të tyre, jemi përpjekur t’i sjellim në shqyrtesën e mjaft poezive që mbartin nyjat për ta lexuar dhe kodifikuar poezinë e saj. Kjo prurje në poezinë e dashurisë shqiptare, mendoj se mbart një emër të veçantë dhe të civilizuar femëror, e cila me botën e saj poetike është bërë një zë i veçantë në letërsinë bashkëkohore.

Tiranë tetor 2025.

Exit mobile version