Kreu Letërsi Shënime mbi libra Prof. Asoc. Elsa Skënderi: “Idioma” e kujtesës

Prof. Asoc. Elsa Skënderi: “Idioma” e kujtesës

“Idioma” është vëllimi më i ri poetik i studiuesit, kritikut e poetit, Kujtim M. Shala, botuar nga shtëpia botuese “Dukagjini”. Filli tematik më i dukshëm i këtij vëllimi është lufta e fundit e Kosovës dhe kujtimet e saj. Kush e ka të njohur korpusin poetik të Shalës, tek endet në rrjedhat biografike të leximi të teksteve, do të shquajë se në të ri të poetit, fill pas luftës, ky korpus pak gjë thotë për luftën. Ajo më tepër shfaqet si koncepsion kozmologjik përplasjesh e rravgimesh dashurore, se sa si përjetim jetësor konkret i ngjarjes historike. Rishtazi, duke iu larguar asaj në kohë, poeti i rikthehet ta këqyrë atë përvojë të rëndë. Duket se brami i kujtimeve të luftës tashmë i ka rënë për fundi shpirtit të subjektit poetik. Gjërat e rënda duan kohë për t’u fjalësuar, tmerret e persekucionit një gjuhë krejt më vete, do të thoshte dikur Primo Levi.

Libri ka tri pjesë “Idioma”, “Shpina” dhe “Lëkura”, secila e përbërë nga cikle poetike poema dhe poezi të mëvetësishme. Pezullia e ftohtë dhe kujtimet e thikta të luftës nyjëtohen në mënyrë origjinale nëpër poemat e ciklet poetike të librit, duke e skalitur qartë kujtesën artistike për të djeshmen e mugët. Kritiku i mirënjohur, Harold Bloom, do të shkruante se: “Teksti poetik, teksa unë e interpretoj, nuk është një përmbledhje e shenjave në letër, por një betejë psikike, në të cilën luftojnë forcat autentike për të vetmen fitore, që ia vlen të korret, për triumfin profetik ndaj harresës”. Në vëllimin poetik “Idioma” beteja e të thënit diçka në mënyrë autentike, për ta mposhtur harresën, është fituar.

Stili narrativ i poezive i bën ato të dallojnë nga veprat e mëparshme poetike të autorit. Rrëfehet me vargje, që zënë njëri-tjetrin në kapërcyell sintagmash dhe që ndonëse priten, rrëfejnë thuajse si në prozat poetike. Vargjet janë pa shenja pikësimi, pa ngarkesa figurative dhe një gjuhë e saktë deri në dhimbje e kumton poetikisht absurdin e ardhjes së një lufte të pakërkuar nga askush përpos barbarëve, ankthin e eksodit, sprovën e të marrit të armës si ushtar – pa qenë asnjëherë më parë i tillë – për ta mbrojtur dheun e lashtë, dhimbjen e djegies së gjithë ç’është quajtur shtëpi, kobin e vdekjes së të pafajshmëve, shuarjen e luftëtarit të fundit, ditën e parë pas luftës, listat me heronj e qyqarë!

Pragu i luftës jepet kështu:

Qyteti duket i rrudhosur i mbledhur në vete i vjetër sa dheu

njerëzit e shikojnë me frikë si të shikonin fundin e tyre të zi

shkëlqimi i thikës së xhelatit pret pamjen e rrugëve të qytetit

askush nuk mund të kthehet më në shtëpi atyre rrugëve

kopshti i vjetër i shtëpisë së re është bërë djerrinë

shtëpia e re ka zot të dhunshëm me sy të përgjakur

barbar që do të mbrojë plaçkën e rrëmbyer si jetën e tij të ndyrë

(Stacioni i vjetër II, 12)

Tmerrit të luftës, që troket, nuk i duhen vargjet e konotuara skajshëm. Thatësia e atij tmerri ndihet e rrëfehet edhe përmes një fraze si “shkëlqimi i thikës së xhelatit pret pamjen e rrugëve të qytetit”.

Në poezitë e kësaj natyre funksionalizohet përmasa dokumentare (përmes fiksionit) e përvojës kolektive traumatike të luftës – Të shkruarit mëton ta përkapë kujtesën, atë që sipas poetit  “ngadalë e zënë mjegullat e hirta pastaj e zë errësira ” (f. 34), ta rrokë që ajo të mos fluturojë veç në rrëfimet gojëtare, por të mbesë, të fiksohet në anale të letërsisë, edhe ngase ato të historisë, ndonjëherë mund të jenë të fryra me emra heronjsh të rremë, shkruan poeti.

Poezitë e ngulitin në truallin metafizik të fiksionit gjithë ç’duket se është bjerrë e tretur në rrjedhë të kohës: konturet e dikurshme të shtëpisë së fëmijërisë, që gjatë luftës u dogj, duke lënë pas veç gjurmën e dheut të djegur, linjat e fytyrave të njerëzve të dashur, jehun e fjalës me vend e me peshë të gjyshërve të shuar, peizazhin e udhës së fshatit, të zhbërë prej rrënimit të luftës.

[…]
harta që nuk e fshiu koha as ujërat as dimrat e zi

tregon ku ndodhej shtëpia e vjetër një vragë

e bërë në dheun e zi të tokës së lashtë

harta e vendit që braktisën kur u larguan nga aty

nën rrebeshin e plumbave rrënimin e armëve

hijen më të zezë të urrejtjes për ata që ishin në tokën e tyre

[…]                                                                                           (“Idioma”, II, f.22)

Të gjitha shenja e kujtime për t’u fiksuar “në kujtesën e gjerë njerëzve të disa brezave” përmes poezisë, që te tabula e secilit lexues e ngul një gozhdë, ku varet zhguni memorial i eksodit dhe i luftës dhe kujtimet për përjetimet e ankthshme, të tmerrshme e tragjike.

Fytyrat janë ngrirë nga frika dhimbja i ftohti i pranverës së hershme

të moshuar që kanë zënë një cep me këmbët në baltë shpinën mbështetur

në mur fëmijë që qajnë një lot i ngrirë në cep të qepallës dhe gjiri i nënës

së re nuk pikon nuk rrjedh rrugën ia ka prerë frika për fëmijën nën shkëlqimin

e ftohtë të thikës së xhelatit të tjerë që kanë hequr dorë nga vetja

jeta u rrjedh si në një ekran të zi që shton acarin e stinës armike

treni nuk vjen të gjithë e presin dritën në fund të tunelit drejt fundit të jetës

rrugëtimin që shuan atdheun jetët që thurën ditë pas dite me dashuri 

  (Stacioni i vjetër, II, f.12)

Në paradigmën e poezisë për luftën bën pjesë edhe poezia e dëshmisë, kusubjekti poetik është dëshmitari i drejtpërdrejtë i ngjarjeve të saj. Këtë tip të poezisë e hasim edhe te “Idioma”. Subjekti poetik e ka përjetuar vetë luftën, por asgjë në poezi nuk ka tonet e larta heroike a deklamative për pjesëmarrjen në luftë, megjithatë fushëbeteja paraqitet si ëndërr dhe ideal i epërm moral, jo për heroizëm si qëllim në vetvete, por për dinjitet sipas botëkuptimit autentik të vendit të lashtë.

  burrat të zënë si në kurth për herë të parë ëndërrojnë të vdesin

në fushëbetejë ajo është lavdia edhe kur vdes i pari

kur vdes bashkë me të tjerët vdes pa ikur nga fushëbeteja

 (Stacioni i vjetër, VI, f. 16)


Ndërsa, pas përfundimit të luftës subjekti poetik i neverit qyqarët, që rendin të marrin vendin e heronjve, sepse heronjtë (e vërtetë) janë veç ata që ranë në luftë. Lavdia iu takon atyre!

Që nga lufta kanë kaluar vite e mbase koha i ka shëruar disa plagë, ndaj në vëllimin poetik edhe lamenti elegjiak është i përkorë, ndonëse trishtimi është përthekues, vuajtja e pamohueshme. Lufta, që ka shembur strehët identitare, botën me trajtat e veta origjinale, ka marrë edhe të pafajshmit.

Ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç kur u vra ditë vere

tmerruar prej vapës po kalonte rrugicën e fundit

për të zënë derën e shtëpisë nuk pa njeri

dëgjoi të shtëna të gjata nuk ndjeu asgjë

iu këputën këmbët drita e bardhë e dheut

të tij u errësua ngadalë gropë u bë

në sytë e tij qielli u nxi ra përmbys

përmbyti të gjitha pamjet të gjitha kujtimet

ai ishte luftëtari më i ri më i pafajshmi

atdheun e njihte në trajtën e shtëpisë së tij

në fytyrën e prindërve dhe të motrës[…]                             

(Idioma, XV, f. 41)

Kundërvëniet e së bardhës dhe së zezës, të dritës dhe të errësirës, ngricës dhe zjarrit, heronjve dhe qyqarëve, të jetës dhe të vdekjes, janë të parapëlqyerat e poetit, që realizojnë kontrastet e thella e mbresëlënëse në poezi, duke evokuar imazhe tronditëse, të tilla që, si në rastin e poezisë së mësipërme, bëjnë që mu përpara syve tanë të shfaqet çasti i kobshëm i shuarjes së dritës së 16-vjeçarit të pafajshëm, të rënë për atdheun që njihte në trajtën e shtëpisë së tij.    

Një idiomë, shumë nivele leximi

Idioma si verb identitar dhe etik

Vetë titulli i përmbledhjes “Idioma”, për shkak të semantikës së fjalës, në makrostrukturë sugjeron disa nivele të leximit të tekstit, të cilat mandej shpërfaqen nga njëra poezi te tjetra. Idioma është gjuha e përbashkët e gjuha vetë – kujtesë e përbashkët (Humboldt-i do ta cilësonte shpirtin e një kombi). Kësisoj “Idioma” shfaqet si verb identitar.

 Në poemën “Stacioni i vjetër”, që çel pjesën e parë të librit, zhvendosja me përdhunë e njerëzve, për shkak të luftës, shënon aktin e zhbërjes së identitetit, të rrëgjimit të qenësisë dhe të individualiteti. Individi përballet me zvetënimin e shumëfishtë. Pahiri bëhet është pjesë e masës amorfe të një turme ikanakë, fatkeqe e të terrorizuar. Mandej tëhuajtet  dhe nga një njeri me emër të përveçëm (kujtesë, rrënjë, histori, gjuhë, identitet) bëhet një “përemër”, njësi quajtëse zëvendësuese (pa semantikë, pa motivim gjuhësor e identitar, përpos motivimit referencial).

Treni merr turmën e parë nën çjerrjet e xhelatit niset drejt jugut

kur mbarojnë binarët e tij njerëzit humbasin veten nuk njihen më

kartat e identitetit shqyhen si fytyra të zbehta emrin e kanë

vetëm për vete i presin emra të rinj pa shenja kujtimesh emrat

që do t’ua vënë të tjerët me përçmim si nofka njerëzish fatkëqij

treni tjetër merr turmën e radhës të gjithë emrat kthehen

në përemra në nyjën në të cilën nis errësira dhe harrimi i zi

(Stacioni i Vjetër, V, f. 15) 

Më tej, në libër verbi identitar jepet i thadruar bashkë me verbin etik vernakular të fjalës së urtë të paraardhësve, të fjalës së matur të gjyshërve, të kodit social të besës, të jetës me ndershmëri, pavarësisht sfidave mes padrejtësive e skamjes.

[…]

nuk e kthen kokën rrënoja e shtëpisë së vjetër mbetet

prapa shpinës bashkë me dheun e vjetër të të parëve

zëri i qetë i Gjyshit shuhet përgjithnjë vetëm guri te kryet

shenjon jetën e tij të gjatë rrëfimet e Gjyshes mbyllen

kur hijet zënë oborrin Nana nuk ka frikë më nga asgjë

Baba kujton të gjitha ndodhitë e shtëpisë së vjetër

jetën e ndërtoi aty shtëpinë ia rrënuan mallin për njerëzit

e zbraz kur flet për shtëpinë e tij të njerëzve të tij të dashur

më së shumti flet për luftën duket sikur ajo nuk mbaron

[…]                                                                                                         (Idioma, XXII, f.51 )

Kështu “Idioma” e bart pashmangshëm shenjën e qartë identitare dhe e skalit atë, duke thurur himnin më mbresëlënës për dashurinë për njerëzit tanë, si dhe për figurat jo thjesht të dashura, por emblematike të Gjyshit, Gjyshes, Babës, Nanës. Në mesin e të gjitha shenjave të tekstit të vetmet fjalë me shkronjë të madhe janë këto të të mëdhenjve të familjes.

 Poezitë me këto shenja vijnë e bëhen më lirike dhe në to idioma tashmë merr fytyrën e verbit personal. Poema “Idioma”, pas së cilës është titulluar edhe libri, përbëhet nga njëzet e dy pjesë, të lidhura në formën e një jetëshkrimi në vargje, për jetën e familjes – burimin e idiomës si gjuhë e dashurisë njerëzore dhe e nderimit për gjakun e vendin tënd. “Idioma” na flet për fëmijërinë, për rrëfimet e Gjyshes, për leximet e Gjyshit, për zinë e bukës, për nderimin e burrit të shtëpisë “si mësues i jetës”, për mbylljen e ciklit jetësor të të moshuarve të shtëpisë, që pas lënë kujtimin e tyre të pashuar dhe mësimet e vjetra “me të cilat e mbrojnë brezin e ri”. 

 Një poemë e tillë, kaq e fuqishme dhe e butë njëherësh, rrallë mund të takohet në letërsinë shqipe.

[…]

Gjyshi do të thotë edhe një rrëfim ta lërë edhe një fjalë

për Gjyshen së cilës as në frymën e fundit nuk ia thotë emrin

se afërsia e emërtuar është turp për burrin e vendit

një fjalë të fundit si fjalë të fillimit se gjërat njihen edhe pa emrat

e tyre dhe se dashuria që nuk thuhet është më e madhja

thelbi i zemrës së bardhë djegur në zjarrin më të madh

që nuk e shuan as kur jepet fryma e fundit

[…]                                                                                                         (Idioma, VII, f.30)


[…]

kur Baba e kuptoi se arma e vjetër ishte shkatërruar dhe mori të renë

që nuk e njihte me fjalët e tij të para si luftëtar

që nuk u nda me njerëzit e tij duke dhënë porosi

që asnjëherë nuk mendoi që njeriu që vritet

në luftë vdes Nana këto i kuptoi e para se Babën e njohu e para

që kur u bë grua atë e bëri burrë dhe kurrë nuk ia ktheu shpinën

as në zinë e madhe të bukës as në flatrat e lumturisë

as në flakët e luftës së fundit kur Baba u bë luftëtar

dhe gjithë të tjerët dëshironin të dukeshin dhe të ishin si ai.

 (Idioma, XII, f.35)

Vargjet e mësipërme, të shkëputura nga poema “Idioma”, janë sinteza poetike e mënyrës si frymonte mikrokozmosi familjar, tharmi i idealitetit të jetesës me kodet e normat autentike shqiptare, mbrujtur sipas idealit universal të të qenit bashkë, familje, në të mirë e në të keq; si në zinë e madhe të bukës si në flatrat e lumturisë,ashtu dhe në flakët e luftës së fundit, kur barbarët deshën ta nëpërkëmbnin këtë idealitet të jetës e të frymës shqiptare.                 

Idioma si verb universal

Në ciklin e dytë të vëllimit poetik, të titulluar “Shpina”, idioma shfaqet si verb universal në kuptimin e tematikës universale, që trajtojnë poezitë me karaktere e motive mitologjike, mes të cilave poezitë me titujt: Prometeu, Helena, Atlasi i ri etj. Këto poezi dhe të tjera, si Lista, Shkolla, Mësimi, Juda, Kafsha e lashtë etj. kanë një natyrë të dukshme alegorike. Motivet universale të tradhtisë, të gënjeshtrës, të pabesisë, të mashtrimit, të vrasjes rifunksionalizohen në kontekste të identifikueshme prej lexuesit si kontekste të rishta, të bashkëkohësisë së tij. Alegoria i vjen në ndihmë poetit që të japë mësimet etike te të cilat beson, pa e tradhtuar natyrën e poezisë moderne, që s’i bën vend me lehtësi predikimit të angazhuar të vlerave të caktuara.

Historiani i plakur shkroi ditarin e tij të fundit

tregimin e jetës me gënjeshtrat më të zeza

deshi të shpikte prova për listën e zezë

kishte gënjyer edhe për emrin e vet bota kishte ecur

                                                                                                                                (Lista, III, f. 66)

mjeshtri i vjetër mendoi se Atlasi do të jetë lodhur shumë

nga globi mbi supe tha se nga shërbimi i gjatë do të jetë pjekur

të bëhej mjeshtër shërbëtori këlthiti: jam mjeshtër vetëm mua më takojnë

dekoratat lavdia dhe kurora me dafina si në gravurat e vjetra

të burrave fisnikë me fytyra të hequra në mendjen e tij hoqi globin

prej supeve iu bë sikur ujërat zunë tokën përpinë qytetet

natyra heshti në fundin e saj të errët Atlasi i ri zuri vendin

e mjeshtrit të tij të vjetër tha: vrava të gjitha të vërtetat

                                                                                                                                (Atlasi i ri, f. 68)

Në rrjedhat e këtyre poezive spikat qesëndisja ndaj udhëheqësit të kapluar nga madhështia e gënjeshtërt, ndaj historishkruesve falsifikatorë, ndaj turmës si fatkeqja e përhershme e ndëshkuar nga padija dhe nga prijësit e saj të djallëzuar. Kështu në këtë cikël, krahas kumtit alegorik, që e pranon edhe leximin si alegori politike për pushtetin, shquhet kumti etik si idiomë e verb universal.

Tirania më e gjatë u përket budallenjve

e vetmja e suksesshme e pandalshme përjetësisht

bota e tyre sundohet me lehtësi

të gjithë ndihen të barabartë krenarë

hisedarë të tiranisë së përbashkët që shtyp

të gjithë pa ua prishur lumturinë e pjesëmarrjes

(Tirania, f. 82)

Vargjet e poezive të tilla fare mirë mund të lexohen si sentenca, që kumtojnë mësimin universal. Ndërsa cikli poetik, si një i tërë, shenjon alegorinë për të vërtetat universale, kumtuar prej pozitave dhe pikëpamjeve të njeriut të dijshëm, me natyrë sokratike.

Idiomë e dritës dhe e errësirës

Cikli i tretë poetik “Lëkura” është ai që e shfaq krejt qartë idio-lektin e idiomës autoriale të Kujtim Shalës. Në këtë pjesë të fundit të librit shihet një zgjatim i mëtejshëm të shtjellës poetike të poetit, përvijuar nga veprat e tjera pararendëse. Ky cikël përbëhet nga poezitë Varka e vjetër, Shtëpia e të huajve, Pamja, Statuja, Fundi, Ekrani i zi, Lëkura. Të gjitha poezi të përjetimeve të dashurisë me përthyerje figurash kozmogonike, të mbarsura me stilema dhe me figuracionin tipik autorial, imazhet apokaliptike, me vargje të këputura, por pa karakterin narrativ të dy cikleve të para të “Idiomës”.

Në këto poezi përjetimi dashuror është sublim; qiejt, toka, yjet e ujërat, akujt e dherat vihen në lëvizje për ta figuruar atë. Larg prej rëndomtësisë së vokabularit të përditshmërisë, shenjat dhe motivet e poezisë i zgjojnë lexuesit ndjesinë e idiomës dashurore lasgushiane.

[…]

në ëndërr shuhen zjarret e jetës

Dimri çel në duart e tua

Në gji thure pranverën kurorë për vete

vdiqa prej çudisë për pranverën që nuk ngroh

Dorën e askujt mbretëreshë

Që luan me yje me zjarr u jep dritë

                                (Ekrani i zi, IV, 102)

Sentimentalja përftohet prej kontrasteve të forta të dritës dhe errësirës, akujve dhe zjarrit, bardhësisë dhe nxirjes, në prag të vjeshtës së jetës, ku mbizotërojnë motivet e dashurisë – si ndjesi e vërtetë, por e pajetuar përtej përkohshmërisë së çastit – motivet e ikjes, të ndarjes dhe të fundit të pashmangshëm, sepse “asgjë nuk zgjat më shumë sesa fundi”.

ti nuk më dëgjon errësirën time ke njohur që në fillim

zemrën e saj në fund si trishtim pa skaj në ditën e fundit të jetës

dritën tënde ke hapur mbi mua zemra e errësirës nuk është larë

dritën tënde ke lënë për të fshirë mëkatet e mia të zeza

ke mbyllur sytë duke më shikuar për të më dhënë rrezen e fundit

Gjithësia është errësuar është shkrirë në zemrën time të errësirës

në fundin e zi të ligësisë në vjeshtën e errët rrugicave të shtruara

me gurët e zinj të lagur që me pabesi presin t’i shkelë këmba ime e rëndë

(Fundi, II, 96)

E kështu me këtë cikël të tretë të librit idioma personale e Kujtim M. Shalës – e dallueshme në koncept, figurë dhe shprehësi – kthehet t’i vijojë gjurmët e vetvetes në korpusin poetik.

Nëpërmjet librit “Idioma”, poezia lartohet si idiomë dhe arkiv kujtese për vuajtjet e luftës, për shenjat e pashlyeshme të jetës dhe të njerëzve tanë,  për principet e kodit moral e identitar, për mësimet etike universale, si dhe për përjetimin ndjenjësor si fuqi që rrok e lëviz mbarë botën. Ky arkiv nuk do të mund të qëndronte si ngrehinë poetike, po të mos thurej sa nga frymëzimi poetik aq dhe nga intelekti e dija e poetit, i cili edhe një herë e ka sjellë për lexuesin një tjetër dëshmi mbresëlënëse për gjeninë e vet krijuese.

Exit mobile version