Kreu Letërsi Shënime mbi libra Prof. Asoc. Dr. Anila Mullahi: “Pas mesnatës”, akti i rrëfimit të sekreteve...

Prof. Asoc. Dr. Anila Mullahi: “Pas mesnatës”, akti i rrëfimit të sekreteve si akt shpëtimi i Brunilda Zllamit

Brunilda Zllami është një nga romancieret më të njohura në letërsisë bashkëkohore, e cila ka botuar një numër të madh romanësh të suksesshëm. Ajo me romanet e saj ka arritur të krijojë atë që nuk është e thjeshtë të arrish në letërsinë bashkëkohore, të krijosh një “lexues besnik” i cili pret dhe lexon me dëshirë çdo roman të shkrimtares. 

“Pas mesnate” është një roman psikologjik që ka aftësinë të futet në skutat me të errëta, në thellësitë e shpirtit dhe mendjes të një tërësie personazhesh. Zllami ka ndërtuar një roman që nuk ka një personazh kryesorë, por disa të tillë, të cilët me historitë e tyre të veçanta krijojnë një kompozicion të ndërtuar në bazë të disa linjave paralele që herë janë krejtësisht të shkëputura e herë përplasen njëra me tjetrën.

Nëpërmjet një rrëfimtari të gjithëdijshëm shkrimtari realizon një rrëfim që shpesh është objektiv, i qartë në atë që tregon i mbushur me informacione për të shkuarën e personazheve por dhe për të tashmen. Në disa raste rrëfimtari bën sikur hiqet mënjanë dhe ja lë në dorë rrëfimin e historive secilit prej personazheve, në këtë mënyrë rrëfimi bëhet më intim dhe tronditës, por nuk bëhet kurrë artificial sepse në rrëfimet e tyre personazhet që ka krijuar janë gjithmonë të sinqertë. Ndonëse romani është ndërtuar nëpërmjet disa linjave, rrëfimi ruan një rrjedhë të natyrshme dhe nxit kuriozitetin e lexuesit që të bën të mos e lërë romanin pa mbaruar. Ngjarjet rrëfen në një tef të hollë kohor, kur vdekja dhe jeta bashkëjetojnë në një afërsi të çuditshme

Trajtohen problemet familjare, mungesa e dashurisë, divorci, amësia dhe mungesa e dëshirës për të pasur fëmijë, perversionet trupore por edhe mostërheqja fizike si një formë refuzimi, si dhe probleme sociale si korrupsioni, roli i parasë që kanë deformuar strukturën totale të vlerave njerëzore, pasojat e përdorimit të drogës dhe alkoolit tek individi dhe në shoqëri etj. Shkrimtarja përpiqet të ndërtojë një roman ku të përzihen bashkë personalja dhe socialja.

“Pas mesnatës” është një roman që shpërfaq rrëfimet për disa gra, të cilat enden si disa histori rastesh të veçanta, të mbrujtura me një zemërim të madh të brendshëm, të mbushura me gabime, me pengje, me dështime të fshehura, me suksese që përdoren për të fshehur gjithçka  tjetër: të gjitha të dhëna në një rrafsh psikologjik. Personazhet e Zllamit vinë nga shtresa e mesme e popullsisë, janë intelektualë në kërkim këmbëngulës të suksesit që rrugës humbasin arsyen e fillimit të rrugëtimit. Nga njëra anë të hapur ndaj ndryshimeve që sjell koha, me dëshirën për tu shfaqur edhe modernë edhe të lirë, por edhe në përpjekje të vazhdueshme gati në formë edhe të dëshpëruar për të ruajtur familjen tradicionale duke përdorur herë edhe fëmijët ndaj partnerëve. Janë të frikësuar se ç’mund të jetë jeta e tyre pa familjen, pa qenë gruaja ose burri i dikujt, nga vetvetja.

Arsyet e tronditjeve të marrëdhënieve familjare mund të jenë të ndryshme, një ves si alkooli, një tradhti, humbja e besimit, humbja e interesit seksual tek partneri.   

Të gjithë kanë frikë të ndryshojnë përditshmërinë, normalitetin. E kanë pranuar atë dhe ndonëse nuk e duan e konsiderojnë të rëndësishëm. Eljana ha pa pushim sikur kërkon të shuajë nevojën erotike që bashkëshorti nuk e sheh më tek ajo, Damiani vazhdon të buzëqeshë kur është pranë fëmijëve në shtëpinë ku ai bashkëjeton me gruan që e ka tradhtuar, por harron faktin se pija e tij e kishte bërë atë grua “të etur”, Klea nuk e do Adnanin, ndoshta nuk e lë egoizmi i saj por nuk ikën prej tij sepse e njeh mirë veten.

Katja dashuron veten dhe gjithkënd që i shërben asaj, sapo dikush ikën nga roli që ajo i ka caktuar, ajo merr rrobat dhe largohet, të paktën është e sinqertë. Ajo mund ta rindërtojë sërish personazhin e saj si e paprekshme.

Në një realitet të tillë ku secili ka bërë zgjedhjet e veta, ka bërë kompromiset e veta dhe mbi të gjitha ka pranuar rolin e vet ndodh diçka që e trondit vazhdueshmërinë dhe qëndrueshmërinë, ardhja e Kovidit.

Kovidi turbulloi të gjithë botën, por në radhë të parë ishte si një tallje për të gjithë ata që mendonin se mund të planifikonin gjithçka, të ardhmen, si tallje për ata që mendonin se ishin të sigurtë në jetën e tyre për hir të rinisë apo për hir të parave. Kovidi në romanin e Zllamit është sfondi, është një kornizë që bën të nxjerrë në pah atë që ndodh brenda në tablo. Ai ishte një kornizim i detyruar i jetës së njerëzve. Nëse më parë njerëzit mendonin se ishin të lirë, qoftë edhe për ti ikur të keqes,  kovidi i bën njerëzit të kuptojnë dobësinë e tyre dhe i bëri të aftë të kuptojnë se jeta e tyre mund të ishte aq e shkurtër…, sa e nesërmja. Në një kohë të tillë personazhet e romanit gjejnë kohë të shohin brenda vetes, bëhen kritikë ndaj vetes e fillojnë të kërkojnë çfarë janë dhe sa larg kanë shkuar nga ajo që dëshironin të ishin. Mbyllja luan efektin e kundër, në hapjen brenda vetes.

Nata është koha që simbolizon errësirën, të fshehtën, frikën, misterin, të papriturën, të paparashikueshme, ndonëse shkrimtarja e përcakton edhe më tepër kohën “pas mesnatës”. Pas mesnatës, në fshehtësi, në errësirë, mund të jesh vetvetja, mund të zbulosh vetëveten.

Një roman që të bën të mendosh, të reflektosh me jetën e çdo lexuesi.  Për të qenë të suksesshëm, personazhet e romanin kanë zgjedhur të fshihen ose ta rikrijojnë veten. Të gjithë tentojmë të modifikohen madje e konsiderojmë si nevojë dhe si aftësi. Sa më shumë të modifikohesh aq më e vlerësueshme shihesh në sytë e botës që janë “të dobët” e i tregojnë dobësitë. Modifikim do të thotë gati në i sukshem

Katja – regjisorja e suksesshme të cilën të tërë e adhurojnë nuk është gjë tjetër veçse një personazh që e ka shpikur vetë dhe që e luan në mënyrën më perfekte. Një personazh i rrallë për letërsinë shqipe, por i njohur në letërsinë botërore ajo ka mëdyshje mbi mëmësinë e saj.  

Klea – është një grua ka menduar se i ka idetë e qarta, se e di çfarë e lumturon në jetë dhe nuk heq dorë nga kënaqësitë e saj. Në roman ajo po kalon një moment kur ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë një gjendje kaosi për të gjendur rendin e saj i vjen në ndihmë një zë i panjohur, pas mesnatës.

Eljana – po kalon në depression sepse ka kohë që ka hequr dorë nga jeta e saj, kjo më saktë se burri i saj ka hequr dorë prej saj. Ajo ka rënë plotësisht në “grackën e shtëpiakes dhe mëmësisë”. Ajo duket e pavlefshme në sytë e burrit të saj dhe ka filluar ta besojë dhe vetë, ndërsa burri i saj lulëzon në karrierën e tij pikërisht edhe për hir të komoditetit që i ka krijuar ajo.

Gratë që ka krijuar Zllami në romanin e saj, kanë pasione të forta dhe ato përmbajnë thelbin e kënaqësisë së tyre. Katja është individi që ka pasionin e të bukurës në art. Ajo jeton për të bukurën estetike të cilën ka aftësi ta krijojë nëpërmjet teatrit.

Kërkimi i identitetit personal dhe femëror është një nga temat e romaneve të mëdha të Brontë, Dickinson, Walker, Ferrantes dhe shihet si një nga toposet më të ndërlikuara dhe më të vështira në letërsi. Zllami ka zbërthyer sesi personazhet e saj janë në një kërkim kompleks të indentitetit personal dhe identitetit femëror nëpërmjet miqësisë, nëpërmjet shoqërisë.

Të gjesh guximin t’i pranosh të vërtetat para vetes e më pas ti ndash me të tjerët është e vështirë. Të zbulosh sekretet e tua është një mënyrë për të dalë lakuriq para të vërtetës. E jo gjithkush duket bukur në këtë lloj lakuriqësie, e jo gjithkush e pranon lakuriqësinë e vet aq më pak të të tjerëve.

Të gjithë personazhet e romanit kanë sekretet e tyre, të cilat herë vijnë nga e shkuara e largët, por herë mund të kenë lidhje edhe me momentet e tanishme. Sekretet të bëjnë të mbyllur, të frikësuar, të pasigurtë në vetvete. Sekret do të thotë pasiguri, për imazhin që ti ke për veten në radhë të parë dhe më pas në atë që do të përthyhet në jetën e të tjerëve. Të mbyllur, të frikësuar për jetën, njerëzit kuptuan sa të dobët ishin. Ajo kohë i nxiti në autorefleksion, nëpërmjet të cilit panë më nga afër veten, panë vitet që kishin ikur, kujtuan një histori dashurie nga e shkuara që e ka bërë personazhin të jetojë me kokën pas, dikush kujtoi fëmijën e braktisur të cilin se ka marrë mundimin ta kërkojë kurrë, dikush pranoi një perversitet seksual ku gjen kënaqësinë të cilin e fsheh, dikush pranon nevojën për bisedat sekrete me një të panjohur pas mesnatës duke i treguar shpirtin e zhveshur ashtu siç burrit që ke në krah s’ja ka treguar kurrë etj. Akti i rrëfimit të sekreteve bëhet një akt shpëtimi për personazhet dhe shoqëria si i vetmi vend ku mund të shpërfaqen me dobësitë  e tyre.

Zllami ka aftësinë të krijojë personazhe që lexuesi nuk arrin ti gjykojë. Askush nuk ka të drejtë të gjykojë rrugëtimin e të tjerëve, të mos gjykojë Katjan që dikur ishte Katerina që pasi braktisi fëmijën e ardhur nga një dashuri e dështuar, e neglizhon edhe djalin e saj që vjen nga martesa. Dikur, në momentin kur ajo, shumë e re, ishte gjendur e braktisur humbi ndjesinë e mëmësisë dhe mësoi të dashuronte vetëm vetveten, kjo e detyruar nga rrethanat. Ajo e mbulon veten me një koracë e cila e ka shkëputur nga ndjesorja. Mua m’u desh kohë që të gjeja pak dashuri për veten – u rrëfehet ajo shoqeve të saj – duke shpërfaqur një Katja të brishtë. Mënyra sesi është krijuar ky personazh nuk të bën ta urresh, ta gjykosh. Fuqia e saj nuk është tek dashuria, por tek pasioni i saj. Klea është egoiste në ndjesitë e saj, ankohet për pakënaqësitë e saj në punën që bën, për mungesën e të qenit romantik të një burri që në çdo gjë tjetër është perfekt, por ajo nuk na bezdiset, nuk e gjykojmë edhe për egoizmin e saj sepse është kaq humane me ata që kanë nevojë dhe këtë nuk e bën për t’u dukur.

Romani “Pas mesnatës” është një roman që kërkon të mësojë të duash më shumë veten se të gjithkënd tjetër. Zllami i pëlqen të rrëfejë histori ku stili është i qartë, i sinqertë dhe ku ngjarjet, që janë pjesë e një jetë të zakonshme, enden njëra me tjetrën me një fantazi të jashtëzakonshme duke e bërë tekstin shumë tërheqës. Romani sikur arrin të zhveshë shpirtin e heroinave të tij, por edhe të lexuesve që kapin në të ritmin e jetës së tyre qoftë edhe të copëtuar.

Exit mobile version