Kreu Letërsi Shënime mbi libra Prof. asc. Albana Deda & prof. asc. Monika Hasani: Metafora konceptuale dhe...

Prof. asc. Albana Deda & prof. asc. Monika Hasani: Metafora konceptuale dhe nevoja e identifikimit të saj në korpusin letrar të shqipes

Metafora në trajtimet tona

Nëse konsultohet literatura jonë në lidhje me metaforën, po edhe me gjithë figuracionin letrar, mund të dallohet se numri i studimeve është shumë i ulët dhe në përgjithësi këto të fundit janë parë në aspektin aplikativ, pra në lidhje me realizimin konkret te iks autor i këtyre figurave.

Nga ana tjetër, vihet re se trajtimet në përgjithësi në lidhje me metaforën janë në kuadrin tradicional klasik (megjithëse ky pohim është për t’u marrë me rezervë, nëse vë re trajtimet që i janë bërë këtij termi në literaturën e huaj).

Kështu, është lehtësisht e dallueshme se deri tani vonë, me ndonjë përjashtim të rrallë, ndikimi aristotelian ka qenë dominant në konceptimin e përkufizimit në lidhje metaforën.

Rikujtojmë se Aristoteli e përcakton në këtë mënyrë metaforën “Metafora (metafora) konsiston dhënien (epifora) e një sendi një emër (onomatos), që i përket diçkaje tjetër (allotriou), kalimi është ose nga gjinia specie (apo tou genous epi në eidos), ose nga specia gjini (apo tou eidous epi në genos), ose nga speciet specie (apo tou eidous epi në eidos), ose në bazë analogjisë (ê kata në analogon).” (Poetics 1457b6–9). (Në këtë punim ne nuk do të hyjmë në diskutimet e vazhdueshme qoftë me përkthimet e ndryshme që i janë bërë këtij fragmenti dhe termave që gjenden në të, as me semantikën e termave dhe as me debatet mbi domethëniet e tyre, pasi nuk është në fokusin e këtij punimi. Këtu do t’i përmbahemi konceptit të transferimit të emërtimit të një njësie, elementi, të një grupi te një njësi/element, grup tjetër.).

Po le të kthehemi në trajtimet tona. Në këtë kontekst, po sjellin në vëmendje disa përkufizime:

  • Justin Rrota: Metafora âsht njai trop, qi trajtohet, tuj përdorë nji fjalë në vênd të njaj tjetre, mjaft qi të pergiten ndo’i fare me vështrim. Kështû thomi: Në rrânxë të malit. Lulja e djelmnìs. Mos ther me fjalë. Na e çave kryet. Pjetri âsht gacë e mbëlueme. Të këndofët zêmra. Dera e Gjomarkajve. Mos e ha fjalën. I vëlon idhnimi. Asht tuj u grî, e tuj zie veti me veti.:(1925).
  • Jakov Xoxa: Metafora pra është ay lloj tropi, i cili mbart veçoritë e një fenomeni mbi një fenomen tjetër, në sajë të një krahasimi që bëhet në mendjen tonë (1965).
  • Fjalori Shpjegues i Termave të Letërsisë: metaforë-a (gr. Metaphorá- tejbartje): “Është një nga tropet kryesore që i jep një fjale kuptimin e një fjale tjetër. Shprehjet «qeshet natyra», <<më qan zemra» «e ardhme e ndritur», «vullnet i çelniktë janë shprehje metaforike, sepse foljet qeshet, qan dhe mbiemrat i ndritur, i çelnikët janë përdorur me kuptim të figurshëm. Edhe metafora, si krahasimi, mbështetet në marrëdhënie ngjashmërie, por ndërsa tek ky i fundit bëjnë një krahasim të thjeshtë («Je e bukur si dielli») tek metafora krijohet një identifikim me vetë sendin (Je një diell). Kështu pra tek metafora ideja abstrakte (bukuria) zëvëndësohet nga një figurë konkrete, më e gjallë dhe më shprehëse (dielli) që të lë më të fortë se krahasimi i thjeshtë (1972).
  • Xhevat Lloshi: Tropet si mjete të shprehësisë së autorit janë gjithashtu shmangie nga emërtimi i drejtpërdrejtë, por që bëjnë përshtypje të fortë, sidomos kur janë origjinale. Shmangia do të thotë një zhvendosje kundrejt referimit, por mund të jetë edhe një ndryshim në semat e fjalës, si dhe një ndërthurje e të dy proceseve (Lloshi, 2002).

Është i dukshëm në këto trajtime koncepti i bartjes që gjendet dhe në të shenjuarin e termit të metaforës vetë (metaforë greqisht tejbartje) dhe përcaktimin aristotelian të saj.

Veçse te Rrota përkufizimi ka nuanca pragmatike (ka të bëjë me përdorimin dhe përdoruesin: tuj përdorë nji fjalë në vend të një fjalë tjetër). Te Fjalori i termave të Letërsisë ai anon më shumë nga qasja semantike (trop që i jep kuptimin e një fjale një fjale tjetër).

Te Lloshi kemi një shpjegim më kompleks, pasi në të vemë re edhe konceptin semantik edhe strukturor, madje duke vënë në dukje edhe efektin stilistik , të dalluar po ashtu nga Aristoteli (që bëjnë një përshtypje të fortë, Retorika).

Kurse te Xoxa përkufizimi shfaqet në kufij më të gjerë perceptimi, pasi e sheh këtë figurë si fenomen, dukuri, duke nënkuptuar kështu edhe procesin, madje duke e parë në kuadrin e një procesi mental (në sajë të një krahasimi që bëhet në mendjen tonë.)

Pavarësisht interpretimit që mund t’i bëhet përkufizimit si një këndvështrim më i zgjeruar , trajtimi i mëtejshëm i Xoxës në fakt vjen drejt ngushtimit, pasi koncepti i krahasimit te Xoxa nuk shihet si proces përqasjeje, përkimi, po si një krahasim në kuadrin e figurës përkatëse, madje duke e etiketuar metaforën si krahasim të fshehur (Themi se metafora krijohet në sajë të një krahasimi që bëhet në mendjen tonë, sepse ky krahasim, pa të cilin nuk mund të kemi metaforë… Nga kjo anë mund të themi se metafora është një krahasim i shkurtër së cilës i mungon lidhëza si. Xoxa, 1965:73.)……..

Interesant është diskutimi i Lloshit në lidhje me ndërtimin e metaforës. Duke e parë si një proces identifikimi i shmangur nga logjika i dy anëve nëpërmjet një predikati të përbashkët, ai tenton të shpjegojë në mënyrë më analitike veçanërisht në rrafsh formal koheziv ndërtimin e saj (Parimi i identifikimit shmanget nga logjika, sepse njëjtësimi i dukurive bëhet sipas predikatit të përbashkët, diçka e papranueshme për silogjizmat. Kur identifikimi bëhet sipas ngjashmërisë, pra, kur predikati shënon një tipar të përbashkët ose të ngjashëm për të dy anët, atëherë kemi metaforë. 1999).

Në këtë hulli debati ai e sheh teknikisht metaforën si realizim i një shmangieje në nivel strukturor, pra si produkt i një strukture (Citojmë: Është i gabuar koncepti shkollor që i sheh figurat te fjalët e veçanta. Lloshi, 1999:138. ). Madje ai merr shembullin e dhënë në Fjalorin e Terminologjisë së Letrare (1972) për të shpjeguar se metafora “qeshet natyra” nuk realizohet vetëm nga folja, po nga shmangia në valencë e komplementit të zakonshëm për të njeriut me një tjetër jo të zakonshëm për të siç është natyra.

Në këtë mënyrë ai hedh poshtë shumicën e kategorizimeve, që i gjen rëndom në nivel parauniversitar dhe universitar (përfshirë edhe Xoxen, 1965: 74-75), që kanë të bëjnë me etiketime të tilla si metaforë folje, emër, mbiemër.

Nga shqyrtimi i literaturës së mësipërme vëmë re se edhe Rrota mundohet të jetë më analitik, pasi ai i specifikon llojet e metaforës përtej një njësie (Metafora ndërtohet katër mëndyrësh: 1 — tuj i përshtatë njij frymbori sêndin, cilltin a veprën, qi i përket njij frymbori tjetër: Mos leh kundra shoqi. Eja more grêth e bânu bletë. Ai âsht nji dhelpen; 2. tuj u a pershtatë pafrymborëvet nji sênd, qi perket pa frymborëve t’tjerë: Hijet e shpeshta të nâtës. Kroje t’argjanta; 3. — tuj u a pershtatë pafrymborëvet, sêndin, qi u perket frymborëvet: Dashtënija e flakët e atdheut. Leu djelli; 4. tuj u a pershtatë frymborëvet sêndin a veprën e pafrymborëvet: Me armë në dorë, me zjarm në gji. Si të bâhesh urë, gjithë bota të shklet. Trim i çartun. Fëmi i njomë.).

Madje ai përdor foljen me përshtat për të përshkruar procesin, që sipas nesh semantikisht është më korrekte dhe nuk krijon ngatërresa ( siç ndodh me krahasimin si proces e krahasimin si figurë)

Duhet thënë se në këtë trajtim shembujt kanë edhe metafora të shuara dhe idioma të ligjërimit të zakonshëm, pavarësisht se nuk diskutohet pesha e metaforës në ligjërimin e zakonshëm.

Si përfundim konstatojmë se në trajtimet e mësipërme mungon një koherencë në trajtim.

Në më të shumtën e rasteve koncepti trajtohet në kufijtë e një fjale. Edhe kur në përkufizimi ai jepet në kuadrin e një procesi, kur vjen puna në klasifikimet sipas llojeve, përsëri ajo mbetet pasuri e një fjale (përjashtojmë Lloshin).

Transferimi reduktohet thjesht në një krahasim të thjeshtë e në rastin më të mirë si identifikim të një koncepti te një tjetër. Edhe brenda të njëjtit autor vëmë re trajtime të ndryshme. Nuk ka një linjë teorike të saktë që identifikon procesin.

Teoria e metaforës konceptuale (CMT)

Koncepti i metaforës konceptuale nga pikëpamja e teorive konjitive është shprehur fillimisht nga Michael Reddy dhe George Lakoff në vitet 1970 (Natyrisht janë shfrytëzuar punët e shumë pararendësve që arrijnë deri te tezat e Sapir & Worf-it). Më pas ai u përpunua nga Lakoff dhe Johnson në veprën ikonike “Metaphors we live by” (1980).

Sipas këtyre, autorëve metafora është fillimisht konceptuale e më pas është gjuhësore, gjestiale dhe vizuale (Lakoff , 2014).

Lakoff-i sqaron se “Ka ide metaforike kudo dhe ato ndikojnë në mënyrën se si ne veprojmë. Mendimi metaforik dhe kuptimi metaforik i situatave lind në mënyrë të pavarur nga gjuha.” Sipas tij,  “Ky zbulim çoi pothuajse menjëherë në hipotezën se arsyeja e përditshme që kuptohet si “abstrakte” (jo vetëm për objektet dhe veprimet fizike “konkrete”) përdor mendimin e mishëruar metaforik” (Lakoff & Johnson, 1999). Në këtë mënyrë koncepti i metaforës konceptuale u përcaktua fillimisht si “të kuptuarit të një domeni të përvojës (që zakonisht është abstrakt) me termat e një domeni tjetër (që zakonisht është konkret)” [Lakoff & Johnson, 1980]. Në lidhje me këtë përcaktim Köveches (2022) dallon faktin se pjesa e parë e përkufizimit specifikon një proces, kurse e dyta një produkt.

Më tej ai e riformulon këtë përkufizim, duke specifikuar se “Metafora kontekstuale është një rrjet sistematik përkimesh (përvojash) mes dy domeneve të përvojës.” (Koveches, 2022:2)

Koncepti i mësipërm na çon në deduktimin se gjuha në konceptin tradicional është bartësja e kornizave konceptuale tashmë të strukturuara në trurin njerëzor, të cilat janë formatuar të pandikuara nga ajo (gjuha) dhe gjenden kryesisht në qenien njerëzore.

Në këtë kontekst Lakoff & Johnson (1980) bëjnë këtë përcaktim mbi procesin:

  • Idetë janë objekte;
  • Gjuha është një kontejner për objektet-ide;
  • Komunikimi është dërgimi ideve-objekte në gjuhën-kontejner.

Më tej Lakoff & Johnson sqaruan se metafora krijohej mbi bazën e një harte konceptuale, duke identifikuar “domenin e burimit” i cili shërben për dërgimin e ideve- objekte në kontenierë (në gjuhë) dhe “domenin e synimit”, i cili përfaqëson komunikimin e ideve nëpërmjet gjuhës.

Në këtë mënyrë metaforat e jetës së përditshme në radhë të parë (jo vetëm ato letrare) ndërtohen nga përqasja e këtyre dy domeneve. Kështu, nëse thuhet “Policia krehu zonën” domeni i burimit do të ishin idetë- objekte që kanë të bëjnë me kontekstin e mirëmbajtjes personale (krehjes). Pikërisht nga ky domen është marrë folja kreh, e cila është projektuar në kornizën kontekstuale të policisë e punës së saj (si domen synimi), për të arritur idenë e kontrollit të vendngjarjes.

Janë pikërisht këto lloj përqasjesh konceptuale mentale, që realizohen duke shfrytëzuar kontenierin gjuhë.

Në këtë mënyrë, hidhet poshtë koncepti tradicional që metafora realizohet nga një fjalë e vetme. Gjithashtu, ajo nuk mund të konceptohet më si një përshkrim thjesht letrar, po si një mekanizëm i zakonshëm në jetën tonë konceptuale e komunikative të përditshme.

Po kështu, nuk ka kuptim ta diskutojmë atë thjesht nga pikëpamja e realizmit konkret gjuhësor të saj, pra si pasuri e kontenierit, siç është karakterizuar më së shumti tradicionalisht. Ajo fillimisht është produkt mental i ideve -objekte (me termat e konjitivizmit), i cili më pas realizohet me elementet e gjuhës, po në kuadrin e modeleve që në fazat e mëvonshme të përpunimit të kësaj teorie janë përcaktuar e vazhdojnë të përcaktohen.

Kështu, Lakoff-i nënvijëzon faktin se Reddy kishte gjetur mbi 100 klasa shprehjesh (Shembujt përfshijnë: Më në fund ia dolët ndaj tij. /Kuptimi është pikërisht aty tek fjalët./ Vendosni mendimet tuaja në një gjuhë të qartë. /Fjalët tuaja janë të zbrazëta . Etj.). Sipas tij, përgjithësimi që mbulon metaforat gjuhësore nuk është në gjuhë, por në konceptimin metaforik të komunikimit, duke dërguar ide-objekte në kontejnerët e gjuhës (Lakoff, 2014). Studimet e mëtejshme kanë përcaktuar harta të tjera (Lakoff & Johnson, 1980 etj.)

Një mënyrë e tillë e komunikimit përmes atyre që në anglisht quhen metafora të vdekura (dead metaphors, në shqipe metafora të shuara) përbën një sasi të madhe të korpusit komunikativ njerëzor.

Po le të shohim nëpërmjet një shembulli se si përcaktohen dy domenet. Lakoff & Johnson për metaforën “Jeta është një udhëtim” dallojnë këtë hartë përqasjeje mes dy domeneve:

Domeni i burimit – domeni i synimit

Fillimi i udhëtimi – lindja

Fundi i udhëtimit – vdekja

Me arrit në destinacion – me arrit synimin

Udhëkryqi (jam në udhëkryq) – dilema nevoja e një zgjidhjeje

Pengesat-vështirësitë

Bashkëudhëtarë shokë, partnerë (Lakoff & Johnson, 1980)

Sipas këtyre studiuesve, kjo lloj harte perceptive ka statusin e metaforave universale, pasi gjendet në gjuhë të ndryshme. Në fakt, duhet thënë se edhe në përkthimin e mësipërm nuk patëm asnjë vështirësi, pasi të njëjtat struktura përdoren edhe në shqipe. (Duhet shtuar që qasjen e Lakoff-it e Johnson-it që i shihnin metaforat konceptuale si ndërveprim të dy domeneve M. Turner dhe G. Fauconier e konceptojnë si shkrirje, “fusion/blending” të hapësirave mentale,1998.).

Po si kryhet procesi i përqasjes  (ose shkrirjes) ? A është ai individual dhe i papërcaktueshëm, si rrjedhim edhe i papërgjithsueshëm, apo mund të dallohen hapësira mentale që mund të gjenden edhe te përdoruesit e të njëjtit kod e më gjerë edhe të kodeve të ndryshme?

Lakoff-i (2014) sqaron se këto diskutime çuan drejtpërdrejt në Teorinë e Njohjes së Mishëruar, ECT , për të cilën do të flasim më poshtë.

Teoria e njohjes së mishëruar (Embodied Cognitive Theory, ECT)

Sipas Lakoff-it (2009), truri njerëzor e organizon njohjen, duke e strukturuar atë në korniza apo skema komplekse të organizuara në mënyrë hierarkike. Çdo kornizë/hartë (frame/map) përdor koncepte primitive që ndryshe quhen role semantike . Këto fundit lidhen natyrisht me njohjen konjitive të këtyre perceptimeve në trurin njerëzor. Kështu, vrapimi ka role semantike  të tilla si vrapuesin, pistën a rrugën e vrapimit, shpejtësinë e vrapimit, njeriun a qenien që vrapon etj.

Elemente të tilla (rolet semantike) quhen koncepte primitive nga Lakoff (2009) “Çdo kornizë metaforike, domen përdor koncepte të tilla primitive dhe metafora konceptuale (kapi ritmin, iu dha këmbëve etj.) për të realizuar komunikimin.”.

Ajo që duhet theksuar është fakti se përdoruesi nuk përdor vetëm një metaforë të vetme konceptuale, por shumë të tilla në kuadrin e atyre që quhen metafora komplekse. Në këtë mori përdorimesh studiuesit kanë parë edhe mundësinë e përgjithësimit ose përcaktimit të një kornize konceptuale që mund t’i bashkojë ato. Kështu Lakoff-i (2009) në lidhje me metaforën “JETA ËSHTË NJË UDHËTIM” dallon këto metafora të tjera ose harta konceptuale përbërëse:

  • Udhëtarët ==> Të dashuruarit
  • Automjeti ==> Marrëdhënie
  • Destinacionet e përbashkëta ==> Qëllimet e përbashkëta të jetës
  • Pengesat në udhëtim ==> Vështirësitë në marrëdhënie

Këto harta konceptuale metaforike u analizuan më tej nga Lakoff & Johnson dhe u vu re se në fakt, në to mund të gjendeshin konjicione jometaforike, që mund të përbënin ato dhe të cilat ishin pjesë e përvojës konjitive njerëzore. Kështu ata shpreheshin se :

“Ka metafora primitive që fitohen jetën e përditshme, kur dy përvoja bazike mishëruara/fiksuara (embodied) ndodhin rregullisht së bashku. Për shembull, qëllimet kuptohen si destinacione. Në jetën e përditshme, arritja e qëllimeve shpesh kërkon arritjen e një destinacioni. Nëse dëshironi një birrë ftohtë, do të duhet të shkoni te frigoriferi. Në kulturën amerikane, njerëzit pritet kenë qëllime jetë, dhe një çift brenda një lidhjeje dashurie afatgjatë pritet ketë jetë përputhet me qëllimet. Metaforikisht kjo do të thotë kesh destinacione përbashkëta” (Lakoff dhe Johnson, 2014: 2).

Kështu sipas tyre, me dit është me pa, ose koha është lëvizje. Këto mund të bashkohen me metafora të tjera dhe të formojnë metaforat komplekse : Ai nuk e shihte të vërtetën që po e vriste.

Edhe nga pikëpamja gjuhësore (gjuha si kontenier) mund të dallohen lehtësisht strukturat me folje që emërtojnë zhvendosje (ose jo) destinative. Të tilla gjenden edhe në anglisht edhe në shqipe: jeni në një lidhje, ju (nuk) mund të hyni e të dilni nga një marrëdhënie sipas qejfit, ngec në një marrëdhënie, vazhdoj lidhjen, marrëdhënien etj. Analiza të tilla përcaktuan atë që më vonë u quajt Teoria e Njohjes së Mishëruar (Embodied Cognitive Theory, ECT).

Një përcaktim i tillë është shumë i rëndësishëm, nëse kemi parasysh se deri në atë kohë , (studimet tona edhe tani) konceptet ishin të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejt me fjalët përkatëse, pra me termat sosyrianë në përgjithësi çdo i shenjuar do të kishte një shenjues specifik, me të cilin kishte raporte arbitrare. Në këtë mënyrë, këto koncepte lidheshin drejtpërdrejt me të vërtetat në botën reale (Lakoff, 2009). Sipas kësaj logjike, një proces i tillë nuk shihej i varur nga mendja njerëzore.

Teoria e hartuar nga Lakoff & al, në të kundërt e zhvleftëson në parim konceptimin e mësipërm dhe konceptin tradicional mbi gjuhën dhe komunikimin si aftësi sociale.

Sipas konjitivistëve “Ideja se ka metafora konceptuale primitive që lindin nga korrelacionet e rregullta në përvojën e mishëruar, fiksuar (embodied) nuk përshtaten me teorinë e mësipërme tradicionale ”. Në këtë kontekst gjatë përpunimit të teorisë u arrit në përgjithësime të tilla me korniza të tilla konceptuale primare si në vijim [Lakoff &Johnson, 1999, 50-54]:

“CATEGORIES ARE CONTAINERS”(KATEGORITË JANË KONTENIERË)
“KNOWING IS SEEING”  (TË DISH ËSHTË TË SHOHËSH)
“UNDERSTANDING IS GRASPING”(TË KUPTOSH ËSHTË KAPËSH)
“SEEING IS TOUCHING”(TË SHOHËSH ËSHTË TË PREKËSH)
“EXISTENCE IS BEING LOCATED HERE”(EKZISTENCA ËSHTË TË JESH I POZICIONUAR KËTU)
“ORGANIZATION IS PHYSICAL STRUCTURE”(ORGANIZIMI ËSHTË STRUKTURË FIZIKE)
“CHANGE IS MOTION”   (NDRYSHIMI ËSHTË LËVIZJE)
“PURPOSES ARE DESIRED OBJECTS”(QËLLIMET JANË OBJEKTE TË DËSHIRUARA)
“CAUSES ARE PHYSICAL FORCES”(SHKAQET JANË FORCA FIZIKE)
“AFFECTION IS WARMTH”(AFEKSIONI ËSHTË NGROHTËSI)
“MORE IS UP”  (SHUMË ËSHTË LART)
“STATES ARE LOCATIONS”(GJENDJET JANË VENDNDODHJE)
“PURPOSES ARE DESTINATIONS”(QËLLIMET JANË DESTINACIONE)

Natyrisht këto korniza janë specifikuar edhe nëpërmjet rasteve konkrete si në rastet më poshtë:

  • Morali është pastërti, imoraliteti është kalbësi.

Baza eksperimentale: Në të ngrënit, ushqimi i pastër lidhet me mirëqenie, ushqim i kalbur, me sëmundje (Lakoff, 2008, kap. 4)

  • Të menduarit është funksionim trupor.

Raste të veçanta: Komunikimi është dërgim; Të mendosh është Ngrënie, Ushqyerje: Të kuptuarit është Tretje. Të kuptuarit është Perceptim: rast i veçantë: Era (Aroma).

  • Arritja e një qëllimi është të përvetësosh një Objekt të Dëshiruar (Lakoff & Johnson, 1999).

Rasti i veçantë: Arritja e një Qëllimi është Marrja e Ushqimit të Dëshiruar. Një vështirësi është të marrësh ushqim të padëshiruar. Rasti i veçantë: Ushqim i kalbur

Brenda këtyre përcaktimeve u panë edhe ndërlidhjet mes metaforave konceptuale primare në ndërtimin e atyre komplekse, si dhe në ndërtimin e metaforave të ndryshme konceptuale me të njëjtin domen burimi. Në këtë mënyrë filloi specifikimi dhe identifikimi i hierarkive përkatëse (Köveches, 2000, 2010). Kështu :

Zemërimi është zjarr (I nxirrnin sytë xixa.)

Dashuria është zjarr (I digjej zemra për të. )

Imagjinata është zjarr (Ai moment i ndezi imagjinatën. )

Dëshira është zjarr (Ishte i etur për lexim.)

Konflikti është zjarr (Zjarri i luftës dogji shpresën e popujve.)

Entuziazmi është zjarr (Ata shpërthyen në brohorima.)

Sqarojmë se shembujt janë të shqipes, duke vënë re edhe një herë korrelacionet e përbashkëta të metaforave konceptuale primare dhe teorinë e njohjes së mishëruar, të ngulitur (ECT).

Metafora konceptuale te idiomat

Siç mund të shihet në këtë përcaktim pohohet se marrëdhënia mes kuptimit që përfaqësojnë ato me grupin e fjalëve është arbitrare, pasi nuk ka lidhje direkte mes tyre.

Që në fillesat e teorisë së metaforës konceptuale studiuesit janë marrë me idiomat (Lakoff, 2014:3). Ishin pikërisht këto të fundit që në radhë të parë justifikonin faktin e mungesës së shpeshtë të lidhjes së një të shenjuari vetëm me një shenjues dhe, nga ana tjetër, gjatë analizës konkrete të tyre u vu re shpesh pikërisht ndërtimi i tyre pikërisht mbi bazën e përqasjeve mentale të koncepteve të domeneve të ndryshme.

Në Fjalorin e gjuhës shqipe (1980) në lidhje me konceptin e idiomës gjen këtë përcaktim: Shprehje me ndërtim të veçantë, tërësisht a pjesërisht të ngurosur, që përdoret në një gjuhë prej kohësh me kuptim të njësishëm (i cili nuk del drejtpërdrejt nga shuma e kuptimeve të fjalëve përbërëse) dhe që nuk mund të përkthehet fjalë për fjalë në gjuhë të tjera; përngjitje frazeologjike; njësi frazeologjike (p.sh. bëj pallë; i ra bretku; i bie më qafë; vret rëndë; e fjeti mendjen; rri mbi gjemba; mori flakë; daulle e shpuar; dushk për gogla; fill e për pe; sy ndër sy; pikë e gjak; për dhjamë qeni etj.).

Kështu, edhe po të analizojmë shumicën e shembujve të dhënë në fjalor në lidhje me përcaktimin e idiomës mund të shohim pikërisht se shumica janë ndërtuar si metafora konceptuale.

Kështu te idioma rri mbi gjemba i bie që korniza kontekstuale në kuadrin e metaforës konceptuale është : Sikleti, bezdisja është gjemb.

Lidhja mes dy domeneve justifikohet me faktin se gjembi është i bezdisshëm, therës. Kjo kornizë kontekstuale është e favorshme për situatën, kur qenia është në siklet , në bezdi.

Te idioma tjetër mori flakë kemi atë kornizë të mirëpërcaktuar edhe për anglishten: Zemërimi është zjarr (Anger is Fire).

Në domenin e burimit, zjarri si rol semantik ka edhe flakën. Kujtojmë se ashtu si në anglishte edhe në shqipe kemi plot idioma të tjera që justifikojnë këtë përcaktim (i dilte tym nga koka, i nxirrnin sytë xixa, merr flakë menjëherë etj.).

Ajo që duhet theksuar është fakti se në përgjithësi metafora konceptuale zhvillohet, duke përdorur konceptualisht dhe gjuhësisht më së shumti elementet e domenit të burimit. Ky i fundit ka tendencë të jetë më së shumti konkret, kurse domeni i synimit më abstrakt (Köveches, 2022).

Metafora në letërsi

Kuptimi i metaforave letrare është hulumtuar në librin dhe “More than Cool Reasons” (Lakoff & Turner,1989) dhe “The Literary Mind” (Turner, 1996), si dhe në mjaft libra dhe artikuj që lidhen me atë që sot njihet si poetika konjitive.

Sipas këtyre autorëve , krijimtaria metaforike në poezi është rezultat i mekanizmave të zakonshëm që poetët përdorin në manipulimin e metaforave konceptuale, që ata ndajnë me njerëzit e zakonshëm. Edhe kjo shpjegon pse lexuesit, siç sugjerohet nga Lakoff dhe Turner, bazohen në konceptet para-ekzistuese më shumë, sesa të krijojnë harta të reja metaforike për të kuptuar poetikën e romanit (Rasse, Onysko& Citron, 2020 ).

Ndërkohë Gibs-i (1994) e kishte përcaktuar këtë proces ndër të tjera edhe me këto elemente:

  • Figuracioni nuk është thjesht një çështje e gjuhës, por ai siguron shumë nga baza e, arsyes dhe imagjinatës.
  • Gjuha figurative është e kudondodhur në ligjërimin e përditshëm.
  • Mënyrat figurative të të menduarit motivojnë kuptimet e shumë shprehjeve dhe interpretimin e tyre.
  • Baza e kuptimeve metaforike formon aspekte jometaforike të përvojave tona të përditshme.

Sot qasja empirike e studimit të receptimin letrar që kombinon metoda të shkencave konjitive dhe humane njihet si poetika konjitive (Cognitive Poetics, Rasse, Onysko& Citron, 2020: 32).

Po si mund të ndihmojnë këto lloj qasjesh në analizën e metaforës letrare?

Në këtë kontekst kemi marrë si mostër, vargun e parë të “Poemës së mjerimit”, përkatësisht:

“Kafshatë që s’kapërdihet asht or vlla mjerimi..”, (Migjeni, 2017).

Ne mendojmë se në analizën e kësaj strukture metaforike na ndihmojnë përcaktimet e bëra nga Lakoff-i dhe Johnson-i (1980: 50-54) në lidhje me skematizimet e metaforave primare. E themi këtë, pasi nga një perceptim i parë mund të dallojmë skemën e aktualizuar:

MJERIMI ËSHTË USHQIM , rasti specifik : Ushqim i keq, pasi nuk kapërdihet.

Në listën e dy autorëve të mësipërm gjen këtë përcaktim në lidhje me metaforën primare, që lidhet me këtë kornizë konceptuale:

MENDIMI ËSHTË USHQIM. /IDETË JANË USHQIME.

Role semantike të kësaj metafore primare janë parë: shija , përgatitja, përtypja, gëlltitja. Pikërisht këto elemente në jo pak raste janë baza e organizimit të këtyre metaforave komplekse: kujtim i ëmbël, ide e papërpunuar, nuk e përtyp dot këtë gjë, nuk e kapërdin dot fyerjen etj. që në thelb kanë të bëjnë me cilësinë, prodhimin, përthithjen/thithjen, pranimin etj. (Ming-Yu Tseng, 2017), të gjitha këto folje të pranishme në metaforat komplekse, që zhvillohen mbi bazën e metaforës primare.

Në rastin tonë jemi te cilësia e produktit, pra kemi produktin fillimisht dhe cilësinë e tij, si dhe mungesën e pranimit, një perceptim kompleks dhe i mbishtresuar (mjerimi si ushqim realizuar, i shijuar dhe i refuzuar).

Ming-Yu Tseng, duke studiuar metaforat e përdorura në një panair ushqimi në Taiwan (Ming-Yu Tseng, 2017), specifikon më tej metaforat që lidhen me metaforën primare:

Sipas tij mund të dallohen këto korniza kontekstuale (A. D, mbiemri i fundit):

“EKSPERIENCA ËSHTË NGRËNIE/USHQIM”; përvoja senso-motorike parashikon: vizion, shije, erë, zë, prekje, muskuj, temperaturë;

“DIJA ËSHTË NGRËNIE/USHQIM”; përvoja senso-motorike parashikon: vizioni, shija, nuhatja, zëri, prekja, muskujt, temperatura;

“KONTRASTET JANË DALLIME PERCEPTIME GODITËSE”; përvoja senso-motorike parashikon: shikimin, shijen, nuhatjen, prekjen.

Mbi bazën e kësaj baze teorike, mund të themi se ky varg i Migjenit realizohet mbi bazën e një metafore primare: MENDIMI ËSHTË USHQIM.

Kjo e fundit është perceptohet si rast specifik: EKSPERIENCA ËSHTË USHQIM.

Në këtë kontekst, shohim se koncepti i mjerimit në fakt është i ndërthurur me një shmangie metonimike në konceptualizim, pasi kemi një marrëdhënie hiponimike (në kuadrin metonimik), pra mjerimi për varfërinë/skamjen.

Mbështetur në kornizat e mësipërme, pohojmë se mjerimi, i cili shfaqet si produkt, cilësi dhe refuzim (rasti specifik), këtu del si eksperiencë, pikërisht në referencë me të dhënat senso- motorike, që paraqet në kohezion (produkt i përfunduar, cilësi e shijuar dhe pranim i refuzuar) pra në kuadrin e kornizës:

EKSPERIENCA ËSHTË NGRËNIE/USHQIM.

Duke qenë brenda një perceptimi të tillë, kjo metaforë komplekse shfaqet që në fillim bashkë me ilokucionin imponues në referencë me marrësin, nëpërmjet një mohimi kategorik (s’kapërdihet).

Më tej mund të shtojmë se ky pohim forcohet, nëse kemi parasysh edhe vargun e dytë “kafshatë mbetë fyt edhe të zë trishtimi”(Migjeni, 2017), në të cilin folja e vargut të parë (kapërdihet) sematikisht del si superlativ semantik në lidhje me atë të vargut të dytë (mbetë).

Vetë njësia e domenit të synimit mjerim në këtë kornizë krijon kornizën e vet personale të veshur me konceptualizimin, perceptimin, ilokucionin që do ta shoqërojë në gjithë poemën. Pikërisht me këtë veshje ajo fillon e zgjerohet në metafora të tjera komplekse, të inkuadruara një pjesë sërish brenda metaforës IDETË JANË USHQIM, një pjesë edhe në të tjera.

Në këtë kontekst procesi analizues kalon nëpër disa faza  të njohura (N. I. Marugina, 2014):

  • Faza mentale: MJERIMI ËSHTË USHQIM (i pangrënshëm);
  • Faza komunikative: MJERIMI ËSHTË KAFSHATË (e palëvizshme, bllokuese);
  • Faza tekstuale : Modelimi me metoniminë (mjerimi për skamjen, varfërinë) dhe sinekdokën (kafshatë për komplet pjesën);

Përzgjedhja e foljeve me superlativ semantik në ekstremitet të vargut, boshtit të shkallëzimit (A. Deda & D. Hasa, 2014 ), të shoqëruar me mohimin (s’kapërdihet), po edhe e emrit (kafshatë), që në kuadrin e sinekdokës perceptohet edhe si digresion në ekstremin përkeqësues;

  • Faza interpretative: Mjerimi si minikornizë e gatshme organizuese, ilokutive dhe përjetuese në aspektin e realizimit të metaforave të tjera komplekse, që gjenden në këtë poemë.

Përfundime

Në përfundim të këtij punimi dhe veçanërisht analizës së fundit, gjykojmë se një teori e tillë që ka në bazë konceptin e metaforës konceptuale (primare dhe komplekse) e gërshetuar me njohuri të disiplinave të tjera si stilistika, gjuhësia e tekstit, pragmatika etj. ofron një qasje mjaft të favorshme në identifikimin e plotë të realizimit të një metafore të caktuar letrare.

Analiza jo vetëm nga pikëpamja mentale e komunikative, po edhe nga ajo tekstuale dhe interpretative, jep një panoramë të qartë në disa nivele të procesit krijues që një marrës dallon, duke u nisur jo vetëm nga teksti direkt, po edhe nga përvojat kolektive primitive, pjesë të të cilave është si marrësi, ashtu edhe dhënësi, të shprehura nga koncepte primitive të mishëruara dhe metaforave primare.

Nga përvoja në rrafshin akademiko-didaktik vëmë re se mungojnë konjicione analitike të tilla dhe studentët janë të prirur më së shumti drejt një shpjegimi subjektiv socio-kulturor, që në shumicën e rasteve nuk reflekton asnjë nga të dhënat e niveleve që përmendëm më sipër.

Natyrisht fajin për këtë e ka tradita metodologjike, me të cilën ata pajisen në shkollë.

Në këtë kuadër, e shohim si emergjente aplikimin e metodologjive të tilla në kuadrin e projekteve kombëtare dhe ndërkombëtare për identifikimin e metaforave konceptuale fillimisht të autorëve që janë pjesë e programit në nivel parauniversitar dhe universitar.


Bibliografi

Deda, A & Hasa, H. (2014), Issues of Gradability in Albanian Language Traditional Studies, Journal of Educational and Social Research.

Deda, A. (2019), The necessity to study the semantic valence in the structure of albanian language, International Journal of Afro-Eurasian Research (IJAR) / Volume: 4 Issue.

Fjalor shpjegues i termave të letërsisë, (1972), Tiranë.

Gibbs, R.W. (1994), The Poetics of Mind: Figurative Thought, Language, and Understanding. New York: Cambridge University Press.

Köveches, Z. (2017), Conceptual metaphor theory, Eötvös Loránd University.

Köveches, Z. (2018), Metaphor in Media Language and Cognition: A Perspective From Conceptual Metaphor Theory, Language yesterday, today, tomorrow, Vol,III. No1, De Gruyter.

Köveches, Z. (2020), Extended Conceptual Metaphor Theory, Cambridge University Press.

Lakoff, G. & Johnson, M. (1980), University of Chicago Press.

Lakoff, G. & Turner, M. (1989), More than cool reason: A field guide to poetic metaphor, University of Chicago Press.

Lakoff, G. & Johnson, M. (1999). Philosophy in the Flesh. New York: Basic Books.

Lakoff, G. (1992), The Contemporary Theory of Metaphor, Cambridge University Press.

Lakoff, G. (2014), Mapping the brain’s  metaphor circuitry: metaphorical thought in every day reason, Hypothesis and Theory Article, frontiers in.

Lloshi, Xh. (2002), Stilistika dhe pragmatika, Toena.

Marugina, N. (2014), Conceptual Metaphor as a Model Generating Literary Discourse, Social and  Behavioral Sciences, nr.154.

Rase, I. & Onysko, A. & Mycron, M. (2020), Conceptual metaphor in poetry interpretation: a psycholinguistic approach, Cambridge University Press.

Reddy, M. J. (1979), The conduit metaphor: A case of frame conflict in our language about language. In A. Ortony (Ed.), Metaphor and Thought (pp. 284–310). Cambridge: Cambridge University Press.

Rrota, J. (2006), Literatyra shqipe për shkolla të mesme, Botime Françeskane, Shkodër.

Simpson, P. (2004), Stylistics, Routledge.

Turner, M. (1990), Metaphor and the Conceptual Context of Invention, Duke University Press, 1990).

Xoxa, J. (1965), Teoria e letërsisë dhe metrika, Tiranë.

https://knowledgecenter.ubt-uni.net/cgi/viewcontent.cgi?article=3148&context=conference

https://aporia.byu.edu/pdfs/driscoll-aristotles_apriori_metaphor.pdf

https://plato.stanford.edu/entries/metaphor/

https://www.coursehero.com/file/29279479/Lakoff-2014-Mapping-Metaphor-Neurosciencepdf/

http://cogsci.berkeley.edu/lakoff/metaphors/

https://www.frontiersin.org/articles/10.3389/fnhum.2014.00958/full

https://markturner.org/metmet.html

https://www.researchgate.net/publication/271389881_The_performative_potential_of_metaphor

Botuar në ExLibris nr 269
Photo by lilartsy on Unsplash

Exit mobile version