Kreu Opinion Primo Shllaku: Kapërcimat e zotni Emil Lafes

Primo Shllaku: Kapërcimat e zotni Emil Lafes

Replikë me akademikun Emil Lafe për artikullin e tij “Fishta dhe viti 1972”

Në nji shkrim të tijin të datës 13 gusht 2022, po këtu në Ex-Libris, zotni Emil Lafja merrte si shkas për shkrimin e tij fjalët e mia të kahershme dhe të përsërituna nga emisioni “Arnautistn” që drejtohet nga Mustafa Nano. Simbas zotnisë në fjalë, unë kam thanë se “Fishtën e vrau edhe 1972”. Meqë zotni Lafja përtoi ta thoshte frazën time të plotë me idenë se ai vetë mund të delte nga korniza, po e përsëris substancialisht se çfarë kam thanë e si e kam formulue këtë aht të thellë timin e të kulturës shqiptare, aktive ose edhe pasive, mbi nji shkrimtar që ma shum se asnji tjetër, as ma herët e as ma vonë, qëllimisht apo në mënyrë të vetvetishme, e ngriti gjuhën tonë shqipe në kult, gjithmonë mbrenda logjikës romantike dhe specifikave kombëtare të romantizmit që funksionoi me shumllojshmëninë e kulteve.

Në program kam thanë: “Fishtën e vrau bronkopneumonia më 1940; e vrau erotizmi politik i regjimit komunist shqiptar me Jugosllavinë titiste më 1945; e vrau dashuria me big brotherin sovjetik deri më 1961; e vrau lufta kundër fesë më 1967, kur eshtnat e tij së bashku me ata të Dedë Gjo’ Lulit u zhvarrosën dhe u hodhën në Drin; u vra nga gjuha e njësuar letrare e 1972 dhe, së fundi, u vra nga Ismail Kadareja më 1989 me sulmin e tij pa shtab ndaj figurës e veprës së tij; dhe sot e gjithë ditën vrasjen e tij e vazhdon i ashtuquejtuni standart i tejemnuem për shkaqe që i ditën fillimisht vetëm eksponentët e shkollës gjuhësore marksiste-leniniste (staliniste) të Tiranës e që tashti i dinë të gjithë, pra kushdo që interesohet e jeton me punët e gjuhës e letërsisë shqipe të shek. XX dhe të këtij të XXI, që ashtu, mengadalë, ia kemi hangër nji të pestën.

Pozitive dhe ndoshta e pashmangshme është ishte për z. Emil Lafen edhe fillimi i referencave ndaj letërsisë, për të cilën shoh se nuk ka kurrfarë kompetence bashkëkohore, por nji kah nji po i rimarr tezat e konstestimit të standardit.

Nuk po i qëndroj fare tundimit për të ba njifarë historie të viteve para vendosjes së regjimit shtetnor të të ashtu quejtunit terminologjikisht asokohe si “gjuha e njësuar letrare” e që ra në nivele të standardit dhe sot termi i parë nuk përdoret ma as për të mirë e as për të keq.

Unë kam qenë djalë i madh, rreth 20 a 21 vjetëve, kur kisha hy në sprintin final të shkollës së naltë dhe kishim si mësimdhanës Androkli Kostallarin. Ai mungonte shpesh në mësim, sepse me të banim orët e fundit, pra të pestën e të gjashtën. Mbaj mend mirë dhe me përgjegjësi të plotë se Kostallari mungonte rregullisht dhe bante mësim sporadikisht. Një herë, andej nga ora 12 e çerek u pa se profesori nuk po dukej dhe kursi ynë prej 100 e kusur vetësh filloj të animohej dhe në auditor plasi potera. Atëherë hapej dera dhe hynte në auditor sekretari i fakultetit, një burrë me fytyrë rrumbullake dhe me faqet e kuqe e të varuna ( thonin që ishte kosovar me prejardhje), Hilmi Veterniku quhej, dhe vendoste qetësinë me nji seriozitet që ai e dinte se ku e gjente. Na thoshte të delnim në rresht dhe pa zhurmë se profesori nuk do të vinte atë ditë, mbasi kishte punë në komitetin qendror të partisë. Si u përsërit kjo situatë disa herë, më hyni në krye kjo punë dhe e pyesja veten me naivitet të plotë, por me nji kureshtje po aq të plotë se çfarë kërkonte një pedagog gjuhësie në komitetin qendror të partisë. E mbarova fakultetin pa nji përgjigje sa për vete, të paktën, dhe vetëm në vitet ’90, kur liria erdhi kryesisht për të ndriçue të kaluemen dhe zyrtariteti e vendosi gjuhën përtej kufijve të lirisë, përvijova nji bindje.

Në konsideratat e tij për anën gjuhësore të letërsisë dhe sidomos në atë të plakjes së letërsisë, profesori i nderuem tha fjalë të shkollës së tij dhe ato tingëllonin ma shum si mallkim eufemik ndaj Fishtës e veprës së tij. Po detyrohem me i spjegue profesorit se letërsia plaket kur nuk arrin universalen dhe gjuha e saj plaket kur nuk mbërrin me qenë gjuha e të gjithëve ose, thanë paksi ma ndryshe, kur asaj i ndodh nji incident i vullnetshëm që ka lidhje jo me zhvillimet e saj, por me devijimet e rrjedhjes së saj natyrore dhe me përmbysjen e peizazhit të përgjithshëm gjuhësor për njimijë e nji arsye. Taktika e bukur e zotni Lafes për ta minimizue dhimbjen e ndjeshmënisë letrare shqipe për poetvrasjen komuniste të Fishtës, shkon deri aty sa të na tregojë se edhe vepra e Kadaresë ka pësue firo e plakje.

Unë do të doja me zhvillue këtu nji debat jo për realizmin socialist e për korifejtë e tij, sepse e kam shkrue nji libër rreth treqind faqesh, të cilin z. Lafja e ka ble me siguri, sepse me ndjek dhe interesohet për mue. Kjo asht gjaja e vetme e mirë e tij dhe, për hir të edukatës time familjare, më duhet ta falënderoj, edhe pse ai më pranon për të më rrëzue mandej.

Në nji vend tjetër bukur të spikatun të shkrimit të tij z. Lafes thotë se ish-partizanët e paskan dashtë Fishtën dhe e paskan lexue, madje e paskan ditë edhe përmendësh. Ata që e duen ose e kanë dashtë Fishtën janë shqiptarë. Fjala “partizan” ka kuptimin parësor të luftarit për lirinë e atdheut dhe kur “partizanët” janë drejtue drejt e kanë sjellë nji të ardhme në përputhje me interesat e nji atdheu të lirë, kanë qenë edhe mbeten burim krenarie dhe lavdie. Kësisoj “partizanë”  janë edhe  ata që luftuen më 1909-1911 e sollën pavarësinë, po ashtu ata të Koplikut 1920 dhe të Vlonës të 1920. Të jesh a të kesh qenë partizan nuk asht as privilegj, as meritë që sjell shpërblime. Romakët patën thanë: Dulce et decorum est pro patria mori ( E ambël dhe e hijshme asht me vdekë për atdhe.)  Kanë krye nji detyrë dhe kanë shkue në shtëpi të vet me plagë, shëndosh ose në arkivola. Që Fishta të lexohet nga nji ish-partizan kjo ka ndodhë edhe me “partizanët” e 1909-1911 e me ata të 1920, sepse vepra e tij heroike asht shkrue për të gjithë “partizanët” e të gjithë kohës shqiptare. Nëse partizanë quejmë luftarët e lirisë, atëherë Fishta nuk asht plakë, as si gjuhë e as si përmbajtje. Vepra e tij ka marrë atë që francezët e quejnë la patine du temps (ngjyresën e kohës), që e marrin të gjitha sendet e ndërtueme me materien e pashkatërrueshme të artit. Kjo nuk quhet plakje. Plakja e nji vepre të pandehun si artistike ndodh për shkak se autori ka qenë në ndjekje të sirenave dhe jo të muzave, ka qenë zbatuesh idesh dhe jo humaniteti; ndodh kur vepra nuk prek universalen në plotëninë e saj, kur autori ka pasë iluzione dhe historia e ka përgënjeshtrue fuqimisht. Dante p.sh.  asht ma i plakuni letrar ndoshta i mbarë botës, sepse doktrinat e jetës së përtejme kanë pësue nji goditje të fortë qysh  në shek. XVIII, por simbolika e tij dhe poezia, indi poetik dhe rimat, melodia dhe harmonikat që gjenden në gjuhën e atëhershme vernakulare janë një potencial estetik që nuk po din me shterue.

Fishta nuk asht aq i lashtë dhe gjuha shqipe nuk ka pësue aq ndryshime sa mos me u kuptue, po qe se rrjedha e zhvillimit të saj të mos ishte kapë në duer aleksandrine dhe nyja e madhe gordiane të mos ishte zgjidhe me shpatën e tiranit, këtë herë të tiranit të Tiranës.

Në nji intevistë të vetën të paradokohsme zotni Lafja thotë se epistema e standardit ishte ose… ose dhe jo edhe… edhe. Nuk ka përgënjeshtrim ma të madh se ky për rekomandimet postulative të Kostallarit në kongresin e drejtshkrimit 1972. Duhet thanë se Kostallari në postulatin e tij metonimik (d.m.th. ku tjera thotë dhe tjera kupton) derdh kokrrën e lotit se gjuha e njësuar letrare do të ishte shkrimja e elementave ma ekspresivë të dy kryedialekteve. Ai refuzoi të pranonte se tosknishtja ishte baza e atij shestimi, u tregue frikacak deri në fundin e jetës së tij dhe mori me vete shum sekrete urdhëndhanësish dhe biseda konfidenciale si të ishte shkenca komplot dhe ai ndonji komplotist shkencor. Mirpo zotni Lafja na ndihmon shum në pohimin e tij të vonuem se standardi ynë gjuhësor qenka i ndërtuem simbas epistemës ose… ose dhe jo, simbas atij, edhe… edhe. Atëherë kujt t’i besojmë na, Kostallarit që ishte i betuem mos me e nxjerrë sekretin apo zotni Lafes që e kundërshton rranjësisht dhe vazhdon të besojë në produktin që fatkeqësisht lidhet me emnin e tij.

Pra Zotni Lafe a asht ose… ose sikurse thoni ju, apo edhe… edhe si thotë Kostallari?

Zotni Lafja besoka se gjuha e re e mbas ’72 na qenka nji gjuhë që e përmban Fishtën dhe të plotë madje. Letërsia e realizmit socialist nuk e përmban Fishtën  përveçse pak tek poema Herojt e Vigut. Dhe kjo nji poemë e fillimviteve ’50 kur koinea gege kishte ende fuqi e lang jete sa me shënue edhe shkrimet e diktatorit.

Si  mund të ishte letërsia e zhvillueme mbas 1950 e ngjyrosun me Fishtën ose me stilin e tij, kur ai ishte vendosë në indeksin e zi të të ndaluemve për hir të dashurisë lesbike mes partive komuniste shqiptare e jugosllave. Fishta pagoi kangën e tij sovrane kundër mbretënve sllavë të Ballkanit me mohim të veprës së tij nga shteti amë, i cili për pak sa nuk e gjeti gjallë dhe për pak sa nuk e griu në çark si duhanin. Pra në Jugosllavi kishte ikë mbreti dhe praktikat e monarkive agresorë, por nuk kishte ikë shovinizmi dhe nuk kishte ardhë demokracia e kërkimfalja ndaj fqinjëve.

Më 1948 u prishëm me Jugosllavinë e Titos dhe dashuria e madhe u kthye në nji urrejtje që kurr nuk i çoi komunistat shqiptarë t’u kërkonin falje banorve të epërm shqiptarë për vrasjet që kryen  ndaj atyne që e kishin paralajmue Mehmet Shehun se nuk duhet t’u besonin jugosllavëve.

Mbas 1948 lidhja me Bashkimin Sovjetik ishte ma e vrullshme, por Fishta duhet të paguente fjalët e tij që kritikonte ashpër fuqitë perëndimore që e coptuen Shqipninë “për me mbajtë klysht e Moskovit (Moskës)”.

Hajt pra se edhe ajo stinë dashurish iku mbas 12 vjetësh dhe filloi ajo me Kinën. Pse nuk u rehabilitue Fishta në harkun kohor 1961- 1978 kur ndodhi dashuria e madhe me vëlleznit kinezë dhe burrat sa gazepi putheshin buzë më buzë me ta dyndë vnerin? Pse?

A e dini ju, zotni Lafe, se Fishta ka nji poemë të madhe solidariteti me popullin kinez, të cilin e shef të shnjerëzuem prej fuqive prendimore të kohës dhe ia qan hallin atij populli punëtor, të durueshëm, mendjeshpikës dhe me kulturë paragreke-romake?

A nuk ishte rasti, zotni Lafe, që njeni prej jush që studionit gjuhë e letërsi dhe jetonin si krajla në institutin e gjuhësisë e letërsisë, t’i banit nji servis rekomandues dikujt se Fishta duhej rehabilitue,  se ai ishte solidarizue njimend e fuqishëm me nji popull të largët, por të vuejtun si yni? Pra matematikisht ju të instituteve keni pasë ma dhumë kohë në dispozicion për ta ba këtë se me jugosllavet që ndejtëm 1941-1948 (7 vjet), me rusët 1948- 1960 (12 vjet), kurse me kinezët nga 1961 deri më 1978 (pra 17 vjet të plota). Pse koha e dashurisë me kinezët, edhe pse ma e gjata, nuk e rehabilitoi Fishtën që kishte shprehë kaq simpati për kinezët?

Llogari të tilla të autorizojnë me mendue çfarë të duesh. Por unë do të mendoj atë që duhet mendue dhe atë që asht evidente, tashma kur standardi e gjuha letrare që terminologjikisht nuk janë e nuk mund të jenë e njajta gja, ka kalue në skanerin kritik të shum gjuhëtarëve shqiptarë e të huej, madje edhe të ndonji drejtuesi të instituciove që merreshin me këtë punë.

Nuk ka ma asnji dyshim se socializmi ishte një strukturë metonimike që tjera thoshte e tjera bante. Meqë ndryshimi mes asaj që thuhet e asaj që bahet asht edhe përcaktimi i diskursit, diskursi në Shqipninë republikano-socialiste ishte i ndaluem pa ligj, por me burg e dënime.

Fishta u ndalue dhe u prsekutue egërsisht e pa asnji shkak të dukshëm letrar vetëm e vetëm se figura e tij, mbas 1900, kur Naimi ndërroi jetë, e deri më 1940 ishte figurë dominante në shum fusha, ishte një letrar romantik që pos të tjerash ndërtoi kultin e gjuhës dhe u tha nxanësve të shkollës ku jepte mësim: “Na nuk kemi tempuj, katedrale, stadiume, muze dhe shetitore sikurse i ka e gjithë bota e qytetnueme. Na kemi ende vetëm gjuhën tonë dhe ai asht monumenti ynë ma i madh. (simbas Lec P.Shllakut, babës tim, që ka qenë nxanës i tij dhe ka pasë nji marrëdhanie të pashoqe me të).

Largimi i Fishtës nga listat e leximit dhe hjekja e tij prej shkollash e çoi në zero mundësinë e ndikimit intertekstual dhe e degdisi veprën e tij në një libër babilonas që thuhej se asht shkrue, por që kishte humbë në rrjedhje të shekujve. Socializmi real ndër ne kishte pikësynime hegjemoniste krahinore dhe Fishta i prishte punë. Ai kishte sundue letrarisht gjysmën e shekullit XX dhe duhej fshi nga evidencat se shkenca shqiptare marksiste-leniniste (staliniste) kishte qëllime të tjera, ku fasada e rreme dhe e bakamosun ishte epistema e gjuhës së njësuar letrare e Kostallarit dhe qëllimi ishte prishja e ekuilibrave natyralë ndërkrahinorë që, për hir të së vërtetës, në kohën e mbretnisë, kishin qenë në nivele të pakundshoqe.

Zotni Lafja flet e flet për faktin se  shkaku i humbjes së betejës së rileximit tek Fishta asht vjetërimi i gjuhës dhe vjetërimi i tematikave, si dhe zhvillimet e përgjithshme që objektivisht nuk pyesin dhe nuk ua ndien se kë lanë jashtë e ke venë në krye të vendit.

Zotni Lafe, nxanësit tanë nuk e kuptojnë Fishtën, verbin e tij, strukturën e tij, inxhinierinë sintaksore të tij dhe elipsat e tij të mrekullueshëm. Ata nuk e kuptojnë paçka se ish-partizanët e kuptonin. Ju, zotni Lafe, jeni që të kuptohet apo jo? Mendoni se Fishte ka lang ende sa për t’u servirë tek lexuesi apo ai asht përtha dhe  ka ra në fatin e Buzukut e të Matrëngës?

Fishta nuk kuptohet ndër shkolla e për pasojë kemi indiferentizëm e deri flakje të tij (këtu po u baj qejfin disave), sepse vetë mësuesit nuk e rrokin kuptimn, nëntekstet dhe harmonikat për shkak të ngjyrosjes së fortë të gjuhës standarde me tosknishten dhe të folmet e thella jugore.

Por nuk asht e rastit që ju nuk e përmendni fare Komisinë Letrare të Shkodrës. Ajo nuk përmendet jo se nuk kishte ndikim, jo se nuk përcaktoi, jo se dështoi ose nuk funksionoi sikurse thonë disa miq të mi në Instituin e Gjuhësisë, por sepse standardi i 1972 e anulloi Komisinë Letrare dhe me këtë krijoi precedentin. Pra zhvillimet, jo metonimike këtë herë, por faktike dhe evolutive, munden ta bajnë edhe ata fare lehtë mëkatin e 1972, të cilit zotni Lafe ju i keni fillue panegjiriket qysh në këtë artikull që disi kam nderin të më drejtohet personalisht me emën e mbiemën.

Si shkencëtar që bani edhe matje, ju, z. Lafe, i jeni drejtue edhe statistikave dhe keni sjellë tabela që tregonin se sa njerëz me shkollë të naltë kishin qytetet shqipatre në vitin 1933. Kur i levërdis çeshtjes, ju shkencëtarët e socilizmit i drejtoheni edhe matjeve dhe statistikave sasiore a numerike. Po pyes: a e keni mendue ndonjiherë me ballafaque shifra se sa shipfolës gegë janë e sa shqipfolës toskë? Jo, nuk e keni mendue. Mirë keni ba, sepse ju paguheshit mos me mendue, por vetëm me zbatue dhe me mbajtë iso sa të jeni gjallë.

Shkolla e naltë, zotni, nuk asht ende nji kompetencë shkencore, sidomos në socializëm kur shkolla e naltë të jepej si privilegj e s’të pyeste njeri se ç’dëshira kishe dhe çfarë predispozitash intelektuale kishe. Nji grup të rijsh me shkollë të naltë nuk janë automatikisht nji bërthamë hulumtuesish shkencorë. Shpesh shkolla e naltë asht pa edhe si stoli a si prikë për të tregue shkallën e rangun shoqnor dhe jo për ndonji destinacion tjetër.

Sa për shkollën e naltë dhe peshën e saj në jetën publike e kulturore shqiptare do t’i rekomandoja zotni Lafes të lexojë pak kujtimet e Eqerem bej Vlorës kur tregon për djemtë e bejlerëve që ishin shkollue në universitetet e Stambollit, Romës e Vjenës, dhe që rrinin gjithë ditën tue ba dolce vita me lojna të pafund tavlle, bixhozi dhe në shoqninë e çengive. Sepse e shof se nuk e ka parasysh dhe duhet ta ketë parasysh. Këtu e sheh zotni Lafja epërsinë e jugut ndaj veriut, te dolce vita e te jeta e paqëllimtë e mbajtësve të diplomave në vitin 1933? Pra ai po na thotë me marifet se jugorët ishim ma të dijshëm dhe se u takonte prej vetiu misioni me i mësue veriorët e pashkollë(!), që të mos them ndonji fjalë tjetër?

Dhe tashti po kthehem pak tek titulli i këtij shkrimi ku kam përdorë nji fjalë “nëndialektore” gege dhe se ky mëkat lahet vetëm nëse e shpjegoj.

 Kapërcimat janë gurë të mëdhej që vendosen ndër vahe lumi ku ujënat janë ma të cekta dhe, të rreshtuem në distancë pak a shum të nji hapi mesatar, u lejojnë udhëtarëve të kalojnë lumin pa u zhveshë, pa u lagë dhe pa u “lagë”. Krejt shkrimi i z. Lafes ishte ecje nëpër kapërcima: Fishta asht plakë; Fishta asht përdorues i barbarizmave dhe i turqizmave; Fishta duhej edhe nga ish-partizanët; asnji fjalë për elbasanishten; ajo që i ka ndodhë Fishtës, i ka ndodhë edhe të tjerëve që janë më të rij (!), pra autorëve të realizmit socialist; jugorët ishin ma të ditun dhe të mençëm se veriorët dhe këta të parët duhet të viheshin në krye të punëve për t’i kulturuar ata të dytët dhe, për çudinë tonë të vogël, asnji fjalë për Komisinë Letrare të Shkodrës, për statusin e një contrat social, identik dhe të barazvlefshëm me Kongresin e ’72, që kishte ajo Komisi dhe, përfund, asnji fjalë për precedentin që krijoi Drejtshkrimi i 1972.

Pra artikullshkruesi i datës 13 gusht 2022 me gjithë qëllimin e mirë që kishte dhe me gjithë dijet e thella që duhet t’i kishte simbas kompetencës gati paternaliste mbi problemet e mëdha të gjuhës, anashkaloi probleme të nji randësie të thekshme e të shtrueme në publik, me e pa kompetencë, prej njerëzish që u dhemb gjuha shqipe, megashqipja e jo aneksi i 1972 që deri tash ka ndërrue dy herë emën se nuk i rrinte i pari.

A ka ma bukur se me pa nji shkencëtar që e ‘kalon lumin’ tue u hjedhë nëpër kapërcima? A ka ma bukur e ma zbavitëse? Shkencëtarët nuk kërkojnë kapërcima, kërkojnë ujëna të thellë, i bien vaut aty ku asht ma zor, ku asht ma rrëmesë, nuk pyesin se lagen; lagen, se lagia asht dija e parë dhe pagëzimi i vetdijes; lagen pra dhe zhyten, madje edhe mbyten. A keni lexue, zotni Lafe, për vetmohimin në shkencë? Mos po e mendoni si vetmohim dalzotjen tuej ndaj standardit? Jo, zotni Lafe, ju jeni i axiendalizuem, ju rueni establishmentin e nji kohe të shkundun. Ju jeni brezi i tretë i drejtshkrimit 1972. Ju meritoni vetëm me ju pritë që të na flisni për ringjalljen e fuqishme të gegnishtes letrare e ardhjen e shkrimtarëve të randësishëm si Martin Camaj, Zorba, Anton Pashku, Stefan Çapaliku, Bekim Lumi, Ardian Ndreca, Vlora Konushevci, Migjen Këlmendi, Agim Morina, Halil Matoshi, Ag Apolloni, Ledia Dushi, Donika Dabishevci, Manjola Brahaj, Gazmend Bërlajolli e tjerë. Janë mbi 200 shkrimtarë që shkruejnë gegnisht mbas 1972. Ju mbroni teoritë, unë po merrem me praktikën e realitetin. Na që kemi frymëzim, kemi kohë me pritë… Kapërcimat ua kemi lanë atyne që përsërisin rrenën e epokës së rrenës. Liria ka ba rikoshet mbi vetëdijet e jueja

Exit mobile version