Kreu Letërsi Shënime mbi libra Prend Buzhala: Miti poetik për vestalet

Prend Buzhala: Miti poetik për vestalet

Gashi

(Mirko Gashi: “Blegërimë resh”, poezi, Shtëpia botuese “Beqir Musliu”, Prishtinë 2020)

Mirko Gashi (1939 – 1995), qe 25 vite ka shkuar në amshim, duke iu bashkangjitur emrave në shenjë që kishte poezia e sotme shqipe e Kosovës. Ai ka zënë të krijojë në ato vite, kur letërsia shqipe në Kosovë po kalonte nëpër fazat e veta të stuhishme nacionale e shoqërore, kur po krijohej një gjeneratë evropiane e poezisë shqipe e Kosovës, në kohën kur kjo letërsi po e përjetonte zhvillimin e vet in/distinktiv, jokarakteristik, atipik. Sa qe gjallë, i botoi këta libra poetikë: Në vorbullën e ujit (1972, botimi i dytë 1981), Netët e bardha ( 1975), Gjarpëri i shtëpisë (1981), Arbor vitae (1988), Libreto për gjenitivin e ujit (serbokroatisht,  1977), Plagë uji, (poezi e përzgjedhur, 1990). I konsideruar si poet bohem i shqipes, poet i mitit letrar të ujit, që me librin e parë ai zgjodhi rrugën e tij krijuese.


1. Figura afektive dhe fonostilistike e lojës me fjalë

Vëllimi “Blegërimë resh” përfshin poezitë e pabotuara ose të botuara në shtypin e kohës gjatë viteve ’90, kësaj radhe me redaktim, përkujdesje dhe parathënie nga Anton N. Berisha. Ç ‘është e vërteta më 2011 një vëllim  ngjashëm me titullin “Reinkarnimi im” u botua më 2011 nën përkujdesjen e Fehmi Ajvazit, por kësaj radhe pasurohet me një mbarështrim ndryshe të kësaj poezie: ndarja në cikle, një punim i thelluar për këtë poezi dhe me bublioga rfinë pothuajse të plotë që përfshihet në fund të librit e që u mor nga studimi monografik “Gjenitivi i ujit” i autorit të këtyre rreshtave (P. Buzhala).

Në të dy botimet nuk janë përfshirë edhe poezitë antologjike të botuara në shtypin e kohës, si “Bubulina”, “Baraba”, “Hobeja e Davidit”, “Verbëria sipas Horhe Borhesit” apo “Mis Sokoli i flet vdekjes”.

Në të dy vëllimet qëndron në fund të librit poezia “Reinkarnimi im”, ku poeti këndon:

Nga nata (terri) burg

prej bebëzës sime

Fluturon zogu

në ëndërr

rreze dielli

më kthen (vie)

në zhgjëndërr.

Po ky subjekt lirik tashmë i ka pranuar dhuntitë e frymës së shenjtë, Shpirtit Shenjt… të Natës së Madhe… ato dhunti i ka harmonizuar me vetveten… nuk ka më plasaritje a çarje të identitetit njerëzor. Poeti sikur e përfill atë mitin kozmologjik ezoterik që flet për “dukurinë apo lindjen e dyfishtë” nga Një-ja, që është burim i gjithçkajes dhe nga parimi i vullnetit të lirë. Ekzistenca e dy forcave apo tendencave të kundërta, duke u shtuar aty vullneti i lirë, ky parim i lirisë, përbëjnë universin e hapur, pse jo, edhe universin e hapur lirik të Mirko Gashit.  Psika (Fryma) e poetit ekziston në gjendje të ëndrrës a të ëndërrimit, në trajtën e një fluturimi a zogu; poeti ekziston në gjendjen e një dualizmi ëndërr/ zhgjëndërr, apo të një drejtpeshimi universal hapësinor të lëvizjeve në hapësirë: zog/rreze. Krijimi, krijimi i entropisë, qoftë lirik, apo ai në hapësirë, në univers, lë të kuptojë trajtat shumëformëshe e shumëplanëshe të entropisë; krijim dhe entropi që pikësynon homogjenitetin, gravitetin, a mirëmbajtjen e të Njëjtës, kundruall disperzitetit, hallakatjes, shpërbërjes individuale a nacionale… Aty gjithsesi duhet të feksojë një dritë, një diell, një rreze, si shprehje e forcës energjetike që e mban këtë drejtpeshim kozmik, jetësor, shpirtëror… Në kontekstin e kohës, poezia e kësaj fryme tashmë lëviz në rrethana të reja të paradoksit historik – sa më të shtrënguar rrathët e dhunës (serbe, gjatë viteve’90), aq më i lirshëm njeriu nga përbrenda… Sa më fatkeq e sa më i mbështjellë të jetë krijuesi me fatkobin, aq më i ekzaltuar na është poeti, për ta kënduar së fundmi odën e gëzimit! Poeti nuk e pranon zhbërjen, humbjen, mbasi në atë shkretëtirë fataliteti kohor e nacional ka arritur ta krijojë një oazë:

Nëpër guaca po fle gaca

sonte niset hëna e plotë

Një si lojë fjalësh, me funksion figurativ (si: guaca e gaca), polisemik dhe fonostilistik, përdoret te shumë poezi (të mos harrojmë: loja me fjalë apo lodra me fjalë është figurë stilistike e përsëritjes) e që shpesh iu ngjanë anagrameve apo palindromeve, amdje duke u zhvdendosur brenda të njëjtës fjalë vetëm theksi. Kështu te poezia “Gjeni” hasim fjalët: gjeni (sipas Fkalorit: “Element përbërës i kromozoneve të bërthamës qelizore, që është përçues i tipareve të

trashëgueshme në organizmin pasardhës”) dhe gjeni/gjeniu, aty ku në këtë lojë hyn edhe Migjeni:

Udhëton e udhëton

gjeni

deri tek unë

Buan te Migjeni

nga bronzi

ai gjeni

Është ajo poezi, do të thoshinm, anakreontike, që qëndron afër vargut monokolon, por ku kjo lojë fjalësh dhuron vlera të bukura me efekte stilsitike dhe artistike. Nganjëherë këto kalambure, shfaqen si afeksion i deformimit të qëllimshëm të fjalëve, për të krijuar efekte të reja simbolike, (posi dialogët me kalambure te romani “Oh” i Anton Pashkut). Këtë metaligjërim e shqipton nëpërmes vargjeve edhe Mirko Gashi:

Ajo do të thotë plot

ajo do të thotë të luash me fjalë

e fjala është mik e armik

Ruaju prej sa se ta ha kokën

duhet ta përkëdhelësh

ta ushqesh

Hajde pra alkimist i fjalëve

prej Mirko Gahsit thuaje

fjala më e uritur në gjuhën shqipe

është fjala “uri”

a nuk e thurë edhe në fund të fjalëve polisemantizmin e poliseminë figurative te fjala “uri” (ngrënja/ uri(th): nevojë për t’u ushqyer me fjalën e shqiptuar dhe fshehja e kokës?!


2. Gandiana poetike

Poeti më herët këndonte: “Vetëm fëmijët dhe kafshët/ të duan pa hile”. “Vestalet” janë figura që i përdorte vetëm Mirko Gashi. Ato janë metafora të virgjërisë së shpirtit e të dëlirësisë së fëmijës. Në një letër dërguar së ëmës, në janar 1799, poeti gjerman, Helderlin, e quan krijimin poetik “më të virgjrin nga të gjitha profesionet.” Në mitologjinë antike romake Vestia e moçme, ishte perëndeshë e virgjëreshave, e zjarrit, e vatrës dhe e familjes. Vestiat përdoren edhe në shumës. Ato mishëronin zjarrin e shenjtë, zjarrin e vatrës familjare dhe zjarrin e qytetit. Janë personifikim i vatrës familjare, i rojës e i flakës së shenjtë të sigurisë së jetës që digjet pa pushim në Atrium, në lterin (altarin) e shtëpisë e të tempujve; nga ana tjetër, simbolizojnë forcën e thelbit të jetës. Mishërojnë dhe simbolizojnë betimin më të përkushtuar të pastërtisë dhe virgjërisë, dëlirësisë dhe bekimit, thjeshtësisë dhe harmonisë familjare. Ndërkaq, vestalet ishin virgjëresha, që shërbenin në tempullin e Vestias, duke e mbajtur pareshtur në duar zjarrin e shenjtë, për nja tridhjetë vjet. Gjatë kësaj kohe ato shtrëngoheshin të çonin një jetë plotësisht të dëlirë e të denjë, e mandej mund të liroheshin nga shërbimi dhe të martoheshin. Mirëpo, nëse gabonin, ato muroseshin të gjalla. Virgjëria do ruajtur e po bëre mëkat në këtë betim, atëherë edhe e pëson.

Kësisoj, Mirko Gashi, madje, shpesh e shpesh nëpër të gjithë librat e tij poetikë i përmend vestalet. Këto i hasim edhe në këtë vëllim poetik:

Vestalet e strehuara

në syrin tim

ma flakërojnë shikimin

Vestalet risemantizohen dhe marrin domethënie të reja në kuadër të kontekstit të përgjithshëm të poezisë. Krijuesi Mirko Gashi zë e kompozon dhe strukturon aso vokalesh a fonostilemash që shpërthejnë nga brendia e qenies, si burime paralele frymëzimesh, temash e idesh; ai nuk resht së kërkuari për t’u paraqitur me qenien e poezisë së tij e të folësit të tij lirik, herë te bukuria e një luleje e herë te shpirti i një blete, herë te ringjalljet shpirtërore të një feniksi e herë te vestalet e tij të përshpirtësisë e të mënyrës së gjëllimit, herë te gjuha e heshtur dhunshëm e një peshku apo te memoria e ngurosur e Ikariusit …

Poeti, në një situatë të tillë, të hallakatur, të dramës shqiptare të Kosovës së viteve ‘90, do të jepet gjithnjë në kërkim të atij rendi figurash që e shquajnë një filozofi jo vetëm mbijetese, përtej asaj situate të rëndë apokaliptike. Në këtë mënyrë, ai do të jepet pas figurave të butësisë. Që në titull, dy fjalë-figura (blegërimë dhe re), a nuk sugjerojnë butësinë, pafajësinë, qenien e pasherr, të pambrojtur, a nuk është ajo rezistencë gandiane e Kosovës gjatë atyre viteve? Osho do të thoshte: “Një re e bardhë merr kahen e vet kudo që e çon era – nuk reziston, nuk lufton. Një re e bardhë nuk është një pushtuese, dhe përsëri ajo qëndron mbi gjithçka. Ju nuk mund ta pushtoni atë, nuk mund ta mposhtni. Nuk e ka mendjen për të pushtuar – kjo është arsyeja pse nuk mund ta mposhtni atë.” Kjo gandianë (një tjetër leksemë poetike e asaj kohe), shfaqet përgjatë librit me këtë rend figurash që aspirojnë këtë butësi që nuk mund të bëhet zap, posi retë. Është si ajo epifania e rizgjimeve historike, që shndërrohet në qenien që më nuk mund të thyhet, është ai frymëzimi për ta jetuar jetën dhe për t’i dhënë kuptim ekzistencës. “Të jesh i butë nuk do të thotë që nuk je i fortë. Mjalti dhe zjarri janë të dyja me ngjyrën e artë”  thotë poetja Victoria Erickson. Është ai mësimi i rëndë i historisë: të mësosh kur ta bësh luftën tënde, dhe të mësosh kur të bëhesh i butë. Te “Gandiana e përsëritur” (poezi përkushtimore, poezi-tribut), në pak avrgje sintetizohen ato vlera të amshueshme të qenies e qenësisë sonë, ekzistencës dhe esencës sonë:

E ne jemi plim

tri fe e një fis

por kurrë jo narcis

në këto ditë

shpatën e ndërruam

me durim

(…)

Qoftë

edhe në këtë ferr

popullin askush

s’ma merr

Ishte ai hop i një ndërgjegjësimi të ri, kur Kosova po i hynte guximshëm në hapësirat e modernitetit socio-kulturor e politik evropian.

S’iu la regjimit agresiv arma e vetme që e kishte në duar: për ta luftuar këtë komb për “terrorizëm”! Provokimet, fatkeqësitë, dhimbjet, ankimet, u shndërruan në filozofinë e re të kohës, si sakrificë për t’i duruar ato; por për të vepruar për të qenë vetvetja! Nuk ishim ne ai fisi i egër i dhunimeve, por ishte dikush tjetër. “Durimi është i hidhur, por fryti i tij është i ëmbël” thoshte Aristoteli. Kurse Mirko Gashi këtë e shqipton në mënyrën e tij poetike:

Më mirë uria se koria

duro Lumi im

hala mundesh

Gandi çohet peshë

nëse ndryshe s’mundesh

Është ai vizioni poetik i një kohe që krijoi besimin te ky shtegtim i ri historik. Ti mund të mbetesh pa punë, pa para: e nëse Dikush (a Askush) dorëzohet dhe i siguron ato; ç ‘mbetet? Koria! U kuptua se durimi ishte edhe formë e veprimit të ndërgjegjshëm: gjërat pranohen qetësisht; ky durim shoqërohet me urtësinë, me urtësinë kolektive, gandianën, me prirjen për t’i afruar gjërat që gjenden larg. Ka do kohë, kur më lehtë gjen luftëtarë e njerëz për të rënë fli, se njerëz të gatshëm ta durojnë dhimbjen. E po e humbe durimin, i humb betejat tua, na mësonte Mahatma Gandhi i urtë. Poetët e Kosovës tashmë e këndonin këtë gandianë, duke e përballuar situatën e vështirë: ata nuk e lanë Kosovën vetëm, nuk ikën jashtë për ta gjetur strehën e qetësisë personale, siç bënë disa të tjerë. Ata vargjet e veta i shndërruan në gandianë poetike, në “blegërimë resh”, siç na ligjëron ky vëllim poetik. Gandiana (rezistenca e padhunshme) ishte idealizmi i ri i Kosovës që e ktheu vëmendjen e botës drejt nesh.


2. Simbolika dhe metaforika: përhënia dhe mjellma

Kurse i tërë vëllimi në dorëshkrim përshkohet nga kjo frymë e krijimit të kësaj fryme butësie, e krijimit të harmonisë nga kaosi, e kërkimit të përsosmërisë së qenies kundruall hallakatjes së brendshme. Ja disa nga titujt e këtyre poezive: Nata e qirinjve, Varret, Mama, Në gjykatore, Kalvari, Lulja, Atë Gjergj Fishtës, Tek Syla, Baritorçe, Përhënie, Vdekja dhe jeta, Pajtimi në Selishtë, Fati im, Pritja, Reinkarnimi im. Edhe te poezitë e sipërpërmendura na vijnë fjalë-simbolet dhe fjalë-mitemat e këtij poeti, vetëm se tash ritmi është më i kthjelltë, më lozonjar, me togfjalësha më të nuancuar poetikisht e estetikisht, me ngarkesa më të pasura kuptimore dhe me përjetime më të thella .

Poezia “Përhënie” sjell nuancime krijuese të reja të poezive të përparshme e të simbolikës së përparshme. Dihet se cila është situata e njeriut në gjendje të përhënët: qenie me shumë trille e teka, që e ndërron mendjen orë e çast e nuk di as vetë se ç’dëshiron e ç’kërkon; që nuk e përmban dot veten, siç e thonë edhe shpjegimet shqip të kësaj fjale. Ja ç’thotë poeti kur e krijoi këtë poezi: “Atë poezi e bëra me ndihmën e shumë vargjeve të mia nëpër poezi të ndryshme ku e kam përmendur hënën.” Figura e hënës në poezinë e Mirko Gashit ka një rrezatim figurativ dhe kuptimor të gjerë. Dy shënjuesit e saj më të thellë dalin: i pari te hëna, që është e privuar nga drita e vet dhe që është vetëm pasqyrim i diellit; i dyti tregues – hëna kalon nëpër faza të ndryshme dhe e ndërron vazhdimisht formën. Për këtë arsye, hëna simbolizon varësinë dhe principin femëror (përveç në raste të veçanta) si dhe periodizimi  dhe ripërtëritjen. Në harmoni me këtë, ajo është simbol i shndërrimeve dhe rritjes. Me hënën Mirko Gashi evokon bukurinë e femrës, por edhe bukurinë në jetë e në përmasa kozmike; evokon dritën nëpër shtigjet e errëta të fatit. Aty feksojnë vizionet e poetit: tashmë hëna shëtit nëpër zonat e mistershme e të fshehta, të dyfishta, të poetit: aty lëngon një imagjinatë nga pak e hallakatur, por është edhe imagjinata që ekzaltohet, dhe shtypet; së andejmi, ai i gjen burimet e të vërtetës dhe vatrat e lirisë shpirtërore e ekzistenciale. Aty  vjen fryma e fjalës së shqiptuar aq butësisht, pothuajse, një poetikë e frymës së butësisë së pazakontë, po aq sa edhe një ashpërsi rezistimi, një goditje si me gong që merr jehonë së brendshmi dhe dëgjohet në hapësirat e pakufishme të kozmosit:

Në dreq të mallkuar

me draprin e hënës së re në rërë

mjellmën e argjendtë e kanë prerë

Simbolizmi i mjellmës, ashtu si ai i hënës, po ashtu ka përdorim funksional estetik e poetik: ajo shënjon hijeshinë, bukurinë, energjinë, butësinë, -pastërtinë, fisnikërinë dhe plotkuptimësinë.  Ajo është sinonim i krijesës së bukur, e cila në poezinë e Mirko Gashit shfaqet përnjëmend si epifani lirike e ekstazës poetike. Nëpërmes kësaj poezie, sikundër figurat opozicionale jetë/vdekje, ujë/zjarr, dritë/errësirë etj. edhe këtu na vijnë ligjërimet e përvojave krejtësisht të kundërta: në njërën anë mjellma e bardhë, në tjetrën mjellma e zezë.  Opozicioni i tillë simbolik i shquar si përvojë e simbolistëve dhe parnasistëve evropianë, (diell i zi, kalë i zi etj), te Mirko Gashi e luan rolin e sintezës së atmosferës festive: jeta në harxhimin e saj na është një festë! Një dasmë hënash. Mjellma e bardhë shfaqet ditën, kurse mjellma e zezë është simbol i bardhësisë së natës; njëra solare, tjetra e errësirës. Bardhësi e errësirës! Të dy mjellmat në lirikën e Gashit  shfaqen si mistere të shenjta, të sakralizuara posi tek mitet, janë zona të mistershme (rrezatime reminishencash të dritës mashkullore e të dritës femërore). Në të vërtetë, kjo poezi, me orkestrimin e kaq shumë figurave të nuancuara semantikisht, shfaqet e thuret si një sintezë e bukur e tërë krijimtarisë poetike të Mirko Gashit, nga njëra anë dhe e jetës së tij nga ana tjetër.


3. Reinkarnimi i bohemës krijuese

Dhe pikërisht, kur në vitet ’90 të shekullit XX mizoria serbe po bënte mizori të pafund; pikërisht kur poeti ishte zhytur gjithnjë e më thellë në agoninë e bohemës së tij; pikërisht atëherë vargjet e tij na dalin kaq të thjeshta në përsosmërinë e ndërliqësinë e tyre strukturore-ligjërimore. Kësaj mizorie ai i përgjigjet me poezinë e ringjalljes së tij të shpirtit, të reinkarnimit të tij kozmogjenetik – rrugë e nisur që nga libri i parë. Aq magjishëm poeti luan me fjalë;i duket se po luan me tinguj muzikorë, se po qesh e buzëqesh me ato fjalë, duke e ndjerë therjen e tyre të ëndjes, kënaqësisë, sendërtimit, admirimit… kurse brenda atyre tingujve ai i ndërfut përsiatjet e meditimet e tij, lavdinë e fjalëve të papërsëritshme në thelbin e tyre. Poeti e ndien sëmbimin e lumturishëm që ia dhuron kënaqësia e fjalës dhe e rimtit të saj mbimuzikor, mbitingullor,  mbitekstor, fjalë e mbikuptimshme:

E bukura e Dheut

 në kikat e malit

 me temena

 është Nusja e jonë fytas mbytas

Fjalori i tillë poetik i tregon edhe burimet urtake të fjalës, edhe burimet e përshpirtshme të saj kundruall egërsisë së kohës,. Te një fjalëz-lojë-fjalësh ai shfaq imazhin e tërë rruzullimit-kohës, urtinë e shquar të thënies. Kurse te një figurë shfaqet fjala me hir të mahnitshëm: te gjendja më e pashpresë ai po dhuronte hirin e shpresës me anë të fjalës së tij poetike, me anë të riinkanrimi të tij vetjak dhe nacional. Ishte dora e maestros me vegime për/ndriçuese, me fërgëllima turbulluese ritmesh poetike, me ariet ritmike të fjalës përplot vizione vezulluese për të ardhmen. Mu në agoninë ,më të rëndë të kohës, Poeti augur po i ndjente ato çaste. Po ndjente se do të ikte përgjithnjë me energjinë, butësinë, pastërtinë, fisnikërinë… pas ëndrrës për të bukurën dhe dritën.

Exit mobile version