Kreu Letërsi Shënime mbi libra Pol Milo: Kronikat e simbolikës së një qyteti

Pol Milo: Kronikat e simbolikës së një qyteti

Romani Kronikë pa Qytet, i Ilir Pajës

Të shkruash një roman është njësoj si të ngresh një far. Ndriçimi i këtij fari nuk shërben vetëm për anijet në det, por për një simbolikë shumë herë më të thellë. Simbolika të tilla, mjaft të thella do të gjenden në romanin e botuar së fundmi nga autori dhe poeti durrsak Ilir Paja. Them poet, pasi edhe pse njihet gjërësisht si poet në rrethet intelektuale, ai me skemën e tij simbolike ka ndërtuar një far, i cili po paraqitet gradualisht duke u ndriçuar para lexuesve, në formën letrare të një romani. Ky roman ka krijuar një thyerje të madhe të traditave dhe vjen ndryshe me ide dhe koncepte. Një nga këto koncepte shprehet si më poshtë:

Për të bërë detin të ndihej më pranë Zotit, qyteti u kërkoi peshkatarëve, që në kthim, të hidhnin nga një gur në një vend të caktuar. Kështu pas shumë vitesh do të “mbinte” mbi ujë një ishull, e pas tij mbi të, do të ngrihej një “far”, ku ndriçimi do të ishte bekues.

Dikur në gjirin e Kotorrit, disa peshkatarë dhe marinarë që ankoroheshin në atë gji, kishin hedhur prej dhjetëra vitesh, gurë në mes të detit. Në ishullin e krijuar mbi pirg u ndërtua një kishë. Në këtë krahasim, autori ngre një sfidë simbolike, që nëse ne nuk bëjmë dot diçka të tillë, atëherë revolta e detit do të jetë ndalesa e dallgëve.

Nga njëra anë hedhja e gurëve na sfidon kujtesën mbi mëkatin biblik, se ai që nuk ka bërë faj le ta hedhë gurin i pari. E çfarë mëkati mund të bëjnë peshkatarët? Asnjë mëkat. Nga ana tjetër këto gurë nuk janë thjesht gurë mëkatarësh, por gurë të një fari për ndriçimin e një qyteti misterioz.

Ndriçimi vjen si metafore për kronikat e çuditshme të banorëve që enden pa një sistem vetiak referimi, të cilin ata e kërkojnë tek një qytet që nuk ja jep. Mungesa e sistemit të referimit paraqitet nga autori si nevojshmëri për një far ndriçimi me gurë të hedhur nga peshkatarë, që do ti rikthejë ndërgjegjen qytetit. Dhe kush më bukur mund ta përfaqesoje ndërgjegjen kolektive sesa deti! Për ta thelluar këtë simbolike, autori vijon: Kështu një det kaq i paprekshëm, kaq ringjallës, dhe pse qyteti ishte mbytur si një njeri brenda tij, i fortifikuar me bedena dallgësh, ku askush s’mund t’i hipte atyre dhe pse treteshin bregut, po bëhej tani më i dashuruar nga njerëzia.

Ndërsa vëmendja e qytetarëve është ende e shpërqendruar, duket sikur vëmendja e qytetit për to është e përqendruar dhe e heshtur. Ai i ndjen dhe i kupton të gjitha kronikat që zhvillohen mbi supet e tij, muhabetet dhe diskutimet, qejfet dhe dëfrimet, kurthet dhe intrigat, pabesitë dhe tinzarllëqet të cilat mbushin pjesën e padukshme të tij. Ja ky është personazhi kryesor, profesor Mangalla, mbiemri i të cilit, çuditërisht ngjan me emrin mangall, ku durrsakët e vjetër ngroheshin rreth zjarrit me prush të këtij mangalli. Ehhh… Ishin kohëra të tjera. Po ja që profesori ynë i nderuar Ilir Paja i sjell këto kujtime të freskëta, sikur ky mangall është në çdo klub të Durrësit. Muzikaliteti lidhet me legjendën si një kompozim klasik. Në një pasazh mjaft esencial, autori vijon:

– E di ç’më tha dikur një kompozitor? Ishte student i ri. Dëgjo një legjendë që krijon emri ose mbiemri. Sikur një kafkë qenka ngritur nga Ferri dhe me shpatën e Demokleut po bëka namin mbi ligje të padrejta. – Qeshi.

– Po thua që dhe mua me këtë mbiemër Mangalla, do ma krijojnë një legjendë? Vetëm mos të vdes dua tani. Thuaji dhe atij që shkel mbi baltë të ngurtësuar mijëvjeçarëve se ju pres për darkë.

Ilir Paja i përket atij brezi shkrimtarësh që e përshkuan mes për mes epokën e tranzicioneve sociale, njësoj si marinarët që kaluan përmes stuhisë oqeanike me anijet e tyre letrare. Dhe këto anije tani dolën më të forta dhe të kalitura. Ato tani dinë të manovrojnë bukur dhe me shumëllojshmëri stilesh, në çfarëdo lloj hapësire dhe kohe mbi detet e qeta dhe me diell.

Ky roman krijon një shteg të ri, një rrugë të pashkelura më parë. Ai hap ato dyert e ndryshkura të fotografisë së kopertinës, duke i mbushur ato me diell dhe me shpresë letrare, duke kaluar dhe ndriçuar ato rrugica me barishte, ku prej kohësh nuk kishte shkelur kush.

Romani është oksigjeni që furnizon një frymëmarrje të re artistike të qytetit. Ai krijon lidhjen mes magjikes dhe ekzistenciales, ëndrrës dhe realitetit. Në të shfaqet një pikturë herë me ngjyra dhe herë bardh e zi, herë më drita neonesh që ndriçojnë natën dhe herë më hije të errëta në mes të ditës! Në faqet e tij duket sikur lundron mes detit të çuditshëm me tërë format e tij, edhe të turbulluara e të stuhishme me dallgë përmbytëse që ndalojnë si në kapitujt e pare, e që më pas qetësohen duke ngjyrosur magjishëm me blu qytetin simbolik.

Kjo është një nga gjetjet e teorisë së medaljonit enigmatik të Dyrrahut, të cilit Ilir Paja i është afruar shumë. Dhe kjo gjetje do të marrë sharmin e magjisë, që për shumë autorë sot është ende mjaft e vështirë. Kjo lloj simbolike e një letërsie të re, është embrioni i krijimit të narracionit modern shqiptar, që po kërkohet shumë por ende nuk po gjendet nga autorë të cilët shkruajnë shumë por thonë pak. Prandaj leximi i romanit Kronikë pa Qytet është simbolika e hedhjes së gurëve të peshkatarëve për të ndërtuar farin e dritës, i cili nuk do vonojë të ndriçoje qytetin e mrekullueshëm dhe kronikat e historisë tij. Për këtë do të jemi plotesisht të bindur.

Exit mobile version