Kreu Letërsi Shënime mbi libra Petro Çerkezi: Emilios Solomu, shkrimtar i standardeve evropiane

Petro Çerkezi: Emilios Solomu, shkrimtar i standardeve evropiane

Emilios Solomu është një emër i njohur për lexuesin shqiptar. Romani “Fluturoi shpejt si harabel” është i katërti i përkthyer dhe botuar në Shqipëri.

E veçanta e këtij libri është fakti se është i pari në rrugën e suksesshme të këtij autori qipriot si prozator, krijimtari e cila do të kulmonte me Çmimin Evropian për Letërsinë në vitin 2013 për romanin “Ditari i një pabesie”, që është ditari i njeriut të sotëm intelektual, i njeriut që shkel mbi ndërgjegjen e vet dhe ajo ngre krye, e rrëmben nga qafa dhe e detyron mes përpëlitjeve t’i bëjë gjyqin vetvetes.

Kjo veçori nuk është vetëm e këtij romani, që kritika evropiane e nënvizoi dhe vlerësoi. Lufta e brendshme psikologjike, konflikti me vetveten, erinitë që e ndjekin dhe e gërryejnë botën e tij si ujërat e rrëmbyeshme tokën, ku më pak e ku më shumë, janë veçori potente në gjithë krijimtarinë e Solomusë, që i bëjnë më të strukturuara subjektet me ngjarjet, personazhet e skalitura dhe arkitekturën solide romaneske.  

“Fluturoi shpejt si harabel” është shkruar në moshën 23-vjeçare, kur autori sapo kish mbaruar studimet universitare dhe është një roman për dashurinë dhe dhembjen. Ajo që e shtyn autorin e ri të kapë penën dhe t’i përkushtohet shkrimit të kësaj vepre është një lloj amaneti, një ngjarje e dhimbshme personale dhe familjare, vdekja e papritur e të vëllait, goditur nga rrufeja. Varri i një djaloshi s’mund të jetë në qimitirin e njerëzve të zakonshëm, por mbi piedestal lulesh, kujtese dhe ëndrre. Përveç idesë së ringjalljes së vëllait dhe përjetësimit në një vepër letrare, shkrimtari, nisur nga kjo ngjarje familjare, na shpalos tablonë e një shoqërie të degraduar, të goditur nga rrufe të shumta, që s’mund të ketë fat tjetër. Kjo rrufe i djeg filizat e dhembjes para kohe, nuk u jep asnjë mundësi përfaqësuesve të brezit të ri të kenë ëndrra dhe t’i realizojnë, të shkollohen e të marrin rrugët e jetës nëpër qytete të mëdha. Duket se fati u ka paracaktuar qysh në fillim perspektivën kobzezë dhe mirologe të së ardhmes.

Në galerinë e personazheve përballen dy breza, pasqyrë e njëri-tjetrit, brezi i ri dhe i të rriturve, prindërve të tyre dhe përfaqësuesve të tjerë shoqërorë. Është tabloja bardhezi e një fshati të braktisur në mëshirën e fatit e të harruar të provincës, sunduar nga bota e vogël e paragjykimeve dhe meskinitetit, një vorbull kaosi që e krijon injoranca, varfëria dhe frika për të ardhmen. Në këtë roman, që e ritheksojmë së është i pari, spikatin karakteristikat më të mira të një prozatori që shpejt do të ngjitet si një yll i ri në horizontin e letërsisë evropiane. Ka një lloj realizmi në këtë roman, që të kujton herë-herë realizmin magjik të Markezit, po kështu, mbresëlënës është edhe vizatimi i gjallë i portreteve të personazheve me detaje simbolike përmes ngjarjeve intensive dhe përshkrimit të mjediseve dhe karaktereve në lidhje perspektive me një fantazi produktive për të na çuar tek e papritura.

Që në frazat e para autori fokuson personazhin kryesor, Vangjelin, në momentin e lindjes dhe sapo hap sytë lëshon një të qarë ankuese se e lëndon atmosfera rrethuese dhe fytyrat që lëvizin në të. Dritarja e parë janë sytë e këtij fëmije që simbolikisht autori na e jep të ketë gjykim e maturi për këtë botë që në çastin e lindjes dhe vazhdon të vështrojë dhe të gjykojë njerëzit dhe botën edhe kur mbyll sytë dhe ikën nga kjo jetë. Në njëfarë mënyre bëhet një transplantim, vëllai njësohet me autorin, bota dhe meditimet e tij transplantohen te shkrimtari, i ka hyrë në gjak dhe vazhdon rrëfimin e tij dalldisës. Mënyra më komode për ta shpirtëzuar njeriun e dashur, për ta sjellë në kohën e ëndrrës së tij të humbur dhe është një ngushëllim për autorin.

Askush nuk më pyeti nëse doja të rroja këtu. Instinkti më thoshte se kisha shumë për të vuajtur në këtë jetë. Më dhembën sytë nga drita e tepërt. Hapa e mbylla qepallat me hezitim. Fillova të qarën ankueshëm. Jo, nuk më pëlqeu këtu. Tundja këmbët, krahët, kokën, shkelmoja, shtyja. Më kot.”

Kjo botë ku lind ky fëmijë bie erë kalbësirë dhe personazhet, secili me dramën dhe historinë e vet, ngjajnë me mbeturina njerëzish, gjysmënjerëz, gjysmëhije, janë viktima të një shoqërie antinjerëzore. Autori nuk e përcakton kohën e ngjarjes, por është e kuptueshme, është periudha e amullt kur vendi sapo ka dalë nga një robëri e gjatë, por ende nuk e sheh kthjellët rrugën që do të marrë. Personazhet demonizohen dhe rivdesin me veprimet e tyre. Vuajnë nga braktisja, amullia dhe kalbëzimi. Na jepet vetmia lakuriqe e njeriut dhe i vetmi konflikt që pulson dramatikisht është me vetveten dhe fqinjin që herë-herë arrin shkallën e marrëzisë. Kjo i çon njerëzit të gjenden në një atmosferë hipnotike dhe të enden si somnambul. Të vetmet shkëndija të një bote të gjallë janë fëmijët që e thyejnë në njëfarë mënyre guaskën e atmosferës mbytëse të prapambetjes dhe paralizës. Ngjarjet rrokullisen kaq shpejt, si në një shtrëngatë dhe nuk është një, por disa dhe shkojnë paralelisht natyroret me shoqëroret, që lënë viktima pas.  

Është një roman për kohën, korrupsionin, kujtesën, dashurinë dhe pabesinë që zhvillohet mes së tashmes dhe së shkuarës.

Pa dyshim, nuk është çmimi që evidentoi vlerat e shkrimtarit, por çmimi ndihmoi për njohjen e gjerë dhe përkthimin e veprave të tij jashtë atdheut. Kështu, vepra “Ditari i një pabesie” pati 11 përkthime në gjuhë evropiane dhe u prit mirë nga kritika dhe nga lexuesit e vendeve të ndryshme.

Emilios Solomu është një nga forcat e qeta në fushën e romanit. Me vetëm disa romane të mira në krijimtarinë e tij ai ka arritur diçka shumë të vështirë: fitimin e vlerësimeve të mëdha dhe përvijimin e një trajektoreje të vazhdueshme në rritje! Publikimi i dy romaneve Ditari i një pabesie dhe Urrejtja është gjysmë hakmarrje e ngritën atë në shkallën e një shkrimtari bashkëkohor evropian. Solomu nënvizon si është të shkruash për një histori që lidh të kaluarën me të tashmen, më e theksuar kjo te romani voluminoz Urrejtja është gjysmë hakmarrje. “Shkrimi i librit ishte një provë, jo vetëm sepse më duhej të lexoja dhe hulumtoja shumë, por edhe sepse e ndieja se historia ime, ashtu siç u zhvillua nga ditët e sotme deri në vitin 1870 dhe anasjelltas, më rrëshqiste vazhdimisht nëpër duar dhe ikte. Kam punuar shumë me teknikat e rrëfimit, stilin që ndryshonte nga kapitulli në kapitull, marrëdhëniet midis personazheve. Ndjeva se ishte përtej fuqive të mia. Teksti po ndryshonte vazhdimisht si një amebë. Ashtu si libri i mëparshëm Ditari i një pabesie, ky ishte shkruar pothuajse në lëvizje… Në Qipro, në Athinë, në Hania. Nën presionin e vazhdueshëm të kohës. Gjithmonë ke ndjesinë se nuk ke kurrë kohë të mjaftueshme për të shkruar. Disi, përballë sfidës së madhe të të shkruarit, kur historia jote vazhdon, ndërsa personazhet e tua kërkojnë të marrin mish e gjak, të kenë zë, nuk ke zgjidhje tjetër veçse t’i shoqërosh, t’i ndjekësh në çdo hap. Të marrin për dore dhe të drejtojnë në një nevojë thuajse metafizike, për të shkruar, shumë herë me një ritëm astmatik, për ndonjë arsye të pashpjegueshme për të kapur hapin, sikur dëgjon në vesh rërën që bie nga klepsidra. Koha mbaroi. Edhe ju duhet të arrini në fund. Do të pushoni vetëm kur të shkruani fjalën tuaj të fundit. Më pas, sigurisht, do të jetë montazhi, lufta disamujore me fjalët, stilin, rrëfimin, personazhet”.

Romanet e Solomusë, me problematikë të theksuar shoqërore, me shqetësimet intelektuale dhe ekzistenciale të njeriut të sotëm, shkruar me art të guximshëm, harmonizuar me përmbajtjen dramatike, me një narracion të shkathët romanesk,  humanizëm të standardeve njerëzore evropiane përçojnë ide dhe mesazhe që bëhen të pëlqyeshme e përqafohen më shumë nga lexuesi i sotëm disi i çorientuar nga politikat globale antinjerëzore. 

Romani Fluturoi shpejt si harabel, botuar nga Shtëpia Botuese Neraida, përcjell skena dhe ngjarje që të kujtojnë fshatin shqiptar në periudha të kaluara historike dhe jo vetëm.

Exit mobile version