Kreu In memoriam Petrit Ymeri: Faleminderit, Milan Kundera

Petrit Ymeri: Faleminderit, Milan Kundera

Rreth fundit të viteve 80 e fillimit të viteve 90 të shekullit të kaluar pata lexuar diçka nga Milan Kundera. Fillimisht në një revistë letrare në rusisht që vinte në Tiranë “Inostranaja literatura”, më pas diçka në italisht dhe më pas ndonjë përkthim në shqip të përkthyer nga çekishtja, apo një përkthim të vjetër botuar në Prishtinë nga “Rilindja”. Por fillimi i viteve 90 ishte me një vërshim titujsh e autorësh që erdhën bashkë me ndryshimet e mëdha. Ndërkaq pata filluar veprimtarinë botuese private në maj 1991 dhe lexoja e kërkoja. Ndofta pak më vonë  lexova në italisht L’insostenibile leggerezza dell’essere (Lehtësia e padurueshme e qenies). Një roman që më bëri shumë përshtypje, duke filluar nga titulli i librit, i gjatë, i veçantë, gati një fjali që mund të kuptohej në shumë mënyra, ishte një enigmë më vete dhe një botë e tërë brenda tij, një botë ndryshe nga ato që patëm lexuar nëpër libra.

Pata botuar ndërkaq disa autorë të famshëm, por ende nuk pata menduar seriozisht për shkrimtarin e famshëm çek, nuk e di ndofta edhe për një lloj paragjykimi të brendshëm që ekzistonte tek ne për autorët lindorë, që shpesh na kujtonin letërsinë militante të disa autorëve tanë që na patën ardhur në grykë.

Nga fundi i viteve 90 ishte Mirela Kumbaro që më propozoi një tjetër roman të Kunderës, ndoshta po aq të famshëm sipas shumë kritikëve, “Shakaja”, të cilin ajo kishte filluar ta përkthente gjatë një qëndrimi të gjatë në Londër. Nuk ngurrova për asnjë çast. Edhe pse procesi i marrjes së të drejtave ishte tepër i vështirë, gjë që e lehtësoi atasheu francez i kulturës, Michel Tarran, një mik i mirë i botuesve shqiptarë. Për disa vite marrëdhëniet me Vera Kunderën, gruaja e Milanit, ishin tepër të zorshme, sepse ndofta përkujdesi i tepruar për veprën e të shoqit, shumë herë ma ulte entuziazmin. Hera herës më dukej gati sikur ajo më shumë nuk donte sesa donte që Milan Kundera të botohej në shqip. Ndofta edhe për shkak të disa historive të pakëndshme të disa titujve të Milan Kunderës botuar piratisht në shqip, ndofta për një lloj “zevzekllëku”  prej të cilit nuk shpëtonte dot, nuk e di, ndër vite ajo kishte kërkesa të panumërta për emrin e përkthyesit, cilësinë, talentin e tij që duhet të shoqëroheshin edhe me “provëzat” përkatëse. Sidoqoftë, kishte edhe një motiv që nuk lidhej me shqipen. Romanet e tij, të shkruara në çekisht, praktikisht janë lexuar më së shumti në përkthim, për shkak të ndalimit që iu bë veprës së tij në Çekosllovaki nga viti 1970 deri në rënien e regjimit komunist, më 1989. Kundera e ka përsëritur shumë herë që ai nuk u beson përkthyesve pa e kontrolluar vetë, për shkak, në radhë të parë, lirisë së tepruar që u japin vetes, pra mungesës së besnikërisë. Ndofta edhe pak i “djegur” nga historia e përkthimit të parë të Shakasë në frëngjisht (një histori shumë e njohur që nuk po e përsëris), besnikëria në përkthim ishte nga shqetësimet e tij të mëdha, aq sa ai edhe numëronte rrokjet në përkthimet e gjuhëve që nuk i njihte! Është e famshme batuta e tij në një intervistë në lidhje me përkthimin kur e pyeti një gazetar pse kishte ndryshuar stil: “Kam ndryshuar përkthyes, jo stil”, u përgjigj ai shkurt.

E, për t’u kthyer te libri i parë, Mirela e mbaroi si duhet punën e nisur, diku nga fundi i 1999 dhe kur romani Shakaja u botua, më fillimet e vitit 2000, ishte vërtet një ngjarje. Mbase jo fenomen pop, siç u konsiderua në vende të tjera, por roman që bëri bujë të vërtetë, dhe sidomos një roman që vijon të lexohet dhe pra të botohet pa fund. Për kërshëri, pikërisht në fillim të kësaj jave e kemi porositur një tirazh të ri të Shakasë.

Libri dhe suksesi i tij u hapi rrugën edhe disa titujve të tjerë, sepse Dituria vazhdoi me këtë autor, e deri tani janë me logon tonë 7 libra të tij, 6 romane dhe 1 vëllim me ese, pra filluam me Shakaja dhe vazhduam më pas me  Mosdija, Identiteti, Lehtësia e padurueshme e qenies, Valsi i lamtumirës, Ngadalësia, Një takim, dhe kemi në planet e afërta edhe dy libra të tjerë.

Edhe përkthyeset janë tashmë 3, sepse Mirela e përfshirë në politikë, jo gjithmonë arrinte t’u përgjigjej ritmeve tona, kështu që na u bashkuan Saverina Pasho me Mira Meksin në këtë rrugë të bukur me librat e autorit të shquar bohem.

Tashmë Kundera është shumë i njohur dhe mjafton emri i tij për të siguruar suksesin e librit te lexuesi shqiptar.

Por besoj se ashtu si kudo tjetër, libri më i lexuar tek ne ka qenë dhe është Lehtësia e padurueshme e qenies, përkthyer nga Saverina Pasho. Milan Kundera, me këtë roman propozon edhe një herë dilemën e zakonshme: cili është qëllimi ynë në jetë? Qenie apo mirëqenie? Çfarë rëndese ka shpirti, kur njeriu tërhiqet gjithnjë e më shumë nga lehtësia dhe kotësia me të cilat është ndërthurur jeta jonë!

Duke folur me Rothin në vitin 1980 në “New York Times”, Kundera është ankuar se ai ndiente se “romani nuk ka vend” në botë, duke thënë se “bota totalitare, e themeluar mbi Marksin, apo Islamin apo ndonjë gjë tjetër, është një botë përgjigjesh më shumë sesa pyetjesh”.

“Më duket se në të gjithë botën njerëzit në ditët e sotme preferojnë të gjykojnë në vend që të kuptojnë, të përgjigjen në vend që të pyesin,” vazhdonte ai, “kështu që zëri i romanit vështirë se mund të dëgjohet mbi marrëzinë e zhurmshme të sigurive njerëzore…”

Është rasti të themi një të vërtetë të bukur: “Shkrimtarët si ai nuk vdesin kurrë”.

Suksesi i romaneve i ka dhënë Kunderës një vend dhe një staturë intelektuale në këtë epokë ku kufijtë ishin përcaktuar qartë dhe shkrimtarët që hynin në Panteon ishin të padiskutueshëm dhe mishëronin figurën e Shkrimtarit, si David Grossman, Auster, Yehoshua, Saramago.

Exit mobile version